Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e njëmbëdhjetë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e Përgjithshëm Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Edhe pse rendi i ditës ishte paracaktuar në tre pika kryesore, ku predominonte ajo për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, pothuaj gjatë gjithë punimeve të atij plenumi (sidomos te pika 4, “Të ndryshme”), u diskutua dhe u debatua ngjarja e atyre ditëve, e njohur ndryshe si “2 korriku i ambasadave”. Në atë plenum ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretarët e parë të komiteteve të partisë të rretheve, ministra, kuadro kryesorë të sektorit të arsimit, kulturës, shkencës, ekonomisë, drejtues të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së, Radio-Televizioni, ATSH-ja etj., mungonin Nimet Cani, Ali Vukatana, Reiz Malile, Shpëtim Çaushi, Zylyftar Ramizi, Qemal Lame, Zef Loka, Pirro Kondi dhe Hekuran Isai, të cilët prej disa ditësh ishin “në terren”, duke “menaxhuar”, ngjarjen e ambasadave.
Pas hapjes së mbledhjes nga Ramiz Alia, fjala iu dha ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushit, i cili mbajti dhe raportin përkatës, (“Për përsosjen e sistemit arsimor dhe forcimin e mëtejshëm cilësor të shkollës”), kryefjala e atij plenumi ishte “ngjarja e ambasadave”, duke diskutuar dhe analizuar me detaje se si dhe pse ndodhi ajo, (“roli i agjenturave të huaja”), e deri tek detyrat që dilnin për menaxhimin e asaj situate në ato ditë të nxehta korriku, ku mbi pesë mijë shtetas shqiptarë nga të gjithë rrethet e vendit, ndodheshin në ambientet e brendshme të disa prej ambasadave kryesore në Tiranë, në pritje të largimit nga Shqipëria.
Përveç kësaj, gjatë gjithë asaj mbledhje, por kryesisht në pikën nr. 4 të rendit të ditës, (që u diskutua në seancën e fundit), u morën në analizë edhe disa prej ngjarjeve kryesore që kishin ndodhur në rrethe të ndryshme të vendit gjatë atij viti, si; protestat në Shkodër në muajin janar për heqjen e bustit të Stalinit; ngjarjet në qytetin e Kavajës ku populli i atij qyteti u përlesh me forcat e policisë; arratisjet masive nga kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë e Greqinë, grumbullimet masive në vende të shenjta fetare, si Kisha e Shën-Ndout në Laç të Kurbinit; lejimi me ligj i besimeve fetare dhe hapja e objekteve të kultit; apo probleme të tjera që shtroheshin për zgjidhje, si; bisedimet e faktorin ndërkombëtar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës, Bashkimin Sovjetik, (bisedimet e zhvilluar me zv. ministrin e Jashtëm sovjetik në Sofie nga Sofokli Lazri); problemi i Kosovës; presioni ndërkombëtar për hapjen e Shqipërisë me botën dhe aderimi i saj në disa konventa ndërkombëtare; privilegjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së e familjeve të tyre që jetonin kryesisht në “Bllok”; fjalët që qarkullonin në popull për familjen e Enver Hoxhës dhe raportet e Ramizit me Nexhmijen; ndryshimi i legjislacionit dhe kodit penal; lirimi i të burgosurve politikë; pisja me pasaporta e shtetasve që kërkonin të dilnin si vizitorë tek të afërmit e tyre jashtë vendit; mekanizmi i ri ekonomik; strehimi dhe zënia me punë e shumë shtesave në të gjitha rrethet e vendit; dhënia e tokës dhe bagëtive fshatarësisë kooperativiste; e deri të furnizimi i popullsisë së qyteteve me produktet bazike ushqimore e mallrave të ndryshme industriale.
Siç do të shohim dhe nga dokument arkivore që i përkasin plenumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat theksojmë se publikohen për herë të parë, përveç udhëheqjes dhe disa prej funksionarëve të lartë të asaj kohe, në atë mbledhje kanë diskutuar apo janë përmendur edhe disa figura të tjera të larta që vazhduan karrierën e tyre politike edhe pas viteve ’90-të, si p.sh.; Skënder Gjinushi, Fatos Nano, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Gramoz Pashko, Spiro Dede, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Mehmet Elezi, Lisen Bashkurti, Koço Kokëdhima, Ylli Popa, Aleks Luarasi etj.
