Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e dytë
SPAÇI
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Gjer te hyrja, na ndihën shokët, atje ne kaptuam portën, hodhëm trarët mbi karrocerinë e një “Skode” spondë-hapur, që rrëshqiti jashtë duke u trandur. Pas pak e zëvendësoi një tjetër me super spondë dhe një tendë mushamaje mbi skatull. Shtrëngoi vapa dhe djersët rrodhën çurkë, sa na ngjiti këmishën pas shtatit, teksa nga hinka e altoparlantit shpërthyen klithma skëterre, më përvëluese se rrezet: “Armiqtë imperialistë-revizionistë, do lenë kockat në brigjet arbërore! Partia dhe shoku Enver Hoxha, do t’iu vërë kufirin te thana…! Urra-a-a…”! Tingujt na shpuan veshët, nga karakolli ndanë portës. “Ptu-h, s’ua mbylli gojën as pisku i vapës, këtyre lanetëve”! – tha Esat Kala dhe vërtiti një këlbazë.
“Ruji sekrecionet Esat djali, se ka me t’u tha fyti”! – shpotiti Shyqi hazër-xhevap. “S’lanë kënd pa sharë, armiq këtej dhe armiq andej, si të jenë floriri i dynjasë! I shami të shan, lum miku! Por dreqi kur s’ka punë, luan me zogun e vet”! “Do pushoni or tëj, apo…! – kërcënoi roja i brendshëm
Djersët vijuan rrjedhën, teksa dielli u nguros pas kupës qiellore, si ta kishin lidhur me pranga. “Socializmi do fitojë”! “Rrezet e Lindjes së largme, s’do kenë perëndim”! “Timonieri i madh, shoku Mao, do shprishë kampin kapitalist-revizionist…”! “Aleanca jonë do fitojë! Urra-a”! shungulloi hinka. – “E lidhën edhe dillin, pasha Zotin”! – shtangu Shtjefën Lacuku. – “Ç’iu ka mbet tjetër njitash”? – e cyti Shyqi. – “Veç djalli me brina”! – ia pati Tefa.
– “Djalli s’lidh djallin, ta marsha”! – se kush filozofoi. Të tjerët heshtën.
“Pushoni se ta po u vë hekrat”! – kërcënoi sërish polici. – “Aman ore, ato po presim tash dy sahat”! – u tall Esati. – “Njaty ka me t’dal shpirti ty lap, në pik të dillit”! – kërcënoi polici. Një orë në zheg i thamë paguret dhe u qullëm në djersë. Mundimet ishin pjesë e taktikës së Sigurimit, që i aplikonte për t’ua çuar armiqve durimin në zgrip. Kësisoj ishin kontrollet e papritur, apelet e përsëritur, rreshtimet pafund kur ktheheshim të rraskapitur për vdekje nga puna; gjatë ngricave dimërore, zhegut veror, kudo dhe kurdo t’iu paraqitej rasti. Aty nga dreka ja behën një xhumbë policësh duke shpotitur:
“Qyri si kenkan pudros miqtë”! “Kanë m’u nis krushq, or shoq”! “Ku e kanë dhandrrin, bre”?! “Janë të tanë dhandurrë, or mëjk”!
Po ua ndërpreu romuzet oficeri i rojës, që nisi apelin. Kujt i doli emri, e mori polici më i afërt, e prangosi dhe e shtyu mbi karroceri. Kur më thirrën mua, “Mark mustakuqi”, më tërhoqi për bërryli, më vuri prangat, po s’e çoi fluturën në zero dhe më ndihu të ngjitesha mbi platformë. Qeshë me të parët, radha më ra pas kabinës, kur mori udhë makina e, nisi të llokoçitë, u mbështeta pas spondit dhe s’u kolovita si shokët që ishin në mes. Teksa vuajtën dhimbjet e kyçeve, pa u nisur, unë falenderova Markun me një përkulje koke, që ai e pikasi dhe luajti paksa bishtin e mustaqeve të verdha, duke sajuar një buzagaz ironik.
Si na ngucën sipër, na kllaposën së dyti me një zinxhir dhe na shndërruan një trup, sa hetohej njëri, tërhiqte edhe të tjerët.
