Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite, ku ndodhet një dosje me materiale sekrete e dokumente, që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu, në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982, në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtarinë armiqësore” të tij për periudhën gati 30 vjeçare, kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. Dosja me dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të, gjatë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij, që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.
Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Tepër sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982
KADRI HAZBIU: Këtë më ke thënë mua.
VELI LLAKAJ: Po, urgjent.
KADRI HAZBIU: Këtë më ke thënë mua dhe nuk më ke zënë në gojë as skalionim municionesh, asgjë. Mbaji vetë ato.
NAZAR BERBERI: Nuk kemi biseduar për asgjë tjetër.
VELI LLAKAJ: Mehmet Shehu e ka kërkuar Nazarin me urgjencë dhe unë i kam thënë pse të ka thirrur, kurse ky më tha që i kish çuar tabelën. I kam thënë që ke bërë gabim dhe ky m’u përgjigj se e dinte përmendësh dhe se nuk e kish marrë. Kam vajtur dhe i’a kam thënë këtë fakt Kadri Hazbiut. Ky më ka thënë: “mos u shqetëso, se e ka thirrur për ta pyetur për diçka lidhur me nusen e djalit”, bile më tha se këtë punë e di dhe shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mua Kadriu më ka thënë që Mehmet Shehu e ka thirrur Nazarin se dhëndri i tij i kishte bërë një relacion Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës për çështjen e nuses së Bashkim Shehut, djalit të Mehmet Shehut. Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës, na i dërgoi neve këtu. Kaq di unë.
KADRI HAZBIU: Ë, kaq di unë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Çështja që thotë Veliu mua më duket se ka rëndësi më të madhe, atë çështje dhe ti Veli e ke ditur dhe Kadriu e ka ditur dhe s’na i keni thënë.
KADRI HAZBIU: Jo, mua mos mu drejto, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Unë po të drejtohem, se Veliu thotë që ti e di.
VELI LLAKAJ: Unë e di që Mehmet Shehu e ka thirrur Nazarin në shtëpi.
NAZAR BERBERI: Shoku Ramiz, as për tabelë, as për gjë nuk kemi biseduar.
SHOKËT: Na sqaroni për çështjen e tankeve.
VELI LLAKAJ: Që e ka thirrur Mehmet Shehu në shtëpi Nazarin, këtë e di, po thashë mos kjo ka lidhje me atë që tha shoku Enver, që tri ditë përpara vetëvrasjes, i ka thirrur në shtëpi. Unë thashë që ka thirrur vetëm shokun Nazar dhe jo mua. Ai thotë tani që i ka thënë Kadriut, se e ka thirrur për ta pyetur për nusen e djalit, kurse mua më ka thënë se e kish thirrur për tabelën. Kaq di unë.
KADRI HAZBIU: Të sqarohemi një herë për tanket që pyesin shokët.
VELI LLAKAJ: Jo, për tanke jo.
KADRI HAZBIU: Ë? As ti Veli, as Nazari nuk më ka thënë.
NAZAR BERBERI: Jo.
KADRI HAZBIU: Nazari më ka thënë që më ka pyetur Mehmet Shehu në telefon, nëse e kisha parë nusen e djalit të tij që ish takuar me francezë.
NAZAR BERBERI: Po.
KADRI HAZBIU: Unë këtë ia kam thënë shokut Ramiz. Nuk di gjë më tej unë për këtë problem. Si është ajo…?
SHOQJA THIMIE THOMAI: Shoku Enver, mbase Nazari nuk do të tregohet i sinqertë këtu se ka të ngjarë, bile jo ka të ngjarë, po është tamam kështu, që do ta ketë thirrur. Pse e them këtë? Bëj lidhje logjike. Kur ka qenë Mehmet Shehu në Korçë i deleguar për konferencën e Partisë të rrethit, e ka thirrur Nazar Berberin në Korçë, duke mos qenë ai aty. Enver Halili është këtu dhe mund të na thotë vetë. Edhe në programin e tij, vetëm një ditë ishte, po ka parë të gjithë rajonin nga Guri i Kuq, e ka marrë Nazarin dhe vajtën bashkë. As Enver Halili, as Vangjel Çerava, nuk kanë qenë me ta.
NAZAR BERBERI: As unë nuk kam qenë.
SHOQJA THIMIE THOMAI: Vajte ti, vajte, ja tek është këtu dhe le të thotë Enver Halili.
NAZAR BERBERI: Mirë, dakord.
SHOQJA THIMIE THOMAI: Bashkë me Nazarin vajtën e panë nga Guri i Kuq, në Qafën e Kazanit. Pastaj kur ka pasur përvjetorin e lindjes, Nazarit, Mehmet Shehu i ka dhënë një bllok me një shënim shumë të fortë: “Shokut tim të dashur dhe të shtrenjtë, Nazar Berberit”. Bile Spiro Lengua, më thoshte dje që bllokun me këtë shënim, e paska djali i Nazarit deri tani, ia kanë parë shokët e tij në shkollë. Ç’janë këto “i shtrenjtë”, “i dashur”? Thuaja Partisë Nazar, lidhjet e tua me Mehmet Shehun, se këtu nuk bëhet fjalë për çështje personale, po ti ke marrë fatin e kombit nëpër këmbë.
