Nga Shaqir Rexhvelaj
Memorie.al / Më 7 mars të vitit 2008, profesorit tonë të nderuem, Ramadan Sokoli, i uruem festën e mësuesit me një tufë lule mimozash (sa shumë i donte lulet) e ashtu si në agoni, buzëqeshi lehtë, duke shqiptuar një “faleminderit”, por edhe me një keqardhje të madhe; se lexonim në sytë e tij, se po e ndiente se ato mbase ishin lulet e fundit, që po u merrte erë. Pas katër ditësh, me 11 mars 2008, jeta e tij u shuajt, duke lëne të ndrisë përgjithmonë emri dhe veprat e tij. Ramadan Sokoli është figura jonë më e ndritur e kulturës kombëtare, në fushën e muzikologjisë, është krijuesi dhe themeluesi i kësaj shkence të re, që lëshoi rrënjë ose më mirë të themi u mboll si shkencë prej tij, që në fillim të viteve ’50-të të shekullit që lamë pas.
Profesor Ramadan Sokoli, jo vetëm është një shkencëtar i madh por edhe një patriot i madh. Siç edhe është cilësuar nga media dhe shtypi, atë mund ta quajmë pa ndroje, edhe si rilindës i fundit, duke u mbështetur edhe te familja e tij e madhe, në qytetin e lashtë të Shkodrës, te gjyshi i tij, Hodo Pashë Sokoli, pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit dhe mbrojtës i trojeve shqiptare të Plavës e Gucisë, e të Ulqinit, te i ati i tij, Isuf Sokoli, edhe ky i internuar në Itali, për të ardhë te vllaznia e tij, Ibrahim Sokoli dhe Hodo Sokoli, që bashkë me Radon, provuen persekutimin e egër komunist, duke vuajtur mbi 40 vjet burg. Të gjithë intelektualë të ndritur dhe patriotë.
Profesor Ramadan Sokolin e kam njohur për here të parë në qershor të vitit 1957, në festivalin folklorik të Qarkut të Shkodrës, ku unë isha pjesëmarrës interpretues i folklorit të Malësisë së Madhe, dhe ai ishte anëtar i jurisë, ku përzgjidhnin talente që do të merrnin pjesë në Festivalin e Rinisë e Studentëve, që do të zhvillohej në Moskë, në muajt korrik-gusht 1957. Fati dhe jeta e solli që prej asaj date, derisa ka mbyllë sytë, unë të jem një nder njerëzit më të afërt të tij (jashtë rrethit të tij), në fillim si objekt i punës së tij, unë si bartës i folklorit, ai si studiues i folklorit dhe më vonë, nxënës i klasës së tij, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në degën e Flautit, pastaj student i tij në Konservatorin Shtetëror të Tiranës dhe pas studimeve, si shok e mik shtëpie, i një familje me “halle biografike”, por e mrekullueshme në tradita në mikpritje dhe me nje rreth të mrekullueshëm, si nga ana e profesorit, por edhe të së shoqes Lilit, tiranase nga familja – Petrela, një grua e rrallë ideale, që mund ta gjesh vetëm në romane.
Mbase edhe ky ishte dhe fati më i madh, që pati profesori në jetën e tij të trazuar nga regjimi. Në vitin 1958, kur fillova mësim në klasën e tij, për flaut, në Liceun Artistik, kam bashkëpunuar me profesorin, si bartës autentik i folklorit të Malësisë së Madhe, duke riprodhuar këngët dhe meloditë e Zonës sonë, duke filluar që nga këngët karakteristike “majekrahit” e, këngë të tjera, pa shoqërim muzikor me karakter baritor, këngët rapsodike me lahutë, melodi të ndryshme në instrumentin popullor, “Zymare”, disa melodi që vetë i kisha krijuar, por edhe shumë ninullza e nanurisje të ndryshme fëminore, të cilat per çudinë time atëhere, ai u jepte një rëndësi shumë të madhe, sigurisht duke i parë me syrin dhe vëmendjen e një studiuesi, ai i hidhte ato në nota muzikore, në disa fletë të mëdha muzike. Më vonë ato zunë vend krahas shumë hulumtimeve të tjera, në studimet e tij etnomuzikologjike.
