Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të juristit të shquar tiranas, Dr. Jonuz Tafaj, i cili pasi ishte shkolluar në Selanik, Stamboll dhe Napoli, ku ishte angazhuar me disa prej patriotëve më të shquar të Rilindjes për çështjen kombëtare, u kthye në Shqipëri dhe nga periudha e Monarkisë së Zogut e deri në fundin e nëntorit të vitit 1944, ai punoi si noter, por u arrestua nga komunistët edhe pse ai gjatë Luftës kishte ndihmuar Lëvizjen Antifashiste, duke strehuar komunistë në studion e tij. Akuzat ndaj Jonuzit se kishte strehuar ish-Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë, kolonel Hysni Demën dhe si agjent i amerikanëve, për arsye se pas mbarimit të Luftës, UNRRA, kishte marrë me qera bodrumet e vilës së tyre të madhe, pas sheshit “Avni Rustemi”. Lirimi nga burgu i Dr. Tafajt në vitin 1950-të dhe humbja e profesionit, për arsye se regjimi komunist e kishte suprimuar noterinë, nga ku familja e tij mbeti në mjerim dhe katër vajzat, Vjollca, Lili, Afërdita dhe Fatmira, u detyruan që të shisnin plaçkat e shtëpisë për të siguruar bukën e gojës…!
Familja tiranase Tafaj
Jonuz Tafaj u lind në vitin 1889 në qytetin e Tiranës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, një nga më të njohurat e kryeqytetit. Babai i Jonuzit, Gut Tafaj, nga vitet e para të shekullit të kaluar e deri në fillimet e Monarkisë së Zogut, ka qenë një nga personazhet më të njohur të Tiranës, pasi punonte si qiraxhi me kuaj. Gut Tafaj u lind në vitin 1827, në atë shtëpi ku ndodhet dhe sot “Vila Tafaj”, e cila ka qenë pronë e familjes së tij, e trashëguar në disa breza. Lidhur me plakun e mençur tiranas, e mbesa e tij, Vjollca Tafaj, tregon: “Gjyshi ynë Guti, nuk kishte bërë asnjë klasë shkollë, por ai ishte një njeri i zgjuar nga natyra dhe shumë punëtor. Që në rininë e tij, Guti, filloi të punonte si qiraxhi me kuaj, duke bërë rrugën e Greqisë dhe herë pas here u shërbente edhe familjeve aristokrate, që udhëtonin për në shtetet fqinjë. Nisur nga ajo punë që bënte, Guti shumë shpejt u bë tepër i njohur jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë së Mesme. Ajo punë e bëri Gut Tafajn që të zinte miqësi me shumë nga personalitet e asaj kohe, që njihet si periudha e Rilindjes Kombëtare dhe duke shfrytëzuar karrocën e tij. Ai herë pas here shpërndante libra shqip në Tiranë e qytete të tjera, të cilat vinin fshehtas nga Turqia. Gut Tafaj jetoi gjatë dhe ai vdiq në vitin 1938, në moshën 115-vjeçare”, kujtonte Vjollca Tafaj, lidhur me gjyshin e saj, i cili ka qenë një nga personazhet e njohur të Tiranës së viteve të para të shekullit të kaluar.