Po kështu në dosjen voluminoze të këtij plenumi, me mjaft interes janë edhe ato dokumente që i përkasin sekretarëve të Komiteteve të Partisë së rretheve apo “Grupit të informacionit” të cilët kanë shkuar në të gjitha rrethet e vendit dhe kanë evidentuar të gjitha problematikat kryesore që kanë dalë në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku është diskutuar “Mbi letrën e Komitetit Qendror”, dokumente që përbëjnë dhe pjesën më të madhe dhe gjithashtu më të rëndësishme të dosjes në fjalë. Madje mund të thuhet nga më të rëndësishmet të gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, pasi ajo periudhë kohe me ngjarjet që u zhvilluan, shënoi dhe prologun e rënies së atij regjimi.
Po kështu me mjaft interes janë dhe dokumentet që i përkasin seancës së fundit të asaj mbledhje me pikën nr. 4 të rendit të ditës “Të ndryshme”, e cila përbën edhe pikën më të nxehtë të gjithë plenumit, ku u diskutua, madje me debate të ashpra, edhe lirimi nga detyrat dhe nxjerrën në pension të tre anëtarëve të Byrosë Politike (Rita Marko, Manush Myftiu dhe Prokop Murra), apo lirimi nga detyrat ministrore apo funksionet e tjera të larta që mbanin prej vitesh të disa “udhëheqësve” të tjerë, si Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Lenka Çuko, Vito Kapo, Pirro Kondi, Jovan Bardhi, etj., dhe emërimin e “shokëve të rinj” në udhëheqjen e forumet e larta të Partisë dhe Shtetit, si; Xhelil Gjoni, Abdyl Backa, Niko Gjyzari, Kiço Mustaqi, etj. Lidhur me këto etj., na njohin dokumente në fjalë të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 11 TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, I MBAJTUR NË DATAT 6 DHE 7 KORRIK 1990
- TË NDRYSHME
- Disa çështje të situatave të sotme dhe problemet politike që rrjedhin prej tyre.
SHOKU VASIL ANAGNOSTI: Ai profesor, vazhdon ende të punojë në Universitet?
SHOKU RAMIZ ALIA: Mundet edhe ta heqim atë profesor nga Universiteti, po nuk zgjidhet kështu problemi. Çështja shtrohet që puna edukative të bëhet nga të tërë, të ngrihet në këmbë opinioni e t’i vërë para përgjegjësisë këta njerëz. Mirë, ç’mendime të tjera keni?
SHOKU MUHAREM MEZINI: Kam një mendim. Më duket se roli i Partisë dhe veçanërisht i organizatës-bazë, kohët e fundit ka një farë venitjeje. Për mendimin tim, kjo ka ndodhur edhe nga propaganda që bëhet në shtyp. Ajo nuk ka qenë kurdoherë e shëndoshë dhe nuk i ka shërbyer forcimit të rolit të Partisë. Partia duhet të tregojë më mirë forcën e saj edukative e udhëheqëse si në mbledhjet e hapura të organizatës dhe në çdo drejtim të punës. Të tërë jemi të ndërgjegjshëm se situatat kërkojnë ta forcojmë Partinë, këtë ide e theksuan edhe plenumet e fundit. Por propaganda në shtyp flet ndryshe. Thuhet se Partia nuk duhet të ngatërrohet me problemet ekonomike, as me ato që i përkasin komitetit ekzekutiv etj. Nuk më duket e arsyeshme dhe shumë e qartë kjo propagandë që bëhet në shtyp.
SHOKU RAMIZ ALIA: Çfarë propozon ti, konkretisht?
SHOKU MUHAREM MEZINI: Propozoj që të rritet roli i Partisë dhe shtypi të shkruajë për këtë çështje. Gjithashtu vetë ne, komunistët t’i sqarojmë më mirë njerëzit për situatat dhe nevojën e forcimit të punës së Partisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Në qoftë se shtypi nuk e bën mirë këtë punë, duhet cilësuar kush ka përgjegjësi, se këtu jemi në mbledhjen e Komitetit Qendror dhe duhet të flasim hapur.
SHOKU MUHAREM MEZINI: Për këtë problem shtypi nuk e ka bërë mirë punën dhe përgjegjësia duhet të fillojë që nga kryeredaktori, Marash Hajati, për të cilin u fol edhe këtu.
SHOKU RAMIZ ALIA: Çfarë propozon ti për Marash Hajatin, të qëndrojë më si kryeredaktor?
