Nga Kastriot Kotoni
Pjesa e dytë
Memorie.al / Më 6 maj 1971, në Tiranë, në sallën e leksioneve të Pallatit të madh të Kulturës, zhvilloi punimet takimi i parë kombëtar i arkitektëve i organizuar nga kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në takim merrnin pjesë arkitektë, inxhinierë ndërtimi, skulptorë, piktorë student të degës së arkitekturës së Universitetit Shtetëror të Tiranës e, punonjës të artit e letërsisë. Midis tyre ndodheshin edhe anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, Manush Myftiu, Ramiz Alia e Spiro Koleka, anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, Dashnor Mamaqi, Fadil Paçrami e Nexhmije Hoxha, ministri i Arsimit e Kulturës Thoma Deliana, kryetari i Komitetit Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit Myqerem Fuga, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Dhimitër Shuteriqi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Bashkimit Rinisë së Punës Shqipërisë, Agim Mero, e të tjerë.
Shumë shembuj të praktikës sonë tregojnë qartë se veprat që edhe nga ana estetike nuk i qëndrojnë kohës nuk mund të jenë ekonomike. Nuk duhet të na mbysin me konceptet e qëndrimet e gabuara që kërkesat estetike të arkitekturës i njësojnë me mbi shpenzimet.
Faktori ekonomik nuk mund dhe s’ka se si të shndërrohet në arkitekturë në një qëllim në vetvete. Ai s’ka si të mos shihet në raport të drejtë e logjik me të gjitha anët e arkitekturës dhe jo vetëm për nevojat imediate, por për një kohë sa më të largët, sepse i tillë është dhe destinimi i veprave të arkitekturës. Duhet të ndihmonte së tepërmi një kritikë arkitektonike, e cila në fakt nuk ekziston.
Pra arkitekt Mosko shtron përpara auditorit një prioritet demokratik për të shpënë përpara mendimin arkitektonik shqiptar e platformën e saj teorike në përshtatje me kushtet e kërkesat e kohës. Këtij qëllimi i shërben edhe takimi i këtij lloji për krijimtarinë në arkitektonikë.
Gazetari Italian Indro Montaneli në librin “SHQIPËRIA NJË DHE NJË MIJË”, kur shkruan kapitullin për Tiranën, është një debat i hapur edhe sot, ndaj edhe po e citojmë; “Sepse Tirana është një qytet thellësisht modern, pothuajse i shpikur, si ndonjë qytet amerikan që i ka zëvendësuar rrokaqiejt me minaret, koha e saj nuk ka veçse dy masa: të tashmen dhe të ardhmen.
E kaluara nuk ekziston. Por gjithë pjesa tjetër e vendit nuk e ndjek pas këtë përpjekje moderniste, ose të paktën, nuk e ndjek me të njëjtin hap. Dhe kërcënon ta lërë të izoluar Tiranën, si një metropol evropian i improvizuar në mes të një shkretëtire rërash afrikane, si një Romë apo Paris që për shkak të një mrekullie qiellore ka rënë në mes të Kinës. Ky është një problem politik që nuk duhet lënë pas dore.
Pas referatit të arkitektit Sokrat Mosko me interes është fjala e arkitekt Petraq Kolevica i cili ndër të tjera thotë: Profesioni ynë na ngarkon me përgjegjësi të madhe ndaj shoqërisë. Guxoj të them, bile, me një përgjegjësi më të madhe se sa mjekët apo pedagogët.
Jo më kot egjiptianët e vjetër e mbanin profesionin e arkitektit për të shenjtë. U përmend këtu roli i madh edukonjës i arkitekturës. Dhe unë dua të shtoj se s’ka ekzagjeruar shumë ai që ka thënë “Mund ta vrasësh një njeri me pamjen e një ndërtese, siç mund ta vrasësh me sëpatë”.
Po ta mendojmë kështu, kuptojmë se sa përgjegjësi të madhe, kemi ndaj shoqërisë, e cila na ka dhënë në dorë një lapës dhe tok me të dhjetëra milionë lekë, na ka lënë në dorë rrugët, ndërtesat, gjelbërimin, qytetet dhe fshatrat. Njohja e historisë së arteve dhe historisë së arkitekturës në veçanti si mjet interpretimi i fenomeneve të sotme mungon. Ato njohuri të pakta që kemi mbeten të vagullta në mes kujtimeve të mjegullta nga shkolla.