Jonuzi student në Selanik
Ndonëse Gut Tafaj për vete ishte pa arsim, ai u kujdes që fëmijëve të tij t’u jepte shkollë dhe ia arriti vetëm me njërin prej tyre, djalin e tretë, Jonuzin. Ndërsa gjashtë fëmijët e tjerë: Xhemali, Osmani, Hamdiu, Sadiku, Sulltania dhe Aishja, nuk u shkolluan shumë dhe u morën me punë të ndryshme. Që kur ishte fare i vogël, Guti e dërgoi të birin e tij, Jonuzin, për të mësuar në shkollën private shqipe të Filip Ashikut. Më pas, aty nga vjeshta e vitit 1905-së, Guti e mori me vete Jonuzin dhe shkuan në Selanik, ku ai u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë të atij qyteti. Lidhur me atë periudhë kohe, por edhe me vitet e tjera të jetës së tij, Jonuz Tafaj ka lënë të shkruara me dorën e tij shumë kujtime, të cilat ruheshin edhe me kujdes të veçantë, nga tre vajzat e tij: Lili, Vjollca dhe Afërdita. Midis të tjerash për periudhën e studimeve në Selanik, Jonuzi ka shkruar: “Isha dhjetë vjeç kur vajta në Selanik, ku vinin nxënës nga Bullgaria, Rumania dhe nga Greqia, të cilët studionin në gjimnazin turk. Në Selanik, ishte qendra e Komitetit të Xhonturqve “Bashkim-Përparim” dhe anëtarët e këtij klubi, kishin studiuar në Francë e Gjermani. Aty në Selanik u ftuan krerët e çetave shqiptare, greke dhe bullgare, të cilët i dhanë besën njëri tjetrit. Aty unë takova për herë të parë me Themistokli Gërmenjin, Bajo Topullin e vëllanë e tij Çerçizin. Në Selanik ne shqiptarët hapëm klube me biblioteka, ku gjendeshin veprat e rilindësve, si të Naimit e Samiut, etj, ku mësohej gratis gjuha shqipe. Po kështu në Selanik kishte ardhur shtypshkronja e Kristo Luarasit, që botonte libra dhe abetare në gjuhën shqipe. Që në Shqipëri unë kisha mësuar gjuhën shqipe të shkrojtur dhe kisha lexuar, Historinë e Skënderbeut, nga ku, unë mësova se ne ishim Komb i veçantë, se ishim shqiptarë dhe jo turq. Ne studentët e Selanikut, themeluam Klubin “Botimi” që u krijua me iniciativën time dhe të Abedin Shkëmbit nga Qesaraja e Kolonjës. Ai Klub ku ishin anëtarë nderi Zija dhe Fuat Dibra, përmbante një bibliotekë me libra shqip, ku mësonin gjuhën shqipe të gjithë çirakët dhe nëpunësit shqiptarë, që jetonin në atë qytet. Në ceremoninë e hapjes së Klubit, unë recitova një pjesë nga poema e Naim Frashërit, “Bagëti e Bujqësi”, shkruhet në kujtimet e Jonuz Tafajt, lidhur me periudhën që ai ishte student në Fakultetin e Drejtësisë, në qytetin e Selanikut. Gjatë atyre viteve që Jonuzi studjoi në atë qytet, ai u inkuadrua në çetën e studentëve shqiptarë, që njihet ndryshme si Çeta e Selanikut, e cila udhëhiqej nga atdhetari i shquar Dervish Hima.
Arrestimi i Jonuzit në Stamboll
Pasi u largua nga Greqia, ku kishte marrë pjesë si anëtar i Çetës së Selanikut, Jonuz Tafaj, shkoi në Stamboll për të ndjekur studimet e lëna përgjysmë. Edhe gjatë asaj kohe që ishte në Stamboll, ai nuk e ndërpreu aktivitetin e tij, në dobi të çështjes shqiptare dhe si rezultat i asaj veprimtarie, ai u arrestua nga autoritetet turke. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, ai ka shkruar: “Pasi më arrestuan, më dërguan në Drejtorinë e Policisë, ku kishte shumë të arrestuar të cilët ishin shtrirë në dysheme si sardele. Njëri nga ata, një korrespondent i një gazete të opozitës, na pyeti për shkakun e arrestimit dhe unë i tregova të vërtetën. Pas kësaj ai më tha se ne kishim shpëtuar nga një rrezik shumë i madh, sepse sonte në mbrëmje turqit e rinj, me në krye Enver Pashën, kishin bërë grusht shteti kundër qeverisë, që ishte akuzuar për neglizhencë për humbjen e Luftës Ballkanike, e kishin vrarë Nazim Pashën, Ministrin e Luftës. Nuk kisha fjetur as një gjysëm ore, kur më thirrën në zyrë, një person që bënte detyrën e hetuesit më pyeti për gjeneralitetet e mia. Kur iu përgjigja pyetjeve të tija, ai me një ton kërcënues më tha: ‘Ti je armik i Turqisë, ti ke lënë shkollën dhe ke marrë pjesë në Çetën e Selanikut, për të ndihmuar Kryengritjen e Kosovës. Ju i dhatë shkas plasjes së Luftës Ballkanike. Ç’deshe me turmën e Babë Aliut. Aty ju njohu një shoku i juaji, që na tregoi për të kaluarën tuaj’. Pas atyre akuzave unë i tregova të vërtetën, duke i theksuar se nuk kisha asnjë arsye që të përzihesha në punët e brendshme të Turqisë dhe politikën e saj, pasi Shqipëria tashmë ishte një shtet i pavarur, ashtu si Greqia dhe Serbia. Pas disa kohësh në Stamboll erdhi babai im, Gut Tafaj, i cili më takoi dhe i thashë se nuk kisha bërë asnjë faj, ai u interesua dhe me anën e Fuat bej Dibrës, më nxori nga burgu”, ka shkruar Jonuz Tafaj në kujtimet e tija, lidhur me arrestimin gjatë kohës që kishte shkuar për studime në Stamboll.
