Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Jetullah Gashit me origjinë nga katundi Mramor i Prishtinës, i cili në vitin 1964, kur ishte gjimnazist, vendosi që të arratisej dhe kaloi kufirin shtetëror në zonën e fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës, pasi e mbajtën disa ditë duke e marrë në pyetje në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit “Bajram Curri”, e sollën në qytezën e Shijakut, duke e sistemuar në një bazë të Sigurimit të Shtetit, e cila quhej “Qendra e filtrimit e emigrantëve kosovarë”, që arratiseshin nga Jugosllavia dhe vinin në Shqipëri Për disa muaj ai i’u nënshtrua hetuesisë intensive nga ana e oficerëve të Sigurimit të Shtetit që vinin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe që mbulonin “emigracionin kosovar”.
Dërgimi i tij në rrethin e Korçës ku mbaroi shkollën e mesme në qytezën e Maliqit dhe më pas në Tiranë Ai ndoqi studimet e larta universitare në fakultetin e Mjekësisë, të cilat ai i përfundoi në vitin 1971 dhe u emërua në Elbasan, si mjek pranë spitalit të atij qyteti. Arrestimi i tij në vitin 1977, pas disa kohësh përgjimi dhe ndjekje nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, “si agjent i UDB-së”. Pas disa muajsh tortura ç’njerëzore, u dënua me 25 vite burg politik, të cilat i vuajti në kampet e Spaçit, Qafë-Barit, Burrelit etj., nga ku u lirua në fillimin e vitit 1991, me shembjen e regjimit komunist.
“Ishte data 30 gusht e vitit 1964, kur unë pasi preva biletën e trenit nga Prishtina për në Shkup (ku punoja me babën), gjatë gjithë rrugës, vetëm mendoja se si do të arrija në Shqipëri, gjë që kishte kaq ditë që e bluaja në kokë. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj informacioni për kufirin shtetëror, Jugosllavi – Shqipëri dhe nisur nga ky fakt, vajta në stacionin e autobusit në Shkup, ku preva biletën për në Gjakovë dhe aty mbërrita në orët e vona të natës. Zbrita nga autobusi dhe nuk dija nga të shkoja, pasi s’kisha qenë asnjë herë në Gjakovë. Duke bërë gjithë përpjekjet për të shmangur kontaktet me njerëz, mora rrugën që kishte më pak qarkullim. Në fund të kësaj rruge, pashë një furrë buke, bleva disa simite dhe vazhdova të njëjtën drejtim rruge në errësirën e natës. Në krahun e djathtë të rrugës, pashë një gardh, të cilin e kalova dhe hyra brenda në kopsht. Vendosa të flija aty. Afër rrethimit, gjeta një vend të sigurt që më mbronte, pasi herë pas here kishte të lehura qensh. I lodhur më kishte zënë gjumi. U zgjova në mëngjes, pasi shikova rreth e qark vendin, u ngrita kapërceva gardhin e dola përsëri në rrugë. Kushëriri im Kadriu, më kishte thënë që kufiri për në Shqipëri, kalon nga majat e disa kodrave të ç’veshura”. Kështu e kujton 75 vjeçari Jetullah Gashi nga Kosova, momentin e arratisjes nga Jugosllavia në Shqipëri. Pasi u diplomua në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe shërbeu disa vite si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit, në prillin e vitit 1977, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar si “agjent i UDB-së” dhe u dënua me 25 vjet burg. Torturat gjatë hetuesisë dhe dënimi me 25 vite burg. U liruar me të dënuarit e fundit që dolën nga “ferri komunist”, largimi për në Zvicër tek të afërmit e tij, kthimi në Shqipëri dhe largimi përfundimisht për në Kosovë, ku jeton dhe sot me familjen e tij. Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e tij e dhimbshme, mjeku Jetullah Gashi, dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al.
Zoti Jetullah, pra nuk jeni penduar që keni ardhur në Shqipëri…?!
Nuk mund të pohoj që u pendova që erdha në Shqipëri, pasi vitet e mia më të bukura, i kalova në atdheun tonë të dashur, këtu në Shqipëri. Por theksoj gjithashtu se, gjatë kohës që kreva gjimnazin në qytezën e Maliqit, më është dashur që të punoj në fermën e Vloçishtit, për të siguruar para për librat dhe mjetet e shkollës. Po kështu, gjatë studimeve të mia në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ne studentët kosovarë, nuk kemi pasur asnjë problem nga ana financiare, sepse përpos bursës 3.200 lek, (të reja), merrnim dhe 1.500 lek nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës.
