Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të zhvillimit të zgjedhjeve të para parlamentare që u mbajtën në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, ku populli ynë, me votë përfaqësuese, shkoi para kutive të votimit. Të gjitha detajet, nga premtimet e të zgjedhurve të popullit në fushatat elektorale, akuzat dhe kundër akuzat e tyre për parregullsitë e zgjedhjeve, deri tek implikimet e qeverisë me xhandarët që kërkonin vota! Të gjithë kandidatët për deputetë të atyre zgjedhjeve, si ata të partive të ndryshme politike, ashtu dhe të pavarurit, njëlloj si këta të sotmit, u premtonin zgjedhësve të tyre: ndershmëri, rrugë, tharje kënetash, rend publik, ulje taksash, liri shtypi, reforma në administratë, ndihmë dhe përkrahje sociale për shtresat e varfra, interesat e kombit në plan të pare, etj., etj. Një histori që përsëritet edhe sot pas 100 vitesh…?!
Edhe pse kanë kaluar 100 vite nga fushata elektorale e zgjedhjeve të para parlamentare për Parlamentin e Shqipërisë, e cila u zhvillua në pranverën e vitit 1921, po t‘i referohemi historisë së atyre zgjedhjeve që zhvilloheshin për herë të parë në vendin tonë dhe fushatave që janë zhvilluar këto tre dekadat e fundit pas shembjes së regjimit komunist, do të shohim se ato ndryshojnë disi vetëm nga forma dhe aspak nga përmbajtja e tyre! Të gjithë kandidatët për deputetë të atyre zgjedhjeve, si ata të partive të ndryshme politike, ashtu dhe të pavarurit, njëlloj si sot, u premtonin zgjedhësve të tyre: ndershmëri, rrugë, tharje kënetash, rend publik, ulje taksash, liri shtypi, reforma në administratë, ndihmë dhe përkrahje sociale për shtresat e varfra, interesat e kombit në plan të pare, etj. Po ashtu, si dhe sot, kur forca të ndryshme politike vazhdojnë ende të akuzojnë njëra-tjetrën për parregullsi në zgjedhjet e zhvilluara, edhe zgjedhjet e para parlamentare që u mbajtën në Shqipëri në vitin 1921, u zhvilluan në mes rregullit dhe parregullsive, akuzave dhe kundër akuzave, qetësisë e zhurmës, etj,! Duket se asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë e deri më sot! Kandidatë për deputetë që mbanin poste të larta në qeveri, në ato të vitit 1921, u akuzuan se po përdornin administratën vendore dhe forcat e xhandarmërisë për të fituar sa më shumë vota dhe përgënjeshtrimet e tyre se ishin treguar korrektë në detyrë.
Si u zhvillua fushata elektorale e zgjedhjeve të para parlamentare në Shqipërinë e vitit 1921, çfarë premtimesh bënin kandidatët për deputetë dhe si e përcolli shtypi i asaj kohe fushatën e tyre?
Deputetët e Parlamentit të parë shqiptar të dalë nga zgjedhjet e 21 prillit 1921
Zgjedhjet e vitit 1921, kandidatët për deputet prezantojnë programet e tyre në shtypin e kohës
Fushata elektorale për zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, të cilat u mbajtën në prillin e vitit 1921, filloi që në dhjetorin e vitit 1920, kur në disa gazeta të asaj kohe u artikuluan edhe shkrimet e para që njoftonin fillimin e asaj fushate. Që nga ajo kohë e deri në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare, pothuajse e gjithë fushata elektorale u përcoll me një vëmendje të madhe nga shtypi i asaj kohe. Shumë nga gazetat kryesore të asaj periudhe si “Taraboshi”, “Hylli i Dritës”, “Mbrojtja Kombëtare”, “Gazet e Korçës”, “Besa Shqyptare”, “Shkumini”, “Koha”, “Drita”, “Fjala e Lirë”, “Demokratia” etj., të cilat dilnin në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë, si në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Korçë, Gjirokastër etj., e deri te “Dielli” që nxirrte shoqëria “Vatra” në SHBA, i kushtuan një hapësirë të madhe në faqet e tyre të gjithë fushatës elektorale. Të gjitha ato gazeta me përmbajtje letrare apo politike, nga muaji dhjetor i vitit 1920 filluan të shkruanin edhe editorialet e para për zgjedhjet që do mbaheshin në pranverën e vitit 1921. E gjithë fushata u zhvillua me një luftë të ashpër propagandistike, si në shtyp ashtu dhe me mjetet e tjera, që kandidatët për deputetë të atyre zgjedhjeve kishin në dispozicion. Përveç deputetëve që u përkisnin formacioneve dhe grupimeve të ndryshme politike, në ato zgjedhje konkurruan edhe deputetë të pavarur, apo siç quheshin në atë kohë “deputetë të paanshëm”, të cilët paraqitën edhe programet e tyre në gazetat e asaj kohe.
