Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Ristani, me origjinë nga Zagoria e Gjirokastrës, ku të parët e tyre, Vasili me Janin, për shkak të varfërisë së madhe, që mbizotëronte në atë krahinë, kishin emigruar në Stamboll dhe në Argjentinë, ku dhe mësuan profesionin e fotografit dhe pasi u kthyen në Shqipëri, u vendosën në Tiranë, ku me kursimet e kurbetit, në vitin 1935 hapën dyqanin e tyre “Foto-studio Ristani” në Bulevardin “Zogu i Parë” përball Hotel “Donika”, ku shumë shpejt u bënë të njohur dhe e detyruan Mbretin Zog, që t’i thërriste në ceremonitë e zhvilluara me rastin e dasmës së tij.
Ristani, emigrant në Stamboll
Babai i Petritit, Vasil Ristani, kishte lindur në vitin 1908, në fshatin Lliar të krahinës së Zagorisë, që përfshihej në Qarkun e Gjirokastrës. Asokohe banorët e fshatrave të krahinës së Zagorisë, jetonin në një varfërie të madhe, për vetë kushtet që kishte ajo zonë malore. Nisur nga ai fakt, që në vitet e parë të shekullit të kaluar, fshatarët e asaj krahine, kishin zgjedhur si mjet jetese, rrugën e kurbetit. Një nga ata ishte dhe Vasil Ristani, i cili që në moshë fare të re, aty nga viti 1919, kur nuk ishte më shumë se 11 vjeç, mori rrugën e largët të emigracionit për në Turqi. Me të mbërritur në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, Vasilin e priti xhaxhai i tij Koço Ristani, i cili kishte emigruar aty që shumë vite më përpara dhe punonte si bakall, duke shitur bulmetra. Koço e mori Vasilin, që të banonte në shtëpinë e tij, e më pas rregulloi nipin e tij, që të punonte si shitës ambulant, në rrugët e Stambollit. Krahas asaj pune, Vasili kishte dëshirë që të bëhej muzikant dhe me lekët që kishte kursyer, bleu një violinë, me të cilën mundohej të lozte pjesë të ndryshme, aty në shtëpinë e xhaxhait. Pas disa kohësh nga dita që Vasili bleu violinën, xhaxhai i tij Koço, u mërzit nga zhurma e tingujt bezdisës të saj dhe ja theu atë. Më pas për të mos e mërzitur nipin e vogël, ai i dhuroi atij një aparat fotografik dhe i rekomandoi që të mësonte profesionin e fotografit. Pas kësaj, Vasilit i pëlqeu ky profesion dhe nisi të merrte njohuritë e para rreth atij profesioni nëpër foto-studiot e Stambollit. Për një kohë të shkurtër ai mësoi që të bënte fotografi mjaft të mira dhe ato i dërgonte në shtëpinë e tij, aty në fshatin Lliar të Zagories në Gjirokastër.
Nga Stambolli në Argjentinë
Pasi qëndroi për rreth shtatë vjet në Stamboll, aty nga vera e vitit 1926, Vasili u kthye në fshatin e tij të lindjes Lliar. Pasi qëndroi vetëm pak kohë aty, ai u nis përsëri në rrugën e largët të kurbetit, drejt Amerikës së Jugut, në Argjentinën e largët, ku ndodhej babai i tij Kiço Ristani, i cili kishte emigruar aty, vite më parë së bashku me disa bashkëfshatar zagoriot. Edhe në Argjentinën, Vasili bëri të njëjtën punë që kishte bërë dikur në Stamboll, duke shitur mallra si tregtar ambulant. Me atë punë ai u mor për dhjetë vjet me radhë, deri në vitin 1935, kur mori rrugën për t`u kthyer drejt Shqipërisë. Nga puna me tregtinë ambulante, Vasili fitoi një shumë të madhe parash, gjë e cila e detyroi që të kthehej në vendin e tij, nga ku nuk kishte shkelur që prej dhjetë vjetësh. Kur erdhi në Shqipëri, ai qëndroi fare pak në fshatin e tij dhe së bashku me xhaxhanë tjetër Janin, i cili në atë kohë u kthye dhe ai nga Stambolli, u shpërngulën për në Tiranë. Gjatë viteve që Jani kishte qenë si emigrant në Stamboll, kishte mundur që të hapte një dyqan të vogël fotografie dhe e kishte përvetësuar mjaft mirë atë profesion. Pasi erdhën në kryeqytet, Vasilin së bashku me xhaxhanë Janin, zyra Mbretërore e Rekrutimit, i mobilizoi dhe i dërgoi që të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak, po në Tiranë. Pas lirimit nga ushtria, ata vendosën që të mos ktheheshin më në fshatin e tyre, por të qëndronin në kryeqytet, duke hapur aty një dyqan fotografie. Kështu ata e bënë realitet vendimin e tyre dhe hapën dyqanin e parë të fotografisë në Tiranë, në Bulevardin “Zogu i Parë”, (afër ish Restorant “Donika”).
