• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, April 17, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Kolaboracionizmi është i pashmangshëm dhe aq sa i komplikuar duket, po aq të thjeshtë e ka zgjidhjen, mjafton të shohim në ka qenë a, është…”? / Refleksione mbi librin e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

“Mërgim Korçës iu akordua titulli i lartë; ‘Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës’, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, i cili në këtë rast…”/ Refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA-ës
“Doja t’i ikja një makthi, për t’iu dorëzuar një ëndrre. U duheshin vuajtjet tona, idealet, aleatët, ajo që përfaqësonim, por jo ne, pasi…”/ Refleksionet e studiuesit të letërsisë, për krijimtarinë e Visar Zhitit
“Në kapanonin me 200 të dënuar, ai u ngrit somnambul dhe fliste me vete, duke thënë se ra diktatura, e na bënte thirrje…”/ Dëshmia rrëqethëse e Kolec Gjergjit, që vuajti 13 vjet burg
“Ivo Andriç, u bë ‘de facto’ dhe ministri i Jashtëm i Jugosllavisë, sepse bllokoi promemorien e Dom Shtjefën Kurtit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, kurse Enveri, e pushkatoi dhe e la pa varr…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
“Aty në Savër, gjetëm dhe Afërdita Skramin, motrën e aktores Liza Laska, një grua e re shumë e bukur, ish mësuese, ku familja përjetësisht e kishte mohuar, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e shkrimtares nga Belgjika
“Dom Mikel Koliqi, ka qenë drejtor i ‘Veprimit Katolik’, për qarkun e Shkodrës, ku merrshin udhëzime që të luftonin komunizmin dhe…”/ Dëshmia në hetuesi e Padër Agostin Ashikut, nëntor 1947

Nga VISAR ZHITI

Pjesa e parë

                                            – Kur lexojmë Mërgim Korçën…! –

Memorie.al / Është libri i tretë me shkrime i zotit Mërgim Korça, i analistit të mprehtë, oratorit eseist, studiuesit të historisë tonë të re, polemizuesit të saj dhe, për rrjedhojë, edhe i çështjeve aktuale. U fut fuqishëm dhe i sigurtë në fushën e shkrimeve të këtij lloji, me bagazh të plotë dijesh dhe përvoje të njëmendët, jo si një trill i vonë i tij, që ia siguronin kushtet e lirisë, por u ndje i thirrur nga koha, për të thënë të vërtetën, aty ku ajo nuk dihej, ishte e mbuluar apo ishte e harruar me qëllim ose jo, të zbulonte të panjohura me rëndësi kombëtare, që i jepnin dinjitet historisë sonë, atje ku ai ishte bjeru. Gati  10 vjet më parë Mërgim Korça botoi librin e tij të parë, “Histori të pashkruara”,  ku na befasoi me analizat që solli, duke na bërë të njohur personalitete madhore intelektuale, fetare e patriotë, bëri një lloj ringjallje sfiduese të tyre, por edhe akuzë ndaj atyre dhe sistemit që bëri të kundërtën.

Gjithashtu mund të lexoni

“Thonë se me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë, kështu që nuk mbetet kush…”Fjala e panjohur e At Anton Harapit me intelektualët korçarë, korrik 1944

“Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 9 shkurt 1913 i shkruan Vjenës, se Imzot Mjeda raportonte duke u bazuar te Dom Zef Ramaj…”/ Kur Europa tmerrohej nga masakrat serbe ndaj shqiptarëve

Nuk vonoi dhe tre vjet më pas nxori librin e tij të dytë “Hedhje drite rreth shtrembërimesh historike”, ku shpjegohet qysh në titull misioni i tij. Zbulime dhe shpalosje të vlerave kombëtare, me befasinë e mëparshme dhe risinë. Dhe ja tani libri i tretë, që duket si një vazhdim i punës së Mërgim Korçës, një triadhë, ku autori jep ndihmesën e tij të paçmuar, në ribërjen e ikonës së Shqipërisë së përjetshme, ai ndërhyn me kujdes aty ku janë dëmtimet, me kompetencë dhe i shqetësuar si edhe me qetësi Olimpike na rrëfen vlerat madhore, u heq baltën e hedhur dhe nxjerr prarimin e artë që ka në vetvete vepra.