Premtimet e kandidatit për deputet, biznesmen i Korçës
Disa prej kandidatëve për deputetë, të cilët merreshin me biznese të ndryshme private, programet e tyre elektorale i bënë publike edhe në shtypin e asaj kohe. Një prej tyre ishte dhe Filip Marko Poda, i njohur si pronar i një fabrike të madhe, i cili konkurroi në një nga zonat e krahinës së tij në Prefekturën e Korçës. Në programin e tij elektoral, që ai e botoi në gazetën “KOHA” të Mihal Gramenos, midis të tjerash shkruhej: “Filip Marko Poda (Ish-Fabrikanti i Fabrikës së Madhe) Ve kandidaturën për deputet të pa hanëshme me programin e poshtme. Popull. Lipset ta dini se çdo kandidat që nuk i paraqit popullit programin e tij, po të votohet prej tij pa program dërgohet në parlament si fuqi plotës edhe çdo që të bëjnë mbi dëmin‘ e ti, s’ka të drejtë populli të protestonjë, po të paraqitnjë programin, s’ka edhe ay të drejtë të dalë shumë nga programi se atëherë populli ka të drejtë të protestojë edhe t‘i kërkonjë rëzimin e tij në mes periudhit, prandaj hapni sytë po të votoni njerëz pa program. Programi tem asht ky.
1. E ç’pejtuara e të sjellurit Organizatorë në tëra Ministoritë e në Prefekturat edhe ca më tepër një financier spesialist për në Ministorinë e Financave i cili do të dij si del paraja pa ngarkuar shumë popullin me pagesa edhe që të mos harxhoen kot. (Nga pika 2 deri tek pika 4, flitet për politikën e jashtme. Shënimi ynë) 5. Mbrojtjen e lirisë së shtypit se ay ç’bulon të padrejtat e të paudhat edhe në qoftë se shtypi dërgohet no një herë në gjyq nga an‘e qeverisë, të mos gjykohet prej asaj, por të gjykohet prej zhurive, d.m.th. prej popullit. 6. E përkujdesura për burgjet e për të burgosurit të jenë më vise të shëndetçme e të gjykohen për së shpejti se në gjyq munt të shpëtojnë, pse të rinë mot të mot më kot. 7. Ç’pejtimi i regullimit të plotë të postave. 8. Reformim e krejt nëpunësisë se më të tepërit me gjithë analfabetë po janë vënë prej. E dhëna me më no një Gazetar të dalën e një gazeteje në Kryeqytet me titullin-Gazet‘ e Qeverisë, e cila të dalë dy herë në javë të publikojë veprat e Qeverisë e të Parlamentit e të Prefekturavet e të ndahet në tërë Myftarët e fshatravet të gjithë shtetit me anë të Prefekturavet dhe Nënprefekturavet edhe pajtimin e saj no 20-30 franga në mot ta paguajn fshatrat që më anë të kësaj Gazete do të jetë dijës populli fshatar i çdo vepre qeverije. Ju siguroj se unë si i dekllaruar i pahanshëm së bashku me shokët e asaj kategorije do të jep eqilibiri (vezneja) e Parlamentit se do të japim votat tona në atë parti e cila do të ketë qëllim për mbrojtjen e interesavet të Shtetit, Kombit e popullit, e jo asaj që do të ketë qëllim për manevra personale. Sa për këtë jam i sigurtë që populli e njef karakter e Filip Podës, i cili nuk e përfill hatër e kanozma as interesa personale. Sa për mësime e dituritë teme, veçse jam dijës i tetë gjuharave me funt po mos aroni edhe famën që më kish vënë ky popull këtu e dy vjet përpara kur se kalemi tem bënte çudirra që thoshnë (Perëndija të rojtë nga dyfeku u Sali Butkës dhe kalemi i Filip Podës)
Me nder Filip Poda.
Akuzat e opozitës: Xhandarët po kërkojnë vota!
