Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al / Edhe pse ishte shteti më i varfër i Europës dhe një ndër vendet me nivel më të ulët jetese në të gjithë botën, regjimi komunist i Tiranës me në krye Enver Hoxhën dhe pasardhësin e tij Ramiz Alia, financonte dhe shpenzonte miliona dollarë, për të ndihmuar Partitë Komuniste marksiste-leniniste, individë dhe grupe të tjera të majta nga e gjithë bota, duke u akorduar atyre fonde, për udhëtime, bileta avioni, fatura hoteli, bursa dhe të drejta studimi, botime të ndryshme, përkthime librash dhe literature politike, blerje materialesh e pajisjesh, vizita dhe pushime në Shqipëri, etj., etj. I krijuar në vitin 1964, nën emërtesën “Fondi i Solidaritetit”, (me Vendimin Nr. 190, të datës 10 qershor 1964 të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së), i cili mbante firmën e Enver Hoxhës., përmes kësaj llogarie sekrete u alokuan dhe u shpërndanë miliona dollarë (rreth 12 milionë USD përgjatë viteve 1964–1991), për të financuar dhe mbështetur partitë, lëvizjet dhe grupet komuniste marksiste-leniniste në vende të ndryshme të botës.
Duke iu referuar disa dokumenteve arkivore, harta e shpërndarjes së “Fondit të Solidaritetit” nga ana e udhëheqjes së lartë të PPSh-së, përfshinte shtete nga të pesë kontinentet, duke filluar nga ai amerikan: Brazili, Peruja, Kolumbia, SHBA-ës, Ekuadori, Bolivia, Venezuela, Kili, Argjentina, Uruguaj, Republika Domenikane, Haiti etj. Në kontinentin afrikan: Sudani, Somalia, Kongo, Kongolo Leo Pold Vil, Malgashi, Mozambiku, Namibia, Zimbabve, Angola, Togo, Volta e Sipërme, Gaboni, Egjypti etj..
Në kontinentit aziatik: Irani, Iraku, Libani, Ceiloni, Japonia, India, Laosi, Jordania, Siria etj. Në kontinentin Australi – Oqeani: Australia, Zelanda e Re, Filipinet, Indonezia etj. Në kontinentin evropian: Franca, Italia, Polonia, Belgjika, Austria, Spanja, Zvicra, Holanda, Portugalia, Anglia, Greqia, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Rumania, Gjermania, Jugosllavia etj.
Sipas një vendimi të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1964, kur dhe u krijua “Fondi i Solidaritetit”, të drejtën për akordimin e fondeve për grupet dhe partitë komuniste marksiste-leniniste apo individë të ndryshëm “miq të Shqipërisë”, e kishte vetëm sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Enver Hoxha, kurse pas vdekjes së tij në 1985-ën, atë e “trashëgoi” Ramiz Alia dhe bashkë me të, edhe Foto Çami, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror për propagandën, artin e kulturën dhe marrëdhëniet me jashtë. (Në fundin e vitit 1990, me Fondin e Solidaritetit, është marrë dhe ka firmosur edhe Spiro Dede, si sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së).
Pas vendimit të tyre, me shpërndarjen e fondeve merrej shefi i Sektorit për Marrëdhëniet me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Agim Popa, firmës së të cilit, i bashkëngjitej edhe ajo e Sabaudin Kodrës, shefi i sektorit të Financës në Komitetin Qendror dhe Sadik Pirit. (Pas daljes së tij në pension në vitin 1988, u caktua Flutra Arianiti).
“Fondi i Solidaritetit”, (apo siç njihej ndryshe; “Llogaria 19”) dhe e gjithë praktika e shpërndarjes së tij, ishte “Tepër sekret” dhe për gjithçka lidhej me të, nuk duhet të kishte dijeni askush tjetër, përveç personave të sipërcituar dhe drejtorit të Bankës së Shtetit Shqiptare, Kamber Myftari, si dhe pjesërisht titullarët kryesorë të disa prej ambasadave përkatëse shqiptare të akredituara në vende të ndryshme të botës, të cilëve u xhiroheshin çeqe për t’i shpërndarë personave të caktuar, (grupeve dhe Partive Komuniste Marksiste-Leniniste), sipas vendimit të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Për herë të parë për “Fondin e Solidaritetit”, u fol vetëm në vitin 1992, pas rrëzimit të regjimit komunist, ku në kuadrin e hetimeve për privilegjet dhe favoret financiare e shpenzimet të tepërta të familjeve të ish-udhëheqjes së lartë të PPSH-së, (kryesisht ato që kishin jetuar në “Bllok” në Tiranë), Kontrolli i Lartë i Shtetit, me kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, hartoi një raport të hollësishme me të gjitha të dhënat financiare e bilancet që nga viti 1964, deri në vitin 1991.
