Nga VISAR ZHITI
Pjesa e dytë
Kur lexojmë Mërgim Korçën…! –
Memorie.al / Është libri i tretë me shkrime i zotit Mërgim Korça, i analistit të mprehtë, oratorit eseist, studiuesit të historisë tonë të re, polemizuesit të saj dhe, për rrjedhojë, edhe i çështjeve aktuale. U fut fuqishëm dhe i sigurtë në fushën e shkrimeve të këtij lloji, me bagazh të plotë dijesh dhe përvoje të njëmendët, jo si një trill i vonë i tij, që ia siguronin kushtet e lirisë, por u ndje i thirrur nga koha, për të thënë të vërtetën, aty ku ajo nuk dihej, ishte e mbuluar apo ishte e harruar me qëllim ose jo, të zbulonte të panjohura me rëndësi kombëtare, që i jepnin dinjitet historisë sonë, atje ku ai ishte bjerrur. Gati 10 vjet më parë Mërgim Korça botoi librin e tij të parë, “Histori të pashkruara”, ku na befasoi me analizat që solli, duke na bërë të njohur personalitete madhore intelektuale, fetare e patriotë, bëri një lloj ringjallje sfiduese të tyre, por edhe akuzë ndaj atyre dhe sistemit që bëri të kundërtën.
Edhe ditën e dytë. Madje dhe me krenari. Një si marramenth i lehtë kaloi nëpër të tjerë, por duhej të ishte edhe i tij. Të tretën ditë trupi pati një si mpirje, ankth dhe ngazëllim të çuditshëm. U kaloi edhe mureve. Dergjia qe shndërruar në betejë…pas saj duhej të vinte shkatërrimi. Kashta e dyshekut zverdhte vdekshëm nga të çarat. Njeriu i shtrirë po tretej edhe më. Sytë i qenë zmadhuar dhe buzët plasaritur. Qimet e mjekrës nuk e mbulonin dot thellimën në nofulla. Kishte filluar mavijosja.
Pamja e tij aty ishte e pazakontë në të pazakonshmen e burgut. Një vendosmëri kërcënuese, që pafuqia e gjymtyrëve, e muskujve, deri edhe e skeletit sikur tejkalohej me një fuqi tjetër të papërballueshme, me atë të shpirtit. Ai po dinte t’i ikte gjendjes së tmerrshme. Të tjerët në qeli po shqetësoheshin. Xhevat Korça mes tyre po shuhej. Mbase ishte shpejt për të vdekur. Ҫ’ duhej bërë? Vdekja është jotja, po ne jemi bashkë, përreth vdekjes sate. Si t’a ç’bindnin Xhevatin? Ҫ’ mendonte at Pjetër Mëshkalla? Jezuiti i urte u afrua të dysheku i kashtës. U ulu në gjunjë aty. Skenë biblike, tronditëse:
– Vlla, Xhevat, të lutem, mos m’e hupë shpirtin… hiq dorë!- u dëgjua ulët zëri i tij dhe sikur u ndezën qirinj përreth. Heshtje e thellë. Kishin ngrirë të gjithë në pritje të përgjigjes. – At, faleminderit…të kam mik, kështu kam kujtuar…- zëri i Xhevatit kishte një si ngjirje dhe mekje, sikur të qé fërkuar me gurë varresh, atë mister. – Unë po vazhdoj rrugën e nisur…që të mos bëhem lodër e shtypësve, ti kërkon të më thyesh… prisja tjetër ndihmë…”!
Atit i rrodhën dy pika lot, pyet avokatin e burgosur, Xhevdet Kapshticën, e dëshmon ai. U rrëqetha i tëri tani që po flas, shiko si m’u bë krahu, gjithë mornica, kokrra kokrra. At Mëshkalla e puthi në ballë njeriun e shtrirë dhe u largua mbrapsht, i përkulur paksa. Greva e urisë vazhdonte. Sytë e nxirë të Xhevatit shihnin përtej gjithçkaje, përshkonin edhe tavanin, mbase kërkonin qiell dhe i faniteshin, ku ta dish çfarë, gruaja, djemtë. Me të madhin ishin bashkë në burg, por ai doli dhe u arratis.
Si do të jetë fati i tjetrit me baba të vdekur në burg…? – dhe i mjegullohej Tirana me tiranë…rropullitë i qenë tharë, sa mirë, shpëtoi nga ajo supë fyese, ç’kërcisnin ashtu, nervangritshëm sahanët?…Po ai kishte parë përkrenaren e Gjergj Kastriotit në Vjenë. E si mund të bëhet sahan përkrenarja? Po shpata e heroit – lugë burgu! O Zot… dhe ra në një tjetër kapitje, humnerë pas humnere.
