Nga Xhevahir Gradica
Memorie.al / Dy breza Allamanë në fshatin Kurdari të Burrelit në krahinën e madhe të Matit, janë pushkatuar, dënuar me dhjetëra vite burg, internuar, djegur e persekutuar në 45 vite, vetëm pse krerë të fisit të fshatit nuk pranuan të bashkëpunonin me forcat komuniste, në mbrojtjen e trojeve nga gjermanët. Në sarajet e Allamanëve, kishin strehë forcat e Abaz Kupit, me urdhër të të cilit qëndruan për disa ditë edhe misioni anglez, në dimrin e ashpër të vitit 1944. Isuf Allamani e Dyl Allamani, do të vendoseshin para togave të zeza, njëri fill pas çlirimit, kurse i dyti pa u mbushur viti. Pas tyre, Man Allamani, Selman Alamani, Sherif Allmani, Petrit Allamani dhe Asllan Allamani, do të dënoheshin për “agjitacioni e propagandë dhe tentativë arratisje”, duke vuajtur birucave të Sigurimit të Shtetit shqiptar dhe në qelitë e burgut të Spaçit e Burrelit.
Një familje e shuar e gjitha…!
Gjashtëdhjetë vite burg, pesë kulla të larta të djegura, dy burrat më të dëgjuar të fisit Allamani, të pushkatuar dhe dhjetëra bagëti të sekuestruara së bashku me të gjithë pasurinë e atyre shtëpive. Eduart Allamani, djali i Petrit Allamanit të dënuar me 20 vit burg, tregon se fisi i tij, është vrarë, burgosur dhe është djegur, vetëm pse ishin nacionalistë. Eshtrat e Isuf Allamanit, të vrarë tek Ura e Beshirit, kanë qenë të groposura për 48 vite, duke qëndruar larg familjes, deri në vitin 1992.
Të njëjtin fat, por më të hidhur, e pati Dyl Allamani, i pushkatuar në vitin 1945, në pranverën e parë pas mbarimit të Luftës dhe që atëherë, eshtrat e patriotit të njohur nuk janë gjetur më! Nga të gjithë të dënuarit që kanë hequr tmerre në burgjet e diktaturës, ka mbetur vetëm Asllan Allamani, i cili jeton me të bijën në Tiranë, kurse kullat në fshatin e dëgjuar për atdhetarizëm, (Kurdari të Matit), janë rindërtuar pas përmbysjes së sistemit komunist.
Për qëndresën e matjanëve dhe veçanërisht për rezistencën e burrave të kullës së Isuf e Dyl Allamani, janë shkruar shumë rrëfime, një pjesë e të cilave kanë jetuar deri në ditët e sotme pasi, janë përcjellë gojë më gojë. Në to përcillet vendosmëria e burrave për të mbrojtur me jetën e tyre deri në vdekje, krahinën e Matit. Të tjera rrëfime dhe episode dëshmojnë pushtetin e fjalës së Isuf, Dyl e Selman Allamani, të cilët sakrifikuan gjithçka për nderin e vendit të tyre, kundër pushtuesit italo-gjerman.
Në luftën e Matit, e njohur si luftë e nacionalistëve shqiptarë kundër forcave naziste gjermane, është plagosur Man Allmani, ndërsa forcat nacionaliste, detyruan pushtuesin të tërhiqet. Ka të tjera materiale të mbërritura deri më sot, që dëshmojnë se janë paguar napolona floriri, për të “hequr” qafe Dyl Allamanin, për shkak të pushtetit që ai kishte në Kudari, Patin, Lis e në Dibrën e Madhe e të Vogël. Allamanët, të nisur nga shprehja matjane “Matin e çlirojnë vet matjanët, pa nevojën e të huajve”, nuk përkrahën as Haxhi Lleshin e as Shefqet Peçin, të cilët nuk mundën të shtronin vëllezërit Allamani të fshatit Kurdari.
