Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N. Bicaku
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon një reportazh të gazetarit të njohur suedez, Sven Aurén, të botuar në gazetën “Svenska Dagbladet” të Stockholmit, lidhur me katër vizitat e tij në Shqipëri, duke filluar nga viti 1938 kur ai erdhi për dasmën e Mbretit Zog dhe për të përfunduar në shtatorin e vitit 1968 ku ai vizitoi për herë të fundit Shqipërinë.
NJË VËLLA I MADH SHQIPTAR
Edhe nëse është zbutur shumë pak, komunistët vazhdojnë të bëjnë pak a shumë, një politikë efektive izoluese, për të penguar arratisjen e shtetasve të uritur për liri dhe të pengojnë infiltrimin e ideve antikomuniste. Por Shqipëria e ka zhvilluar me një mjeshtëri të vërtetë, këtë sektor special. Natyrisht që ka ndonjë faktor, që e lehtëson këtë lloj linje, p.sh. vendi s´është më i madh se Belgjika dhe vetëm përbëhet nga një milion e gjysmë banorë. Sidoqoftë, rezultati është mahnitës. Shqipëria është një iriq i mbledhur top me gjembat rreth e qark.
Ajo është kundër të gjithë shteteve europiane, kjo është një zotësi dhe i ka mbyll gjithë kufijtë, si me vendet kapitaliste të Europës Perëndimore, ashtu edhe me shtetet komuniste të Lindjes. Sipas këndvështrimit shqiptar, këta të fundit gjenden në fazën e fundit të shpërbërjes morale dhe konsiderohen si tradhtare, të komunizmit të vërtetë. Kufijtë tokësor me Jugosllavinë dhe Greqinë, si dhe bregdeti i Adriatikut, patrullohen ditë e natë, hyrjet dhe daljet e udhëtarëve, bëhen objekt të një kontrolli rigoroz. Asnjë shqiptar disponon një pasaportë dhe veç shumë rrallë dhe me shumë zor, që një të huaji t´i jepet një vizë.
Politika e turizmit është misterioze. Këtë vit kanë pranuar të lejojnë nja pesëdhjetë e ca turistë “kapitalistë”, që zor se do të derdhin, ndonjë shumë të madhe valute, por kur kanë hyrë brenda shtetit, trajtohen si individë të dyshimtë. Për të qenë të sigurt, që të mos bëjnë ndonjë djallëzi, policia nëpër dhëmbë thotë, policia shqiptare përbën: në krahasim me popullsinë, forcën më të madhe në botë dhe kanë urdhra të rrepta, që të mbajnë të huajt nën kontroll.
Gjatë udhëtimit tim, rreth vendit as unë, as shokët e mi të udhëtimit, nuk kemi mundur të lëvizim, në as një rast të vetëm, pa pasur polic shoqërues, që përveç asaj as edhe nuk e mbajnë sekret prezencën e tyre. Një turist, që nuk qëndron brenda këtij cakut, rrezikon dëbim. Vjet ndodhi që një turist perëndimor, që u mërzit nga atmosfera e rëndë, shkroi “Rroftë Amerika!” në librin e përshtypjeve, të një muzeu në Tiranë. Ditën tjetër, e përzunë jashtë vendit ushtarakisht.
Barriera kundrejt botës nuk kufizohet vetëm me kufijtë. Ata ndërmarrin edhe masa tjera mbrojtjeje. Libraritë shesin vetëm literaturë propagandiste. Është e pamundur, të gjesh një gazetë apo një libër të huaj. Të gjitha letrat që hynë e dalin i nënshtrohen censurës. Lajmet e ngjarjeve në botë, filtrohen nga organe shtetërore, para se t´i transmetohen popullsisë nëpërmjet dy kanaleve zyrtare: shtypit dhe radios. Të duket e thjeshtë t´i shmangesh këtij izolimi, duke kërkuar radio stacionet e afërta italiane, apo jugosllave, me një radio private. Po a ka radio private? Pyetja nuk është e pavend.
