Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror I shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet fjala e Enver Hoxhës e mbajtur më 30 maj të vitit 1960 me sekretarët e parë të Komiteteve të Partisë së rretheve dhe disa prej kuadrove më kryesorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai u ndal dhe u bëri me dije të pranishmëve në atë mbledhje, lidhur me kontraditat dhe mosmarrëveshjet e mëdha që kishin dalë në mes Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë të Kremlinit me në krye Nikita Hrushovin, ku problemi më i madh ishte ai i Bazës Ushtarako-Detare të Vlorës, ku pala sovjetike kishte ende edhe 150 marinarë e oficerë, të cilët “krijonin çdo ditë incidente”. Fjala e Enver Hoxhës lidhur me letrën e dërguar nga ana e udhëheqjes sovjetike në mbledhjen e datës 28 dhe 29 mars të atij viti me përfaqësuesit e vendeve pjestare të Traktatit të Varshavës, ky Kryekomandanti i Forcave të Bashkuara, Marshalli Greçko, kishte gjetur si preteks për të marrë tërsisht në zotërim Bazën e Vlorës, incidentin e policit shqiptar në lumin e Izvorit me tre gratë sovjetike, i cili u kishte kërkuar atyre letërnjoftimet, se ndryshe do kishin probleme…?!
“Në fund, nënvizonim se propozimi i Greçkos nuk kishte asnjë bazë dhe theksonim se arsyet që parashtronte ai për të marrë këto masa ishin të gjitha shpifje dhe trillime. E vetmja “arsye” që paraqiste Greçkoja në letrën e tij për masat që propozonte, ishte se gjoja jetesa e marinarëve sovjetikë në bazën detare të Vlorës ishte bërë e pamundur. Sipas tij, sovjetikëve u ishin krijuar në bazë kushte aq të këqija, sa ata nuk shihnin tjetër rrugëzgjidhje veç asaj që ne shqiptarët të largoheshim nga baza jonë dhe atë ta merrnin në dorë sovjetikët, sepse vetëm në këtë mënyrë, sipas tyre, do të evitohej çdo incident! Një “incident”, sipas tyre, ishte se një polic në lumin Izvor, duke kontrolluar një autobus, me të cilin udhëtonin edhe tri gra sovjetike, u tha atyre që, pasi shkonin për në Vlorë, duhet të kishin me vete letërnjoftimet, sepse në qytet, duke mos i njohur, mund t’u sillnin pengesa. Nga kjo ndërhyrje e policit na qenkan acaruar marrëdhëniet dhe është prekur “krenaria” sovjetike. Ky “incident” na paskësh qenë një nga arsyet vendimtare për të marrë në dorëzim të gjitha anijet nga ana sovjetike”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash Enver Hoxha në një takim me sekretarët e parë të Komiteteve të Partisë së rretheve dhe me një numër kuadrosh kryesorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, të zhvilluar më datën 30 maj të vitit 1960, ku ai u ndal dhe u bëri me dije të pranishmëve në atë mbledhje lidhur me kontraditat dhe mosmarrëveshjet e mëdha që kishin dalë në mes Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë të Kremlinit me në krye Nikita Hrushovin, ku problemi më i madh ishte ai i Bazës Ushtarako-Detare të Vlorës, ku pala sovjetike kishte ende edhe 150 marinarë dhe ushtarakë, të cilët “krijonin çdo ditë incidente”. Lidhur me këtë dhe të gjithë fjalën e Enver Hoxhës në atë mbledhje të datës 30 maj 1960, na njeh ky dokument që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe pa asnjë shkurtim.
