Nga Rezarta Delisula
Memorie.al / Jeta e tij i përngjan një mali që ka bazë, por dhe majë. Ai e arriti kulmin e tij, sepse Arkiva e filmit të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, mban qindra regjistrime të tij, dokumentarë e kino-zhurnale, ndeshje futbolli dhe reportazhe brenda dhe jashtë shtetit, histori të bujshme në vitet ’50 – ’70-të. Por preku dhe bazën, kur, nga operatori i parë për xhirimet e udhëheqjes, u dënua për agjitacion e propagandë e, vuajti dënimin, 6 vite në Spaç. Ky është Dhimitër Lala, 93 – vjeçari që sot rron me pension minatori e, askush nuk u kujtua për t’i dhënë një pension shtetëror të posaçëm këtij njeriu, që luftoi me armë në dorë për çlirimin e vendit, që në moshën 13-vjeçare, e gjithashtu që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e kinematografisë shqiptare dhe së fundmi, një njeriu që ka vuajtur në kampin e tmerrshëm të Spaçit, dhunën e egër të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.
Në këtë intervistë ekskluzive për ne, Dhimitër Lala rrëfen historinë e jetës së tij dhe detajet shumë interesante e të pathëna më parë, për takimin e Enver Hoxhës me Hrushovin dhe ish-kryeministrit Mehmet Shehu, me homologun e tij, kinez, Çu En Lain.
Zoti Lala, ku dhe kur keni lindur?
Kam lindur në qytetin e Pogradecit, më 2 tetor 1931. Fëmijërinë e shkollimin e kam kaluar në këtë qytet të bukur buzë liqenit. Edhe më vonë, kur ika nga Pogradeci, kthehesha vazhdimisht. Lashë aty nënën, babanë, dy vëllezër e, dy motra.
Pse ikët nga Pogradeci?
Në fshat erdhi Brigada e IV-të Sulmuese dhe unë u bashkova me to, dola partizan. Morëm rrugën për të çliruar veriun e vendit e, më pas çliruam Tiranën.
Ju ishit fare i vogël në ato kohë, ishte e vështirë për ju?
Jo, përkundrazi, në atë kohë u bë si mode, që djem e vajza të vegjël, i’u bashkuan Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Për aftësi në luftë, mora “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”. Pas lufte, ndoqa shkollën “Skënderbej” e isha nga nxënësit e parë, në shkollën ushtarake.
Në vitin 1949, ndoqa studimet e larta për oficer dhe u diplomova. Shërbeva pak vite si ushtarak në detyra të ndryshme, deri në nëntor të vitit 1953, e pastaj më kaluan në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Pse ju kaluan në Kinostudio?
Ushtria ka një gjë, që po të jesh karrierist, ecën, ndërsa unë, kisha më shumë lidhje me artin, e bëra luftë të madhe që u çmobilizova. Nuk kisha prirje për ushtarak, sepse duhej të ishe strikt, për të qenë i tillë, duhej të ishe i disiplinuar.
Po çfarë detyre ju dhanë në Kinostudio?
Fillimisht më lanë përgjegjës të kinemave dhe shumë shpejt, ndihmës operator. Artin e doja shumë, e ndjeja veten shumë mirë mes artistëve. Pata fat që të njihja e, sigurisht të më mësonte çdo gjë rreth kamerës, Hamdi Ferhatin, operatorin e parë shqiptar. Veç tij, një ndihmesë të madhe më dha dhe Mandi Koçi, apo siç njihej ndryshe; “Maku”, ish-fotografi i parë i Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës gjatë periudhës së Luftës.
Kur e përdore kamerën për herë të parë?
Nuk e harroj ende atë moment, kur gjatë inaugurimit të argjinaturës së Gjadrit, në vitin 1956, Hamdi Ferhati më zgjati kamerën dhe më tha: “Filmo”! Po fluturoja nga gëzimi. Si asistent operator, punova dhe në filmin e parë artistik shqiptar, filmin e Hysen Hakanit; “Fëmijët e saj”. Më pas kalova te kronikat dhe dokumentarët.
