Nga Spartak Topollaj
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1947 dhe bëjnë fjalë mbi të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Edip Tërshanës, Jani Konomit dhe Hysni Alimerkos”, të cilët së bashku edhe me tetë persona të tjerë, u arrestuan që nga muaji qershor i atij viti dhe pasi u mbajtën disa kohë të arrestuar dhe nën tortura, dolën në gjyq në muajin nëntor, ku Gjykata Ushtarake e Elbasanit, e kryesuar nga Kapiteni i I-rë, Myftar Grabocka, dënoi me vdekje krerët kryesorë të saj dhe të tjerët me burgime të rënda. Kush ishte Edip Tërshana dhe promemoria e njohur që ai i dërgoi Enver Hoxhës pak ditë para ekzekutimit, të cilin ai e akuzonte për tradhti të rëndë kombëtare dhe ajo gjë u bë shkas që ai të ekzekutohej më 17 janar të vitit 1948.
Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhti të Atdheut, se jo vetëm hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor, Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomikisht. Menjëherë që me ardhjen e tij në pushtet në fundin e nëntorit të vitit 1944, e deri në fundin e 1990-ës, regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi dhe vijoi në mënyrë lineare, goditjet me arrestime, burgime, ekzekutime dhe internime ndaj të ashtuquajturve grupe armiqësore, të cilat në pjesën më të madhe të tyre i inskenonte vetë me anë të Sigurimit të Shtetit.
Një gjë e tillë rezulton të ketë ndodhur edhe 53 vjet më parë, në 21 nëntorin e vitit 1947, kur Gjykata Ushtarake e Elbasanit që shtrinte funksionet e saj edhe në qytetin e Peshkopisë, gjykoi dhe dënoi një të ashtuquajtur grup armiqësor, të kryesuar prej; Edip Tërshanës, Jani Konomit dhe Hysni Alimerkos, të cilat të akuzuar si “koka e grupit” u dënuan me vdekje.
Ndërsa pjesa tjetër e të pandehurve, morën dënime të ndryshme; nga burgime përjetë, deri 15 vjet heqje lirie. Ashtu siç bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor, me vendimin e Gjykatës Ushtarake të Elbasanit të kryesuar prej Kapitenit të I-rë, Myftar Grabocka, që e publikojmë ekskluzivisht për Memorie.al, grupi në fjalë përbëhej prej pjesës më të madhe nga intelektualë me shkolla të larta (të diplomuar në universitetet e Europës), të cilët gjatë Luftës ishin rreshtuar në anën e të ashtuquajturit Frontit Demokratik dhe deri në atë periudhë kohe që edhe u arrestuan, kishin shërbyer si nëpunës të Pushtetit Popullor.
Arrestimi dhe dënimi i tyre vinte pas dënimit të ashtuquajturit “Grupi i deputetëve” në Tiranë dhe gjithnjë duke i’u referuar dokumentit në fjalë, edhe “Grupi i Peshkopisë”, kishte lidhje me atë grup që ishte dënuar në Tiranë. Përveç vendimit të dënimit të këtij grupi, në këtë shkrim po publikojmë edhe një letër, promemorien që Edip Tërshana, i cili etiketohej si “koka e grupit”, i ka dërguar Enver Hoxhës, pak para ekzekutimit.
Promemoria në fjalë, të cilën Tërshana mundi t’a nxirrte nga qelia të fshehur në rrobat e trupit që i merrte familja, duhet thënë se është mjaft e njohur, pasi është publikuar edhe herë të tjera, por ne po e risjellim në vëmendje të lexuesit, për të parë kthjelltësinë e mendimit, analizën e thellë dhe guximin e treguar prej tij, për t’ia thënë hapur Enver Hoxhës, mbi regjimin kriminal që ai dhe klika e tij po instalonin në Shqipëri. Si dhe për ta krahasuar atë promemorie me vendimin e Gjykatës Ushtarake, (anën propagandistike dhe politike të tij), ku duket qartë një hendek i madh…?!
Vendimi i Gjykatës Ushtarake të Elbasanit
Akt-gjykimi Gjykatës Ushtarake të Elbasanit me funksione në Peshkopi, mbi dhënien e dënimeve me vdekje të Edip Tërshanës, Jani Konomit, Hysni Alimerkos dhe të dënuarve me privim lirie të akuzuarve të tjerë të Grupit të Peshkopisë.
