Nga Pjetër Logoreci
Memorie.al / Një profil për Anton Logorecin, shkrimtarin, gazetarin, diplomatin dhe atdhetarin e pashoq në shërbim të kombit…! Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si rezultat i komenteve dhe kritikave që ai përcillte nëpërmes Radio Londrës, familja e tij në Shkodër, vuajti kalvarin e mundimeve, burgjet dhe diskriminimin…! “Dekadat e diktaturës i mohuan kulturës sonë kombëtare, një mision veprues shumë të fuqishëm, atë të diasporës. Një element me vlerë të kësaj hapësire kulturore, që pret t’i pohohet sa më shpejt kulturës kombëtare dhe të vetëdijesohet sa më pare, në ndërgjegjen popullore, sidomos në atë të rinisë, e përbën trashëgimia shpirtërore e Anton Logorecit. Ky personalitet i fuqishëm i kulturës sonë i takon asaj radhe intelektualësh shqiptarë që, e kuptoi dëmin kombëtar të komunizmit dhe i’u kundërvu atij me gjithë aftësinë intelektuale, vullnetin shpirtëror dhe zjarrminë e pasionit”!
E nisa shkrimin tim mbi intelektualin e atdhetarin Anton Logoreci, me këtë pasazh shumë domethënës nga një artikull i botuar në shtypin shqiptar nga studiuesi i njohur shkodran Anton Çefa, me titull: Anton Logoreci, përfaqësues i denjë i kulturës së diasporës shqiptare.
Intelektuali Anton Logoreci ose Ndoci, siç e thërrisnin shkodranët, lindi në Shkodër me 19 korrik 1910, në një familje me tradita atdhedashëse. E ëma Maria, bijë nga familja elitare Toska, pat nëntë fëmijë, shtatë djem dhe dy vajza, ndër të cilët Antoni, ishte fëmija i parë. I ati, Pjetri, për të ushqyer familjen e madhe, punonte si argjendar, por ishte dhe shumë aktiv në lëvizjet politike e shoqërore të kohës.
Për këtë, gjatë qeverisjes së tij, Noli e emëroj atë nënprefekt të Malësisë së Madhe, ndërkohe që vëllezërit e tij, Matia e Paloka, i ishin përgjigjur thirrjes së xhaxhait të tyre, Arqipeshkvit të Shkupit, Andrea Logoreci, për të punuar si mësues për përhapjen e arsimit e gjuhës shqipe, në Kosovë (Prizren e Gjakovë).
Që fëmijë, Antoni, pat kontakte me figura madhore të rilindjes sonë kombëtare, si; Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre e Lazer Mjeda, të cilët ishin miq të familjes, por dhe farefis (Ndre e Lazër Mjeda) me Logorecët. Ai nisi mësimet në klasat fillore të Etërve Franceskane, për të kaluar më vonë, në klasat për të rritur, të Kolegjit Jezuit të qytetit të Shkodrës. Si fëmijë, Antoni, ishte gjithmonë aktiv dhe premtonte një personalitet të spikatur artistik e letrar. Ai ishte një nder fëmijët e talentuar, pjesë e grupit teatror të shkollës, ku arriti të shpalosë dëshirën e pasionin e tij për skenën ndër rolet e melodramave historike e patriotike që luheshin në kolegj.
Në një shënim biografik për Logorecin, z. Fan Sotir Kristo, shqiptaro amerikani i njohur nga Bostoni, shkruan në volumin 12 të Buletinit Katolik Shqiptar, të botuar në San Francisko si dhe në rrjetin amerikan informativ ‘FROSINA’, këto kujtime: “… Gruaja ime Jane dhe unë patëm fat, shumë vite më parë, për të takuar Anton Logorecin në Londër, gjatë vizitave tona në atë qytet historik, ku shpejt u bëmë miq të mirë me të dhe me gruan e tij të bukur, Doreen, me të cilën ai u njoh ne BBC, ku punuan se bashku gjate Luftës se Dyte Botërore.
