Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon historitë e disa prej “vdekjeve aksidentale” më të bujshme dhe më të përfolura të Shqipërisë komuniste, ku në rrethana të paqarta humbën jetën pesë personalitete dhe funksionarë të lartë të atij regjimi. Dëshmitë e familjarëve dhe të afërmve me të gjitha detajet e ngjarjeve misterioze, ku u vranë apo u vetëvranë: ministri i Komunikacioneve kolonel Njazi Islami, zv/ministri i Brendshëm kolonel Sali Ormeni, kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës gjeneral-major Hilmi Seiti, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit Zenel Islami, dhe Heroi i Popullit Myslym Keta.
Kush ishte Njazi Islami?
Sipas dëshmive të bashkëshortes së tij, Nazmie Islami (Keçi), të dhëna disa vite më parë, Njazi Islami u lind në fshatin Salari të Tepelenës, në vitin 1919 dhe pas vdekjes së dy prindërve, atë e rriti xhaxhai i tij, Dervish Kita, (Islami), i cili në atë kohë banonte në Tiranë. Në vitin 1937, Njaziu së bashku me kushëririn e tij, Mehdi Axhemin (djali i hallës), shkuan për të punuar në Kuçovë, në sektorin e Naftës, e cila në atë kohë ishte nën administrimin e një shoqërie italiane. Gjatë demonstratës së madhe që u bë asokohe nga punëtorët e ndërmarrjes, Njaziu u konsiderua si një nga organizatorët kryesorë të saj dhe në ato rrethana ai kërkohej nga italianët për t’u arrestuar, u detyrua që të largohej dhe erdhi në Tiranë. Me pushtimin e vendit ai u angazhua ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke u lidhur me krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe shtëpia që ai kishte marrë me qira në Rrugën e Dibrës, u bë një nga bazat kryesore të udhëheqjes së lartë komuniste. Si rezultat i aktivitetit të tij antifashist, Njaziu u arrestua dhe u burgos nga italianët, madje ai u fut në listën e dhjetë personave që do pushkatoheshin, por mundi të shpëtonte nga pushkatimi, pasi u arratis nga burgu i Tiranës me grupin e Koci Xoxes. Ai qëndroi disa kohë ilegal dhe më pas u caktua komisar në çetën që komandonte Haxhi Lleshi. Më pas ai mori dhe detyra të tjera të larta në radhët e brigadave partizane duke arritur deri zv / komisar i Divizionit të VI-të që luftoi deri në Vishegrad të Jugosllavisë së asaj kohe. Me mbarimin e luftës, Njaziu u emërua në disa funksione të larta dhe në Kongresin e Parë të PKSH-së ai u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të PKSH-së dhe u komandua në postin e Ministrit të Komunikacioneve.
Konflikti i Njaziut me Enver Hoxhën?
Kur nuk kishte kaluar pak më shumë se një vit nga emërimi i Njazi Islamit në postin e lartë të Ministrit të Komunikacioneve, ai filloi të kishte konflikte dhe probleme me udhëheqjen e lartë dhe personalisht me Enver Hoxhën. Përveç fjalës së Enver Hoxhës në Plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PKSH-së, nuk dihet asgjë e saktë, pasi Njaziu nuk ka lënë asgjë të shkruar dhe kontradiktat që i kishin lindur me krerët e udhëheqjes së lartë, ai nuk i bisedonte as me bashkëshorten e tij, Nazmien. Por nga dëshmitë e shokëve dhe miqve të tij të ngushtë, që jetojnë ende, zanafilla e kontradiktave të Njaziut me funksionarët e lartë të PKSH-së dhe