Nga MERITA SHKUPI
Pjesa e parë
Memorie.al / 43 vjet më parë, më 13 gusht të vitit 1983, mbylli sytë përgjithmonë një nga luftëtaret më të shquara për liri, demokraci dhe emancipim shoqëror, publicistja, shkrimtarja, studiuesja, politikania dhe veprimtarja e radhëve të para kundër tiranisë së çdo lloj ngjyre e përmase, Musine Kokalari. E harruar nga të njohurit, e shpërfillur nga shoqëria dhe e dënuar nga shteti brigandë, ajo vdiq në kushtet e një mjerimi të thellë, në një dhomë të humbur, e internuar në Rrëshenin e viteve ‘80, pa njeri pranë dhe me frikën e pa-ngushëlluar të humbjes së mbi 1000 faqeve studime, mbi pasuritë folklorike të Mirditës e të malësive përreth.
Në një vëllim të letrarizuar kushtuar jetës së Musine Kokalarit, autorja, Eglantina Mandia, i drejtohet të ndjerës me një letër imagjinare, hyrja e së cilës karakterizon njëherësh edhe profilin e Musinesë: “Njeriu mund të jetë i lirë, edhe pse i burgosur. Dhe mund të jetë i burgosur, edhe pse i lirë. Ky është mësimi që kam nxjerrë nga jeta jote. Fli e shenjtë e qiellit shqiptar!”
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana të Turqisë. Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë në periudhën osmane, edhe Reshat Kokalari ishte punësuar në atë qytet të largët të Anadollit. Pas tre djemve, Musineja vjen në jetë si fëmija i katërt e këtij nëpunësi që tashmë, pas shkërmoqjes së zotërimeve turke në Ballkan, kishte mbetur thjesht i mërguar në dhé të huaj. Mirëpo, lidhjet e fuqishme me truallin e të parëve e bënë Reshatin të kthehej në vendlindjen e tij, në Gjirokastër, fill pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, më 1920.
Më 24 maj 1931 u kremtua në Kamzë të Tiranës 40-vjetori i Institutit “Kyriaz”, i krijuar më 1981 nga Sevasti Kyriazi, institut që kishte përjetuar një aventurë të mirëfilltë zhvendosjeje të pandërprerë gjatë viteve të trazuara të sundimit osman, të agimit të pavarësisë, të pushtimeve të huaja gjatë Luftës së Parë Botërore dhe të katrahurave politike shqiptare të viteve ‘20 – ‘30 të shekullit të kaluar, duke u endur nga lagjja e Shën Gjergjit të Korçës në Kamzë të Tiranës.
Në prani të më se 800 të ftuarve të zgjedhur të kryeqytetit, u dha një program mbresëlënës artistik, kulmimi i të cilit ishte ekzekutimi nga mësuesja e pianos, Afërdita Osmani, e “Sonatës së Hënës” të Bethoven-it. Ajo sonatë i bëri një përshtypje të thellë Musinesë së re. Ishte kjo rrethanë që e shtyu studiuesen Eglantina Mandia që ta titullojë librin kushtuar jetës dhe veprës së Musine Kokalarit “Sonata e Hënës”.
Në atë pjesë, Bethoven-i shpreh me nota të larta se si ngjitet shpirti njerëzor prej ndjenjave të bukura në çaste lumturie, kur dy qenie duan të bashkohen në një dhe si shkërmoqet me një pianissimo të befasishme e të pamëshirshme, nga goditja e fatit, nëpër hone të thella, ndërkohë që ëndërrimi ndjesor i mbuluar nga drita e argjendtë e hënës, pasi ngrihet lart në qiell, zbret poshtë në skëterrë.
Ajo ishte në pranverën e 16-të të jetës së saj dhe si të gjithë të rinjtë e asaj moshe, i përjetonte fort këto emocione. Ëndërronte dasmat dhe djemtë që të rrëmbejnë në krahë e të ngrenë lart në dritën e hënës. Por gjithnjë e shihte veten në ëndërr pa kurorë.
Dhe përpëlitej e përpiqej të shprehte ato vrulle e nota të sonatës së Hënës të shpirtit të saj, ndërkohë që i kalonin në kujtesë vargjet e Naimit: Njeriun e bëri Zoti të lirë Po duhet gjithmonë të bëjë mirë Dhe i dha mendjen që ta peshojë Dhe të paudhat t’i largojë Kështu jeton ajo rininë e saj duke kërkuar fort edhe brenda vetes.