Anton Logoreci,… ishte thesari më i fundit që i jepej botës nga një familje katolike shqiptare. Të afërm të familjes së tij, ishin, Arqipeshkvi i Shkupit Andrea Logoreci, prindërit e Nënë Terezës, Mati Logoreci, xhaxhai i tij i cili, punoi shumë për të ruajtur kulturën shqiptare në Kosovë dhe për të ndihmuar në formulimin e një alfabeti të përbashkët, për gjuhën shqipe. Gjatë fëmijërisë së tij, Antoni ndoqi në Shkodër shkollën fillore françeskane, ku dhe shërbeu në altarin e Kishës së Shën Antonit, aty afër. Ai i si fëmijë, i pat shërbyer rregullisht Meshës së At Gjergj Fishtës, autorit të madh shqiptar dhe poetit laureat”.
Në vitin 1922, me themelimin nga Kryqi i Kuq Amerikan të Kolegjit Teknik Amerikan në Tiranë, familja e dërgoj Antonin në këtë kolegj, i cili ndikoj shumë në formimin perëndimor të tij. Ambienti, gjuha angleze, programi mësimor, aktivitetet e shumta si dhe mësuesit e specialistët e shkollës, ishin elemente të fuqishëm në pregaditjen e shumë anshme mësimore e disiplinore të çdo studenti, që do t’i shërbente më pas për të krijuar bazat e një karrierë të fuqishme.
Përveç pregaditjes së një kaste teknikësh, që më vonë do t’i shërbente rindërtimit të vendit në të gjitha fushat, Kolegji qe një nga bazat e fuqishme të krijimit të elementeve përparimtare, që me kulturën e marrë aty, i tregonin botës se vinin nga një shoqëri e emancipuar dhe e denjë evropiane.
Antoni me sjelljen e talentin e tij letrar, u bë një ndër studentet e zgjedhur të drejtorit Harry Fultz, i cili drejtonte kolegjiumin e redaksisë të revistës së shkollës ‘LABOREMUS’, të cilën e kishte krijuar vetë. Antoni ishte një nder redaktorët e revistës, por edhe shumë aktiv me shkrimet e tija në këtë organ. Falë inteligjencës së tij, kjo periudhë i shërbeu atij që të kuptonte sekretet e shkrimit në prozë, që më pas e ndihmoi për punën e tij të përhershme, në Radio Londra, por edhe për të shkruar artikuj, tregime, novela e libra të suksesshëm.
Pasi u diplomua në vitin 1927, Antonit ju dha mundësia të ishte shoqërues dhe përkthyes i gjeneralit britanik, Jocelyn Percy të cilin Presidenti Zog, e ngarkoj me organizimin dhe trajnimin e Xhandarmerisë Shqiptare. Puna në skuadrën e gjeneralit anglez, e ndihmoj Logorecin të krijojë një këndvështrim të saktë për demokracinë, diplomacinë, politikën e po ashtu të përcaktonte rrugën e studimeve dhe karrierës së tij të ardhshme.
Pasi përfitoj një bursë, për rezultate të larta, nga shteti, në vitin 1937, filloj studimet dhe u diplomua për ekonomi e shkenca politike në universitetin shtetëror në Londër, LSE (London School of Economics and Political Science), një nga universitetet më në zë të botës, nga ku dolën personalitete të politikës botërore, shumë mbajtës të çmimit Nobël, sipërmarrës nga më të suksesshmit e botës, gazetarë të famshëm si dhe dhjetëra profesorë, që mësuan pastaj në gjithë anët e globit.
