Memorie.al publikon editorialin e Adeel Hassan, një prej reporterëve dhe editorialistëve më të njohur të gazetës prestigjioze The New York Times, lidhur me tragjedinë e dinastisë Kennedy.
Në këtë artikull Hassan, ka përshkruar në mënyrë të përmbledhur, të gjithë gamën e tragjedive dhe fatkeqësive që ndër vite, kanë “pushtuar” dinastinë familjare më të famshme jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe më gjerë. E njohur ndryshe dhe si “Mallkimi i familjes Kennedy” këto ngjarje të dhimbshme, do të shoqëronin për dekada me radhë, fatin e trishtë të tyre. Duke nisur zanafillën që në fillimin e viteve ’40-të me sëmundjen e Rosemary Kennedy dhe duke përfunduar në 2019, me ndarjen nga jeta në moshë të re të Saoirse Hill, mbesës së kësaj familjeje.
Historia e dhimbshme e “Mallkimit të dinastisë Kennedy”.
Vdekja e Saoirse Kennedy Hill shton historinë tragjike të familjes. Vdekja e zonjushës Kennedy Hill në moshën 22 vjeçare, shton një mori fatkeqësish, që ndër vite kanë pllakosur, Kennedy-të, dhe që njëkohësisht kanë rikthyer, atmosferën e zymtë të një mallkimi familjar. Saoirse Kennedy Hill, 22 vjeçe, një nga mbesat e Robert F. Kennedy, vdiq në gusht të viti 2019 pasi pësoi një mbidozë të dukshme, në kompleksin Kennedy në Portin e Hyannis-it. “Zemrat tona janë të shkatërruara nga humbja e Saoirse-s tonë të dashur,” tha familja Kennedy në një deklaratë. “Jeta e saj ishte e mbushur me shpresë, premtime dhe dashuri.” Këtu po hedhim një vështrim në disa nga fatkeqësitë që kanë goditur një nga familjet më të spikatura dhe me ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rosemary Kennedy
Rosemary, që ishte gjithashtu vajza e madhe e kësaj familjeje, në moshën 23 vjeçare, vuajti nga luhatjet e ndjeshme të humorit, paranoja dhe ankthi. Babai i saj, Joseph, u përpoq që sëmundjet e vajzës së tij, ti mbante larg syrit të vëmendshëm të publikut, sidomos gjatë zgjedhjes President, të djalit të tij John. Ajo me kalimin e viteve, iu nënshtrua procesit mjekësor të lobotomisë pre-frontale. Por në vend që të kishte përmirësim nga ky proces, ajo nuk pati veçse një përkeqësim të dukshëm. Rosemary Kennedy, vitet e mbetura të jetës së saj, i kaloi në një institucion mjekësor në Wisconsin, kur dhe vdiq në 2005.
Joseph P. Kennedy Jr.
Fëmija më i madh i Joseph dhe Rose Kennedy, Joseph Jr, ishte përgatitur, për të përfunduar, vitin e tij të fundit në Shkollën Juridike të Harvardit në 1943. Por përkundrazi ai u deklarua vullnetar, që të shërbente si pilot ushtarak, për Marinën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë Luftën e Dytë Botërore. Ai u dërgua në Angli dhe vdiq gjatë një misioni sekret, kur një aeroplan eksperimental i ngarkuar me eksploziv shpërtheu mbi kanalin e La Mansh-it. Familja ishte së bashku në Portin Hyannis-t një pasdite të diele në gusht, kur dy priftërinj erdhën me lajmin për vdekjen e tij, në moshën 29 vjeçare. “Babai im i mori të dy burrat lart”, theksoi më vonë Eunice Kennedy Shriver, motra e Joseph Jr. “Pak më vonë ai zbriti dhe tha: “Ne e kemi humbur Joe-n”. “Pastaj ai u kthye lart në dhomën e tij dhe mbylli derën.” Kur lindi Joe Jr, gjyshi i tij, Kryetari i Bashkisë, John F. Fitzgerald-i nga Bostoni, njoftoi për mediat lajmin se i porsalinduri ndoshta do të bëhej, President një ditë. “Joe ishte ylli i familjes sonë,” tha John F. Kennedy vite më vonë. “Ai bëri gjithçka shumë më mirë se pjesa tjetër prej nesh.”