Dy herë u provokua djegia e kullave, për t’u shkrumbuar vetëm në vitin 1945, pas një marshimi të një batalioni të tërë partizan të kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili vrau 18 burra të fshatit dhe dogji të gjitha kullat e Allamanëve, në shenjë hakmarrjeje, duke lënë gratë, fëmijët dhe pleqtë e fisit, në të ftohtë, në ngricë e në dëborë, pa asnjë mbështetje. Dyl Allamani, duke parë egërsinë e Mehmet Shehut, vendosi të dorëzohet për të shpëtuar nga plumbi burrat e nipërit e fisit të tij.
Mëria e Haxhi Lleshit me Allamanët…!
50-vjeçari Dyl Allamani, u soll në Tiranë dhe është ekzekutuar natën në Breg Lum të Tiranës, por pa mundur të mbyllë hasmërinë me regjimin komunist. Miqësia e vëllazërimi me Myslim Pezën, nuk e shpëtoi dot burrin e kullës së famshme të Allamanve, për të përfunduar në plumb, edhe pse komandanti i çetës së Pezës, mundi të bindte Enver Hoxhën, për t’i falur jetën Dyl Allamanit…! Mëritë e vjetra të Haxhi Lleshit me Allamanët, ishin më të forta sesa lutjet e Myslim Pezës!
“Nëse nuk do të pushkatosh Dyl Allamanin, më vra mua”, mësohet t’i këtë thënë Haxhi Lleshi, komandanti të përgjithshëm, Enver Hoxhës, ndikimi i të cilit ka qenë vendimtarë për fatin e jetës së 50-vjeçarit Allamani. Regjimi komunist i sapoardhur në pushtet, kishte lënë mënjanë atdhetarin Suljeman Allmani, babai Dyl, Isuf, Selman dhe Shahin Allaman, i cili është vrarë në Shkodër, teksa luftonte kundër dyndjeve serbo-malazeze. Regjimi komunist e mbuloi me harresë emrin e këtij patrioti të madh, për t’u ribërë edhe një herë vetëm në vitet e pas rënies së diktaturës. Sulejman Allmani, është dekoruar me titullin “Dëshmor i Atdheut”, duke rikthyer lavdinë dhe nderin në kullat e fshatit Kurdari të Burrelit.
Pushkatimi
Vëllezërit Dyl, Isuf, Selman dhe Shahin Allamani, gjatë rezistencës kundër pushtuesit të huaj, (1939-1944) përkrahën dhe mbështetën forcat nacionaliste të Legalitetit, të komanduara prej major Abaz Kupit. Allamanët, kishin ndikim të madh në Kurdari të Burrelit dhe miqësi me fise shumë të njohura e të forta (në pushkë e në penë) jo vetëm në krahinën e Matit, por edhe më gjerë në të gjithë Shqipërinë e Mesme dhe Veriun e Shqipërisë. Ndër to mund të përmendim lidhja që kishin ata me fisin e njohur Deliallisi në Shijak të Durrësit, për shkak të frymës dhe bindjeve nacionaliste që kishin dy fiset, lidhje e cila do të bëhej shkak dhe do u kushtonte jetën, dy prej burrave të fisit matjan.
Isuf Allamani, kishte përfunduar studimet e larta në Firence të Italisë, për Mjekësi Veterinare dhe aty në vendin fqinj përtej Adriatikut, ai ishte njohur me italianen Leonela, me të cilën pati vetëm një djalë, pasi Isufi, do të pushkatohej nga regjimi komunist në moshën 37-vjeçare. Gjatë viteve 1936-1944, Isufi ishte drejtor në Fermën e Xhafzotaj dhe aty ai mbarështoi racat më të mira të gjedhit. Pikërisht në këtë periudhë kohe, nisi njohja me familjen e Deliallisëve, të cilët kishin bërë figurë të keqe tek komunistët e rrethit të Durrësit.
