Nga Liri Lubonja
Pjesa e parë
Memorie.al / Liri Lubonja, është bashkëshortja e ish-të burgosurit politik, Todi Lubonja, ish-Drejtor i Radio-Televizionit Shqiptar, i goditur “për liberalizëm” nga Enver Hoxha në vitet 1973-’74 (pas Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në RTSH-ës), duke përfunduar në burgun e Burrelit nga viti 1974 deri në 1987-ën dhe gjithashtu ajo është e ëma e shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit të njohur Fatos Lubonja, po ashtu i burgosur politik, nga viti 1974 deri në 1991-in. Liri Lubonja ka rrëfyer me mjeshtëri në librin “Larg dhe mes njerëzve”, peripecitë, vuajtjet dhe persekutimin e saj dhe gjithë familjes Lubonja, gjatë viteve të internimit. Një grua që dëshmon për vuajtjet e grave në sistemin socialist, për të cilin ajo vetë kishte luftuar.
FRAGMENTE NGA LIBRI “LARG DHE MES NJERËZVE”
(Kujtime internimi 1973-1990)
Arrestimet
25 korrik 1974. Trokitën. Përgjumësh pashë orën: ishte 6.00 e mëngjesit. Kush mund të vinte kaq herët?! Jo pa shqetësim u vesha e dola të hapja portën. Ishte një i panjohur, i cili më tha:- “Desha pak Fatosin”. – Kush jeni ju? – e pyeta.. M’u përgjegj se vinte nga Dega e Brendshme. Ngriva në vend e m’u tha pështyma në gojë. Fatosin? – pyeta me habi dhe drithërimë. Ai si me të butë e ngadalë tha: – “E duam vetëm ta pyesim për diçka”.
Vajta zgjova Fatosin. Duke veshur pantallonat kadife bezhë në kafe dhe këmishën foli: – “Ç’të ketë ndodhur”?! U ra flokëve me duar sa për t’i shtruar dhe doli nga porta. Isha e tronditur. Për Todin megjithëse më dukej absurde dhe nuk doja ta pranoja, isha përgatitur shpirtërisht edhe për burgun, madje që në Tiranë, por asnjëherë nuk më shkonte ndërmend se do të vinin dorë edhe mbi djemtë. Këtë nuk mund ta duroja. Fatosi në burg?! Edhe po ta kisha shkuar në mendje këtë, do të më ishin futur drithërimat e ngjethja.
Kisha thurur për të ëndrrat më të bukura e më të mira. Nuk ishin as për pasuri, as për ofiqe. Ato ishin krejtësisht intelektuale, të lidhura me disa predispozita të tij e pak edhe me ëndrrat dhe dëshirat që nuk kisha arritur t’i realizoja unë vetë në jetë. Te Fatosi gjeja shumë gjëra të përbashkëta me vëllain tim të madh, Fiqretin, një intelektual i vërtetë, që kishte qenë gjithnjë udhërrëfyes dhe frymëzues për mua.
Mbetëm në dyert e Degës së Brendshme. Në mëngjes, zv/Kryetari na tha se do të vinte me trenin e drekës; kur nuk erdhi me të, na foli për të darkës, kurse të nesërmen në mëngjes, pa gjë të keq, na tregoi të vërtetën: – “E mbajtën, e arrestuan”. Ishte goditja më e madhe që kisha pësuar. U helmuam, u vrerosëm të gjithë. Po ç’mund t’i thuhej Anës, e lidhur aq shumë me Fatosin, që e kërkonte vazhdimisht babain e saj?
Zanën me Gimin e vajzat, i nisëm për në Tiranë. Jetonim dhimbjen për djalin që për mua nuk qe e vetme. Mendime ogurzeza, frika për Todin nuk më ndaheshin…por ato dy ditë nuk fola asnjëherë për to. Todi vetë duhej ta kishte më të rëndë. Kishim harruar se duhej ngrënë, megjithëse ai ishte diabetik, por në një çast, me mllef e revoltë bëra një si thirrje: – Duhet të mbijetojmë dhe e mblodha veten e shtrova drekën.