NAZAR BERBERI: Ashtu është, në Korçë kam vajtur për problemin e fortifikimit. Zonën e Korçës dhe të Gjirokastrës i kam pasur unë në patronazh. Në Qafën e Kazanit që thoni ju, shoqja Thimie dhe në vende të tjera, unë nuk kam vajtur. E kam takuar Mehmet Shehun në Korçë dhe ka parë gjithë rajonin e fortifikimit që ishte përfunduar. Unë e kisha në patronazh tërë zonën e Korçës dhe mbaja përgjegjësi drejtpërdrejt. Shoku Enver Halili është këtu dhe le të thotë. Unë në asnjë vend tjetër nuk kam vajtur.
SHOKU PALI MISKA: More, Nazar, ajo tabela që thotë Veliu, tabelë shahu ishte?
NAZAR BERBERI: Jo, nuk kam thënë gjë unë për tabelën.
SHOKU PALI MISKA: Po pse nuk e thua?
NAZAR BERBERI: Po nuk kam thënë gjë, si ta them?
SHOKU PALI MISKA: Po atëherë shpif Veliu? Derisa ti e di atë punë pse nuk e thua? Si të ka thënë ty Mehmet Shehu? Se ai ty të ka thënë?
VELI LLAKAJ: Nazari më tha që i çova tabelën. Kur pyeta punonjësin operativ, më tha që nuk ka marrë asnjë tabelë. Përse e tha atëherë?
SHOKU PALI MISKA: Ç’është ajo atëherë?
VELI LLAKAJ: Kur i thashë unë që është sekret, ai më tha: jo, nuk ia çova se e dija përmendësh. Tani thotë që Mehmeti e paska pyetur për nusen e djalit të tij.
NAZAR BERBERI: Asnjë lloj tabele nuk i kam çuar.
SHOKU PALI MISKA: Nusja e djalit të tij nuk ka rëndësi në krahasim me këtë tabelën që ke shpurë te ai, të shkruar ose gojarisht.
NAZAR BERBERI: Asnjë lloj tabele nuk i kam çuar.
VELI LLAKAJ: Unë pyeta, u interesova në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më thanë që tabelë nga sekretaria e Ministrisë së Mbrojtjes, ai nuk ka tërhequr.
NAZAR BERBERI: Ja, në sekretari ka pyetur Veliu dhe i kanë thënë që nuk është nxjerrë gjë prej saj. Asnjë lloj tabele dhe asnjë problem tjetër nuk është folur me Mehmet Shehun, përveç problemit të nuses së djalit të tij që dukej se atë e shqetësonte.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Pse me ty do ta zgjidhte ai problemin e nuses së djalit të tij?
SHOKËT: Pse me ty do ta zgjidhte problemin e nuses së djalit të tij? Ai e dërgonte vetë nusen të takohej me francezët.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Dëgjo, dëgjo, nuk është kështu e lehtë kjo siç thua ti Nazar, se ai nuk kishte pse ta zgjidhte punën e nuses së djalit të tij me ty, në një kohë që atij i kishte hequr vërejtjen shokut Enver dhe do bënte autokritikë para Byrosë Politike. Ti tani thua që ai bisedoi me ty për punën e nuses së djalit!!
NAZAR BERBERI: Po them si ishte e vërteta. Më thirri dhe më pyeti: Ke qenë në klubin e hotel “Tiranës”? Kam qenë, – i thashë. Ke pirë kafe? – më pyeti. Po, kam pirë. E ke parë nusen e djalit tim? Nuk kam parë gjë, – i thashë. Për problemin e tankeve nuk di asgjë, as që kemi bërë fjalë
(shokët shprehin pakënaqësi për këto përgjigje).
SHOKU ENVER HOXHA: Ulu tani, ulu (se u bë pazar këtu). A jeni të kënaqur tani shokë? A keni më pyetje?
VELI LLAKAJ: Të na sqarojë Kadriu dhe për Arif Haskon që nuk më tha gjë as mua kur e pyeta për krushqinë që do bëja.
KADRI HAZBIU: Unë ta lidha krushqinë ty?!
VELI LLAKAJ: Jo, jo, unë të pyeta dhe ti më the që nuk ka gjë.
KADRI HAZBIU: Jo, jo. Ti ke ardhur tek unë dhe më the që vajza jote dashuronte me djalin e Arif Haskos, më the se kishe pyetur edhe të tjerë dhe të kishin folur mirë. Ç’të të them unë, të thashë? Arif Haskoja është anëtar partie, pse më pyet? Kaq të kam thënë, as më tutje, as më tëhu.
SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Veliu ishte shef i shtatmadhorisë Kadri, atëherë si nuk e ndjeve ti për detyrë që t’i thoshe: ç’të duhet ty të lidhësh me Arif Haskon, kur ti e dije edhe këtë faktin e Panajot Plakut, që ne të tjerët nuk e dinim?!
KADRI HAZBIU: Më fal, po…!
