Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” të nxjerrë nga arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit ku dy kuadrot e lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonin Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjeneral-major Rexhep Kolli dhe kolonel Vilson Pecani, informojnë sekretarin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapon, lidhur me gjendjen në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Peshkopisë, ku si problem kryesor i kanë ngritur çështjen e rrjetit agjenturor të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, si : “Besniku”, “Lisi”, “Rubiku”, “Mali”, “Referi i vogël”, “Shkencëtari” etj., dhe punëtorëve operativë që punonin me ta, kryesisht në qytet dhe në zonat kufitare…
Nisur edhe nga pozita gjeografike që kishte rrethi i Peshkopisë në veri-lindje të vendit, duke pasur një brez të gjatë të vijës kufitare me shtetin fqinj të ish-Jugosllavisë edhe vëmendja e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit ishte shumë më e madhe, nga rrethe të tjera të vendit që nuk mbartnin atë problematikë që kishin rrethet kufitare. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një sërë dokumentesh arkivore me siglën “Tepër Sekret”, ku kuadro të lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonin Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit, me ekipe të shumta kanë organizuar kontrolle të herëpashershme në rrethin e Peshkopisë, duke u përqendruar kryesisht në punën e Degës së Brendshme, që mbulonte sektorin e Sigurimit të Shtetit dhe rrjetit të saj agjenturor. Lidhur me këtë, bën fjalë dhe raport-informacioni i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, që mban datën 4 prill 1960, i nënshkruar nga gjeneral-major Rexhep Kolli dhe kolonel Vilsoin Pecani, të cilët asokohe punonin në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së në sektorin e organeve të Diktaturës së Proletariatit, sektor i cili kishte nën vartësi edhe Ministrinë e Brendshme dhe gjithashtu Sigurimin e Shtetit. Dy kuadrot e lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së, në kontrollin që ata kanë bërë pranë Degës së Brendshme të rrethit të Peshkopisë, kanë konstatuar “një sërë të metash dhe dobësish”, kryesisht me rrjetin agjenturor dhe punën e punëtorëve operativë me bashkëpunëtorët e tyre, gjë për të cilën ata kanë informuar menjëherë eprorët e tyre dhe konkretisht, Hysni Kapon, i cili ka vënë edhe shënimin përkatës mbi atë dokument, duke shkruar aty se çfarë udhëzimesh i kishte dhënë Kadri Hazbiut lidhur me problemet që parashtroheshin në atë relacion që publikohet ekskluzivisht për Memorie.al
LETRA E DY KUADROVE TE SIGURIMIT PËR HYSNI KAPON
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPËR SEKRET
MINISTRIA E P. TE BRENDSHME
DREJTORIA E SIGURIMIT TE SHTETIT
Tiranë, më 29.4 1960
Nr.
R E L A C I O N
PËR GJENDJEN DHE AKTIVITETIN E PUNËS SE SIGURIMIT
TE RRETHIT PESHKOPI, TE SIGURIM-ZBULIM-KUFIRIT
Prej datës 12. IV.1960 deri më datën 19. IV.1960 u analizua gjendja dhe aktiviteti i punës së Sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme Peshkopi dhe konstatuam se:
Gjatë vitit 1959 si dhe në tremujorin e parë të këtij viti, gjendja e punës së Sigurimit në krahasim me vitin 1958 ku u vërtetuan dobësi të mëdha, ka përmirësime të dukshme, të cilat më kryesoret janë:
- Është përmirësuar puna me agjenturën, janë bërë rekrutime të reja atje ku nuk ekzistonte, janë rimarrë në lidhje B.P. (bashkëpunëtorë të Sigurimit, shënimi ynë), të përjashtuar, të cilët ishin të nevojshëm dhe janë bërë 12 rekrutime me material kompromentues.
- Janë arrestuar 15 elementë armiq si rezultat i përpunimeve agjenturore.