Më 27 korrik shkova në punë, si çdo ditë. Në orën 12, Abdullai më dha librin e regjistrimit të kartelave, fletë-hyrjet dhe daljet e më nisi për në shtëpi. Për herë të parë e bënte këtë. Todi erdhi si gjithnjë mbas orës 3, i lodhur e i rraskapitur nga ajo punë e rëndë që bënte dhe që e kishte shkrirë fare. Po përgatitej të pushonte në shtrat kur trokiti porta. Ishte Hysniu, një punonjës i ndërmarrjes së tij, i cili më tha se Todin e kërkonte drejtori.
“Drejtori në këtë orë”? – pyeti me habi e dyshim Todi e filloi të vishej, ndërsa unë dola për t’i thënë Hysniut se Todi po dilte e të mbyllja portën. Por jo, ajo duhej të rrinte hapur, ndaj ai më kërkoi një gotë ujë. Nuk arrita të marr gotën kur një “njësit” i tërë hyri brenda. Hysniu ishte zhdukur. Detyrën e kishte kryer mirë.
Kryetari i Degës, Mithat Bare, me kapadaillëk e me një kënaqësi që nuk e fshihte, foli me zë të lartë: – “Todi Lubonja, je i arrestuar”! Për atë apartament të ngushtë, gjashtë burrat e ardhur si dhe një grua, kryetarja e Këshillit të qytetit, ishin shumë. Një invadim i vërtetë. Fërkimi i parë me kryetarin ndodhi kur unë po i paketoja Todit në një letër ilaçet e diabetit dhe furçën e dhëmbëve. Çfarë naiviteti?!
E ku lejohej të pajisej i arrestuari me mjete të tilla “luksi”! Kështu i’u duk edhe kryetarit ky veprim i imi, sepse u zemërua dhe më turfulloi. Todi, i inatosur, ndërsa mbathte këpucët, i tha i zemëruar: – “Pse i flet ashtu”! Kryetari nuk qe mësuar ta kundërshtonin, sidomos në raste të tilla, prandaj duket se i hipi gjaku në kokë, m’u kthye përsëri e më tha gjithë nerva: – “Shpejt vish edhe ti këpucët, se do të vish me ne”.
Ç’ishte kjo? Për t’i dhënë dhe një goditje, të tretën, Todit që sapo e merrnin, mbasi kishin arrestuar Fatosin, apo për të më futur frikën? E kuptoja se nuk po më arrestonin, përndryshe, kur hyri në portë dhe “proklamoi” arrestimin e Todit, do të kishte ndjerë kënaqësi më të madhe, po të kishte dy. Pse duhej të shkoja me ta, kur në shtëpi nuk kishte njeri tjetër, veç tyre?
Të vërtetën e mësova vetëm kur shkova në Burrel, në burg e u takova me Todin. Gjatë hetuesisë, Todit i kishin thënë: “Edhe Lirinë e kemi arrestuar”. Një presion psikologjik i rëndë, goditje ndaj të arrestuarit, i cilit gjatë hetuesisë është krejtësisht i izoluar, pa asnjë lidhje me familjen. Në Burrel Todi më tregoi se si, kur e nxirrnin nga qelia, u hidhte sytë fshehurazi këpucëve, sandaleve, pantoflave të grave, të rreshtuara në korridor e mundohej të gjente të miat midis tyre.
Nuk munda ta përcjell Todin as te porta. Ndërsa mbathja këpucët, ata e kishin nxjerrë. Ishte i veshur me një kostum tepër të hollë, të vjetër, me të cilin shkonte në punë atje te pllakat. Nuk patëm kohë të mendonim se qelia e ftohtë edhe në verë donte një rrobë më të ngrohtë. Nuk ishte vetëm çështje kohe në fakt, por edhe përvoje. Me atë kostum Todi kaloi edhe dimrin në qeli. Pranimi ose jo i rrobave, si edhe i ushqimeve, bënte pjesë në “strategjinë”, presionin, që përdorej ndaj të burgosurve.