Pas dy orësh në pikë të zhegut, mushamaja u nxeh, sa thua u ndez dynjaja. Kur gërdalla nisi llokoçitjet, mbulesën e gafroi dhe e fryu si ballon një gulfë tymi e ngopur me karburant të padjegur. Gazi na mori frymën gjer në fund udhëtimit. Nga murdallëku në ferr! Makina u shkrydh para-prapa, shtoi gazin, kaloi telat dhe devijoi në të majtë. Papritur ngula sytë ballë spondit fundor dhe pashë vendin ku kalova afër dy vjet. Për shkak të mushamasë që fshihte faqet anësore, s’dukej kushedi, gjithsesi tabloja më ndolli neverinë. Mbase qenë platitur ndjenjat diku në zgripet ekstreme të subkoshiencës dhe s’arrija të perceptoja realitetin.
Ky vend ishte “murdallëk!”
I dhashë të drejtë xha Esherefit dhe u rreka ta fshija nga kujtesa, mundësisht edhe nga hemisfera. Ky “murdallëk”, më kish stampuar veç vuajte, dhimbje dhe gjëma në celuloidin e kujtesës.
Ndërmenda acarin e mbrëmjes së parë, shtyllën e “Golgotës” ku më lidhën me tel, gjilpërat e shiut që më shpuan fytyrën, kallkanin e birucave, uturimën e grykës së Fanit, të nxehtin dhe pluhurin asfiksues, më gufoi krupa dhe e nëma me shpirt atë copë territor:
“T’u shoftë emri, o ‘Murdallëk’, mos ta pafsha bojën, për jetë të jetës!” Pos përbuzjes, m’u shfaqën miqtë e mi që parakaluan si në paradë makabre; njëri e pësoi me çyrykllëk, tjetri me gjymtim mendor, dikush i humbi të tëra, trupin, trurin dhe jetën. M’u fanit Meleq Hasa, me portretin e shpërfytyruar gjer në shëmti; Nuri Abazi, me kavernën që do t’i merrte jetën; Dom Mark Hasi, që do ta mundonte frymëmarrja astmatike, gjer në dekikën e fundit; e sidomos Kosta R., që do hallakatej duke qëmtuar krimba haleje. M’u shpërfaq edhe fantazma e mpakur e Barba Jorgjit dhe mallkova sërish: “T’u shoftë emri, o ‘Murdallëk’, mos ta pafsha bojën për jetë të jetës!”
Motori gulçoi, nakatosi tymin me pluhurin e rrugës që mbuloi lakuriqësinë e spondit fundor dhe na depërtoi në mushkëri. U zgjata mos pikasja ndonjë copëz peizazh, por më përcëlluan sytë, si të më kish hedhur një grusht rërë, ndërsa djersa që kullonte çurkë nga brazdat ballit, ndehej paksa mbi vetulla dhe shkiste nëpër cepa. Shtrëngova qepallat dhe u krodha në ëndërrime, por imagjinata punoi së prapthi. Udhëtonim në mesditë, por pamja nxinte e sterronte, si piktura kubiste. Sado u orvata të përfytyroja vendin që na priste, s’di ps fantazia prodhoi një tablo të zymtë, lyer me bojë terri, gjersa përfytyrova një pllajë rrethuar me gjerdhe gjembaçë, ku luhateshin copëza nate me gjuhë harpiesh, mbi kryet e djallit, teksa projektorët shqyenin terrin me shigjetëza drite dhe përshkonin kryqet e telave, duke ndehur një aureolë falsiteti në horizont. Ndër hone u hapën si lëfyte kuçedrash do vrima, që prisnin të na gëlltisnin në rropullitë e panginjura.
Kjo pamje më trand përtej imagjinatës, e kaptoi riprodhimin e tablosë zezonë me penelat të trasha, që më kishin përshkruar miqtë që e kishin shkelur më herët. Dobësinë e imagjinatës, që s’i përfshiu dot skutat e strofkës së djallit, ku e ku më vrastar nga rrëfenjat me shtriga e vampirë, do ta pikasja vetëm kur të ballafaqohesha me faktin. Atëbotë besova Danten dhe ferrin e tij.
