Pjesa e tridhjetë
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de-klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë pasur asnjë lloj preference për Mehmet Shehun apo Enver Hoxhën. Përmes një dokumenti të de-klasifikuar, CIA tregon se të dy kanë qenë nën shërbim të Kremlinit në vitet 1950. Sipas CIA, ata bënin çdo gjë në bazë të urdhrave që merrnin nga Bashkimi Sovjetik. Në një tjetër dokument tregohen dhe planet e operacioneve për rrëzimin e regjimit.
Tetor 1946
Informacione ushtarake jugu Jugosllavisë
Dërgesa të mëdha armësh dhe pajisjesh ushtarake janë transportuar me kamionë nga Mitrovica e Prishtina në drejtim të Shqipërisë, në ditët e fundit të gushtit dhe javët e para të shtatorit. Shumica e armëve ishin prodhim gjerman. Gjithashtu fabrika tekstile e Gerdelicës, ka marrë porosi të mëdha për mallra ushtarake, të cilat janë dërguar tashmë në kufirin me Shqipërinë dhe Greqinë. Dërgesa të mëdha rrobash dhe këpucësh kanë ardhur në Mitrovicë nga një fabrikë në Pançevo në periferi të Beogradit. Mallrat, të cilat mbanin simbolin e yllit të kuq, janë marrë në dorëzim nga zyrtarë grekë e shqiptarë.
Gjatë gjysmës së parë të shtatorit, një numër trupash ushtarake (rreth dy ose tre divizione të vogla), janë zhvendosur në jug të Prishtinës, Shkupit e Tetovës. Sipas disa oficerëve, këto njësi do të zëvendësojnë rojet kufitare, por vetë ushtarët nuk e besonin këtë. Trupat ishin të pajisur keq dhe nuk mbanin simbole në veshjet e tyre. Komisione ushtarake ruso-jugosllave kanë inspektuar Raskën e Mitrovicën. Meqenëse terreni është i përshtatshëm për fluturime, supozohet se instalacionet do të mbajnë armë të lëshuara nga avionët.
Aktualisht puna është përqendruar te hapja e tuneleve. Instalime anti-ajrore janë ndërtuar në afërsi të Shkupit, të cilat supozohet të jenë për stërvitje. Fusha ajrore e Shkupit është e gatshme për të pritur dy ose tre grupe të reja avionësh. Lëvizje trupash janë pikasur në Kiçevo, Debat e Prilep, të cilat besohet se janë batalione pune me të burgosur politikë. Sipas raportimeve, ato mund të jenë njësi greke të stacionuara për disa kohë në jug të Serbisë.
20 qershor 1951
Rëndësia e Shqipërisë për rusët
Politikisht, Shqipëria është e rëndësishme për sovjetikët si një tempull i komunizmit në Ballkan e në Mesdhe. BRSS-ja do ta konsideronte humbjen e saj si humbje të prestigjit, veçanërisht pas dezertimit të Jugosllavisë. Por megjithëse ka një pozicion strategjik në hyrje të Detit Adriatik, kushtet moderne për zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake janë të vogla. Ishulli i Sazanit ka qenë një bazë e vogël nëndetësesh italiane dhe sipas disa zhurmave edhe sovjetikët po përpiqen të rindërtojnë këto baza pas luftës.
Ka raportime të pakonfirmuara për rindërtim të fushave ajrore nga sovjetikët. Shqipëria ka një pozicion të mirë për instalime paralajmëruese të mbrojtjes ajrore, por deri tani nuk ka prova të instalimit të radarëve sovjetikë. Që prej distancimit të saj nga Jugosllavia, Shqipëria ka humbur rëndësinë e saj strategjike për arsye të mungesës së komunikimit me orbitën sovjetike. Por ajo mund të jetë e rëndësishme për një fushatë tokësore në Ballkan, pasi operacione të mundshme në bashkëpunim me Bullgarinë, nëse janë të suksesshme mund të ndajnë Greqinë nga Jugosllavia.
Stabiliteti i regjimit dhe masa e kontrollit sovjetik
Para përçarjes mes Jugosllavisë dhe Kominform në vitin 1948, Shqipëria ishte e lidhur ngushtë politikisht dhe ekonomikisht me Jugosllavinë. Por në vend që të ndiqte devijimin e marshallit Tito, Hoxha zgjodhi kampin e Moskës dhe nisi një fushatë të ashpër kundër nacionalistëve shqiptarë. Ai jo vetëm e përjashtoi vendin nga lidhjet me Jugosllavinë, por me këtë rast zhduku të gjithë konkurrencën për pushtet brenda Shqipërisë. Një rivalitet mes Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu, duket se është i parëndësishëm pasi të dy kontrollohen nga Kremlini. Shqipëria është totalisht e varur nga ndihma sovjetike. Pa të ekonomia e vendit do të tronditej brenda disa muajve.