Student në Napoli
Pas lirimit nga burgu i Stambollit, në vitin 1913-të Jonuz Tafaj, u kthye në Shqipëri dhe menjëherë u aktivizua në lëvizjet politike të asaj kohe, duke mbështetur Qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit. Lidhur me këtë periudhë kohe, e bija e tij, Vjollca Tafaj, na tregon: “Në atë kohë babai ynë, Jonuz, mbajti lidhje të ngushta me djalin e Ismail Qemalit dhe shumë nga patriotët e tjerë shqiptarë të asaj kohe. Aty nga viti 1915-të, Jonuzin filluan ta ndiqnin njerëzit e Esat Pashës dhe për t’i shpëtuar atyre, ai u largua nga Tirana dhe shkoi në qytetin e Shkodrës, tek disa miq të gjyshit tonë, Gut Tafajt. Duke e parë gjendjen në të cilën ndodhej babai, vendosi dhe u nis për në Itali, duke qëndruar në San Demetro Korona, ku me ndihmën e Kostaq Cipos, ai mësoi gjuhën italiane dhe latinishten. Në fillim babai i nisi studimet në qytetin e Romës dhe më pas iku dhe u vendos në qytetin e Napolit, ku e filloi fakultetin e Drejtësisë nga e para, pasi atje nuk njiheshin studimet, që ai kishte bërë në Selanik. Babai qëndroi për katër vite në qytetin e Napolit, ku përveç studimeve, ai punonte dhe si komisioner duke ndihmuar për përgatitjen e dokumenteve, studentët shqiptarë që shkonin në Amerikë. Tre vitet e para të shkollës, ai i bëri me pagesë, ndërsa vitin e fundit me ndihmën e mikut të tij, Osman Myderizit, Ministria e Arsimit në Tiranë, i akordoi një bursë shtetërore. Pasi qëndroi për afro 11 vite në Itali, babai u kthye në Shqipëri në vitin 1925 dhe për një vit ai qëndroi i papunë. Më pas me ndërhyrjen e Lalë Krosit, babai u rregullua në punë si gjyqtar paqtues në Ersekë. Punoi një vit atje, ai u kthye në Tiranë, ku filloi punë si noter publik dhe në atë profesion, ai punoi gjatë gjithë periudhës së Monarkisë e atë të Luftës”, kujtonte Vjollca, lidhur me babanë e saj, Jonuzin.