Por le të themi në këtë përvjetor përkujtimor, diçka më shumë për jetën dhe veprën e tij e, diç më shumë. Talentin e tuj muzikor e shfaqi që në vogli, në qyteti e tij të lindjes, në Shkodër, qytet që njihet për traditat e mëdha kulturore, sidomos në fushën e muzikës. Që nga fundi i shekullit të XIX-të, në këtë qytet u krijuen formacionet e para orkestrale, siç qenë orkestrat frymore, të cilat mund të merren edhe si fillesat e para të hedhjes së bazave të muzikës profesioniste, bashkë me muzikën kishtare, por ajo që përbënte palcën e kulturës muzikore në Shkodër, qe tradita e krijimtarisë së këngës qytetare shkodrane, krejt e veçantë në llojin e vet, që nga tipet më të thjeshta, deri te ato më të ndërlikuarat, siç janë “jaret”, duke u bërë kështu pjesë shumë e rëndësishme e fondit te artë të kulturës muzikore shqiptare. Në këtë atmosferë dhe në këto realitete, u rrit edhe Ramadan Sokoli, ne mes tingujve të mrekullueshme të muzikës së “ahengu shkodranë” dhe orkestrave frymore, prandaj edhe luante në disa instrumente në bandën e qytetit, por më për zemër në rininë e tij, pati instrumentin e kitarës, apo siç quhet rëndomtë ajo, si “piano e të varfërve.
Me ketë bagazh muzikor dhe me disa krijime në fushën e këngës në vitin 1940, regjistrohet dhe vazhdon studimet në konservatorin “Luigi Cherubini” në Firenze – Itali, për kompozicion dhe Flaut. Mbas studimeve kthehet në Shqipëri, me ëndrrën e një të riu, për të vënë në shërbim të vendit, dijet dhe kulturën e tij perëndimore. Por mbas Luftës së Dytë Botërore, në vendin tonë u instalue regjimi komunist dhe fatkeqësisht idealet, pikëpamjet e tij por edhe tradita familjare dhe kultura perëndimore pluraliste, binin ndesh me parimet e reja të këtij regjimi, siç rezultoi famëkeq për shqiptarët. Meqenëse këto pikëpamje ai i shfaqte hapur në rrethet shoqërore në Shkodër, sidomos edhe gjatë kryengritjes antikomuniste të Postribës në vitin 1946, arrestohet dhe dënohet me 5-vjet heqje lirie.
Ramadan Sokoli, siç edhe më tregonte, vitet e burgut e transformuan rrënjësisht, sidomos në njohjen e jetës dhe të njerëzve të saj mbrenda hekurave të burgut, me “njerëz të ditur intelektualë, klerikë, bajraktarë, pasanikë, tregtarë, malësorë, të një tradite që rridhte prej shekujsh ashtu shqiptarçe, por që po rrezikohej seriozisht, përballë një regjimi të ri, në pamje të jashtme popullor, por që vetëm ne që jetonim prapa hekurave, e kuptonim se sa i padrejtë dhe i pamëshirëshim do të ishte për shqiptarët. Në burg dhe në kampet e përqendrimit ku punova me të burgosurit – tregonte ai, – kam njohur karakterin e vërtetë të shqiptarit, burra të ditur dhe të thjeshte, trima dhe të pathyeshëm përballë torturave, por që ishin dhe palca e kombit, prej tyre jo vetëm kam mësuar, por edhe u yshta për të filluar shënimet e para, të hedhura në copa e blloqe letre për kulturën kombëtare shqiptare, për folklorin për ‘gjëegjëza’, për doket dhe zakonet, që ishin aq të pasura dhe të larmishme, nga njëri tregimtarë te tjetri e, me një shtrirje; nga gjithë viset e Shqipërisë”.
Shënimet e para dhe zanafillën e studimeve të para etnomuzikologjike, prof. Ramadan Sokoli i ka nga vitet e jetës së tij në burg. “Çdo e keqe e ka një të mirë”, përsëriste shpesh ai. Vitet e burgut i shfrytëzoi aq sa mundi, për të mbledhë nektarin e parë të traditës së kulturës popullore, të cilës ai ia kushtoi gjithë veprën e tij, mijëra faqe e shkruar në rreth 20 libra muzikologji, pa përmendur këtu krijimtarinë muzikorë në disa fusha të saj, që nga kënga e përpunuem i saj, te veprat e shumta instrumentale, nga miniature, te poema simfonik, muzikë dhome e koncerte për instrumentin e flautit e, deri te metoda për fyell. Botimet e para serioze ne muzikologji me karakter ndërkombëtar kanë filluar me botimin; -Les dances populaires et les instrument mousicaux du people Albanais – Tiranë 1958.
Ky botim pati një interes të veçantë të qarqeve muziko-logjike ballkanike dhe europine e, nuk vonoj shumë dhe profesor Ramadani, krijoi një letër këmbim me shumë muzikologë të vendeve të ndryshme.