Në fushatën elektorale për zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921, shpallën kandidaturat e tyre dhe një pjesë e funksionarëve të lartë të qeverisë së asaj kohe, si prefektë, nënprefektë, ministra etj. Edhe pse qeveria e Sulejman Delvinës u angazhua se funksionarët e lartë të saj, ushtria, xhandarmëria, e administrata do të qëndronin sa më larg zgjedhjeve dhe nuk do përziheshin fare në to, pati shumë abuzime. Në disa prefektura dhe nënprefektura të vendit, shumë funksionarë të administratës shtetërore dhe xhandarë e policë u implikuan në fushatën elektorale e proçesin zgjedhor, duke mbështetur kandidatët për deputetë që mbanin poste të larta në qeveri. Lidhur me këtë, në një prej editorialeve të saj të datës 19 shkurt 1921, gazeta “Koha” e Korçës në mes të tjerash shkruante: “Zgjedhje apo Emnime. Nuk po e di se fat i zi i Elbasanit asht a ç‘asht? qi të përdoret influenca e Qeverisë këtu në Elbasan sot kur janë duke u bërë zgjedhjet e reja. Na duke pas këndue në ato qarkore të bukra pa ansin e Qeveris qi do të munte në zgjedhjet qi po bahen, kujtoshin se do dërgoshin në këshillën kombëtare ata njerëz që janë më të zotët e punës, ata njerës që mund do t‘i shërbein këtij vendi sikurse e kërkon nevoja por për fat të keq dualëm të gënjer. Qeverija këtu në Elbasan si një parti e veçantë nuk asht duke pran (pushuar së foluri) për të nxjerrë si deputet kandidaturët e saj. Nën shumë gjëra të tjera që rrëfejnë trazimin e qeverisë në zgjedhjet qi janë duke u ba, munt të përmëndet edhe ky aktivitet që asht bamë sheshasi pa pasun nën mënd se rrijmë n‘ Evropë: Një farë Mustafa Bilishti nga Elbasani vete në nja katund (Bishqem) të Krrabës edhe si merr nga stacioni i gjindarmërisë së këtij katundi dy gjindarma (xhandarë) me vete, shëtit në disa katunde si në Pajun e Pajovë e tjer, duke këshilluar katundar e gjindarmë që ata të votojnë për atë e për këtë. E zgjedhmja e deputetëve asht një e drejtë e popullit në këtë punë dhe Qeveria konstitucionale qi asht, nuk ka të drejtë të trazohet aspak. Pra Qeverija qëndrore duke marrë parasysh randësinë e madhe që ka kjo punë e duke pas ndër mënd edhe rezultatet e damshëm të influencës së zhon Tyrkuet qi donin të bëshin monopoll parllamentin për intresin e tyre, duhet qi t‘i ndajë këto paudhësina që janë duke ngjaj këtu e ndaj tër popullit të lir qi t‘i zgjedh deputetët ma të zot e ma të mir se ndryshe në vend të zgjedhjeve këtu n‘ Elbasan, puna po del me emnime”.
Zgjedhjet e fshatit Polis, me forcën e armëve!
Në fushatën elektorale dhe zgjedhjet e para parlamentare që u zhvilluan në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, krahas shumë Prefekturave ku u zhvilluan zgjedhje të qeta dhe pa probleme, pati edhe krahina të tjera, ku ato u zhvilluan me parregullsi. Madje, në disa qendra votimi të fshatrave të thella pati edhe konflikte, ku u vunë në përdorim armët. Një nga këto konflikte ndodhi në fshatin Polis të Prefekturës së Elbasanit, ku ndërmjet dy fiseve të atij fshati gati sa nuk u shkaktua një gjakderdhje për shkak të votimeve. Lidhur me këtë ngjarje në numrin e saj të datës 4 mars 1921, midis të tjerash gazeta “Shkumini” e Elbasanit shkruante: “Zgjedhjet në Polis. Më 20 të këtij muaji komisjoni qe dërgue prej këndej për me bamë votimet në krahinën e Shpatit, shkoi në katundin Polis që asht qendra e parë e asaj krahine edhe thirri popullin që të mblidhet në xhami. Atë ditë me që koha kish kalue, votoi mëhalla e Zenun Cekanit. Në nesëret, Dik Muzhaqi me parinë e vet (mbështetësit e vet. Shënimi ynë) afro 100 shpirtrish erth e që të votoj. Mirpo myhtari i katundit (kryeplaku) Jonuz Zharri, nuk erth ma në xhami dhe çoi fjalë që të mos hudhnin vota asnjë nga ata që ishin mbledhë për me votua, se ndryshe do t‘u binte me pushkë, edhe kërkoi që të digjeshin votat e partisë së Cekanit pa u këndue fare. Dik Muzhaqi me partinë e tij thosh, se dje votuan ata, e sot do votojmë ne. Si e pa komisjoni se do të bahesh gjakderdhje, vendosi me i djeg votat dhe iku për me i bamë votimin qëndrës së dytë. Shtojmë se dy fiset, Cekani dhe Muzhaqi, janë përgjakë shoq me shoq e ndodhen në hasmëri”.