Foto-studio Ristani në 1935
Për hapjen e atij dyqani të cilën e quajtën “Foto-studio Ristani”, Vasili vuri në dispozicion të ardhurat e siguruara ne emigracion, në Argjentinë, kurse xhaxhai i tij Jani, investoi përvojën e tij si fotograf, të cilën e kishte mësuar në Stamboll. Foto-studio “Ristani”, që hapën në atë kohë Vasili me Janin, ishte një nga më modernet e kohës. Shumë shpejt, duke përfituar dhe nga pozicioni i favorshëm i dyqanit të tyre, që ishte pranë bulevardit kryesor dhe sheshit “Skënderbeg” në qendër të Tiranës, ata bënë një emër të mirë dhe mundën të fitojnë një klientelë. Nisur nga kjo në vitin 1937, në festimet e mëdha me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të cilat u kryen me parada e ceremoni të shumta, Vasili me Janin u thirrën në Pallatin Mbretëror, ku do të fiksonin në aparatet e tyre, momente nga ato ceremoni jubilare, ku do të asistonin funksionarët më të lartë të shtetit dhe të Oborrit Mbretëror, e vetë Mbreti Zog. Së bashku me Vasilin e Janin, aty ishin thirrur dhe fotografët e tjerë, si: Kel e Gegë Marubi, e shoqja e fotografit austriak Wiesman, që ishte mik personal i Mbretit Zog, Mihal Popi (aktori i famshëm) Dedë Jakova, Ali Bakiu (në 1945 Kryetar i Bashkisë Tiranës) Ymer Bali, Mandi Koçi (më pas fotografi i Enver Hoxhës dhe i Shtabit të Përgjithshëm) dhe fotografët e “Foto Maca” e ata të “Foto- Dajti” (Arvriqi me Kelmendin). Të nesërmen e mbrëmjes së 28 nëntorit, ku Vasili me Janin, bënë fotografi të shumta, në vitrinat e dyqanit të tyre, ata afishuan të gjitha fotot, që kishin bërë në ceremonitë e rastit. Po atë ditë, në dyqanin e tyre “Foto-studio Ristani”, shkuan për një vizitë, fotografi shkodran Kel Marubi, së bashku me djalin e tij Gegën. Marubët e famshëm, (at e bir) kishin ardhur nga Shkodra në Tiranë, pasi ata ishin dhe fotografët zyrtar të Oborrit Mbretëror dhe personalisht të Mbretit Zog. Keli, pasi i pa të gjitha fotot, që kishin bërë Vasili me Janin, i përgëzoi ata dhe ju drejtua djalit të tij: “Gegë, merr shembull nga këta djem. Këtë punë që këta e kanë bërë për një ditë, mua do të më duhej një javë për ta bërë”.