Si të tillë do të thosha se Mërgim Korça u bë klasiku i ynë modern i analizave, shëmbëlltyrë e njohjes së historisë tonë të re, veprave dhe gjuhës mbi të gjitha, përdorues magjepsës i dy dialekteve të shqipes, i qëndrimeve dhe kurajos në zgjidhjen e nyjëzimeve të ngjarjeve dhe konflikteve, teksa arrin të portretizojë kohë dhe nga ata që bënë kohë.

Fjala e tij aq sa ka pathosin e ligjërimit nga katedrat, po aq ka edhe thjeshtësinë intime të bisedave me mikun, rigorozitetin e shkencëtarit dhe madhështinë e brendshme të mendimtarit, që mbartin kujtimin, vërtetësinë, faktin, dokumentin, statistikën dhe nderimin për bëmat dhe ata që i kryen ato dhe gjithandej zotëron dashuria për vendin, si amanet dhe ideal, si veprim i brendshëm.

Duke ngërthyer të përziera vetitë e sipërpërmendura, shkrimet e Mërgim Korçës është e vështirë të përcaktohen mirëfilli se ç’janë, ç’gjinie i përkasin, madje, do të thosha se as që është e nevojshme, sepse rëndësi ka që ata janë të dobishëm dhe duhen, shpalosin kohë dhe zbërthejnë çështje, sintetizojnë e qartësojnë dhe hapin debate, por edhe mbyllin. Janë lexuar në kuvende, në Shqipëri dhe jashtë saj, kryesisht në SHBA-ës, janë botuar në media më së shumti, por ndonjëherë dhe nuk kanë guxuar t’i botojnë. Duke qenë libër, ato së bashku, pasurojnë botimet në lëmin e mendimit shqiptar.

E KALUARA QË S’IKËN

 “Ne dimë si ta bëjmë të ardhmen tonë, por nuk dimë si ta bëjmë të kaluarën tonë…”! Pak a shumë kjo është thënia ironike, por edhe hokatarë e një shkrimtari të njohur në botë, i një vendi të madh, që di ta shpotisë edhe veten edhe mua më duket sikur ky pohim na përshtatet më shumë se kujtdo neve, që, ndërsa jemi gjakftohtë me të ardhmen, për të mos thënë moskokëçarës si kolektivitet, por të sigurtë që ajo do të vijë, merremi me të kaluarën aq shumë dhe me aq amatorizëm, vit për vit prekim të njëjtat çështje, gjithmonë njëlloj e gjithmonë sipas interesave vetanake dhe veprojmë sipas mendësive të dikurshme, sa mund të themi se kemi krijuar një mosmarrëveshje të madhe me të tashmen, gati një kaos.

Kjo mbase vjen si vazhdim dhe si kundërshti njëherazi e viteve të rënda të diktaturës, ku kishte “rregull burgu” dhe “qetësi varrezash”, teksa Shqipëria rreket të ndahet me të kaluarën duke kaluar në një tranzicion të gjatë e me sakrifica. Natyrisht që ndryshimet janë të mëdha, Shqipëria është e hapur tashmë dhe kërkon të bëjë jetën e një vendi demokratik, pa përvojën e duhur të demokracisë dhe me një trashëgimi të zymtë të një qeverisje totalitare, brutale dhe pa liritë elementare.

Shkrimet e Mërgim Korçës do të thosha se marrin nga kjo lëndë, e cila bëhet përmbajtja e tyre konkrete, nga jeta e vendit gjithsesi, nga realiteti dhe nga ata që e ndryshojnë këtë realitet, për mirë dhe për keq, ose ndryshojnë vetë sipas këtij realiteti, pse dhe si dhe autori i besueshëm hedh dritë mbi të paqartën apo të harruarën, ose të mos-diturën saktë e plotësisht, shpesh rrëfen si memorialist duke besuar se me detajin mund të kuptohet edhe e tëra.

