Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Zylyftar Podës, patriotit të famshëm me origjinë nga fshati Podë i Kolonjës, ish-krahu i djathtë i Ali Pashë Tepelenës, i cili në dy dekadat e para të shekullit të XIX-të, u bë një nga udhëheqësit popullorë më të shquar në luftërat për shkëputjen nga Turqia. E gjithë veprimtaria e kapedanit të Podës, nga lidhjet e tij me ambasadorin francez, Pukvill, të atashuar pranë pashait plak të Janinës, te miqësia e ngushtë me Mehmet Aliun e Egjiptit, që e ndihmonte në rebelimin ndaj Portës së Lartë të Stambollit, shkrimet e gazetave ruse për konflikte dhe luftërat e tij me Portën e Lartë, këngët folklorike popullore që i janë kushtuar atij, si është trajtuar figura e roli i tij nga historianët shqiptarë, vendi që ai zë në Historinë e Shqipërisë, e deri tek busti i tij që ndodhet në Muzeun e Luvrit në Paris, të cilin në shtatorin e vitit 1946-të, e vizitoi edhe Enver Hoxha me delegacionin që kryesonte në Konferencën e Paqes në Paris, etj.
Po t’i hedhim një sy historisë së popullit shqiptar të periudhës së para Rilindjes sonë Kombëtare, duke i’u referuar edhe mjaft dokumenteve të ndryshme arkivore të vendit dhe të huaja, do të vëmë re, se, pas Ali Pashë Tepelenës, Vezirit plak të Janinës që u ekzekutua nga Porta e Lartë, për shkak se donte të shkëputej nga Turqia, një nga figurat kryesore të udhëheqësve shqiptarë të asaj periudhe, e deri në vitin 1835-së, do të shohim që spikat ajo e Zylyftar Podës. Kapedanit të famshëm kolonjar, që për disa vjet me radhë u vu në krye të qëndresës anti-osmane në Shqipërinë e Jugut, duke tronditur seriozisht Portën e Lartë të Stambollit dhe vetë Sulltanin, i cili u detyrua që ta ftonte dhe ta priste atë me nderime të mëdha në Stamboll.
Lidhur me këtë figurë legjendare mjaft popullore, përveç këngëve folklorike të trashëguara dhe të ruajtura në disa breza, shtypit periodik, librave dhe teksteve të ndryshme të historisë së popullit shqiptar, të botuara nën kujdesin e Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave në Tiranë, flasin edhe mjaft dokumente arkivore që gjenden jo vetëm në arkivat shqiptare, por edhe në ato të vendeve të ndryshme evropiane, si Turqi, Rusi, etj. Madje jo vetëm kaq, por fama dhe emri i Zylyftar Podës, është aq e madhe, sa që në Muzeun e famshëm të Luvrit në Paris, ruhet një bust i tij. Duke qenë kështu dhe shqiptari i vetëm që iu është kushtuar një vepër arti në muzetë e ndryshme jashtë vendit tonë.
Kush ishte Zylyftar (Iljaz) bej Poda?
Zylyftar Poda, apo siç ka qenë emri i vërtetë i tij, Iljaz, (Zylyftar, i ka mbetur nga fjala turke, Silihqidar, që do të thotë: Mbajtës i armëve të Sulltanit), u lind diku rreth vitit 1768-të, në fshatin Podë të Kolonjës, i cili ndodhet edhe sot në të dalë të qytetit të Ersekës, afër urës së Shalësit, në të djathtë të rrugës që të shpie në Leskovik. Fshati Podë ka një emër të madh në historinë e Shqipërisë, për shkak të luftërave të vazhdueshme dhe qëndresës anti-osmane që kanë bërë banorët e asaj treve në Jug të Shqipërisë, në fundin e shekullit të XVII-të dhe fillimin e shekullit të XVIII-të. Këtë gjë, veç të tjerash e vërtetojnë më së miri edhe mjaft këngë popullore folklorike, të cilat që nga koha e sundimit osman kanë ardhur deri në ditët tona. Në njërën prej tyre, ne mes të tjerash thuhet:
“O kalat’ e Melesinit, o fortesa të dëgjuara
Ju, o gërxhe, o moçale, o shkëmbinj kaq të tmerruar
Ti moj Podë, Poda plakë, moj fole e trimërisë
Fshat i lartë’ e i bekuar, q’i dhe famë Shqipërisë”.