Arrestimi në vitin 1947
Ndonëse Jonuz Tafaj, nuk ishte përzier asnjëherë me politikë si gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ashtu dhe gjatë viteve të Luftës Antifashiste, ai u shpall person i rrezikshëm nga komunistët që erdhën në pushtet, në dhjetorin e vitit 1944. Lidhur me këtë, e bija Vjollca na tregonte: Gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nac-Çlirimtare”, familja jonë e ndihmoi pa rezerva, lëvizjen duke dhënë shuma të mëdha parash, për partizanët dhe në shtëpinë tonë u strehuan për një javë dy komunistë ilegalë, të cilët kishin shpëtuar rrethimit në bazën e Kodrës së Kuqe, ku u vra Vojo Kushi. Njëri prej tyre quhej Uran Dino dhe tjetri ishte një shoku i tij, që s’ia kujtoj dot emrin. Po kështu babai ynë, Jonuz Tafaj, në zyrën e tij ku punonte si noter, mbante komunistë ilegalë, gjoja si asistentë të tij, deri sa ata largoheshin nëpër çetat partizane. Edhe pse ne si familje kishim dhënë gjithë atë kontribut, për Luftën, akoma pa u çliruar mirë Tirana, në shtëpinë tonë erdhën rreth 40-të partizanë dhe e arrestuan babanë, duke i bërë presion e duke e akuzuar, sikur ai kishte mbajtur në shtëpi, Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë, kolonel Hysni Demën. Pasi e mbajtën një ditë në hetuesi, atë e liruan dhe këtë gjë e përsëritën edhe dy herë të tjera, duke e arrestuar dhe e liruar përsëri. Deri në vitin 1947, babai punoi si noter dhe në atë vit pas suprimimit të atij profesioni nga ana e shtetit, ai ngeli pa punë dhe ne u detyruam të shisnim njërën nga shtëpitë, me gjithë plaçka për të siguruar bukën e gojës. Atë që komunistët nuk e bënë në nëntorin e vitit 1944, e realizuan në 15 shtatorin e vitit 1947, kur tre oficerë të Sigurimit, erdhën në shtëpinë tonë dhe pasi kontrolluan të gjitha skutat, duke marrë çfarë deshën, morën me vete motrën tonë të vogël, Fatmirën dhe shkuan e arrestuan babanë, që ndodhej tek shtëpia e tezes sonë, në Rrugën e Durrësit, ku ai kishte shkuar për vizitë me nënën. Pasi e mbajtën rreth 11 muaj në hetuesi, duke e torturuar në mënyrën më barbare, më 5 shtator 1948, atë e nxorën në gjyq dhe e dënuan, me pesë vite burg politik, duke e akuzuar si ‘fashist, shok të Mustafa Merlikës, si dhe agjent i anglo-amerikanëve’, për arsye se në 1945-ën, UNRRA, kishte marrë me qera bodrumet e shtëpisë sonë”, kujton Vjollca lidhur me arrestimin e babit të saj, Jonuz Tafaj.
Persekutimi i Jonuzit dhe familjes
Pas arrestimit të Jonuz Tafajt, katër vajzat e tij, Afërdita, Vjollca, Lili, Fatmira dhe nëna e tyre, Habibe Tafaj, mbetën si mos më keq, pasi komunistët ua morën shtëpinë dhe atyre iu lanë vetëm një dhomë e një barake, në oborrin e vilës së tyre. Jonuzi u lirua nga burgu në vitin 1950-të dhe që nga ajo kohë, ai nuk mundi që të punonte dot më, pasi ishte i lodhur dhe i drobitur nga torturat dhe sëmundjet, që mori gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit. Vjollca Tafaj e kujton me lot në sy atë periudhë kohe, për të cilën shprehej: “Pas dënimit të babait, ne mbetëm shumë keq dhe për të siguruar bukën e gojës, detyroheshim të shisnim ato pak plaçka, që na kishin mbetur në shtëpi. Duke qenë se babai njihte shumë mirë gjashtë gjuhë të huaja, me ndihmën e Aleks Budës, ai punoi si bashkëpunëtor i jashtëm, në Institutin e Historisë dhe Kulturës Popullore, ku paguhej fare pak, me disa honorarë që ia jepnin për hatërin e Prof. Budës. Ne na quanin familje reaksionare dhe nga të katër motrat, vetëm unë munda që të mbaroja shkollën e lartë, me ndihmën e Ministrit të Arsimit, Shemsi Totozanit, i cili nuk deshi të dinte fare për biografinë tonë. Unë munda të punoja mësuese muzike në Lice, ndërsa motra tjetër, Lili, që ishte e talentuar në piano, pati gjithë ato konsekuenca, duke e hequr disa herë nga koncertet. Vetëm në vitin 1988, kur shihej se diçka po ndryshonte, asaj ia dhanë titullin Artiste e Merituar”, kujtonte Vjollca Tafaj, vitet e persekutimit të babait dhe familjes së tyre, ku ajo me tre motrat e saj, Lilin, Afërditën dhe më të voglën, Fatmirën, nuk patën mundësinë që të krijonin dot familjet e tyre, për faktin e vetëm, se ishin të bijat e Jonuz Tafajt, intelektualit të diplomuar në Perëndim, që regjimi komunist e shpalli armik, duke e burgosur dhe persekutuar deri në vitin 1970-të, kur ai ndërroi jetë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016