Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një intervistë me z. Leonard Zisi, ish-diplomat dhe ambasador i Shqipërisë për vite me radhë në Varshavë, i cili në fundin e viteve ’50-të ka studiuar në Poloni dhe pas prishjes së marrëdhënieve në mes dy vendeve, së bashku me dhjetëra studentë të tjerë shqiptarë u kthyen në atdhe, duke u diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Dëshmia e ish-ambasadorit Zisi, lidhur me periudhën e studimeve në Poloni, si u përjetua prishja e marrëdhënieve në mes dy vendeve, akuzat e Gomulkës ndaj Enver Hoxhës, në mbledhjen e 81-partive në Moskë dhe më pas në Rumani, kthimi i studentëve në Shqipëri, takimet me shokët e “grupit”, si e mësoi ai arrestimin e shokëve të tij që u goditën si “grupi i agjentëve polakë”, rreziku i zgjerimit të atij “grupi”, ndërhyrja e Hysni Kapos, e deri tek acarimi i skajshëm i marrëdhënieve zyrtare në mes Shqipërisë e Polonisë, pas pranimit që i bëri Tirana zyrtare, Kazimierz Mijal në Shqipëri, i cili ishte kreu i opozitës polake dhe qëndroi 12 vjet në Shqipëri duke u trajtuar njësoj si anëtarët e Byrosë Politike, me vila, shërbyes, makina etj.
Zoti Leonard, kur dhe në ç’rrethana je njohur me pjesëtarët e të ashtuquajturit “grupi i agjentëve polakë” që u dënuan në vitin 1975?
Me kolegët e grupit që u dënua, me Ylli Alibalin, Faik Gojanin, Vedat Buzin, Spiro Nikollën, Shuaip Nurjen, dhe të gjithë kolegët e tjerë, kemi studiuar bashkë në vitet 1956-1961. Siç dihet për shkak të kontradiktave që u krijuan midis partisë sonë në pushtet, dhe “revizionistëve” siç i quajti Enveri, u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe shteti shqiptar, tërhoqi të gjithë studentët që ishin jashtë, midis tyre të gjithë studentët që ishin në Poloni. Shumë prej nesh nuk e mbrojtën dot diplomën pasi kishin bërë 5 vite atje.
Si e përjetuat ju prishjen e marrëdhënieve zyrtare në mesa Shqipërisë e Polonisë dhe kthimin tuaj në atdhe pa u diplomuar?
Sigurisht që ky ishte një element që në një mënyrë ose në një tjetër, krijoi një pakënaqësi në të gjithë studentët dhe kuptohet se asnjë prej nesh nuk mund të pajtohej me atë që po ndodhte, por nuk kishim rrugë tjetër veçse t’i nënshtroheshim fatit dhe të ktheheshim në Shqipëri.
Kur u diplomuat ju?
Në vitin 1962 ne u diplomuam dhe më pas u shpërndamë secili me punë në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Pas kthimit në Shqipëri, e ruajtët miqësinë që kishit në Poloni, takoheshit në mënyrë të organizuar grupi juaj?
Mbas kthimit tonë nga Polonia, sigurisht që takoheshim me shokët dhe bisedonim, pasi kujtonim periudhën e bukur te studimeve.
Si e kujtoni ju goditjen që i’u bë shokëve tuaj në atë që tashmë njihet si “grupi i agjentëve polakë”?
Kur u godit ky grup në vitet 1973-‘74, unë nuk kam qenë këtu, e kam marrë vesh në vitin 1975, kur unë isha me punë si diplomat në ambasadën tonë në Varshavë. Kur erdhën korrierët diplomatikë, ata më treguan për arrestimet, pasi unë nuk dija gjë se çfarë bëhej këtu.
Cila ishte zanafilla e goditjes së tyre?
Fillesa ishte e tillë që; një grup shoferësh që punonin në Parkun e Tregtisë së Jashtme, u kapën me kontrabandë dollari. Dhe rezultoi që në këtë situatë ishte pleksur edhe Spiro Nikolla, një nga shokët tanë, që kishte studiuar në Poloni. Dhe atëherë siç dihet edhe nga dokumentet që janë botuar, Sigurimi i Shtetit, ka qenë në një presion të vazhdueshëm nga Enver Hoxha, që u thoshte shpesh se përse nuk po kapen spiunë në Shqipëri?! Kjo qe fatkeqësia e atij sistemi, që kur kapnin një gjë, më pas e zmadhonin dhe e bënin sikur kanë kapur element spiunazhi, të lidhur me ambasadat e huaja. Dhe kështu ndodhi edhe me Spiro Nikollën, të cilit i thoshin “me kë ke qenë tjetër atje” dhe ai do të detyrohej të tregonte shokët të cilët do të kapeshin një nga një.