“Popullsia e fshatit Podë ka qenë dhe është e përzier me banorë të besimit mysliman dhe ortodoksë, të cilët që prej shekujsh kanë shkuar në një harmoni shumë të mirë ndërmjet tyre. Familja Poda, të cilët ishin bejlerë dhe mjaft të pasur, kanë qenë të njohur jo vetëm si shtëpi e parë e atij fshati, por edhe një nga familjet më të dëgjuara të trevës së Kolonjës, Korçës dhe gjithë Jugut të Shqipërisë. Ajo shtëpi e madhe ka pasur shumë miqësira dhe krushqira me disa familje të tjera të njohura bejlerësh, si në Starje, Qafëzez, Frashër, Vrëpckë, Glinë, Konicë etj. Përpara Zylyftarit, nga ajo shtëpi ka qenë tepër i njohur edhe Abaz Poda, i cili ka pasur funksione të larta në Perandorinë Osmane, duke shërbyer pranë valillëqeve në Selanik, Grebene, etj. Si shpërblim për të gjitha shërbimet që Abazi i bëri perandorisë osmane, Porta e Lartë e Stambollit e shpërbleu atë duke i dhënë shumë prona në Trikallë, Meçave etj. Pas Abazit, nga trungu i familjes Poda, ka qenë i njohur, babai i Zylyftarit, Muharremi, i cili ishte kapedan me autoritet të lartë në atë trevë dhe njeri mjaft i respektuar i kuvendeve. Sipas mjaft dëshmive dhe burimeve gojore, Muharremi, fillimisht u martua me Validenë nga Qafëzezi, me të cilën lindi Zylyftarin, por ajo vdiq gjatë lindjes së fëmijës së parë dhe Zylyftari u rrit jetim. Nga një burim tjetër, thuhet se Muharremi pati dhe një vajzë (motra e Zylyftarit), e cila mund të ketë lindur përpara vëllait dhe të ketë qenë fëmija e parë. Zylyftari, apo Iljazi siç është emri i tij i vërtetë, mësimet e para dhe ato të shkollës së mesme i mori në Janinë dhe Manastir. Që në moshë të vogël ai u ul në kuvendet e burrave ku ftohej i ati i tij, Muharremi, gjë e cila ndikoi në formimin e tij të mëvonshëm. Zylyftari u martua me Veziren dhe lindën katër fëmijë: Sulejmani, Hasani, Qamili dhe një vajzë.
Zylyftari, krahu i djathtë i Ali Pashë Tepelenës
Zylyftar Poda fillimisht u bë i njohur duke shërbyer si këshilltar dhe kujdestar pranë djalit të Ali Pashë Tepelenës, Veliut, në oborrin e pashait plak të Janinës. Lidhur me këtë, në studimin e tij me titull “Kryengritjet Popullore në fillim të Rilindjes sonë,(1830-1877),(Botim i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës), të botuar në vitin 1962, historiani i njohur, Ligor K. Mile, midis të tjerash ka shkruar: “Zylyftar Poda kishte qenë një bashkëluftëtar i dëgjuar i Aliut, duke lojtar një rol të rëndësishëm pranë oborrit të tij, ose duke qenë dora e djathtë e tij. Si feudal çifligar i madh, pronat e të cilit tanimë, pas vrasjes së Aliut kërcënoheshin të binin në duart e Portës së Lartë, ai u pajtua përkohësisht me pushtetin turk, duke pranuar të merrte pjesë në luftën kundër kryengritjes greke. Duke qëndruar gjithmonë si prijës ushtarak i pavarur, ai shpejt ngjalli dyshimin e Portës së Lartë dhe më 1823-in u dënua me vdekje nga vetë Sulltani. Por ai mundi t’u shpëtonte kaushi-bashëve të dërguar për ta vrarë, braktisi fushën e luftës greke, u kthye në vendin e vet dhe u betua të urrente deri në vdekje sulltanin. Pasi mblodhi rreth vetes forca “hajdute”, ai shpresonte ta dobësonte sundimin turk të Shqipërisë së Jugut, duke dalë si prijës ushtarak i parë i vendit”. Nisur nga besnikëria që kishte Zylyftari ndaj Ali Pashë Tepelenës, si dhe formimi e përgatitja e tij si udhëheqës popullor, pashai plak i Janinës e dërgonte atë për të shtypur lëvizje dhe kryengritje të ndryshme që shpërthenin herë pas here në krahina të veçanta të vilajetit ku sundonte Aliu, si në Malet e Pindit, Gramozit, Karabashit, Grebene etj. Në atë kohë, Zylyftari kishte lidhje të ngushta edhe me Qazim Konicën (një nga paraardhësit e trungut familjar prej nga rrjedh edhe Faik Konica), i cili jetonte në Turqi me titullin e lartë Pasha, si dhe me ambasadorin e Francës pranë oborrit të Ali Pashë Tepelenës në Janinë, Pukvill. Ndërsa një nga miqtë më të ngushtë të Zylyftarit, thuhet se ishte kryetari i Mexhilisit (Dhoma e lartë e deputetëve), pranë Ali Pashë Tepelenës, Mydin Zharkanji, i cili ishte me origjinë nga një fshat i Kolonjës, (në kufi me Frashërin), prej nga ai trashëgonte dhe mbiemrin e tij. Në ditët e fundit të jetës së pashait plak të Janinës, Zylyftari dhe Mydini nuk iu ndodhën dot pranë. Për këtë është dhe kënga popullore, ku midis të tjerash thuhet:
“Ç’u bëtë more Zharkallinj,
moj soj çobanësh që dolët të pabesë”.
