Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e Përgjithshëm Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Edhe pse rendi i ditës ishte paracaktuar në tre pika kryesore, ku predominonte ajo për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, pothuaj gjatë gjithë punimeve të atij plenumi (sidomos te pika 4, “Të ndryshme”), u diskutua dhe u debatua ngjarja e atyre ditëve, e njohur ndryshe si “2 korriku i ambasadave”. Në atë plenum ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretarët e parë të komiteteve të partisë të rretheve, ministra, kuadro kryesorë të sektorit të arsimit, kulturës, shkencës, ekonomisë, drejtues të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së, Radio-Televizioni, ATSH-ja etj., mungonin Nimet Cani, Ali Vukatana, Reiz Malile, Shpëtim Çaushi, Zylyftar Ramizi, Qemal Lame, Zef Loka, Pirro Kondi dhe Hekuran Isai, të cilët prej disa ditësh ishin “në terren”, duke “menaxhuar”, ngjarjen e ambasadave.
Pas hapjes së mbledhjes nga Ramiz Alia, fjala iu dha ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushit, i cili mbajti dhe raportin përkatës, (“Për përsosjen e sistemit arsimor dhe forcimin e mëtejshëm cilësor të shkollës”), kryefjala e atij plenumi ishte “ngjarja e ambasadave”, duke diskutuar dhe analizuar me detaje se si dhe pse ndodhi ajo, (“roli i agjenturave të huaja”), e deri tek detyrat që dilnin për menaxhimin e asaj situate në ato ditë të nxehta korriku, ku mbi pesë mijë shtetas shqiptarë nga të gjithë rrethet e vendit, ndodheshin në ambientet e brendshme të disa prej ambasadave kryesore në Tiranë, në pritje të largimit nga Shqipëria.
Përveç kësaj, gjatë gjithë asaj mbledhje, por kryesisht në pikën nr. 4 të rendit të ditës, (që u diskutua në seancën e fundit), u morën në analizë edhe disa prej ngjarjeve kryesore që kishin ndodhur në rrethe të ndryshme të vendit gjatë atij viti, si; protestat në Shkodër në muajin janar për heqjen e bustit të Stalinit; ngjarjet në qytetin e Kavajës ku populli i atij qyteti u përlesh me forcat e policisë; arratisjet masive nga kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë e Greqinë, grumbullimet masive në vende të shenjta fetare, si Kisha e Shën-Ndout në Laç të Kurbinit; lejimi me ligj i besimeve fetare dhe hapja e objekteve të kultit; apo probleme të tjera që shtroheshin për zgjidhje, si; bisedimet e faktorin ndërkombëtar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës, Bashkimin Sovjetik, (bisedimet e zhvilluar me zv. ministrin e Jashtëm sovjetik në Sofie nga Sofokli Lazri); problemi i Kosovës; presioni ndërkombëtar për hapjen e Shqipërisë me botën dhe aderimi i saj në disa konventa ndërkombëtare; privilegjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së e familjeve të tyre që jetonin kryesisht në “Bllok”; fjalët që qarkullonin në popull për familjen e Enver Hoxhës dhe raportet e Ramizit me Nexhmijen; ndryshimi i legjislacionit dhe kodit penal; lirimi i të burgosurve politikë; pisja me pasaporta e shtetasve që kërkonin të dilnin si vizitorë tek të afërmit e tyre jashtë vendit; mekanizmi i ri ekonomik; strehimi dhe zënia me punë e shumë shtesave në të gjitha rrethet e vendit; dhënia e tokës dhe bagëtive fshatarësisë kooperativiste; e deri të furnizimi i popullsisë së qyteteve me produktet bazike ushqimore e mallrave të ndryshme industriale.
Siç do të shohim dhe nga dokument arkivore që i përkasin plenumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat theksojmë se publikohen për herë të parë, përveç udhëheqjes dhe disa prej funksionarëve të lartë të asaj kohe, në atë mbledhje kanë diskutuar apo janë përmendur edhe disa figura të tjera të larta që vazhduan karrierën e tyre politike edhe pas viteve ’90-të, si p.sh.; Skënder Gjinushi, Fatos Nano, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Gramoz Pashko, Spiro Dede, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Mehmet Elezi, Lisen Bashkurti, Koço Kokëdhima, Ylli Popa, Aleks Luarasi etj.