Kontrolli sovjetik në vend përforcohet nga rreth 1000 deri në 1500 “ekspertë” në pozicione të rëndësishme, si ushtri, polici, administratë civile dhe në radhët e partisë. Me mbështetjen sovjetike Hoxha dhe Shehu kanë qeverisur vendin deri tani me metodat policore të terrorit dhe me kontrollin e ashpër ekonomik. Megjithëse ka prova mungese besnikërie dhe oportunizmi në radhët e forcave të sigurisë dhe ushtrisë, ato kanë rezultuar efektive në shtypjen e opozicionit. Mbështetja sovjetike në Shqipëri nuk është shoqëruar me një pakt të përbashkët asistence, ndoshta ngaqë sovjetikët duan të lënë një situatë të hapur pa përkushtime që mund t’i vënë më vonë në siklet.
Shqipëria ka një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë (16 dhjetor 1947). Por gjithsesi ndonjë ndryshim në situatën shqiptare që mund të kërcënojë kontrollin e Kremlinit, do të prekte menjëherë prestigjin sovjetik, në një moment ku edhe një satelit tjetër iu shmang urdhrit të tij. Prandaj një zhvillim i tillë do të sillte përkeqësim të situatës ndërkombëtare. Veprimi sovjetik në rast të një zhvillimi të tillë do të varej nga përparësitë e strategjisë së tyre botërore.
21 maj 1951
Gazeta turke “Hurriyet”
Sipas raportimeve në Turqi, në Tiranë janë marrë masa të ashpra sigurie, pas zhurmave se një njësi guerile me rreth 5000 njerëz ka rrethuar kryeqytetin. Gjatë ditës policia e armatosur patrullon rrugët, ndërsa gjatë natës ata mbështeten nga njësi të ushtrisë. Raportimet thonë se çdo civil në rrugët e Tiranës ndalohet dhe duhet të tregojë letërnjoftimin. Ndërkohë fshatarët në jug të Shqipërisë kanë refuzuar të dorëzojnë prodhimin e tyre te komunistët, të cilët për t’i detyruar ata të dorëzojnë prodhimin, kanë njoftuar se ata që kundërshtojnë do të ekzekutohen menjëherë.
Për këtë vendi thuhet se është përgjegjës koloneli sovjetik i ndërlidhjes së misionit ushtarak sovjetik dhe Ministrisë së Brendshme shqiptare. Sipas një tjetër raportimi të pakonfirmuar, shtimi i rezistencës në Shqipëri dhe pozita e pasigurt e liderit Enver Hoxha, ka çuar në shkarkimin e gjeneralit që drejton misionin sovjetik në Tiranë. Një tjetër gjeneral që do të zëvendësojë atë është dërguar në Tiranë.
Shtator 1953
Raport i zhvillimeve operacionale
- Zhvillime të përgjithshme
Radio “Greqia e Lirë” më 14 shtator u bënte thirrje grekëve të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Nuk ka pasur tregues nga burime të tjera nëse grekët apo shqiptarët po merrnin në konsideratë një veprim të tillë. Më 28 shtator, qeveria jugosllave raportonte zyrtarisht se negociatat e saj me Shqipërinë për zgjidhjen e incidenteve në kufi, ishin ndërprerë në një atmosferë të akullt mosmarrëveshjeje. Takimi i parë i komisioneve shqiptare e jugosllave u mblodh më 17 gusht. U kompletuan në Nju Jork marrëveshjet për lejimin e ish-Mbretit shqiptar Zog në SHBA-ës.
Por një prej vështirësive që ka lindur është bastisja e rezidencës së Zogut në Aleksandri, teksa familja ndodhej në shtëpi, me urdhër të ministrisë së Brendshme egjiptiane, të cilët kryen një kontroll prej tre orësh. Ata kanë konfiskuar një sasi dokumentesh financiare, por nuk kishin prekur dokumentet e tij mbi Shqipërinë. Një kontroll trupor mbi vetë Zogun dhe familjarët u kërkua, por nuk u krye pas kërcënimit të tij me rezistencë të dhunshme. Besohet se qëllimi i aksionit ka qenë zbulimi i provave për kontrabandë apo të aktivitetit politik me elementë anti-Naguib, çka do të sillte veprim të autoriteteve, deri në përjashtim të Zogut nga Egjipti, pa para apo prona.