Zylyftar Poda së bashku me Musa bej Qafzezin, morën pjesë në revolucionin grek të vitit 1821, dhe për këtë gjë në një nga këngët e shumta popullore kushtuar atij, midis të tjerash thuhet:
“Në qafë të Livadhjasë bie shi e bie borë
Musa beu mban pallën në dorë
Karafili i vëllai, ndanë taborrë
nëntë ditë e nëntë net
po bëhet xhephanet
Imdat (ndihmë për bukë) presim
dhe Hyseni nga Bozhigradi
imdat nuk sjellë
Hysen bej, Hysen Devolli
plastë lopa që të polli”.
Arkivat ruse për Zylyftar Podën
Rebelimi dhe luftërat e Zylyftar Podës kundër Portës së Lartë të Stambollit, patën jehonë të madhe jo vetëm në Ballkan, por edhe në në disa shtete të tjera të Europës, si Rusia etj. Lidhur me këtë, dëshmon edhe studiuesi e historiani i njohur, Ligor K. Mile, i cili në librin e sipërcituar, (“Kryengritjet Popullore në fillim të Rilindjes sonë, 1830-1877”), midis të tjerash ka shkruar: “Sipas disa burimeve arkivale ruse, Zylyftar Poda ishte udhëheqësi kryesor i opozitës anti-turke në Shqipërinë e Jugut, ashtu siç ishte dhe Mustafa pashë Bushati në Veri dhe Veri-lindje të vendit. Në këto rrethana, Porta e Lartë shpërtheu një valë të pandërprerë terrori dhe reprezaljesh kundër feudalëve opozitarë të Shqipërisë së Jugut. Ajo shpresonte se do të zhdukte mundësinë për një luftë t’organizuar të krerëve të Shqipërisë së Jugut, ose për daljen e një Aliu të ri. Por ngjarjet nuk po i premtonin asgjë ngushëlluese. Zylyftar Poda i kishte shpallur luftë të hapur Omer Pashë Vrionit dhe përkrahësve të tjerë të Sulltanit në Shqipëri të Jugut.
Stambolli, duke parë se politika represive kundër feudalëve opozitarë dhe kapedanëve të fshatarësisë nuk po arrinte përfundimet e dëshiruara, u përpoq të pajtohej me shumë prej tyre, duke u premtuar grada dhe perspektiva të bukura në lidhje me luftën kundër kryengritjes greke. Zhvillimi i ngjarjeve të mëvonshme, dhe sidomos qëndrimi armiqësor i Mustafa Pashë Bushatit ndaj Portës së Lartë, bëri që të dështojnë përpjekjet e qeverisë turke për të dërguar kundër lëvizjes nacional-çlirimtare greke këtë ushtri të madhe turke. Sipas njoftimeve të tjera, shkuan më kot edhe përpjekjet e Reshid Pashës për t’u pajtuar me krerët opozitarë shqiptarë dhe për t’i vërsulur pastaj kundër grekëve. Bile shumë prej tyre, vjeshtën e vitit 1828-të, kaluan në veprime të hapta t’armatosura së bashku me burrat e tyre, si p.sh. Zylyftar Poda, Veli beu, Asllan beu etj. Kundër serasqerit Mehmet Reshit Pashës u krijua në fakt një front i përbashkët. Sipas disa të dhënave, “të gjithë krerët shqiptarë të jugut i përcollën Portës një letër-ankesë për Reshid pashën, me lutje që atë ta zëvendësonte Omer Vrioni, i cili, duke qenë shqiptar, njeh me mirë zakonet e tyre. Zylyftar Poda e nënshkroi gjithashtu këtë letër”.
