Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e Përgjithshëm Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Edhe pse rendi i ditës ishte paracaktuar në tre pika kryesore, ku predominonte ajo për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, pothuaj gjatë gjithë punimeve të atij plenumi (sidomos te pika 4, “Të ndryshme”), u diskutua dhe u debatua ngjarja e atyre ditëve, e njohur ndryshe si “2 korriku i ambasadave”. Në atë plenum ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretarët e parë të komiteteve të partisë të rretheve, ministra, kuadro kryesorë të sektorit të arsimit, kulturës, shkencës, ekonomisë, drejtues të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së, Radio-Televizioni, ATSH-ja etj., mungonin Nimet Cani, Ali Vukatana, Reiz Malile, Shpëtim Çaushi, Zylyftar Ramizi, Qemal Lame, Zef Loka, Pirro Kondi dhe Hekuran Isai, të cilët prej disa ditësh ishin “në terren”, duke “menaxhuar”, ngjarjen e ambasadave.
Pas hapjes së mbledhjes nga Ramiz Alia, fjala iu dha ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushit, i cili mbajti dhe raportin përkatës, (“Për përsosjen e sistemit arsimor dhe forcimin e mëtejshëm cilësor të shkollës”), kryefjala e atij plenumi ishte “ngjarja e ambasadave”, duke diskutuar dhe analizuar me detaje se si dhe pse ndodhi ajo, (“roli i agjenturave të huaja”), e deri tek detyrat që dilnin për menaxhimin e asaj situate në ato ditë të nxehta korriku, ku mbi pesë mijë shtetas shqiptarë nga të gjithë rrethet e vendit, ndodheshin në ambientet e brendshme të disa prej ambasadave kryesore në Tiranë, në pritje të largimit nga Shqipëria.
Përveç kësaj, gjatë gjithë asaj mbledhje, por kryesisht në pikën nr. 4 të rendit të ditës, (që u diskutua në seancën e fundit), u morën në analizë edhe disa prej ngjarjeve kryesore që kishin ndodhur në rrethe të ndryshme të vendit gjatë atij viti, si; protestat në Shkodër në muajin janar për heqjen e bustit të Stalinit; ngjarjet në qytetin e Kavajës ku populli i atij qyteti u përlesh me forcat e policisë; arratisjet masive nga kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë e Greqinë, grumbullimet masive në vende të shenjta fetare, si Kisha e Shën-Ndout në Laç të Kurbinit; lejimi me ligj i besimeve fetare dhe hapja e objekteve të kultit; apo probleme të tjera që shtroheshin për zgjidhje, si; bisedimet e faktorin ndërkombëtar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës, Bashkimin Sovjetik, (bisedimet e zhvilluar me zv. ministrin e Jashtëm sovjetik në Sofie nga Sofokli Lazri); problemi i Kosovës; presioni ndërkombëtar për hapjen e Shqipërisë me botën dhe aderimi i saj në disa konventa ndërkombëtare; privilegjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së e familjeve të tyre që jetonin kryesisht në “Bllok”; fjalët që qarkullonin në popull për familjen e Enver Hoxhës dhe raportet e Ramizit me Nexhmijen; ndryshimi i legjislacionit dhe kodit penal; lirimi i të burgosurve politikë; pisja me pasaporta e shtetasve që kërkonin të dilnin si vizitorë tek të afërmit e tyre jashtë vendit; mekanizmi i ri ekonomik; strehimi dhe zënia me punë e shumë shtesave në të gjitha rrethet e vendit; dhënia e tokës dhe bagëtive fshatarësisë kooperativiste; e deri të furnizimi i popullsisë së qyteteve me produktet bazike ushqimore e mallrave të ndryshme industriale.
Siç do të shohim dhe nga dokument arkivore që i përkasin plenumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat theksojmë se publikohen për herë të parë, përveç udhëheqjes dhe disa prej funksionarëve të lartë të asaj kohe, në atë mbledhje kanë diskutuar apo janë përmendur edhe disa figura të tjera të larta që vazhduan karrierën e tyre politike edhe pas viteve ’90-të, si p.sh.; Skënder Gjinushi, Fatos Nano, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Gramoz Pashko, Spiro Dede, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Mehmet Elezi, Lisen Bashkurti, Koço Kokëdhima, Ylli Popa, Aleks Luarasi, etj. Po kështu në dosjen voluminoze të këtij plenumi, me mjaft interes janë edhe ato dokumente që i përkasin sekretarëve të Komiteteve të Partisë së rretheve apo “Grupit të informacionit” të cilët kanë shkuar në të gjitha rrethet e vendit dhe kanë evidentuar të gjitha problematikat kryesore që kanë dalë në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku është diskutuar “Mbi letrën e Komitetit Qendror”, dokumente që përbëjnë dhe pjesën më të madhe dhe gjithashtu më të rëndësishme të dosjes në fjalë. Madje mund të thuhet nga më të rëndësishmet të gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, pasi ajo periudhë kohe me ngjarjet që u zhvilluan, shënoi dhe prologun e rënies së atij regjimi.
