Nga Eugen SHEHU*
Memorie.al / Kanë qenë ditët e para të nëntorit 1912, atëherë kur atdhetarët shqiptarë të viseve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, të bindur se duhet të flaknin njëherë e përgjithmonë natën e zezë osmane dhe pushtuesit serbo-sllav, u lidhën fort ngushtë me pushkë dhe pendë, për arritjen e kuvendit historik të Vlorës. Në këtë kuvend pos të tjerave, si përfaqësues i Maqedonisë shqiptare, u zgjodh njëzëri, Mehmet Pashë Deralla, atdhetari i madh nga Gradeci i Tetovës, i cili la nderë dhe ofiqe në Stamboll, për t’i shërbyer atdheut të vet, pikërisht në këto momente kulmore, ndërsa burri i shquar tetovar merrte rrugën për në Vlorë, e lajmërojnë se gruaja, Nadirja, lind djalin e tretë. Do të kalonin disa javë, Mehmet Pashë Deralla do të zgjidhej ministër i Luftës në të parën qeveri shqiptare, do të ndërmerrte luftimet e para kundër serbo-sllavëve dhe bullgarëve dhe grekëve, kur do të përkëdhelte birin e vet, Hysenin.
Vitet e para të shkollës, Hysen Deralla, do t’i kalonte në Tetovë. Ai do të dallohej jo vetëm për zellin në mësime, por sidomos edhe për shkrimin në gjuhën shqipe. Vlen të mos harrohet fakti që menjëherë pas copëtimit të trojeve shqiptare, në muajt e vitit 1913, mbi shqiptarët etnik, të cilët mbeteshin jashtë kufijve të shtetit amë, u shtrua një dhunë e pashembullt fizike dhe shtetërore. Në shkollat e Tetovës, në ato vite mësohej serbisht dhe bullgarisht, turqisht….por vetëm shqipja ndalohej.
Por dera e shquar e Derallajve veçmas Mehmet Pasha, ishin kujdesur për fëmijët e tij të mësonin fshehurazi gjuhën e nënës, kjo derë edhe në vitet që do të vinin, do të shndërrohej në fole të ngrohtë të shqiptarizmës. Ndërsa Hyseni i vogël vazhdonte mësimet në Tetovë më 1919-1924, vëllai i madh i tij Halimi, do të shquhej, ndër vise të Maqedonisë shqiptare. Në vitin 1921 në Parlamentin e parë shqiptar, Halimi dërgohet si përfaqësues i Maqedonisë shqiptare, pasi dihej që ky parlament përfaqësohet nga të gjitha trevat etnike shqiptare.
Në këtë mënyrë, meqenëse Halimi pjesën më të madhe të kohës e kalonte në Tiranë, në vitin 1926, ai merr nga Tetova, vëllanë e vogël, Hysenin dhe e vendos në konviktin “Naim Frashëri” në kryeqytetin shqiptar. Edhe në gjimnazin e Tiranës, Hyseni do të dallohej për zellin në studime, por edhe për atë frymë atdhetare që sillte prej Tetovës së robëruar nga serbo-sllavët. Shokët e tij të atyre viteve, mbajnë mend se në çdo rast që Hyseni gjimnazist shihte në Tiranë flamurin kuqezi, vraponte ta puthte i përlotur atë. Mandej me mbarimin e shkollës së mesme, Hyseni u përpoq të vazhdonte më tej mësimet e larta.
Por, një urdhër i Mbretërisë Srbo-Kroato-Sllovene, e ka thirrur në ushtri dhe për dy vjet me radhë, 1931-1933, Hyseni kryen shërbimin ushtarak në Sarajevë. Ndonëse i rreshtuar në formacionet e Mbretërisë së Jugosllavisë, Hysen Deralla do të dallohej për ndjenjat e tija mëmëdhetarë. Ndonëse fliste disa gjuhë, ndonëse mund t’i hynte karrierës ushtarake në Sarajevë, biri i Derallajve, preferoi që pas kryerjes së shërbimit ushtarak, të shkojë sërish në vendlindje. Tetova ishte për të, jo vetëm dashuria prindërore me kujtimet, por sidomos plaga që kullonte gjak e që duhej shuar. Ndërkaq në Tetovë, familja e Derallajve ishte vënë në shënjestër të pushtetit policor serbo-sllav. Veprimtaria atdhetare e Halimit, pat merakosur Beogradin e Sofjen.