Mbeta kështu e vetme midis atyre shtatë të huajve që sapo e kishin filluar operacionin. Me një tonë deklamativ, që nuk shkonte fare në ato momente, kryetari m’u drejtua: – “Liri Lubonja, nën përgjegjësi penale, më thuaj nëse keni në shtëpi armë, material tjetër dhe libra të verdhë”! E kontraktuar nga e gjithë sjellja e tij, u përgjigja: ‘Nuk kam asgjë nga këto. Më jepni të firmos dhe ikni’. Ai u inatos edhe më fort: – “Si the?! Të ikim…”?! Ai e dinte mirë punën e tij, kurse unë nuk kisha parë ndonjëherë si bëheshin arrestimet e kontrollet në shtëpi. As nuk e dija se duhesh hapur e shpalosur gjithçka: që nga veshjet më intime, të cilat i ngrinin një nga një në mes të tërë atyre burrave e deri te gërmimi i vazove të luleve në ballkon. U kalua nëpër duar çdo gjë që emërtohej letër që u gjet nëpër sirtarë komodinash, dollap.
Dy fotografi tërhoqën vëmendjen e atij që i zuri në dorë i pari. Prej tyre vështronin dy burra të shkuar në moshë, fisnikë – njëri me mjekër e mustaqe. Duket se ishin të ndryshëm në veshje e në pamje nga ata që qe mësuar të shihte, ndaj për të treguar zellin e tij të madh në punën që po bënte, ia kaloi shpjet hetuesit Koço Josifi, i ardhur nga Tirana, i cili me gjestin që i bëri me dorë, la të kuptohej që Konstandin Kristoforidhi dhe Bajram Curri nuk përbënin ndonjë material komprometues.
Unë i mbaja ata në komodinë me shumë respekt ndaj babait të Todit, i cili ishte përkujdesur për t’i mirëmbajtur ato kartolina sa qe gjallë, duke u ngjitur edhe një karton nga mbrapa. Edhe dy flakon ilaçi “Viks” i tërhoqën vëmendjen Hekuranit, ndaj ia drejtoi përsëri hetuesit, i cili, pa ia zgjatur, i bëri me shenjë t’i linte në vend.
Kryetari, i cili erdhi te ne për të arrestuar Todin, mbasi më tregoi se ishte nga Kuçi dhe më pyeti për datëlindjen, u mendua pak e më tha: – “Jam një vit më i vogël se ty dhe kam dalë në luftë një vit përpara teje”. Në atë hall që isha, m’u kujtua një shok i yni, kur punonin me Todin në “Zërin e Popullit”, i cili më kishte thënë një herë për të më ngacmuar:- “A e di pse është ndarë Fterra nga Vlora dhe është bashkuar me Sarandën”? Sa herë hipnin në autobus në Vlorë, kuçiotët u thonin fterriotëve: Andej nga fundi ju, se keni luftuar më pak se ne. Fterriotët nuk e duruan këtë, ndaj një ditë kërkuan të shkëputeshin. Fterra ishte fshati i lindjes të babait dhe vëllait tim të madh, Fiqretit.
Unë deri në 1971-in nuk e kisha parë ndonjëherë, por e doja këtë fshat. Një gjë e largët, por që e ndjeja timen. Atëherë ne kishin qeshur, por si t’ia bëja unë tani? T’i thoja kryetarit se kisha marrë pjesë në luftë që në fillim, se më 1944 kisha përfaqësuar rininë e Tiranës në Kongresin e parë të Rinisë Antifashiste e se isha mbajtëse e Medaljes së Kujtimit as që ia vlente, por, kur më kërcënoi se edhe shtëpinë do të ma merrnin, për herë të parë “trokita” edhe unë asaj “gropës së labit”, duke i thënë: – ‘Sa për të pasur një dhomë për të jetuar, kam luftuar edhe unë’. Thua se ata që nuk kishin luftuar nuk duhej ta kishin. Por në atë çast m’u duk se ajo qe gjuha që duhej të përdorja me të.