Fotograf në dasmën e Zogut
Përveç në studion e tij, Vasili filloi të aktivizohej dhe me organet e ndryshme të shtypit, duke fiksuar foto të ndryshme, kryesisht nga reportazhet që bënin gazetarët. Pasi fitoi një emër të mirë, në këtë drejtim, ai u thirr nga redaksia e gazetës “Drita”, që të punonte në mënyrë ekskluzive, vetëm për redaksinë e saj. Kështu gjatë atyre viteve, Vasili me aparatin e tij, shëtiti pothuaj të gjitha krahinat e Shqipërisë, duke fiksuar me qindra foto të ndryshme, të cilat u pasqyruan në shtypin e kohës. Po kështu, Vasil Ristani, ishte i ftuar dhe merrte pjesë si fotograf, në të gjitha aktivitete dhe festat zyrtare, që zhvilloheshin asokohe. Në këtë kuadër, ai ishte i ftuar dhe mori pjesë në ceremoninë e martesës së Mbretit Zog, me konteshën hungareze Gerlardinë Apony, ceremoni e cila u zhvillua në ambientet e hotelit “Internacional”. Pas disa vjetësh, nga të ardhurat që fituan, Vasili ndërtoi një shtëpi në rrugën e Kavajës dhe nga fundi i vitit 1942, ndërtoi dhe një tjetër në rrugën “Fortuzi”. Që nga viti 1935, kur Vasili me xhaxhanë e tij, Janin, hapën dyqanin e tyre dhe gjatë gjithë periudhës së pushtimit të vendit, ata u morën vetëm me profesionin e tyre të fotografit, duke mos u përzier dhe implikuar, në asnjë veprimtari tjetër të karakterit politik. Ata ju kushtuan vetëm fotografisë dhe furnizoheshin rregullisht me materialet e nevojshme filmike, nga Ali Bakiu, që kishte ekskluzivitetin e “AGFA”-as në Shqipëri. Gjatë periudhës së pushtimit, (1939-’44) Vasili, fotografoi momente të ndryshme nga lufta dhe Tirana e shkatërruar, nga bombardimet e aviacionit, foto të cilat ruhen ende në gjendje mjaft të mirë, në foto-arkivin e familjes Ristani. Në ditën e 28 nëntorit 1944, kur qeveria provizore me në krye Enver Hoxhën, erdhi nga Berati për në Tiranë, Vasili ju doli atyre përpara, që kur zbritën nga makinat tek ura e Lanës, në rrugën e Elbasanit dhe i shoqëroi ata, duke ju bërë foto të ndryshme, deri para hotel “Dajtit”, ku u zhvillua parada e madhe e partizanëve fitimtarë.
Enver Hoxha pozon për Ristanin
Kur nuk kishin kaluar vetëm disa ditë nga mbarimi i Luftës, aty nga fundi i dhjetorit të vitit 1944, Vasil Ristani u nis në drejtim të shtëpisë së Enver Hoxhës, ose Komandantit, siç thirrej ai atëherë, me mendimin për t’i kërkuar, që t`i bënte një fotografi, të cilën ja kishin kërkuar organet e ndryshme të shtypit, që botoheshin asokohe. Lidhur me këtë, i biri i tij Petrit Ristani, i cili ka trashëguar profesionin e babait dhe të xhaxhait të tij Janit, duke punuar për 30 vjet, në organet e shtypit ushtarak, dëshmon mbi atë ngjarje të largët, kur babai i tij, fotografoi Enver Hoxhën, kreun e shtetit komunist. “Babai u nis në drejtim të shtëpisë së Enverit, me mendimin për ta pyetur, nëse ai do të pranonte të fotografohej. Ai ja tha atë ide Alqi Kondit, që asokohe ishte sekretar i Enver Hoxhës. Alqi telefonoi përnjëherë Enverin dhe i transmetoi kërkesën që i paraqiti Vasili. Nga ana tjetër e telefonit, Enveri urdhëroi që të lejohej Ristani, të hynte në shtëpinë e tij, për të bërë foton që kërkonte. Babai ngeli ngushtë se nuk e kishte parashikuar, se ajo pune do të ishte aq e lehtë dhe nuk e kishte marrë aparatin me vete. Ajo përgjigje e vuri në siklet të madh babanë dhe ai menjëherë i hipi biçikletës e shkoi në dyqan, për të marrë aparatin e u kthye shumë shpejt aty, ku e priste Enveri. Vasili nxori nga çanta një çarçaf të bardhë, që e mbante për sfond fotografie në dyqan dhe jua dha ta mbanin tre partizanëve, që ishin rojet personale të Enverit. Pas kësaj Enveri u afrua para çarçafit dhe babai i bëri nëntë shkrepje. Para se t’i bënte shkrepjen e fundit, babai i tha Enverit, që të buzëqeshte pak, pasi ai qëndronte shumë i vërejtur. Enveri ju përgjigj babait: ‘Nuk mund të qesh, sepse ne vimë nga Lufta’. Pas kësaj babai doli nga shtëpia e Enverit dhe për dy, tre orë, i stampoi fotografitë e ja çoi ato Alqi Kondit, që t`ja jepte Komandantit për t’i parë. Enverit i pëlqeu ajo foto dhe e firmosi, që ajo të botohej për shtyp”, kujton Petriti atë ngjarje, kur babai i tij Vasili fiksoi Enver Hoxhën, duke u bërë dhe fotografi i parë zyrtar i tij.