Kush u arrestua pas Spiro Nikollës?
Pas kësaj në këtë kuadër u goditën shumë nga shokët tanë, si p.sh.: Vedat Buzin, Ylli Alibali, Faik Gojani, dhe Adem Nurja, që ishte nga një familje shkodrane e shkëlqyer me 9 fëmijë, ku 7 prej tyre ishin komunistë.
U rrezikuan të tjerë nga ju që kishit studiuar në Poloni?
Siç më ka thënë edhe Pirro Veshi, që ishte edhe kunati i Ylli Alibalit, por që për fat nuk u fut në burg, kjo punë po vazhdonte shumë, kap njërin e kap tjetrin, derisa shkoj puna te Hysni Kapo, i cili kur e pa situatën që kjo po shkonte si puna e ortekut, tha; “fund, deri këtu do vazhdojë kjo punë”.
Kur e mësuat për atë që po ndodhte me shokët tuaj këtu në Shqipëri, a ndjetë ndonjë rrezik, pra që mund të shkonte puna deri tek ju?
Unë, siç u thashë, në atë kohë nuk isha këtu, por me thënë të drejtën shumë nga shokët tanë, por edhe familja ime që ishte këtu, u trembën shumë nga kjo gjendje. Di që edhe vëllai im dhe kunati që ishte këtu, kur kanë shkuar në shtëpi kanë zhdukur të gjithë literaturën polake, sepse qe rreziku që mund të vinin dhe pasi të bënin kontrollin e shtëpisë, të gjenin literaturën që të akuzoheshe, që; “ja ti, je i lidhur shpirtërisht me Poloninë”. Ne studentët që kishim studiuar në Polon,i ishim si “delja e zezë” në këtë kuptim. Këta të Sigurimit të Shtetit, kuptohet me urdhër nga udhëheqja e lartë e Partisë, u përpoqën që këtë grup ta trajtonin sikur ishte një grup spiunazhi. Kështu, nga akuza “për spiunazh në favor të polakëve”, u’a kthyen në “agjitacion dhe propaganda”, por ky nen minimumi ishte deri në 8 vite dhe shumë nga shokët tanë u dënuan po kaq vite.
Kur janë lidhur për herë të parë marrëdhëniet zyrtare në mes Shqipërisë dhe Polonisë?
Marrëdhëniet shqiptaro-polake u vendosën në vitin 1937, ku Polonia emëroi në Shqipëri një ministër të saj fuqiplotë, madje ky i fundit ka marrë pjesë edhe në dasmën e mbretit Zog. Në vitin 1945 Polonia ishte shteti i dytë pas Jugosllavisë, që njohu Shqipërinë dhe qeverinë e dalë nga Kongresi i Përmetit. Dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Poloninë mund t’i ndajmë në disa faza në këtë periudhë.
Konkretisht, si?
Nga 1945 deri në vitin 1956, marrëdhëniet kanë qenë normale, në kuadrin e bashkësisë socialiste të vendeve të Europës Lindore. Nga viti 1956 deri në vitin 1967, në historikun e marrëdhënieve shqiptaro-polake, ka pasur disa incidente, që kanë ndikuar në prishjen e atmosferës së këtyre marrëdhënieve.
Përse ndodhi kjo?
Në vitin 1956 ngjarjet që ndodhën në kampin socialist, pra lëvizjet antikomuniste, i filluan polakët, pasi në këtë kohë erdhi në pushtet Vladisllav Gomulka, që deri në këtë periudhë ishte në burg. Sikurse në Shqipëri ishte grupi i Koçi Xoxes, në Bullgari grupi i Kostovit, në Hungari grupi i Rajkut dhe të gjithë këta u dënuan me vdekje, por në Poloni ndodhi ndryshe, pasi këta vetëm u burgosën. Kështu që Enver Hoxha kishte një antipati me Gomulkën dhe këtë e shkruan vetë edhe në librat e tij. Ka qenë edhe një situatë e tillë, ku në vitin 1960, kur doli çështja e Teme Sejkos, dhe në një mbledhje, pikërisht në vitin 1960, midis sekretarëve të parë të partive të Traktatit të Varshavës, Enver Hoxha e ngriti këtë gjë dhe Gomulka ngrihet dhe i thotë; “Ore…, dale njëherë, prit ç’është gjithë kjo gjë, që kur ka një akuzë të tillë, që nëse cënohet integriteti territorial i një vend anëtar të Traktatit të Varshavës, atëherë vetë-vetiu cënohet i gjithë Traktati”?! Mirëpo kjo nuk i pëlqeu Enver Hoxhës, sepse siç dihet ajo çështja e Teme Sejkos, ishte një blof në fakt, një diçka e kurdisur dhe e stisur. Po dhe Gomulka ia përplasi Enverit. Kulmi arriti në mbledhjen e 81 Partive në mbledhjen e Moskës në vitin 1960, ku pas fjalimit të Enver Hoxhës, dy nga më kritikët e këtij fjalimi, ishin Ulbrihti i Gjermanisë Lindore dhe Gomulka i Polonisë. Madje Gomulka e quajti rrugaçëri sjelljen e Hoxhës, në mbledhjen e Moskës. Pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, polakët, marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë i zhvilluan normalisht.