Sidomos nga Rusia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Gjermania Lindore, por edhe nga vende perëndimore. Me interes shumë të madh shkencor, kanë qenë për profesor Sokolin, organizimi i dy ekspeditave shkencore muzikologjike, të organizuara nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht në Jug të saj; e para në vitin 1958, me shkencëtarë (muzikologë) gjermanë; Shtokman dhe Fidler, si dhe ekspedita e dytë me shkencëtarë rumunë, të kryesuar nga muzikologjia rumune, Zonja Comichel, në vitet 1960.
Këto ekspedita nga pala shqiptare, u kryesuan nga prof. Sokoli dhe një kopje të regjistrimeve të tyre, sot ndodhen në fonotekën e Institutit të Kulturës Popullore. Metodologjia praktike e mbledhjes së gjinive të ndryshme të folklorit në terren, përbën një përvojë të madhe shkencore për muzikologjinë shqiptare dhe në këtë kohë, fillon dhe një etapë e re studimit të kësaj kulture popullore kaq të pasur dhe të virgjër, si për studiuesit shqiptarë por, sidomos për studiuesit e huaj. Kjo është edhe periudha kur fillon dhe ndërkombëtarizimi i muzikologjisë shqiptare.
Kështu në vitet e ‘60-’70-të, Prof. Sokoli boton veprën madhore; “Folklori Muzikor Shqiptar” (Prozodia dhe Morfologjia) “Veglat muzikore të Popullit tonë” (Organografia), “Vallet dhe muzika e të parëve tanë” (Ilirët). “Chanson populaie albanaies (Albanskie narodnie pjesni), volumi i dytë, “Figura të Ndritura të Kulturës shqiptare në Shekuj”, (Jan Kukuzeli, Andrea Aleksi) ‘Gjurmime folklorike”, “Figura e Skënderbeut në muzikë”, në kuadër të 500-vjetorit të heroit tonë kombëtar. Mbas këtyre botimeve në Shqipëri, por edhe mbas publikimeve që bënë shkencëtarët gjermanë dhe rumunë, në forumet ndërkombëtare folklorike me studimet e tyre; folklori muzikor shqiptarë, u nderkombëtarizue si një pasuri e çmuar me identitet të veçantë i krijimtarisë, në fushën e këngës homofonike e polifonike, në vallet e pasura me ritme të larmishme me instrumente folklorike, që përcillnin brez pas brezi, shpirtin e melodive baritore origjinale, me kostumet kaq të bukura dhe unikale, siç është “xhubleta” e Malësisë së Madhe”, pra shpirti krijues ndër shekuj i popullit tonë, po shfaqej i studiuar dhe i analizuar në mënyrë shkencore, përball kulturave të popujve të tjerë, me veçanti dhe identitet të panjohur deri atëherë edhe shkencërisht dhe për këtë, meritë të veçantë ka pa asnjë mëdyshje, Profesor Ramadan Sokoli.
Në këto vite, krijohet dhe Instituti i Kulturës Popullore, me degën e muzikologjisë dhe shkencëtarët e rinj, por edhe ata me përvojë, pa dyshim krijuan një shtresim të ri, me studime të reja dhe kontribute, duke zgjeruar dhe thelluar studimet shkencore, por dhe përfaqësimin ndërkombëtar të kësaj shkence në forume studimore, por dhe duke e pasuruar me ekspedita të reja. Por në regjimin komunist, sa herë forcohej dhe egërsohej lufta e klasave, aq më shumë vështirësohej puna dhe vepra shkencore e Profesor Ramadanit. Për arsyet biografike që e ndoqën si hije e zezë deri në fillim-vitet ’90-të, atij asnjëherë nuk iu botuan punimet e tij, lehtë e pa vështirësi! Disa herë vepra të veçanta, përfunduan edhe në karton, sepse ai nuk pranoi që në parathëniet e librave të tij, të shkruhej; “nën udhëheqjen e partisë e shokut….. kultura popullore ka arrirë”, etj. etj.
