Pjesa e parë
Memorie.al / Shtabi Operativ i “Kosmetit” i urdhëruar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare i Jugosllavisë, me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945, mobilizon me dhunë shqiptarët për t’i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të “Adriatikut” në veri-perëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët very-perëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën: Prizren – Kukës – Shkodër – Tivar – Dubrovnik – Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Besiana (ish-Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni.
Sipas kujtimeve të pleqve, që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm, të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake, të komanduara nga oficerë shqiptarë, kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese (në kazermat ushtarake) në Prizren. Pas sistemimit, shqiptarët e mobilizuar do të çarmatosen, me arsyetimin se armët do t’i marrin në Kroaci e Slloveni!
Çarmatosja, atyre iu ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejtë ka lindur dyshimi në përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua edhe më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptarë dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada XXVII-të e Divizionit 46-të serb, e njohur për terrorizimin e popullit shqiptarë gjatë muajve të kaluar.
Marrëveshja UNÇ Jugosllave, me UNÇ Shqipërisë: Brigada e III-të dhe e V-të nga Shqipëria, për spastrimin e Kosovës nga çetat që bëjnë rezistencë
Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse), përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Shtabi Suprem i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave, duke i shfrytëzuar rrethanat e krijuara, në fillim të shtatorit të atij viti Shtabin Kryesor të UNÇJ-së për “Kosovë e Metohi”, e degradoi në Shtab Operativ dhe më 14 shtator ia nënshtroi Shtabit Kryesor të UNÇJ-së për Serbi. Dhe për çudi, në emër të Shtabit Operativ të “Kosmetit”, do të nisin përgatitjet luftarake gjoja për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, apo në të vërtetë Shtabi Suprem i UNÇJ-së, kishte për synim ripushtimin e tyre.
Në vjeshtën e atij viti, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me Ushtrinë e Kuqe ruse, më pastaj me forcat bullgare, dhe më 2 shtator 1944, edhe me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi…!
Derisa ushtria gjermane tërhiqej nga shumë fronte të luftës, ideja e Shtabit Suprem të ushtrisë gjermane për forcimin e vijës së frontit në Ballkan, u bë e parealizueshme dhe në këto rrethana armata “E” gjermane, e cila ishte e dislokuar në Greqi, mori urdhrin që të tërhiqet nga ky rajon. Tërheqjen do ta bëjë nëpër Maqedoni, Kosovë dhe Sanxhak, për të kaluar mandej në Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, në drejtim të veriut.
Armata “E” për çudi nuk u pengua (përkundër propagandës së bërë nga strategët e UNÇJ-së), por kaloi me shumë pak humbje në veri-perëndim të Jugosllavisë, ndërkohë që luftimet më të ashpra në Kosovë brigadat sllavo-komuniste, do t’i zhvillojnë gjoja “kundër forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë”.
Për të argumentuar këtë qëndrim, po i referohemi letrës së Miladin Popoviçit, të cilën në emër të Komitetiot Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë. Në letër ndër të tjera, Miladin Popoviç shkruan: “Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda.
Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar, do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim – vërejtja ime Sh.B.) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së, -vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhen gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t´i gjykojë menjëherë e fshatarët t´i çarmatosë…”!
Sipas marrëveshjes, UNÇJ-UNÇSH, në fillim të tetorit 1944, në Kosovë do të futen Brigadat III-tw dhe V-të të Korparmatës së I-rë të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë. Më 17 tetor 1944 edhe Armata II-të bullgare u nis për Kosovë, ndërkohë që atje (Kosovë) dhe në viset e tjera etnike shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, i kishin përfunduar përgatitjet për ofensivë, njësitet e Korpusit të XIII-të të UNÇJ-së (Divizioni i 22-të, i 24-të, i 25-të dhe i 46-të serb), Divizioni i 41-të maqedon, brigada e 9-të malazeze dhe të gjitha brigadat e UNÇJ-së për “Kosovë e Metohi”.
Operacionet ushtarake të këtyre forcave, filluan ofensivën pushtuese në tri drejtime: 1. Kurshumli – Përpallac – Podujevë – Prishtinë; 2. Lebanë – Medvegjë – Prishtinë; dhe 3. Bujanoc – Gjilan-Prishtinë.