I shkolluar në Firence, ai ka lënë një sërë dorëshkrimesh, të cilat pritet të botohen shumë shpejt dhe që mund të jenë të vlefshme për auditorin e studentëve të degës së Zooveterinarisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Menjëherë pas mbarimit të Luftës në vitin 1944, vëllezërit e tij, filluan të shiheshin me dyshim, pasi ata kishin organizuar rezistencë kundër forcave partizane, duke mos i lënë të futeshin në fshatin Kurdari, ndërsa për disa ditë, me porosi të Abaz Kupit, mbajtën misionin anglez në kullat e tyre. Dy-tre ditë pas mbarimit të Luftës, aty nga data 30 nëntor e vitit 1944, në shtëpinë e Isuf Allamanit në Xhafzotaj afër Shijakut, në fshehtësi të plotë, bujtën për darkë, miqtë e fisit të tij, Jakup e Kapllan Deliallisi, të cilët qëndronin në ilegalitet në arrati, pasi ishin në ndjekje të vazhdueshme, nga Forcat e Divizionit të Ndjekjes.
Disa orë pasi burrat kishin nisur bisedën, shtëpia e Allamanit rrethohet nga Forcat Divizionit të Ndjekjes dhe ato të Sigurimit të Shtetit, të cilat arritën të rrëmbejnë forcërisht dy burrat e Delillisëve. Por Isuf Allmani, nuk mundi ta përballonte tundimin e marrjes me forcë të miqve të shtëpisë, nga konaku i kullës së tij. Kështu, ai vendos të shkojë bashkë me Deliallisët, të cilët i kishin futur në mes, efektivët e Forcave të Ndjekjes të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, duke i shoqëruar ata nën masa të rrepta sigurie.
Vetëm me rënien e regjimit komunist, pas viteve ’90-të, ish-funksionari i lartë i regjimit komunist, Sali Verdha, (ish-komisar i Grupit Partizan të Pezës në vitet 1943-‘44), u ka treguar Allamanëve, se Isuf Allmani dhe Jakup e Kapllan Deliallisi, janë pushkatuar tek Ura e Beshirit dhe janë futur në një gropë të tre, gjë e cila u bë e mundur që ata të gjendeshin, për t’u rivarrosur 48 vite më vonë, në vitin 1992. Isuf Allamani, 37-vjeçari i shkolluar në Itali, u ka dalë përpara pushkatarëve, për të mbrojtur miqtë që ia rrëmbyen në shtëpi dhe është qëlluar i pari nga skuadra e pushkatimit. Gruaja italiane dhe djali i tij, Allaman Allmani, lanë Shqipërinë një vit më pas, në 1945-ën, për të mos ardhur më kurrë nën këtë vend, deri në vitet e demokracisë.
Leonela, deri në vdekje nuk e ka besuar se burri i saj, Isuf Allmani, ishte pushkatuar dhe gjithnjë i thoshte të birit, Allmanit: “Si nuk erdhi një herë babai yt, të na shohë e të na takojë?!”. Pas tij, radhën do e kishte Dyli, vëllai i madh i Allamanëve. Të pesë kullat, nën të njëjtin mur të lartë, shpëtuan nga zjarri në vitin 1994, pasi komandanti i partizanëve të Brigadës së V-të Sulmuese, Shefqet Peçi, nuk mundi t’i vinte dot flakën. Pas tij, dështoi edhe Haxhi Lleshi. Dyli, kishte pasur probleme edhe vite më parë me Zogun, pasi thuhej se kishte gisht, në nxitjen e Beqir Valterit, për atentatin ndaj Zotut në Parlament në vitin 1923. Për të shpëtuar nga arrestimi prej forcave të xhandarmërisë, Dyl Allamani, iku në Dibër të Madhe dhe aty njihet me Myslym Pezën, me të cilin pinë gjak e vëllazërohen, si byrazerë. Por armiqësia me Haxhi Lleshin, do t’i kushtonte shumë disa vite më vonë.
