Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al/ Gjatë gjithë historisë së kampionateve të futbollit shqiptar, kupave të republikës dhe aktiviteteve të tjera në këtë lloj sporti të zhvilluara para viteve ’90-të, natyrisht që janë shënuar edhe incidente e ngjarje nga më të ndryshmet në mes sportistëve, tifozerive dhe forcave të ruajtjes së rendit, ashtu siç ka ndodhur dhe ndodh kudo në këtë lloj sporti nga më popullorët në botë. Por dy nga ngjarjet më të rënda që alarmuan Komitetin Qendror të PPSH-së dhe qeverinë shqiptare të asaj kohe, mendohet se janë ato të zhvilluara në vitin 1987 dhe 1988, në qytetin e Pukës në ndeshjen “Tërbuni” vendas dhe “Industriali” i Laçit, për kampionatin kombëtar të kategorisë e tretë dhe ajo në Qytetin “Stalin”, në ndeshjen midis ekipit vendas “Naftëtari” dhe “Dinamo” e kryeqytetit”, e vlefshme për kampionatin e kategorisë së parë (sot kategoria superiore sot), të cilat veç të tjerash u bënë objekt analizash dhe mbledhjesh jo vetëm në qytetet përkatëse, por deri në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Për të dyja këto ngjarje të jashtëzakonshme që kanë lënë gjurmë në sportin shqiptar, pas viteve ’90-të janë bërë disa shkrime ku kanë dhënë dëshmitë e tyre, ish-futbollistë, trainerë, gjyqtarë, funksionarë të lartë lokale e të tjerë personazhe të lidhur me sportin apo jo, të cilët kanë dhënë versionet e tyre lidhur me ngjarjet në fjalë, por kurrë nuk janë bërë publike dokumente arkivore, se si janë trajtuar ato nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, cilët sportistë e tifozë u dënuan (edhe me burg) apo funksionarë të lartë lokalë që u shkarkuan nga detyrat e larta partiake dhe shtetërore që mbanin. Nisur nga kjo, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore dhe fotot nga këto ndeshje, të cilat janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe botohen për herë të parë bashkë me faksimilet përkatëse Memorie.al
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, KU U ANALIZUA NGJARJA E RËNDË TË NDODHUR NË QYTETIN “STALIN”, NË NDESHJEN E FUTBOLLIT MIDIS EKIPIT “NAFTËTARI” DHE “DINAMO” E KRYEQYTETIT
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR
— Sektori i Përgjithshëm —
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 11 QERSHOR 1988
Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë, në mbledhjen e tij të datës 11.6.1988, mori në shqyrtim çështjen “Mbi ngjarjen e shëmtuar në stadiumin e Qytetit ‘Stalin’”.
Mbledhjen e drejton shoku Foto Çami, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Marrin pjesë sekretarët e KQ të Partisë, shokët: Hajredin Çeliku, Lenka Çuko dhe Simon Stefani.
Marrin pjesë si të ftuar për të raportuar shokët: Abdyl Pilafi, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Beratit, dhe Sofie Çuedari, sekretare e parë e Komitetit të Partisë të Rajonit të Qytetit Stalin.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
“MBI NGJARJEN E SHËMTUAR NË STADIUMIN E QYTETIT STALIN”
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Te banorët e Qytetit “Stalin” fryma e lokalizmit është e theksuar vetëm për çështjet e sportit.
SHOKU FOTO ÇAMI: Natyrisht, mund të jetë më e theksuar për çështjet e sportit, po edhe për çështje të tjera ajo ekziston…!
SHOKU ABDYL PILAFI: Ashtu është. Edhe në drejtime të tjera, janë vënë re gjykime me frymë lokaliste, për shembull, për të drejtat e studimit etj. Ne mbajmë përgjegjësi përpara Partisë për ngjarjen që ndodhi. Po ta kishim vlerësuar më mirë nevojën e punës parandaluese edukative edhe po të ishin marrë masat gjatë gjithë javës, nuk do të ndodheshim të befasuar përpara situatës që u krijua në Qytetin “Stalin” ditën e ndeshjes së futbollit.