Pas çdo grope, makina hidhej dhe ne luhateshim e epoheshim majtas-djathtas nën peshën e zinxhirit. Gumëzhima e motorit dhe zhaurima e hallkave ndillnin kob, ndërsa gazi dhe pluhuri i rrugës na morën frymën. Pluhuri verdhan s’na u nda gjersa ndali makina.
Zhaurima dhe luhatjet e karrocerisë të jepnin kumtin e relievit.
Në të përpjeta makina oshtinte përvajshëm dhe avanconte me zor, zgërlaqej dhe tërhuzej si kalë teknefëz kur ndërronte marshet, ndërsa në dishezë zhurma platitej, rreshti i kreut varej teposhtë dhe mbante peshën e të tjerëve.
Kjo pamje më trand përtej imagjinatës, e kaptoi riprodhimin e tablosë zezonë me penelat; të trasha, që më kishin përshkruar miqtë që e kishin shkelur më herët Dobësinë e imagjinatës që s’i përfshiu dot skutat e strofkës së djallit, ki e ku më vrastar nga rrëfenjat me shtriga e vampirë, do ta pikasja vetëm kur të ballafaqohesha me faktin. Atëbotë besova Danten dhe ferrin e tij.
Pas çdo grope, makina hidhej dhe ne luhateshim e epoheshim majtas-djathtas nën peshën e zinxhirit. Gumëzhima e motorit dhe zhaurima e hallkave ndillnin kob, ndërsa gazi dhe pluhuri i rrugës na morën frymën. Pluhuri verdhan s’na u nda gjersa ndali makina. Zhaurima dhe luhatjet e karrocerisë, të jepnin kumtin e relievit. Në të përpjeta makina oshtinte përvajshëm dhe avanconte me zor, zgërlaqej dhe tërhuzej si kalë tekanjoz, kur ndërronte marshet, ndërsa në dishezë, zhurma platitej, rreshti i kreut varej teposhtë dhe mbante peshën e të tjerëve. Përshkuam tërë-tërë vetëm gjashtë-shtatë kilometër vijë ajrore, por dredhat bri përrenjve e katërfishuan distancën, gjë që do ta kuptoja mbas tre vitesh, kur do kaloja aty pari.
Pritje dreqnish!
“Luj vendit or tëj, mos dojshit m’u prit me tupana”?! Me këto fjalë na uroi mirëseardhjen polici i parë, në ndalesën e parë, të portës së parë, në tarracën e parë. – “Ku jemi? – “Në Spaç or mëjk”! – “S’paç the”! – “Në S’p-l-aç, o të plaçin të dy”! Një trumbë policësh gajasën, duket pamja jonë mjerane iu kujtoi ndonjë skeç gazmor, që i bëri të shkriheshin. S’di, në druheshin se si miq të paftuar, mos iu zinim qoshen, por ne ishim miq të paftuar e, të pavullnetshëm, në atë dasmë makabre. Ishim paraprija e një armate të pranguarish që do t’i ngujonin pas pak muajsh këtu. – “Sa simpatik, bash si me i pas qit prej bykut”! – u tall një polic. – “Ja paskan pru Prengës n’shteg, për ideal”! – u hodh një tjetër. – “A nji k’shtu je tuj i prit miqtë, Preng”? – e shpotitën “mikpritësin”. – “Shpejt, hudhu poshtë bre qelbsinë”! – hungëroi Prenga. Tallje dhe sërish tallje, ironia na ndoqi në çdo portë burgu!
Kolegët sa e ndërsyen torollakun Prengë, por ne ia pamë sherrin. Ai u kacavar mbi karroceri dhe klithi i ndërkryer: – “Hudhu poshtë bre! – na dha të shtymën, pa konsideruar zinxhirin ku na kishin kllaposur. Të parët tërhoqën të dytët, këta të tjerët dhe ruku-përduku, mbi dërrasat stola, u bë një katrahurë trupash njerëzorë, ku koka e njërit, u ngërthye me këmbët e tjetrit. “Ha-ha, hy-hy”, kakaritën policët, ndërsa një grumbull të dënuarish që prisnin të na zëvendësonin në karrocerinë e makinës, u lemerisën. – “Poshtë or tëj, se pasha Zo… idealin e partisë, ta po e paguan shtrenjtë”! – më klithi i handakosur. Prisja shumë të këqija, por s’e kisha imagjinuar këtë mynxyrë britmash dhe vikamash, plus ekseset gazmore të trupës policore, që më bindën gjer ku zgjatohej marria kolektive dhe e cinizmit shtetëror, që i shndërroi njerëzit në kafshë. – “Sun presim surratin tat, or mingo”! – fjalët i ndoqi një fshikullimë pas shpinës.