Por ajo që mbeti e paqartë edhe pas atij raporti, madje një enigmë e madhe që nuk është sqaruar ende dhe sot pas 36 viteve të shembjes së regjimit komunist, ishte origjina e atij fondi?! As Ramiz Alia me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, anëtarë të Byrosë Politike dhe sekretarë të Komitetit Qendror, nuk e zbardhën atë enigmë dhe nuk folën asnjë fjalë, gjatë procesit të tyre hetimor dhe gjyqësor, si dhe vuajtjes së dënimit me burg në vitet 1933-1997.
Por, pas viteve ’90-të, disa ish-funksionarë dhe zyrtarë të regjimit komunist, kanë pohuar në intervista të ndryshme në media, sikur ai fond ishte akorduar Komitetit Qendror të PPSH-së, nga Partia Komuniste e Kinës, që në fillimin e viteve ’60-të, dhe “asnjë qindarkë” nuk ka pasur në atë fond, nga buxheti i shtetit, apo burime të tjera financiare. Ky version për origjinën e “Fondit të Solidaritetit”, edhe mund të ketë deri diku një të vërtetë, pasi në një nga dokumentet arkivore që do publikojmë në këtë shkrim, në janarin e vitit 1991, kur dhe u mbyll përfundimisht ai fond, Ramiz Alia, në mes të tjerash ka shkruar: “Ligji i ri për zgjedhjet, nuk lejon financime nga jashtë, prandaj dhe mund të bëhet zhurmë…”!
Gjithsesi, sa më sipër mbetet për t’u investiguar më tej në dokumentet arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi siç do shikojmë edhe nga disa dokumente që do publikojmë në këtë seri shkrimesh për “Fondin e Solidaritetit”, edhe pse destinacioni i atij fondi ishte për “grupet, partitë marksiste-leniniste”, apo “miqtë e Shqipërisë”, ai është prekur edhe për qëllime të tjera, siç ishte blerja e një shtypshkronje për gazetën “Zëri i Popullit”, Pallatin e Kongreseve, etj., apo janë depozituar në bankat e huaja, si në Francë etj., me qëllim marrje interesash bankare. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin këto dokumente arkivore të cilat janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat botohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME KORRESPODENCËN E KOMITETIT QENDROR TË PPSH DHE AMBASADËN SHQIPTARE NË PARIS, PËR DEPOZITIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT NË BANKËN KOMBËTARE TË PARISIT
26.07.1988 1230
4291 KOMITETI QENDROR I PPSH, AB
Ambasada 611534.
Jemi ambasada Paris, kemi një njoftim për ju, a jeni gati?
Po transmetojmë njoftimin
Shokut Sabaudin Kodra
Për depozitimin e shumës në fjalë, në Bankën Kombëtare të Parisit (BNP), interesi bankar nga një muaj deri në 11 muaj, shkon nga 7.25 përqind, deri në 8 përqind.
Në bankën Societe Generale, interesi banker është rreth 8 përqind.
Depozitimi duhet bërë në emër të një personi fizik dhe shuma e depozituar bllokohet, d.m.th., nuk mund të tërhiqet para afatit.
Nëse doni hollësira të tjera, më njoftoni, duke saktësuar kërkesat që keni.
Pres përgjigje
Të fala Arqilea
Dakord shoku Arqile, mos ki merak
A doli qartë?
Shumë mirë ka dalë
Shëndet
DOKUMENTI ARKIVOR ME URDHËRESËN E SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, FOTO ÇAMI, DËRGUAR SEKTORIT TË FINANCËS, PËR AKORDIMIN 10.000 USD PARTISË KOMUNISTE POPULLORE TË REPUBLIKËS DOMENIKANE
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Tiranë, më 8.9.1989
KOMITETI QENDROR
Nr. 6 Prot.
L Ë N D A:
FINANCËS SË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR
K Ë T U
Në përputhje me vendimin e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH, Nr.33, dt.21.2.1989, t’i jepet Partisë Komuniste Popullore të Republikës Domenikane një ndihmë prej 10.000 (dhjetë mijë) dollarë, nga fondi i solidaritetit.
Sekretari i Komitetit Qendror
Foto Çami
RAPORT – INFORMACIONI I SHEFIT TË SEKTORIT TË FINANCËS TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, SABAUDIN KODRA, LIDHUR ME GJENDJEN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITEVE 1983 – 1988
Tepër Sekret
INFORMACION
MBI GJENDJEN E FONDIT TË SOLIDARITETIT
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.23, dt. 27.1.1983 janë tërhequr nga ky Fond 4 milionë dollarë, me afat kthimi në dy këste në vitet 1984 dhe 1985.