Po kështu me mjaft interes janë dhe dokumentet që i përkasin seancës së fundit të asaj mbledhje me pikën nr. 4 të rendit të ditës “Të ndryshme”, e cila përbën edhe pikën më të nxehtë të gjithë plenumit, ku u diskutua, madje me debate të ashpra, edhe lirimi nga detyrat dhe nxjerrën në pension të tre anëtarëve të Byrosë Politike (Rita Marko, Manush Myftiu dhe Prokop Murra), apo lirimi nga detyrat ministrore apo funksionet e tjera të larta që mbanin prej vitesh të disa “udhëheqësve” të tjerë, si Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Lenka Çuko, Vito Kapo, Pirro Kondi, Jovan Bardhi, etj., dhe emërimin e “shokëve të rinj” në udhëheqjen e forumet e larta të Partisë dhe Shtetit, si; Xhelil Gjoni, Abdyl Backa, Niko Gjyzari, Kiço Mustaqi, etj. Lidhur me këto etj., na njohin dokumente në fjalë të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
RAPORT-INFORMACION I KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT TË DURRËSIT, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH NË TIRANË, PËR DISKUTIMIN E LETRËS SË KOMITETIT QENDROR
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË SEKRET
KOMITETI I PARTISË I RRETHIT Ekzemplar nr. 1
Nr. 1325 Prot. Durrës, më 15.9.1990
L Ë N D A: Dërgohen vërejtjet e bëra gjatë diskutimit të Letrës së Komitetit Qendror të Partisë për veprimtarinë e me organeve qendrore e me dikastereve.
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
Grupit të Informacionit
T I R A N Ë
Për Komitetin Qendror të Partisë dhe organet e propagandës:
– Të bëhet më shumë kujdes dhe të ushtrohet kontroll në botimin e disa artikujve në organet qendrore që nga masa e gjerë nuk kuptohen drejtë dhe krijojnë shqetësime.
– Herëpashershme të botohen shkrime ose nëpërmjet RTV për të ballafaquar jetën edhe të njerëzve tanë të larguar nëpërmjet ambasadave nga vende të ndryshme kapitaliste. Për shembull nga RTSH-ja të shkojë një grup gazetarësh e operatorësh që të intervistojnë e filmojnë në vendet ku shkuan njerëzit tanë që u futën në ambasada, ashtu si vepruan të huajt në vendin tonë.
– Propaganda të bëhet e shpejtë, reale dhe me fakte konkrete për shumë probleme që ka nxjerrë koha.
– Të sqarohen disa nga drejtimet e luftës së klasave në kuadrin e me proceseve të me demokratizimit të mëtejshëm të jetës, sepse ka paqartësi dhe zbutje.
– Të përmirësohet cilësia e emisioneve të RTV dhe shumëllojshmëria e tyre.
– Janë bërë vërejtje e dhënë mendime që shokët Muho Asllani, Simon Stefani e Lenka Çuko, për dobësitë që kanë patur në punë të mos jenë më anëtarë të Byrosë Politike.
– Ka vërejtje se dërgohen pa qenë nevoja për kurim jashtë shtetit fëmijë të udhëheqjes dhe fëmijët e punëtorëve nuk shkojnë.
– Shprehet mendimi se Letra e Komitetit Qendror ishte e nevojshme të nxirrej më parë.
– Për ngjarjet e 2 korrikut ka përgjegjësi veç të tjerave edhe Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë.
– Duhej njoftuar opinioni për masat që u morën për disa punonjës të propagandës.
– Kërkohet të nxirret përgjegjësia e Harilla Papajorgjit dhe Hasan Banjës etj., për tufëzimin e bagëtive.
– Në dy organizata-bazë Partie është shfaq mendimi që të ketë zyrë emigracioni dhe në vendin tonë.
– Puna fizike e kuadrove të hiqet.
– Shokët e udhëheqjes që kanë dalë në pension është mirë të largohen e të banojnë bashkë me popullin.
– Në një kolektiv u kërkuan sqarime pse nuk u informuan dhe ndryshoi qëndrimi ndaj publicistit amerikan Sulzberger.
– Kërkohet informacion më i plotë mbi marrëveshjet e lidhur me delegacionet e huaja.
– Shembulli personal i komunistëve e kuadrove duhet shikuar nga qendra në bazë.