Kur kaluar te dokumentarët?
Në vitin 1958, kalova përfundimisht te kronika e dokumentarët.
Ju pëlqente profesioni i ri?
Sigurisht shumë. I kam rënë kryq e tërthor Shqipërisë time e, nuk kam lënë cep të saj pa filmuar. Po kështu kam qenë prezent në shumë takime ndërkombëtare, ku kam filmuar dhjetëra personalitete të botës, që vizituan Shqipërinë në vitet ‘50-’60-të, nga Nikita Hrushovi, te Çu En Lai, si dhe shumë udhëtime jashtë shtetit, për të bërë dokumentarë, nga Kina në Irlandën e Veriut.
Na tregoni ndonjë detaj të udhëheqësit të asaj kohe, Enverit?
Ç’është e vërteta, unë isha shumë i shpejtë në xhirime dhe nuk i lodhja udhëheqësit, jo drita, jo prisni pak, ndaj ata më kishin të preferuarin e tyre. Enver Hoxha, më shihte me një sy shumë simpatik. Më kujtohet një here, kur kishim ndaluar në “Ujin e ftohtë”, në Tepelenë, për mëngjes. Ai ishte me Nexhmijen, bashkëshorten e tij. Unë isha duke xhiruar e, ai më thirri; “Dhimitër eja këtu, ulu ha me ne”.
Unë mbeta, e i thashë; “Jo, faleminderit shumë, sepse kam ngrënë”. Fati im në atë moment, erdhi Shefqet Peçi dhe ato u ngritën për ta takuar e, ai u ul me ta, ndërsa unë ika. Por Enveri ishte i vëmendshëm. Ai thirri komandant Muhamet Prodanin dhe i tha të merrte një letër dhe mbështolli të gjitha çfarë ishin mbi tryezë e, m’i solli mua për të ngrënë.
Po me personalitetet e huaja, ndonjë detaj nga bisedat “sekrete” të tyre me Enver Hoxhën?
Kur erdhi Hrushovi, unë isha i pari që pata kontakt, se u ngjita deri te avioni. Kur udhëheqësi sovjetik zbriti shkallët e, u takua me Enverin, i tha në vesh; “Sa të jem unë këtu, mos e zër me gojë Titon…”! Ndërsa po ju tregoj dhe një moment interesant, që më ka mbetur në mend. Kur isha në Kinë me Mehmet Shehun, unë si operator, hyja 10 minuta para në sallën e takimit e, bëja plane, kur dëgjoj Mehmetin që i thotë Çu En Lait:
“Neve, ata që tradhtojnë marksizëm- leninizmin, ia japin plumbin ballit…”! Ndërsa përgjigjja e udhëheqësit kinez më befasoi, ai ia ktheu; “Koka nuk është lakër, e kjo nuk është mënyra e duhur. Merrini ata që janë kundra, çojini në një vilë në fshat, jepini veprat e Maos dhe Enverit e, ata të lexojnë, e ndryshojnë mendim”.
Më treguat se në vitin 1971, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, ju transferuan në Televizionin Shqiptar, pse?
Në atë kohë udhëheqja e lartë kërkonte që Televizionin, ta fuqizonin dhe kështu, mua, Endri Kekon e Kristaq Dhamon, na kaluan aty për të dhënë përvojën tonë. Kristaqi me Endrin u kthyen, ndërsa unë mbeta, deri në vitin 1974.
Do të kisha vijuar edhe më tej, sikur të mos më kapte “lapsi i kuq” i partisë, i cili në kuadër të arrestimeve në Radio-Televizionin Shqiptar, gjeti rastin të më shkarkojë nga puna. Në prill të vitit 1975, më përjashtuan dhe nga partia, ndërsa më 12 tetor 1976, më arrestuan.