Lidhjet e Zylyftarit me Mehmet Aliun e Egjyptit
Sipas studimit të bërë nga historiani i njohur Ligor K. Mile, i cili është botuar në vitin 1962, kapedani i famshëm kolonjar, Zylyftar Poda, në luftërat e tij kundër Portës së Lartë, kishte një ndihmë të madhe edhe nga Mehmet Aliu i Egjyptit. Lidhur me këtë fakt, në mes të tjerash në studimin e tij, Mile, shkruan: “Lëvizja e armatosur në Shqipërinë e Jugut po zhvillohej në vitet 1829-’30-të, nën parullën e luftës kundër përforcimit të pushtetit turk dhe për të drejtat “autonome”, nën ndikimin edhe të kryengritjes kombëtare greke. Me gjithë atë, autoritetet turke nuk mundën dot ta vendosnin qetësinë e plotë në këtë vend. Një tjetër aleat i pashait të Shkodrës, Zylyftar Poda, filloi të veprojë gjithashtu. Sipas një pohimi, Zylyftar Poda ishte në lidhje të drejt-për drejtë jo vetëm me Mustafa Pashë Bushatin, por edhe me Mehmet Aliun e Egjyptit, i cili i premtonte ndihmë për luftën e tij kundër Portës së Lartë. Duke shfrytëzuar pakënaqësinë e përgjithshme të popullit ndaj pushtetit turk, Zylyftar Poda kishte mundur që më 1830-ën të ngrinte në luftë forca të dukshme fshatare. Sipas disa të dhënave, forcat kryengritëse të Zylyftar Podës, arrinin deri në 12 mijë vetë. Rrathët e kryengritësve shtoheshin edhe prej ushtarësh shqiptarë që vidheshin (dezertonin) nga ushtria turke.
Kur po zhvilloheshin luftime vendimtare midis trupave turke dhe ushtrisë së Mustafa pashës në Maqedoni, thirrjes luftarake të Zylyftar Podës, iu përgjigjën edhe shumë fshatarë të Shqipërisë së Jugut, si: Kolonjës, Leskovikut, Dangëllisë, Shqerisë, Tepelenës, Përmetit dhe Korçës. Me këtë rast, “Moskovskie vjedomosti”, njoftonte: “Në Shqipërinë e Jugut u ndez përsëri një kryengritje nën udhëheqjen e Zylyftar Podës; kjo kryengritje, vazhdonte gazeta, nuk është e parëndësishme dhe shtrihet që nga Janina deri në Korçë, jo larg Manastirit; nga të gjitha anët të pakënaqurit shpejtojnë në qytetin e Korçës që të vihen nën flamujt e Zylyftar Podës. Gazeta përfundonte se: “ky i fundit ka fortifikuar vendqëndrimin e tij afër Korçës, ku ka vendosur të mbrohet deri në fund…” Megjithatë, disfatat e Mustafa Pashës në Maqedoni, e detyruan Zylyftar Podën të kalonte në taktikë mbrojtëse. Kundër tij, me urdhër të Vezirit të madh, u drejtuan trupa turke nën komandën e qeveritarit të Thesalisë, Mahmud Pashës”.
Vijon numrin e ardhshëm
Kapedani i Podës u rebelua ndaj Sulltanit, kur ai donte ta vriste!
