Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e nëntë
Memorie.al /Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së e gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45 të OKB-së, pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së, gjë e cila nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum të lartë të politikës dhe diplomacisë botërore, me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu.
Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ajo kohe, ende dhe sot vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, pasi me përjashtim të ndonjë dëshmie të pjesëtarëve të atij delegacioni (kujtimet e Reiz Mailes, apo Lisen Bashkurtit), si dhe fare pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, asgjë tjetër nuk dihet rreth vizitës së kreut të shtetit shqiptar të asaj kohe, Ramiz Alia, në sesionin e 45 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, i cili i zhvilloi punimet për rreth tre javë rresht, deri në mesin e muajit tetor 1990.
Si p.sh.; Kur filloi përgatitja dhe përpilimi i protokollit përkatës për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në atë forum të lartë të politikë botërore, kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit që shoqëruan Ramiz Alinë në atë udhëtim të gjatë përtej Atlantikut dhe çfarë funksionesh mbanin ata; prej sa personash përbëhej stafi ndihmës që shoqëroi delegacionin shqiptar dhe cilët ishin ata?! Kur filloi përgatitja dhe çfarë përmbante programi i vizitave dhe takimeve të Ramiz Alisë gjatë gjithë periudhës që ata do të qëndronin në SHBA-ës? A u realizua i gjithë ai program sipas protokollit përkatës dhe cilët ishin krerët e delegacioneve të huaja që takoi Ramiz Alia gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në SHBA-ës e, çfarë bisedoi ai me ta? Kush ishin shqiptarët e “mërgatës së vjetër”, me të cilët u takua kreu i Shqipërisë komuniste gjatë asaj vizite, çfarë u bisedua në ato takime dhe a pati incidente me “mërgatën reaksionare shqiptare”, të arratisur nga Shqipëria pas vitit 1945? Kush e organizoi pritjen që dha Ramiz Alia për bashkatdhetarët në Boston, cilët ishin disa nga eksponentët e mërgatës shqiptare që asistuan aty dhe si shkoi ai takim?
Cili ishte itinerari i udhëtimit të delegacionit shqiptar nga Tirana drejt SHBA-ës, përse u ndanë ata në disa grupe dhe arsyet e qëndrimit një natë në Zvicër? Përse ishte pjesë e delegacionit shqiptar, edhe Arben Alia, i biri i kreut të shtetit, Ramiz Alia dhe si u “justifikua” pjesëmarrja e tij në përbërje të delegacionit në fjalë? Sa dhe cilat ishin dhuratat që mori me vete delegacioni shqiptar me në krye Ramiz Alinë dhe kujt iu dhuruan ato në Zvicër e SHBA-ës? Përse u caktua Hotel “Plaza” (hoteli në pronësi të presidentit të sotëm të SHBA-ës, Donald Trump), për akomodimin e Ramiz Alisë dhe disa pjesëtarëve të tjerë të atij delegacioni? Sa kushtoi nga ana financiare e gjithë ajo vizitë, përse u shtuan fonde të tjera gjatë periudhës që delegacioni ndodhej në SHBA-ës dhe si u justifikuan ato shpenzime?
Përse stafi i diplomatëve shqiptarë që shërbenin në Misionin e OKB-së, u kujdesën që t’i jepnin Ramiz Alisë dhe një planimetri të saktë të sallës ku do mbahej sesioni i 45 i OKB-së, duke i përcaktuar edhe vendin ku do ulej përfaqësuesi kryesor i delegacionit të Republikës Federative të Jugosllavisë?! Kush ishin dy truprojat (mjeku dhe shoferi) që shoqëruan Ramiz Alinë gjatë gjithë asaj vizite dhe si u bë e mundur që ata të udhëtonin në avion me armatim dhe municion me vete? Cilët ishin pjesëtarët e grupit të xhirimit të Radio-Televizionit Shqiptar që shoqëruan delegacionin dhe çfarë detyrash iu dhanë atyre? Lidhur me këto etj., na njohin dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E TAKIMIT TË KREUT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA, ME KRYETARIN E SESIONIT TË 45 TË ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË OKB, 28 SHTATOR 1990
NGA TAKIMI I SHOKUT RAMIZ ALIA ME KRYETARIN E SESIONIT TË 45-TË TË ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË OKB-SË, GUIDO DE MARCO
28.9.1990
Mbas përshëndetjeve e urimeve të rastit e mori fjalën Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Maltës, Guido de Marco, i cili ndër të tjera tha:
Guido de Marco: “Ne kemi ndjekur me interesim zhvillimet e reformat që janë bërë kohët e fundit në Shqipëri. Jemi të ndërgjegjshëm për rolin dhe përgjegjësinë tuaj në zhvillimet e mëdha që po bëni në vendin tuaj. Unë vij nga një vend mesdhetar si dhe ju, prandaj ngjarjet në Shqipëri domosdo i ndjekim me interesim. Ne gjithashtu kemi mësuar me interes se ju keni kërkuar që Shqipëria të marrë pjesë në KSBE, jo më me statusin e vëzhguesit, por me të drejta të plota si gjithë vendet e tjera pjesëmarrëse.