Zgjedhjet në qytetin e Elbasanit, me qetësi dhe bandën muzikore
Zgjedhjet e para parlamentare të 1921-it u konsideruan si një eveniment i madh historik nga qeveria e asaj kohe, e cila ndonëse bëri të gjitha përpjekjet që ato të zhvilloheshin sa më të qeta dhe pa probleme, nuk ia arriti qëllimit. Një nga qytetet ku ato zgjedhje u zhvilluan të rregullta dhe të qeta ishte Elbasani, ku autoritetet lokale të tij kishin marrë të gjitha masat e duhura për ta kthyer ditën e votimeve si në një ditë feste. Lidhur me këtë gazeta “Shkumini” e Elbasanit, midis të tjerash shkruante: “Votimi i deputatëve të Prefekturës s‘ Elbasanit. Më 21 të këtij muaji më 3 e ½ allaturka, filloi votimi i këtushëm në Hotel “Kosova”. Në sallën e përgatitur ishin mbledhur: Këshilla e Katundaris, Këshilla Administrative, Trupi i Gjykatores, Inspektori i Zgjedhjevet, Rexhep Jella, zonjëzat e Kryqit të Kuq amerikan dhe drejtori i “Shkuminit” si përfaqësues i kësaj gazete. Policia e xhandarmëria kishin zan vënd përpara hotelit dhe kur vijshin zgjedhsat për me hyrë brenda, Drejtori i Policisë, z. Josif Skile dhe togerët z, Alush Kastrati dhe Sulejman Voshtina, i shikonin për armë. Votuesit e qytetit dhe ata të krahinës së Quksit, Mokër, Çermenikë, Gryk e Xaranikës, Shpat, Dumre e Krrab, bashkë me ta edhe banda muzikore e qytetit, qenë vendosë në kopsht të hotelit. Kur do të fillonte votimi, banda muzikore muer marshin e flamurit edhe kryetari i Komisjonit të votimit, z. Kasem Sejdini iu drejtue votuesave me këto fjalë patriotike: “Në mbledhjen e sotëme zotnia juej që jeni zgjedhës të dytë të qytetit edhe të krahinavet do të zgjidhen 8 deputetë të cilët për të parën herë në jetën politike të Shqipërisë do të marrin pjesë në Këshill e Kombit, n‘atë këshill që me ligjet e saj do t‘i siguroj lirimin, përparimin e drejtimin e bashkimit të Kombit”. Pas fjalëve të kryetarit filloi votimi pas rendit alfabetik të krahinavet edhe vazhdoi me një rregull e qetësi të jashtëzakonshme. Më 6 e ½ ora allaturka u hap arka e votave edhe u ban formalitetet që urdhnon kanuni, si erth edhe përfundimi i votimit të nënprefekturavet, Peqin e Gramsh, u shpall zyrtarisht lista e deputatëve të zgjedhun të cilët nga totali i 184 votave vet fituan kështu: Z. Shefqet Vërlaci 97 vota, Z. Mehdi Be Frashëri 97, Z. Behxhet Be Hyti 96, Z. Shefqet Daiu 96, Z. Anton Beca 96, Z. Shyqëri Myftiu 96, Z. Ahmet Hastopalli 95, Z. Taq Buda 95. Përfaqësuesit e krahinës së Quksit, me sjelljen e tyre fisnike ban një përshtypje të mirë në zëmër të popullit. Qeveria me tejshkrimet që ka dërgue njeni mbas tjatrit, nuk do të njohi të drejtën Prefekturës tonë me pas 8 deputetë edhe kërkon të ketë vetëm 7″.
Shtypi: Qeveria e Vrionit po manipulon zgjedhjet!