Peshkopi 21.11.1947
N’emën të popullit
Gjykata Ushtarake Elbasan me funksione në Peshkopi, u formue prej:
Kapiten i I-rë Myftar Grabocka Kryetar
Toger R. H. Antar
N/Toger Sh. I. Antar
Tue qenë gati dhe prokurori, Kapiten i II-të, K. M. dhe me asistimin e Sekretarit kapter, A. H.
Sot me datë 21.11.1947 u mbëloth për të gjykuar të pandehurit;
- Edip Tërshana nga Dibra e Madhe dhe banues në Peshkopi, i rreshtuar më datë 17 maj 1947.
- Jani Konomi nga katundi Nartë e Vlorës dhe banues në Vlorë, i rreshtuar më datë 25.8.1947.
- Hysni Alimerko nga katundi Tragjas i Vlorës dhe banues në Vlorë.
- Rexhep Mborja nga Mborja e Korçës dhe banues në Korçë.
- Alqi Nushi lindur dhe banues në Berat i rreshtuar më datë 3.11.1947.
- Abaz Shehu lindur dhe banues në katundin Brezhdan të Peshkopisë, i rreshtuar më datë 23 qershor 1947.
- Refat Dibra nga Shkodra dhe banues në Peshkopi provizorisht, i rreshtuar më datë 19 qershor 1947,
- Medi Ndreu, lindur dhe banues në katundin Sllovë të Peshkopisë i rreshtuar më datë 17; 9.1947,
- Adem Shehu lindur dhe banues në katundin Brezhdan të Peshkopisë i rreshtuar më datë 17.9.1947,
- M…. Sh…. (nuk lexohet emri), lindur në Tiranë dhe banues në Peshkopi i rreshtuar më datë 17 maj 1947 dhe 12)
- F… P… (nuk lexohet emri), lindur dhe banues në Zerqan i rreshtuar më datë 17.9.1947, të akuzuar se:
Gjithë të pandehurit e sipër përmendur, duke qenë të organizuar me njëri tjetrin në grupe të ndryshme terroriste, kanë kryer faje kundra popullit dhe Shtetit, duke patur si qëllim kryesor rrëzimin e Pushtetit Popullor me violencë.
Pasi bisedoj çështjen në fakt-
K o n s t a t o n
Se të gjithë të pandehurit në bashkëpunim njeri me tjetrin dhe në mënyrë të organizuar kanë formuar grupe të ndryshme terroriste si në qytet (Peshkopi), ashtu dhe në rrethe, me në krye të pandehurit; Edip Tërshana, Jani Konomi, Hysni Alimerko, Rexhep Mborja, Alqi Nushi dhe në bashkëpunim edhe me të pandehurit, Selim Gracani, Adem Shehu e të tjerë si Refat Dibra …….. (pesë personave nuk i’u lexohet dot emri. Shënimi ynë), ku një pjesë e të pandehurve duke qenë të lidhur prej kohe dhe anëtarë të organizatës terroriste të ashtuquajtura: Parti Demokratike, Socialiste, Ball, Legalitet e të tjera, organizata këto terroriste që janë zbuluar me komitetet e tyre Qendror në Tiranë, duke patur në krye armiq të popullit dhe të shtetit si Gjergj Kokoshi, Suat Asllani, dhe më në fund Grupin e Deputetëve, tradhtar e të tjerë si këta, të cilët organizata, të pandehurit kanë pasë lidhje të ngushta duke qenë anëtarë të tyre dhe si të tillë kanë marrë angazhime për zgjerimin e këtyre organizatave duke punuar në këtë Qark dhe në rrethe të tjera.
Për të gjitha këto, gjykata bije bindje të plota se gjithë të pandehurit kanë qenë koshient për veprimtarinë e kryer dhe armiq të betuar të Pushtetit Popullor, duke qenë konsekuent në këtë drejtim, pse kanë ditur mirë konsekuencat e veprimtarisë, mbasi të gjithë të pandehurit, me përjashtim të tre katër rasteve, janë elementë intelektualë me arsim të lartë dhe nënpunës të Pushtetit që kanë ditur të peshojnë çdo gjë, dhe si të tillë, janë përgjegjës si për sabotimin e punës në çdo sektor që u kishte besuar Pushteti, ashtu dhe për ekzistencën e të arratisurve kriminelë dhe armiq të popullit në këtë Qark.
Veprimtaria e të gjithë të pandehurve provohet me deponimet e tyre direkt dhe pjesërisht indirekte para gjyqit, ashtu dhe me proces-verbalet e zhvilluara nga seksioni i Sigurimit të Shtetit, si dhe nga relacionet Shkoqitëse të Prokurorisë Publike të këtij Qyteti.