Allamanët e Kurdarisë, ishin nip e dajë me fisin e fortë të Çela-jve, ndërsa kullat e dy palëve, u futën në hasmëri dhe kjo u shfrytëzua nga Haxhi Lleshi, i cili nuk u la të hynte në Mat gjatë Luftës, nga Dyl Allmani e nacionalistë të tjerë matjanë. Pas tij, në Kurdari, në Burrel e në Mat, shkoi Mehmet Shehu me forcat e Divizionit të Parë Sulmues që ai komandonte dhe me të mbërritur aty, ai vendos të vriste të gjithë pleqtë, gratë e fëmijët e Allamanëve, në pamundësi për të kapur krerët kryesorë të fisit, që kishin dalë në mal. Pasi u vuri zjarrin shtëpive, ai bëri gati skuadrën e pushkatimit, por pengjet mundën të shpëtojnë pasi, një urdhër i ardhur nga Tiranë, e detyron Mehmet Shehun të tërhiqet, duke lënë fshatin të përfshirë në britma e në tymin e kullave që vazhdonin të digjeshin.
Allamanët, kishin mundur të bindin Çelët për pajtim dhe u kishin falur nipërve të tyre, gjysmën e malit Allamani, shenjë kjo e bashkimit kundër pushtuesit gjerman. Nën të tilla presione, Dyl Allmani vendos të dorëzohet, për të shpëtuar djemtë e nipërit nga përndjekja e regjimit komunist të sapoardhur në pushtet. Ai, morri përsipër rezistencën që u ishte bërë forcave komuniste partizane dhe nisur nga kjo ai dënohet me pushkatim, për t’u ekzekutuar në pranverën e majit të vitit 1945, ditën e Bajramit në Breg Lum të Tiranës. Eshtrat e tij disa vite më pas, i ka marrë lumi, pasi sipas disa dëshmive, është hapur gropa buzë rrjedhës dhe në një thellësi të vogël. Myslym Peza, ishte më me pak ndikim tek Enver Hoxha, sesa Haxhi Lleshi, pasi ky i fundit, bëri të gjitha përpjekjet, deri sa e pushkatoi Dyl Allmanin. Në kohën që pushkatohet Dyli, përfundon në burg edhe Selmani, vëllai tjetër, duke vuajtur në qeli dhe nën tortura, për disa vite me radhë gjatë vuajtjes së dënimit me burg.
Arrestimet e burgimet
Allamanët, ishin familje me emër të madh në krahinën e Matit pasi ata ishin lidhur edhe me fise të forta, nacionaliste dhe atdhetare. Ata kishin miqësi me fisin Kaloshi, Ndregjoni e Reçi në Dibër dhe me Selmani, Çela e Valtëri në Mat, të gjitha fise të njohura për qëndrimet e tyre nacionaliste dhe si përkrahës dhe mbështetës të fortë të Monarkisë dhe ish-Mbretit Zog. Pikërisht, një lidhje e tillë, rëndoi edhe më shumë këto fise të njohura, duke e nxitur regjimin komunist, të përndiqte e persekutonte, pothuaj të gjithë burrat e djemtë e fisit Allamani. Nisur nga kjo, në vitin 1970, u arrestua dhe u burgos, djali i Dylit, Petriti, nipërit, Sherif e Asllan, së bashku me kushëririn e tyre, Man Allamanin.