E gjithë fushata elektorale dhe votimet e zgjedhjeve të para parlamentare që u mbajtën në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, u përfshinë nga një varg parregullsish dhe manipulimesh të shumta nga ana e zyrtarëve të lartë të shtetit që kishin vënë kandidaturat e tyre për deputetë. Të gjitha ato parregullsi dhe presionet e ndryshme të funksionarëve të lartë të qeverisë së asaj kohe, që kryesohej prej Iljaz bej Vrionit për të fituar votat me mënyra të paligjshme, gjetën një pasqyrim të madh në të gjithë shtypin e asaj kohe. Disa prej gazetave kryesore që dilnin në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Korçë etj., u vunë në opozitë me qeverinë, duke denoncuar presionet e ministrave dhe zyrtarëve të lartë të saj. Pjesa më e madhe e këtyre shkrime të botuara 85 vite të shkuara, nuk kanë asnjë ndryshim nga ato të zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, problemet e të cilave ende nuk janë mbyllur.
Gazeta “Koha”: Qeveria presione në Durrës
Një nga gazetat që denoncoi manipulimet e qeverisë në fushatën zgjedhore ishte dhe gazeta “Koha”, e cila në një nga numrat e saj të shkurtit 1921, botonte një letër të ardhur nga një qytetar i Durrësit. Aty jepej një pasqyrë e plotë mbi implikimin e dhunën që po ushtronte qeveria e Iljaz Bej Vrionit ndaj popullsisë së asaj prefekture, në mënyrë që kandidatët e saj të fitonin zgjedhjet. Midis të tjerash, aty thuhej se Prefektura dhe nënprefektura e Durrësit merrnin urdhër mbas urdhri nga ana e qeverisë së Iljaz Bej Vrionit, që autoritetet e pushtetit lokal të mos përziheshin në zgjedhjet e Parlamentit, mirëpo në të vërtetë situata ishte krejt ndryshe nga sa flitej dhe se gjithë ato urdhra s‘ishin gjë tjetër veçse sa për t‘i hedhur hi syve popullit. Si shembull, aty jepej rasti i Klubit të Durrësit, i cili prej gjashtë javësh donte të mbante një konferencë, ku do të instruktohej populli për pjesëmarrjen e tij në zgjedhje dhe procedurat e votimeve, por ajo konferencë kishte dështuar pas ndërhyrjes së qeverisë dhe Prefektit të Durrësit që u kishte bërë presione drejtuesve të klubit të hiqnin dorë nga ideja e tyre. Lidhur me këto presione të qeverisë së Vrionit, në gazetën “Koha” midis të tjerash thuhej: “Tashti ka nja pak dit që Kllubi i mblodh për me bisedue mi kandidatët për zgjedhjet e dyta të deputetëvet. Ay shënoi njerëz që u besonte ma të ndershëm dhe nisi propagandën e vet mas ligjës e zakonit qi mbretnojn në çdo vënd të lirë. Por mas dy ditësh një urdhër i Ministrisë P. Mbrendshme detyron kryetarin e Kllubit, Dr. Nekinë me shku në Tiranë përpara Ministrit edhe me e qortu e friksue me e hjekun nga puna”. Më tej në atë letër të botuar në gazetën “Koha” theksohej se ishte e turpshme që kabineti i Iljaz Bej Vrionit merrej me të tilla presione, pasi ato mënyra veprimi në rradhë të parë do të dëmtonin vetë atë qeveri e cila që në fillim kishte premtuar se do të ishte shumë liberale. Duke ironizuar funksionarët e lartë të qeverisë që nuk po linin gurë pa lëvizur në mënyrë që të mbeteshin përsëri në pushtet, ajo gazetë shkruante: “Ah karrike t‘u thefshin kambët sa e amël je”.
Denoncimet: Ministri Xhaferr Ypi po përdor pushtetin!