SHOKU MUHAREM MEZINI: Përderisa në shtyp janë bërë gabime të tilla, nuk më duket e arsyeshme që Marashi ta mbajë atë vend. Por desha të them edhe një mendim tjetër që qarkullon poshtë në njerëzit. Ka mjaft nga ata që thonë se gazeta “Zëri i popullit” pasqyron vijën e Partisë, prandaj edhe Marashi e shokët e tij nuk mund të veprojnë më kokën e vet, por marrin porosi nga lart…! E ndjeva për detyrë t’i thosha këto mendime këtu, në plenum, sepse ne jemi përfaqësues të Partisë dhe duhet ta dimë ç’thuhet e ç’bëhet në këtë drejtim. Veç kësaj desha të sqaroj se ato porosi që keni thënë Ju, shoku Ramiz dhe ato që janë thënë në Plenumet e Komitetit Qendror të Partisë, i kemi të qarta, por kur shkojmë në bazë, vëmë re se vijnë edhe disa udhëzime të tjera që nuk përputhen me këto.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ç’janë këto udhëzime?!
SHOKU MUHAREM MEZINI: Për shembull, punonjësit e policisë në organet e Punëve të Brendshme në fillim u pajisën me shkopinj gome, pastaj ua hoqën të drejtën e përdorimit të shkopit. Unë mendoj se ato janë organet e diktaturës së proletariatit dhe duhet të godasin mbi shkelësit e rendit, mbi rrugaçët e huliganët për të mbrojtur popullin dhe pushtetin. Njerëzve që ngrihen kundër pushtetit u duhet treguar vendi, ndaj tyre nuk duhet të jemi liberalë. Këtë pushtet e kemi fituar me gjak dhe duhet ta mbrojmë me punë e me gjak deri në fund. Këtë mendim kam.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë. Ç’mendime të tjera ka për këtë çështje?
SHOKU BUJAR KOLANECI: I dëgjuam me shumë vëmendje konkluzionet që dhatë Ju, shoku Ramiz, për situatën. Është i vërtetë shqetësimi që keni Ju se nga nëpunësit në forma të ndryshme po krijohen privilegje. Ka mjaft drejtorë e kuadro që i kanë krijuar vetes e fëmijëve privilegje. Kohët e fundit isha në disa ndërmarrje të Tiranës, ku më pyetën drejtpërsëdrejti për këtë çështje. Punëtorët kërkonin mendimin tim, se kush e pengon zbatimin e vendimeve të Plenumit të 10-të të Komitetit Qendror të Partisë.
Ju e theksuat se kjo situatë kërkon mobilizim total të të gjithë njerëzve dhe në mënyrë të veçantë nga ne, kuadrot kërkon të japim shembullin personal. Në mjaft punëtorë është krijuar mendimi se nuk mund të marrësh shtëpi dhe nuk mund të gjesh punë, po të mos japësh para. Shokët që kanë shkuar për t’i parë këto çështje në lagjet e Tiranës, thanë se ka kryefamiljarë të papunë, ndërkohë që nëpër lagje janë dhënë me dhjetra fletë pune pa kriter.
Pra duhet një shkundje e përgjithshme për t’i vënë në rrugën e zgjidhjes këto probleme. Administratat janë mësuar të veprojnë vetëm me urdhra, ndryshe nuk zgjidhin probleme. Mekanizmi i ri ekonomik duhet të çonte në shkurtimin e organikave, po dhe kjo nuk po bëhet. Punëtorët kërkojnë të çohen deri në fund këto masa, mirëpo ka pengesa. Mbase vetëm për këto çështje mund t’i përdorim urdhrat administrative.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, po dalin edhe vështirësi. Në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë janë shkurtuar deri tani 39 veta dhe asnjë s’po largohet, sepse nuk kanë specialitete dhe nuk i pranojnë në asnjë qendër pune. Shumica e tyre kanë mbaruar vetëm shkollën e Partisë.
SHOKU SPIRO KOLEKA: Në Kombinatin e Tekstileve, apo në atë të Autotraktorëve, nuk ka nevojë për punëtorë? Ata që nuk e kanë arsimin e lartë mund të punojnë edhe atje, pavarësisht se kanë qenë instruktorë partie. Ne me shkollë të mesme i kemi shumicën e punëtorëve.
SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Më fal, shoku Spiro, por unë mendoj se nuk është politike që të shkurtohet një punëtor partie dhe ta çojmë të punojë si punëtor i thjeshtë.
SHOKU SPIRO KOLEKA: Po do të shkurtohen gjithë ata kuadro në komitetet e Partisë ose nëpër dikastere, ku t’i çojmë?