Po kështu në dosjen voluminoze të këtij plenumi, me mjaft interes janë edhe ato dokumente që i përkasin sekretarëve të Komiteteve të Partisë së rretheve apo “Grupit të informacionit” të cilët kanë shkuar në të gjitha rrethet e vendit dhe kanë evidentuar të gjitha problematikat kryesore që kanë dalë në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku është diskutuar “Mbi letrën e Komitetit Qendror”, dokumente që përbëjnë dhe pjesën më të madhe dhe gjithashtu më të rëndësishme të dosjes në fjalë. Madje mund të thuhet nga më të rëndësishmet të gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, pasi ajo periudhë kohe me ngjarjet që u zhvilluan, shënoi dhe prologun e rënies së atij regjimi.
Po kështu me mjaft interes janë dhe dokumentet që i përkasin seancës së fundit të asaj mbledhje me pikën nr. 4 të rendit të ditës “Të ndryshme”, e cila përbën edhe pikën më të nxehtë të gjithë plenumit, ku u diskutua, madje me debate të ashpra, edhe lirimi nga detyrat dhe nxjerrën në pension të tre anëtarëve të Byrosë Politike (Rita Marko, Manush Myftiu dhe Prokop Murra), apo lirimi nga detyrat ministrore apo funksionet e tjera të larta që mbanin prej vitesh të disa “udhëheqësve” të tjerë, si Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Lenka Çuko, Vito Kapo, Pirro Kondi, Jovan Bardhi, etj., dhe emërimin e “shokëve të rinj” në udhëheqjen e forumet e larta të Partisë dhe Shtetit, si; Xhelil Gjoni, Abdyl Backa, Niko Gjyzari, Kiço Mustaqi, etj. Lidhur me këto etj., na njohin dokumente në fjalë të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 11 TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, I MBAJTUR NË DATAT 6 DHE 7 KORRIK 1990
- TË NDRYSHME
- Disa çështje të situatave të sotme dhe problemet politike që rrjedhin prej tyre.
SHOKU RAMIZ ALIA: A ka ndonjë mendim tjetër nga shokët? (nuk ka). Desha të sqaroj diçka lidhur me pyetjen që bëri shoku Muntaz për pagat e punonjësve. Mekanizmi i ri ekonomik, riorganizimi i shërbimeve dhe i artizanatit favorizojnë kryesisht popullsinë qytetare. Por jeta tregon se duhet të zbatohen edhe masa të tjera plotësuese për të cilat është menduar paraprakisht, por propozoj që Këshilli i Ministrave ta studiojë mundësinë që këto masa të zbatohen deri në fund të tremujorit të tretë, pra në fund të muajit shtator.
Së pari, është menduar të rriten pagat e ulëta të punonjësve përgjithësisht, nga 10 deri në 20 për qind. Së dyti, kudo do të zbatohet pagesa sipas vendit ose procesit të punës. Së treti, kur puna ndërpritet për mungesë të lëndëve të para ose prej faktorëve të tjerë objektivë, si mungesa e energjisë elektrike, punëtorëve u garantohet 80 për qind e pagës, në vend të 50 për qind të pagës që është garantuar deri sot. Nga këto përmirësime në sistemin e pagave përfitojnë rreth një e treta e punonjësve të sektorit shtetëror, pra gati 250 mijë punonjës. (Duartrokitje). Tashti në qoftë se Plenumi është dakord, mund ta botojmë njoftimin për këto masa që do të merren, që populli të informohet.
SHOKU MUNTAZ DHRAMI: Më falni shoku Ramiz, është fjala vetëm për pagat e ulëta apo për të gjitha pagat?
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk keni dëgjuar me vëmendje, Muntaz, se thashë që është menduar të rriten pagat e ulëta të punonjësve, përgjithësisht nga 10 deri 20 për qind. Paga të ulëta konsiderohen ato që janë nën 600 lekë. Natyrisht Këshilli i Ministrave do ta shikojë më konkretisht këtë çështje, të cilën unë e shtrova këtu vetëm në parim. Sa për dijeni shuma e përgjithshme për shtesën e pagave arrin rreth 250 milionë lekë, kështu që praktikisht çdo punonjësi i bie të marrë në vit rreth një mijë lekë.