Dhe shpirti i saj mbushet e mbushet si sythet në pranverë. Ato ndjenja dhe përjetime ajo i shpreh thjesht dhe me sinqeritet befasues në përshkrimin “Shoku im”, ku spikat një integritet i fortë moral.
“E bukur, e ëmbël, e kënaqshme është patja e një shoku të vërtetë, e një shoku të pandarë. Të do, të shoqëron, s’të lë dhe të këshillon, të flet në heshtje dhe të gëzon. Nuk të harron, nuk të rrén, nuk të përqesh, nuk të lajkon, vetëm të shoqëron… …E shikoj shokun tim, e dëgjoj, e shqyrtoj dhe e pyes: a mund të quhet i keq?
Fol të drejtën, kërkoji fundin çdo gjëje, parashtro shkaqet, dallo të mirën prej së keqes, jepi grushtin kush kërkon të të shtypë, bën të mira, ndihmoji, prap je i keq…” Është vera e vitit 1937 kur Musineja nis të botojë shkrimet e saj të para me pseudonimin “MUZA”.
Në janarin e vitit pasues ajo niset për studime në Romë. Për të nisi një jetë e re, me shumë të papritura, por njëherësh tejet interesante. Ajo sodiste e mrekulluar thesaret e jashtëzakonshme artistike të Italisë. Por njëherësh iu vu me shumë këmbëngulje studimit që kërkonte mundim të madh dhe sakrifica, net pa gjumë, harrim vaktesh dhe përqendrim të pazakontë nervor.
Veçse përballë studimit të vështirë të filozofëve të mëdhenj me të cilët i duhej të merrej detyrimisht pasi qenë pjesë të programit akademik si Spinoza, Spenser, Ruso, Kant, Shopenhauer, asaj i vinin si frymëzim inkurajues vargjet e Naimit: Ti Shqipëri më jep nder Më jep emrin Shqiptar Zemrën ti ma gatove Plot me dëshirë e me zjarr Pushtimin e vendit nga Italia e Musolinit e priti me indinjatën më të thellë, pasi shpirti i saj qe gatuar me ndjenjat e atdhedashurisë që në moshën më të njomë.
Ajo nuk mund ta pranonte, nuk mund të përfytyronte se si një vend shumë më i përparuar se vendi i saj të kryente një akt të tillë barbar. Dhe rasti e solli që pak muaj pas pushtimit, një shoqe e saj ta njihte me të riun P.T. të sapolauruar në arkeologji. Ajo, e stresuar nga ngjarjet, kërkonte ta bindte mikun e saj të ri për vlerat kulturore e morale të Shqipërisë së vogël e të varfër me pasionin e saj karakteristik kur mbronte çështje të mëdha:
“Është e vërtetë që është nga vendet më të vogla të Europës, po aq sa është e vërtetë që pak vende europiane mund të kenë një origjinë aq të lashtë…Populli im ka qenë pré e invazioneve, por aspak një pré e lehtë për triumfatorët. E ruajti dhe e konservoi nderin, dinjitetin dhe të gjitha karakteristikat e racës së vet të lashtë, pavarësisht nga shekujt e skllavërimit, flukset dhe reflukset”.
Ndonëse tepër e tërhequr dhe këmbëngulëse për të mos pranuar dashurinë e djaloshit italian, vendosmëria e fortë e tij e lëkundi Musinenë, e cila megjithatë vazhdimisht kërkonte të zmbrapsej pasi: “Unë jam shqiptare – përsëriste bindshëm – dhe do të mbetem gjithnjë shqiptare. Dhe mos harro se në Shqipëri ka pasur 7 prill. 7 prill, e di çdo të thotë?”
Sidoqoftë ngadalë, por pak e nga pak, dy të rinjtë u ndjenë të dashuruar. Nga një teke e fatit pikërisht në momentin e kulmimit të ndjenjave të të dy të rinjve, P.T. komandohet të vejë në frontin e luftës që tashmë kishte shpërthyer e që do të ndryshonte jetët e qindra miliona njerëzve në të gjithë planetin.
Ai i shkruante nga Afrika e Veriut ku vepronte njësiti i tij pothuaj çdo ditë, me premtimin solemn se do të kthehej së shpejti dhe nuk do të ndaheshin më kurrë. Dhe në një ditë të ftohtë dhjetori të vitit 1940 Musinea takon papritmas P.T.–në në rrugë. Shumë gjëra kishin ndryshuar. E ëma e tij e kishte inkurajuar të birin të flirtonte me vajza të tjera, duke e prishur një lidhje dashurie që asaj i dukej krejt e paarsyeshme.