40 napolona për foton e Enverit
Pasi bëri fotografinë e Enverit, Vasilin e thirrën në Bashkinë e Tiranës, ku njeri nga shefat e saj, Drit Çaushi, i kërkoi atij që ta riprodhonte foton, që i bëri Enverit, duke harxhuar të gjithë letrën që kishte në dyqan, sepse portreti i Komandantit, do t`ju duhej për të gjitha zyrat e administratës shtetërore. Vasili shkoi në studion e tij dhe e përdori të gjithë materialin e pakët filmik, që i kishte ngelur, duke bërë 200 foto me format 50 me 60, të cilat ja dërgoi Drit Çaushit, në zyrën e tij, pranë Bashkisë së Tiranës. Çaushi e pëlqeu shumë atë foto dhe e pyeti, sa para i detyroheshin. Vasili i tha, se për hakun e punës, nuk donte asgjë, por vetëm për materialin filmik. Çaushi i dha 40 napolona dhe Vasili i harxhoi të gjitha ato, duke blerë miell për bukë, pasi familja e tij ishte në gjendje të keqe ekonomike. Pas dy vjetësh, në 1947-ën, Vasilit e Janit, jua mbyllën dyqanin e fotografisë, në kuadrin e shtetëzimeve. Në atë kohë Zeqi Agolli, e mori Vasilin për të punuar pranë Laboratorit Filmik, të shtetit shqiptar të pasluftës, që sapo ishte hapur. Gjatë asaj kohe, Vasili mori pjesë si fotograf në grupin hetimor, të incidentit të Kanalit të Korfuzit, fotot e të cilit u paraqitën nga pala shqiptare dhe në gjyqin e Hagës. Në atë laborator që më pas kaloi në varësi të ATSH-së, Vasili punoi deri në vitin 1953. Atë vit kur vdiq Stalini, Vasili ishte i vetmi fotograf, që u lejua nga Enver Hoxha, për të bërë fotot e ceremonive të mëdha mortore, që u organizuan në sheshin “Skënderbej”. Nga ai vit e deri në 1973, kur doli në pension, Vasil Ristani punoi si fotograf në Ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale.
Sulo Gradeci, nxënës tek Ristanët
Aty nga fillimi i vitit 1960-të, Shefi i Shërbimit të Rojeve të Enver Hoxhës, Sulo Gradeci e thirri xhaxhanë e Vasilit, Jani Ristanin dhe e mori në punë, si fotograf në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë Brendshme, e cila mbulonte Sigurimin e udhëheqjes së lartë të partisë dhe shtetit komunist. Qëllimi i marrjes së Janit në atë drejtori, ishte se ai duhet të mësonte Sulo Gradecit, profesionin e fotografit, që do t’i duhej për të fotografuar Enver Hoxhën. Kështu Sulo Gradeci e përvetësoi aq mirë dhe e ushtroi prej shumë vjetësh pranë Enver Hoxhës, e ka si dhuratë nga Jani Ristani./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016