Në Shqipëri, Antoni, edhe pse në moshë të re, arriti të krijojë lidhje të shumta me personalitete të shquara të kohës nga të gjitha fushat, si; Edith Durham, Ernest Koliqi, Branko Merxhani, Ismet Toto, Tajar Zavalani, Eqerem Çabej, Karl Gurakuqi, Petro Marko, Odise Paskali, etj. Ai kishte një bashkëpunim të përhershëm, nëpërmes botimeve të tija, me revistat dhe gazetat shqiptare të kohës. ‘NOLOGUS’ ishte pseudonimi me të cilin ai u paraqit me shkrimet e tija në organet e shtypit, si brenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 1940, qeveria angleze, duke vlerësuar situatën e krijuar ndërkombëtare, vendosi të hapë një program në gjuhën shqipe në rrjetin njohur BBC. Kjo dritare informacioni, do t’i shërbente shqiptarëve, të cilët vuanin nën pushtimin fashist për të kuptuar situatën e luftës, por edhe për t’u ndërgjegjësuar kundër okupatorit. Me propozimin e sekretarit të ambasadës shqiptare, Dervish Duma, drejtimin e këtij programi, e mori Anton Logoreci. Duma e njihte mirë Logorecin, qysh në shkollën e Fultz-it, ato ishin miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, në të mirë të Shqipërisë, gjithë jetën.
Nuk ka shqiptar që të mos e ketë dëgjuar çdo mbrëmje zërin e Anton Logorecit, nga qendra transmetuese e BBC¬së, që ishte një institucion edukimi politik e demokratik edhe për të. Ai aty, nuk punoi si folës i thjeshtë, por edhe si komentator, si përgjegjës i sektorit për Shqipërinë, e më vonë si përgjegjës i BBC-së për sektorin e tërë Evropës Lindore”, shkruan Albulena Stojaku, në shtypin shqiptar në artikullin: ‘NOLOGUS, NJE PERSONALITET I HARRUAR…’, dedikuar Anton Logorecit…!
“Ai ishte një nga komentatorët më të kualifikuar të Evropës Lindore dhe më vonë, u bë shkrimtar e gazetar i programit për Evropën Qendrore dhe mbeti një komentator i vlefshëm për BBC-në për vite me radhë, duke u specializuar për problemet e të drejtave të njeriut në Evropën Lindore, si dhe zhvillimet në Shqipëri.
Logoreci, ishte arsyeja e vetme për vëmendjen që Shqipëria mori pas Luftës. Qe ne fillim, ai e akuzoj Enver Hoxhën, për diktaturën e tij, duke theksuar se e ardhmja e Shqipërisë, duhet t’i përkasë demokracisë Perëndimore dhe jo komunizmit. Logoreci, ishte një mbrojtës i autonomisë, kulturës dhe traditave të Kosovës. Komentet e tij, ishin të largpamëse dhe shpesh profetikë”, shprehet njohësi i çështjes shqiptare, kolegu dhe miku i tij shqiptaro-amerikan Fan Kristo, në ‘Buletini Katolik’ të shqiptarëve të Californisë.
Anton Logoreci, njihej në mbarë diasporën shqiptare, jo vetëm si rezultat i përhapjes së zërit e komenteve të tija në shqip nga Radio Londra, por edhe nga botimet e tija, si shkrimtar e gazetar. Ishte dëshira e tij e jetës, që t’i përkushtohej kësaj fushe. Krijimet e tija në prozë, përshkoheshin nga një stil i zhdërvjellët e modern, që e veçonte atë nga shkrimtarët e tjerë bashkëkohorë. Në shkrimet e tij plot pasion, ai sillte me mjeshtri para lexuesit, bukurinë e trojeve shqiptare, freskinë e luleve në oborret shkodrane, karakteret e bashkëqytetasve me problemet e tyre sociale, e mallin e tij që e digjte për atdhe.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, si rezultat i komenteve dhe kritikave që Logoreci përcillte nëpërmes Radio Londrës, familja e tij në Shkodër, vuajti kalvarin e mundimeve, burgjet dhe diskriminimin. Regjimi burgosi vëllaun e tij më të vogël, të sapo dalë nga bangat e gjimnazit, Filipin, i cili vuajti, i mbyllur por i pa dënuar, në burgun e Shkodrës ku i prenë gjymtyrët, ku u sëmur rëndë nga tuberkulozi që i shkaktoj vdekjen në sanatorium.