VELI LLAKAJ: Kaq doja nga ty Kadri, vetëm një sinjal të më thoshe. Sikur vetëm “shikoje vetë” të më thoshe, unë kaq doja.
KADRI HAZBIU: Shiko, shiko!! Unë nuk nisem nga ajo që të shfajësohem, po si t’i thosha unë, mos e fejo vajzën?
SHOKU ENVER HOXHA: Po si të mos i thoshe?! Në asnjë mënyrë mos e bëj këtë fejesë! – t’i kishe thënë.
KADRI HAZBIU: Shoku Enver, ky më tha që kish pyetur edhe të tjerë. Po si t’i thosha unë?
SHOKU ENVER HOXHA: T’i thoshe: meqë po më pyet, do të të them të mos e miratosh në asnjë mënyrë këtë fejesë.
KADRI HAZBIU: Po pse?
SHOKU HEKURAN ISAI: Pse doli në lirim Arif Haskoja?
KADRI HAZBIU: Po këtë e dinte Veliu.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po me kastën ishte ai.
KADRI HAZBIU: Këtë e dinte Veliu, ç’do t’i thosha unë?
SHOKU ENVER HOXHA: Ah; nuk është ashtu, jo, nuk është!
KADRI HAZBIU: Po mirë, tani, unë kështu i kam thënë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Shumë naiv tregohesh.
SHOKU ENVER HOXHA: Unë propozoj që të mos zgjatemi më, se kështu mund të vazhdojmë edhe një muaj të tërë (shokët janë dakord).
Kadri Hazbiu nuk na sqaroi asgjë, përkundrazi, në mënyrë arrogante, provokuese, bëri që edhe unë të nxehesha e të thosha një fjalë që nuk duhej ta thosha. I kërkoj ndjesë plenumit që u nxeha.
SHOKËT: Asgjë (miratojnë qëndrimin e shokut Enver).
SHOKU ENVER HOXHA: Propozimi i Byrosë Politike është ai që e lexuat: Kadri Hazbiu të përjashtohet nga Komiteti Qendror, të shkarkohet nga detyra e ministrit të Mbrojtjes Popullore, masë kjo që është zbatuar, të shkarkohet dhe nga Byroja Politike. Në qoftë se dikush nga ju ka ndonjë mendim tjetër, le ta marrë fjalën.
SHOKU SPIRO KOLEKA: Propozoj që të përjashtohet dhe nga Partia. Ai është armik i betuar, i vendosur, është zëvendësi që e ka lënë Mehmet Shehu ta pasojë, në bashkëpunim me Fiqrete Shehun. Ata janë marrë vesh: ai e vrau veten po çështja të vazhdojë, dhe do ta vazhdojë Kadriu. Ky nuk i thotë asgjë Partisë, prandaj nuk duhet të qëndrojë në Parti. Pastaj të vejë atje ku kanë vajtur dhe armiqtë e tjerë, e atje të takohet me shokët.
DISA SHOKË: Që sot të vejë.
SHOKU ENVER HOXHA: I dëgjuam propozimet. Të prononcohet gjithë plenumi, ne nuk do të jemi në kundërshtim me vendimin e plenumit.
TË GJITHË SHOKËT: Dakord.
SHOKU ENVER HOXHA: Si dakord? Dakord përse?
TË GJITHË SHOKËT: Të përjashtohet nga Partia dhe të zbatohet propozimi i shokut Spiro.
SHOKU SPIRO KOLEKA: T’i jepet gjyqit (të gjithë shokët shprehen dakord).
SHOKU ENVER HOXHA: Kaq kishim me çështjen e Kadri Hazbiut. E këshilloj atë, pavarësisht se u përjashtua nga Partia, që këtë çështje ta gjykojë më seriozisht. Vendimi që u mor këtu është një vendim i drejtë dhe ai ka kohë të korrigjohet. Ne i premtojmë Kadriut, ta ndihmojmë që të korrigjohet. Mendimin tonë e kemi thënë edhe në Byro, por varet shumë nga vetë Kadriu. Ai të mos i sjellë më shqetësime Partisë, por të rrijë i qetë atje ku është, të mos bëjë kapadaillëqe nëpër rrugë, të mos tregohet sikur “unë qenkam i lirë” dhe “jam dënuar kot”, “qenkam një martir i persekutuar”, “më sulmuan në Komitetin Qendror, ku as mori vesh i pari të dytin, bile shoku Enver më tha që dhe do të arrestohem”.
Prandaj, unë e këshilloj Kadriun që të vijë në vete, ka shumë nevojë të vijë në vete, ka shumë nevojë të vijë në vete, të reflektojë shumë në ato që thanë shokët këtu, në këtë mbledhje të plenumit, dhe të jetë i bindur se kështu mendon gjithë Partia. Prandaj, për të mirën e tij, e përsëris, duhet të reflektojë dhe ta fillojë nga alfa çështjen e tij me ndershmëri, pse si komunist ai…, por megjithatë diçka mund t’i ketë mbetur; ajo që i ka mbetur duhet t’i shërbejë që t’i njohë gabimet që u bënë.
Atëherë këtë çështje e mbyllim. Bëjmë pak pushim?/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016