Me gjithë justifikimet e P.T.-së ishte Musinea, e lënduara, ajo që u largua e para. Ajo nuk mund ta duronte atë dhunë maskiliste sipas së cilës femra është vetëm një objekt kënaqësie dhe vetëm kaq.
Në librin e saj të ndjerë për Musinenë, autorja Mandija, ndërkohë që po shëtiste, dhjetëra vite më vonë, në rrugët e Romës, shprehet: “Dua ta gjej tani këtë njeri, tashmë të plakur, nëse është gjallë, ta shoh në sy këtë njeri që ka pasur një xhevahir të rrallë në pëllëmbë dhe që, për mendjelehtësi, e humbi përgjithmonë” Ndarja me P.T.-në erdhi fill pas një lajmi shumë tronditës për Musinenë.
Ajo pati një njohje tepër të këndshme që në fillimet e studimeve në Itali me izraeliten Rashelë, një vajzë tepër e dashur dhe e sinqertë ndaj shqiptares së re. Ato ndanin ndjenja, mendime e gjykime të përbashkëta për të gjithë morinë e problemeve me të cilat përballej bota dhe shoqëria europiane në kapërcyellin ndërmjet viteve ‘30 dhe ‘40. Rashela iu bë pothuajse motër Musinesë.
E detyruar nga klima e ashpërsuar antisemite në vendet e boshtit (Gjermani – Itali – Japoni), Rashela u nis për në SHBA-ës ku banonte i ati, në Boston të Masaçusetit. Por nuk arriti kurrë atje. Nazistët e kapën dhe pas torturash të të gjitha llojeve, e masakruan. Ky nuk ishte thjesht tërbim maskilist kundër një femre, por tërbim racor në emër të një doktrine të përçudnuar të nazistëve që adhuronin dhunën për arritjen e çdo qëllimi të tyre. Kjo qé një ngjarje tepër e dhimbshme për shpirtin e butë të Musinesë.
Ky episod tragjik e bëri atë edhe më të vendosur e të palëkundur për luftën kundër dhunës. Por jeta vijonte me ritmin e saj. Musineja ishte pranë përfundimit të universitetit dhe kishte zgjedhur për temë diplome poetin më të dashur të saj, Naim Frashërin. Në ato ditë të tensionuara pune, takon në Romë Andrea Varfin, që drejtonte në Shqipëri një të përkohshme letrare dhe që kishte botuar disa vite më parë krijime të Musinesë.
Thjesht dhe pa komplimente, Andrea Varfi i foli për njërin prej këtyre krijimeve cilësore të diplomantes së re: “Ky në të vërtetë është një manifest. Një manifest shpirtëror, që ti e ke shpallur që katër vjet më parë… Musine, edhe kur dole të punoje në librarinë e tët vëllai, ke thyer një tabu. Ndoshta ke qenë e para grua që dole në një dyqan për të shitur libra”. Pas diplomimit, Musine Kokalari kthehet në Shqipëri dhe fillon të shkruajë e të botojë më shumë e më cilësisht se më parë. Filozofia e jetës së saj mund të përmblidhet në maksimën e shprehur prej vetë asaj:
“E kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërsa e kemi brenda shpirtit”. Më 29 shtator 1942 filloi punën si mësuese në institutin “Nëna Mbretëreshë”. Bota ishte në kulmin e zjarrit. Musinenë e mundonte pyetja: si është e mundur të ishin zjarrvënës pikërisht ata që dëgjonin Bethoven-in dhe përgjëroheshin për “Sonatën e hënës”?
Nexhmije Xhuglini (Hoxha) e fton atë të kontribuojë në Luftën Nacionalçlirimtare, por ajo i përgjigjet se e dinte mirë se ç’kishte ndodhur në Rusi duke shtuar se nuk u besonte komunistëve shqiptarë që i binin anash problemit të Shqipërisë Etnike me fraza të vagullta. Ajo hyri në Partinë Social-Demokrate. Në korrik të vitit 1943, Musineja shkruan një editorial në numrin e parë të revistës “Gruaja Shqiptare”, që ishte e lidhur ngushtë me rezistencën antifashiste. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