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ashtu, duke vendosur mekanizmin e ri ekonomik, do të shkurtohen edhe punëtorët…! Duhet t’u gjendet vendi i punës, para se të largohen nga ndërmarrja e tyre. Jam dakord edhe me mendimin që duhen thjeshtuar por për këtë duhet punuar, duhen zgjidhur edhe problemet që na krijohen.
SHOKU HAXHI LLESHI: Ju, shoku Ramiz, theksuat shumë qartë detyrat e problemet që dalin në këto situata. Edhe herë tjetër keni folur për këto çështje, por e keqja është se nuk zbatohen detyrat e porositë. Mendoj se ka ardhur koha që atje ku punët nuk ecin, të kërkojmë kush është përgjegjës dhe çështja t’u shtrohet punëtorëve, kooperativistëve, kuadrove e të merren masa. Vetë punëtorët e kolektivat punonjëse ta thonë mendimin se ku duhen çuar ata njerëz që shkurtohen.
E di më se ka edhe plot hatërllëqe, por për to nuk duhet të flitet më në përgjithësi. Duhet të dalë përgjegjësia e atij që bën hatëre. Kolektivi ta gjykojë si e ka bërë punën një drejtues apo tjetri. Ka mjaft drejtues që janë bërë si bajraktarët e dikurshëm dhe veprojnë si në “mallin e babait”. Po kështu ndodh edhe me nëpunësit e zyrave të punës me punonjësit e tregtisë etj. Ndërsa për ata që kanë vetëm shkollë partie dhe nuk kanë shkollë tjetër të lartë mendoj se duhen vënë në provë, si e kryejnë detyrën që u është caktuar. Edhe këto çështje duhen shtruar me punëtorët e kooperativistët, që të na sugjerojnë rrugët e zgjidhjes. Duhet të merremi konkretisht tani me të gjitha këto probleme.
SHOKU RAMIZ ALIA: Të gjithë bashkë duhet t’i zgjidhim. Prandaj edhe ju jepni mendime, si duhet vepruar.
Tani bëjmë 10 minuta pushim.
SEANCA E SHTATË
(Pas pushimit. Vazhdon çështja 4: Të ndryshme)
SHOKU RAMIZ ALIA: Kush e do fjalën?
SHOKU KOSTANDIN HOXHA: Kisha unë diçka, shoku Ramiz. Jam plotësisht dakord me konkluzionet që dhatë Ju, po kisha dy mendime. Tirana ka pasur dhe ka një eksperiencë të madhe në organizimin e komunistëve dhe kuadrove për të përballuar situatat, për t’i ngritur njerëzit në aksione etj. Kemi kaluar situata të vështira edhe herë tjetër, por kjo e tanishmja është më e rëndë. Më duket që ka nevojë për një qëndrim më aktiv jo vetëm nga aparatet e Partisë e të pushtetit në rreth por edhe nga ato të rajoneve. Tirana ka rreth 30 mijë kuadro dhe 25 mijë komunistë.
I kemi të tëra mundësitë që gjithë kjo armatë njerëzish të organizohen më mirë për ta përballuar këtë situatë dhe për t’i mbrojtur interesat tona edhe në këtë fushatë të madhe sulmi që ka ndërmarrë armiku. Në qoftë se disa qindra e mijëra nga njerëzit tanë, do të organizohen që të ndodhen kudo të pranishëm, nuk ka nevojë të ndërhyjë policia, sepse opinioni i shëndoshë shoqëror bëhet pengesë për çdo ngjarje të shëmtuar. Së dyti, mendoj që duhet të ndalohet futja e njerëzve nga muret nëpër ambasada. Ky veprim është i jashtëligjshëm në cilindo vend. Ambasadat kanë portë, po të duan, le t’i hapin portat e t’ju shkojë kush të dojë.