S’di në e pata mallkim apo, tersi më ndoqi në çdo derë burgu; sa zbrita në Reps, hëngra ca shkopinj gome; në Burrel përfundova në birucë me minjtë, për një keqkuptim banal, dhe në Spaç, një Zot e di ç’më priste! U orvata të çlirohesha nga zinxhiri, por rrëmuja më tendosi më fort. Një fshikullimë e dytë dhe këmisha m’u ngjit pas shtatit, sakaq dy goditje pasuan të parat dhe një gjëmim:
“Or tëj, me kë don m’u tall surrati jot”? – pa më lënë kohë, edhe dy goditje të njëpasnjëshme. U trullosa. – “Prengë, janë t’lidhun pas zinxhirit or tëj”! – se kush ndërhyri që tej. – “Mark-a, njita të poshtën, janë anmiq të partëjs”! – edhe një fshikullimë më e hidhur se të parat. – “Duhet m’u hjek drynat, or mëjk…”! – sërish ndërhyrje nga tufa. – “Qyre nji kët mistrecin, që don m’u tall me na”! – edhe një fshikullimë.
– “Ç’je tuj ba Preng-a”?! – një nga policët e Repsit, nxori tufën e çelësave, fut e nxirr në dryna, gjersa gjeti të përshtatshmin.
“Ngatërresa”, i zgjati mundimet, zinxhiri u pleks ligsht, sa s’po i gjenin fillin. – “Njiky spudhjaku, don me na vu n’lojë, or tëj! – edhe një fshikull. Vapa dhe etja më shtuan mundimet sa s’po më mbanin këmbët, teksa shpina më digjte për ibret, këmisha m’u ngjit pas mishit. S’di kë tjetër veç meje zuri vala e goditjeve, por ishin ngallosur të tërë, me gjak. Kush iu shpëtoi prangave, i largohej “mikpritësit”. Tentova edhe unë, por Shyqi më ndali:
– “Të paskan ba lerë o burrë, dal ta fshij shpinën”! – i dha përpjetë këmishës, po coha qe ngjitur pas lëkurës. – “Të paskan sakatu jezitët”! – dhe më fshiu me kapën e kresë.
– “Hudhi njato kambë, or tëj, apo don nji hu mirditorçe”?! – e kërcënoi polici. Shyqi u mat t’i kthehej, por e ndala: – “Ikim, do ta mjekoj brenda”! – dhe iu drejtuam dengut të teshave që ishin korkolepsur mes pluhurit, i hodha në krah dhe ndoqa të tjerët nëpër ca shkallë të pjerrëta. Niveli intelektual dhe ballafaqimi me egërsinë policore, do më bindte se ideologjia komuniste e shprishi robin, ndërsa propaganda i shpëlau trurin dhe e katandisi hidër me shtatë krerë. Por në kushte mjerimi, hasa edhe kontrastin me të keqen, idealistët humanistë dhe qëndrestarë të pathyeshëm, që iu kundërvunë të keqes sociale.
Por t’ia lemë të ardhshmes dhe t’i kthehemi ditës së mbërritjes.
Zbrita shkallinat e mihura në tokë dhe u gjenda sakaq, mes një rrafshi sa gjysma e pjacës së Repsit. Në pritje se mos më orientonte ndokush, m’u prenë gjunjët, flaka barrën nën hijen e një akacie dhe prita. Metamorfozë e çuditshme, dhjetëra kaluan aty pari dhe asnjë s’më hodhi sytë. Para dy vjetësh, m’u zgjatën shumë duar, tash që mëtoja se isha i burgosur me stazh dhe doemos duhej të më njihnin, po më largoheshin të gjithë. – “Po kjo ftohtësi”! gati klitha, kur e pashë veten të braktisur, por ma mbajtën dhëmbët.