Duke ndjerë se krejt këto trazira, mund të binin mbi vëllanë e vogël, Hysenin, vëllezërit më të mëdhenj e këshilluan atë të shkojë në Tiranë. E vërteta është se, në vitet “30-ta, shteti amë prita me mijëra atdhetarë shqiptarë në Kosova, Maqedonia, Çamëria, e Mali i Zi, të cilët përndiqeshin nga qeveritë përkatëse, për shqiptarizmin e shpallur të tyre. Në vitin 1940, Hyseni caktohet si kryepunëtor në rrugën Tiranë-Durrës, tejet korrekt në zbatimin e detyrave,ai do të ishte njëkohësisht i rreptë me sipërmarrësit italianë, të cilët kërkonin gjithsesi të shfrytëzonin punëtorët e varfër shqiptarë.
Në pranverën e vitit 1942, në kohën kur Mustafa Kruja po drejtonte me dorë të hekurt xhandarmerinë shqiptare, Hysen Deralla, thirret të punojë pikërisht në këto formacione. Truplartë, i heshtur, me vështrim prej shqiponje, Hysen Deralla do të gëzonte shumë shpejt simpatinë e eprorëve dhe shokëve të tij. Por kjo periudhë zgjati vetëm pesë muaj. Kur Mustafa Kruja po merrte operacione ndëshkimore ndaj komunistëve, madje pa kursyer as gjakun, Hyseni u largua duke u thënë miqve: “Komunizmin e di çka asht dhe i trembem fatit të popullit tem. Por gjak shqiptari s’due me derdh askurrë, pse boll na kanë derdh serbo-sllavët”.
Në fillim të vitit 1943 shkon në Tetovë. E vërteta është se pushtimi gjerman i Jugosllavisë, në prill të vitit 1941, pati çliruar shqiptarët etnikë në Kosovë e Maqedoni, prej zgjedhës së urryer serbo-sllave e për më tej, qeveria shqiptare e asaj kohe, pati vendosur pushtetin në ato treva. Flamuri kuqezi valëvitej në krejt viset e Maqedonisë shqiptare dhe shkollat shqipe çeleshin dita ditës. Hysen Deralla bie në kontakt, në Tetovë me nacionalistë të ndershëm të Maqedonisë shqiptare.
Së toku me Gajurin dhe Halimin duke paraparë tek këta trima idenë e madhe të çlirimit nga pushtuesit, si dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare, Hasan Dosti pritet si mik shtëpie, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë shqiptare, prej vëllezërve Deralla. Madje një ngjarje tjetër kulmore, siç ishte Lidhja e Dytë Shqiptare e Prizrenit, do të rezononte deri në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar e Strugë. Në mesin e vitit 1943, filloi ngritja e çetave nacionaliste shqiptare, të cilat kishin së pari si qëllim ruajtjen e qetësisë e mandej luftën kundër pushtuesit.
Në këto momente, së toku me çetat e Xhem Gostivarit, Bajram Dobërdollit, Musa Kranjës, Hamz Rexhepit, Aqif Reçanit, Murat Llabunishtës etj., u rrit dita ditës edhe çeta e Hysen Derallës. Janë dhjetëra e dhjetëra luftëtarë trima të Tetovës e fshatrave përreth, të cilët rrëmbyen armët dhe nën komandën e Hysen Derallës, organizuan një varg aksionesh kundër forcave serbo-sllave.
Gjithashtu, pas kaq vitesh robërie, për të parën herë, Tetova u mbush me nxënës shqiptarë, të cilët vraponin nëpër shkolla, çdo mëngjes, duke kënduar himnin kombëtar të flamurit kuqezi. Së bashku më vëllain e tij, Gajurin, Hyseni do të komandonte rreth 300 djem të Tetovës. Batalioni në fjalë, sipas ideve të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, shërbente në kuadër të Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare, duke qenë në thelb një nismë, për mbrojtjen e viseve etnike të Shqipërisë.
Një varg betejash të këtij batalioni, flasin jo vetëm për guximin dhe trimërinë e bijve të Maqedonisë shqiptare, por edhe për maturinë e vet, në ndalimin e luftës vëllavrasëse. Duhet theksuar se veçanërisht në vitin 1944, pati përpjekje nga nacional-çlirimtarët shqiptarë, për ta inkuadruar batalionin në formacionet e tyre, por përpjekjet e tyre dështuan me turp. Vëllezërit Deralla, hodhën poshtë këtë bashkëpunim madje demaskuan “vëllazërinë” e nacional-çlirimtarëve shqiptarë, me serbo-sllavët.