Përgjithësisht punohet me përshtypjet e çastit, nga shfletimet e revistave. Pa ndonjë përvetësim kritik të orientuar nga ligjet e përgjithshme të artit dhe shkencave. Gjykimi ynë i bie shkurt: Më pëlqen; s’më pëlqen! Përveç boshllëqeve të kulturës teknike, ndër ne kultura e përgjithshme ka mbetur e cekët dhe fragmentare.
Duket se kritika e Kolevicës shkon edhe më tej, për çështjen e kulturës së arkitektëve si domosdoshmëri që ata të jenë pjesa më e kulturuar e intelektualëve të vendit tonë, të mos kemi asnjë iluzion për ndonjë ndryshim të dukshëm në arkitekturë, shtonë ai.
Ndër të tjera kjo arrihet me specializimin, por ndërsa mjekët shkojnë me konvejer jashtë shtetit për specializime në degë të ndryshme me afate optimale, për arkitektët duket sikur është zgjidhur ky problem duke i dërguar me pavijonet e Dhomës së Tregtisë, a ndonjë punë tjetër kësodore. Me këtë rast ata shikojnë rrëmbimthi nja dy aeroporte apo stacione treni, soditin shkarazi rrugë qytetesh e fasada ndërtesash-në rastin më të mirë marrin disa fotografi dhe vijnë më shpejt seç venë.
Asnjëherë, asnjë arkitekt nuk është dërguar të studiojë për një periudhë të caktuar problemet e ndërtimit të shkollave, të spitaleve, të banesave apo të shohë zgjidhjen e problemeve urbanistike të ndonjë qyteti të huaj. Një referat tjetër i mbajtur nga arkitekti Enver Faja, përqendrohet në problematikën e krijimit të byrove të projektimit në disa rrethe të Shqipërisë.
Një trajtesë tjetër e Enver Fajës është aspekti kompozicional i qendrave të banimit me të gjithë elementët. Nuk mund të zhvillohet jeta e një lagjeje në qoftë se asaj i mungojnë objektet e domosdoshme shoqërorë.
“Si mund të jenë të kënaqur banorët e lagjeve, kur nuk u ngrenë shkolla 8-vjeçare dhe fëmijët për të shkuar në shkollë duhet të bëjnë 1 km. rrugë. Apo, kur banorët për të blerë artikuj ushqimorë, që i ka si nevojë të përditshme, banori detyrohet të shkojë në qytet. A është menduar, për shembull, për një vend ku do të lozin fëmijët”?
Një tjetër referat me temë arkitekturën e gjelbërimit e referuar nga arkitektja Vasilika Cicko, e cila përshtatjen e veprës arkitektonike me ambientin ku vendoset dhe lidhja organike që duhet të krijojë ajo me natyrën. “Gjelbërimi si një objekt plastik e gjallëron arkitekturën, i jep asaj jetë, krijon një ambient romantik dhe çlodhjeje”.
Referati i skulptorit Kristaq Rama fillon me shembujt më të mirë të trashëgimisë njerëzore në fushën e ndërtimeve, bile siç thotë ai; “që nga vendbanimet e para, të cilat banori i lashtësisë zbukuronte me figura e dekoracione të ndryshme, e gjer në periudhat më të ndritura të zhvillimit të arkitekturës në epokat e mëdha, dëshmojnë se arkitektura dhe artet figurative kanë tërhequr dhe në shumë raste kanë plotësuar njëri- tjetrin.
Vetë fakti që Tirana e sotme prej 200 mijë banorësh ka mbetur me dy sheshe qendrore të trashëguar nga e kaluara, pa mundur të krijojë pika të tjera që t’i përgjigjen intensitetit të zhvillimit social ekonomik e kultural të kryeqytetit, dëshmon në mënyrë të padiskutueshme për probleme ende të pazgjidhura nga urbanistika jonë që, si rrjedhim, përjashton edhe mundësinë e zhvillimit harmonik të gjinive të arteve monumentale dekorative.
Por duke mos dhënë Tirana shembullin e saj në këtë drejtim, sepse s’ka suva, apo vetëm tulla silikate, mbetet të pranojmë atë që është e dukshme dhe e metë e ndërtimeve në kryeqytetin tonë, mungesën e kritereve të drejta shkencore në studimin e kuartalave të banimit me tërë komponentët që i duhen njeriut të ditëve tona”, e mbyll referatin Kristaq Rama.