Udhëtimi im është në pikun e verës, kur gjithë dritaret janë të hapura, për shkak të vapës: asnjëherë s´kam dëgjuar ndonjë një zë radioje private. As edhe kam parë radio të shiten gjëkundi, as në magazinat shtetërore, as edhe në dyqanet e tjera. Përkundrazi, në çdo qytet ka altoparlantë të mëdhenj, në shesh dhe autoritetet me anë të tyre dhe pa mëshirë, mbushin “suxhukë” në aspektin shpirtëror. Përsa i përket zhvillimit të ngjarjeve ndërkombëtare, shqiptarët janë populli më i painformuar i Europës. Dhe me Kinën, si të vetmin mik dhe gjithashtu më të largëtin, është populli më i vetmuar në botë.
Po ç´klimë e mrekullueshme për një diktator, që të kujton Vëllain e Madh, në romanin e Orvellsit (Orwells) 1984! Enver Hoxha (ose Hoxha, sikurse shkruhet emri i tij shqip), fillimisht ka qenë mësues dhe jepte mësim në shkollën franceze në Korçë, ku ai si shumë revolucionarë të tjerë shqiptare gjithashtu, ka qenë edhe nxënës. Ai tani është gjashtëdhjetë vjeç, shefi më i lartë i partisë dhe kështu udhëheqësi me pushtet absolut, mbi popullin shqiptar. Është një burrë mjaft inteligjent.
Ndërsa Rusia e mbante Shqipërinë nën sqetull, zakonisht ai vizitonte Stalinin, dhe thuhet se ushqente respekt të madh për kokën e zgjuar, të tij. Tash udhëtimet shkojnë në Pekin, atje tek mbrojtësi i ri, Mao, për të cilin, duket se ka po të njëjtën konsideratë. Organizimin e kultit të individit, të cilin e ka shfrenuar fare për hesap të vet, dëshmon pa mëdyshje aftësi. Me emrin Enver, pa mbiemrin, paraqitet ai si vëllai i Madh i Shqipërisë. Ai shihet shumë rrallë, por është prezent gjithkund.
Në çdo ambient ka lejuar që t´i ngrenë një bust, në ngjyrë si të argjend ose të artë, që paraqet atë vetë, me pamje autoritare e me gjoks të hedhur dhe zëri i tij gjëmon nga altoparlantët, nëpër sheshe. Ditë dhe natë u kujtohet shqiptarëve ekzistencën e tij. Vetura ngjitet përpjetë një mali të lartë dhe papritur, sheh poshtë në një luginë të gjerë; në një shpat mali në anën tjetër me shkronja gjigante, ENVER, të formuara me gurë te bardhë. Kudo nëpër vende në lëndina pyjesh dhe faqe malesh, shkëlqen ENVER, bile edhe më shpesh se sa shikon afishe reklame, për aperitivin ‘Dubonnet’ në Francë, apo konjakun ‘Osborne’ në Spanjë.
Nëpër qoshe rrugësh ka tabela me citate nga fjalimet dhe shkrimet e tij dhe me nënshkrimin, me një fjalë të vetme: ENVER. Kur errësohet, në qytetin bregdetar të jugut Sarandë, ndizet një reklamë ndriçuese shumë e madhe, me shkronja të kuqe: ENVER. Çfarë qëndron në çati të qytetit malor të Gjirokastrës? ENVER. Po në atë qytet kanë restauruar shtëpinë e lindjes tij, që përveç kësaj, ka një karakter të çuditshëm. Ky diktatori i kuq, ka një prejardhje borgjezie të lartë: babai kishte prona të konsiderueshme të kultivimit të duhanit dhe shtëpia në stilin turk, është tipike e një çifligari. Oxhaqe të bukur, tavane të pikturuara bukur, gdhendje të bukura në dru.