- Është bërë një punë efektive në drejtim të evitimit të arratisjeve, e cila ka dhënë si rezultat që të ketë shumë më pak arratisje nga vitet e kaluara. Kështu për shembull, ndërsa në vitin 1958 u arratisën në Jugosllavi 34 persona, në vitin 1959 vetëm 6 persona, kurse këtë vit nuk është arratisur asnjë.
- Është përmirësuar metoda e punës në disa drejtime, si në ndihmë të bazës, ashtu dhe në sistemimin e evidencave. Por krahas këtyre rezultateve në Sigurimin e rrethit Peshkopi vërehen akoma mjaft dobësi dhe të meta, nga të cilat më të theksuarat janë:
- Duke analizuar problemet e Degës, përpunimet dhe agjenturën, konstatohet se nga gjashtëmujori i dytë dhe këtej, ka një rënie të punës nga kolektivi i Degës. Kjo rënie pasqyrohet nga fakti se:
- Vërtetohen shthurje dhe neglizhenca në drejtim të zbatimit të detyrave nga ana e shumë Punëtorëve operativ dhe mungesë kontrolli e kërkim llogarie.
- Problemet kryesore të Degës ja kanë lënë Punëtorëve operativ të lokaliteteve të cilët janë të ngarkuar, kurse aparati (seksionet) që kanë Punëtorë operativë ma me eksperiencë, janë çliruar pothuajse fare nga përpunimet, të cilët çështjet kryesore i kanë në terren dhe poshtë dhe jo në qytetin e Peshkopisë. Kështu, shefi i Seksionit të III-të bashkë me dy Punëtorë operativ, nuk ndjekin vetë asnjë përpunime aktive. Në lidhje kanë agjenturë vetëm me informator, pa asnjë agjent. Shefi i Seksionit të I-rë bashkë me dy Punëtorë operativ, ndjekin vetëm tre përpunime aktive. Shefi i Zbulimit të Kufirit, përpunimet e rëndësishme ja ka lanë Punëtorit operativ të zonave. Kjo gjendje shpjegohet nga fakti i vetë-kënaqjes për disa rezultate të arritura, e cila i ka larguar nga çështjet kryesore të punës. Kjo anë shumë negative ka influencuar mjaft në dobësimin e punës agjenturiale dhe më e keqja është se nuk është kap dhe vënë në vend nga udhëheqja e Degës.
- Dega e Brendshme e Peshkopisë ka të dhënë të rëndësishme për veprimtarisë së punës së armikut, sidomos në drejtim të elementëve që dyshohen plotësisht si agjentë të vënë në shërbim të zbulimit Jugosllav, por fatkeqësisht këto të dhëna në shumë raste nuk janë ndjekur sistematikisht me masa agjenturiale operative, duke munguar dora e përgjegjësve.
Kështu p.sh. nuk janë ndjekur aktivisht përpunimet në drejtim të Zija Tafçiut, Jaruk Salihut, Xhedvdet Hunës, Qazim Strazimirit, e të tjerë.
Mos ndjekja në mënyrë aktive e të dhënave t’agjenturës, e përpunimeve agjenturiale, e zbatimit të planit të masave, ka bërë atë që të mos njihet veprimtaria e armikut në shkallën që kërkohet, sidomos e Zbulimit Jugosllav.
Gjithashtu duke mos ndjekur dhe njohur si duhet veprimtarinë e armikut në drejtim të kooperativave bujqësore, duke mos pasur asnjë përpunim aktiv në drejtim të 76 kulakëve të këtij rrethi, Sektori i III-të bën analizën e punës, mbi shfaqjet armiqësore dhe dëmtimet në kooperativat bujqësore dhe në vend që të nxjerri shkaqet dhe burimet e kësaj veprimtarie nga puna e elementit armik dhe nga dobësitë e punës sonë, i nxjerr këto në mënyrë të gabuar si shkak i gabimeve kryesore të kryesisë, organizatave bazë, Komitetit Ekzekutiv dhe Komitetit të Partisë, të cilët nuk i përkasin aspak për të analizuar organet tona.