Arkitekti Ilir Fico, referon për çështjen e mobilimit në banesat, për krijimin e ambienteve të këndshme. Ai shtron pjesëmarrjen e arkitektëve në masë të gjerë në projektimin dhe krijimin e mobilieve të reja që të jenë ekonomike dhe estetike, në këtë mënyrë do të ekonomizohen më mirë hapësirat e shfrytëzueshme.
“Banori, si “homus economicus”, përpiqet ta racionojë sa më mirë hapësirën e banesës së vetë. Skematizmi në prodhimin e mobilieve është dhjetë vjet mbrapa. Bëhet fjalë për shkëputjen nga mobilimi me mindere drejt divaneve e bufeve e dollapëve e kolltuqeve të një modeli”. Piktori Foto Stamo e shquan qartë idenë se artistët arkitekturën e konsiderojmë art, duke përfshirë në gjirin e arteve të tjera.
“Shpesh në diskutimet tona për probleme të arteve figurative, sidomos të arteve të aplikuara jemi hedhur edhe tek arkitektura, duke e parë atë si një nënë që mban në gjirin e saj edhe gjini të artit figurativ. Mendimi se: “tani nuk është koha të shtrojmë para projektuesve e arkitektëve tanë kërkesa estetike”, mendoj se nuk i qëndron kohës.
Shpesh herë dëgjon mendime jo vetëm nga artistët, por edhe nga masat, se kur je në Lushnje, të duket sikur je në Fier apo në Shkodër. Arkitekti nuk është një kopjues mekanik, por një artist krijues, që mendon dhe krijon larmi kompozicionale në veprat e projektet e tij.
Ne artistët kemi ngritur gjithnjë dhe e kemi konsideruar të domosdoshme çështjen që në projektet arkitekturale duhet të gjejë vend edhe vepra e artit fiurativ, sidomos veprat e arteve të aplikuara. Një aspekt tjetër që prek Foto Stamo është dhe përdorimi i ngjyrave.
“Vihet re një shqetësim për suvatimin e pallateve dhe për ngjyrosjen. Në qoftë se hedhim një vështrim si në qytetin e Tiranës, ashtu edhe në qytetet e tjera, dominojnë ngjyrat krejtësisht të zbehta, në gama të përafërta, monotone e anemike. Koloriti i qytetit dhe i godinave të reja ashtu edhe për të vjetrat duhet zgjidhur drejt e me kujdes”.
Arkitekti Niko Titka e fillon referatin kështu: “Arkitekti sot formon kornizat e jetës së brezave të ardhshëm. Duhet pra të dijë jo vetëm nevojat e ditës së sotshme dhe të mundë t’i zgjidhë, por të parashikojë nevojat e së ardhmes dhe mjetet e veprimit, të shikojë me mendje në të ardhmen duke krijuar mundësinë për të ardhmen. Faktorët e rritjes së shpejt të popullsisë dhe akoma më tepër të zhvillimit dhe revolucionit teknik”.
Sipas Niko Titkës në vitin 2000, në periudhë prej afro 30 vjetësh popullsia e vendit tonë arrin rreth 3-3.5 milion njerëz, si Leonardo da Vinçi, duke vërejtur ngjarjet që pasojnë, rastet dhe zbulimet, ka thënë: “Nganjëherë më duket se nuk ka të tashme. E kaluara bashkohet me të ardhmen. Është vetëm dita e djeshme dhe e nesërme”.
Arkitekti Kostaq Sahatçiu është përqendruar në arkitekturën industriale dhe jep shembuj të zgjidhjeve të shumë problemeve në bashkëpunim me teknologët dhe inxhinierët. Po ashtu edhe arkitekti Koço Miho e nis diskutimin e tij me vlerësimin për arkitektët, por njëkohësisht shpreh dhe vërejtjet.
“Nga pikëpamja globale, urbanistike e tërësisë ne kemi akoma mungesa studimesh, mungesa krijimi, monotoni për të cilat na ka kritikuar me kohë Komiteti Qendror. Natyrisht kundër të bukurës nuk ka se si të dilet hapur, por vihen përpara faktorë ekonomikë, industrializimi etj. Një koncept i tillë është vlerësimi i pakët që u bëhet aspekteve estetike të arkitekturës, në raport me faktorët e tjerë”./ Memorie.al