Në fotografi të panumërta mund të admirosh Enverin, si luftëtar partizan, ligjërues tubimesh, gjeneral dhe baba i kombit dhe gjithë kjo, nis si një pelegrinazh, ashtu sikurse në shtëpinë e Maos në Hunan. Nëpër qytet afishe të mëdha lajmërojnë se edhe Shqipëria tani, ka nxjerrë librin e vogël të kuq: shtypshkronja shtetërore boton një përzgjedhje më të mire, të mendimeve të Enverit në një format të përshtatshëm.
Dhe pak më tutje, një pllakat e madhe, që i bën thirrje popullit shqiptar: “NE GJITHMONË DHE PLOTËSISHT DO TË PËRMBUSHIM POROSITË E ENVERIT!”
Çfarë porosit ai, është përpara së gjithash punë. Prej kësaj Tiranës së ndaluar, derdhen një lum urdhrash, direktivash dhe ri kujtesash, për autoritet rajonale. Prodhimi duhet të rritet në Kombinatin e Tekstilit “Stalin”, Hidrocentrali “Karl Marks”, duhet të zmadhohet. Pse punohet kaq ngadalë për ngritjen kullës së re të shpimit, në fushën e naftës, në jug të Vlorës, pse nuk shihen më shumë flamuj nderi, në Fabrikën e Trikotazhit në Korçë, (një punëtori, që është më efektiv, i vihet një flamur i vogël trekëndësh mbi makinë), pse fabrika e Elbasanit, jep aq shifra të ulëta?. Me që kooperativa e Ohrit, ka punuar mirë i jepen më shumë vende pushimi, se sa vitin e kaluar, për në plazhin shtetëror të Durrësit…!
Këtu përzien lavdërime dhe qortime, kështu që vë punëtorët pa ndërprerje nën presion, por askush nuk mund t´a mohoj, se punohet. Brenda trupit diplomatik, është përshtypja anonime në këtë pikë. Duke marrë parasysh varfërinë e vendit dhe mungesën e burimeve, rezultatet janë shumë të mëdha. Sikurse një observator i Europës Perëndimore shprehet: njeriu copëtohet, midis admirimit për rezultatin dhe neverinë kundrejt metodave.
Pakënaqësia drejtohet jo vetëm kundër persekutimit në punë. Vëllai i madh, përdor gjithashtu edhe një mjet tjetër, shumë më efektiv, të atij lloji, që mund të ngrijë gjakun në damarët e një europiani perëndimor. Qëllimi kryesor që populli stërmundohet deri në të pamundshmen, është me anë të një organizimi shumë të forte, të sistemit të denoncimit kundër njëri tjetrit, i cili shkakton një tmerr, tek çdo shqiptar. Ai bën më të mirën, sepse nuk guxon tjetër gjë.
Regjimi ka urdhëruar, që të vihet një tabelë të madhe, shpalljesh në një vend të dukshëm, në çdo komunitet me titull “FLETË RRUFE”, që do të thotë “Gazeta rrufe”, “rrufetë” janë akuza kundër këtij apo atij. Radioja dhe shtypi e përsërisin gjithnjë, se është detyrë e çdo patrioti, t´a shfrytëzojë tabelën për të denoncuar atë, që sillet keq. Një burrë apo grua e tillë, është armik i/e popullit. Në një qytet në veri të vendit, munda të bind një nëpunës muzeu, që fliste frëngjisht, që të më përkthente disa nga ato bukur shkrimet me tekste denoncuese.
Një person akuzohej se kishte shkuar vonë në punë, një grua damkosej se dilte me funde të shkurtra dhe për dy banore qyteti, kishte fakte se kanë prirje reaksionare, sepse kanë organizuar një ceremoni fetare në shtëpinë e tyre. Emrat e të gjithëve, ishin shkruar qartë bile edhe nënvizuar. Por pati edhe tjera, bile edhe më serioze. Kryetari i një kooperative bujqësore, akuzohej se kishte dhënë shifra fallco të prodhimit dhe për një nëpunës, thuhej se shoqërohej me shtetas të huaj.