Përse ju akuzuan?
Fillimisht, bëra 7 muaj hetuesi dhe më dënuan 6 vjet, për agjitacion e propagandë, vite, të cilat i bëra të plota.
Po burgu si ishte për ju?
Situata ishte shumë e vështirë. Spaçi ka qenë kampi më i tmerrshëm, pasi të burgosurit punonin në minierë, tetë orë. Unë s’kisha ndihmë nga familja, pasi ato gjashtë vite që vuajta aty, nuk më erdhi njeri për të më parë e, më duhej të punoja e të merrja ndonjë lekë, për të blerë ndonjë gjë në dyqan.
Keni takuar ndonjë person publik ato vite në Spaç?
Po, kam pasur Maks Velon, Spartak Ngjelën, Fatos Lubonjën…! Fatosi ka qenë trim i madh. Nuk pranonte të punonte në minierë e i thoshte; “Unë jam i dënuar politik, pse duhet të punoj”, ndërsa ata e rrihnin, e fusnin në birucë, por ai prap nuk dorëzohej.
Ju jeni shprehur se; në burg nuk kishte heronj, por spiunë e provokatorë, në fakt, si ishte situate atje?
Kur isha në Kaushin e Tiranës, (para se të më çonin në Spaç) ku kishte dhe të dënuar ordinerë, shihja ca fytyra të verdha të strukur, e pyeta njërin; “Çfarë kanë këta që rrinë kështu”? E ai më shpjegoi që; ose i dalin dëshmitar në gjyq ndonjërit ose, i rekrutojnë, për t’i lënë në qeli me të burgosur politikë, për t’i spiunuar”.
Dhe mua më ndodhi kështu. Para se të më çonin në Spaç, më lanë në birucë me një djalë të ri dhe unë, sa shkova e përshëndeta e, po i bëja muhabet, kur mu kujtua po ajo fytyrë e verdhë, e i thashë vetes: “Kujdes Dhimitër”.
E pyeta: “Për çfarë ke rënë në burg”? Ai më tha se e kishin burgosur, pse kishte dëgjuar Radio Londrën. Aty e kapa që po gënjente, se Radio “Zëri Amerikës” po që dëgjohej, por Radio-Londra, jo. Kur më thirrën për të shkuar te hetuesi, unë vesha këpucët dhe pashë dhe pozicionin ku i kishte vënë ai. Kur u ktheva, pashë që ato kishin lëvizur, nuk ishin më në të njëjtin vend, pra e kishin thirrur dhe atë.
Je rikthyer ndonjëherë në Spaç?
Po kam shkuar pas viteve ’90-të, me një fotograf, për të bërë një ekspozitë.
Me kë bënit shoqëri, kur vuanit dënimin atje?
Shoqëria duhej zgjedhur mirë aty, sepse 70 për qind, ishin të rekrutuar nga operativët dhe spiunonin. Ne ishim nja 4 vetë nga Tirana, që rrinim bashkë.
Po vitet pas burgut, si ishin?
Kur u lirova nga burgu, punova te uzina “Dajti”, punëtor, ngarkim shkarkimi, 3 vjet, prej aty në “Misto Mame”, po punëtor ngarkim-shkarkimi, deri sa në 1987, dola në pension.
I kërkuat ndihmë Enver Hoxhës, kur ju burgosën?
Jo, jo, jo…! As bëhet fjalë.
Po sot si jetoni, jeni mbi 90 vjeç?
Jetoj me pensionin tim. Unë marr pension minatori, se punova në Spaç e, më ka rënë 16 mijë lekë (të vjetra), në muaj.
Si është një ditë e juaja?
Po rri në shtëpi me gruan, shumicën e kohës. Ndonjëherë dal për kafe, me ndonjë shok. Një djalë e kam në Zvicër, ndërsa tjetri, më vdiq para disa vjetësh. Memorie.al