Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
-Dokumenti sekret me ngjarjen e panjohur e dy familjeve nga Vermoshi që pasi dolën në Jugosllavi, duke kaluar kufirin në pikën kufitare ‘Bashkim’ të Velipojës, dhanë intervista në Radio-Televizionin e Titogradit-
Memorie.al / “Arratisja e 17 vetave, është një ngjarje e rëndë, në përmasa që solli dëm të punës së Partisë, kurse ne si forcë Kufiri, nuk kryem detyrën, moralisht, populli na dënon, armiku në këtë betejë, fitoi në tërësi ky rast uli forcën goditëse. Për këtë ngjarje, përveç përgjegjësisë që ka Komanda e Postës, Komanda e Repartit 299, sektori operativ në Degë, e kryetari i Degës, përgjegjësi të madhe kemi edhe ne, komanda e Shtabi i Forcave të Kufirit”!
Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion që mban datën 3 shtator të vitit 1987, të hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila informon aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, duke i bërë me dije, për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur më datën 10 gusht të atij viti, ku në ora 02 të natës, dy familje të fshatit Vermosh, me 17 persona, kishin mundur të arratiseshin në Jugosllavi, duke kaluar kufirin shtetëror në pikën e kufitare të Velipojës (sektori Kuadrat) të Repartit 299 Tamarë.
Sipas dëshmive të H.G. një ish-ushtaraku të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili atë ditë ka qenë në shërbim si oficer Drejtimi në Ministri, radiogrami i Degës së Brendshme të Shkodrës, që mbërriti atë ditë në ministri, duke njoftuar për ngjarjen në fjalë, alarmoi jo vetëm krerët më të lartë të ministrisë ku ai shërbente, por edhe udhëheqjen më të lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila u vu menjëherë në lëvizje.
Kështu, po atë ditë, në orët e drekës, një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bordin e tij kishin zënë vend, ministri i Brendshëm Hekuran Isai dhe sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së Simon Stefani (që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’), do të fluturonte urgjent për në malësinë e Vermoshit, ku tashmë kishin “zbarkuar” krerët më të lartë të Degës së Brendshme të Shkodrës dhe gjithashtu edhe Komiteti i Partisë së rrethit, me në krye sekretarin e parë, Xhemal Dymylja.
Kjo ngjarje e jashtëzakonshme,(e cila më pas do të bëhej objekt i mbledhjeve dhe analizave të gjata), u rëndua më shumë, pasi vetëm dy tre ditë më pas, disa nga pjesëtarët e familjes Vushaj dhe Lelçaj, dhanë intervista në televizionin shtetëror të Malit të Zi, (Radio-Televizioni Titogradit), gjë e cila bëri bujë të madhe dhe u ndoq me mjaft interes, jo vetëm nga banorët e rrethit të Shkodrës, por edhe pothuaj në gjysmën e territorit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ku mbërrinin valët televizive të stacioneve të Jugosllavisë fqinje. Po kush ishin personat e familjes Vushaj dhe Lelçaj, çfarë raportesh kishin ata me regjimin komunist në fuqi, cilat ishin arsyet e arratisjes dhe si e organizuan ata planin e tyre, pa rënë në sy të organeve të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në atë zonë kufitare?
Si nuk i diktuan ata nga ana e kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit dhe komandantit të forcave vullnetare të atyre fshatrave, i cili sipas dëshmive të disa banorëve të asaj zone, jo vetëm që kishte ndihmuar në kapjen disa shkelësve të kufirit, por ishte njeriu që kishte nën kontroll dhe survejim të rreptë familjen e Zefi Vushaj, ku vetëm disa kohë më parë, ai kishte hipur deri në tavanin e shtëpisë së tyre, për të kontrolluar për disa kg. fasule që, dyshohej që ajo familje që jetonte në një varfëri të tejskajshme, kishte përvetësuar nga kooperativa bujqësore?!
Si mundën pjesëtarët e familjes Vushaj dhe Lelçaj, të kalonin kufirin shtetëror, pa u kuptuar nga forcat e kufirit, kur mes tyre kishin dhe fëmijë të vegjël disa muajsh?! Lidhur me këto e të tjera nga ngjarja e jashtëzakonshme e 10 gushtit të vitit 1987, e cila tronditi udhëheqjen e lartë të PPSh-së në Tiranë, na njohin disa dokumente arkivore, (të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku përveç dokumentit me raport-informacionin e Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, drejtuar sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me analizën lidhur me atë ngjarje, ndodhet edhe raport-informacioni i hartuar nga Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Qemal Lame, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Foto Çami, si dhe disa dokumente të tjera, të cilat publikohen për herë të parë, nga Memorie.al
RAPORTI SEKRET I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRETHIT TË SHKODRËS, DËRGUAR DREJTORISË SË PARË TË SIGURIMIT TË SHTETIT PRANË MINISTRISË SË PUNËVE TE BRENDSHME, PËR ARRATISJEN E FAMILJEVE VUSHAJ DHE LELÇAJ
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 2
DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME Shkodër, më 4.9.1987
Nr.1495/1 Prot.