Me rënien e pashallëqeve të mëdha shqiptare, zanafilla e së cilës i përket dekadave të para të shekullit të XIX-të, filloi dhe periudha e Rilindjes Kombëtare, që përfundoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntorin e vitit 1912. Në këtë periudhë kohe u luftua për pavarësinë e Shqipërisë dhe autonominë, shkollat dhe kulturën kombëtare. Historiani britanik, J. Sëire, në veprën e tij “Ngritja e një Mbretërie”, midis të tjerash bën të ditur se në Shqipëri doli një brez patriotësh (Rilindasit), të cilët duke patur kundër të gjitha shtetet e Europës, e nxorën Shqipërinë nga Mesjeta dhe e futën në kohët moderne, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë me asnjë shtetet tjetër evropian. Ata patriotë që luftuan me penë dhe shpatë për mëmë dhenë, e krijuan shtetin shqiptar, në prozë, poezi, tekste mësimore etj. Ndër ta dallohet: Naim Frashëri, De Rada dhe Padër Gjergj Fishta, të cilët mund të quhen pa asnjë dyshim si identiteti kombëtar i shqiptarëve, (siç quhet Shekspiri për Anglinë). Po të shtyhemi tutje në kohë, kur Shqipëria ishte ende nën Perandorinë Otomane, do të shohim se me ardhjen në fuqi të Sulltan Mahmutit të Dytë, filluan reformat në të gjithë perandorinë që kryesohej prej tij. Në këto reforma synohesh centralizimi i plotë i pushtetit (përqendrimi), sepse pashallëqet, pak a shumë ishin forma vetëqeverisje, ku në të gjitha instancat administrative, sundonte dhe udhëhiqte elementi vendas. Kjo gjë, funksiononte që nga koha e Ali Pashë Tepelenës dhe populli ishte i prirur që të vazhdonte me atë formë qeverisje. Pikërisht, për të shkatërruar këtë gjë, pra formën e vetëqeverisjes, Porta e Lartë e Stambollit i shkatërroi pashallëqet e mëdha, fillimisht duke shtypur lëvizjet e ndryshme që kundërshtonin fillimin e reformave, dhe më pas filloi zbatimin e tyre me atë që tashmë njihet në histori, si: periudha e Tanzimatit. Në ato reforma që synonte të ndërrmerrte Porta e Lartë në të gjitha skajet e perandorisë së saj, përfshiheshin: Shërbimi ushtarak pa pagesë, i cili arrinte nga 4 deri në 5 vjet, dhe ai rezervë (nizamë), deri në 7 vjet. Krijimi i një ushtrie të rregullt me oficerë të përgatitur si të modeleve më të përparuara evropiane, etj. Por për të arritur këto, nevojiteshin kazerma, bazë materiale, veshmbathje, ushqime, armatime, si dhe para për të paguar të gjithë ushtrinë. Për të siguruar këto para, Porta e Lartë vendosi taksa të reja. Si rezultat i këtyre taksave, ku përfshihej edhe marrja ushtar e një burri për shtëpi, filluan pakënaqësitë e para, pasi nuk kishte kush të punonte në familjet shqiptare. Në këtë kohë që Porta e Lartë nisi këto reforma, Fuqitë e Mëdha Evropiane vendosën të ndihmonin në krijimin e dy shteteve: Greqi e Serbi. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj, Sulltani u përgjigj duke mobilizuar nga një burrë për shtëpi, tek shqiptarët dhe boshnjakët myslimanë, duke i ftuar ata të mbronin fenë. Pra, në një kohë që shqiptarëve, iu mohoheshin shkollat shqipe, identiteti kombëtar, autonomia, pavarësia etj, dy shteteve të tjera: Greqi e Serbi, iu lejohej kjo gjë. Si rezultat, qoftë feudalëve shqiptarë, qoftë popullit, nuk i pëlqente centralizimi i pushtetit, dhe për këtë shkak filloi menjëherë reagimi i tyre kundër Mehmet Reshit Pashës, i cili në atë kohë ishte Guvernator i Jugut të Shqipërisë, për tre sanxhaqet: Janinë, Berat, Vlorë. Në këtë kohë, Mehmet Reshit Pasha, thirri në Janinë, Zylyftar Podën dhe të gjithë krerët e tjerë të Shqipërisë së Jugut, si: Shahin bej Delvina, Ismail Pashë Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit), etj. Qëllimi i tij ishte që t’i detyronte ata të pranonin reformat që kishte ndërmarrë Porta e Lartë, dhe në këmbim, do t’u falte atyre ato që kishin bërë më parë. Zylyftar Poda kishte qenë komandant në ushtrinë e Ali Pash Tepelenës dhe kishte luftuar kundra Turqisë për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, ku përfshihej Shqipëria e Jugut dhe Sesalia, e protektorat mbi Greqinë qendrore dhe jugore. Po kështu, Zylyftari kishte luftuar së bashku me suljotët dhe kleftët grekë (kryengritësit) kundër turqve, në rrethimin e Ali Pashës. Pra, të gjitha këto, Mehmet Reshit Pasha, ua falte, dhe i ftoi krerët e Shqipërisë së Jugut, që të shkonin në Janinë për të biseduar. Madje duke i ofruar atyre edhe shumë ofiqe e detyra të tjera, si dhe pagesën e rrogave të pa dhëna nga Turqia. Por këta nuk e pranuan ofertën e Guvernatorit të Shqipërisë së Jugut, dhe nuk shkuan në Janinë. Në këtë kohë (6 deri 8 nëntor 1828), krerët e Shqipërisë së Jugut, vendosën të mblidheshin në Berat, ku u mbajt një kuvend i madh i cili në historinë e Shqipërisë njihet si: Kuvendi i Beratit. Në atë kuvend, si udhëheqës të kryengritësve, u zgjodhën: Ismail Pashë Vlora, Zylyftar Poda dhe Shahin Delvina. Në atë mbledhje u vendos dhe u vunë këto kushte për Portën e Lartë:
- Të emërohej në Vlorë si sanxhakbej, Ismail Pashë Vlora, në Delvinë, Shahin bej Delvina dhe në Derbedend, Zylyftar aga Poda.