Në zonën e ndjeshme të Mesdheut në të gjithë kemi përgjegjësi të mëdha për ruajtjen e paqes e të qetësisë së vendeve tona. Por gjërat në Mesdhe mund të kthehen shumë serioze, prandaj duhet një bashkëpunim më i ngushtë midis ne vendeve mesdhetare. Do të dëshiroja të kishim kohë më të gjatë për të biseduar me njeri-tjetrin në mënyrë që të diskutojmë edhe për mundësitë e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ndoshta mund të gjejmë kohën që të dy, zoti President, për t’u takuar përsëri e të bisedojmë për këtë”.
Shoku Ramiz Alia: Nga ana e tij, shoku Ramiz Alia, pasi i shprehu kënaqësinë për njohjen dhe takimin me të, i tha kryetarit të Asamblesë se; “vendet tona janë shumë afër me njeri-tjetrin. Edhe unë jam dakord me mendimin tuaj se për rajonin tonë të Mesdheut ka shumë rëndësi bashkëpunimi sa më i ngushtë dhe i sinqertë midis vendeve mesdhetare, pra edhe midis dy vendeve tona. Unë me kënaqësi do të bisedoja me ju edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe e për të shkëmbyer mendime mbi rrugët për konkretizimin e tyre në fusha të ndryshme të interesit reciprok”.
Pastaj shoku Ramiz Alia, pasi e uroi atë për zgjedhjen në postin e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, vazhdoi:
“Ne e çmojmë shumë rolin e OKB-së dhe përpiqemi me të gjitha mundësitë për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar për të krijuar një klimë sa më pozitive për marrëdhëniet miqësore midis popujve, për të dhënë kontributin tonë në ruajtjen e forcimin e paqes e të sigurimit ndërkombëtar. Në vendet e vogla, si Shqipëria dhe Malta, jemi shumë të interesuar për forcimin e paqes e të sigurimit në rajonin tonë dhe në Evropë, prandaj, në këtë kuadër, edhe vendi ynë është i interesuar shumë për pjesëmarrjen në Konferencën për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë. Asgjë nuk e ndan Shqipërinë nga paqja e sigurimi në Evropë dhe nga proceset pozitive evropiane drejt ruajtjes e forcimit të tyre.”
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E TAKIMIT TË KREUT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA, ME SEKRETARIN E PËRGJITHSHME TË OKB, PEREZ DE KUELAR, 28 SHTATOR 1990
NGA TAKIMI I SHOKUT RAMIZ ALIA ME SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM TË OKB-SË, JAVIER PEREZ DE KUELAR
Më datën 28 shtator 1990, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Javier Perez de Kuelar, priti në zyrën e tij, në Selinë e OKB-së, shokun Ramiz Alia. Pas përshëndetjeve e urimeve të rastit fjalën e mori Sekretari i Përgjithshëm, i cili, ndër të tjera, tha:
Javier Perez de Kuelar: “Është kënaqësi e veçantë të takohem me ju, zoti President. Ju uroj mirëseardhjen në selinë e Kombeve të Bashkuara në këtë vizitë Tuajën të parë këtu, e cila, me sa di, është pjesëmarrja e parë e një presidenti të Shqipërisë në punimet e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Përfitoj nga rasti t’ju shpreh gjithashtu në emrin tim dhe në emër të kolegëve të mi që më shoqëruan gjatë vizitës sime të bukur në Shqipëri, falenderimet dhe mirënjohjen time të thellë për pritjen e përzemërt dhe të ngrohtë që na rezervuat.
Në atë vizitë ne patëm mundësinë të njiheshim nga afër me zhvillimin e vendit tuaj dhe ndryshimet e reformat e rëndësishme që kishit ndërmarrë në fusha të ndryshme të jetës politike, ekonomike e sociale të vendit. Ne, edhe më pas, kemi ndjekur me interesim e vlerësim ndryshimet dhe vendimet e reja që keni ndërmarrë, sidomos ato në fushën e legjislacionit, mekanizmit ekonomik, në fushën e të drejtave dhe të lirive të njeriut.
Unë, zoti President, ndoqa me vëmendje fjalimin që mbajtët sot para Asamblesë së Përgjithshme dhe më erdhi shumë mirë që fjala juaj u prit me shumë interes dhe gjeti mirëpritjen edhe të publikut. Këtë e treguan edhe duartrokitjet e publikut e sidomos të bashkëpatriotëve tuaj. Ndoqa me interes e vëmendje qëndrimin e vendit tuaj lidhur me gjendjen në Gjirin Persik dhe dënimin që i bëni ju agresionit të Irakut dhe aneksimit të Kuvajtit.