Por policia jonë duhet të ndalojë kategorikisht hedhjen e njerëzve nga muret. Askush nuk na ndalon të marrim këtë masë, se nisemi nga qëllimi për të siguruar personelin e ambasadës. Ku e dimë ne se ai që futet nga muri, nuk shkon të hedhë një bombë për të vrarë ambasadorin?! Veç kësaj jam i mendimit edhe për ata që ndodhen brenda nëpër ambasada duhet gjykuar me gjakftohtësi e duhet gjetur doemos një zgjidhje politike. Ne mund t’iu kërkojmë trupave të huaja diplomatike që, ose t’i nisin këta njerëz në vendet e tyre në bazë të rregullave që kemi përcaktuar, ose t’i nxjerrin nga territoret e ambasadave.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht për këtë çështje doli tani nga mbledhja e plenumit shoku Reis, të cilin e ngarkova me detyrë që t’i mbledhë ambasadorët e huaj e t’ua komunikojë dekretin e sapodalë të Presidiumit të Kuvendit Popullor për t’i pajisur këta qytetarë me pasaporta për jashtë shtetit. Në këtë dekret theksohet ideja se shtetasit shqiptarë që kanë hyrë në përfaqësitë e huaja diplomatike të akredituara në vendin tonë dhe që dalin prej andej nuk i nënshtrohen procedimit penal për vepra të kryera që kanë lidhje me këtë akt. Po kështu, në rast se kërkojnë, këta shtetas pajisjen me pasaportë të rregullt për të dalë jashtë shtetit, si çdo shtetas tjetër shqiptar, në bazë të dispozitave të parashikuara në këtë dekret, i cili hyn në fuqi menjëherë.
E nxorëm këtë dekret me qëllim që t’i heqim armët reaksionit të jashtëm që propagandon se ata që hynë nëpër ambasada nuk kanë garanci se nuk dënohen, po të dalin përsëri. Megjithatë pas fjalimit që mbajta dje, agjencitë e ndryshme të lajmeve po thonë se udhëheqësi shqiptar mbron reformat dhe thekson që porta për të udhëtuar jashtë shtetit është e hapur. Të tjera agjenci thonë se refugjatët mbushin ambasadat e huaja në Shqipëri, ndërsa presidenti Alia thekson që kushdo mund të udhëtojë me pasaportë për në vende të tjera.
Ata i kanë marrë këto ide nga fjalimi im, ndërsa tani le t’i marrin më mirë nëpërmjet dekretit. Ministri ynë i jashtëm do t’u kërkojë tani ambasadorëve të huaj t’i nxjerrin nga oborret e ambasadave ata që dëshirojnë ose t’i nisin sa më parë në vendet e tyre. Ne nuk pranojmë në asnjë mënyrë të vijnë për ta avionë të huaj me veshmbathje e ushqime. Kuptohet që zgjatja e shtyrja në kohë e zgjidhjes së kësaj çështjeje nga ambasadat e huaja bëhet me qëllim.
SHOKU ARANIT ÇELA: Më falni, shoku Ramiz. Kisha një mendim në lidhje me dekretin që ka dalë. Pika e parë është plotësisht e sqaruar, ndërsa e dyta, më duket, ngatërrohet duke thënë se do të pajisen me pasaportë në bazë të rregullave etj. Mund të thuhej shkurt se këtyre qytetarëve do t’u jepen pasaportat për jashtë shtetit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Është formuluar ashtu që të mos bëhet dallim vetëm për këtë kategori. Ata mund të pajisen me pasaporta për jashtë, si çdo shtetas shqiptar në bazë dispozitave të parashikuara në dekretin përkatës. Nuk besoj se ka ndonjë shqetësim për këtë çështje. Dekreti parashikon dhënien e pasaportës deri brenda një muaji. Por, duke përcaktuar këtë kufi, nuk përjashtohet mundësia për ta marrë pasaportën edhe brenda një ose dy ditëve etj. Por duket qartë se ambasadat kanë qëllim t’i mbajnë këtu, në oborret e tyre këta njerëz, e t’i përdorin kundër nesh në rast nevoje.
SHOKU ARANIT ÇELA: Unë mendoj se ne duhet ta ekspozojmë para popullit qëndrimin e ambasadave. Popullit duhet t’i themi që ambasadat po e ndalojnë largimin me pasaporta të këtyre qytetarëve.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht këtë çështje duhet ta bëjmë publike. ATSH-ja e transmetoi lajmin për dekretin, tani atë duhet ta botojmë edhe në shtyp. Pra, ky lajm duhet të bëhet i njohur, si brenda vendit dhe në botën e jashtme. Në të njëjtën kohë në Presidiumin e Kuvendit Popullor diskutuam që ministri i Jashtëm, Reis Malile, ose zëvendësministri, Muhamet Kapllani, të dalin në televizion e ta sqarojnë këtë çështje. Gjithashtu për të sqaruar këto aspekte që u përmendën këtu edhe gazeta mund të japë ndonjë shënim, kur të botojë lajmin për dekretin./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm






