I përket realitetit se “rrufetë”, duhet të jenë të firmosura dhe kushdo, që sulmohet, është i detyruar të përgjigjet me shkrim, brenda tri ditësh dhe ta varë në tabelën në fjalë. Përgjigja kontrollohet nga një gjykatë, e cila vendos dhe në qoftë se është vepër penale, cakton edhe dënimin. I padituri mund të jetë prezent në lokalin e gjyqit edhe mund të flasë. Por ai nuk ka fare të drejtë, të ketë avokat, sepse para një viti është ndaluar profesioni i avokatit.
Regjimi ka deklaruar se gjykatësit, janë krejtësisht të aftë, që të dallojnë të bardhën nga e zeza dhe se si rrjedhim, avokatët nuk kryejnë ndonjë funksion në dobi të shoqërisë. Vetëm perspektiva se mund të detyrohesh para përgjegjësisë dhe para një gjykatësi të plotfuqishëm dhe me pamundësi, të një ndihme juridike mjafton për të futur tmerr dhe mbanë cilindo shqiptar, në tension dhe ankth të vazhdueshëm.
Nuk duhet shumë fantazi të imagjinosh se çfarë klime dyshimi, kujdesi dhe ankthi, që rrjedhimisht dhe domosdo shkaktojnë tabelat e turpit dhe veçanërisht, në shoqëri të vogla ku të gjithë e njohin njeri tjetrin. Dhe se si ky sistemi i turpshëm, duhet të joshë njerëzit për abuzime kundër ndonjëri, nga inati ose për të shkatërruar një konkurrent. Është frika se mos të godasë ndonjë “rrufe” nga qielli i kthjellët, që i bën njerëzit të heshtur?
Kjo është diçka që ndesh, çdo vizitor në Shqipëri. Kurrë nuk dëgjon ndonjë murmurimë, kur hyn në derën e një kafeneje plot me njerëz dhe është për t’u habitur, se sa pak të duket se kanë shqiptarët, për të folur me njëri tjetrin, kur shëtisin gjatë rrugës, krah për krah. Mbretëron një heshtje e çuditshme rrugëve edhe kur njerëzit kthehen për në shtëpi, pas mbarimit të punës. Ato janë plot me njerëz, por heshtja është e njëjtë.
Vëllai i madh, mbanë sistematikisht një atmosferë në gjendje lufte. Shqipëria përshkruhet si një popull i cili pas qindra vjetësh tiranie, u çlirua për herë të parë më 1945, nga Partia Komuniste dhe Enver Hoxha, por që gjithmonë kërcënohet nga rreziqe të mëdha, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë (sipas këtij kënd vështrimi, vendi nuk qe i lirë as gjatë viteve tridhjetë: Mbreti Zog, qe një vasal italian).
Brenda kufijve ri-ndodhet rreziku te shqiptarët, që për shkak të përtacisë ose të karakterit të ulët, nuk bëjnë një punë me rendiment të mirë dhe të cilët duhet të luftohen, nëpërmjet tabelave “FLETË RRUFE”. Nga jashtë vendi kërcënohet nga forca dashakeqëse reaksionare, që duan t´i privojnë pavarësinë, po njësoj sikurse ka qenë e kërcënuar në të gjitha kohët, nga popuj të huaj. Këtu ndodhemi përpara një fati të vërtetë historik, që çdo shqiptar duhet ta ruaj në zemër, thotë udhëheqësi i vendit.
Për ta ndriçuar këtë tezë nënvizojnë gjithçka, që ka të bëj me rezistencën, kundër pushtuesve të huaj. Princi shqiptar Skënderbeu, i cili luftoi aq trimërisht, kundër turqve para 450 vjetëve, e kanë emëruar i Shenjti i Kombit, asi princi qe ai. Kopje të përkrenares dhe shpatës, (origjinalet ndodhen ne Vjenë) janë në ekspozitat e të gjithë qyteteve. Urdhri ‘Skënderbe’, është si ai i Legjionit të Nderit në Shqipëri.