Fjala e panjohur e Enver Hoxhës me sekretarët e parë të komiteteve të Partisë të rretheve në Komitetin Qendror të PPSH-së më 30 maj 1960
Shumë kohë pas përgjigjes sonë, për të qenë solidarë me vendimin e Traktatit të Varshavës, na u dërgua një letër nga qeveria hungareze, në të cilën me terma të forta e të palejueshme, na këshillohet të zbatojmë vendimin e Traktatit të Varshavës. Por më e poshtër nga të gjitha është letra e gjermanëve, e firmosur nga një farë Vili Shtof, nën kryeministër dhe ministër Mbrojtjes, që nuk është veçse një fashist, bile edhe një fashist nuk do ta shkruante një letër të tillë. Vili Shtof me këtë letër merr haptazi në mbrojtje revizionistët jugosllavë dhe monarko-fashistët grekë dhe na akuzon ne si provokatorë ndaj jugosllavëve dhe grekëve. Këtij dokumenti që ne kemi në dorë, do t’i japim përgjigjen e merituar. Një letër të tillë na kanë drejtuar dhe bullgarët. Të tjerët nuk na kanë dërguar gjë deri tani.
Në përgjigjen tonë dërguar qeverisë sovjetike ne propozonim që në rast se nuk pranohet statukuoja, që ne duam të mbahet, të vinte një komision nga Bashkimi Sovjetik për të diskutuar mbi masat dhe mënyrën për likuidimin e bazës së Vlorës, që ata dëshironin. Ata e pranuan propozimin tonë dhe komisioni erdhi. Por edhe njerëzit që e përbënin këtë komision, filluan të bënin plot provokacione. Duhej gjakftohtësia e Partisë sonë për t’u bërë ballë provokacioneve të tyre. Ne parashtruam përsëri miqësisht tezat tona në komision, ndërsa ata qëndruan në tezat e tyre. Ata na thanë: “Ose pranoni zbatimin e vendimit ose ne do të largohemi nga baza” dhe na kërkuan që t’u dorëzonim të gjitha mjetet, bile deri te bulonat dhe dërrasat që kanë përdorur për një barakë. Përfaqësuesit tanë, në frymën e letrës që u drejtuam, u përgjigjën që në rast se ju nuk pranoni pikëpamjen e drejtë të Qeverisë sonë, atëherë merrni të 8 nëndetëset dhe një bazë lundruese që shërbehen nga ekipazhet sovjetike, ndërsa të tjerat që shërbehen nga njerëzit tanë, do të qëndrojnë këtu sepse janë pronë e popullit shqiptar.
Pronë e shtetit tonë, u vumë në dukje atyre, janë edhe 8 nëndetëset dhe baza lundruese që ne u thamë t’i merrnin, dhe në fakt ashtu është, ato janë bërë prona jonë me marrëveshje, qofshin që u dhanë falas, qoftë sikur edhe me para të na ishin dhënë. Kjo nga ana juridike. Por edhe nga ana morale e drejta është me ne, sepse Shqipëria është shtet socialist, anëtare e Traktatit të Varshavës, pjesëtare e kampit të socializmit. Në këtë kuptim ne kemi një qëllim të përbashkët. Ndonjë mund të hidhet e të thotë, mirë, po ato ju janë dhënë pa para juve, shqiptarëve. Ne u përgjigjemi se ato nuk janë sheqerka ose lodra, por mjete për mbrojtjen e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të kampit të socializmit. Parulla jonë është një për të gjithë dhe të gjithë për një. Kjo parullë për Partinë tonë ka një kuptim të lartë internacionalist dhe kësaj ne i përmbahemi. Kështu si arsyetojnë Hrushovi dhe ata që e pasojnë, mund të kërkojnë të na marrin edhe fabrikat e kombinatet që na ka dhënë Bashkimi Sovjetik.