Pas kësaj ngjarje, si vazhduan marrëdhëniet në mes dy vendeve?
Në atë kohë në të gjitha vendet socialiste i tërhoqën ambasadorët dhe i reduktuan marrëdhëniet diplomatike, duke mbetur te të ngarkuarit me punë. Por Polonia nuk e bëri këtë gjë dhe gjatë kësaj kohe, krahas këtyre aspekteve, janë dhe disa incidente që kanë ndodhur në marrëdhëniet shqiptaro-polake. Një incident ka qenë edhe me ambasadorin tonë atje, Musin Kroin, në vitin 1960. Pasi një punonjës i Ministrisë së Jashtme polake, i armatosur, u neutralizua nga shoferi jonë i ambasadës. Një tjetër incident do të ndodhte në pritjen e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, ku ishim edhe ne dhe dëgjuam një zhurmë zjarr, zjarr në ambasadë dhe rezultoi që një punonjës polak në ambasadë, kishte tentuar të digjte bobinat e filmit “Skënderbeu”. Por këta tanët e kapën. Incidentet vazhduan dhe në vitet 1972-’73, kur një anëtar i delegacionit tonë zbriti në Varshavë, policia polake e arrestoi pa shpjegime dhe e dërgoi në rajonin e policisë, pasi kujtuan se ai shpërndante me çantë materiale propagandistike të Kazimierz Mijal, kreut të opozitës polake që e mbante Enver Hoxha në Shqipëri me një trajtim si të anëtarëve të Byrosë Politike, me vila, shërbyes, makina etj. Por ai anëtari i delegacionit shqiptar u lirua dhe polakët kërkuan ndjesë.
Pranimi i Mijalit në Shqipëri, si justifikohej nga regjimi komunist?
Kjo gjë ishte një tjetër gabim, flas nga ana diplomatike, pasi Mijali u pranua me pasaportë diplomatike, gjë e cila shkaktoi reagime të shumta, pasi ai ishte kundër qeverisë polake. Në këtë kontekst, Polonia trajtohej nga Shqipëria si shtet revizionist etj. Kur u prishën marrëdhëniet me Mijalin, ambasada jonë ishte në ndjekje të vazhdueshme nga shërbimi i fshehtë polak. Dhe madje një ndjekje e hapur, kudo që shkonim ishim të survejuar, njëlloj siç ndodhte në Shqipëri ku Sigurimi i Shtetit survejonte dhe ndiqte trupin diplomatik të përfaqësive të huaja që ishin akredituar në vendin tonë.
Si e kujtoni survejimin që i’u bënin shërbimet e fshehta polake?
Kur ishin festat kombëtare polake, neve na vinte si “pullë poste” makina e shërbimit të fshehtë polak, që na ndiqte. Mua madje, më shoqëronin deri në ashensorin e apartamentit. Në kuadrin e bashkëpunimit në Traktatin e Varshavës, kishte edhe bashkëpunime nëpërmjet Ministrive të Brendshme të vendeve aleate. Por këtu peshën kryesore e kishin Sovjetikët. Por këto ishin nën kuadrin e marrëdhënieve reciproke dypalëshe.
Mendoni ju se vërtetë ka pasur agjentë të polakëve në radhët e studentëve shqiptarë që kishin studiuar dikur në Poloni?
Përsa i përket çështjes që: nëse ka pasur nga radhët e studentëve tanë që studionin atje, agjentë të polakëve, unë në optikën time mendoj se kjo nuk është e vërtetë, por mund të them që studentët tanë janë survejuar atje./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016