Vendosja e administrimit ushtarak në Kosovë dhe mobilizimi i dhunshëm i shqiptarëve në mars 1945
Brigadat III-tw dhe e V-tw të Korparmatës së I-rë të UNÇ të Shqipërisë, ndihmuan vendosjen e administrimit ushtarak jugosllav. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së Josif Broz Tito, me urdhër të veçantë nr.31, vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Për këtë vendim, Tito-ja, më 7 shkurt në Beograd, pati një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviçin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviçin, të cilëve iu foli për rolin që duhet ta luante Administrimi Ushtarak në Kosovë.
Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe gjyqësor. Me këtë rast pasuan ndryshime në tërë strukturën e kuadrove komandues. Në krye të pushtetit ushtarak, përkatësisht të Shtabit të Ri Operativ, u emrua ish-shefi i Armatës së I-rë kolonel Savo Dërleviç, duke e zëvendësuar Fadil Hoxhën, i cili mbeti zëvendës i tij.
Shef i Shtabit u emërua nënkolonel Dushan Vukotiç (deri në atë kohë ishte zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllav), shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviç (i dërguar nga shtabi qendror i Serbisë), ndërsa komisar politik, u emërua nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1945, kjo komandë bëri riorganizimin e tërësishëm të ushtrisë, duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46, 52, etj. Kjo makineri pushtuese ushtarake në Kosovë, duke i marrë të gjitha masat për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët”, vrau e masakroi mijëra shqiptarë anë e këndë Kosovës.
Veçmas pas vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, për shtypjen dhe shpartallimin e elementeve kryengritëse, Shtabi Operativ i urdhëruar nga Shtabi Suprem i UNÇJ-së, nisi mobilizimin e shqiptarëve për t’i dërguar në frontin e Trieshtës dhe Istrës (në veri-perëndim të Jugosllavisë), ndonëse mobilizimi i shqiptarëve kishte filluar qysh në fund të dhjetorit 1944 (me dërgimin e tyre në frontin e Sremit, në veri të Serbisë). Më 11.03.1945 në Gjakovë u organizua një demonstratë e grave, kundër mobilizimit me dhunë të djemve, vëllezërve dhe burrave të tyre.
Rrugëtimi i përgjakur i eshaloneve (grupeve)
Vrasjet e para u bënë në mesnatën e 26-27 marsit, gjatë një pushimi nën qiellin e hapur në Kukës. Eshaloni i parë që përbëhej nga 3.700 veta, u nis më 24.03.1945 dhe pas 5-6 ditësh arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të IX-të jugosllav. Gjatë rrugëtimit, derisa u dorëzuan në vendin e caktuar, të mobilizuarit u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë.
Të mobilizuarit shqiptarë nga Tivari do të nisen për në Istri, ku fillimisht disa ditë do të ndalojnë për të pushuar në ujdhesën Çiovë afër Trogirit. Dhe ato ditë gjatë kalimit me një anije të vjetër, nga ujdhesa për në Trogirë, u mbytën rreth 65 veta, prej të cilëve 29 qenë vetëm nga Kaçaniku. Eshaloni i dytë i përbërë nga 4.700 veta, u nis dy ditë më vonë (më 26 mars), nën përcjelljen e forcave të Brigadës XXVII-të dhe më 30 mars 1945 në Shkodër, iu dorëzua Brigadës X-të malazeze.
Gjatë marshimit katër ditor në rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër, përkundër lodhjeve e rraskapitjeve të mëdha nga rruga e gjatë, të mobilizuarit u maltretuan e u rrahën dhe në shumë vende shumë prej tyre u vranë, gjatë kohës së pushimit, gjatë kalimit të lumenjve apo gjatë tentimit të ndonjërit prej tyre për ta shuar etjen, në burimet e ujit. Vrasjet e para u bënë në mesnatën e 26-27 marsit 1945, gjatë një pushimi nën qiellin e hapur në Kukës. Me këtë rast u vranë njerëzit më autoritativë nga radhët e të mobilizuarve, ishin eprorët e njësive ushtarake ata shqiptarë që komanduan gjatë marshimit, nga qendrat komunale për në kazermat ushtarake të Prizrenit.
Në mbrëmjen e 27 marsit 1945, ky eshalon arrin në Fushë-Arrëz dhe sipas një skenari të parapërgatitur mirë, xhelatët serbo-malazezë, gjatë kohës së pushimit (në mesnatën 27-28 mars 1945) nën qiellin e hapur duke fjetur (në gjumë), vrasin mizorisht rreth 120-140 veta dhe kufomat e tyre u hodhën në një hendek. Pas këtyre peripecive, nga Shkodra nën përcjelljen e malazezëve – në mesditën e 1 prillit 1945, arritën në Tivar. Atë ditë të kobshëm rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo-malazezë, të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve.