- U konstatuan raste të shkeljes së platformës së organeve tona. Ja faktet konkrete:
Sekretari i Partisë ka aprovuar me shkrim rekrutimin e një rezidenti, strehues dhe disa informator, anëtar partie, që nuk i takon si mbas platformës. Rekrutohet para një viti, rezidenti me pseudonimin “Mali”, i cili deri në momentin që ishte ekipi, i pa aprovuar nga Kryesia e Degës. Ky rezident i pa aprovuar, mban lidhje me 6 informatorë. Janë rekrutuar mbi baza patriotike, dy B.P. (“Referi i vogël” dhe “Lisi”) për të cilët kishte material se zhvillonin propagandë armiqësore. Disa B.P. janë rimarrë në lidhje pa vendim si mbas platformës.
Të gjitha këto tregojnë se nuk është mbajtur parasysh platforma në të gjithë punën tonë të përditshme.
Mbi agjenturën
Mos zbulimi në shkallën e duhur të veprimtarisë armiqësore në rrethin e Peshkopisë, e kanë burimin te puna e dobët që bëhet nga ana e Punëtorëve operativ me agjenturën. Mbi punën me agjenturën konstatohen këto dobësi:
- Nga mungesa e studimit të materialeve t’agjenturës nga Punëtori operativ, si dhe nga vetë përgjegjësit, janë bërë edhe rekrutime pa princip dhe qëllime të caktuara, sidomos rekrutime të tilla gjen në qytetin e Peshkopisë, të cilat kanë shtuar numrin e lidhjeve. Ja p. sh., në planin e Degës për Sektorin e III-të vihet për të rekrutuar 3 B.P. në kooperativën e berberëve, pa qenë aspak nevoja. Në qytetin e Peshkopisë numërohen 47 B.P. që mbahen në lidhje, plus 25 që ka Policia. Numri është mjaft i madh dhe që nuk kanë drejtim të caktuar. Këto shfaqje të shumta kanë dobësuar punën në drejtimet konkrete.
- Konstatohen raste të besimit të tepruara mbi agjenturën nga ana e Punëtorëve operativ. Kjo ka shkaktuar që kontrolli mbi agjenturën, verifikimi i të dhënave të saj, të jetë i dobët. Një mungesë e tillë është shumë e rrezikshme sepse lejon futjen e elementëve armiq në radhët e agjenturës sonë dhe në materialet që ata japin, dezinformojnë organet tona. Efektivisht në radhët e agjenturës së rrethit të Peshkopisë, vërehen B.P. të dyshimtë dhe në pozita armiqësore dhe që nuk janë marrë masa aktive për të sqaruar dhe vendosur mbi pozitën e tyre, siç janë p.sh. B.P. “Besniku”, “Rubiku”, “Engjëllushi”, “Plepi”, “Shkencëtari’ etj.
Gjithashtu ka edhe B.P. të dekonspiruar të cilët mbahen akoma në rrjetin agjenturial.
- Drejtimi agjenturës bëhet në forma të përgjithshme, e cila nuk jep rezultatet e duhura në zbulimin e veprimtarisë së armikut.
Gjithashtu u konstatuan raste të pakta por shumë të dëmshme, ku drejtimi i B.P. është bërë në mënyrë t’atillët që i janë ekspozuar objekte pa i dhënë vetë ajo?! Kështu ndodh me B.P. “Xhadja e madhe” dhe “Sazja”, të cilëve u janë dhënë objekte për t’i përpunuar, pa i dhënë ata vetë mbi ta.