Shokët e tij të burgut tregojnë që:..sa herë që në emisionin shqip të Radio Londrës, përmendej emri i diktatorit, mostrat injorante, kapterët komunistë të burgut, torturonin pa mëshirë deri në prag të vdekjes, të vëllaun Filipin. Familja e Antonit në Shkodër, ishte vazhdimisht pre e bastisjeve dhe kontrolleve nga njësitet e Sigurimit, që kërkonin të gjenin një shkak që të burgosnin vëllezërit e tjerë. Falë personalitetit, njohjeve e kontakteve të mira të Antonit, Logorecët patën edhe ndonjë periudhë të shkurtër “qetësie”.
Në memorien e çdo pjesëtari të familjes Logoreci, ka mbetur e fiksuar marrja e tyre nën mbrojtje, gjatë një reprezalje, nga shkrimtari Petro Marko, që me statusin e komandantit, gjendej me shërbim në Shkodër, i cili, sapo dëgjoj që në familjen e Anton Logorecit, po bëheshin bastisje, që pjesëtarët e familjes i kishin lidhur në pranga, ndërhyri personalisht, duke larguar nga shtëpia e tyre njësitin e Sigurimit e, duke penguar burgosjen e Gasprit, vëllaut tjetër të Antonit, i cili mbet vetëm pak ditë në burg.
Po ashtu, ato nuk mund të harrojnë rrëfimin e komunistit (anëtarit të Komitetit Qendror) Fadil Paçrami, për takimin e tij me Antonin në Londër. Sipas Paçramit:…Ai ishte dërguar në Londër nga diktatori, për t’i kërkuar Antonit “kthimin” në Shqipëri, ….me arsyetimin: …që ka më “nevojë” Shqipëria për ty, se Londra…!
Logoreci, i cili e njihte më mirë se kushdo tjetër bëmat e pabesinë e komunistëve shqiptarë, nuk pranoj, pasi ishte i bindur se po të kthehej, do ta priste pushkatimi apo burgosja përjetë. Si aktivist i të drejtave të njeriut, në forumet ndërkombëtare, ai kontaktonte dhe merrte informacione nga të gjithë të arratisurit politik shqiptarë, që dilnin në Perëndim, për këtë shkak, ishte kurdoherë i mirë informuar dhe aktual në emisionet e tij, të Radio Londrës.
Gjithashtu ai e njihte mjaft mirë edhe hakmarrjen e kriminelit Mehmet Shehu, të cilin e kishte pasur bashkënxënës në kolegjin amerikan të Fultzit. Dihej nga të gjithë, që Mehmet Shehu, arrestoj, burgosi apo pushkatoj gati të gjithë kolegët e tij të shkollës amerikane, për “fajin” e vetëm, se kishin qenë nxënës të “spiunit” Harry Fultz…!
Gjatë viteve të formimit të tij profesional, si dhe të angazhimeve të tij për Shqipërinë, Antoni pat bashkëpunim të ngushtë me personalitete të kulturës shqiptare në diasporë, si: Dom Zef Shestani, Arshi Pipa, Martin Camaj, Zef Skiroi, At Daniel Gjeçaj, Ernest Koliqi…! Në shtëpinë e tij në Londër, vite me radhë, Logoreci, priti dhe strehoj shumë bashkatdhetarë të arratisur e studentë nga Shqipëria, që prisnin të udhëtonin drejt botës së lirë, Amerikës e vendeve të tjera.
