Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al / Aktivitetet e CIA në Shqipëri për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, kanë sjellë përplasje të SHBA-së dhe me shtet e tjera. Dihet se ka pasur shumë fërkime me britanikët, teksa në një dokument të de klasifikuar tregohet për përplasje edhe me Italinë. Sipas dokumentit, italianët kanë tentuar të ndërhyjnë në Komitetin për “Shqipërinë e Lirë”. Po ashtu përplasje ka pasur dhe me Britaninë, e cila zhvillonte operacione paralele.
Memorandum për zëvendës-drejtorin e operacioneve speciale
Objekti: Shqetësimi italian për aktivitetet e Komitetit Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë”
Memorandumi juaj me datë 15 dhjetor 1950 u lexua me interes të konsiderueshëm. Megjithëse italianët janë padyshim të interesuar në punën e Komitetit Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë”, duket se shqetësimi i tyre kryesor është aktiviteti britanik dhe objektivat e tyre për Shqipërinë, si dhe mënyra e shfrytëzimit britanik të Komitetit, në ndjekje të këtyre objektivave Faktikisht natyra e punës së Komitetit njihet dhe çdo depërtim italian në kryesinë e tij apo tentativë për të korruptuar anëtarë të tij do të ishin mundime të kota.
Nga njohuria jonë e punës së Komitetit dhe në veçanti të bashkëpunimit të Komitetit me britanikët, ne besojmë se dyshimet italiane apo keqkuptimet për skenarët e tyre për ndarjen e Shqipërisë, janë totalisht të pabaza.
Me sa ne jemi në dijeni, të gjitha broshurat e lëshuara mbi Shqipëri janë përgatitur nga Komiteti Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë”, dhe nuk dimë për asnjë rast kur ato janë përgatitur nga britanikët apo që këta të fundit të kenë ndërhyrë në tekstet e Komitetit. Në lidhje me këtë do të ishte me shumë interes nëse inteligjenca italiane mund të na jepte tekstin për të cilin bëhet fjalë në memorandumin tuaj.
Do të ishim mirënjohës nëse na mbani të informuar për zhvillime të tjera të çështjes.
Frank G. Wisner, Zëvendës-drejtor i politikave të koordinimit
15 maj 1953
Komiteti Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë”
28 Nëntor, 1951
Komiteti Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë” ju mirëpret në celebrimin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe dëshiron ta përdorë këtë mundësi për dedikimin e tij ndaj kauzës së çlirimit të Shqipërisë dhe për njohjen nga bota të aktivitetit të Komitetit Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë” (NCFA).
Shtatë vjet më parë Shqipëria humbi pavarësinë e saj të fituar me shumë luftë, duke rënë nën regjimin e komunistëve dhe liderit të tyre kukull Enver Hoxha. Kjo lëvizje e komunistëve la një shenjë të keqe në vendin që prej 2000 vjetësh ka luftuar për të fituar pavarësinë.
Kjo shënon gjithashtu humbjen e lirisë së fituar në ditën e pavarësisë së vendit që ishte më 12 nëntor 1912. Në atë ditë, në mes të luftërave ballkanike, një grup fisnikësh të mbledhur në Vlorë lëshuan deklaratën e pavarësisë.
Me këtë akt këta njerëz bënë një hap madhor duke vazhduar trashëgiminë e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu, i cili luftoi me fisnikëri për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e 15-të kundër hordhive pushtuese turke, duke shënuar një prej periudhave më të lavdishme të vendit. Nga kjo fitore vjen dhe flamuri i Skënderbeut që tashmë është emblema jonë kombëtare, ajo e shqiponjës me dy koka.
Bashkimi i emigrantëve
Në një përpjekje për të bashkuar të gjithë elementët shqiptarë të emigracionit në një front të bashkuar kundër terrorit komunist, u formua Komiteti Kombëtar i “Shqipërisë së Lirë” dhe selia ndërkombëtare u hap në Nju Jork më 17 korrik 1950. NCFA u krijuar për të tejkaluar linjat e ndarjeve politike mes shqiptarëve dhe për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të mbajnë lart të drejtat e njeriut në vendin e tyre.
Aktivitetet e Komitetit drejtohen nga selia e tij e Nju Jorkut. Ne mbajmë gjithashtu nj zyrë në Romë e cila përpiqet të qëndrojnë në kontakt me bashkë-atdhetarët tanë që vuajnë brenda Shqipërisë. aktiviteti kryesor i NCFA është koordinimi i përpjekjeve rtë rezistencës së shqiptarëve në emigracion që luftojnë kundër komunizmit.