Madje më kujtohet në vitin 1965, i kishin kthyer nga botimi korpusin; “Veglat muzikore të popullit shqiptar” (Organografia) bash për këtë arsye; redaktori i Shtëpisë Botuese, i kishte thënë se në fillim të librit, duhet të vinte një shprehje të udhëheqësit të partisë, të cilat sipas tij, janë edhe shumë të goditura, por dhe aktuale për kulturën popullore. E takova profesorin, ishte shumë i mërzitur, e pyeta se çfarë kishte dhe më tha vërejtjen e redaktorit. Unë në bisedat me profesorin, kisha krijuar një konfidencë të atillë, që ai vetë ma kish dhënë dhe shpesh përdorja një stil ironik të foluri, dhe i thashë: “Mirë të ka thënë, shumë të bukura i ka, pse s’vendos ndonjë nga ato dhe gjithçka zgjidhet fare lehtë”?! Ai më pa me bisht të syrit dhe duke pasë shumë besim tek unë, tha: “Por ato s’janë shprehjet e tij, i ka të vjedhura nga njerëz të mëdhenj dhe unë nuk mund të vej në hyrje të librave të mi, shprehje të vjedhura, pastaj çdo një politikan, të japi sentenca për folklorin, ai nuk është shkencëtar, që unë ta citoj”.
“Por është filozof, – i thashë unë, – dhe mendimi filozofik udhëheq, por edhe frymëzon”, prapë me ton ironik. “Unë jam në hall, – tha – ti më çan kokën”, por me një ton aspak miqësor, madje në një mënyrë idhnake dhe profesori po të zemërohej, e kishte shumë të vështirë të pajtohej, madje mund të them se ishte dhe një mangësi e tij. Ramadan Sokoli ishte një njeri me kulturë të gjerë, një figurë poliedrike në kuptimin e mirë të fjalës. Me atë mund të bisedoje për çdo fushë të artit, por edhe të shkencave humanitare, duke gjetë përgjigje profesionale dhe bashkëkohore, pra një enciklopedi e gjallë. Biblioteka e tij në shtëpi ishte shumë e pasur jo vetëm me literaturë muzikore partitura por sidomos me libra filozofik, kritikë letrare artistike, por ishte edhe një shans që e shoqja Lili, punonte në Bibliotekën Kombëtare dhe çdo libër që i duhej për punë studimore, mund dhe ta siguronte, duke e porositë nga jashtë.
Për të publikuar studimet e tij, përveç korrespondencës që kishte me shumë muzikologë, ai shfrytëzoj revistën “Shqipëria e Re”, që dilte dhe në gjuhë të huaj, por edhe emisionet e Radio-Tiranës, një rubrikë; “Të njohim traditat tona muzikore”, që shpesh e shpjegonte vetë në mikrofon. Më vonë shumë botime shkencore, gjetën dritën e botimit te revista “Les lettres Albanais”. Profesor Ramadan Sokolit, i erdhën shumë ftesa nga kongrese ndërkombëtare muzikologjike, që nga Moska, Tokio, Parisi, Roma, Budapesti e, deri nga Amerika, por ai asnjëherë nuk mori pjesë në to, dhe kjo nuk qe vetëm një dëm për atë personalisht, por për mospërfaqsimin denjësisht të kulturës sonë etnomuzikologjike në këto forume dhe në dëm të kulturës sonë. Ajo që është për t’u theksuar dhe nënvizuar, është se ky shkencëtar i madh, të gjitha veprat që shkroi, i realizoj duke qenë një mësues i thjeshtë, në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” (Liceu Artistik), me normë të plotë dhe duke dhënë mësim, jo vetëm në degën e flautist, të cilën ai themeloi, por edhe solfezh, harmoni, muzikë dhome e, më vonë, folklorin muzikor.
Edhe kur u themelue Konservatori Shtetëror i Tiranës në vitin 1962, nxënësit e tij jepnin mësim në këtë institucion të lartë të muzikës, ndërsa ai jo, por kurrë nuk e dha veten, ai vazhdonte te nxirrte kuadro dhe të jepte mësim, me një devocion që është vetëm në natyrën e njerëzve të veçantë dhe që bëjnë historinë e tyre dhe të vendit të tyre. Ramadan Sokoli, është i pari që përgatiti tekstin e folklorit muzikor dhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës e asaj kohe, jo pa vështirësi e miratoi për edukimin e brezit te ri të muzikantëve me kulturën popullore e folklorike kombëtare, duke i dhënë një fizionomi të re shkollës sonë, por dhe karakterin kombëtar të saj. Dhe për çudinë tonë, (atëhere ishim student), profesori vinte dhe jepte mësim si pedagog i jashtëm dhe pa pagesë, lëndën e folklorit muzikor, që ai vetë e kishte përshtatë për Konservator.