Ҫ’është ky që i erdhi pranë, Gjergj tjetër ky, kush e thirri? Po këndon kokoshi, po zbardh, mëngjese nuk ka, jo…! Nuk flisnin bashkë…pse kishte shkuar në mal me partizanët ai, pendimet tani nuk ndryshonin dot më asgjë…! Gjergj Kokoshi ia kapi dorën e holluar, por të rëndë, si peshë sendesh…! Aty pranë ishte, i gjunjëzuar përpara tij, dhe i mallëngjyer tha:
– Xhevat, ti po e mbyll jetën t’ânde me kapak florini, hallall të qoftë! Po bân atê qi ne s’mundena m’e bâ, – dhe desh u përplas se nuk shikonte dot prej lotëve, pa e ditur se ku po shkonte. Edhe një miku i tij dikur kishte vrarë vetën, në Austri kishte studiuar edhe ai, mësues, bir i Butkajve, si sfidë luftës vëllavrasëse, me një plumb. Mjaft me gjak…! Gjaku i Xhevatit sikur po ndalte ndër deje. Dukej. kishte ngricë mbi fytyrë. Realiteti i jashtëm nuk hynte më brenda tij. E brendshmja e tij po përhapej gjithandej, frymë, Korçë, moral, përgjegjësi, Kosovë, Vjenë, dhembje, kryelartësi, qortim, mirësi, ankth…tmerr…!
Edhe kur nuk shikonim, të gjithë shikonin andej, ku po shuhej një jetë, më shumë se aq. Një ideal, shpresë…! As neve nuk na hahej…po shuheshim bashkërisht…! Ai po i shpëtonte dënimit apo po dënonte dënimin? Sytë nuk lëviznin më. Duke shkuar vetë drejt vdekjes? Me vetëvrasje…! Dergjej i akulluar…i ikur, gjithsesi…kishte mbetur sfida…përçmimi ndaj burgut dhe gjithë diktaturës…! Ja ç’bëjmë ne, Xhevati martir! Te vendi i tij na u shfaqën kolona mermeri, kapitele, tempulli, ndriçonte aq shumë, sa bëhej i tejdukshëm…! Po ju çdo të bëni pas kësaj, vrasësa?!
Erdhën…Batanijen e mbanin dy veta nga anët. Brenda saj ishte Xhevat Korça i vdekur. Dolën jashtë. Heshtje dhe pikëllim i thellë. Ku do të iknin? Në harrim…në gropat e frikshme të kujtesës. Njeriu bashkon thellësitë dhe lartësitë, është kryqi prej mishi mes territ dhe dritës. Ashtu si në jetën e tij ka vdekje, edhe në vdekjen e tij ka jetë. T’i shkosh ndërgjegjes së madhe, qiellt…! Qershiza…rrënjët e saj…nëpër eshtra dhe kafka…! Përfundshëm pret e ardhmja. E di ç’më tha Xhevati me buzët e plasura dhe të thara, në heshtjen mortore? Kush di të jetojë di edhe të vdesë. Përsipër po sheshonin dheun me lopata, po e ngjeshnin me këmbë”.
Tronditëse! E rëndë! E zymtë dhe heroike! Më duket sikur regjimi kishte dënuar vetë historinë, e kishte futur nën dhé, në burg, po e vdiste, e vdiq. Dhe një bir i tillë, Mërgim Korça, në diktaturën më të madhe të vendit më të vogël në perandorinë komuniste, e kishte të parapërcaktuar fatin e mbrapshtë. Që t’i mbijetoje persekutimit të gjithformshëm e permanent, duhej një forcë shpirtërore dhe një inteligjencë e tillë e pazakonshme për të ruajtur vetveten, së pari si ekzistencë, pastaj prapë së pari si qenie njerëzore e duhej të mbroje sa të ishte e mundur liri të brendshme, dëshira të gjymtuara e kufoma ëndrrash të vrara, duhej të krijoje tempullin e fshehtë ku priste shpresën e shenjtë për të qenë njeri, me dinjitetin që rrezikohej aq shpesh…!
Dhe një pasazh tjetër, jemi ende nën diktaturë, unë i porsadalë nga burgu, përsëri në Lushnjën e internimeve. Përsiatjet ose monologu i brendshëm i dikujt, që nuk pranon të bëhet bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit: “E inxhinieri Mërgim Korça i kujt është? Thuaj sa të duash ti që nuk i njoh, njihi të thonë ata, të japim ne para, që t’i qerasësh. Po e shoqja e Mërgimit, doktoreshë Mimoza, ju vizitonte me kujdes të veçantë. Pse? 8 të pushkatuar kanë ata si familje, prandaj. Kur e kishte babanë në burg, në rrobat që merrnin prej tij thoj e copa lëkure gjenin brenda… e torturonin. Pastaj e pushkatuan.