SHOKU SIMON STEFANI: Po pse nuk shkuat më parë atje? Edhe kur u zhvillua ndeshja me skuadrën e Gjirokastrës ju ishit të porositur që të tregonit kujdes. Atëherë i morët masat dhe çdo gjë kaloi mirë.
SHOKU FOTO ÇAMI: Për çdo ndeshje futbolli prisni t’ju japim porosi? Ju paralajmëruam njëherë që të merrnit masa në rastin e ndeshjes me skuadrën e Gjirokastrës..! Ju e njihnit psikologjinë e tifozëve e të lojtarëve tuaj. Nuk morët përfundime nga ai paralajmërim që ju kishim bërë?
SHOKU ABDYL PILAFI: E ndjejmë të rëndë përgjegjësinë që nuk treguam kujdesin e duhur, shoku Foto.
SHOKU ABDYL PILAFI: …E ndjejmë të rëndë përgjegjësinë që nuk treguam kujdesin e duhur, shoku Foto. Në atë periudhë vëmendja jonë ishte përqendruar më tepër në përgatitjet për fushatën e korrjes së grurit…!
SHOKU FOTO ÇAMI: Atje, me siguri, situata ziente që më përpara. Dy javë më parë ishin thyer xhamat e autobusit të sportistëve të volejbollit, kurse juve ndoshta ua kishin paraqitur gjendjen të qetë.
SHOKU ABDYL PILAFI: Shqetësim kisha edhe unë, po edhe shoqja Sofie, e cila do të nisej ato ditë për në Kongresin e 10-të të Bashkimit të Grave të Shqipërisë.
SHOKU FOTO ÇAMI: Megjithatë ju nuk morët masa konkrete.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Përderisa kishit shqetësim, t’i kishit mbledhur sekretarët e organizatave-bazë të Partisë dhe t’u kërkonit të merreshin të gjitha masat. Të viheshin në lëvizje tërë komunistët e kuadrot, përndryshe sekretarët duhej të mbanin përgjegjësi partie…! Vetëm me telefon nuk zgjidhen këto probleme.
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Unë e ndjej thellë përgjegjësinë time, sidomos për indiferentizmin që kanë treguar komunistët dhe kuadrot e Qytetit “Stalin”. Për këtë bëra autokritikë në organizatën-bazë të Partisë dhe në Komitetin e Partisë të Rajonit. Qëndrime indiferente janë vënë re edhe te shokët sekretarë e punonjës të aparatit të komitetit të Partisë, të cilët unë i kam bashkëpunëtorë të përditshëm dhe kjo më shton më shumë përgjegjësinë. Janë shumë të drejta kritikat që na bëhen në këtë mbledhje.
Duhej të kisha ushtruar kontroll, të mos mjaftohesha vetëm me shqetësimin që tregova disa ditë më parë. Dhashë porosi që të shtypeshin biletat më përpara dhe ato t’i merrnin njerëzit më të përshtatshëm. Bisedova edhe me shokun Abdyl e me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme. Kisha merak që të forcojmë kujdesin, se duke qenë edhe policë tifozë të skuadrës së “Dinamos”, mund të na ndodhte ndonjë ngjarje e papëlqyer. Edhe ditën që u nisa për në Kongresin e 10-të të BGSH-së, kisha shumë merak.
SHOKU FOTO ÇAMI: Dhe megjithëse ju e kishit merakun, e njihnit situatën, nuk morët masa konkrete, në një kohë që ishin vënë re dhe raste të tjera të ngjashme me atë që ndodhi.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Shoku Abdyl tha që në disa raste e për disa çështje ka pasur shfaqje të lokalizmit. Pra edhe vetë sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit i ka konstatuar këto shfaqje, të cilat nuk vërehen vetëm në çështjet e sportit.
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Unë i them Partisë me çiltërsinë më të madhe që shfaqje të tilla janë vërejtur kryesisht për çështjet e sportit. Edhe mendimet se; “nuk na ndihmon rrethi”, janë shfaqur pikërisht në këtë drejtim.