Në vitin 1977, Anton Logoreci botoi në Londër librin e tij; “The Albanians – Europe´s Forgotten Survivors” (ose të shkruar në shqip “Shqiptarët – të mbijetuarit e harruar të Evropës”), një libër i shkruar me profesionalizëm dhe që u bë pikë reference për të gjithë studiuesit e çështjes shqiptare e ballkanike. Libri ishte një analizë e thellë e shkaqeve të lëngimit të gjatë të atdheut nga komunizmi, izolimi, konfliktet ndërkombëtare, marrëdhëniet me fqinjët, si dhe vuajtjet dhe perspektivën e lirisë së Kosovës martire.
Gazetarja dhe kritikja angleze, Elisabeth Barker, shkruan: …Logoreci i dha librit të tij, “The Albanians”, një titull kuptimplotë – Europe´s Forgotten Survivors” – TE MBIJETUARIT E HARRUAR TE EUROPES. Ai ka treguar në libër historinë e një prej kombeve më të vegjël e, më të vjetër evropiane, të cilët banojnë në malet e tyre shkëmbore, në bregdetin lindor të Adriatikut, një popull përherë i sulmuar, por, kurrë i nënshtruar nga pushtuesit e huaj, i rrethuar nga fqinjë armiqësore, e në pjesën më të madhe të historisë së tij, i harruar nga bota.
Po ashtu, gazetari i politikës ndërkombëtare dhe specialist i njohur i Ballkanit, James H. Seroka e ka vlerësuar librin me këto fjalë: …përshkrim interesant dhe korrekt i Shqipërisë bashkëkohore, që përmban përshkrime nga historia, kultura, ekonomia, politika, sociologjia e politika e jashtme e vendit, por jo si librat e tjerë, ky është i shkruar nga një shqiptar me perspektivë…!
Libri është burimi i vetëm më i mirë, për Shqipërinë, i shtypur deri më sot…! Është për të ardhur keq, shkruan Prof. Anton Çefa, që tragjedia vazhdon ende. Libri është shkruar e botuar, por nuk ka rënë ende në dorë të shqiptarëve, nuk është përkthyer, pra nuk është lexuar.
Edhe pse me një jetë e familje të realizuar, Antoni, i cili kishte dekada që ishte larguar, në pamundësi të vizitës në vendin e lindjes, digjej nga malli për atdheun. Kjo pasqyrohej qartë ndër skicat e tregimet e tij për atdheun e sidomos për Shkodrën. Ai po thuajse çdo vit, i shoqëruar nga një pjesëtar i familjes mike, Kovaçi nga Ulqini, ngjitej në një pikë të lartë të malit të Taraboshit, për të kundruar Shkodrën e tij të dashtun, por të shuar mallin për vendin e lindjes dhe gjysmën tjetër të familjes, që përpëlitej në ferrin komunist shqiptar.
Kurdoherë nga Taraboshi, ai merrte me vete dhe shtrëngonte në gji, një grusht dhe apo gurë nga toka e nënës, Shqipëria.
Antoni vdiq me 23 shtator 1990, pa arritur të kthehet në atdhe dhe në qytetin e lindjes Shkodër, por arriti të shohë agoninë dhe rrëzimin e bishës komuniste, si në atdheun e tij dhe në të gjithë Europën lindore, gjë për të cilën punoj gjithë jetën. Për aktivitetin e tij politik dhe atdhetar, ne vitin 1993, presidenti i Shqipërisë, Dr. Prof. Sali Berisha, e nderoi me medaljen “Pishtar i Demokracisë”.
Ka rreth 12 vjet, që Bashkia e Shkodrës neglizhon dhënien e një titulli nderi apo, emërtimin e një rruge për të përjetësuar emrin e Anton Logorecit, që me veprimtarinë e tij në Londër, i bëri nder kombit dhe qytetit të Shkodrës. Por keqdashja dhe injoranca e drejtuesve të administratës lokale, nuk do të arrijë të zbehin madhështinë e Anton Logorecit, birit të një familje, gur i fortë në themelet e historisë së qytetit e të kombit shqiptar. Memorie.al
Vjen, me 10.5.2017
Marrë nga observatorikujteses.al