I njihte edhe Enver Hoxha si fis, e kishin kushëri, të parë a të dytë më duket, e ia vunë fajin Koçi Xoxes për pushkatimet dhe ai, diktatori, thoshin që kishte qarë kur e mori vesh. Mashtrim, po paradoksi i zi ky ishte, porositë e tij tani vetëvepronin, mekanizmi i i mynxyrës e kishte nisur punën, mund të vazhdonte edhe pa i shtypur butonat ndonjëherë. Le të vejë në universitet vajza e Syrja Selfos, kishte thënë. Por e kritikonin Mimozën nëpër mbledhje në spital: Pse Nënë Tereza do të bëhesh ti, nuk lejojmë ne gabime të tilla, imë s’ka siç keni bërë, klithte sekretarja e parë a e dytë, luftë klasash edhe tek të sëmurët…!
Ka diçka mitike në familjen Korça, nga mitet moderne, sigurisht, që përhapej ndër ne si një mërmërimë e fshehtë, e trembur. Dhe e fundit, shembet Muri i Berlinit, po binin diktaturat komuniste me radhë dhe Shqipëria duhej të ndryshonte patjetër, të hapej. Inxhinieri Mërgim Korça, ndërsa ikte përgjithmonë në SHBA-ës, ndali për ca kohë në Itali dhe arriti të lidhej me Indro Montanelin. Me gazetarin e madh? – pyeta i befasuar. Po, po, babai i tij ka qenë këshilltar i tim eti, kur ishte ministër i Arsimit…!
Ju, shqiptarët, kishte thënë Montaneli, më tregoi zoti Korça, e kishit shembullin e Rumanisë. Ndërsa i prisnit njërën kokë Hidrës, asaj i dilnin dy të tjera dhe s’pati një Herakli, që të digjte qafat e tyre si në mit. Dhe kështu trupit prej qeni-mostër të diktaturës, i dilnin kokë të reja gjarpri, se nuk u përpoqët t’ia hiqnit atë, kokën vulnerabile, kishte përfunduar Montaneli. Rrugëve shikoja komunistë të njohur të shëtisnin me qen, me qen me një kokë. Kanë filluar qentë të rrinë me ne, ngazëllehesha cinik”.
Kaq. Një shfletim i shpejtë si një kronikë e papërfunduar dot. Mërgim Korçës kështu i ra dhe fati tjetër, të dëshmojë dramat e vendit të tij. Dhe ai duhet të përzgjedhë, kur tregon. Dhe shkruan atë që jo të gjithë do të mund ta tregonin.
NË VEND TË EPILOGUT. DUELI I BUKUR…
Mërgim Korça është inxhinier mekanik për nga profesioni. Talenti i tij ishte tejet i rrallë, aq sa arriti ta kapërcejë luftën e tmerrshme të klasave dhe tiranët t’i hapnin udhë, nga që ai ishte i aftë të përgatiste, duke i projektuar vetë, makineri të ndryshme bujqësore, unikale në llojin e tyre, aq të domosdoshme për punën dhe zhvillimin. Një shkencëtar në provincë, mëndja dhe puna e të cilit duheshin shfrytëzuar, kur Shqipëria ishte e mbyllur dhe enigmatike për botën.
Mërgim Korça theu fatin e tij të përcaktuar nga diktatura, se ai nuk duhej të studionte në asnjë universitet, por duhej të mbetej gjithë jetën i persekutuar, rob i punërave të rënda fizike. Sepse ishte i biri i Xhevat Korçës, intelektual i lartë dhe patriot, themelues në arsimin shqiptar, etj, që do të emigronte si kundërshtar i monarkisë dhe Mërgimi do të lindte në mërgim, në Graz të Austrisë.
Do të ktheheshin në atdhe dhe Xhevati do të bëhej ministër i Arsimit, etj., dhe komunistët, pasi do të merrnin pushtetin dhe do të vendosnin diktaturën do ta burgosnin si kundërshtar të tyre dhe ai do t’i jepte fund jetës në burgun e Burrelit, duke lënë vetëm gruan dhe dy djemtë. Genci, vëllai i madh i Mërgimit, do të arratisej për në SHBA-ës, ku do të bëhej drejtues i lartë në “Gjeneral Motors”, në kolosin industrial amerikan.