Lënda: Dërgohen disa të dhëna për muajin gusht 1987
Ministrisë së Punëve të Brendshme
Drejtorisë së Parë
Degës së Katërt
Tiranë
Për muajin gusht, ju dërgojmë këto të dhëna:
- Aktualisht sektori i Sigurimit, ndjek 4 përpunime, me kalim afati, prej të cilave, 3 në 2/A dhe 1 në përpunim paraprak. Sipas tendencave, u përkasin: 1 në 2/A si agjent në shërbim të Zbulimit Jugosllav, 1 në 2/A për propagandë armiqësore, 1 në 2/A dhe 1 në përpunim paraprak, për tendencë arratisje, jashtë shtetit. Për këto përpunime, janë caktuar detyra konkrete, ezaurimi i tyre do të bëhet brenda 15 ditëshit të parë të muajit shtator.
- Gjatë këtij muaji është hequr 1 përpunim aktiv 2/A si pa bazë. Marrja e tij në 2/A është bërë për tendencë arratisje dhe agjitacion e propagandë armiqësore mbi bazën e dy shënimeve operative të përpiluara nga ish-Punëtori Operativ, Bedri Kazazi dhe deklaratës së një qytetari. Nga verifikimi që iu bë këtyre materialeve, rezultoi se nuk qëndronin, pra, marrja e tij në 2/A, është bërë mbi bazën e të dhënave të gënjeshtrave.
- Nga Komiteti i Partisë së rrethit, janë këshilluar dy persona në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje jashtë shtetit. Të dy këta, janë ndjekur për llogari të Degës së 6-të.
- Gjatë muajit gusht, janë tërhequr në rrjetin sekret informativ 14 informatorë, nga të cilët, 6 janë për llogari të Degës së Parë, 6 për llogari të Degës së 6-të, dhe 2 për llogari të Degës së 8-të. Nga informatorët e tërhequr, 8 janë mbi baza vullnetare dhe 6 në baza patriotike, 8 janë tërhequr në princip objekti dhe 6 në princip drejtimi.
- Gjatë kësaj periudhe, janë bërë dy kontrolle nga shefi i Sektorit të Përgjithshëm, për ruajtjen e sekretit. Nga këto kontrolle, u evidencuan edhe disa mangësi, si në tre zyra të Punëtorëve Operativë, ku u gjetën disa karbon të përdorura dhe disa zyra të pa dyllosura. Kuadrot që kishin këto mangësi, u kritikuan.
- Është vërejtur se arratisjet jashtë shtetit gjatë kësaj periudhe, e kanë realizuar personat, si më poshtë:
– Vinçenç Vlash Pukri, i vitlindjes 1968, nga fshati Dajç i Ri, arratisur në Jugosllavi me datën 9.8.1987 nëpërmjet lumit Buna; në sektorin e postës kufitare, Rrushkull, nuk ka qenë i evidencuar.
– Alfred Luk Jaku, i vitlindjes 1968, nga fshati Dajç i Ri, arratisur në Jugosllavi më datën 9.8.1987, nëpërmjet lumit Buna në sektorin e pikës kufitare Rrushkull, nuk ka qenë i evidencuar.
– Zef Gjergj Vushaj, i vitlindjes 1933, nga fshati Vermosh, i evidencuar kontingjent për llogari të Zbulimit Jugosllav, më datën 10.8.1987, familjarisht ka realizuar arratisjen jashtë shtetit në Jugosllavi, në sektorin e pikës kufitare Velipojë të Vermoshit.