Korrik 1953
Infiltrim britanik në Shqipëri me nëndetëse
Informacioni i mëposhtëm është marrë nga refugjati shqiptar Anton Syku në 9 korrik 1953.
Gjatë kohës që Anton Syku nga Shën-Kolli i Lezhës ka qenë refugjat në kampin e Gerovës në Jugosllavi, në prill ai mori një letër nga kushëri i tij Dedë Zef Prela, me adresë “24 Ulica Masarikova Sabac”, Jugosllavi, e cila tregonte historinë e mëposhtme.
Në pjesën e fundit të vitit 1952, Prela Ndue Frroku dhe tre shqiptarë të tjerë të paidentifikuar nga kampi i Lavrionit në Greqi, u zbritën në brigjet shqiptare të bregu i Matës nga një nëndetëse britanike. Grupi operoi nga ishulli Mere e Teqes dhe nga fshati i lindjes së Prelës, Kakarriq, me ndihmën e njeriut të tyre të kontaktit Mirash Çuni.
Pas 45 ditë operacionesh, tre njerëzit e paidentifikuar të misionit u vranë në përplasjet me forcat komuniste të Sigurimit. Me ndihmën e agjentëve të UDB-së që operojnë në Shqipëri, Prela dhe Frroku u arratisën në Jugosllavi në mars 1953.
Prela ka qenë anëtar i rojës së kufirit shqiptar prej vitit 1950, deri në largimin e tij në Greqi, më 22 shkurt 1951. Si formë reprezaljeje pas arratisjes së tij, gruaja e Prelës, File, dy vajzat dhe djali i tij, u arrestuan nga agjentët e Sigurimit dhe u dërguan në kampin e përqendrimit në Tepelenë.
Prela është rreth 30 vjeç, mbështetës i Mbretit Zog, katolik dhe ka kryer vetëm shkollën fillore. Agjentët tanë po mundohen të bindin Sykun të shkruajë një letër për Prelën, duke i kërkuar detaje të tjera mbi misionin britanik të inteligjencës.
Syku ka pranuar të lejojë agjentët të kontrollojnë letrën dhe ta postojnë atë për Prelën. Ne do të fotografojmë të gjithë letrat përpara se të dërgohen për Prelën, dhe ashtu si të gjitha informacionet e marra do të kalohen te ju.
Plani III
Ky plan është aprovuar më 1 mars 1949 dhe ka të bëjë me përdorimin e personelit nga organizata “Keva”, më e madhja e refugjatëve grekë nga Shqipëria e Jugut (e njohur ndryshe si Epiri i Veriut) për mbledhjen e inteligjencës. Agjentët e këtij operacioni janë Stefanos Venakides, sekret i Keva, dhe një punonjës i bankës kombëtare të Greqisë, Nikolaos Pangos, zëvendës-president i “Keva”.
Këta dy individë kanë punuar prej kohësh në infiltrimin e agjentëve në Shqipërinë jugore, dhe raportojnë për një total prej tetëmbëdhjetë agjentë në qytetet shqiptare të Gjirokastrës, Leskovikut, Përmetit, Vlorës, Korçës dhe Himarës.
Aktualisht pesëmbëdhjetë korrierë janë të gatshëm për kalimet kufitare. Një listë prej njëzeteshtatë agjentësh të njohur dhe korrierë nga organizata “Keva”, bashkë me vendndodhjet dhe punësimet e tyre, i është bashkangjitur dokumentit.
Organizata “Keva” ka një rang të gjerë funksionesh, duke përfshirë aktivitete ndihmëse në Greqi dhe grupe rezistencë në Shqipëri, me një anëtarësi prej rreth 5000 njerëzish në Greqi dhe rreth 2.300 në Shqipëri, sipas raportimeve.
Objektivat e këtij operacioni përfshijnë mbledhjen e inteligjencës mbi grupet e rezistencës në jug të Shqipërisë dhe programet e planet e tyre, të dhëna mbi portet e aeroportet, ndërtimet, si dhe mbi asistencën që Shqipëria i jep rebelëve grekë.
Korrierët do të nisen në kufirin shqiptar për krijimin e rrjeteve të agjentëve. Bazat kryesore të këtij operacion janë në Athinë, por është planifikuar që ato të zhvendosen në Janinë. Pritet që grupet e para të korrierëve nën drejtimin tonë të nisen pas disa javësh.
Ndërkohë, është marrë një numër i vogël lajmesh me vlerë, mbi aktivitetet e dy zyrtarëve të grupit Keva të identifikuar më sipër. Pritet që produktet e rëndësishme të këtij operacioni të rriten në mënyrë të konsiderueshme kur drejtimi dhe mbështetja jonë të ndjehen më shumë./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