Por gjëra të tilla mund t’i bëjnë vetëm njerëz të poshtër në tërë kuptimin e fjalës. Të tillë janë udhëheqësit e sotëm sovjetikë me Hrushovin në krye, prandaj demaskimi i këtyre revizionistëve do të thotë mbrojtje e Bashkimit Sovjetik. Ne i kemi mbrojtur dhe i mbrojmë popujt e Bashkimit Sovjetik, sidomos në këto situata që ata kalojnë, sepse Hrushovi dhe grupi i tij janë armiq jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të popujve sovjetikë. Ne dimë e do ta dallojmë kurdoherë Bashkimin Sovjetik të kohës së Leninit dhe të Stalinit nga këta renegatë të marksizëm-leninizmit. Revizionistët sovjetikë e dinë mirë se kundër kujt flasim ne, por, për të mbuluar veprimet e tyre antimarksiste, thonë se udhëheqësit shqiptarë sulmojnë Bashkimin Sovjetik, i hedhin baltë Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik etj. Ata duan që rrugën dhe kritikat tona të drejta, por të ashpra, që drejtohen kundër këtij grupi armiqësor revizionist, t’i shpjegojnë sikur drejtohen kundër popullit vëlla sovjetik, kundër Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Ne e dimë gjithashtu se veprimtaria antimarksiste e këtij grupi drejtohet jo vetëm kundër Shqipërisë socialiste, por edhe kundër gjithë komunizmit ndërkombëtar. Ata e kanë të qartë rrugën që ndjekim ne, po e shtrembërojnë me qëllime armiqësore dhe shpifin kundër nesh. Dje, për shembull, një shofer sovjetik i marinës, shtypi një marinar tonin, i cili është në gjendje shumë të rëndë. Proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes e kanë firmosur komandantët e anijeve sovjetike, njerëz të tjerë sovjetikë dhe vetë shoferi që bëri këtë krim, ndërsa ambasada sovjetike në notën e saj, në përgjigje të notës sonë, thotë se kjo gjë nuk është e vërtetë. Plot nota me gjëra të tilla u kemi dërguar dhe kështu përgjigjen. Ç’llum i fëlliqur ka dalë përsipër! Në lidhje me bazën e Vlorës, ne i njoftuam, pra, se cilat anije mund të largohen, kurse të tjerat nuk lëvizin nga vendi. Ata bënë gjithë atë zhurmë dhe presione. Po a lëkundet mali i Tomorit nga shirat, erërat dhe furtunat? Jo, nuk lëkundet, por qëndron i palëvizur, si shkëmb graniti në këmbë. Kështu, pra, udhëheqja e Partisë e Qeveria jonë nuk u lëkundën nga vendimet e tyre.
Kur e panë se nuk shkonin dot më tej, ata u larguan me nëndetëset e tyre, që nuk i kishin dorëzuar, dhe me bazën lundruese. Mirëpo na lanë këtu rreth 150 marinarë të tyre, sigurisht për mollë sherri. Ne u thamë se edhe këta duhet të largohen sa më parë nga Shqipëria, nuk kanë pse të qëndrojnë më te ne, sepse po rrinë kot dhe ky nuk është veçse një qëndrim me qëllime të këqija. Dhe në fakt veprime të tilla si ajo që kreu shoferi i tyre mund të bëjnë akoma. Ne e dimë se fajin nuk e kanë marinarët për ato që bëhen në bazën e Vlorës, por udhëheqja. Si është e mundur të arrijnë deri atje sa të instruktojnë marinarët të vjedhin çdo gjë që të gjejnë? Kështu nuk po lënë perde pa hequr natën, pa marrë ventilatorë, llampa elektrike, artikuj porcelani etj. Aq është e vërtetë kjo saqë vetë komandanti i tyre ka njoftuar komandën tonë se s’ka çfarë t’u bëjë njerëzve të tij, u ka folur njëqind herë që të mos veprojnë kështu, por ata janë shthurur. Komandanti i prapavijës së tyre, me gradën kolonel, ka arritur të marrë, me qëllim përvetësimi, plaçka që i takojnë shtetit tonë.