SHOKU FOTO ÇAMI: Sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit tha një realitet konkret.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Ka pasur mendime të tilla edhe për të drejtat e studimit dhe për investimet që bëhen.
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Problemet e furnizimit në Qytetin “Stalin” janë zgjidhur përgjithësisht mirë dhe sidomos në furnizimin me perime etj., paraqitemi më mirë se rrethi. Kurse për të drejtat e studimit ka pasur dhe ndonjë mendim të tillë si; “shokët e Beratit i kanë marrë për vete degët më të mira”.
SHOKU FOTO ÇAMI: Në qoftë se shokët e rrethit kanë ndonjë gabim në këto drejtime, le të përgjigjen, po nuk duhet lejuar krijimi i opinioneve të tilla.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Ka disa kritere në bazë të të cilave caktohen të drejtat e studimit. Nuk është mirë të krijohen këto opinione e “ndarje”.
SHOKU FOTO ÇAMI: Pse nuk e mblodhët byronë e Komitetit të Partisë të Rrethit, shoku Abdyl, për t’i informuar shokët për këtë ngjarje?
SHOKU ABDYL PILAFI: Mendova që mbledhjen e Byrosë së Komitetit të Partisë të Rrethit ta bënim sot, po më lajmëruan për të ardhur këtu…!
SHOKU FOTO ÇAMI: Ju duhet ta kishit mbledhur byronë e Komitetit të Partisë të Rrethit natën e ngjarjes ose, të nesërmen në mëngjes, të paktën vetëm për ta informuar për çfarë ndodhi dhe më vonë mblidheshit përsëri për ta analizuar çështjen. Kjo ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, për të cilën byroja duhej informuar menjëherë.
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Gjatë gjithë këtyre ditëve thuajse tërë shokët e Komitetit të Partisë të Rrethit kanë qenë me ne, në Qytetin “Stalin”.
SHOKU FOTO ÇAMI: Mbledhja e Byrosë së Komitetit të Partisë të Rrethit mund të bëhej edhe atje, në Qytetin “Stalin”.
SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Byroja duhej të nxirrte konkluzionet dhe të përcaktonte masat që duheshin marrë.
SHOKU FOTO ÇAMI: Jeni kujtuar shumë vonë për mbledhjen e byrosë. Mua më duket se në radhë të parë, defekti i punës së Partisë është që nuk e keni vlerësuar seriozisht këtë ndeshje. Ju nuk keni qenë në krye të situatës që ka ekzistuar atje që më parë, nuk e keni njohur atë dhe, për rrjedhojë, nuk keni marrë asnjë masë. Ngjarje të tilla, po në përmasa më të vogla, kanë ndodhur atje edhe në vitin 1979, edhe dy javë përpara, po ju nuk e keni vlerësuar situatën, me gjithë paralajmërimet që ju kemi bërë. Po të ishin marrë masa partie, asgjë nuk do të ndodhte. Ju ia latë këtë çështje spontanitetit dhe situata u zhvillua për keq.
Së dyti, nga kjo ngjarje që ndodhi në Qytetin “Stalin”, del se puna e Partisë ka dobësi të mëdha, sidomos në Komitetin e Partisë të Rajonit të Qytetit “Stalin”. Indiferentizmi i komunistëve në këtë situatë flet qartë për dobësitë e punës së komunistëve me masat. Komunistët qëndrojnë indiferentë, kur disa njerëz ngrihen kundër organeve të Partisë e të pushtetit! Dhe ku ndodh kjo?! Në një qendër të rëndësishme të punëtorisë shqiptare me traditat dhe patriotizmin e së cilës ne krenohemi. Ku shkoi gjykimi politik i komunistëve?!