personalisht, Enver Hoxhën, (të cilin ai e kishte shpëtuar nga arrestimi prej italianëve teksa ndodhej në shtëpinë e tij në vitin 1942), ishte arrestimi i kunatit të tij, (vëllai i bashkëshortes së tij), kolonel Hamit Keçit, i cili në atë kohë mbante postin e shefit të Zbulimit në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas raportit të Enver Hoxhës të mbajtur në Plenumin e V-të, gjatë kohës që Hamit Keçi ishte në hetuesi, ai (Enveri), e thërriti disa herë Njaziun në zyrë duke i kërkuar që të denonconte dhe demaskonte kunatin e tij, Hamitin. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, (Enver Hoxha, vepra VII. fq. 37), Enveri ka shkruar: “Njaziun e thirra dhe biseduam katër orë në zyrë. Për sa i përket Hamit Keçit, Njaziu tha se nuk dinte gjë. Edhe kur e pyeta në se mblidheshin edhe çfarë bisedonin, u përgjigj se në mbledhjet e tyre bënin vetëm diskutime të zakonshme. Edhe njëherë e pyeta në se bisedonin për çështje, që ishin në kundërshtim me vijën e partisë, ai m’u përgjigj se kishin biseduar për çështje ekonomike por nuk kishin kundërshtuar asgjë. Ai më tha vetë, se pas shqyrtimit që i kishte bërë Byroja punës në Ministrinë e Komunikacioneve, kishte vendosur të mbyllej në shtëpi dhe të mos merrte pjesë në asnjë aktivitet shoqëror. Bile Njaziu arriti deri aty sa të hiqte dorë dhe të mohonte edhe rolin e tij si komunist. Njaziu më kërkoi që të shkonte në një fermë dhe me këtë donte të linte të kuptohej, se ishte persekutuar e se më vonë do të shihej se kush kishte të drejtë, Komiteti Qendror dhe Byroja Politike, apo Njazi Islami. Më vonë ai pohoi se ndërkohë po mblidhte fakte për të provuar se ishte Byroja Politike që kishte pasur gabime ndaj Njazi Islamit dhe jo ai ”. Pas kësaj, në mbledhjen më të afërt të Plenumit të K.Q.,(20-23 prill 1950), Njazi Islami dhe dy shokët e tij të ngushtë, Abedin Shehu e Shyqëri Këllezi u përjashtuan nga partia e Komiteti Qendror me këtë motivacion: “Për aktivitet antiparti dhe trockist në dëm të interesave Partisë, popullit dhe Republikës Popullore”.
Vrasja enigmatike e Njazi Islamit
Lidhur me vrasjen enigmatike të Njazi Islamit, në dëshmitë e saj, bashkëshortja e tij, Nazmia, kujtonte: “Që nga janari i vitit 1950, Njaziu filloi të vinte në shtëpi tepër i shqetësuar, dhe kur unë e pyesja se çfarë kishte, ai më thoshte: nuk ka gjë, do kalojë kjo situatë. Gjatë gjithë atyre ditëve, përpara se të vinte në shtëpi, ai shkonte në takime me Enver Hoxhën, dhe kur unë e pyesja se pse ishte vonuar, ai më përgjigje: isha njëherë andej, duke më lenë të kuptoja se kishte qenë tek Enveri. Atë ditë që ndodhi vrasja, më 25 shkurt 1951, unë lashë punën në Ministrinë e Brendshme ku punoja si sekretare në Degën Operative dhe shkova në shtëpi për të ngrënë drekë. Në atë kohë ne banonim tek vila në Rrugën e Elbasanit (prapa ambasadës franceze), ku na kishin sistemuar pasi u bë Njaziu anëtar i K.Q. Po në atë shtëpi ishte dhe një dhomë e cila përdorej nga Sigurimi i shtetit për përgjimin e ambasadave. Hyrja për në atë dhomë ishte në një korridor ku hynim edhe ne në shtëpi, çelësin e së cilës e kishte dhe oficeri i Sigurimit, që ne nuk e pamë kurrë, pasi ai hynte