Kur pyetet çfarë është duke bërë kështu, se ai është komunist, përgjigjet pa pikë turpi se do t’i marrë për vete këto gjëra, sepse të tërë kështu po bëjnë. Po përse i bëjnë gjithë këto veprime të poshtra? Sigurisht, i kurdisin për të na akuzuar ne, për të pasur gjoja sa më shumë “fakte” kundër nesh. Por me gjithë këto provokacione të ulëta, kuadrot tanë kanë urdhër të mbajnë gjakftohtësinë, duke filluar që nga oficeri më i lartë e deri te marinari i thjeshtë. Të gjithë janë treguar në nivelin e duhur, njerëz partie. Ata i shohin se këto qëndrime janë të padenja dhe u bëjnë përshtypje shumë të keqe. Dhe ne e kuptojmë se këto i bëjnë për të na dërguar vazhdimisht nota. Ja, përfaqësuesi i tyre ushtarak, më i madhi që kanë tani te ne, vjen e i ankohet komandës sonë sikur një marinar shqiptar i paska “kontrolluar” xhepat një marinari sovjetik, një tjetër marinar shqiptar “nuk ka lejuar” një marinar sovjetik të dilte në breg të detit, ose se paska “kontrolluar” pakon që ishte duke nxjerrë një marinar sovjetik etj. Me sa duket, ata po mbledhin plaçkat për të ikur. Në këtë situatë kjo është zgjidhja më e mirë, që ne nuk e deshëm, por që e krijuan vetë revizionistët sovjetikë.
Veprimet armiqësore sovjetike në bazën e Vlorës kryhen me urdhrin e udhëheqjes revizioniste hrushoviane, por, megjithatë, në bazë ka njerëz të mirë që u japin marinarëve tanë edhe çelësat e aparateve më delikate të nëndetëseve, i këshillojnë ku të kenë kujdes e si t’i ruajnë e t’i mirëmbajnë ato, u thonë se ne kemi qenë dhe jemi miq etj. Partia jonë e ka thënë edhe e thotë se Vlora do të qëndrojë kurdoherë një bazë e fortë për mbrojtjen e atdheut tonë, Republikës Popullore të Shqipërisë, dhe të interesave të përbashkëta të popujve të kësaj zone. Kjo ka qenë, është dhe do të mbetet parimi i palëvizshëm i Partisë sonë. Ne asgjë nuk na tund nga rruga jonë. Udhëheqësit sovjetikë, po të duan, le të shkojnë më tutje. Dhe ata kanë shkuar më tutje në qëndrimet e tyre kundër nesh. Meqenëse udhëheqja sovjetike do t’i tërhiqte anijet e flotës luftarako-detare të bazës së Vlorës, nuk kishte asnjë kuptim për ne të linim të vazhdonin studimet kursantët dhe oficerët e marinës sonë që kishim dërguar në Bashkimin Sovjetik. Prandaj Qeveria jonë i dha urdhër atasheut tonë ushtarak në Moskë t’i kthente kursantët dhe oficerët tanë të marinës që studjonin në shkollat sovjetike të marinës. Atasheu ynë ushtarak u paraqit në komandën sovjetike dhe i njoftoi asaj vendimin e Qeverisë sonë.
E vetmja fjalë që i thanë atasheut tonë në komandën sovjetike ishte: pse nxitoheni, por ai u përgjigj menjëherë se këtë urdhër kam nga Qeveria ime, dhe unë zbatoj urdhrin e saj. Kështu atasheu ynë ushtarak shkoi menjëherë në Leningrad, ku, pasi njoftoi komandën e akademisë së marinës, mblodhi gjithë kursantët dhe u shpjegoi çështjen. Të gjithë njëzëri thanë se janë nën urdhrin e Partisë. Kur atasheu ushtarak shqiptar shkoi në akademinë tjetër të marinës, nuk e lejuan t’i takonte dhe të gjithë kursantët i burgosën nëpër dhoma, duke vendosur rreth tyre edhe roje. Po kursantët shpërthyen pengesat dhe morën takim me përfaqësuesin e shtetit tonë, i cili i mblodhi dhe u parashtroi si qëndronte puna. Ai u tha se urdhri i Partisë është që të ktheheni në Shqipëri. Të gjithë iu përgjigjën thirrjes si një trup i vetëm dhe me këtë rast buçitën fjalime dhe parulla për rrugën e drejtë të Partisë sonë. Kjo bëri përshtypje të madhe në gjithë kursantët dhe oficerët sovjetikë, të cilët donin të dinin përse bëheshin këto veprime të padrejta ndaj shqiptarëve, përse të burgosen shqiptarët që silleshin, qëndronin dhe mësonin aq mirë. Kështu u bë një rrëmujë e madhe që e mori vesh i madh vogël.