Autori duket sikur kërkon apo dhe sikur na udhëzon që të kuptohet, se është me rëndësi, që e kaluara jonë e përbashkët ende nuk është bërë histori, me kuptimin e një përvoje të vendit dhe të ecjes tonë kolektive, përpara, por shpesh dhe pas, megjithëse nuk kanë munguar kurrë vegimet për të qenë identitet dhe popull i begatë, pjesë e botës Euro – Atlantike, e kulturës dhe shpirtit të saj. Vegimtarë të tillë janë edhe miqtë shpirtërorë të intelektualit Mërgim Korça, për të cilët ai shkruan shpesh dhe i përkujton.

Një nga porositë e këtij libri duket se është edhe kjo, që mund të përmblidhet. E kaluara duhet të përbëjë një pasuri bëmash sipas një programi kombëtar e strategjish kolektive, idesh e vlerash, të sukseseve dhe humbjeve, të madhështisë dhe dhembjeve, etj., etj., që duhet t’i shërbejnë dhe i shërbejnë të tashmes si një truall i sigurtë, nga ku duhet të prodhohet sinergjia e domosdoshme.

Gjithashtu vepra e Mërgim Korçës na ndihmon të kuptojmë që pse e kaluara jonë e afërt, çuditërisht ka ende fuqinë e dhe sugjestionin të na ndajë ashtu siç dhe na ndante kur ishte e tashme e egër dhe mosnjohja sa duhet dhe si duhet e saj, ka bërë  dhe bën që të përsëritet shumëçka e padobishme, duke e zgjatur drobitshëm tranzicionin duke lejuar shtetarë e politikanë, produkt dhe trashëgimi me pak përjashtime, që të bëhen prijësit-shkaktarë të këtij tranzicioni dhe vetë të jenë emra tranzitë! Si rrjedhojë nevoja për qëndrime qytetare, të mençura e të guximshme, për dije serioze shkencore, është më e madhe se kurrë. Dhe ato ndjehen si domosdoshmëri. Ndonjëherë mirëpriten  më shumë se sa mirëkuptohen ose e kundërta, mirëkuptohen, por nuk mirëpriten sipas klanit të interesave.

Mërgim Korça është ndër ato mëndje te esëllta që gjykojnë me ndershmëri dhe rreptë, po, po, rreptë me aftësinë që dukuritë t’i vendosin në rrethanat dhe kohën e tyre dhe prej saj shpalosin njohjen e duhur dhe vlerat e dobishme e në morinë e çështjeve dhe shqetësimeve dhe halleve që ka vendi, dinë të kërkojnë që të bëhet më e duhura e mundur, më e mira, që shoqëria të aftësohet edhe më në parashikimet e asaj që mund të vijë, që të mos na kapë në befasi, por shumëçka të jetë e thirrur në dobi të vendit.

Një nga shqetësimet e historisë tonë, keqkuptimet me të, deri në shpërdorim, është çështja e kolaboracionistëve shqiptarë, që ka specifikat e saj, kushtet dhe rezultatet. Mërgim Korça është shpjeguesi më i mirë i kësaj çështjeje, më i vërteti dhe bindësi. Kolaboracionizmi është i pashmangshëm dhe aq sa i komplikuar duket, po aq të thjeshtë e ka zgjidhjen, mjafton të shohim në ka qenë a është kolaboracionizëm në dobi apo në dëm të vendit…?!

SHFLETIM NË DRAMËN E MADHE

Edhe Mërgim Korça është pjesëz e historisë tonë të re, jo bërës i saj, por pësues, si i tillë dhe dëshmitar. Por nëse kthehemi në atë shqetësimin oruellian, se si ne do të mund të ndërtojmë të kaluarën tonë, se t’ardhmen e dimë, sa për paradoks mosdija është dhe dije dhe dija mosdije, unë do të doja “të shfletonim” të kaluarën e Mërgim Korçës, aq sa na lejohet këtu, kush është ai, nga vjen, etj., se ato do të na bënin të kuptojmë më mirë autorin dhe veprën.