- U kërkua që shqiptarët të shkonin ushtarë në radhët e ushtrisë osmane, por kundrejt shpërblimit me para.
Në atë kohë, krerët e Shqipërisë së Jugut, ishin marrë vesh me grekët, që secili të ruante trojet e veta. Shqiptarëve iu interesonte asokohe pavarësia e Greqisë, sepse ata donin të shfrytëzonin momentin për t’i fituar ato të drejta, pasi në të kundërt, Turqia, pasi të shtypte Greqinë, do t’i kthehej Shqipërisë. Kjo gjë në vetvete ishte një lëvizje e mençur e krerëve të Shqipërisë së Jugut, pasi më pas Turqia do të forcohej dhe shqiptarët nuk i kundërviheshin dot më. Për këtë vlen të përmendët letra e presidentit të Greqisë, Jan Capodistrias, dërguar në atë kohë (mars 1828), Car Nikollës të Rusisë, në të cilën ai kërkonte krijimin në Ballkan të këtyre shteteve: Greqi, Mbretërinë e Dakisë, Mbretërinë e Maqedonisë e Serbisë (ku përfshihej, Serbia, Bullgaria, Bosnja, Veriu i Shqipërisë dhe Kosova, si dhe Mbretërinë e Epirit ku përfshihej pjesa tjetër e Shqipërisë, edhe kjo mbretëri), etj.
Këto tre mbretëri do të ishin thellësisht greke dhe si kryeqytet do të ishte Konstandinopoja (Stambolli). Para kësaj situate, shqiptarët vendosën të organizoheshin për të mbrojtur trojet e tyre dhe të përfitonin sa më shumë nga Turqia pa u bërë vegël e tyre. Më 9 janar 1830, Mehmet Reshit Pasha, thirri në Janinë, Ismail Pashë Vlorëm (i cili në atë kohë ishte bërë me ferman të Sulltanit, Pasha me dy tuje), dhe e vrau atë. Në Janinë ishte thirrur edhe Zylyftar Poda, por ai duke e nuhatur qëllimin e Mehmet Reshit Pashës, refuzoi të shkonte dhe shpëtoi nga kurthi i ngritur. Pas kësaj, Mehmet Reshit Pasha, thirri në qytetin e Manastirit, të gjithë krerët e Shqipërisë së Jugut, duke u komunikuar atyre pjesëmarrjen në një paradë ushtarake, ku ai gjoja do t’u komunikonte emërimet e reja, dhënien e parave e prapambetura, etj.
Të gjithë ata që shkuan atje, Mehmet Reshit Pasha i masakroi duke i vrarë barbarisht, me përjashtim të Zylyftar Podës, i cili përsëri nuk shkoi në Manastir. Lidhur me këtë, në studimin e tij me titull: “Disa ngjarje të viteve 1830-1845, historiani i njohur, Prof. Dr. Qemal Haxhihasani, midis të tjerash ka shkruar: “Duke ndjekur shembullin e Sulltan Mahmudit që vrau Jeniçerët në Ajtmejdan më 1826-ën, Mehmed Reshid Pasha organizoi një masakër të shëmtuar që njihet në histori me emrin Masakra e Manastirit. Ai thirri në këtë qytet, krerët e Toskërisë, kinse për t’ju dhënë rrogat e prapambetura nga lufta greke dhe për t’i nderuar me tituj e nishane për shërbimet që i kishin sjellë Sulltanit. Këtu, më 30 korrik 1830, në çastin kur po zhvilloheshin ceremonitë ushtarake, një batare pushkësh shtriu tradhtisht më se 50 vetë nga të ftuarit. Kokat e tyre u shpunë në Stamboll si fitore e madhe e armëve turke.