Me që armë nuk u gjetën, iu kthye librave të verdhë. U fola me bindje se nuk kishim të tillë, pastaj, shtova: – Kë quani ju libra të verdhë, kjo varet. Ai tundi kokën me zemërim dhe shtoi: -“Ëëëë! E di mirë ti se kush është libër i verdhë”. E dija vërtet mirë, prandaj dhe e pyeta. Kisha një histori me punën e “librave të verdhë”. Kthehesha nga Bashkimi Sovjetik në shtator të vitit 1955. Punonjësi i tyre në doganën e Durrësit, që bënte kontrollin, gjeti midis librave të mi “Aventurat e Tom Sojerit” në italisht.
Nuk di a ishte fjala “aventurat”, apo gjuha italiane që e vuri në dyshim. E ndau nga të tjerët duke thënë: – Këtë do ta mbaj, do të ta kthej më vonë. Por në vend të librit, më dërgoi kritikën: “Gruaja e Todi Lubonjës të lexojë libra të verdhë”(?!) Kur Tom Sojeri u botua në shqip, desha t’i dërgoja një kopje atij me një shënim të vogël. Nuk e di sa merrte vesh ky kryetari i Lezhës nga letërsia, por duket se unë isha më e zemëruar se ç’duhej në raste të tilla, përderisa kryetarja e këshillit më vuri dorën në sup e më këshilloi të mos nevrikosesha.
Ndërsa në dhomën ku flinte Gimi mblodhën të gjithë librat, hetuesit e Tiranës shfletonin çdo gjë që gjenin në dhomën e gjumit, ndër komodinat: fletore, shënime, letra. Të hollat që gjeti Koçua, i numëroi gjoja si me indiferentizëm. Ishin 800 lekë të reja gjithsej, të cilat i kishte sjellë Fatosi nga disa sende që kishim shitur në Tiranë. Në nja dy dosje (kështu i emërtuan në proces-verbal) mblodhën ato gjëra që me sa duket ishin “komprometuese”, thuajse të gjitha të miat, me përjashtim të një dorëshkrimi për vitet e luftës të Todit.
Pra morën me vete: skeda të punës sime në Institutin e Historisë që përfshinin periudhën nga Lidhja e Prizrenit, 1879 deri në Revolucionin e Qershorit 1924, një fletore me të dhëna për lulet (dozimi i plehut, dheut, tokës, rërës etj.), një fletore me shënime nga Kongresi I-rë i Rinisë Antifashiste Shqiptare të 8 gushtit 1944 dhe disa shënime që kisha mbajtur nga tetori 1973, kur fillova punën në magazinën bujqësore.
Florian Kolanecit, hetuesit tjetër të Tiranës, në këto shënime i’u duk se gjeti “çelësin”, ndaj thuajse i rrëmbeu. I kisha shkruar me kujdes të madh e me një bindje që një ditë do të lexoheshin prej tyre. Midis rreshtave mund të lexoja vetëm unë. Ata nuk mund të gjenin në të veçse një realitet punëtorësh të përshkruar siç qe e si mund ta shikonte një njeri që për herë të parë e jetonte ashtu direkt, të pa sheqerosur.
Por kryehetuesi Hasnedari, me atë “mençurinë”, ligësinë, predispozitën e tij kishte “kapur” një ironizim. Kështu e cilësoi, duke më tundur kokën me kërcënim e duke skërmitur, pjesën ku flisja “për fushatën e kursimeve në shëndetësi”. Ç’t’i bëja unë nëndrejtoreshës së spitalit të Lezhës e cila, kur doli problemi i shtrimit tim në spitalin e Tiranës, për diagnostikimin e një subflebriliteti të zgjatur më thoshte: – “Nuk do të shtrohesh në Tiranë, por në Shkodër, sepse të ka kap fushata e kursimeve”. (?!)
Më në fund kontrolli mbaroi. Mbushën një proces-verbal dhe futën në dhomën e Gimit, veç të gjithë librave, fotografive, letrave të shkruara që i mbanim te komodinat edhe orenditë më me vlerë të shtëpisë që, sipas gjasës, u takonte të konfiskoheshin, përveç lavatriçes. Pastaj, me shumë solemnitet e “vulosën” atë me spango e dyll. Them e “vulosën” në thonjëza, sepse më pas, kur na hoqën nga shtëpia, konstatuam se ata të Degës kishin hyrë aty sa herë kishin dashur.