Denoncimet ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë që ishin implikuar në fushatën elektorale dhe proçesin zgjedhor në atë letër jepeshin me emra konkretë, si p.sh., Xhaferr Bej Ypi, për të cilin thuhej se e kishin njohur si një burrë të ndershëm dhe patriot që i njihte mirë ligjet e qeverisë dhe të drejtësisë, por me sjelljen e tij në ato zgjedhje ai kishte treguar të kundërtën. Lidhur me veprimet e paligjshme të Xhaferr Ypit, aty thuhej se a mund të ishte punë e ndershme për një ministër që të thërriste dhe t‘ju bënte presione bashkëqytetarëve të tij vetëm pse ata nuk dëshironin t‘ia jepnin votën atij. Në çfar shkolle e në çfar librash e kishte mësuar e lexuar Xhaferr Ypi atë veprim që kishte bërë dhe a mund të ndalohej një qytetar i thjeshtë që të shfaqte hapur mendimin e tij. Prej këtyre gjërave theksohej në atë letër punët në Shqipëri po shkonin gjithmonë së prapthi dhe të drejtat e lira që kishte populli për të shprehur mendimin e tij, shkeleshin në mënyrën më flagrante nga ana e qeverisë. Për ministrin Xhaferr Ypi, në atë letër thuhej se ai po influenconte me autoritetin e tij, në mënyrë që në qytetin e Durrësit të zgjidheshin deputetë vetëm ata kandidatë që i shërbenin atij. Më poshtë, në atë letër theksohej se me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, disa ministra të kabinetit të Iljaz Vrionit kishin filluar të bënin transferimet të disa funksionarëve të administratës vendore dhe shefave të policisë, duke i dërguar ata nëpër zonat ku ata kishin vënë kandidaturat për deputetë, me qëllim që ata t‘i ndihmonin për të fituar zgjedhjet. Si shembull për ketë gjë aty jepej nënprefekti dhe komisari i Policisë së Krujës, të cilët ishin transferuar në Peqin dhe Starovë të Pogradecit. Në mbyllje të asaj letre të botuar në gazetën “Koha” thuhej se për të gjitha ato manipulime që po bëheshin nga ana e qeverisë, populli i Durrësit do të organizonte një manifestim proteste përpara selisë së qeverisë në Tiranë.
Ligji: Çdo njeri që nuk e shikon emrin duhet të ankohet dhe listat e zgjedhësve do rrinë për një javë të varura
Krahas shumë udhëzimeve dhe qarkoreve që filloi të nxirrte qeveria e Iljaz Bej Vrionit për zhvillimin sa më normal të zgjedhjeve të para parlamentare, në fillimin e vitit 1921 ajo bëri publike në disa organe shtypi edhe ligjin e zgjedhjeve që ishte miratuar më parë në qeveri. Në atë ligj të përbërë prej shumë pikash, midis të tjerash thuhej: “N.1. Këshillat Administratore të Katundarisë tue mbështjellun nënë Kryesinë e Kryekatundarit të Prefekturës, marrin dhe Nëpunësin të Shtetit Civil të vendit tue rrëzuem burrat që janë dënuem. S‘kanë të drejtë qytetnore ata që kanë dhanë falimento, të burgosurit e të çmendurit: nxjerrin masandaj nga regjistrat të Shtetit Civil burrat nënshtetas Shqiptarë 20 vjeç e lart. Çdo qytet ose katunt do të nxirret nëpër letra të veçanta dhe në këto qytete do të varen nëpër vende të përgjithshme e të katundeve në qendrat e Primavet. Këto do të rrinë një javë varun dhe çdo njeri që gabimisht nuk u asht shkruar emri i tij, ka të drejtë të ankohet dhe ankimi i tij duhet të vështrohet nga Këshillat e përbashkëta të lart përmëndura në këtë afat e mbrenda. Zgjedhja e Deputetëve do të bahet me ndërmjetësien d.m.th. me votim të tërthueruem. (Souffrage indirect.) N. 6. Gjith ata burra qi kanë moshë 20 vjeç e përpjetë, paguejnë a s‘paguejnë vergji, kanë të drejtë vote në çdo zyrë zgjedhje për zgjedhje të dytë. N.10. Në qendrat e Prefekturavet ose Nënprefekturavet kur gjykatësit janë të mbetë, do të lypen të tjerë prej Ministrisë së Drejtësisë e cila do të jetë e detyrueme me i dërgue. N.14 Ata që kundërshtojnë për të zgjedhunit e dytë do ta bajnë kundërshtimin mbrenda në katër ditë. Këto kundërshtime shqyrtohen në dy ditë mbrenda të Katundarisë dhe i jepet vendimi i cili asht i prem. Në qoftë se në ndonjë krahinë do të shifen shkaqe për të bamë përsëri një zgjedhje të zgjedhësve të dytë, e këto shkaqe pranohen prej Këshillave, athere duhet që kjo zgjedhje e re, të mbarohet në krye të katër dit”.
Tentativat për zgjedhjet e para në vitin 1877 që do të zhvilloheshin për Parlamentin e Turqisë
Historia e zgjedhjeve në vendin tonë apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai Parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së Parlamentit të parë të Turqisë pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëri u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe me zgjedhës të dytë. Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tri grupime politike. Grupimi i parë ishte Bashkim-Përparim (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës. Në grupin e dytë, që quhej: Bashkimi-Liberal, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas 1908-ës pati edhe disa zgjedhje të tjera, ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në 1912-ën, kur u shpall pavarësia./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016