OKB-ja e vlerëson shumë këtë qëndrim. Si jeni në dijeni, situata në Gjirin Persik tani është tepër e rëndë. Rreziqet për shpërthimin e luftës janë të mëdha. Kjo në radhë të parë për shkak të qëndrimit kokëfortë e të palëkundur të Irakut dhe veçanërisht të presidentit Sadam, i cili vazhdon të sfidojë hapur vendimet e Këshillit të Sigurimit dhe të Komunitetit Ndërkombëtar.
Sipas mendimit tim, nuk ka fare përgatitje e gatishmëri për një zgjidhje paqësore. Kërkohet vërtet të përdoret roli im ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës, por nuk ka asnjë indikacion nga Iraku për të nisur një rrugë drejt zbatimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit apo ndonjë tregues për të diskutuar tërheqjen e trupave të Irakut nga Kuvajti, që është kushti paraprak i çdo diskutimi e të bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.
Unë ndërmora hapat e mi duke shkuar në Aman të Jordanisë, ku u takova me ministrin e Jashtëm të Irakut, Tarek Azis, i cili është një miku im i vjetër, por ai nuk ishte në gjendje të bënte as edhe lëshimin më të vogël. Ndërkohë mbreti i Jordanisë, Arafati i Palestinës dhe personalitete të tjera arabe kanë ndërmarrë nisma dhe po bëjnë përpjekje për gjetjen e zgjidhjes paqësore dhe për të shmangur luftën.
Ndërkohë, katër vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit po punojnë që të miratohet nga ky Këshill një rezolutë që kërkon nga unë të rifilloj përpjekjet e mia për zgjidhjen e krizës. Nuk e di nëse një rezolutë e tillë do të zgjidhte gjë, sepse për mendimin tim e kam tepër të vështirë të arrij ndonjë sukses përpara qëndrimit intransigjent të presidentit Sadam Husein.
Kjo edhe sepse nuk më takon mua të diskutoj me Irakun rezolutat e miratuara nga Këshilli i Sigurimit, për të cilat këmbëngul Iraku. Ata të Këshillit të Sigurimit e kanë të lehtë ta heqin barrën nga vetja e të ma kalojnë mua.”
Shoku Ramiz Alia (ndërhyrje): “Ata sigurisht vlerësojnë talentin dhe aftësitë tuaja.”
Javier Perez de Kuelar (vazhdim): “Pra, zoti President, e tillë është situata në Gji. Si e theksuar edhe ju në fjalimin Tuaj, ne në asnjë mënyrë nuk duhet të largojmë vëmendjen nga thelbi i problemit: zgjidhja e problemit të Lindjes së Mesme në tërësi e veçanërisht atij palestinez, kthimi i territoreve të pushtuara të Bregut Perëndimor dhe Gazës e të Golanit të Sirisë si dhe largimi i trupave të huaja nga Libani e kthimi i paqes në këtë vend të sfilitur. Dua të theksoj se situata në atë rajon është jashtëzakonisht e rrezikshme.
Aktualisht është urgjente zgjidhja e krizës në Gjirin Persik e po të zgjidhet ky problem, pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit duhet të vihen menjëherë në lëvizje për diskutimin e problemit të Lindjes së Mesme. Do të dëshiroja të di si i keni marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe si paraqitet gjendja në krahinën e Kosovës. Unë dëgjova pozitën tuaj mbi këtë problem. Në fjalimin tuaj ju i drejtoheshin pozitës së Republikës së Serbisë dhe e diferenconit atë nga Jugosllavia në tërësi dhe udhëheqja federative”.
Shoku Ramiz Alia (ndërhyrje): “E diferencojmë sepse ky është një realitet”.
Javier Perez de Kuelar (vazhdim 2): “Shpresojmë që ky problem të gjejë sa më parë një zgjidhje të drejtë sepse Ballkani duhet stabilizuar. Si e keni situatën në Shqipëri? Kam dëgjuar për zhvillime të reja shumë të rëndësishme që kanë ndodhur atje dhe hapat që keni ndërmarrë.”
Shoku Ramiz Alia: Duke e marrë fjalën, shoku Ramiz Alia, ndër të tjera, tha: “Dua t’ju falënderoj sinqerisht për pritjen tuaj të ngrohtë që po më rezervoni. Kam kënaqësinë e veçantë për këtë takim, jo vetëm sepse po pritem nga Sekretari i Përgjithshëm, por se tani takohem me ju si një mik. Pra është një takim midis miqsh të sinqertë. Vizita juaj në Shqipëri pati një efekt të madh, jo vetëm në rrethet zyrtare por edhe në popullin tonë.