Gjatë kontrollit pas derës së dhomës, në një gozhdë, qe varur përparësja ime e shtëpisë. Në xhepin e saj kisha filmin e sapo mbaruar. Kur ata nuk lanë xhep pa kthyer në rrobat që qenë në dollap, unë ndjeja një si ngazëllim në shpirtin e vrarë. Atë ata nuk do ta gjenin, nuk do ta merrnin e ta prishnin filmin me atë çnjerzillëkun, egërsinë e tyre. Ato fotografi që kush e di se kur do t’i bënim përsëri, ashtu së bashku, do të shpëtonin. Edhe vetë habitesha me atë ndjenjë të veçantë që më kishte pushtuar, ndërsa ata të shtatët vërtiteshin nëpër shtëpi. E quaja një si revansh mbi ta.
Ndërkohë, nga banjoja duket atje i kishte rënë “ndarja e punës” – zv/Kryetari po nxirrte, duke e mbajtur prej një këmbe, furnelën e vajgurit, të cilën e lëshoi në mes të korridorit. Po ajo ç’provë fajësie mund t’u jepte? E kuptova menjëherë: nuk qe e pastër dhe një merimangë kishte thurur një rrjetë mbi të. Ja arsyeja pse e kishte nxjerrë. Duhej të provonte se ne, veç të tjerave, nuk dinim edhe ç’ishte pastërtia. E pashë me indiferentizëm. Asnjë tjetër nuk foli dhe zv/Kryetari e çoi përsëri në vend.
Sipas urdhrit të kryetarit, u nisa për në Degë. Desha t’i vija çelësin portës, por jo. Në shtëpi ndejti zv/Kryetari. Erdhi dhe një i dytë (i teti), që duket se duhej për ta shoqëruar. Do të zinin me “presh në duar”, ata që do të na vinin.
Në atë dhomën e vogël plot bishta cigaresh, e caktuar për pritjen e popullit në Degë, të merrej fryma nga kutërbimi i duhanit të ndenjur, tymosur gjatë ditës, ndaj kur hyra desha të hapja dritaren. Mirëpo nga jashtë më erdhi një urdhër plot arrogancë për ta mbyllur. Ai Floriani ishte ulur në bordurën e lulishtes përpara Degës me një njeri, të cilit i fliste pa pushim. Nuk u mjaftua me ulërimën, por erdhi në dritare duke vazhduar të më thërriste.
M’u duk sikur desh të më nxirrte inatin për një fjalë që i kisha thënë gjatë kontrollit. Së bashku me Koçon, po kontrollonin dollapin ku edhe “zbuloi” ato shënimet e mia. Atje i tërhoqi vëmendjen një kuti e vogël katrore. Nuk e di pse hezitoi ta hapte, por unë, qëllimisht, për ta ofenduar, sepse ai zelli i tij i madh ishte i padurueshëm, e mora kutinë në dorë e i thashë: – Mos u tremb, është një telekomanduese televizori – dhe nisa ta hapja. Koçua, i regjur në ato punë, ngriti kokën, më pa në sy e nënqeshi paksa, kurse Floriani, gjithë zemërim, m’u përgjigj: – “Nuk kam frikë, jo”.
Po prisja në atë dhomë të vogël duke menduar ç’kishte ndodhur gjatë ditës dhe çfarë do të thoshte Gimi në telefon në orën 8. Ai kishte shkuar në Tiranë të interesohej për Fatosin. A do të më lejonin të shkoja?
“Shfaqja” me mua kishte marrë fund. Pas ndonjë ore më thanë se mund të ikja. U nisa për në PTT. Gimi më tregoi se sapo ai dhe Zana kishin mbërritur në apartamentin e Fatosit në Tiranë, kishte pllakosur kontrolli që e kishte përmbysur. Kishin arrestuar vëllanë e kunatin e Todit. Nga Fatosi asnjë lajm. I thashë: “Edhe babën e morën sot”. Memorie.al
Vijon nga numri i ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016