– Ka vërejtje që në propagandë kohët e fundit pak përdoren shprehjet: Ideologjia Marksiste-Leniniste, emri dhe vepra e shokut Enver, lufta e klasave.
– Janë bërë vërejtje pse u futën në Kavajë sambistët dhe tanket.
– Ka mendime që të vazhdojnë informimet e organizatave-bazë të Partisë nëpërmjet buletineve.
– Janë dhënë mendime që nga udhëheqja privilegje të ketë vetëm Sekretari i Parë i K.Q. të Partisë dhe Kryeministri.
– Ka vërejtje pse është lejuar sh. Lenka Çuko të ketë pishinë, serë, terren sportiv etj.
– Ka lëvizje paralele të kuadrove dhe jo të gjithë që kanë mbushur moshën dalin në pension.
– Ka vërejtje për mungesë informacioni për ngjarjet që ndodhin në Tiranë.
– Ashtu siç u morën masa në linjë Partie, duheshin shtrirë dhe në Degën e Punëve të Brendshme.
– Janë bërë vërejtje se sh. Qirjako Mihali bëri dasmë të madhe dhe që çifti pas dasmës shkoi jashtë shtetit në Zvicër, thonë dy organizata bazë të Lagjes “Jeta e Re” dhe Ndërmarrja e Furnizimeve Industriale (org. bazë Industri e Lehte))
– Nuk vlerësohet e drejtë rizgjedhja dy herë i shokëve Qirjako Mihali e Muho Asllani, në një kohë që u lëvizën për dobësi.
– Kuadrot e qendrës të zbresin më shumë në bazë.
– Ka gjallërim të riteve fetare. Mendohet t’i kundërvihet më mirë kësaj propagande ateiste.
– Ka mendime që mbledhjet e hapta të organizatave-bazë të Partisë kanë krijuar shqetësime, sepse në to marrin pjesë kushdo.
– Në disa artikuj të organeve qendrore janë bërë kritika direkte për shpërdorimet e dëmtimet të mallrave për eksport dhe valutë, por masa e gjerë nuk është njohur se ç’u bë për zgjidhjen e tyre.
– Ka pyetje e mendime se cili do të jetë roli i Partisë me krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta.
– Ka vërejtje për sh. Fatbardh Harizi që pas shkarkimit nuk u pranua si drejtues nga tre kolektiva punonjëse, pse mbahet i zgjedhur, kur e shkarkoi plenumi dhe Byroja e Partisë së rrethit më 13.9.1990!
– Ka vërejtje e mendime që edhe fëmijët e udhëheqjes të punojnë në zonat Veri-lindore.
Për Këshillin e Ministrave:
– Propozohet të prodhohen artikuj të konsumit të gjerë me cilësi dhe çmime të ndryshme.
– Ka vërejtje pse nuk qarkullojnë disa drejtorë në dikastere.
– Për të forcuar disiplinën në punë duhet ndryshuar dhe Kodi i Punës.
– Ka vërejtje për organikën e Ministrisë së Jashtme prej 900 vetë, është e fryrë.
Për Ministrinë e Punëve të Brendshme:
– Kërkohet të kallëzohen armiqtë e brendshëm që organizuan ngjarjet e fundit dhe të mbahet qëndrim i ashpër ndaj tyre.
– Të nxirret përgjegjësia e atyre që dhanë urdhra për hapjen e ambasadave.
– Të mos lejohet të vijnë mallra, dollarë nga persona të arratisur dhe që njihen si armiq të pushtetit popullor, si dhe nga ata që u larguan nëpërmjet ambasadave.
– Të mos u jepen pasaporta personave e familjeve me përbërje dhe qëndrim jo të mirë moralo-politik si dhe atyre që u larguan nëpërmjet ambasadave pjesëtarëve të familjeve.
– Organet e diktaturës në shumë raste mbajnë qëndrim të tërhequr dhe nuk veprojnë ndaj personave që shkelin rregullat dhe rendin publik.
– Të diferencohet ardhja e të arratisurve si vizitorë në vendin tonë.
– Ka vërejtje se nuk duhej rritur çmimi i pasaportave.
– Për ngjarjet e Kavajës duhesh marrë masa edhe për kuadrot e Degës së Punëve të Brendshme.
– Në dhënien e urdhrave të jenë më të ekuilibruar.
– Të merren masa për kompletimin e shërbimeve të policisë me mjetet e nevojshme për të përballuar situatat e veçanta. Të plotësohen nevojat me kuadro në bazë të pozimeve, sidomos në rajonin e Kavajës.
– Të anulohet urdhri i Ministrit për ngritjen në përgjegjësi të punëtorit operativ Foto Liti.