SHOKU XHEMAL DYMYLJA: Në qoftë se është fjala për pagat deri në 600 lekë, në njoftimin që mund të botohet, të mos thuhet “pagat e ulëta”…!
SHOKU SPIRO KOLEKA: Paga 600 lekë nuk është pagë e ulët…!
SHOKU ANASTAS KONDO: Mendoj se për interes të propagandës do të ishte më mirë të qëndronte formulimi që dhatë ju, se pagat nën 600 lekë do të rriten 10 deri 20 për qind, pa i cilësuar “të ulëta”.
SHOKU RAMIZ ALIA: Më mirë t’ia lëmë Qeverisë ta konkretizojë këtë çështje.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Me që merret një vendim për pagat, është mirë të caktohet një kriter orientues, se për cilat paga bëhet fjalë, të mos krijohen e të mos ketë shumë pyetje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, por për këto çështje nuk duhet të vendosë Komiteti Qendror i Partisë, prandaj propozuam që Këshilli i Ministrave, pasi ta studiojë mundësinë, të caktojë afatin e zbatimit deri në fund të tremujorit të tretë.
SHOKU ABDYL BACKA: Dy masat e fundit, ajo për shpërblimin sipas vendit të punës dhe sidomos ajo për pagesën me 80 për qind në raste mungesash të lëndës së parë etj., mund të zbatohen menjëherë. Efekti i tyre është që të studiohen bashkërisht.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Për zbatimin e tyre nevojiten 28 milionë lekë.
SHOKU ABDYL BACKA: E para mund të lihet për t’u zbatuar nga fundi i tremujorit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë, jemi dakord që Këshilli i Ministrave ta studiojë mundësinë dhe deri në fund të tremujorit të tretë të zbatohen këto masa? (Shprehen dakord).
SHOKU SOTIR KOÇOLLARI: Po mundet që masa për pagesën me 80 për qind të shpallet menjëherë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë le të vendosë Këshilli i Ministrave dhe të shpallet qysh nesër ose pasnesër, pasi të botohet fjala ime në këtë Plenum.
Keni ndonjë çështje tjetër? (nuk ka).
- Çështje të kuadrit
Në vazhdim të kësaj pike do të diskutojmë për çështje të kuadrit. Disa probleme për çështjen e kuadrit i diskutuam dhe në Byronë Politike. Shoku Muntaz e shtroi edhe në këtë mbledhje nevojën e përtëritjes së kuadrit, e cila ka qenë traditë e përhershme e Partisë. Pasi u përpunua vija për revolucionarizimin e mëtejshëm të gjithë jetës së Partisë dhe të vendit, e cila ka gjetur mbështetje edhe në masën e popullit e të Partisë, Byroja Politike mendon se është koha që disa shokë, anëtarë të Byrosë Politike, mund të dalin në pension, duke krijuar kushte për ngritjen në përgjegjësi të kuadrove më të rinj.
Thashë “disa”, sepse, po ta shohim çështjen me kandarin e moshës, ka edhe të tjerë, duke filluar që nga unë dhe shoku Adil, që hyjmë në radhën e pensionistëve. Radha do të na vijë edhe neve, por më duket se tani kjo nuk është as në interesin e Partisë dhe as në interesin e popullit. Përkundrazi është në të mirën e punës dhe të atdheut që të kombinohen përvoja e më të moshuarve me dinamizmin dhe dijet e më të rinjve që dhe kalimi i stafetës të bëhet natyrshëm e jo në mënyrë mekanike. Edhe në këtë çështje duhet të ecim me hapa të matur. Tani për tani ne propozojmë që shokët Manush Myftiu, Prokop Murra dhe Rita Marko, të dalin në pension, duke ruajtur mandatin si anëtarë të Komitetit Qendror dhe deputetë të Kuvendit Popullor, ku janë zgjedhur nga Kongresi i Partisë dhe nga populli.
Është e tepërt të theksoj që shokët e përmendur i kanë shërbyer Partisë që nga themelimi i saj, kanë qenë pjesëmarrës të luftës, kuadro drejtues në njësitë partizane, kanë punuar në organet udhëheqëse të Partisë dhe të shtetit, që nga çlirimi i vendit e deri tani. Këta shokë i njihni ju dhe tërë Partia. Qëndrimi i tyre është karakterizuar kurdoherë nga besnikëria marksiste-leniniste për çështjen e popullit dhe të Partisë. Edhe aktualisht ata kanë qenë dhe janë luftëtarë të vendosur të vijës së Partisë e të masave që janë marrë në plenumet e Komitetit Qendror të saj për demokratizimin e jetës së Partisë e të vendit, për reformat ekonomike dhe qëndrimet në fushën e politikës së jashtme.