Po pas diplomimit, gjatë punës si mjek, si ju kanë trajtuar?
Pas diplomimit në shtator të vitit 1972 dhe deri në prill të vitit 1977, unë punova me përkushtimin tim si mjek, për t’i shërbyer njerëzve me të gjitha mundësitë dhe aftësitë e mia. Gjatë gjithë këtyre viteve, nuk hasa as problemin më të vogël që të më konsideronin si të huaj apo dhe si kosovar. Ata njerëz më konsideruan gjithmonë si njeriun e tyre të afërt. Janë absolutisht marrëzira të atyre që mendojnë se, populli ka qenë fajtor për çdo gjë që ka ndodhur në të kaluarën në regjimin komunist në Shqipëri.
Pasi u kthyet në Kosovë, ju vendosët të krijoni familje?
Pasi më kthyen nga Zvicra për arsyet që kam shpjeguar më sipër, unë rrija me babain tim. E ndjeja që edhe kur flija natën ai, çohej me ngadalë që të mos më zgjonte mua dhe më shikonte me përkujdesje. Unë bëja sikur flija dhe e shikoja atë të ulur në karrige duke më vështruar. Ai më thoshte që duhet të njihja ndonjë vajzë, e të martohesha. Por unë në atë kohë isha midis dy rreziqeve. Nuk i kisha treguar kujt hollësira për kohën e burgut, vetëm j’u pata thënë që shkaktar për arrestimin dhe dënimin tim, u bë Lirim Pëllumbi. U pata thënë që ata nuk kanë lënë gjë pa bërë ndaj meje, dhe nëse nuk do t’i kisha pranuar ato që më thonin, ju sot nuk do ta shihnit më djalin tuaj, pra mua, sepse do dergjesha i vdekur në ndonjë qeli të Elbasanit. Propaganda e regjimit të Enver Hoxhës, e kishte bërë të vetën edhe mbi popullin shqiptar të Kosovës. Nuk mund të bisedoje lirshëm me njeri në Kosovë, sepse menjëherë thonin se: ‘këtë e ka futur shteti shqiptar në burg’. Nuk mund të dilje nga shtëpia dhe të shkoje tek motrat e të takoje nipërit dhe mbesat, sepse më dukej se të gjithë më paragjykonin, dhe mendonin se dënimi im, ka qenë për fajin tim, pasi ‘do të ketë bërë diçka që e kanë dënuar’.
Me kërkesë të vazhdueshme të babait për të më parë me familje të rehatuar, u njoha me shoqen e jetës sime, Shukrie Demolli, e cila ishte në profesion mami, por masat represive të ndërmarra në vitet 1990, nga regjimi i atëhershëm i Sllobodan Millosheviçit, e kishin lënë pa punë, pasi e kishin pushuar nga spitali Gjinekologji – Obstetrikë në Prishtinë. Shukria, kishte qenë e martuar me Abdyl Cakaj, i cili kishte ndërruar jetë nga një sëmundje, nga kjo martesë ajo kishte një vajzë, Krenare Cakaj, që e rritëm së bashku, e edukuam e ja krijuam të gjitha mundësitë për shkollim dhe krijoi familjen e saj.
Po fëmijë tjetër keni?
Në 14 qershor 1994, përjetuam gëzimin më të madh, lindjen e djalit tonë, Kreshnik Gashi. Në 29 janar 1997, ne përjetuam një gëzim tjetër të madh me shtimin e familjes sonë me lindjen e dy djemve binjak, të cilët i quajtëm Drilon e Dardan. Dardani nuk pati jetëgjatësi dhe me datën 28 shkurt të vitit 1997, ai ndërroi jetë.
Ku keni jetuar me familjen tuaj?
Me datën 31 mars 1999, ora 14.00, pasi isha shpërngulur nga shtëpia ime në lagjen “Ulpiana”, dhe u vendosa në shtëpinë e motrës sime, Hamide, forcat e shumta ushtarake paramilitare serbe, arritën në derë të shtëpisë së motrës. Ata na urdhëruan me forcë të dilnim jashtë të gjithë, dhe asnjë të mos guxonte të kundërshtonte, se do të kishte pasoja të rënda për jetën. Dhe ashtu u bë, dolëm jashtë unë me bashkëshorten dhe fëmijët, e motra me fëmijët. Rruga ishte e mbushur me burra e gra, të moshuar e fëmijë. Në fund të rrugës ishin vendosur forca të shumta të maskuara, me armët e tyre në gatishmëri për të gjuajtur çdo kundërshtar.