Ramadan Sokoli, me mendjen e tij të ndritur, na sjell një krijimtari me studime etnomuzikore që nga antikiteti ynë, me “Vallet e muzika e të parëve tanë”, Ilirët, si një gjurmues i pasionuar, pasuron fondin tonë kulturor e, kulturën tonë muzikore, duke zbuluar figura gjigante, siç janë Niketë Dardani e Jan Kukuzeli, duke ndriçuar shekull pas shekulli me figurat e ndritura, si në librin “16 shekuj”, deri në ditët tona, për të ardhë te krijimtaria e tij, si këngët; “Blegëron delja”, “Turtullesha”, etj., ku na prezantohet jo vetëm si studiues, por dhe krijues me ndjeshmëri poetike krejt të veçanta muzikore. Hulumtimet e tij etnomuzikologjike, janë shtigje të reja që shkelen për herë të parë nga ky studiues pasionant, që shquhet për thellësinë e mendimit, gjerësinë e horizontit kulturor, si dhe seriozitetin e gjykimit shkencor të lëndës, që merr për objekt studimi.
Duke i hedhë një vështrim të shkurtër veprave studimore të Prof. Sokolit, konstatojmë me kënaqësi, se ajo shtrihet në 20-shekuj të etnisë së kombit tonë dhe përbën vlera të pamohueshme në panteonin tonë kulturorë, por profesori ynë i nderuar, gjatë gjithë veprimtarisë së tij në periudhën e regjimit komunist, nuk ka një vlerësim sado të vogël, për veprat e tij dhe as një “Fletë lavdërimi”, nga ato që rëndomtë jepnin Bashkimet Profesionale. Shpesh me ironi dhe cinizëm për regjimin, profesori tregonte se të vetmen “Fletë Nderi”, që ka marrë, ka qënë në qitje ushtarake në zbor, që çuditërisht, rastësisht kishte dalë shkëlqyeshëm. Ndryshimet demokratike në vendin tonë, Profesor Sokolin e gjetën në moshën e tretë, në të 70–tat, mbasi kishte harxhuar gjithë dijet dhe mundin, për të vënë gjithçka në të mirë të kulturës kombëtare, por pa ndonjë vlerësim dhe pa më të voglën vëmendje, për ta shpërblyer me tituj apo, ndere të tjera.
Ishte qeveria e Partisë Demokratike dhe institucionet e ngritura prej saj, që vlerësuan punën dhe veprën e muzikologut Ramadan Sokoli. Duhet të vinte viti 1995, kur Akademia jonë e Shkencave i akordoi titullin “Profesor”! Në vitin 2000, Qendra Ndërkombëtare e Jetëshkrimeve në Cambridge të Anglisë, e përfshinë në Enciklopedinë e Personaliteteve të Shquara. Në vitin 2002, nga Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu, i akordohet titulli “Mjeshtër i Madh” dhe pas kësaj qyteti i tij i lindjes, Shkodra, Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, i jep titullin; “Qytetar Nderi”. Po në vitin 2006, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, i jep medaljen “Emblemë e Kulturës Shqiptare” dhe po brenda këtij viti, ABI (Instituti Amerikan i Biografive), i akordon diplomën; “Ekspert në Etnomuzikologji dhe Kompozim”.
Profesor Ramadan Sokoli, njihet edhe si një penë shumë e njohur në publicistikë. Ai ka trajtuar në shtypin e kohës, artikuj me karakter shkencor kulturor, si; te revista “Nëntori”, “Shkenca dhe Jeta”, “Kultura popullore”, etj., duke u ndalur kryesisht te problemet e etnomuzikologjisë, ka shkruar skenarë për dokumentare të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, por sidomos për emisione radio-televizive, me qindra artikuj studime, tekste mësimore, recensione, etj. Një faqe e ndritur jo shumë e njohur, është dhe krijimtaria muzikore në gjini të ndryshme e Profesor Ramadan Sokolit, por ajo meriton një vështrim me karakter njohës, studimorë dhe publikues, sepse ka edhe shume vepra që ende nuk kanë parë dritën e ekzekutimit në publik.
Në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, vetëm rikujtuam këtë figurë të ndritur të kulturës sonë kombëtare, por vepra e Profesor Ramadan Sokolit, meriton të jetë më shumë objekt studimor i Akademisë së Shkencave, si dhe në vëmendjen Ministrisë Arsimit, dhe asaj të Kulturës Turizmit Rinisë e Sporteve, për të përgatitë një kolanë të plotë të veprës së këtij kollosi të muzikologjisë sonë, mbasi botimet e deri tanishme, lënë shumë për të dëshiruar dhe kjo mund të ndodhë, kur Ramadan Sokoli të ketë ndonjë përvjetor të lindjes së tij. Memorie.al