Kathleen Kennedy
Si një 18-vjeçare, Kathleen, vajza e dytë më e madhe, iu bashkua babait të saj në Londër, kur ky i fundit u bë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, në Britani. Ajo ra në dashuri me Evropën dhe përfundimisht do të vendosej atje. Kathleen, e njohur si “Kick”, ishte një gazetare në gazetën “Times-Herald” në Washington kur edhe ajo, u deklarua vullnetare në Luftës e Dytë Botërore në 1943. Më pas ajo, u kthye në Londër. Atje u martua me William Cavendish, Marquess of Hartington, që ishte një efektiv i Ushtrisë Britanike. Ai u bashkua me regjimentin e tij në Francë, një muaj pas dasmës së tyre dhe u vra në luftime tre muaj më vonë. Kathleen mbeti e ve në moshën 24 vjeçare. Kick, po planifikonte të martohej përsëri, por u vra kur një aeroplan i vogël që ajo dhe i fejuari i saj po pilotonin, u rrëzua gjatë rrugëtimit të tij, nga Parisi për në Rivierën Franceze. Ajo ishte 28 vjeçe. Në epitafin mbi varrin e saj thuhet: “Gëzimin që ajo dha, gëzimi që gjeti.”
Patrick Bouvier Kennedy
Patrick, djali i sapolindur i Presidentit Kennedy dhe gruas së tij, Jacqueline, në 1963, vdiq tre muaj para vrasjes së babait të tij. Ai kishte atë që njihet tani si sindromi i distresit të frymëmarrjes dhe jeta e tij zgjati më pak se 40 orë. “Ai bëri mjaft luftë,” deklaroi Presidenti. Ai ishte një fëmijë i bukur”. Pasi Patrick vdiq, Presidenti u tërhoq në dhomën e tij private në spital dhe bërtiti, sipas dëshmisë së ndihmësve të tij të ngushtë. Zonja Kennedy mbeti e shtruar në spital edhe për një javë tjetër pas lindjes. Paraqitja e saj e parë e zgjeruar publike në Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së Patrick, erdhi në nëntor në udhëtimin e fundit të Kennedy-t në Texas.
John F. Kennedy
Ashtu si vëllai i tij më i madh, John F. Kennedy iu bashkua Marinës Ushtarake, dhe u caktua si toger në Paqësorin e Jugut. Gjatë këtyre luftimeve ai komandoi një anije torpedo patrulluese, PT-109. Gjatë një sulmi japonez, varka e tij u fundos, duke lënë të vdekur dhe dy nga ushtarët e John-it. Por ai arriti të shpëtojë pjesën tjetër të ekuipazhit dhe për këtë arsye, iu dha Medalja e Marinës dhe Korpusit Detar. Pas kësaj John F. Kennedy u sëmur disa herë nga sindroma e Addinson-it dhe pas kapitullimit të Japonisë, ai qëndroi disa ditë në koma, në një spital të Tokyo-s. Gjithashtu, ai ra në një gjendje kome pas operacionit të shpinës në vitin 1954. Pas kthimit në shtëpi, në Massaçusetts, ai fitoi një vend në Kongres në vitin 1946, dhe u zgjodh në Senat në vitin 1952. Në korrik të vitit 1960, ai u bë kandidati kryesor, demokrat për President dhe triumfoi mbi Zv. Presidentin Richard M. Nixon, nga marzhi më i paktë i votave deri në atë periudhë. Vrasja e tij në Dallas nga Lee Harvey Oswald, në 22 nëntor 1963, në moshën 46 vjeçare, ishte një moment, tronditës, shokues, dhe pikëllues, jo vetëm për familjen, por edhe për kombin. “Plumbi i snajperit, la një plagë që nuk shërohet, një plagë në vetëdijen tonë si Amerikanë,” shkruajti kritiku i kulturës Dwight Macdonald, në dhjetor të 1963. Amerikanët qëndruan të “ngujuar” në televizionet e tyre për gati katër ditë, që nga vrasja e tij, të premten në drekë, deri në funeralin shtetëror Presidencial, që u zhvillua, të hënën pasdite. Funeral i cili, u shikua në 93 përqind të të gjitha shtëpive , një audiencë e paparë kombëtare, deri në atë kohë.