Më pas do ta kuptoja se shkaku, s’ishte ftohtësia apo dashakeqësia, po derexheja ku më katandisën. Më morën për grindavec apo psikopat dhe rëndom, tipave sherrxhinj, iu largohej gjithkush. Sa ndeza cigaren, m’u errën sytë dhe rashë në prehrin e Letit. Si në kllapi, ndjeva emrin tim. Mos ëndërroja? Kur thirrja u përsëdyt, hapa sytë. Dy të panjohur më zunë rrezen, ndaj bëra të ngrihem, po më theri shpina: – “O Zot! Mos luaj, të të mjekojmë këtu, mandej shkojmë në kapanon”! Një verdhacuk mbi të pesëdhjetat, i kërrusur si kosore dhe i dobët si pikëpyetje, m’u var mbi krye. Tjetri diç po rrëmonte në një çantë meshini.
“Mbase janë mjeku me infermierin, që i kanë njoftuar miqtë e Repsit”! I moshuari më zhvati këmishën: – “Të paskan gjymtu, që paçin faqen e zezë”! – mbase ishin mavijosura vazhdat dhe binin në sy. – “E paskan ba fërtele, Vani”! – iu kthye shoqëruesit. Tjetri regji në ujë të oksigjenuar një shtupë dhe më shpëlau kurrizin. O Zot, më dogji si të më rripnin lëkurën! Dhëmbë shtrënguar, ndërmenda sentencën e të panjohurit, në birucat e Shkodrës: “Mbahu Çim djali, tash po lan shtatë lëkurë në burgje, ba me i dalë në kry, në e paç atë fat”, po vetë ai, s’më ra në hatër! Sa mbaruan fashaturën, iu zgjata zhaken, por s’e pranuan. Më i vjetri u sheshua ndanë meje dhe u prezantua: “Osman Kazazi, nga Tirona, ky, Jovan Xhuvani nga Elbasani”, – emrat më kujtuan letrat nën shoje, kur u mata të hiqja opingat, Osmani më ndali: – “S’asht nevoja, ti s’erdhe vetëm or burrë”!
“Shkëlqim Abazi, i burgosuri më i panjohur në Shqipëri”, – mënyra si më pritën, më shtyu të mendoja se s’më njihte kush! – “Na folën shokët e Repsit” – më ndërpreu i vjetri. – “Ju falënderoj që m’u gjendët”! – “Ç’asht ajo fjalë, ndihena ligsht, që të gjeti hataja”! – “Gjithsesi ju falënderoj, unë e kam peshqesh nga komunistët”. – “Është trishtuese mënyra, si i trajtojnë të rinjtë”, – ndërhyri infermieri dhe më zgjati një hape blu. – “Ç’nuk pret nga tru shpëlarët, mër jahu! – vijoi Osmani. – Po deti asht gjithkund i krypun”! – “Lal, duhet mi gjet vendin, se tash po vepron ilaçi”! – e ndërpreu infermieri.
– “Ja kena gjet pranë Shezit dhe Bishës. Eja Myslim”! – ftoi një mustaqezi mbi të tridhjetat, që më shtriu dorën buzë gaz: “Myslim Fuatllari, nga Poradeci”! – dhe hodhi jatakun mbi shpinë e, mori teposhtë pa pritur përgjigje. Hyri në një barakë në të djathtë të rrëpirës, ku të mbyste duhma e koçifozit dhe e peceve të sapo nxjerra nga çizmet. Në ecje e sipër, i hodha një sy fjetores. Pozicioni i relievit tejet i pjerrët, i ngjiste rrethit më të thellë të ferrit, por ajo s’ndryshonte kund nga të Repsit, me ato përmasa dhe lesën dykatëshe, prej dërrasash ahu. Edhe banorët ishin siamezët e Repsit, kokëqethur, të dobët, të thatë, të pistë. I vetmi ndryshim lidhej me moshën, kishte shumë te rinj dhe pak të moshuar; (nga rreth pesëqind vetë, mbi katërqind ishin, nga tetëmbëdhjetë, deri në pesëdhjetë vjeç, dhe mbetja mbi këtë vërsë).