Vendimi i KM nr.26, dt. 1.10.1984 e shtyu afatin e kthimit për vitin 1986.
Por vendimi i KM nr.121, dt. 31.3.1986, lidhur me bilancin faktik të vitit 1985 dhe planin e vitit 1986, nuk e mori parasysh vendimin e mësipërm për shlyerje, i cili mbeti kështu pa zbatuar.
Edhe vendimet e KM nr.162, dt. 11.4.1987 dhe nr.167, dt. 29.4.1988 që bëjnë fjalë për bilancin dhe planet e këtyre viteve, nuk parashikojnë kthimin e shumës prej 4 milionë dollarësh.
Me vendim të KM nr.295, dt. 24.3.1985 janë tërhequr nga Fondi i Solidaritetit edhe 730.000 dollarë të tjera. Vendimi i KM nr.167, dt. 29.4.1988, parashikon kthimin e tyre në vitin 1988.
Shumat që janë tërhequr përbëjnë pothuajse dyfishin e gjendjes së tanishme dhe Fondi i Solidaritetit është reduktuar nga 6 milionë (viti 1983) në 2.45 milionë (fundi i vitit 1987).
Kjo ka ulur shumë përqindjet e interesit nga depozitimi bankar që disponojmë, të cilat janë burimi i vetëm i ripërtëritjes së këtij Fondi. Edhe përqindja e interesit që na akordohet nga Banka, vitet e fundit është ulur shumë (tabela bashkëngjitur).
Veprimet e Bankës për tërheqjen e detyrimit të shlyerjes sipas vendimeve të mësipërme të Këshillit të Ministrave, janë bërë pa dokumentacionin përkatës të Komitetit Qendror.
Prandaj mendojmë që organet përkatëse në Këshillin e Ministrave duhet të saktësojnë detyrimet që kanë ndaj Fondit të Solidaritetit dhe Banka t’i kryejë veprimet mbi bazën e dokumentacionit të lëshuar nga ana jonë.
Sabaudin Kodra
14.12.1988
DOKUMENTI ARKIVOR ME NJOFTIMIN E DREJTORIT TË BANKËS SË SHTETIT SHQIPTAR, KAMBER MYFTARI, DËRGUAR SHEFIT TË SEKTORIT TË JASHTËM TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, AGIM POPA, MBI DISA LËVIZJE TË BËRA NGA LLOGARIA E FONDIT TË SOLIDARITETIT, NË VITET 1983-1988
Shoku Agim,
Bashkëlidhur ju dërgojmë njoftimin për disa lëvizje në llogarinë 09.
Me respekt
KAMBER MYFTARI
Tiranë, më 30.12.1988
Sekret
N J O F T I M
PËR DISA LËVIZJE NË LLOGARINË 09
Nga llogaria 09 janë bërë këto tërheqje:
Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.23 datë 27.1.1983, kaluan në llogarinë 01, 4 milionë dollarë me afatë kthimi për 2 milionë dollarë në vitin 1984 dhe 2 milionë dollarë të tjera në vitin 1985.
Në vitin 1984 u kthyen vetëm 500 mijë dollar, që u rimorën për nevojat e Pallatit të Kongreseve, me afat kthimi në vitin 1985, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.226, datë 1.10.1984.
Kthimi në llogarinë 09, i shumës së mësipërme prej 4 milionë dollar, nuk është bërë pasi me miratimin e bilanceve faktike dhe ndryshimeve në planin e eksport-importit e në bilancin valutor për vitet 1985, 1986, 1987 e 1988 nuk janë miratuar këto kthime.
Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.295, datë 24.9.1985 për nevoja të Pallatit të Kongreseve u tërhoqën nga llogaria 09, 730 mijë dollarë me afat kthimi brenda vitit 1987.
Me vendimin nr.102, datë 11.4.1987 për miratimin e bilancit faktik të vitit 1986 dhe planin e eksport-importit e bilancin valutor për vitin 1987, nuk u parashikua ky kthim në llogarinë 09.
Ndërsa me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.167, datë 29.4.1988 që miratoi bilancin valutor të vitit 1988, u parashikua kthimi i shumës prej 730 mijë dollarë, por me vendime të veçanta që miratojnë bilancet tremujore në valutë kthimi i shumës së mësipërme, u shty për vitin 1989.