Për të mposhtur njerëzit tanë komanda sovjetike dyfishoi rojet, po shumica e këtyre thanë hapur se nuk pranojnë t’i burgosin shokët shqiptarë. Atëherë këto roje i zëvendësuan me roje të tjera, po edhe ato kundërshtuan. Drejtori i njërës prej akademive të marinës refuzoi të trajtoheshin në këtë mënyrë kursantët dhe oficerët tanë që studjonin atje, ai përkundrazi i vuri në rresht dhe i shoqëroi vetë në kinema. Në një akademi tjetër, oficerëve tanë u thanë se ju do të ktheheni përsëri te ne. Kështu që arritën deri atje sa deshën t’i mbanin me forcë kursantët tanë duke i gënjyer se në Shqipëri ka shpërthyer kundërrevolucioni si në Hungari etj. Kur atasheu ynë ushtarak po zbatonte urdhrin e Qeverisë sonë në Leningrad, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike i telefonoi dhe e njoftoi të kthehej në Moskë, ai i tha se unë zbatoj urdhrin e Qeverisë sime dhe jo tuajin. Ata e dëbuan atasheun tonë ushtarak dhe si kundërmasë ne dëbuam atasheun e tyre.
Natyrisht, ne protestuam menjëherë. Ato ditë mblidheshin komisionet e të dyja palëve në Tiranë për çështjen e bazës së Vlorës, por ne pezulluam punimet e komisionit tonë dhe e njoftuam palën sovjetike që në rast se nuk hiqet dorë nga masat arbitrare dhe armiqësore kundër kursantëve dhe oficerëve shqiptarë që studjonin në shkollat e marinës të Bashkimit Sovjetik, mbledhja nuk mund të zhvillohej. Kështu ata u detyruan t’i anulonin masat kundër njerëzve tanë dhe veç kësaj gënjyen duke bërë deklaratë se nuk kishin ndër mend t’i mbanin në Bashkimin Sovjetik kursantët dhe oficerët tanë të marinës dhe se do të merrnin masa për t’i kthyer në Shqipëri. Vetëm pas kësaj vazhduan bisedimet e të dy komisioneve shqiptare e sovjetike për bazën e Vlorës. Udhëheqja sovjetike u detyrua të ndryshonte qëndrimin e saj nga qëndrimi i vendosur i Partisë dhe i Qeverisë sonë, si edhe nga patriotizmi i lartë, vendosmëria e madhe dhe syri i patrembur komunistëve, i oficerëve e i kursantëve tanë.
Njerëzit tanë që studjonin në shkollat e marinës në Bashkimin Sovjetik, mbajtën qëndrim shembullor. Porsa morën udhëzimet e Partisë, ata ishin gati për çdo sakrificë, veçse të zbatohej porosia e Partisë pa as më të voglën lëkundje. Qëndrimi i njerëzve tanë i tregoi vendin klikës hrushoviane që organizon veprime armiqësore të pashembullta kundër vendit tonë, që ka prishur marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore në mes të dy vendeve tona. Po ata duhet të kuptojnë se me shqiptarët, me kuadrot e Partisë, nuk i zënë dot lopët në këtë mënyrë, sepse do të gjejnë përpara grushtin që do t’u thyejë kokën. Dhe me të vërtetë me aktin që bënë kundër kursantëve dhe oficerëve tanë të marinës, ata demaskuan veten e tyre, pasi ky akt ka bërë bujë edhe në Bashkimin Sovjetik, veçanërisht në ato qytete ku mësonin njerëzit tanë dhe që ishin të dashur e të sjellshëm me profesorët dhe me shokët e tyre sovjetikë, si edhe me popullin.