E theksoj këtë çështje sepse, siç e thashë pak më parë, propaganda e huaj e ka bërë refren të zakonshëm që, sa herë ndodh ndonjë ndryshim në politikën e Partisë ose në kuadrot, menjëherë fillon të bëjë zhurmë se në udhëheqjen shqiptare ka divergjenca, ka grindje, se në njërën anë është një pjesë, në anën tjetër disa të tjerë, se di- kush është kundër vijës së Enver Hoxhës, dikush për liberalizim etj., etj. Armiqtë kurdoherë kanë ëndërruar ta përçajnë Partinë dhe unitetin e saj me popullin, por këto mbeten vetëm dëshira. Partia jonë dhe udhëheqja e saj janë unike. Është e tepërt të ritheksoj se uniteti i Partisë dhe i Komitetit Qendror të saj është i çeliktë. Në Komitetin Qendror të Partisë sonë nuk ekziston, në asnjë shok e shoqe, asnjë rezervë ndaj vijës së miratuar në Kongresin e 9-të dhe në plenumet e Komitetit Qendror të Partisë.
E bëra këtë parantezë të gjatë, që të mos ketë asnjë keqkuptim për këto çështje, njëkohësisht për të theksuar se edhe disa ndryshime të tjera që do të bëhen në Qeveri apo në udhëheqjen e Partisë nuk kanë asnjë motiv ideopolitik. Propozohet që edhe shokët Vito Kapo dhe Jovan Bardhi të dalin në pension. Gjithashtu në këtë kuadër Byroja Politike propozon që edhe shoqja Lenka Çuko, sot sekretare e Komitetit Qendror të Partisë, të rekomandohet për t’u zgjedhur sekretare e parë e Komitetit të Partisë të rrethit të Fierit. Është menduar të shkojë në atë rreth, pasi rrethi i Fierit është rreth ekonomik, bujqësor dhe industrial me rëndësi shumë të madhe.
Kemi mendimin që edhe shoku Simon Stefani të largohet nga detyra si ministër i Punëve të Brendshme dhe në vend të tij, propozohet të shkojë shoku Hekuran Isai. Byroja Politike fillimisht pati mendimin që shoku Simon të rekomandohej për t’u zgjedhur si drejtues në organizatën e Bashkimeve Profesionale. Këtu, në plenum, Halil Lejli ngriti çështjen e përgjegjësisë që ka ai si ministër i Brendshëm për ngjarjet që ndodhën nëpër ambasada. Prandaj tani i takon plenumit të gjykojë në se duhet bërë një rekomandim i tillë për shokun Simon. Duhet gjykuar edhe se si do ta priste klasa punëtore këtë rekomandim. Ndërsa për shokun Hekuran menduam të caktohet ministër i Brendshëm, pasi ai ka qenë edhe më parë në këtë detyrë dhe e njeh këtë sektor. Kohët e fundit, duke pasur qëllim të forconim punën në sektorin e ekonomisë, shokun Hekuran e kishim tërhequr në detyrën e sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë.
Por, me që aktualisht lindën këto shqetësime dhe duhet forcuar puna në Ministrinë e Punëve të Brendshme, menduam të kalojë përsëri atje. Këto ndryshime e bëjnë të domosdoshëm plotësimin e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, sepse efektivisht si sekretarë mbetemi unë edhe shoku Foto. Prandaj plenumi duhet të gjykojë edhe për shokët që mund të plotësojnë Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë, si dhe numrin e anëtarëve të Byrosë Politike. Si mendoni, të jap unë ndonjë gjykim për këtë çështje, apo do të flasë ndonjë nga ju? (Heshtje) Atëherë po shfaq mendimin tim, për të cilin edhe ju mund të diskutoni, mos e quani të formës së prerë. Për shembull, ju do të diskutoni edhe për rekomandimin që u bë për shokun Simon. Mendoj se edhe për shokun Pirro Kondi, si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës, duhet parë nevoja e lëvizjes nga kjo detyrë. Ndërsa për të plotësuar Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë, do të propozoja për sekretarë shokët Xhelil Gjoni dhe Abdyl Backa.