aty natën kur ne ishim në gjumë. Pas meje, nga ora 2 e 45 minuta në shtëpi erdhi dhe Njaziu, bashkë me shoqëruesin e tij, dhe vura re se ai ishte tepër i shqetësuar. Unë menjëherë i bëra kafe dhe pasi e piu atë, ai doli nga dhoma e ndenjes pa më folur asnjë fjalë. Në atë kohë u dëgjuan dy krisma, që mua m’u dukën si thyerje xhami, dhe unë menjëherë lashë vajzën e vogël në korridor e dola të kontrolloja nëpër dhoma. Sa hyra në dhomën e ndenjës, pashë Njaziun të shtrirë në dysheme. Ai kishte veshur një triko leshi dhe në pjesën e zemrës dalloheshin qartë shenjat e dy plumbave nga djegia që i kishin bërë trikos dhe në momentin që unë u përkula mbi të, për të parë se çfarë i kishte ndodhur, vura re se lëvizi perdja e dritares që shihte nga oborri i jashtëm i vilës. Por në atë gjendje që isha, as që më shkoi në mënd që të shikoja se kush ishte pas dritares gjysëm të hapur dhe duke bërtitur si e çmendur, dola në rrugë për të kërkuar ndihmë. Por në moment u ktheva përsëri brenda në shtëpi dhe pasi kontrollova se mos Njaziu kishte lënë ndonjë letër në tavolinë, i thashë një gruaje që ne e mbanim për të na u kujdesur për fëmijët, që të shkonte dhe të lajmëronte nënën time, e cila banonte fare pranë nesh. Në ato momente aty erdhi dhe shoqëruesi i Njaziut, i cili lajmëroi në telefon, dhe oficeret e Sigurimit të Shtetit erdhën menjëherë dhe më kapën mua për krahësh e më nxorën jashtë. Pas pak aty erdhi dhe Kadri Hazbiu, i cili më ngushëlloi. Erdhi dhe vëllai im, Isuf Keçi, i cili në atë kohë ishte në postin e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe mundohej të më qetësonte. Oficerët e Sigurimit nuk e lejuan Isufin që të hynte brenda, por ai hyri duke i shtyrë ata me forcë dhe kërkoi me ngulm që ta shite Njaziun. Atë ditë shtëpia jonë u rrethua me oficerë të Sigurimit të cilët nuk lejuan asnjeri të vinte brenda, përveç tre katër grave nga rrethi im familjar. Këto ishin rrethanat enigmatike të vdekjes së bashkëshortit të saj, Njazi Islamit. Po cili ishte qëndrimi i udhëheqjes së lartë të PKSH-së lidhur me këtë ngjarje? Nazmie Islami, kujton: “Të nesërmen e asaj ngjarje, Radio-Tirana dhe gazetat e shpallën Njaziun tradhtar dhe armik të popullit. Po atë ditë, Sigurimi arrestoi vëllanë tim, Isufin, (vëllai tjetër, Hamiti ishte dënuar me 10 vjet burg politik), duke mos e lënë të merrte pjesë në varrimin e Njaziut. Arrestimi i tij u krye në zyrën e Kadri Hazbiut, ku ai ishte thirrur gjoja për një mbledhje. Pas asaj ngjarje unë u ktheva në shtëpinë e vëllezërve, ku çdo ditë më vinin oficerët e Sigurimit, duke më bërë presion që të largohesha që andej dhe më quanin armike të popullit”.
Kush ishte Sali Ormeni?
Një nga “vdekjet aksidentale” të tjera të ndodhura pak ditë pas asaj të ministrit Njazi Islami, ka qenë edhe ajo e zv / ministrit të Brendshëm, nënkolonel Sali Ormenit, ngjarje e ndodhur më 3 mars të vitit 1951, për të cilën Tirana zyrtare, duke cituar deklaratën e Ministrisë së Brendshme, në mes të tjerash njoftonte: “Komandanti i Përgjithshëm i Policisë dhe zv / Ministër i Punëve të Brendshme, Sali Ormeni, kishte vrarë veten në një tentativë për t’u arratisur në pyjet e Paprrit në Elbasan”.