Drejtimi i keq i agjenturës vjen nga fakti se:
Punëtorët operativ nuk studiojnë materialet e dosjes dhe nuk përgatiten më parë në takimet me agjenturën. Se ato nuk kontrollohen si duhet nga përgjegjësit. Se takimet bëhen në vende jo të përshtatëshme për ruajtjen e konspiracionit dhe jo të rehatshme. Kështu p.sh. shefi i Seksionit të III-të, bën takim me një B.P (klerik) në një vend shumë të rrezikshëm për dekonspirim, ku e detyron B.P. t’i heqë vëmendjen për takime të këtilla, ose kur zv/ Kryetari i Degës i thotë Punëtorit operativ të lokalitetit Shupenzë, se përse nuk i merr raportet me shkrim B.P. në takim, ay i përgjigjet, për të mos shkuar kohën kot. D.m.th. nuk e konsideron se takimi është çështje kryesore e punës sonë me agjenturën, se në takim merren me hollësi për detyrat që ka kryer B.P. dhe se i jepen detyrat për në të ardhmen dhe i bëhet edukimi dhe kontrolli mbi punën e saj. Se bazat e takimit janë të pakta dhe kjo ka influencuar negativisht ne edukimin e agjenturës.
- U konstatua se disa nga përpunimet e rëndësishme të Degës dhe të zbulimit të kufirit, janë ngritur nga fundi i vitit 1958 dhe fillimi i vitit 1959, nuk kanë ecur, kjo për faktin se ka munguar dora e fortë e përgjegjësve se një pjesë e agjenturës mirë që ndjek këto përpunime është lënë në dorën e P. operativ.
- Mjaft plane masash, kanë mbetur pa u zbatuar për arsye se nga njëra anë, janë vënë çështje formale dhe nga ana tjetër atje ku detyrat e planit kanë qenë konkrete nuk është ushtruar kontroll sistematik për zbatimin e tyre, madje karakteristike është se në një rast një Punëtor operativ i Zbulimit të Kufirit arrin të prishë ndërgjegjen duke kopjuar datën e planit të vitit 1959, në vitin 1960 për ta paraqitur veten në rregull. Gjithashtu vërehet mungesa e bashkëpunimit të ngushtë midis Punëtorit operativ të lokaliteteve dhe atyre të Zbulimit të Kufirit, sidomos në mos organizimin e mirë të përpunimeve dhe të lidhjeve të tyre që u takojnë të dy planeve, si dhe në mos-shfrytëzimin efektiv të agjenturës për objektet e njëri tjetrit kur këto lidhen me njëri tjetrin.
- Në shumë drejtime të metat dhe dobësitë dalin të përsëritura nga vitet e kaluara. Bashkimi i këtyre dobësive dhe të metave japin një pasqyrë të qartë ku gjendja agjenturore operative në rrethin e Peshkopisë është akoma e dobët. Sipas mendimit tonë, organizata bazë e Partisë nuk e ka luajtur rolin e saj në shkallën e duhur për forcimin e gjithanshëm të punës si dhe për të luftuar dobësitë dhe të metat e komunistëve në Degën e Peshkopisë. Madje mund të thuhet se ajo jo vetëm nuk është marrë siç duhet me problemet që i takojnë, por edhe me çështje që dëmtojnë sekretin e punës p.sh., Byroja e organizatës merr në analizë në detaje punën e një Punëtori operativ të lokalitetit, këtu është për të vënë në dukje se Komiteti i Partisë nuk e ka pasur në qendër të vëmendjes punën e Degës dhe organizatën bazë të saj. Lidhur me të gjitha këto dobësi dhe të meta, përgjegjësinë kryesore e ka kolonel Banushi, i cili nuk ka mundur të organizojë si duhet punën në Degë dhe, i ka munguar kontrolli sistematik mbi vartësit dhe shumë çështje që u përmendën më sipër kanë kaluar nëpër duart e tij pa u kapur. Duke marrë parasysh se kolonel Banush Goxhaj, nuk po i përgjigjet si duhet detyrave të kohës, megjithëse përpjekjet dhe sakrificat e tij për punën janë shumë të mëdha, mendojmë që ai të largohet nga Peshkopia dhe të zëvendësohet me një shok tjetër më të aftë për punën agjenturore-operative./Memorie.al
Kolonel Gjeneral-major
(Vilson Pecani) (Rexhep Kolli)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016