Qoftë edhe vetëm kjo ngjarje tregon se dobësitë e punës së Partisë në Qytetin Stalin janë shumë të thella. Është e kuptueshme se edhe qëndrimet krejt të huaja për njerëzit tanë, si të qëlluarit me gurë, vjedhjet, luajtjet bixhoz etj., e kanë burimin pikërisht te këto dobësi. Ju nuk keni punuar mirë, shoqja Sofie. Edhe ju, si komitet partie i rrethit, shoku Abdyl, keni përgjegjësi për situatën që është krijuar në rajon dhe që nuk ka qenë sa duhet nën ndikimin e kontrollin e punës suaj. Për më tepër përgjegjësia juaj është e madhe, se Qyteti “Stalin” është qendër e rëndësishme punëtore me 20 e ca mijë banorë.
Ndaj, në këtë qendër punëtorësh me tradita, puna juaj duhet të jetë më e vëmendshme. Ju ia keni lënë gjithë barrën e punës edukative për mënjanimin e shfaqjeve e dukurive të huaja Komitetit të Partisë të Rajonit. Shokët tuaj, të aparatit të Komitetit të Partisë të Rrethit duhet të venë edhe në mbledhjet e organizatave të Partisë të Qytetit “Stalin”, që komunistët dhe masat atje të mos mendojnë se nuk i përfillin. Ngjarja që ndodhi në Qytetin “Stalin” krijoi një shqetësim të madh politik. Në këtë ngjarje nuk përjashtohet të ketë gisht edhe armiku.
Për këto të meta dhe dobësi, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë mendon që shoqen Sofie ta shkarkojë nga detyra si sekretare e parë e Komitetit të Partisë të Rajonit të Qytetit “Stalin”, kurse juve, shoku Abdyl, t’ju japë masën “vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit”. Ne, këtu në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, shkarkuam nga detyra instruktorin tonë që mbulonte këto probleme. Njerëz të tjerë që kishin përgjegjësi më të madhe dhe ishin implikuar në këtë ngjarje u futën në burg.
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Jam dakord me masën dhe ndjej përgjegjësi të plotë për dobësitë e të metat e punës sime.
SHOKU FOTO ÇAMI: Mbledhjen e byrosë së Komitetit të Partisë të Rrethit, shoku Abdyl, mundet ta bëni ditën e hënë, në orën 9.00, se do të vij edhe unë atje. Partia do të ndalet në këtë çështje dhe do t’i japë secilit përgjegjësinë që i takon. Edhe organet e punëve të brendshme do të ndalen të gjejnë përgjegjësinë e tyre.
SHOKU SIMON STEFANI: Nga sa jam informuar, policët e Qytetit “Stalin” nuk i ka cenuar njeri, kurse ata të Fierit dhe të rretheve të tjera janë qëlluar nga tifozët. Bisedova me Ilirin, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, që dhe ata të marrin masat përkatëse. Do të thërres gjithashtu edhe komisarin e repartit të aviacionit të Qytetit “Stalin”, se oficerët e këtij reparti kanë qenë nga më indiferentët. Çfarë oficerësh janë ata që nuk mbajnë qëndrimin e Partisë dhe nuk mbrojnë organet e pushtetit popullor?!
SHOKU FOTO ÇAMI: E kanë bërë analizën e kësaj ngjarjeje shokët e ushtrisë në Qytetin “Stalin”?
SHOQJA SOFIE QUEDARI: U porositën edhe ata nga ana e Komitetit të Partisë të Rajonit që ta analizonin këtë çështje.
SHOKU SIMON STEFANI: Për këtë ngjarje duhet të përgjigjen të gjithë, që nga shokët e ushtrisë, të organeve të policisë, kuadrot e Degës së Punëve të Brendshme etj.
SHOKU FOTO ÇAMI: Ata mbajnë përgjegjësi, se nuk dhanë asnjë informacion për situatën dhe zhvillimin e ngjarjes.
SHOKU SIMON STEFANI: Jam dakord me konkluzionet që dhatë ju, shoku Foto. Në Qytetin “Stalin” keni 1600 komunistë. Le të mbeten më pak, po ata që të keni, të jenë në rolin militant e pararojë.
SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Komunistë vetëm me tesër partie në xhep, nuk kanë ç’i duhen Partisë.
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Jam plotësisht dakord me masën. Unë jam ushtare e Partisë dhe do të punoj ku të ketë nevojë atdheu.
SHOKU FOTO ÇAMI: Abdyl, përgatitu për mbledhjen e byrosë së komitetit të Partisë të rrethit. Ndiqni me kujdes dhe punët e ditës.
SHEFI I SEKTORIT TË PËRGJITHSHËM
Fatmir Zaloshnja
VENDIMI I SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, I NËNSHKRUAR NGA FOTO ÇAMI, PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË SEKRETARES SË PARË TË KOMITETIT PARTISË SË “QYTETIT STALIN” SOFIE ÇUEDARI DHE ME VËREJTJE TË RËNDË ABDYL PILAFTIT
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Sekret
SEKRETARIATI I KOMITETIT QENDROR
“Proletarë të gjitha vendeve bashkohuni”
VENDIM
Nr. 65, Dt. 11.6.1988
MBI NGJARJEN NË STADIUMIN E QYTETIT “STALIN”
Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë, në mbledhjen e datës 11 qershor 1988, dëgjoi e vuri para përgjegjësisë sekretaren e parë të Komitetit të Partisë të Qytetit “Stalin”, Sofie Çuedari, dhe sekretarin e parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Beratit, Abdyl Pilafi, për ngjarjen e shëmtuar në stadiumin e Qytetit “Stalin”.
Siç u vërtetua dhe gjatë kësaj analize, në organizatën e Partisë të Qytetit “Stalin” ka dobësi serioze në edukimin e komunistëve, të kuadrove dhe të punonjësve, që u manifestua dhe me indiferentizmin e theksuar të shumë prej tyre në këtë ngjarje. Ajo veç të tjerash është pasojë edhe e qëndrimeve të mëparshme tolerante e të pajustifikueshme ndaj disa shfaqjeve të huaja që ka në këto qytete, si vjedhje, luajtje bixhozi, akte të tjera rrugaçërie, e deri në shfaqje të lokalizmit.
Komiteti i Partisë i rajonit dhe ai i rrethit nuk e kanë njohur gjendjen. Edhe ato të dhëna që kishin nga rastet e mëparshme dhe për këtë ndeshje, janë nënvleftësuar, me gjithë paralajmërimet që u kishte bërë Komiteti Qendror i Partisë. Prandaj nuk u vunë menjëherë në krye të situatës, nuk morën masa për të parandaluar ngjarjen, u treguan shumë të ngathët dhe pa sens e vigjilencë politike edhe në marrjen e masave gjatë zhvillimit të ngjarjes e pas saj.
Veç sa më sipër, Komiteti i Partisë i rrethit të Beratit e ka ulur përgjithësisht kujdesin për punën e Partisë në Qytetin “Stalin”, duke u shpërgjegjësuar padrejtësisht me faktin që këtu kemi një komitet partie rajoni. Ky është një qëndrim krejtësisht i padrejtë, duke marrë parasysh se Qyteti “Stalin” është qendra më e rëndësishme e më e populluar në rreth dhe se organizata e Partisë e këtij rajoni drejtohet nga Komiteti i Partisë i rrethit. Për përgjegjësinë e rëndë që mbajnë për këtë ngjarje, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë
VENDOSI:
- T’i rekomandojë Komitetit të Partisë të Qytetit “Stalin” që Sofie Çuedari të shkarkohet nga detyra e sekretares së parë të këtij komiteti.
- Abdyl Pilafi, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Beratit, të ndëshkohet me masën “vërejtje me shënim në kartë e regjistrimit”.
- Byroja e Komitetit të Partisë të rrethit të Beratit të bëjë menjëherë analizën e plotë të ngjarjes, të nxjerrë shkaqet, përgjegjësitë e detyrat për ta përmirësuar gjithë punën e Partisë në këtë rajon dhe në rreth. /Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
FOTO ÇAMI
