Minierat kërkonin skllevër të fuqishëm. Këtë marifet, e kish jetësuar në praktikë Sigurimi i Shtetit, sa herë lipsej për t’u përmirësuar struktura, ndërmerrnin valë arrestimesh selektive, sillnin të rinj, kurse të moshuarit dhe të sëmurët, i shfrytëzonin në sipërfaqe, gjersa iu shternin forcat, mandej i degdisnin të ngrysnin ditët në kampet e tjerë, apo në burgun e Burrelit.
Por kjo i përket një kapitulli më vete.
Një fqinj i pazakontë…!
Afër fundit, Myslimi ndali, hodhi barrën mbi një boshllëk ku do sistemohesha “për momentin”, por rrjedha e solli të kaloja mbi dy vjet, ndonëse fqinjët m’i ndërruan disa herë. Më njohu me shokun e krahut, Naun Bishën, nga fshatrat e Kolonjës, kurse tjetrin do ta shihja, kur të kthehej turni. Naunin rrondokop dhe fjalëpakë, e konsideronin të metë, por unë që e pata fqinj disa muaj, konfirmoj të kundërtën. Vërtet ishte individualist i pandreqshëm, po kurrsesi i pakët, siç citonin gjindja: “Ki Bisha është i pakët nga mendja, i pakët nga pastërtia, i pakët nga rregulli, me tepricë nga sedra dhe barku; domethënë i unjët por krenar”! Sipas kësaj, i binte që; një Luigj e lashë në Reps dhe tjetrin e gjeta në Spaç. Jo. Nauni s’ishte Luigji, që të numëronte kafshatat dhe s’luante pa përfituar pjesën e tij; sine qua no. Ai hante vetveten dhe s’pranonte kurrgjë. Hokatarët e thërrisnin “Bishë”, lodër fjalësh me mbiemrin, që nënkuptonte ujkun.
Natyrisht, ai s’iu mërzit kujt, sepse ky epitet i përshtatej më së miri karakterit të tij. Nauni ishte prototip ekstremesh. Zaten te ai ishin pleksur të kundërtat; respektonte dhe urrente pa karar, prirej të kundërshtonte gjithkënd, të kundërvihej kategorikisht edhe kur s’kishte të drejtë. Pra, ky noksan, maste dhe priste sipas kutit të vet, kishte përfytyrim të përveçëm për nderin dhe këndvështrim ndryshe për karakterin; i urrente spiunët, deri në neveri, i përçmonte imoralët, gjer në tërbim, e kundërshtonte komunizmin, gjer në marri.Të tillë ekstremizëm demonstronte për pastërtinë, që thoshte se është e tepërt në burg; librat i konsideronte, luks zotërinjsh; artin, mburojë për të dobëtit. Për obstruksion me komunistët, spiunët dhe imoralët, shfaqej ekstremist, edhe në besimin fetar.
I veçantë, gjer i çuditshëm, kthehej alogjik, s’i gjykonte rrethanat që determinonin, deformimin e një karakteri. Shprehjet: “imoralët në litar, spiunët në plumb, komunistët në gijotinë, ateistët në hu”! ishin kthyer në legjendë. S’donte t’ia dinte se dikush kish zgjedhur të bëhej komunist, me bindjen naive se kështu i shërbente më mirë kombit dhe shoqërisë, ai e konsideronte pervers; se dhuna e tejskajshme apo, kërcënimi me humbje koke, kish ndikuar në nënshtrimin e një spiuni, e gjykonte të dobët; se dikë e kishin dhunuar dhe më pas, e kishin shtënë në rrugën e poshtërsisë me poshtërsi, e quante të padenjë; se një ateist apo agnostik, mund të ishte i dobishëm, sa një ateist, s’e merrte në konsideratë dhe e regjistronte shërbëtor të luciferit.
Zgjidhje unike, shihte litarin, plumbin, gijotinën dhe hurin! Filozofia e tij përmblidhej në sentencën: “O natë, o ditë, o i zi, o i bardhë, o i njomë, o i thatë; të ndërmjetëm, s’do ketë kurrë!”