Pas një hetuesie speciale ata dolën në gjyq i cili i dënoi edhe pa prova, nën akuzën e agjitacionit e propagandës dhe tentativës për arratisje. Sherifi, dënohet me 22 vite burg, Petriti 20 vite dhe Asllani me 15 vite e, të tre së bashku u dërguan në Burrel e Spaç, për të vuajtur dënimin. Kryengritja e Spaçit në majin e vitit 1973, rrëmbeu edhe Sherif Allamanin, i cili u ri dënua duke u akuzuar si pjesëtar aktiv i asaj revolte. Brezi i dytë i familjes atdhetare Allamani, kaloi vite të tëra në qendrat e persekucionit të rëndë, ndërsa pinjollët e tyre vuanin në përçmimin e regjimit, duke mos pasur të drejtën e shkollimit dhe të barazisë në shoqëri.
Në mënyrë të çuditshme, regjimi synoi të zhdukte gjithçka që kishte të bënte me rikthimin në kujtesë të llagapit Allamani. Të gjitha gjyqet kundër tyre, ishin të sajuara me dëshmitarë të rremë. Nipi Allamanëve, Eduarti, (i diplomuar për Drejtësi pas rënies së komunizmit), ka treguar se dëshmitari kyç, për dënimin e të atit të tij me 20 vite burg, ka qenë shoku i tij. “Ishte shoku i babait që u përpunua nga hetuesit për të dëshmuar në gjyq, gjëra aspak të vërteta. Por ai ishte njeri i ndershëm dhe nuk e duroi dot krimin, duke përfunduar në sytë e njerëzve nën gomat e makinës”, – tregon Eduarti për ngjarjen tragjike.
Pasi shkatërroi jetën e krerëve të fisit duke i degdisur ata në burgje e miniera, regjimi komunist u hoqi të gjitha liritë edhe nipërve e stërnipërve, ndërsa Mali Allamanit, nuk do të mbante këtë emër për shumë vite. Me anë të një vendimi zyrtar, ky mal, që nga ajo kohë kur fillo goditja dhe persekutimi i Allamanëve, e deri në vitin 1992, do të quhej “Mali i Kurdarisë” dhe çdokush që do të gabonte, duke e thërritur në emërtimin e njohur historikisht, do të ndëshkohej. Dëshmitarë të rezistencës së Allamanëve, kundër pushtuesit, janë dëshmitë në mbarë krahinën si dhe vet lumi Mat e Lusa, pragje qëndrese për Kurdarinë.
Krimet e regjimit, vuajtjet, dënimet, burgosjet, torturat dhe mbijetesa e Allamanëve, kanë zënë vend në librin e Eqrem Bej Vlora “Histori e Shqipërisë”, në atë të Juli Amery, ish-misionar anglez pranë Abaz Kupit në kohën e Luftës së vitit 1943-44, me titull: “Bijtë e Shqipes”, si dhe në dhjetëra faqe e dokumente të arkivave të shtetit, pa futur këtu shkrime dhe libra, si novela e prozatorit të njohur, Shpendi Topallaj, “Allamanët”.
U dënua me 10 vite burg edhe Shefki Allamani, si nacionalist (kushëri i afërt me Dyl Allmanin e Isuf Allmanit të pushkatuar në vitet ‘44 e ‘45). Në të gjitha rastet, theksohet se Allamanët, gjatë një shekulli, janë vrarë e prerë me serbët dhe regjimin komunist, në ruajtje të parimeve kombëtare e nacionaliste.
Më 16 nëntor 2009 në Tiranë, në kuadrin e 65-vjetorit të Ditës kundër torturues, së organizuar nga Presidenca e Republikës dhe ambasada amerikane në Tiranë, u dekoruan 38 intelektualë të pushkatuar në vitet 1944-1945. Në ato ditë, ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të dekoronte me titullin “Nderi i Kombit”, edhe intelektualin e atdhetarin e njohur, Isuf Allamani, të pushkatuar në vitin 1944. Në atë ceremoni, përveç dhjetëra të ftuarve, asistuan edhe pinjollë të fisit Çela, Lisi, Patini, Kaloshi, Ndregjoni, etj., me të cilët ishin lidhur dhe mbijetuan kullat e Allamanëve. Memorie.al