Robert F. Kennedy
Robert, vëllai i Presidentit dhe Prokurori i Përgjithshëm, dha dorëheqjen nga ai post gati 10 muaj pas vrasjes së vëllait të tij John-it. Ai zuri një vend në senat si përfaqësues i New York-ut. Dhe ndërsa trazirat e viteve 1960 u rritën, shumë amerikanë e shikuan atë si shëruesin e një kombi të shkatërruar nga Lufta e Vietnamit dhe të ndarë sipas racave dhe klasave. Ai hodhi kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale, dhe fitoi në garën paraprake për Partinë Demokrate në shtetin e California-s. Por Robert-i u qëllua për vdekje në 5 qershor 1968 në Hotelin Ambasador në Los Angeles ku dhe do të vdiste të nesërmen. Ai ishte 42 vjeç. “Vëllai im nuk ka nevojë të idealizohet ose të zmadhohet në vdekje, përtej asaj që ai ishte në jetë,” tha senatori Edward M. Kennedy, vëllai i vetëm i mbetur në eulogjinë e tij. “Për tu kujtuar thjesht si një njeri i mirë dhe i denjë “. Rreth një milion njerëz ishin, të rreshtuar në stacionet hekurudhore nga New York në Washington në një zinxhir gjigand vajtimesh ndërsa arkivoli i z. Kennedy u dërgua për në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. “Ju keni një ndjenjë të një mënyreje personale humbjeje të pafundme,” tha njëri nga ndihmësit e Z. Kennedy, kur shikonte turmat nga treni. Për shumë amerikanë, shpresa që ata ndienin në fillim të viteve 1960 me inaugurimin e Presidentit Kennedy u shua nga vdekja e vëllait të tij.
David Kennedy
David, ishte vetëm 12 vjeç, duke parë televizor në një dhomë hoteli në Los Angeles, kur vuri re që babai i tij, Roberti ishte qëlluar për vdekje nga atentatori Sirhan Sirhan. Në moshën 28 vjeçare, David, i cili kishte një histori me përdorimin e heroinës dhe alkoolit, vdiq nga një mbidozë e drogës në një hotel në Palm Beach, të Floridas.”Ishte një moment shumë i vështirë për të gjithë anëtarët e familjes sonë, përfshirë nënën e Davidit, Ethel-in, vëllezërit dhe motrat e tij që u përpoqën aq shumë për ta ndihmuar atë vitet e fundit,” tha xhaxhai i Davidit, Edward, në atë kohë. “Të gjithë ne e donim shumë. Me besim te Zoti, të gjithë lutemi që Davidi më në fund të gjejë paqen që nuk e gjeti në jetë.
Jacqueline Bouvier Kennedy
Jaqueline Kennedy, ishte Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara gjatë presidencës së John F. Kennedy-t dhe u konsiderua atëherë dhe më pas si një ikonë ndërkombëtare e stilit dhe kulturës. Më 22 nëntor 1963, Jacqueline ishte së bashku me bashkëshortin e saj John Fitzgerald, në eskortën presidenciale në Dallas, të Teksasit, kur ky i fundit, u qëllua për vdekje. Pas funeralit të tij, ajo dhe fëmijët e saj u tërhoqën nga jeta publike. Në vitin 1968, Jacqueline, u martua me manjatin grek të anijeve, Aristotle Onassis. Pas vdekjes së Onassis në 1975, ajo pati një karrierë si redaktore e librave në New York. Ajo vdiq në 19 maj 1994, nga sëmundja e kancerit në gjak, në moshën 64 vjeçare.