Ndaj e konsideronin të mangët, por unë s’pajtohem me këtë përfundim; cilësitë prej noprani, ia atribuoj shpirtit të kundërshtisë që dominonte karakterin, mentalitetin dhe perceptimin mbi fenomenet politiko-shoqëror të kohës. Për gati dy muaj, s’konstatova ndonjë shenjë depresioni apo sëmundje mentale, përjashto nihilizmin dhe individualizmin e thekur, kokëfortësinë dhe intrasigjencën, pa shoqe. S’dëgjova të kish pranuar t’i falnin diçka, por këtë ves-virtyt, e konsideroja forcë karakteri.
Kur më vizituan së pari familjarët, tentova ta ftoja, por sa dëgjoi për drekë, rrëmbeu batanijen dhe bënte gjoja sikur flinte, nën hijen e akacies. Ja hoqa pjesën. Si u larguan miqtë, u shtriva të merrja një sy gjumë. Ai u kthye, por mbeti në mëdyshje, kur gjeti mbi shtrat tasin e mbuluar me letër çimentoje. S’di t’i shpjegoj kundërshtinë e ndërgjegjes, por duket ndjenja e miqësisë, e mposhti kryeneçësinë, sepse shtriu dorën, hoqi letrën, po s’shtiu gjë në gojë, megjithëse ish përherë i uritur. Pa nga unë dhe nga tasi, e zbuloi dhe e mbuloi sërish, dhe sërishmi pa nga unë. Nga poshtë batanijes ndoqa skenën, vendosa të zbuloj kokën, kur e pashë të torturohej.
Por ai, duket kish pritur, sepse mbuloi tasin dhe m’u kthye: “Më prishe karakterin, Çim vëllai”! “Jo Nuni, besoj se të kam mik të mirë dhe…”! “Të njëjtën mendoj edhe unë, po kjo punë është me xëc, njëherë të shkon miu në mustaqe dhe hajde prija rrugën”! – lëvizi gishtin nën hundë. Gjestin e mora paraprijë refuzimi: “Prej javësh jemi fqinj dhe s’kemi këmbyer gjësendi. Fundja ç’do shkëmbenim, supën kishim? Kjo pako gjë, s’të mban as ty, as mua, njomim gojën, se nesër prapë kazanin kemi. Mos ma kthe, të lutem”!
Më nguli shikimin në kokërdhokë, mendova se do refuzonte, po gabova nga ngutja për të nxjerrë konkluzione të nxituara. “Më binde, shtrihu tani”! – urdhëroi. Mbulova kryet, sepse s’doja ta vija në siklet. Mbase isha ndër të paktët që thyeja akullin e zakonit të pazakontë, gjë që ma konfirmuan miqtë; rezultova i pari në dhjetë vite burg, që Nuni s’e refuzonte. Gjersa e çuan në Burrel, patëm shkuarje perfekt, natyrisht respektoja parametrat që i gjykonte të pa negociueshëm. Sado i vështirë për ekstremitetet e famshme, ruaj kujtimin e një individualiteti, me premisa pozitive.
Këmisha e skuqur dhe gjaku i zi
Shtrova jatakun mbi boshllëkun e sajuar enkas dhe po sistemoja librat në sergjenin mbi krye. “Si shumë libra dhe defterë na paske prurë, or mik”! – m’u shkreh Nauni, pas shpine. “S’bëj dot pa to, sepse kam nisur studimet”! – u justifikova dhe vazhdova pa e prishur terezinë. “Djalë, janë të tepërt në burg këta”! – s’dita si ta merrja, qortim apo qesëndi. “Mezi i kam siguruar”! – ia ktheva pa teklif. “Ah-ah, mbarë e paske nisur vëlla”! – dhe u mbështet mbi jastëk. Dua të theksoj, se më ra pjesa në katin e parë, ku çdo veprim bëhej i përthyer më dysh. Këmisha e gjakosur, tërhoqi shikimin e të tjerëve. “Na kalle barkun, me atë këmishë”! – se kush foli prej kundruall korridorit. “Aman ore, na u bë kjo e kuqja…, sa jemi kail të shtrydhim gjakun nga trupi”! – shtoi një tjetër. “Lëreni djalin në hallin e vet”! – ua preu Nauni. “Ç’pikturë surrealiste, na paske pas shpine, do alanisësh dynjanë! Ha-ha-a-ah”! – u kakaris një më tej.