Mjerisht për këtë ngjarje të shënuar nuk kanë mbetur veçse disa fragmente popullore”. Nisur nga kjo ngjarje makabre, e cila është përshkruar edhe nga historianë të tjerë si: Prof. Dr. Petrika Thengjilli, Stavri Naçi, etj, sipas disa burimeve historike, Zylyftar Poda, nisi menjëherë luftën kundër Portës së Lartë dhe për këtë ai kërkoi edhe ndihmën e Bushatllinjëve të Shkodrës. Kjo gjë i përket vitit 1821 dhe këtu filloi rebelimi i Zylyftar Podës kundër Turqisë, rebelim i cili që nga ajo kohë e deri në vitin 1831, shkoi me paqe dhe luftë, paqe e luftë.
Rrëfimi i ish-zv / ministrit: “Bashke me Enver Hoxhën e pamë bustin e Zylyftar Podës në Muzeun e Luvrit”
Zylyftar Poda, është shqiptari i vetëm që ka një bust në Muzeun e famshëm të Luvrit në Paris, bust i cili është vizituar edhe nga Enver Hoxha dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar që morën pjesë në Konferencën e Paqes të mbajtur në Paris në fillimin e muajit shtator të vitit 1946. Kjo gjë bëhet e ditur nga ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme në vitet 1945-’48-të, Myftar Tare, i cili në një intervistë ekskluzive që na ka dhënë vite më parë, midis të tjerash kujtonte: “Në fillim të shtatorit të vitit 1946, unë u ngarkova që të shoqëroja Enver Hoxhën gjatë udhëtimit që ai do të bënte në Paris, ku ishte i ftuar të merrte pjesë në seancat e mbledhjes së Konferencës së Paqes. Në agjendën e asaj vizite në Paris, Enver Hoxha dhe grupi që e shoqëronte (Hysni Kapo, Manol Konomi, Kareman Ylli, etj), ishte planifikuar edhe një vizitë në Muzeun e famshëm të Luvrit. Ashtu siç ishte planifikuar, ne vajtëm për të vizituar Muzeun e Luvrit, ku qëndruam plot 9 orë në pavijonet e tij. Gjatë asaj vizite, në një nga stendat e atij muzeu, ne pamë një bust të vogël të Zylyftar Podës, bust i cili nuk ishte më shumë se 30 cm. I pari atë e pa Kareman Ylli, i cili menjëherë na ftoi në të tjerëve që u mblodhëm të gjithë aty. Teksa po shikonim bustin e Zylyftar Podës, Enveri tha: ‘Interesant, këtu nuk paska shqiptar të tjerë, qenka vetëm Zylyftar Poda’. Enveri natyrisht që dinte diçka për figurën e Zylyftar Podës dhe ajo gjë nuk i erdhi krejt papritur. Pasi qëndruam për disa minuta duke parë bustin, shikuam rreth e rreth stendave se mos kishte ndonjë gjë tjetër që kishte lidhje me të ose më Shqipërinë, por nuk kishte asgjë. Pas kësaj ne u larguam duke parë stendat e tjera të muzeut dhe për figurën e bustin e Zylyftar Podës, nuk u fol më ndërmjet nesh”.
Siç shihet edhe nga dëshmia e Myftar Tares, Enver Hoxha duket se ka pasur dijeni dhe ka ditur shumë për figurën dhe aktivitetin patriotik të Zylyftar Podës, pasi rreth 40 vjet më vonë, kur ai botoi librin me kujtime “Vitet e vegjëlisë”, i kushton faqe të tëra figurës së kapedanit të famshëm të Podës. Madje sipas kujtimeve të tij, kur ishte në Liceun e Korçës, Enveri kishte luajtur rolin e Zylyftarit në një nga dramat që organizonte shkolla e tyre në atë kohë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016