SHOKU SHEFQET PEÇI: Ku punon Abdyl Backa?
SHOKU RAMIZ ALIA: Abdyl Backa deri tani është kandidat i Komitetit Qendror të Partisë dhe ndihmësi im për çështjet ekonomike. Megjithatë shokët kanë të drejtë të bëjnë dhe propozime të tjera. Ideja për lëvizjen e shokut Simon e të shokut Pirro më lindi këtu, duke ndjekur diskutimet e plenumit, prandaj këtë çështje e shtroj edhe për ta diskutuar e për ta vendosur në plenum. Ndërsa duke qëndruar tek ato propozime që bëri Byroja, del nevoja përsëri të diskutohet për t’i zëvendësuar ose jo shokët që largohen nga Byroja Politike. Ata jemi të detyruar t’i zëvendësojmë nga radhët e plenumit ose Byroja mund të mbetet kështu siç është deri në Kongresin e Partisë dhe pastaj të plotësohet numri i shokëve të saj, bashkë me ndryshimet e tjera që mund të bëhen. I shtrova këto çështje për të marrë edhe gjykimin tuaj, si mund të veprojmë?
SHOKU HAKI TOSKA: Pritshmëria nuk sjell gjë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mund të bëhen plotësimet e nevojshme edhe që sot, se Plenumi i Komitetit Qendror ka të drejtë t’i zëvendësojë shokët që largohen nga detyra e anëtarit të Byrosë. Sipas vendimeve që kemi marrë në Plenumin e 8-të apo të 9-të të Komitetit Qendror të Partisë, Kongresi i Partisë do të bëjë ndryshime rrënjësore. Ato ndryshime do të fillojnë që nga ne që jemi mbledhur këtu, sikurse edhe nga deputetët dhe anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Prandaj disa shokë të rinj mund t’i ngremë që tani në detyrën e anëtarit të Byrosë Politike. Pastaj në qoftë se nuk e justifikojmë veten në këtë detyrë, në Kongres mund të mos zgjedhim. Si gjykoni për këtë çështje?
SHOKU HAXHI LLESHI: Jemi dakord të bëhet plotësimi i numrit të anëtarëve të Byrosë që tani, sikurse thatë Ju, shoku Ramiz, pastaj kongresi i Partisë le ta shikojë më gjerë nevojën e përtëritjes në Byronë Politike.
SHOKU SOFOKLI LAZRI: Kjo çështje duhet menduar një çikë mirë. Byroja Politike e plotësuar ose e paplotësuar duhet të përgatisë kongresin e Partisë. Ne, kuadrot e mëparshëm, që dikur ishim partizanë, nuk ishim shumë të ditur për detyrat që na u besuan. Prandaj ndonjëri ka patur deri tani edhe ndonjë ndihmës për të shkruar materiale e për të ndjekur probleme të ndryshme. Por koha sot shtron detyra të mëdha dhe përballimi i tyre kërkon ideera të mëdha.
Prandaj shokët që do të zgjidhen në krye të punëve, duke filluar që nga kongresi i ardhshëm, duhet të jenë shumë të përgatitur, të jenë në gjendje t’i shkruajnë vetë fjalimet ose të kenë aftësi të flasin publikisht për zgjidhjet e problemeve që kërkohen. Shokët të mos më keqkuptojnë, por desha t’i them Komitetit Qendror të Partisë që të mendojë mirë cilët shokë do të zgjedhë në Byronë Politike. Mendoj se kjo çështje nuk duhet shtruar thjesht nga ana teknike, që sot t’i zgjedhim disa shokë në Byro dhe në kongres t’i heqim, po të mos e meritojnë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë ti mendon që Byroja Politike të mos plotësohet deri në kongres?