Familja e tij përbëhej nga këta persona:
– Lena Fran Vushaj, e vitlindjes 1940
– Dodë Zef Vushaj, e vitlindjes 1961, evidencuar kontingjent
– Gjovalin Zef Vushaj, i vitlindjes 1962, kontingjent
– Katrina Zef Vushaj, e vitlindjes 1965, kontingjent
– Kanto Zef Vushaj, i vitlindjes 1966, kontingjent
– Kol Zef Vushaj, i vitlindjes 1969, kontingjent
– Sokol Zef Vushaj, i vitlindjes 1971, kontingjent
– Lume Zef Vushaj, e vitlindjes 1974, kontingjent
– Dritë Zef Vushaj, e vitlindjes 1977, kontingjent
– Vladimir Zef Vushaj, i vitlindjes 1982, kontingjent
– Lizë Ndue Vushaj, e vitlindjes 1965, kontingjent
Familja tjetër që realizoi arratisjen, po me datën 10.8.1987, së bashku me familjen e Zef Vushajt, në sektorin e pikës kufitare Velipojë të Vermoshit, është:
– Mark Pashko Lelçaj, i vitlindjes 1957
– Vitore Zef Lelçaj, e vitlindjes 1959
– Aida Mark Lelçaj, e vitlindjes 1982
– Vojsava Mark Lelçaj, e vitlindjes 1983
– Alfred Mark Lelçaj, i vitlindjes 1986
Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme
Bardhosh Lamçaj
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA SEKTORI I ORGANEVE TË PUNËVE TË BRENDSHME PRANË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, DËRGUAR SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR DHE ANËTARIT TË BYROSË POLITIKE, SIMON STEFANI, LIDHUR ME NGJARJEN E ARRATISJES NË JUGOSLLAVI, TË DY FAMILJEVE TË FSHATIT VERMOSH
NJOFTIM
MBI ARRATISJEN E DY FAMILJEVE DHE 2 INDIVIDËVE
NË VERMOSH DHE NË RRUSHKULL TË RRETHIT TË SHKODRËS
Na informoi Shefi i Shtabit të Komandës së Kufirit të RPSSH-së, se sot është konstatuar:
- Arratisja e dy familjeve nga fshati Velipojë i Vermoshit të rrethit të Shkodrës, për në Jugosllavi
- Familja e Zef Gjergj Vushajt, 11 vetë.
- Familja e Mark Pashk Selçajt, 5 vetë. (Ky është dhëndër i Zefit).
Arratisja ka ndodhur pas mesnatës. Të dy këto familje, siç u informuam paraprakisht, kanë të afërm të tyre në Jugosllavi.
Në banesën e tyre ata kanë lënë dhe letër, ku për të justifikuar tradhtinë që kanë kryer, nxjerrin si pretekst “trajtimin jo të mirë që u është bërë nga shokët e Partisë dhe të pushtetit në fshat, në zgjidhjen e problemeve që ata kanë patur”.
- Në kontrollin që i është bërë bregut të lumit të Bunës, në Rrushkull u gjetën teshat dhe letrat e njoftimit të Vinçens Kulit dhe Valentin Latajt, të moshës 18-20 vjeç, nga fshati Dajç i Ri, të cilët duhet të kenë realizuar arratisjen në Jugosllavi.
Për sqarime dhe verifikime të mëtejshme, në këto vende kanë shkuar shokët e degës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, e të tjerë.
Pasi të vinë informacione të hollësishme, do t’ju njoftojmë.
SEKTORI I ORGANEVE TË PUNËVE TË BRENDSHME
Tiranë, më 10.8.1987
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PËRPILUAR NGA KRYETARI I HETUESISË SË PËRGJITHSHME TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË, QEMAL LAME, DREJTUAR SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së, FOTO ÇAMI, PËR NGJARJEN E ARRATISJES NË JUGOSLLAVI, TË DY FAMILJEVE NË FSHATIN VERMOSH, MË DATËN 10 GUSHT 1987
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
HETUESIA E PËRGJITHSHME Ekzemplar Nr. 2
Nr. 932 Prot. Tiranë, më 20.8.1987
LENDA: Mbi arratisjen e dy familjeve me 17 persona në Vermosh të rrethit të Shkodrës.
SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT FOTO ÇAMI
TIRANË
Në mëngjesin e datës 10.8.1987, është konstatuar arratisja e familjes së Zef Gjergj Vushajt me gruan dhe dhjetë fëmijë, nga këta shtatë të rritur në marrëdhënie pune në kooperativë, ndërsa tre ishin të mitur, si dhe familja e Mark Pashko Lelçaj, dhëndër i Zefit, vetë i pestë, me gruan dhe tre fëmijë të mitur.
Zefi ka pasur babain e arratisur në Jugosllavi, aktualisht i vdekur, ka një xhaxha të internuar. Në Jugosllavi, Zefi ka dhe disa kushërinj të largët. E shoqja Lena, ka një vëlla anëtar partie.
Nga hetimet e kryera deri tani, del se më datën 9.8.1987, Zef Vushaj kishte organizuar një drekë familjare me të gjithë pjesëtarët e familjes, me pretekst se i kishte ardhur me leje nga ushtria, djali Kanto Vushaj. Në këtë drekë ishin të ftuar dhe dy dhëndurët e tij, Pashko Lelçaj, me gruan dhe fëmijët, po nga ai fshat, dhe Gjeto Moçaj, i fejuar me vajzën e Zefit, para dy muajsh, me banim në Selcë, bashkë me kunatën.