Sipas dëshmive të të afërmeve të tij, Sali Ormeni u lind më 14 janar të vitit 1914 në fshatin Tragjas të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes. Saliu u lidh herët me Lëvizjen Antifashiste dhe në 3 janar 1943 u pranua anëtar i PKSH-së. Gjatë periudhës së Luftës, ai u ngarkua dhe kreu një sërë detyrash të larta duke arritur deri komandant i Brigadës së III-të në tetorin e 1944-ës. Gjatë Luftës por edhe më pas, në krahinën e Vlorës dhe tërë Labërinë Sali Ormeni konsiderohej si një nga partizanët më trima dhe hero i Luftës, pasi ai kishte marr shtatë plagë plumbash në trup. Edhe pas mbarimit të Luftës ai kreu një sërë funksionesh, si: komandant i Brigadës së Dytë të Divizionit të Popullit, Operativ dhe Shef Shtabi i Divizionit të Popullit (dhjetor 1944), zv / komandant Divizioni (shkurt 1945), komandant i Shkollës së Policisë Popullore (1947), Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Popullore (1948), kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së në Kongresin e Parë (1948), anëtar i K.Q. të PPSH-së dhe deputet në Kuvendin Popullor (1949), zv / ministër i Brendshëm dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë me gradën e nënkolonelit (1949), detyrë të cilën e mbajti deri sa vdiq në rrethana misterioze më 3 mars të vitit 1951.
Konflikti i Ormenit me Enverin, Mehmetin dhe Kadriun
Konflikti i Ormenit me udhëheqjen e lartë të PKSH-së, filloi pikërisht, vetëm disa orë pasi u dha lajmi se në ambasadën sovjetike në Tiranë kishte shpërthyer një bombë, ngjarje e cila që nga ajo kohë njihet ndryshe si: “Incidenti i bombës në ambasadën sovjetike”. Sipas dëshmisë të nipit të Sali Ormenit, kolonelit në pension, Xhemal Imeri (i diplomuar në akademitë e Bashkimit Sovjetik). Kontradiktat e Sali Ormenit me ministrin e tij, Mehmet Shehun, kishin filluar para asaj ngjarje, kur Mehmeti donte të hiqte Ormenin nga posti i zv / ministrit dhe të sillte aty Kadri Hazbiun, i cili në atë kohë ishte shef i Sigurimit të Ushtrisë. Ormeni me Hazbiun kishin kontradikta që nga koha e Luftës dhe ato erdhën duke u acaruar edhe më shumë, pas një incidenti në mes tyre të ndodhur në vitin 1949 në përvjetorin e Luftës së Drashovicës, ku konflikti në mes tyre degjeneroi deri në nxjerre pistoletash. Ajo ngjarje e ndodhur në tribunën e festës, është konfirmuar edhe nga nipi i Ormenit, S. Alimeroko, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës. Pas asaj ngjarje, për Ormenin do të vinte një goditje tjetër, jo krejt pa pasoja, por këtë radhë nga vetë Enver Hoxha. Sipas dëshmive të dhëna nga Ibrahim Sihati, Hito Alimerko dhe Imer Gjondeda, gjatë një vizite të Ormenit në zonën e tij elektorale (Tragjas, Rradhimë etj), ai vuri re një varfëri të tejskajshme dhe për këtë gjë ai i kërkoi menjëherë takim Enver Hoxhës, të cilit i bëri të ditur gjendjen. Por ai jo vetëm që nuk gjeti mbështetje nga Enver Hoxha për gjendjen e keqe ekonomike, që kishte pllakosur zonën ku ishte deputet, por ishte ndarë keq nga ai takim. Sipas dëshmive të vetë Ormenit, Enveri e kishte quajtur atë; fatalist dhe kapitullant, para vështirësive që po kalonte partia. Pas këtij takimi, Sali Ormeni filloi të shihej me sy tjetër nga udhëheqja e lartë. Pas disa ditësh ai u thirr në zyrë nga Mehmet Shehu, i cili i bëri presion që të ndante bashkëshorten e tij, pasi vëllezërit e saj, po strehonin diversantë. Ormeni kundërshtoi shumë duke thënë se nuk mund të ndante nënën e pesë fëmijëve, por më në fund, nga rrethanat që iu krijuan u detyrua të bënte këtë veprim. Pas kësaj, “shokët që i kishin sugjeruar” ndarjen me gruan, “e prezantuan dhe i ofruan të martohej” me një femër tjetër. Gjatë asaj kohe që ishte njohur me të, Saliut i “humbi” një dokument tepër sekret, për të cilën e akuzuan se ia kishte vjedhur ajo e njohura e tij, që kishte qenë agjente. Lidhur me këto makinacione që përdorte Sigurim për të implikuar Ormenin dhe për ta hequr atë nga posti i zv / ministrit të Brendshëm, në veprën e tij të IX-të, Enver Hoxha midis të tjerash ka shkruar: “Sali Ormeni disa ditë para Plenumit të IX-të manifestoi kriza nervore duke thënë se kishte bërë gabime të rënda ndaj partisë. U këshillua që të shtrohej në spital dhe kur të shërohej t’ia thoshte hapur partisë gabimet që kishte bërë”. Dhe ndërsa Ormeni gjendej në këto situata të vështira, ndodhi ngjarja me bombën në ambasadën sovjetike në Tiranë dhe djegia e selisë së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Ngjarje të cilat, për vetë funksionet që kishte, bënin përgjegjës personalisht, Sali Ormenin. Këto ngjarje do të shënonin dhe konfliktin më të madh e të fundit të Ormenit me udhëheqjen e lartë dhe pikërisht me Kadriun e Mehmetin.