Fajësia e të gjithë të pandehurve parashikohet prej Nenit 3. të numrave 1. 3. e 8. të ligjeve Nr. 372 datë 12 Dhjetor 1946, mbi fajet penale kundra popullit dhe Shtetit, botue në Fletoren Zyrtare Nr.118 datë 28.12.1946 dhe i ndëshkuam prej nenit 4 paragrafi i I-rë po të ligjës së sipërme.
Prandaj
Trupi gjykues bashkërisht dhe konform kërkimit të prokurorit
V e n d o s i
Dënimin e të pandehurve Edip Tërshana nga Dibra e Madhe, Jani Konomi nga Narta e Vlorës dhe Hysni Alimerko nga Tragjasi i Vlorës me VDEKJE, humbje e përhershme e të drejtave Politike civile.
Dënimin e të pandehurve; Rexhep Mborja dhe Alqi Nushi me privim lirie për jetë, me punë të detyrueshme si dhe me humbje të së drejtave Politike dhe civile për aq kohë.
Dënimin e të pandehurve; Selim Gracani, Adem Shehu me nga 15 vjet privim lirie, punë të detyrueshme si dhe humbjen e të drejtave Politike dhe civile për 5 vjet kohë.
Dënimin e të pandehurit Rifat Dibrës me 10 vjet privim lirie, punë të detyrueshme dhe humbjen e të drejtave Politike dhe civile për 5 vjet kohë.
Dhe dënimin e të pandehurve: (pesë personave nuk u lexohen dot emrat), me nga 3 vjet privim lirie, punë të detyrueshme dhe humbje e të drejtave Politike dhe civile për 5 vjet kohë. Tue fillue dënimi si mbas datës së rreshtimit të tyre.
Të gjithë të pandehurve u caktohet për me paguen dhe shpenzimet gjykore lek 54 solidarisht.
Përsa i përket dënimeve me Vdekje, aktet i dërgohen Gjykatës Lartë Ushtarake për Shqyrtim dhe Aprovim. Për të gjithë të pandehurit e tjerë ky vendim mund të kundërshtohet brenda 8 ditëve nga data e deklarimit.
Peshkopi, më 21.11.1947
S e k r e t a r i Kryetar’i Gjykatës Ushtarake
(Beluli Sulo) Kapiten I-rë, Myftar Grabocka
Promemorie e Tërshanës: “Enver, këtë varr po ja bani atdheut edhe me politikën tuaj të jashtme…”!
Enver!
Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare.
Unë isha në Dibër krijuesi i saj.
Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhti të Atdheut, se jo vetëm hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor, Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomikisht.
Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetërore dhe para-shtetërore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtme e juaj sllave ka shkaktuar që UNÇ të jetë kundër nesh humbin shumë miq; kjo është Tradhti.
Jam kundra për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq, që i bëhen këtij populli, pse kështu don sllavi.
Për 20.000 – 30.000 që dergjen në burg, se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti.
Ky është pushteti që varfnoi tregun shqiptar për të vesh këlyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkohë që ne kishim për 20 vjet vesh-mbathje; kjo është pra tradhtia.
Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregtarët po ja shet ma shtrenjtë se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve kinse janë spekulatorë.
Kurse Pushteti është në spekulator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grurin 10 lekë ja shiti 15 mori duhanin 15-20 fr dhe ja shiti 100-120 fr. Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e të Titua. Kjo është tradhti.
Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion fr. shqiptare për të ushqyer Pecot e mashorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhti këto?
Jam kundra thirrjeve “Jemi bijtë e Stalinit”, sepse ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë sa kur përmend Stalinin, të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra se injoranca s’don kulturën; kështu duan sllavët. Kjo besoj është tradhti.
Jam kundra sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin? Jam kundra se në Historinë për Shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve, e se ilirët e lavdishëm u zhdukën!
Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepulli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotëm në Shqipëri, ja mbërriti dhe kësaj ëndrre.
Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht.
Jam kundra, se oficerë të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabitë gratë e botës, me grabitë karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi.
Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?
Enver!
Tue shfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranu se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mban. Pret nënë e mjerë, pasi i ati të vrasë të birin e bijtë e vet. Edhe kjo është tradhti e pushtetit popullor.
Ky pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhti e naltë.
More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shihni faktin që po i bëni popullit varrin.
Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut edhe me politikën tuaj të jashtme.
A s’është tradhti? Rroftë Ideali Kombëtar, Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ja falët Jugosllavisë! Rroftë Populli shqiptar!/Memorie.al
Rroftë flamuri kombëtar i panjollosur!
Edip Tërshana
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016