Ndërkaq, komanda ushtarake gjermane në Shkup, në janarin e vitit 1944, kishte filluar rekrutimin e të rinjve shqiptarë për t’i përdorur ata si mish për top, në formacionet e tyre, kundër ushtrisë jugosllave. Hysen Deralla, gjatë kësaj fushate, u përpoq me çdo mjet të pengonte nismën gjermane, i prirur nga ideja që pas largimit të pushtuesve, mbi djemtë e shqipes, do të binte barra e madhe e luftës kundër serbo-sllavëve. Veprimi atdhetar i birit të Tetovës, bie menjëherë në sy të autoriteteve gjermane, të cilat e arrestojnë dhe e dërgojnë në kamp të përqendrimit.
Dokumentet provojnë po të tjerave se:“Hysen Deralla, i biri i Mehmetit dhe Nadires, lindur në 1912 në Tetovë, në fund të muajit prill 1944, arrestohet nga gjermanët për arsye se nuk pranoj të vishej ushtarak në trupat gjermane dhe njëkohësisht bënte propagandë që edhe të tjerët të mos visheshin. U dërgua në kampin e përqendrimit në Prishtinë. Ka ndenjur atje 20 ditë dhe më pas dërgohet në kampin e internimit me emrin “Byhler Stahynbahu Bicirka” nr.25, Vjenë (Austri).(Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme-Tiranë. Dosja personale e H. Derallës, dokumenti nr.184 /1).
Ndërsa vetë Hyseni, në pranverën e vitit 1993, në shtypin shqiptar do të shprehej: “Unë u përpoqa me të gjithë influencën time të ndaloja mobilizimin e popullsisë shqiptare të zonës së Vardarit nga nazistët, për këtë më ndihmoi dhe kapiteni i parë i Rekrutimit Naxhi Shkupi, duke ditur se nazistët kishin komisione të rrepta që nuk pranonin të gjymtuar në ushtri. Mirëpo Prefekti i Tetovës, Mynir Tërshana, me të cilin kisha përfolur, më kallëzoi te gjermanët, se unë isha penguesi kryesorë i kësaj pune. Më arrestuan bashkë më vëllanë Kapitenin e parë, Gajur Deralla, me të cilin gjithashtu u ndeshëm për çështjen e batalionit ‘Luboteni’, që u quajt batalioni disident, po për këtë problem duhet shkruar një artikull tjetër.
Kështu së bashku na internuan në Prishtinë në “Kampin e Përqendrimit”. Pas një muaji na dërguan në Vjenë, në kampin e quajtur Biciry. Aty thyenim gurë dhe i ngarkonim në kurriz deri në një pikë të caktuar. Jeta në kampin nazist ishte një varr i hapur, por nuk na e merrte mendja se çfarë do të na priste në atdhe pas luftës, në rast se do të shpëtonim. Në maj të vitit 1945 kapitulloi Gjermania dhe ne u liruam”. (Gazeta “Kosova”-Tiranë, prill 1993).
Pranvera e vitit 1945,kishte ardhur e zezë për krejt banorët e Maqedonisë shqiptare, çdo ditë për më tepër nëpër fshatra dhe qytete të kësaj treve, pushkatoheshin djem burra të pafajshëm, kinse patën bashkëpunuar me gjermanët dhe forcat balliste. Në shkurt të vitit 1945, u pushkatuan pa gjyq Kadri Efendi Salihu. Trupi i tij ende sot nuk dihet ku prehet. Më 1 maj 1945, u vra prej dorës tradhtare, dishepulli i Shqipërisë Etnike, Xhem Gostivari dhe të tjerë nacionalistë ndiqeshin këmba këmbës në malësitë e Sharrit, Kaçanikut, Karadakut, Mavrovës etj.
Një muaj pasi i ishte paraqitur në Shkup, Hysen Derallës i marrin pasaportën, kinse për verifikim, ndërsa në majin e vitit 1946, shërbimet sekrete sllavo-maqedonase e arrestojnë dhe pas disa ditësh e dërgojnë në Tiranë. Dhe në shtetin amë do të fillonte kalavri i vërtetë tashmë i atdhetarit të Tetovës, i cili në vitet 1943-1944, ndonëse pat luftuar kundër sllavo-maqedonasve për kufijtë etnike shqiptare, nuk kish bashkëpunuar me Haxhi Lleshin apo komunistë të tjerë sllav.
Kishte ardhur kësisoj ora e hakmarrjes së verbër komuniste, ndaj nacionalistit pollogas Hysen Derallës. Por e vërteta historike tashmë e thotë fjalën e vet, bota shqiptare jep vlerësimet e veta ndaj çdo nacionalisti të ndershëm, kundruall kriminelëve komunistë./ Memorie.al
*Bern-Zvicër