Familja Korça ka bërë histori dhe është goditur nga historia. Unë nuk do të largohem shumë në faktologji, por në librat e mi, “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ku personazhet janë të vërtetë dhe ngjarjet reale, përveç vuajtjeve në burg, tregoj diçka dhe për jashtë burgut, për njerëz që i njihnin, se historia është kudo dhe herë pas here më del edhe Mërgim Korça. Ja ç’thuhet në një bisedë disi të zakonshme në qytetin e internimeve në Lushnjë, nën diktaturë:

 “Lushnja ka nxjerrë gjithë ata artistë. T’i numërojmë…! Vaçen e thamë, Vath Korreshi, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, Loni Papa, Ilia Shyti, po i vëllai, piktori Zoi? Lere atë, se është i arratisur. E njeh ti Mërgim Korçën, inxhinier, që shpik makina bujqësore? Di gjithë ato gjuhë ai, është lindur në Austri. Të jesh krenar për tët atë, guxoi e i tha atij babai im, jo vetëm për detyrën e lartë, ministër në arsim, ka qenë ministri im, por edhe për vdekjen që zgjodhi në…burg.

 A, prandaj dhe e shoqja e inxhinierit, doktoreshë Mimoza, është aq e mirë me ata me biografi të keqe. Po priftin Irené Banushi, e ke parë në ndërtim, pa mjekër? Njoh gjyshin e Llukanit, prift orthodoks, nuk del nga shtëpia, se nuk donte ta kiqte mjekrën, e di sa e gjatë është bërë? – e tërheq zvarrë nëpër shtëpi…”!

Dhe ja, po sjell një pjesë tjetër më të rëndësishme, po futem në burgjet e diktaturës tani, aty ku jeta koncentrohet tmerrësisht dhe i ngjan historisë dhe kur nuk futet në histori: “Po ministri tjetër i Arsimit, Xhevat Korça, e di ç’bëri? Babai i inxhinier Mërgimit në Lushnjë, që…! Po, po. E çfarë bëri? Grevë urie, të parën fare në burgjet e komunizmit. Vendosi t’i jepte fund jetës, s’mund të rronte dot ashtu. Dhe ishte shkolluar nëpër Europë ai, albanolog, përkthyes.

 I vetëm ia doli që në arkivat e Beogradit dhe të Vjenës, të qëmtonte e të përkthente mbi 5000 faqe dokumentacion, dale si quhen, ‘Acta € diplomata Austro-Hungarie’, po, po,  kështu, gjithçka ç’shkruhej për Shqipërinë, të cilat i mbajnë të mbyllura në Arkivin e Shtetit Shqiptar tani. Kurse atë e mbyllën në burgun e Burretit. Ja shpërblimi, nderimi…! Edhe bibliotekën ia rrëmbyen, ia mori Koçi Xoxja, kurse mobiliet e shtëpisë, militantë të tjerë.

Dëgjo, tri herë e kishin dënuar me vdekje Xhevat Korçën. Turqit në fillim e pastaj grekët, se punonte për Shqipërinë e shqiptarët, si kundërshtar. Komunistët në vazhdim, kështu. Pastaj  e çuan në burgun e Burrelit. Tmerri ishte atje. Mbushur qelitë dinga me intelektualë nga më të njohurit, kë do ti, kryetarin e parlamentit, Mihal Zallarin apo dijetarin Visarion Xhuvani, nga Dodbibajt kishte, nga Kokoshët… Vuçiterna, Bitincka, Kurti… Aleksandër Ҫurçia, At Pjetër Mëshkalla, Dom Shtjefën Kurti, Gjon Shllaku, Mborja, Alimerko, Leonidha Kume, Vrionët, plot. Xhevat Korça vendosi, në emër të jetës dhe të dinjitetit të saj të shenjtë – duken fjalë të mëdha, por ka njerëz që janë caktuar vërtet për madhoren – ai, pra, vendosi t’i jepte fund jetës.

 Zgjodhi grevën e urisë. Ishe e para herë që ndodhte. S’e dinim se kishte edhe akte të tilla. Në uri kishim qenë gjithmonë. Xhevat Korça donte të protestonte ndaj padrejtësive dhe ndaj diktaturës së pamëshirshme. T’u tregonte xhelatëve, dhe jo vetëm atyre, se mbi vetë jetën ka edhe fuqi të tjera më sipërane, të paprekshme, ka edhe moral, edhe personalitet, dhe liri të brendshme. Shteti i posedon jetët edhe vdekjet e njerëzve, megjithëse gjithkushi ka në dorë diçka nga jeta e vet, pak më shumë nga vdekja, por nga qëllimi i tyre i fshehtë akoma më shumë, në mos të gjitha.