– Ka mendime që jo të gjithë refugjatët të falen nga ligji, sidomos ato që kanë bërë politikë armiqësore ndaj vendit tonë.
– Ka vërejtje për Frederik Ymerin, që nuk u fut me problemet e Durrësit, është fodull e mendjemadh.
Për Ministrinë e Drejtësisë:
– Ka mendime që ndryshimet e bëra në Kodin e Punës për krimin e agjitacionit dhe propagandës është zbutur shumë.
Për Ministrinë e Punëve të Jashtme:
– Ka mendime të bëhen vizita jashtë shtetit nga kolektiva punonjësish.
– Nuk duhet lejuar konfuzion para ambasadave për të marrë vizat.
Për Ministrinë e Tregtisë së Brendshme e të Jashtme:
– Dyqanet e valutës po krijojnë shqetësime për probleme të ndryshme. Qëllimi i mirë ka pasur de-formacion, po spekulojnë kontrabandistë dhe elementë me përbërje jo të mirë, kurse i dollarit shkon nga 30-45 lekë për 1 dollar, po spekulojnë disa persona që kanë lidhje me të arratisur, ka krijuar shqetësime në familjet me përbërje të mirë dhe tek të rinjtë. Mendimi është të mbyllen ose valutën ta këmbejnë me lekë dhe mallrat të dalin në treg.
– Shprehet mendim se duhet shikuar më mirë fitimet dhe pasojat që kemi nga transporti i tabakut nëpërmjet transaksioneve.
– Ministria e Tregtisë së Jashtme të shikojë rregulloren e marrëdhënieve me jashtë.
– Ka vërejtje se Makina-importi krijon vonesë në furnizimin me materiale të NPV-së.
– Për disa artikuj industrial e bujqësor ka ngritje çmimesh si për kantiere, blankeri, etj. Të prodhohen e tregtohen artikuj me cilësi të ndryshme, sidomos për konsumin e gjerë, mbasi ka mjaft mangësi.
– Të sillen e tregtohen çamçakëza për fëmijë, sepse shpesh ato u kërkojnë të huajve.
– Të shpjegohet mekanizmi i ri ekonomik për administratën e punonjësit e Art-import-eksport.
Për Ministrinë e Industrisë Lehtë dhe Ushqimore:
– Në treg mungojnë disa artikuj si trikotazhe, blankeri, enë kuzhine, etj.
– Reparti i trikove i NRSH-Durrës ka makineri të dala jashtë përdorimit.
– Lavagranat e prodhuara në Shkodër s’kanë rendiment dhe janë me cilësi të dobët. Shokët e dikasterit nuk vijnë t’i diskutojnë problemet me punëtorët.
– Të bëhet furnizimi ritmik me esencë për Fabrikën e Verës nga Ministria Ushqimore.
– Ka zvarritje për të zbutur kërkesën e punëtorëve të Fabrikës së Cigareve për ndryshimin e tarifës së pagës sipas vështirësive të vendit të punës.
– Ka vërejtje nga Fabrika e Gomës dhe NPV-ja për mos sigurimin në kohë të lëndës së parë të importit.
Për Ministrinë e Bujqësisë:
– SMT-të kanë tre vjet që nuk furnizohen me goma, reduktorë, fllanxha e zinxhirë.
– Duhet shikuar çmimi i makinerive dhe pjesëve të ndërrimit tani me që do të futeni në mekanizmin e ri ekonomik.
Për Ministrinë e Komunikacionit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të PT-ve:
– Është dhënë mendimi që të kufizohet e drejta e bisedave telefonike ndërkombëtare për disa ndërmarrje e institucione që nuk e kanë të nevojshme.
– Ka shqetësime për zvarritjet që bëhen në qarkullimin e oficerëve navigatorëve nga transporti i brendshëm në atë të jashtëm detar.
– Ka mendime që nuk i përshtatet mekanizmi i ri ekonomik ndarjes së Flotës (e Flotës së Jashtme me atë të Brendshme).
– Baza mekanike e hekurudhës ka vërejtje për mungesa të disa materialeve të importit.
Për Ministrinë e Shëndetësisë:
– Për mungesë të disa ilaçeve të nevojshme.
– Flitet se në Tiranë për një operacion mjekët duan 1 mijë lekë.
Për Ministrinë e Financave:
– Dogana të mos bëjë diferencime në kontroll sidomos për kuadrot e pjesëtarët e familjeve të tyre, sepse në praktikë është kthyer me dy dyer.
Për Drejtorinë e Përgjithshme Mekanike:
– Të sigurohet në kohë furnizimi material me materiale vendi dhe importi në URT e në ofiçinën mekanike./ Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT DURRËS
Kristaq Prifti
Vijon numrin e ardhshëm



