E kanë vlerësuar shumë deklaratën tuaj si dhe miqësinë e dashurinë e treguar prej jush ndaj Shqipërisë e popullit tonë. Sot, në fjalimin tim, shpreha pikëpamjet e vendit tonë për situatën ndërkombëtare dhe gjendjen në vend. Ne e shohim situatën si shumë serioze. Tani në skenën ndërkombëtare dalin vështirësi e probleme të ndryshme. Problemi i agresionit të Irakut dhe ai i aneksimit të Kuvajtit e për pasojë kriza e rëndë në Gji është një problem i madh, por jo i vetmi problem i madh.
Nuk është vetëm agresioni irakian një rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon e në botë. Edhe çështja e naftës mund të shkaktojë luftë. Mundet që ajo të krijojë rreziqe e kërcënime më të mëdha se sa Iraku. Dje më pyetën disa gazetarë. U thashë se agresioni duhet dënuar dhe popujt duhen mbrojtur. Po të krijohen të tillë precedentë si pushtimi dhe aneksimi i një vendi të vogël si Kuvajti, për popujt e vendet e vegjël përbën një rrezik të madh. Unë jam dakord me pikëpamjet Tuaja zoti Sekretar i Përgjithshëm si dhe ato të OKB-së. E di se është tepër e vështirë të flasësh me një njeri shurdh. Kur njëra palë nuk afrohet për dialog atëherë shkohet në drejtimin e kundërt.
Tani më shumë duhet dialog e mirëkuptim midis shteteve. Mendoj se me përpjekjet Tuaja, të Këshillit të Sigurimit e të popujve dhe vendeve arabe diçka do të arrihet. Besoj se Iraku do të shohë se rrugëdalja që kërkon ai është e rrezikshme edhe për atë vetë. Dua t’ju siguroj se Shqipëria është plotësisht e ndërgjegjshme për hapat që duhet të ndërmarrë OKB-ja dhe mbështet çdo hap pozitiv për arritjen e zgjidhjes së kësaj krize të rrezikshme. Për Ballkanin dhe Evropën Lindore mendoj se në sipërfaqe po del një problem serioz, ai ekonomik, që mund të jetë me pasoja serioze e shumë të rrezikshme. Kam përshtypjen se po mbivlerësohet aspekti politik, po nxitet ai, duke lënë në harresë atë ekonomik, i cili mund të sjellë perturbacione të mëdha. Zhvillimet në Evropën Lindore kanë një bazë tjetër. Të kalosh menjëherë nga një sistem në tjetrin sjell eksplozione.
Shoku Ramiz Alia: thashë rastësisht çështjen e luftës civile, e cila nuk duhet neglizhuar. Për sa i përket Shqipërisë, siç ju fola kur ishit në Tiranë, ne po bëjmë shumë hapa për të rakorduar mirë zhvillimin ekonomik me atë social e demokratizimin e vendit, që të gjithë faktorët që përbëjnë unitetin e me problemeve ekonomike, politike e sociale të ecin paralelisht. Këshilla na bëhen shumë. Të gjithë japin këshilla. Këshilla e parë: “Nxitoni!”. Unë nuk jam dakord me të tilla këshilla. Sipas Biblës edhe vetë perëndisë iu desh një javë të krijonte botën, prandaj edhe neve na duhet kohë, se gjërat nuk bëhen me një ditë, ndryshe nxitimi sjell rreziqe.
Por mund t’ju them se ne po ecim me konsekuencë. Ato që u thashë në takimet tona në Tiranë po i zbatojmë. Ne i hedhim hapat në përshtatje me kushtet e vendit tonë. Populli i kupton drejtë, forcat politike janë të gjitha në unitet, pavarësisht se çfarë shkruan shtypi i huaj. Udhëheqja politike e Shqipërisë ecën e gjitha në këtë rrugë. Tek ne nuk është çështje personash dhe të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se nuk mund të ecim vetëm se në këtë rrugë”.
Pasi Sekretari i Përgjithshëm e pyeti shokun Ramiz Alia se sa do të qëndronte në Nju-Jork, shoku Ramiz iu përgjigj deri më 1 tetor dhe i shtoi: “Do të përpiqem që të përfitoj nga rasti e të takohem me shumë kryetarë shtetesh e qeverish. Parimi im është me sa më shumë njerëz të diskutosh aq më mirë është”. Ndërkohë, ndërhyri shefi i protokollit të OKB-së dhe iu lut Sekretarit të Përgjithshëm që të përfundonte takimin meqë kishte takime të tjera. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm




