Me anë të kontakteve të tij Zogu ka kërkuar të merren masa për mbrojtjen e tij dhe të familjes. Ai besohet se është siguruar nga ministri i Jashtëm i Egjiptit, se nuk do të preken marrëveshjet për lëshimin e vizave dhe të transportit të parave, edhe pse kjo ishte jashtë juridiksionit të tij pasi veprimet u ndërmorën nga ministria e Brendshme.
Gjatë muajit shtator Komiteti Kombëtar për “Evropën e Lirë” ka njoftuar anëtarët e NCFA se për arsye të shkurtimeve të buxhetit, NCFA do të pushojë aktivitetet më 1 tetor 1953. Në të njëjtën kohë do të ndërpriten edhe programet në shqip të radios “Evropa e Lirë”. Megjithëse ndihma financiare për NCFA do të vazhdojë me anë të kanaleve të tjera, rrogat dhe financat do të reduktohen. Ky ndryshim vjen në një kohë të përshtatshme edhe në formën e masës disiplinore të anëtarëve të padisiplinuar të komitetit të NCFA dhe të forcimit të kontrollit në të ardhmen.
Njësi ushtarake kufitare 1958
Një njësi e panjohur këmbësorie ka qenë vendosur në Delvinë prej vitesh. Në maj 1956 forca e saj llogaritej në rreth 500 njerëz, 20 kamionë dhe rreth 70 mushka. Njësia varet nga një njësi më e madhe ushtarake me bazë në Gjirokastër. Një njësi e panjohur ushtarake është zbuluar në rrethin e Ersekës me topa të tërhequr nga kamionë.
Ajo ka rreth 60 ushtarë të artilerisë dhe 400 të këmbësorisë, si dhe rreth 30 mushka të ngarkuara me pajisje. Në çdo kamion ka rreth 5 ushtarë artilerie. Hapësirat e kamionëve janë zënë me pajisje të nevojshme për të shtënat stërvitore. Një njësi e panjohur më parë është parë në kazermat e Leskovikut me rreth 300 njerëz, 2-3 kamionë dhe rreth 50 mushka.
Trupat ushtarake të Përmetit
Selia qendrore e forcave të ushtrisë së Shkodrës, së bashku me këmbësorinë e Shkodrës dhe njësitë e Burrelit e Milotit u transferuan në Përmet në janar 1956. Para këtij muaji, në Përmet kishte pasur një njësi të panjohur ushtarake me forcë rreth 600 njerëz. Me vendosjen e trupave të reja, kazermat u mbushën dhe të gjithë trupa u strehuan në tenda me nga rreth 20 njerëz secila. Pranë kazermës gjendeshin rreth 50 automjete në afërsi të lumit Vjosë.
Zona e tendave dhe e parkimit të mjeteve është e mbuluar me kamuflazh prej degë pemësh. Një ndërtesë dykatëshe është gjithashtu në ndërtim. Rreth 180 ushtarë dhe 30 civilë u dërguan për të prerë dru në Gjermen në verën e vitit 1956, për të siguruar dru të mjaftueshëm për ndërtimet e reja të bazës ushtarake. Gjatë korrikut e gushtit 1956, 16 kamionë transportonin çdo ditë dru e dërrasa drejt Përmetit.
Ndërtimi i kazermave të reja
Për ndërtimet e reja të kazermës së Përmetit u punësuan dhe 30 punëtorë lokalë për prerjen e drurëve të përdorur në ndërtim. Drurët janë të bollshëm në zonë dhe gjithashtu uji i pijshëm vjen nga burimi aty pranë.
Depot e municionit
Një depo municioni është lokalizuar rreth 200 metra në veriperëndim të kazermave të Leskovikut që prej vitit 1954. Ndërtesa është prej betoni, thuajse e gjithë mbi sipërfaqe. Ajo ruhet nga një ushtar dhe është e rrethuar me të njëjtin gardh teli që mbron dhe kazermat. Batalioni kufitar i Leskovikut varet nga njësia kryesore e Korçës. Trupat e tij shpërndahen në pikat e ndryshme kufitare. Një prej tyre është ajo e Rakovës me rreth 25-30 ushtarë, e komanduar nga një lejtnant. Tre ushtarë të kësaj njësie dërgohen çdo ditë në një pikë observimi. Një tjetër post gjendet në Mavre, me të njëjtën forcë ushtarake sa ajo e Rakovës. Më tej janë posti i Pelesit, Gjonçit, Arrezës, Gjermenit.