Pas drekës, Gjetos i thanë të qëndronte për darkë, por ai kishte ikur në fshatin e tij në Selcë, pasi bleu dhe mori me vetë një mushkë, që ia shiti vjehrri i tij, Zef Vushaj, për 4500 lekë.
Po atë natë, rinia e fshatit Vermosh, pas një aksioni për grumbullimin e barit, kishte organizuar një mbrëmje vallëzimi, deri në orën 24.00. Në mbrëmje, morën pjesë dhe katër fëmijët e Zefit: Doda, Katrina, Kantua dhe Gjovalin Vushaj. Gjovalini nuk ishte futur në mbrëmje, por kishte qëndruar jashtë.
Mendohet se ka qëndruar për të vëzhguar nëse dyshonte njeri për ta dhe për ndonjë masë përforcuese që mund të merrej, për ruajtjen e kufirit.
Në përfundim të mbrëmjes, në orën 24.00, të katër fëmijët e Zefit, kanë shkuar në shtëpi. Pas kësaj, Zefi me pjesëtarët e tjerë të familjes, me dhëndërin dhe vajzën me fëmijë, kishte mbyllur derën me një dërrasë nga brenda dhe dolën jashtë nga një dritare, nga ana e pasme e shtëpisë.
Arratisja është realizuar rreth orës 24.30. Autorët kishin kaluar rreth një përroi të thellë pranë shtëpisë së tyre që vazhdon deri në kufi, në një distancë rreth 1.200 metër, drejtim i cili nuk ishte mbuluar për ruajtje nga shërbimi i kufirit.
Njësiti ka qenë 150 metra, larg vendit ku është realizuar arratisja, por nuk ka diktuar gjë.
Atë natë në postë ka qenë me shërbim, vetëm kujdestari. Komandanti ka qenë me shërbim në Shkodër, kurse komisari, me shërbim në një pikë tjetër.
Nga hetim i del se kjo familje në fshat ka shkaktuar shqetësime për dëmtime të pronës, për grindje e mosmarrëveshje.
Në kontrollin e banesës, u gjetën disa letra të anëshkruara nga djemtë e Zefit, Dod e Gjovalin Vushaj dhe nga dhëndëri i Zefit, Pashko Lelçaj.
Në to shpreheshin pakënaqësi të ndryshme, si për dënime të padrejta të dhëna nga gjykata, për trajtim jo të mirë të familjes, ku shkruhej me urrejtje dhe fjalë fyese për Kryetaren e Këshillit Popullor të fshatit, H.N., e cila është edhe deputete e Kuvendit Popullor, ankoheshin për marrjen e një parcele me patate mbi statutin, për dyshimet e vazhdueshme për vjedhje ndaj familjes së tyre, etj.
Thotë se në një rast, e kishin lidhur me urdhër të Këshillit, se kishin dyshuar për vjedhje.
I arratisuri Mark Lelçaj, në letrën e lënë, shprehej se ishte i pakënaqur, se nuk e kishin pranuar në parti, që e kishin caktuar të kryente ushtrinë në një repart me njerëz me biografi të keqe.
Ai vetë ishte familje dëshmori. Ishte i pakënaqur se nuk i kishin bërë vizita për festën e 1 Majit.
Po punohet për të gjetur shkaqet që i shtynë të përmendurit për kryerjen e kësaj vepre të rëndë, nëse kanë marrë shkas nga armiqësia dhe urrejtja e tyre karshi pushtetit popullor, apo kjo vepër është e organizuar dhe e nxitur nga Zbulimi Jugosllav.
Këto ishin problemet kryesore, që menduam t’ua vëmë në dijeni.
KRYETARI I HETUESISË SË PËRGJITHSHME
QEMAL LAME
DOKUMENTI ME SHËNIMIN E INSTRUKTORIT TË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së, LIDHUR ME POROSITË E LËNA NGA SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR, SIMON STEFANI, PËR ORGANET E KUFIRIT DHE GJYKATËN E LARTË
Lidhur me porosinë e lënë nga shoku Simon, thirra shoqen Leni, shokun Halil Kopani, sekretarin e organizatës së partisë së Gjykatës së lartë dhe shokun Zija Vuçaj, nënkryetarin e Gjykatës së rrethit dhe ua bëra prezent.
Ata i pranuan. U thashë që tua bëjnë prezent të gjithë reparteve të kufirit, për të mos pasur më raste të tjera.
Patën vërejtje dhe për hetuesinë, që ata detyrat e vëna nga ne, nuk i kanë kryer mirë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016