Kjo kolonë është ndaluar në qendër të qytetit (me urdhër,) kinse për të pushuar dhe ndërkohë ndodhë një eksces në mes rojës dhe katër shqiptarëve, të cilët u penguan që të pinë ujë në një krua aty afër. Nga ky konflikt ushtarët e urdhëruar derdhin një breshëri plumbash në trupat e shqiptarëve, me ç’rast vriten disa prej tyre. Situata e tensionuar me qëllim (për ta filluar komplotin e përgatitur), e shtyu masën e shqiptarëve që të shtrihen për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe tarracë të shtëpive e, në shkëmbinjtë e kodrave përreth.
Gjatë muajve mars-prill 1945, përmes rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar (për në Frontin e Adriatikut) janë depërtuar 16.423 shqiptarë nga Kosova, kurse rreth 4.600 të tjerë, u dërguan nga viset shqiptare të Maqedonisë. Ndërkaq, në janar 1945, për në Frontin verior (të Sremit) janë mobilizuar rreth 18.500 shqiptarë në përbërje të Brigadave të “Kosmetit” dhe 5000 të tjerë nga Maqedonia. Nga këto shifra rezulton se gjatë muajve janar-prill 1945, janë mobilizuar dhunshëm rreth 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset e tjera etnike, për frontet e ashtuquajtura të “Sremit” e të “Adriatikut”.
Mobilizimi i bërësve të krimit për zhdukjen e krimit
Për të humbur gjurmët e kësaj vepre mizore, u mobilizuan të gjitha njësitë ushtarake serbo-malazeze, qytetarë e punëtorë të këtij nacionaliteti dhe me kamionë, vagoneta, qerre etj., gjatë tërë natës së 1 e 2 prillit i bartën kufomat dhe të plagosurit (bashkë!!!) dhe i transportuan në drejtim të Tivarit të vjetër, tek një vend (humnerë), në mes të shkëmbinjve të bregdetit. Kufomat e shqiptarëve fillimisht u dogjën dhe pastaj u hodhën në humnerë, ndërsa pjesa tjetër do të varrosen…!!!
Sipas burimeve arkivore rezulton se në Tivar, më 1 prill 1945, u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër, del se ky numër mund të jetë shumë më i madh. Kjo ngjarje tragjike për popullin shqiptar, edhe pse ndodhi larg opinionit të atëhershëm, ishte e qartë se u përgatit nga kreu i udhëheqjes jugosllave edhe pse më vonë Aleksandër Rankoviçi me kompani, këtë ngjarje do të përpiqet ta cilësojë si “incident të rëndë të shkaktuar me fajin e vet shqiptarëve”!
Barbarizmi i UNÇJ-së kundër popullit shqiptar
Gjatë këtyre operacioneve të përgjakshme, këto forca kryen krimet më të shëmtuara që njeh historia e njerëzimit, ndaj popullatës shqiptare, si dhe konfiskuan, plaçkitën, dogjën e shkatërruan pamëshirshëm pronat e tyre. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e masakruar në mënyrat më mizore, 47.300 shqiptarë.
Kështu, në:
- Gjilanë, janë vrarë 7854 veta.
- Prishtinë, 3.675.
- Drenicë, 4.820.
- Mitrovicë, 1.970.
- Pejë, 3.540.
- Ferizaj, 1.260.
- Podujevë, 1.670.
- Prizren, 1.200.
- Gjakovë, 800.
- Rahovec, 750.
- Suharekë, 420.
- Dragash, 500.
- Preshevë, 690.
- Shkup, 1.450.
- Tetovë, 4100.
- Gostivar, 715.
- Kërcovë, 490.
- Sangjak, (Jeni Pazar), 1.410,
- Kumanovë, 780.
- Tutin, 900.
- Bihor, 3820.
- Plavë e Guci, 710.
- Ulqin, 515.
- Tivarë e Dalmaci, 2.600 shqiptarë.
Në këtë situatë e tërë pasuria e shqiptarëve të vrarë ishte konfiskuar, asgjësuar ose ishte plaçkitur nga kolonistët serbë, që qenë kthyer sipas direktivave të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave./ Memorie.al
Përgatiti Kreshnik MERSINLLARI
Vijon numrin e ardhshëm