Dy ushtarë nga ky i fundit dërgohen çdo ditë në postin e fshehtë të vrojtimit në malin Kamenik. Postat e Shelegurit dhe Vrepçkës kanë rreth 25 njerëz secili. Posta e Kakomesë ka 20 ushtarë. Posta e manastirit të Shën Vasilit ka rreth 20 ushtarë dhe gjithashtu dhe posta e Lukovës. Një gardh rreth 2 metra e lartë me shtylla druri dhe degë të thata peme, zgjatet nga posta e Gjonçit deri te ai i Arrezës, në një distancë prej rreth 300 metra. Gjatë verës 1956 ky gardh ishte duke u zgjatur nga ushtria për të përfshirë dhe anën veriore të malit Kamenik. Gardhi kalon përmes një zonë pyjore dhe mbështetet edhe në dru të prerë peme.
Minat
Mes këtyre pozicioneve ushtria apo guerilët grekë komunistë, kanë vendosur mina anti-personel. Fusha e minuar është rreth 30 metra e gjatë dhe është krijuar në vitin 1949. Kufijtë e saj tregohen me anë të sinjaleve të veçanta. Në gusht 1956, ushtria shqiptare thërriti personelin e listave ushtarake të vitit 1937 të rojeve kufitare.
Forcat e sigurisë, njësitë e veçanta
Në fillim të vitit 1956, seksioni i Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës u transferua në Delvinë. Ndërsa për forcat e mbrojtjes bregdetare, komanda e Sarandës i përgjigjet njësisë kryesore të Durrësit. Janë disa nën njësi të grupit bregdetar të artilerisë së Sarandës, të shpërndara përgjatë bregut: një njësi me 4 topa është vendosur në Kefali, e cila deri në verën e 1954 ka pasur artileri italiane. Por më vonë armë të reja sovjetike u vendosën në disa poste bregdetare artilerie. Topat erdhën me rrugë detare, pasi nuk kishte rrugë që lidhte postet me zonat e brendshme.
Politika e brendshme, aktivitetet e partisë
Pas Kongresit të fundit të Partisë Komuniste në maj 1956, numri i anëtarëve të Byrosë Politike u rrit nga 7 në 12, ku anëtarët e vjetër ruajtën postet dhe vetëm u shtuan pesë anëtarë të rinj. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë tani ka 40 anëtarë. Organizatat më të ulëta të partisë (komiteti i qarkut, dhe organizata bazë), mbeten ashtu siç kanë qenë. Komiteti i qarkut ka sekretarin e parë, sekretarin e dytë, zyrën e dokumenteve sekrete dhe zyrën e agjitacion-propagandës. Kjo e fundit ka një numër agjitatorësh që dalin nëpër fshat me qëllim indoktrinimin e fshatarëve.
Edhe agjitatorët kanë rendin e tyre teksa zyrtarët me më pak eksperiencë përdoren për çështje më pak të rëndësishme agjitacioni (një fshatar me arsim përdoret për indoktrinimin e mesatarisht 5 fshatarëve të tjerë). Zyra e bujqësisë përfshin disa sektorë të prodhimit dhe gjithashtu pranon njerëz çdo ditë, për të dëgjuar ankesat e tyre mbi padrejtësitë nga autoritetet si vendosjen e taksave të rënda ose kritikat e një superiori p arsye serioze. Sa herë që ankesat kanë prova, atëherë zyra ka të drejtë të veprojë sipas procedurës. Organizata bazë e fshatit të Nivicës ka anëtarët e mëposhtëm: Risto Papadhima, Leko Vjerri, Thoma Strati, Leo Dami, Ilo Boçi.
Të lartpërmendurit ishin ngarkuar nga partia për të bindur bashkëfshatarët e tyre të futeshin në kooperativë, por banorët e Nivicës kanë kundërshtuar ashpër pjesëmarrjen në kooperativë dhe kolektivizimin e bujqësisë. Kështu që anëtarët e partisë shpjeguan se nuk mendonin se kooperativa do të funksiononte. Por më mars 1956, pas rritjes së presionit, autoritetet arritën të organizojnë kooperativën bujqësore të 35 familjeve fshatare, duke përfshirë dhe anëtarët e Partisë Komuniste.
Rreth një muaj më vonë kooperativa thuajse u shpërbë pas largimit të anëtarëve. Organizata komuniste e konsideroi këtë një shkelje të rëndë ideologjike dhe një sabotim kundër politike bujqësore të partisë, prandaj disa anëtarë u përjashtuan nga partia. Në fillim të prillit 1956, anëtarët e përjashtuar nga partia u mblodhën në Gjirokastër, ku Mehmet Shehu i dha një kritikë të fortë por i ri-pranoi në parti, pasi u zotuan se do të hynin përsëri në kooperativë./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