Ç’ndodhi më pas aty?
Sipas urdhrit të tyre, të rreshtuar dy e nga dy, në krahun e majtë të rrugës, filloj të bëhej kontrolli, e për të lejuar kalimin, duhej të paraqitje para tyre çdo gjë, duke filluar nga letër njoftimi e të ardhurat që kishe me vete. Erdhi radha e motrës sime që ishte me vajzat dhe çunat e saj. Në këtë moment dy prej tyre po shikonin mbesën time, e i drejtohen motrës, që kjo (për vajzën), do të qëndrojnë me ne, pasi të kryejmë punë, të na shërbejë me kafe e me pije. E morën mbesën, e veçuan në anën tjetër të rrugës dhe motra, Hamdie, filloi të bërtiste, e u shkëput për te vajza e saj që ta merrte nën mbrojtje.
Ja arriti…?
Në atë moment, ne të tjerët po vazhdonin të na kontrollonin, deri sa kaluam me djalin e vogël 2 vjeç në krah, kaluan të gjithë, kisha aty nipat, bashkëshorten, fëmijët, vetëm motra me mbesën mbetën pa kaluar. Në çdo qoshe të rrugës ishin vendosur trupat ushtarake, policore e paramilitare. Në çdo kryqëzim rruge kishte autoblinda e mitraloza. Në çdo rrugë të Prishtinës shikoje njerëz që vinin nga gjithë anët dhe kur u afruam te Shkolla Teknike, kishte përsëri autoblinda e armatime në gatishmëri. Sa kaluam xhaminë e madhe nja 200 m. para se të arrinim te Xhamia e Bricave, nuk kishte më uniforma ushtarakësh.
Çfarë bëtë në atë moment aty në atë vend ku nuk kishte më forca ushtarake?
Morëm rrugën që të çonte tek stacioni i trenit dhe gjatë rrugës, pashë me sytë e mi, dyqane të plaçkitura e dritare të thyera. Kur morëm kthesën për të shkuar te stacioni i trenit, pashë stadiumin të mbushur me qindra e qindra të moshuar, burra, gra, fëmijë të rinj e të reja, aq shumë ishte i mbushur sa nuk kishte vend për tu ulur. Autobusët të mbushur plot shkonin e vinin. Ndërkohë erdhi treni dhe ai u mbush, e unë me familjen time, me motra e nipa e mbesa, nuk mundëm të hipnim në tren atë mbrëmje të ftohtë.
Çfarë bëtë pasi nuk mundtë të hipnit në tren?
Po rrinim të grumbulluar në një qoshe, pa e ditur se ku do të shkonim dhe çfarë na priste? Nata ishte e ftohtë dhe nuk kishim me çfarë të mbulonim fëmijët. Hoqa xhaketën nga trupi, për t’i mbështjellë, por kjo nuk mjaftonte. Autobusët vinin shpesh dhe në orën 23.40 erdhi treni, ku njerëzit u vërsulën kush të hipte më parë, por ne përsëri nuk mundëm. Në mëngjesin e datës 1 prill 1999, rreth orës 8.20 minuta erdhi treni dhe unë i thashë nipit, Ilirit, e një shokut të tij, që të bënin të gjitha përpjekjet për të hipur në tren. Ndërkohë njerëzit nxituan kush të hipte sa më parë, sa nga dera e sa nga dritaret, me shumë vështirësi të gjithë u futëm në tren dhe rreth orës 9.00, treni filloi të lëvizte.
Ku shkonte ai tren…?!
Të gjithë ishim në ankth, se cili do të ishte destinacioni i tij dhe, duke parë forcat e armatosura që ishin të vendosur në ndarjet e vagonëve, kur treni ishte në Fushë – Kosovë, ishim të shqetësuar se cili do të ishte rruga që do të merrte treni djathtas, apo majtas! Treni morri rrugën majtas dhe askush nga ne, nuk ishte i qetë, i jepnim kurajo njëri tjetrit. Treni arriti në Ferizaj, nuk ndaloi, por vazhdoi rrugën deri në Kaçanik. Përpara se treni të futej në tunel, mendova se mos regjimi i Sllobodan Millosheviçit, në këtë tunel, do të ketë përgatitur shfarosjen e popullit, por treni me të njëjtën shpejtësi, doli nga tuneli dhe ju afruam Hanit të Elezit, duke ngadalësuar shpejtësinë në zonën neutrale të kufirit, në mes Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Në atë zonë kufitare, ç’ndodhi?