DREJTORI I PËRGJITHSHËM I BANKËS SË SHTETIT
Kamber Myftari
DOKUMENTI ARKIVOR ME RELACIONIN E SHEFIT TË SEKTORIT TË JASHTËM TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, AGIM POPA, MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1988 DHE PROPOZIMET PËR VITIN 1989
Tiranë, më 29.12.1988 Tepër Sekret
R E L A C I O N
MBI PËRDORIMIN E FONDIT TË SOLIDARITETIT GJATË VITIT 1988 DHE PROPOZIMET PËR VITIN 1989
Gjatë vitit 1988 u bënë këto shpenzime:
Për udhëtimet e delegacioneve të partive marksiste-leniniste dhe të miqve, të ftuar nga Komiteti Qendror i PPSH-së, u shpenzuan 25.975,33 dollarë (plus 10.156 dollarë, të cilat Agjencia Ajrore i ka xhiruar në Bankë pas mbylljes së bilancit vjetor), pra gjithsej 36.131,33 dollarë. Vendimi i Sekretariatit të KQ të PPSH-së nr.22, datë 25.2.1988, ve në dispozicion 45.000 dollarë.
Ndihmë financiare partive marksiste-leniniste u dhanë 800 dollarë, nga 20.000 dollarë, që parashikon Vendimi i mësipërm. Këtë vit nuk u bënë shpenzime për propagandën. Sipas njoftimit të Bankës, shuma prej 4 milion dollarësh (tërhequr me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.23, datë 27.1.1983), do të kthehet në vitin 1989 (1.5 milion) dhe 1990 (2.5 milion).
Në fund të vitit të kaluar, u kthyen në Fondin e Solidaritetit 730.000 dollarë që ishin tërhequr me vendim të Këshillit të Ministrave nr.295, datë 24.9.1985. Me qëllim që të sigurohet ripërtëritja e Fondit të Solidaritetit është porositur Banka jonë të depozitojë me afat (me përqindje të lartë interesi) shumën 1.5 milion dollarë nga ky Fond. Bashkëngjitur është bilanci i veprimeve për vitin 1988.
Në projekt-vendimin për vitin 1989, kemi parashikuar edhe shpenzimet e mundshme në kuadrin e 45-vjetorit të Çlirimit.
Agim Popa
20.2.1989
DOKUMENTI ARKIVOR ME PASQYRËN E SHPENZIMEVE PËR UDHËTIME DHE DIETA, AKORDUAR NGA FONDI I SOLIDARITETIT DISA GRUPEVE DHE PARTIVE KOMUNISTE MARKSISTE –LENINISTE GJATË VITIT 1989
PASQYRA E SHPENZIMEVE PËR UDHËTIM E DIETA
| Nr. | Përshkrimi | Dollarë |
| 1. | Bileta avioni për Geeta e Kanavi | 1.318.80 |
| 2. | Bileta për R. Fernades dhe Geeta e Kanvi | 951.30 |
| 3. | Xhiruar Ambasadës Romë për shpenzime, P.K Domenikane | 84.06 |
| 4. | Xhiruar Ambasadës Romë, H. Beins | 5.10 |
| 5. | Bileta avioni për Julio Fernandes | 397.95 |
| 6. | Bileta avioni për Jose Renato Rabelo | 229.95 |
| 7. | Bileta avioni për delegacionin e PK të Kanadasë | 2476.95 |
| 8. | Bileta avioni për Viktor Manuela dhe Taufik Taharavi | 684.60 |
| 9. | Bileta avioni për delegacionin e PK të Zelandës së Re | 4100.- |
| 10. | Bileta avioni për Hasein Thahir e Soegerg Flomento | 726.60 |
| 11. | Bileta avioni për H. Beins | 1944.60 |
| 12. | Bileta avioni për për delegacionin e PK të Filipineve | 270.90 |
| 13. | Xhiruar Ambasadës Romë për shpenzime të PK të Zelandës Re | 108.39 |
| 14. | Bileta avioni për H.Kruc dhe B.L të Zelandës së Re | 390.60 |
| 15. | Xhiruar Ambasadës Romë për delegacionin e Zelandës Re | 452.02 |
| 16. | Bileta avioni për grupin ML të Argjentinës | 585.90 |
| 17. | Bileta avioni për Çezar e Burbuqe Perez | 4296.75 |
| 18. | Bileta avioni për H. Beins | 2494.80 |
| 19. | Bileta avioni për Jesus Hernandes, punonjës Radio Tirana | 779.10 |
| 20. | Bileta avioni për Dynea Agura | 1659.- |
| 21. | Bileta avioni për Dynea Agura | 1268.40 |
| 22. | Xhiruar Ambasadës Romë për shpenzime H. Grook, Li Barry | 249.56 |
| 22. | Shpenzime udhëtimi për delegacionin e PK Domenikane | 500.- |
| Shuma gjithsej | 25.975.33 |
SABAUDIN KODRA FLUTRA ARIANITI
SHEFI I SEKTORIT TË JASHTËM TË KOMITETIT QENDROR / Memorie.al
AGIM POPA
Vijon numrin e ardhshëm
