Ormeni në ministri: Bomba në ambasadë u hodh nga Sigurimi
Lidhur me ngjarjen e bombës së ambasadës sovjetike dhe konfliktin e Ormenit me Mehmet Shehun për atë problem, ka dëshmuar edhe Ferit Pilkati, i cili në atë kohë ka shërbyer si oficer Operativ i Sigurimit në një nga rajonet e Tiranës, ku midis të tjerash ai është shprehur: “Të nesërmen e asaj ngjarje, ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu na mblodhi në sallën e mbledhjeve dhe pasi na foli për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur, ai na lexoi një listë me 22 emra, që ishin arrestuar gjatë natës dhe na dha udhëzimet e porositë për arrestimin e 70 personave të tjerë, që duhet të arrestoheshin atë ditë si të implikuar direkt me incidentin, të cilët i kishte të shkruara në një letër. Teksa ministri tha këto fjalë, u çua Sali Ormeni dhe duke iu drejtuar Mehmetit, u shpreh: Mehmet Shehu, mos i merrni njerëzit kot më qafë. Se nuk janë ata që e kanë kryer atë akt. Është dorë tjetër ajo që e ka kurdisur atë gjë. Me fjalën; dorë tjetër, Ormeni la të kuptohej hapur se ishte Sigurimi i Shtetit. Pasi tha ato fjalë, ai doli nga salla pa marrë leje. Teksa ai po dilte, Mehmet Shehu tha se Saliu do të mbante përgjegjësi para partisë për atë veprim, pasi po viheshin në pikëpyetje marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Duke dalë, Saliu i tha Mehmetit se po shkonte të zbatonte urdhrin, që i kishin dhënë për t’u shtruar në spital”, përfundon dëshmia e Pilkatit lidhur me denoncimin e bërë nga Ormeni për ngjarjen e bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë. Po atë ditë Ormeni u shtrua në spital dhe sipas porosisë së Sigurimit të Shtetit, mjekët i dhanë diagnozën “tronditje nervore”. Sipas dëshmisë së nipit të Ormenit, Xhemal Imerit, shtrimi i Saliut në spital ishte një truk i Sigurimit të Shtetit për ta nxjerrë atë si të papërgjegjshëm për deklaratën që kishte bërë para kuadrove të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe vetë ministrit, Mehmet Shehu. Imeri dëshmon se në atë dhomë spitali Ormeni survejohej rreptësisht me anë të dy oficerëve të Sigurimit (I. S. dhe I. A.), ku njeri prej tyre ishte i shtruar ngjitur me krevatin e tij, gjoja i sëmurë. Një ditë më pas, më 4 mars 1950, Ministria e Brendshme me anë të një komunikate zyrtare njoftoi se: Në përpjekje për t’u arratisur në pyjet e Paprrit në Elbasan, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe zv / ministër i Punëve të Brendshme, Sali Ormeni, kishte vrarë veten”./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016