Aty na urdhëruan të zbrisnim nga treni dhe na lajmëruan të mos guxonim të kalonim në anën e djathtë të hekurudhës, sepse ishte e minuar pjesa tjetër. Sa kaloje pak lartësi, të shfaqej një pllajë e madhe, e mbushur me qindra çadra në atë territor. Një familje në një çadër, dhe kështu edhe ne ngritëm çadrën tonë, ndërkohë automjete me ushqime e ujë, vinin nëpër çadrat tona. Në atë pikë kufitare të Bllacës, çdo ditë vinin me dhjetëra autobusë në ditë, për të na transferuar pas qëndrimit disa ditor në këtë vend fushim.
Sa kohë qëndruat aty?
Me datën 6 prill 1999, në orët e pas ditës, na lajmëruan që do të niseshim dhe autokolona e autobusëve filloi të lëvizte rreth orës 23.30, e pas disa urësh udhëtimi, rrugëtimi vazhdoi drejt Ohrit, por nuk ndaloi! Aty e kuptova dhe i thashë bashkëshortes e motrës, që po shkonim drejt Shqipërisë. Në të gdhirë kaluam Pogradecin dhe mua menjëherë m’u rikujtuan ato që kisha përjetuar në datën 28 tetor të vitit 1964, kur unë u arratisa nga Kosova dhe hyra në Shqipëri.
Ku u vendosët pasi erdhët në territorin shqiptar, pra u futën në Shqipëri?
Unë bashkë me familjen time e me shumë familje të tjera kosovare, mbërritën në qytetin e Korçës ku unë kisha qenë para 36 vjetësh me punë si mjek. Aty kishim fatin të na priste një popull bujar e mikpritës. Kur arritëm në stadiumin e Korçës, dhe çdo familje me familjarët e tyre u ulën në shkallët e stadiumit “Skënderbeu”, nuk kaloi shumë, kur në stadium, u shfaqën djem e vajza gjimnaziste, të cilët të pajisur me ushqime e ujë, shpërndanin dhe përqafonin bashkëmoshatarët e tyre.
Si u ndjetë në ato momente, pasi vije në një qytet ku kishe jetuar e punuar?
Ndjeva gëzim të madh, që për asgjë nuk isha i zhgënjyer nga populli i mrekullueshëm i Korçës. Shumë familje kosovare u strehuan në familjet korçare, por pjesa më e madhe u strehua në familjet e fshatrave të Korçës. Përfaqësuesit e Bashkisë së Korçës, po kontrollonin në shtëpitë e fshatrave për rreth, për të gjetur banesa për ne e për familjen time të madhe. Në këtë kohë unë i’u drejtova përfaqësuesve të Bashkisë dhe i thashë që kam shumë miq e shokë në Korçë, se kam mbaruar gjimnazin në Maliq dhe kam punuar si mjek një vit në Korçë. E kështu i thashë se shoku im më i ngushtë është, Petrit Bazelli.
Mundët të takoheshit me shokun tuaj, Petritin?
Po, Petrit me gjithë familje na priti me dashuri e ngrohtësi vëllazërore dhe ai më kritikoi që pse nuk kisha shkuar direkt në shtëpinë e tij, por unë u shfajësova, duke i thënë, se isha i shoqëruar me motrat me familjet e tyre ku bëheshim shumë pjesëtar. Petriti,na ndihmoi shumë duke gjetur vend-strehim, edhe për motrat me fëmijë dhe gjatë gjithë asaj kohe që ne kemi qëndruar aty, prej mikpritjes së tyre, jemi ndjerë si në shtëpinë tonë.
Kur u kthyet në Kosovë, në shtëpitë tuaja?
Ne u kthyem në Kosovë me datën 11 korrik të vitit 1999, rreth orës 1400. Që nga ajo kohë e deri tani, unë edhe pse jam i rrethuar e jetoj me vëllezërit, nipa e mbesa, e shumë shoqëri të madhe, nuk e harroj për asnjë moment, se vitet më të vrullshme të jetës sime, i kam kaluar në Shqipëri. Edhe pse në këtë moshë, unë shkoj shpesh në Tiranë, ku takoj miqtë e mi, bashkëvuajtës në burg, si p.sh., Qani Sadikun (me origjinë nga fshati Markat, Sarandës), një nga miqtë e mi më të ngushtë, me të cilin kem i ndarë ditët më të vështira tonat në kampe dhe burgje./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016