 Dhembja, vuajtja, uria, sakrificat sublime kalojnë nga njëri burg në tjetrin, i mbartim ne, që na hedhin andej-këndej, vetë ajri. Edhe ti je njëkohësisht në qelitë e Burrelit, baltërave të Kënetës së Vdekjes në Vloçisht, në kanale, në sheshin e aeroportit, ku fryn erë e fortë, në miniera, bie shkëmbi, vritemi të gjithë, ringjallemi fantazma…! Nisi dita e parë e grevës së urisë. Zoti Xhevat nuk e pranoi supën dhe copën e bukës të burgut. I shtyu me dorë, me përbuzje…! Memorie.al

                                                Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 17 Prill 2026

Next Post

“Thonë se me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë, kështu që nuk mbetet kush...”Fjala e panjohur e At Anton Harapit me intelektualët korçarë, korrik 1944

Artikuj të ngjashëm

“Cinizmi i partiakëve dhe pushtetarëve të rrethit të Lushnjes arriti kulmin, kur përjashtuan nga partia një të vdekur, pse ky nuk pranoi me gjallje, që…” / Kujtimet e ish-të internuarit politik, Sokrat Shyti
Personazh

“Thonë se me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë, kështu që nuk mbetet kush…”Fjala e panjohur e At Anton Harapit me intelektualët korçarë, korrik 1944

April 17, 2026
“Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 9 shkurt 1913 i shkruan Vjenës, se Imzot Mjeda raportonte duke u bazuar te Dom Zef Ramaj…”/ Kur Europa tmerrohej nga masakrat serbe ndaj shqiptarëve
Personazh

“Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 9 shkurt 1913 i shkruan Vjenës, se Imzot Mjeda raportonte duke u bazuar te Dom Zef Ramaj…”/ Kur Europa tmerrohej nga masakrat serbe ndaj shqiptarëve

April 16, 2026
“Në dimrin e vitit 1945, mora nji letër nga Padër Antoni Harapi, me anë të zotit të shtëpisë që e mbante të mshehun, ku më thoshte;…”/ Dëshmia në gjyq e Padër Mark Harapit, 12 dhjetor, 1946
Personazh

“Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion, pasi me këtë nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se ne…”/ Fjala e panjohur e At Anton Harapit me intelektualët korçarë, korrik 1944

April 15, 2026
“Konsullata austriake në Prizren, përmes zv. konsullit Prochaska, më 29 korrik 1907, njofton se Imzot Troksi shuguroi Dom Zef Ramajn…”/ Historia e panjohur e priftit që pagëzoj fëmijën Gonxhe Bojaxhi në Shkup
Personazh

“Konsullata austriake në Prizren, përmes zv. konsullit Prochaska, më 29 korrik 1907, njofton se Imzot Troksi shuguroi Dom Zef Ramajn…”/ Historia e panjohur e priftit që pagëzoj fëmijën Gonxhe Bojaxhi në Shkup

April 16, 2026
“Në njëvjetorin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës ‘Shkëndija’ më 1941, Koliqi boton syzimin, ‘Fishta interpret i shpirtit shqiptar’, ku ai shprehet…”/ Refleksionet e studiueses së njohur
Personazh

“Ndonëse dekoratën e fashizmit e ktheu mbrapsht, duke thënë; ‘kjo s’asht për mue’, Gjergj Fishta pranoi t’emërohej anëtar i Akademisë italiane, sepse…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

April 13, 2026
“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova
Personazh

“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova

April 12, 2026
Next Post
“Cinizmi i partiakëve dhe pushtetarëve të rrethit të Lushnjes arriti kulmin, kur përjashtuan nga partia një të vdekur, pse ky nuk pranoi me gjallje, që…” / Kujtimet e ish-të internuarit politik, Sokrat Shyti

“Thonë se me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë, kështu që nuk mbetet kush...”Fjala e panjohur e At Anton Harapit me intelektualët korçarë, korrik 1944

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme