Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e nëntë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Çile Staku
(1893 – 1964)
Ishte motra e sindikalistit të njohur demokrat Shtjefën Ingrizit. Ishte ai që e edukoi të motrën me frymën demokratike, anti-diktatoriale. Këtë e tregoi sidomos në periudhën e Luftës, ashtu edhe mbas saj. Gjatë pushtimit fashist italian, shtëpia e saj u bë një nga bazat kryesore ku mblidheshin nacionalistët, të grupuar rreth organizatës së ‘Ballit Kombëtar’. Djali i saj i vetëm, Zefi, ishte një nga eksponentët e saj. Në kushte e fshehtësisë, si dhe të rrezikut të madh, ajo iu gjet përkrah të birit, në veprimtarinë atdhetare. Kur e lypte puna, ajo ishte edhe roja e shtëpisë. Edhe sot, ata që mbetën gjallë, kujtojnë “kafet me arra”- specialitet i saj, me të cilat gostiste shokët e të birit, që shpesh edhe zbardhnin aty, duke shtypë traktet, që mandej shpërndaheshin kudo, duke i bë thirrje popullit, për qëndresë antifashiste e antikomuniste. Një nga dëshmitarët kujton se si në dhomën e teknikës së kësaj organizate, ishte derdhë boja e shaptilografit. “Erdhi vetë Çilja dhe e pastroi, duke punue tanë natën. Mandej tha: “Nuk kam besim me futë tjetërkënd këtu me e pastrue”. Episode të kësaj natyre, ka plot për këtë grua energjike që jepte kontributin e vet në luftën për çlirim…
Ishte mëngjesi i datës 26 korrik 1943. Një natë më parë (25 korrik), radiot kishin dhanë lajmin e ramjes së diktatorit fashist Benito Musolini. Në atë kohë, i gjithë qyteti që mbushë me citate si dhe me portretin e tij. Të tilla fashistët kishin stampuar edhe në fasadën e shtëpisë së saj, që ishte në rrugën kryesore të qytetit. Sapo zbardhi dita e 26 korrikut, Nana Çile, pa i thanë kujt gjë, mori shkallën, një kovë me lëng gëlqereje dhe një brushë e ashtu e veshur me branavekë, plaka 60 vjeçe, në majë të shkallës ndoshta edhe duke këndu lehtë-lehtë, ndonjë këngë të vjetër, fshiu e para në qytetin e Shkodrës, imazhet që të kujtonin diktaturën fashiste. Kishte arsye të forta. Djalin, fashizmi ia kish arrestuar tri here, e ajo nuk u qe lutur atyre. Si kundërpeshë, ndoshta e hapi portën e shtëpisë dy kapakësh, për shokët e djalit. U ankua një herë se në njenin prej kontrolleve që iu banë shtëpisë nga kuestura, një polic (në Shkodër njihej me nofkën “dygeçi”) ishte tregue ma i zellshëm se të tjerët dhe kishte përmbysë shtëpinë, për të gjetë sende komprometuese. Ma vonë qe marrë vesh se ishte agjent i komunistëve, i futur në kuesturë, për të bë punën e partisë së vet, e natyrisht detyrë e saj, ishte edhe lufta kundër nacionalistëve.
Vuajtjet ma të mëdha kjo nanë i pat me ardhjen në pushtet të komunistëve. Dy herë djali u arrestua dhe provoi burgjet e diktaturës së re. Dy herë prindit e tij me ankth pritën me zemër të ngrime, lajme për të. “Mos po e torturojnë shumë”? “Mos e dënojnë me vdekje”? (se ishte bë e modës që gjyqet komuniste nuk u kursyen me këtë lloj dënimi)…
Për 11 vjet që bëri i biri burg, ata jetuan me marakun e ligjshëm: “Çka po i bajnë djalit”, “A do të jetë djali gjallë?” Për 11 vjet ata dy pleq, do të sakrifikonin aq shumë për t’i sigurue birit të vetëm, ushqimin plotësues, se dihej ai që u jepnin të burgosurve. Nanë Çilja pati edhe ndihmën e së motrës, Isidora, që si ma e re në moshë, përkrah të motrës e ndoqi nipin kampeve të Maliqit, Orman-Pojanit, Bedenit, ose burgut të Shkodrës.
Ashtu të bashkuem përballuan edhe persekutimin, që në format nga ma të ndryshme, iu bë kësaj familjeje të mirë qytetare atdhetare e që dha aq shumë për vendosjen e demokracisë në Shqipni.
Shaqe Marku
(1897- 1981)
E lindur në Shirokë në një familje atdhetare, e rritur në Cetinë të Malit të Zi, ku u martua me Lec Markun, djalin e heroit të Luftës së Rrazhnicës, Shaqe Marku, do t’u transmetonte me përkushtim fëmijëve të vet, botën shpirtërore aq të pasur, të brezave të shkuar. Ndërkohë familjarisht ishin vendosë në Shkodër.
E kishte mjaft për të treguar. Mjaftonte të tregonte se si Marka Kola, pra i vjehrri, i plagosur për vdekje tek ura e Rrazhnicës më 1880, kishte futë me duart e veta në bark, zorrët që i kishin dalë nga plaga e marrur. Jo më kot Gjergj Fishta, një këngë të “Lahutës së Malcis”, ia kushtoi këtij akti. Djali i saj, Toma, qe përfshi që në fillim në radhët e organizatës së ‘Ballit Kombëtar’. Duke ia ushqye fëmijëve të vet trimërinë dhe vendosmërinë, për të punue e luftue për çështjen kombëtare, Nanë Shaqja, jo vetë qe një edukatore e zjarrtë e nacionalizmit shqiptar, por edhe vetë u ingranuar në aktivitetet klandestine, të asaj organizate. Merrte traktet nga baza kryesore, ku shtypeshin dhe i dërgonte tek Dom Zef Shestani, famullitar i kishës së Shën Kollit, në lagjen “Rus i vogël” e njëkohësisht edhe një nga drejtuesit e ‘Ballit’ në Shkodër. Jo vetëm kaq. Ajo vetë shpërndau në popull trakte, si dhe revistën “Robni o liri”, të kësaj organizate. Më 1944, ajo i përgatit djalit të vet e shokëve të tij, që po dilnin në çetë, rrobat me shenjat dalluese. Po atë vit, vajzat e saj, do të qëndisnin një flamur të madh kombëtar, që do t’i dhurohej Kryetarit të ‘Ballit Kombëtar’ të Shqipnisë, Mithat Frashërit, gjatë vizitës që ai bani në Shkodër. Vetëm ajo e djali i saj, do ta dinin se ku u fshehën armët, traktet e çdo gjë, që kërkoheshin me ngulm nga Sigurimi.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, për familjen e Lec Markut, erdhën kohë të vështira. Në fund të dhjetorit 1946, Toma arrestohet. Ajo tregohet burrneshë e vërtetë, për përballimin e situatës. Me zgjuarsi fshehu materialet komprometuese të të birit. Duke kujtuar këtë gjë, i biri, në burg do t’i kushtonte një poezi, që përfundonte me vargjet:
“Kur ty malli, nanë zemrën ta mblojë,
Për djalë tandin, që n’burgje a tue u shue,
Me duer tueja, ti flamurin shpaloje,
Puthe për mue, se atdheut i jam kushtu”.
E ndjek vazhdimisht në burg, duke i çuar ushqime e veshmbathje. Sa zor ishte t’i gjeje në atë kohë! Nuk ngurron të shesë teshat e shtëpisë. Nuk ishin të rralla rastet kur ajo, mbasi i dorëzonte të birit atë ushqim të pakët, delte e mbajtur prej krahësh nga rojet, sepse i binte të fikët nga dëshpërimi.
Ma në fund djali del nga burgu… gjysëm i vdekur. Mbas kësaj, për 20 vjet – në spitale (një jetë e tanë). E ajo prapë te kryet. Si din të rrinë vetëm nanat.
Vdiq në pleqni të shtyeme, 84 vjeçare, e varfën, por krenare se nuk iu nënshtrua asnjëherë regjimit komunist e halleve.
Lajde Arapi
(1893 – 1963)
“O im bir, o djalë i ri
që je bë fli për Shqipni
Për Shqipni t’pat rritun nana!
Mos me t’ngja kush n’kapidana.”
Janë disa nga vargjet që iu kushtuan dëshmorit Zef Harapi, vra më 1912. Ndoshta kjo vjershë ishte e para, që Nanë Lajdja, u mësoi fëmijëve të vet jetimë, sikur të donte t’u mësonte, që t’i ngjitnin axhës së tyre dëshmor. Këto ndjenja atdhetare do t’i përqafonin të gjithë. Djali, Karlo, do të ndërpriste studimet në Itali, për t’iu kushtue çështjes kombëtare, duke dhanë një kontribut të madh në drejtimin e organizatës së ‘Ballit Kombëtar’. Me bindje nacionaliste, ishte edhe djali tjetër, Simoni, bindje që regjimi komunist i dënonte ma ashpër, se askund. Kjo qe arsyeja, që i pari u detyrua të lente familjen e të merrte rrugët e kurbetit, për të punuar për Shqipninë atje, kurse i dyti pësoi burgun, pasi, meqë kishte mbaruar Shkollën Amerikane të Fultz-it, “duhej” të ishte spiun i tyre. Kështu, Nanë Lajdja kishte rritur dy ”armiq”.
Mbi shpatullat e saj, ra një peshë e rëndë, që jo të gjithë e provuan: shtëpia duhej mbajtë çelë, djali duhej ushqye në burg. Me sy te dera, se mos merrte ndonjë lajm të mirë. Me mendje te djemtë: A ishte gjallë djali në mërgim? A ishte mirë me shëndet, djali në burg? Me majën e gjylpanës, sepse qe rrobaqepëse, përballoi jetën. Me punë mbyti mërzinë. Me punë u mundua që të harrohej. Më 1958, asaj iu vra shpresa përgjithmonë, se do të mund të përqafonte makar një herë djalin Karlo. Ai vdiq në rrethana të dyshimta. Mos vallë ishte dora e Sigurimit? E ajo s’mund të priste ngushëllime, sepse nuk i kishte vdekur djali, por “armiku” i Shqipnisë… Ngushëllimet e rastit u detyrua t’i priste tinëz. E tmerrshme! Të mos lejohej të vinte kujën në shtëpinë e vet, të ishte e detyruar të mos shfaqte hidhërimin e vet të madh, që i ishte grumbulluar thellë në shpirt, prej vitit 1944. Ishin 14 vjet shprese, por edhe mërzie, hidhërimi, ankthi. Mandej edhe 5 të tjera për djalin tjetër në burg. E tashti, në fund të vet izolohej, të vet çensurohej…! Vazhdimisht i kujtohej vargu i poetit:
“Për Shqipni, t’pat rritun nana
Për këtë dhe q’ë kem si fe
E përmbi fe e kam vatani
E kem Atdhe”.
Ato vargje, tashti ua mësoi nipave e mbesave. E këto u rritën si lulet, që kultivonte i biri parqeve të Shkodrës…! Edhe dashurinë për lulet, ajo vetë ia kishte ushqye të birit, që kur ishte fare i vogël.
Nanë Lajdja, qëndroi e fortë dhe e papërkulur në vatrën e saj familjare, që e mbajti gjithmonë të ngrohtë. Për familjen dhe për miqtë, që edhe tashti e kujtojnë me nderim të veçantë, e si thotë me të drejtë populli: “Ajo që kujtohet, nuk vdes kurrë”.
Lutfije Barbullushi
(1893 – 1973)
Fati i keq nuk e kurseu atë, ishte 30 vjeçe kur i vdiq burri, duke e lanë me 5 fëmijë, ma i madhi 10 vjeç. Shumë herët për të qenë edhe burrë, e grua. Sa mund i duhej që t’i rriste e t’i edukonte.
Edukatën nacionaliste, me të cilën qe ushqye vetë qysh e vogël, e të cilën e kishte gjetë edhe në familjen e të shoqit, ua transmetoi edhe fëmijëve; të gjithëve. Me vështirësitë e jetës, me të cilat u ballafaqua shpejt, u forcua duke u bë shembull për vocërrakët e shokët e shoqet e tyre.
Shtëpia e saj që herët u bë bazë për grumbullimin e nacionalistëve, që u dhimbej vendi, tek shihnin që i huaji ishte ulur këmbëkryq. Djemtë demonstruan rrugëve të Shkodrës, vajzat prisnin, qepnin e qëndisnin flamuj kombëtarë, ajo i strukte, kur i kërkonte milicia, sidomos Samiun, djalin. Atë do ta kërkonin ma vonë edhe komunistët, të cilët nuk ia falën ballafaqimet, që kishin pas me të në kohën e luftës, për çështjen kombëtare. Prej tij kërkonin jo vetëm ta thyenin, por edhe të dinin se cilët ishin shokët e tij të idesë. Për dy vjet me radhë, nana e shkretë, do të priste para dyerve të hetuesisë, për të mësue diçka rreth djalit. Për dy vjet, ajo e vajzat do t’ia lanin këmishët, që kishin shenja gjaku, do t’ia arnonin, sepse i qenë shkye nga torturat. Mandej, mbasi u lirua, e ushqyen si fëmijën, pasi prej atje kishte dalë si kufomë, që veç merrte frymë.
Nuk patën fat ma të mirë as vajzat. Njena, Nuria, shkriu pajën që të mbante kunatin, nacionalist i njohur, eksponent i rëndësishëm i ‘Ballit Kombëtar’: në fillim i fshehur e mandej edhe në burg. Tjetra, Symja, u internuar me 5 fëmijët e saj, në Berat (1945-1946), për të vazhduar me kujdesin që tregoi për të shoqin, burgjeve. Jo pak, por 20 vjet: u ribashkuan në vitin 1965.
Këto halle, s’do mend, që u reflektuan tek Nanë Lutfija. Por ajo tashmë ishte në gjendje me i përballue. Me kurajën e saj, ajo u mësoi vajzave, që t’u rrinin besnike burrave të tyre e që, me të gjitha mundësitë, t’ua lehtësonin jetën. Nipave e mbesave, që u rritën në prehrin e saj, u dha vazhdimisht këshilla, që të mësonin sa ma shumë, që të ishin të ndershëm, që të ishin punëtorë, që të ishin të drejtë, fetarë etj., si gjyshërit e gjyshet, si prindërit.
Mundi i saj nuk shkoi kot. Ata u banë të tillë. Ashtu si i kishte mësue me durim e përkushtim për dekada me radhë, ajo, nana e gjyshja e tyre e paharrueshme. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016