Mërgimi do të kryente punëra të rënda në atdhé, punëtor në gurore si një skllav, ushtar, ferma, etj., por nga familja kishte marrë një edukatë të shëndoshë morale, kulturë dhe liri të mendjes dhe të shpirtit, dashuri për atdheun, për librat dhe gjuhën amtare. Perënditë e kishin paracaktuar të ishte bir i dijes dhe ai këmbëngulte të kalonte pengesat…arriti, pa shkëputje nga puna, duke përfituar nga ndonjë zbutje e qëllimtë e luftës së klasave, të diplomohet si inxhinier mekanik.
Caktohet në Lushnjë. Stacioni i Makinave dhe Traktorëve, atje do të kishte kështu një shkencëtar të palodhur, aq sa tërhoqi dhe vëmendjen e qeverisë, posaçërisht të kryeministrit të atëhershëm, njohës i mekanikës dhe ai. Vlerësohet për punën e pazakontë që kryente, laureohet me titullin më të lartë në fushën shkencore ”Punonjës i Shquar i Shkencës dhe Teknikës”.
Si qytetar e njihnim të gjithë, i sjellshëm dhe i kulturuar. Dukej si i huaj. Burrë i pashëm, i gjatë, aq sa serioz dhe enigmatik. Me flokët e krehura lart, me sy të vëmendshëm, buzëqeshte bujarisht, po aq dhe miqësor e i përzemërt. Shkrimtarët e qytetit e përflisnin si një intelektual që kishte lexuar gjithçka, lexonte në disa gjuhë të huaja dhe e njihte letërsinë, veprat e mëdha më mirë se ata, shkrimtarët e qytetit, se i kishte të trashëguara në origjinal. “Ka pasion letërsinë”, thoshin. Por nuk shkruante, jo! Në Shqipëri sundonte socrealizmi dhe dënoheshe po të flisje me simpati për letërsinë e huaj borgjezo – revizioniste.
Mërgim Korça emigroi menjëherë për në SHBA-ës, sapo Shqipëria u hap dhe po ndryshonte, diktatura se mbante dot më vetveten dhe perandoria komuniste po binte. Vendoset në Detroit, ku jeton edhe sot me familjen e tij. Është gjysh, por punon si dikur, mbi libra natyrisht, duke iu kthyer pasionit të hershëm, por të ndrydhur, shkrimeve. Menjëherë u bë i njohur në median shqiptare mbarëkombëtare. Shkrimet e tij mirëpriten me ëndje dhe kërshëri, për gamën e gjerë e për të vërtetat që sjellin, me korrektesën dhe sigurinë inxhinierike, që ia jep dhe logjika e profesionit.
Personazhet dhe ngjarjet janë të ndërlidhur mes vedi ashtu si edhe me rajonin, me Europën dhe botën Atllantike, po kështu edhe shkrimet e Mërgim Korçës, mbartin risi të kësisojshme, shtojmë këtu kanë kokëfortësinë e faktit, të përziera me një mall rikthimi, me elegancën konservatore të gjuhës shqipe dhe me kumte atdhetare në kohën e hapjes globale, ku përplasen kultura dhe vlerat duan ruajtur me zgjuarsi.
E tregon më së miri dhe libri që kemi ndër duar, që edhe në mos qoftë dakord për këtë apo atë gjë e do të kishte dashur të polemizonte, dhe kjo është kënaqësia intelektuale e autorit mbetet i bindur se gjithçka kërkohet në emër të së mirës së madhe. Ndërkaq Lushnja e vogël dhe e largët, këshilli i saj bashkiak, e ka shpallur “Qytetar Nderi” Mërgim Korçën, ndërsa në SHBA-ës, po aq të largët, Mërgim Korça bën pjesë në trupin pedagogjik të Wayne State University.
S’mund të rri pa kujtuar tani në fund se si i ati i Mërgimit, zoti Xhevat Korça, dikur i kërkoi duel një avokati austriak, se në një shkrim të tij ai kishte fyer Shqipërinë si edhe shqiptarët…! Dhe Mërgimi në një farë mënyre, i vazhdon këto duele të prapambetura. Me shkrimet e tij dhe polemikat ai vazhdimisht sikur hedh dorashkën me guxim dhe elegancë e, fton në duel këdo që del kundër së vërtetës dhe nderit kombëtar dhe ashtu si ati i tij, të lë të zgjedhësh armën. Atij i mjafton arma e dijes, e sprovuar tashmë në dashurinë për atdhé…! / Memorie.al