Përndryshe vendi është mbushur plot me muze lufte, të gjitha ekzakt identike, ku i rikujtojnë popullatës lokale, për luftën e rezistencës së lëvizjes komuniste, kundër trupave të okupatorëve italian e gjerman, gjatë Luftës se Dytë Botërore. Sallat janë mbushur me fotografi, armë, uniforma dhe mjete torture, që kanë përdorur shtypësit. Nganjëherë muzetë, gati të duken komike. Në Elbasan me një seriozitet të madh, treguan një vezë krejt të zakonshme, dhe thane që gjermanët e kishin zakon, ta zienin dhe i’a futnin anëtarëve të rezistencës, në gropën e sqetullës, për t´i detyruar të jepnin informata.
Mbas këtij sfondi super nacionalist, prezantojnë situatën aktuale. Lufta vazhdon. Që bota kapitaliste përpiqe ta rrëzojë Shqipërinë komuniste, është fare e natyrshme. Por Rusia dhe shtetet e Lindjes, po shkretohen nga kalbëzimi i tmerrshëm, se po tradhtojnë komunizmin dhe po kthehen në shtete të maskuara kapitaliste, e cila përbëjnë një rrezik serioz. Nëpërmjet gazetave ditore, qindra librave dhe broshurave, fjalimeve të panumërta në radio, indoktrinohen shqiptarët me përshkrime plot urrejtje, kundër veprimeve rrënuese të revizionizmit, aq sa edhe kinezët vet, s´kishin mundur ta bëjnë më mirë. Përgjatë rrugëve të vendit, kanë ngulur tabela paralajmëruese. Mua më kujtohet një tabelë e tillë, afër Pogradecit: “Shqiptar! Mos harroni se jemi të rrethuar, nga kapitalistë dhe revizionistë”! Nuk ka dyshim se, efekti i kësaj propagande intensive, i’a arrin qëllimit: nacionalizëm dhe ksenofobi.
Nuk ka fare dyshim, se Vëllai i Madh i Shqipërisë, shkakton një shok tek çdo njërin, që pati fatin ta njohë vendin, para se të transformohej në një Demokraci Popullore, të modelit stalinist dhe kinez. Nuk bëhet fjalë për përparimin material, që s´do të ishte e drejtë të mohohej, tronditja është ajo e formës shpirtërore. Ai populli shqiptar që unë me të, në vitet tridhjetë lidha shoqëri, ishte i hapur, mikpritës dhe i donte të huajt: të zellshëm për të dhënë dorën, përpjekje pa reshtur, për të folur gjuhë të huaja, ftesa dhe dhurata.
Njeriut i dukej vetja, sikur ndodhej në Vendin e qeshur. Tani i huaji, është armik dhe spiun. Shikime me dyshim, ose shtirje mospërfillëse. Njerëzit nuk u përgjigjen pyetjeve, nuk pranojnë cigare, ose asnjë nuk lejon që ta fotografosh. Kurrë ndonjë përgjigje, kur e përshëndet duke valëvit dorën dhe kurrë një buzëqeshje. Dhe çfarë gjërash urrejtjeje, mësojnë fëmijët në shkollë? Neve na sulmuan me gurë në shumë raste, fëmijë të inatosur.
Në Korçë fëshfërinë gurët, kur isha në ballkon të hotelit dhe në Gjirokastër një zotërie të moshuar francez, në shoqërinë tonë të udhëtimit, i shqyen pantallonat dhe e lënduan në këmbë. Natyrisht nuk qe aq serioze. Më në fund erdhi policia dhe i përzuri ata pionierët e kuq, agresivë, të cilët ndërkaq përpiqeshin t´i vinin në praktikë ato mësime. Por natyrisht nuk duhet të nxjerrësh konkluzionin, që ata shqiptarët simpatikë do të jenë shpërbërë rrënjësisht. Natyra e tyre e vërtetë, mbytet nga urrejtja dhe dyshimi, një atmosferë tjetër politike me siguri, do ta ringjallte atë. Por sot për sot, është ashtu sikundër është. Shqipëria nuk është më vendi i gëzuar, por vendi i syrit të keq. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016