SHOKU SOFOKLI LAZRI: Jam i mendimit të mos plotësohet që tani numri i anëtarëve të Byrosë, por nuk qëndroj ngurtësisht në këtë mendim. Edhe në qoftë se do të plotësohet, Komiteti Qendror i Partisë të mos e shikojë këtë si një çështje teknike, po të mendojë mirë për ata shokë që do të zgjedhë në Byronë Politike. Më parë ne jemi nisur nga kriteri që në Byronë Politike të ngremë shokë që vijnë nga klasa punëtore dhe mundësisht nga ata që punonin sa më larg Tiranës. Ose në situata të caktuara e kemi gjykuar se duhej zgjedhur edhe ndonjë grua.
SHOKU PALI MISKA: Po këtu janë shokët e Komitetit Qendror dhe i kanë parasysh kërkesat e kohës…!
SHOKU SOFOKLI LAZRI: Natyrisht, nga qielli, shokët që do të zgjedhim nuk bien, shoku Pali, por çdo situatë sjell kërkesa të tjera. E thashë edhe pak më parë se në fillim, kur nuk kishim kuadro më të ditur, edhe ne që kishim qenë çobanë e zbritëm nga mali si partizanë, Partia na besoi detyra të vështira. Pastaj koha eci dhe në këto detyra shkuan ata që kishin arsim 8-vjeçar apo të mesëm. Por sot kemi plot njerëz të ditur dhe Komiteti Qendror mund t’i gjejë këta njerëz, kudo që janë, për t’i vënë në krye.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jam i mendimit që në Byro të zgjedhim nga këta shokë që janë anëtarë të Komitetit Qendror, nuk është nevoja të kooptojmë…!
SHOKU JASHAR MENZELXHIU: Ç’domethënë kjo?
SHOKU RAMIZ ALIA: Komiteti Qendror ka të drejtë edhe të kooptojë ndonjë shok që mendohet të zgjidhet në Byro. Në Historinë e Partisë sonë, edhe kjo praktikë është përdorur, por mendoj se nuk është e nevojshme të zgjedhim me kooptim shokë që nuk janë anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Jam dakord me propozimet që paraqiti shoku Ramiz për daljen time dhe të shokëve të tjerë në pension, si dhe për idenë që në Byronë Politike të sjellim kuadro të rinj. Për këtë çështje kam qenë dakord edhe kur u shtrua në Byronë Politike, por edhe para se të shtrohej, kam biseduar me shokun Ramiz. Në udhëheqjen e Partisë duhet të vijnë kuadro të rinj. Desha të siguroj Komitetin Qendror të Partisë që, sa të rroj, do të jem besnik i vijës së saj dhe kurdo-herë i palodhur për ta zbatuar.
Vazhdimisht dhe deri tani kam qenë për zbatimin e vijës së Partisë, kohët e fundit edhe për demokratizimin e mëtejshëm të jetës. Në sektorët që më ka besuar Partia të drejtoj, jam përpjekur ta kryej mirë detyrën, por natyrisht ka vend edhe për kritika e të meta në punë. Brenda vendit, as nga kuadrot kryesore në Tiranë, as nëpër rrethe, nuk kam dëgjuar ndonjë opinion që të flasë se jam kundër demokratizimit. Por në shtypin e propagandën e huaj për këtë çështje flitet edhe me emër për mua apo për shokun Adil. Madje është thënë edhe se “jam kundërshtar i shokut Ramiz”! Këto komente u bënë pikërisht atë ditë që mbajta raportin e Byrosë Politike në Kuvendin Popullor për ndryshimet në legjislacionin tonë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ç’na duhen në këtë mbledhje ato çka flet propaganda e huaj?!
SHOKU MANUSH MYFTIU: Menjëherë pas mbledhjes së Kuvendit Popullor nga një agjensi e huaj është thënë se Ramiz Alia po i vë kundërshtarët e tij flasin për demokratizimin e jetës. Në atë mbledhje kisha folur unë dhe shoku Adil. Pastaj herë pas here është folur nga propaganda e huaj për “kundërshtarë të Ramiz Alisë”. Edhe kur erdhi në vendin tonë Peres de Kuelari, Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, agjencitë e huaja transmetuan lajme të gazetarëve që e shoqëronin dhe e përmendën këtë fakt, duke komentuar se ua kanë thënë disa nga njerëzit tanë këtu. Përhapja e fjalëve të tilla nuk është e mirë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Më fal, Manush, ti gjykon se këta njerëz që hapin fjalë të tilla ndodhen midis nesh këtu, në Komitetin Qendror?/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm




