Siç e shihni, gjendja e krijuar në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik është e vështirë, jemi duke kaluar situata të tilla, në të cilat duhet mbajtur gjakftohtësi. Tani për ne është e qartë me ç’njerëz kemi të bëjmë. Midis dy vendeve tona kanë ndodhur gjithë ato ngjarje që po precipitohen gjithnjë e më tepër. Ato na bindin akoma më shumë që udhëheqësit e sotëm sovjetikë, me Hrushovin në krye, jo vetëm që janë në rrugë të gabuar, por ata janë futur thellë në një rrugë armiqësore kundër kampit të socializmit dhe veçanërisht kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Ata kanë bërë çdo gjë kundër nesh dhe janë përsëri të gatshëm të bëjnë ç’t’u vijë për dore, por do të thyhen. Ata kanë humbur dhe do të humbasin edhe sikur më tej të shkojnë në qëndrimet e tyre. Ata mund të marrin ndonjë vendim që të na përjashtojnë nga Traktati i Varshavës, por le ta marrin edhe këtë vendim, përgjegjësia e tyre do të jetë e rëndë, por nga zemra e popullit sovjetik dhe e popujve të vendeve të tjera socialiste nuk mund të na nxjerrin dot.
Këtë ata nuk do ta arrijnë kurrë, sado propagandë të shfrenuar që të bëjnë kundër nesh. Propaganda e tyre kundër Shqipërisë nuk do të zërë vend në masat e komunistëve dhe të popujve të tyre. Këtë e them jo vetëm në parim, por kështu është edhe në realitetin konkret. Ne kemi qindra studentë e specialistë të tjerë që kanë lidhje me njerëz të thjeshtë sovjetikë, me komunistë sovjetikë. Ata ua kanë shpjeguar këtyre qëndrimet e Partisë sonë dhe të Hrushovit e të grupit të tij revizionist. Ata kanë qenë dhe janë në gjendje të gjykojnë këto qëndrime dhe shumica dërrmuese e tyre aprovon plotësisht vijën e drejtë të Partisë sonë. Po të mos e aprovonin, udhëheqja sovjetike do t’i linte raportet e Kongresit tonë IV të qarkullonin lirisht nëpër Bashkimin Sovjetik. Por fakti është se kundër këtyre raporteve atje është vendosur censura. Kudo është mobilizuar sigurimi sovjetik për të grumbulluar raportet, të cilat qarkullojnë dorë më dorë. Në rast se këto raporte do të ishin me përmbajtje antimarksiste, siç shpifin udhëheqësit sovjetikë, atëherë përse të mos i lënë, se të tilla punonjësit sovjetikë nuk do t’i kapin me dorë.
Por raporti i Kongresit IV të Partisë sonë është marksist-leninist dhe demaskon vijën, qëndrimet dhe qëllimet e grupit të Nikita Hrushovit. Ata që e kanë lexuar, e kanë aprovuar atë plotësisht. Tani që po zhvillohen ngjarjet ndërkombëtare të kohëve të fundit, ata që e kanë lexuar një herë raportin, e kërkojnë përsëri t’i kthehen, se, siç thonë ata, “është një analizë reale e situatës ndërkombëtare”. Në një artikull të gazetës “Izvestia”, botuar kohët e fundit, thuhet: “Deri kur do të lejohen të armatosen gjeneralët e Hitlerit”. Ky është një tym që lëshojnë këta njerëz për t’u mbuluar, sepse është lëvizja komuniste e punëtore ndërkombëtare që ngre çështjen se deri kur do të armatoset Gjermania Perëndimore. Dihet se Kenedi bën deklarata pas deklaratash për të organizuar spiunazh dhe diversion kundër vendeve socialiste. Po ç’kanë thënë Partia Komuniste e Kinës dhe Partia e Punës e Shqipërisë? Ato kanë theksuar vazhdimisht që t’u qëndrohet dhëmb për dhëmb e t’u shtrëngohen rripat imperialistëve, sidomos imperializmit amerikan, të detyrohen ata që të vijnë në rrugën e paqes dhe të bashkekzistencës, se me pallavrat e Hrushovit me shokë ata nuk vijnë. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016