Michael Kennedy
Në prag të Vitit të Ri 1997, vëllai i Davidit Michael ishte në Aspen, të Colorado-s, duke bërë gara me ski, një traditë që familja e kishte trashëguar ndër vite. Michael 39 vjeç, gjatë një gare skish me disa miq të tij, rrëshqiti, duke humbur kontrollin e skive, duke u përplasur me një pemë. Ai vdiq nga plagët e marra. Michael, drejtoi një organizatë jo-fitimprurëse që furnizonte me karburant, për ngrohjen e të varfërve. Ai gjithashtu dhe kishte punuar në fushatat politike për anëtarët e familjes së tij.
John F. Kennedy Jr.
Përshëndetja e John Jr i veshur me një pallto blu dhe pantallona të shkurtra në funeralin e babait të tij është ngulitur, në shumë zemra dhe mendje amerikane. Ditën kur u varros babai i tij ishte edhe ditëlindja e tij e tretë. Ai ndoqi Brown University dhe New York University Law, përpara se të shërbente si prokuror në zyrën e distriktit të Manhattan-it. Ai shërbeu gjithashtu edhe si redaktor i “George”, një revistë politike që themeloi në 1995. John Jr. “pothuajse me siguri do të kishte hyrë në politikë”, deklaroi Laurence Leamer, autori i librave të shumtë për Kennedy-të. “Dhe ai do të kishte qenë i suksesshëm.” Por në 1999 dhe në moshën 38 vjeç, John Jr. u aksidentua dhe vdiq kur avioni që po fluturonte u rrëzua mbi Oqeanin Atlantik në vendin e quajtur Martha Vineyard. Gruaja dhe kunata e tij të cilat, ishin në bord, gjithashtu mbetën të vdekura. Ata ishin duke shkuar në dasmën e Rory-t, fëmija më i vogël i Robertit. Në vend që të festonin martesën, anëtarët e tjerë të familjes u mblodhën në kompleksin Kennedy për të mbajtur frymën për të afërmit, duke pritur informacion, për fatin e tyre.
Edward Moore Kennedy
I mbiquajtur dhe si Ted Kennedy, ai, ishte një politikan amerikan që shërbeu si senator nga Massachusetts-i për pothuajse 47 vjet, nga viti 1962 deri në vdekjen e tij në 2009. Ted ishte, anëtar i Partisë Demokrate dhe familjes politike të Kennedy-ve. Ai ishte anëtari i dytë më i lartë i Senatit, dhe senatori i tretë që shërbeu më gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Edward-i, ishte vëlla i Presidentit John F. Kennedy dhe Prokurorit të Përgjithshëm, dhe senatorit Robert F. Kennedy, të dy viktima të vrasjeve politike. Vetë Edward në moshë të re i kishte mbijetuar dy aksidenteve të rënda. Ai do të shuhej nga kanceri në moshën 77 vjeçare.
Kiara Kennedy
Kiara, vajza e senatorit Edward M. Kennedy, vdiq nga një atak në zemër pasi punoi për një kohë të shkurtër, në një klinikë shëndetësore në zonën në Washington. Ajo ishte 51 vjeçe. Zonja Kennedy ishte një regjisore dhe më e moshuara nga tre fëmijët e Z. Kennedy dhe Joan Bennett Kennedy. Ishte nënë e dy adoleshentëve. “Për dallim nga babai im, unë ndihesha më e rehatshme pas kamerës sesa para saj,” shkroi ajo në revistën “Boston Globe” disa muaj para vdekjes së saj. “Por si ai, unë gjeta përmbushjen time më të madhe në tregimin e nevojave dhe sukseseve të të tjerëve”.
Mary Richardson Kennedy
Mary Richardson, ishte ishte një projektuese, arkitekte dhe filantrop amerikane. Ajo ishte një ithtare e politikave për ruajtjen e mjedisit, dhe ishte një bashkëthemeluese e Nismës së Ushqimit, fondi më i madh për hulumtimin e sigurisë ushqimore në Shtetet e Bashkuara. Më 16 maj 2012, Kennedy u gjet e vetë-varur, në shtëpinë e saj në Bedford, të New York-ut. Një raport i autopsisë zbuloi se ajo kishte antidepresantë në sistemin e saj të gjakut. Funerali i saj, i organizuar nga familja Kennedy, u mbajt në Kishën Katolike të St. Patrick në Bedford./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016