“Pusho ti marrok”! – iu hakërrye fqinji. Heshtën për një çast, por sërishmi ia nisën. “Gjak është, ç’donit të shihni, bre”? – më doli krah fqinji. “Na kalli barkun kjo e kuqja, a derëzi”! – aludoi dikush për komunizmin. “Mos doni të zi ju”? “Epo themi komunistët, ata e kanë gjakun sterrë dhe shpirtin katran! Kurse ky ka ngjyrën e flamurit, o babaxhan”! – e mbylli Nauni apologjinë. Me gjithë retorikën, u zhvesha, kur ç’të shoh! Këmisha pas shpine qe tharë koreçkë, ata që m’u lutën ta hiqja, kishin të drejtë. “U-a-a-ah, po ky qenka kockë e lëkurë, si t’ia kenë hequr varrmihësit nga duart”! – klithi ai që Nuni e quajti “marrok” dhe shtoi: – “Vareni te shtylla të trembë laraskat, bre”! Nxora nga thesi një këmishë, po Nauni më ndali: – “Prit! Vërtet të paskan qëndisur një tatuazh rrezik- vdekje, si në impiantet elektrike, or mik”! “Ç’ka për të parë, o Bishë! Lëre tjetrin të vishet” – e qortoi Myslimi nga shtrati për karshi. “Lym vëllai, huri të trash zhapën, të kalit durimin dhe të forcon karakterin”! – qesëndisi Nuni: – “Po ky sa nisi, or mik, në Spaç lë gjarpri shtatë lëkurë, jo më robi”!
U turbullova, duket hapa e infermierit nisi efektin sepse, m’u qepën sytë dhe humba në harrim. Ëndrra dhe harrim. “Dreq! Dikur një i panjohur në birucat e Shkodrës, më pat thënë: “Mbahu Çim djali, tash po lan shtatë lëkurë në burgje, ba me i dalë n’kry, në e paç atë fat!”, ndërsa ky këtu e thotë ndryshe: “Në Spaç lë gjarpri shtatë lëkurë, jo më robi”! Një tufë gjarpërinjsh u përdrodhën rreth një dengu mishi të sapo therur, sy zgurdulluar kafshonin e mbllaçitnin me dhëmbët çatallë që kullonin pika vreri, gjersa i zhvoshkën ashtën. O Zot, harpiet gjuhë shtrirë, thëthinë lëngun jetësor! Nga pirgu i mishit, u shfaq një kurm i gjakosur që mpakej nga dhimbjet. Iu hakë-rreva lukunisë të shpëtoja qyqarin, kur ç’të shoh? Cullaku mishra shkalafitur isha unë! “Po ti këtu”? – m’u shkreh pirgu i mishit. “Po rrekem të të ndih”! – iu gjegja. “Kot mundohesh, or qyq”! “Në ferrin ku më kanë shtënë, do lë shtatë lëkurë”! Ti je unë, apo unë, jam egoja jote”?
“S’më interesojnë punët e asaj bote”! – zgurdulloi sytë sa i dolën jashtë orbitave.
“Do arrijmë vallë, të shpëtojmë”? – pyeta i drithëruar.
“Dreqi e di, tash sapo lamë lëkurën e dytë”! – shtoi i lebetitur. “Të dytën the”?
“Na mbeten edhe pesë të tjera”! O Zot edhe pesë!” – u tromaksa.
“Në Spaç lë gjarpri shtatë lëkurë, jo më robi”! Kurrizi më përcëlloi për vdekje.
“Shezo, të kem pru kët mikun e ri”! – më zgjoi një zë që m’u duk i njohur.
I dyti, i panjohur: – “Cili o Lal”?
I pari: – “Kët beratasin, që na e kanë lan teslim miqtë e Repsit”.
I dyti: – “Cilët the”?
I pari: – “Që nga Esheref Zajmi, Daut Runa, Izet Gumeni, Raqka Prifti, Dom Mark Hasi, Patër Zefi dhe gjer te Refat arixhiu”.
I dyti: – “E kuptova”!
I pari: – “Lypet ta mbështesin edhe miqtë tanë”.
I dyti: – “Mos ki merak, asht e kryme”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm