Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e parë
Memorie.al / Gjatë gjithë periudhës afro 45 vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, nga fillimi i vitit 1945, e deri në 1991-in, ujërat territoriale shqiptare, nga kufiri i skajit më verior afër ishullit Franc Jozef të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, e deri tek Kepi i Stillos në skajin më jugor të vendit në kufi me Greqinë, ka pasur me qindra incidente detare, pasi ato janë janë shkelur shpesh herë nga anije të huaja dhe mjete të tjera lundruese, si motobarka, skafe, jahte etj., të cilat i përkisnin shteteve nga më të ndryshmet. Duke filluar na ato të vendeve fqinje, si greke, italiane dhe jugosllave, e deri tek ato izraelite, amerikane dhe sovjetike, që për Tiranën zyrtare dhe kreun e saj, Enver Hoxha, konsideroheshin tre vendet më armike, me të cilat Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, nuk kishte dhe pranonte të lidhte marrëdhënie zyrtare në mënyrë kategorike.
Po t’i hedhim një sy dokumenteve arkivore ku ndodhen komunikatat operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se shkelja e ujërave territoriale nga ana e anijeve të huaja ka qenë më e theksuar nga viti 1968, e deri në 1990-ën, kur regjimi komunist në fuqi filloi të lëkundet, gjë e cila çoi edhe rrëzimin e tij në fillimin e 1991-it. Dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, vendi ku ka pasur më shumë incidente detare dhe janë kapur më shumë anije dhe motor-skafe të huaja, rezulton të jetë zona e ishullit të Sazanit dhe ajo përgjatë bregdetit të Vlorës, duke filluar nga Porto-Palermo, Zvërneci, e deri në afërsi të derdhjes së Semanit.
Nisur edhe nga situata e atyre viteve që njihet tashmë si periudha e “Luftës së ftohtë”, pothuaj të gjitha anijet dhe mjetet e lundrimit të huaja që shkelnin ujërat territoriale shqiptare, nga ana e regjimit komunist në fuqi, konsideroheshin “armiqësore” dhe se “ato vinin për qëllime zbulimi dhe diversioni”, gjë e cila bënte që ato të ndiqeshin dhe shoqëroheshin nga anijet e Flotës Luftarake Detare Shqiptare (Katerat silurues) për në portet më të afërta, si Saranda, Vlora, Durrësi dhe Shëngjini. Lidhur me këto etj., na njohin një sërë dokumentesh arkivore sekrete (tashmë të de klasifikuara), të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 26 MARS 1968, PËR KAPJEN E ANIJES ITALIANE “STELA” NË AFËRSI TË DERDHJES SË SEMANIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 26.3.1968
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 72
Afër derdhjes së lumit Seman, u kap një motobarkë italiane.
Më datë 25.3.1968, ora 18.00, motobarka jonë e peshkimit “Peza”, rreth 5 milje në derdhje të Semanit, kapi duke gjuajtur peshk, në ujërat tona, motobarkën italiane “Stela”, me ekuipazh për 5 vetash. Kjo motobarkë është nisur nga Brindisi i Italisë. Mbas kapjes, barka u soll në portin e Durrësit, ku do të zhvillohen hetimet.
ZV/KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
KOLI SHUKE
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 24 PRILL 1968, PËR KAPJEN E NJË ANIJE ITALIANE ME FLAMUR ANGLEZ NË PORTO-PALERMO
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 24.4.1968
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 96
VLORA
Dega e Sigurimit të Ushtrisë, njoftohet nga Sigurimi i reparteve të Vlorës, se me datën 23.4.1968, ora 15.15, një anije F.L.D. Sazan, Nr. 507 dhe një kater silurues, kapën një motobarkë italiane turistike, me flamur anglez, që lundronte 4 milje larg bregut tonë, midis Shënendre – Llogorasë dhe u akostua në Porto-Palermo. Në të ishte një burrë dhe një grua angleze. Është vënë në dijeni Dega e Punëve të Brendshme Vlorë dhe kanë shkuar për ta parë çështjen në vend. Është njoftuar Ministria e Mbrojtjes Popullore. Këtë njoftim e dha Saranda, por jo të qartë, ndërsa Vlora nuk ka dhënë asnjë hollësi tjetër. Ishin turistë anglezë, u lanë të lirë.
ZV/KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
KOLI SHUKE
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 5 MAJ 1968, PËR KAPJEN E NJË MOTOSKAFI ME FLAMUR GREK, KU NDODHEJ NJË FAMILJE ME PESË PERSONA, ME SHTETËSI AMERIKANE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “Tepër Sekret”
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 5.V.1968
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 104
VLORA
Më 3.5.1969, ora 22.00, nga vrojtimi special i reparteve breg – detare, u konstatua dhe u kap nga një kater i F.U.D. –it Vlorë, një motoskaf që vinte nga Greqia në drejtim të Vlorës. Në këtë motoskaf ishin një burrë dhe një grua, shtetas amerikanë, bashkë me 5 fëmijët e tyre, më i madhi në moshën 8 vjeç, të cilët kërkojnë strehim politik në vendin tonë. Pretendojnë se para një muaji kanë ardhur me aeroplan nga SHBA-ja në Itali. Aty janë paraqitur në ambasadën tonë dhe kanë kërkuar strehim politik, por me qenë se nuk i’u dha, ata më datën 17 prill kanë shkuar në Korfuz, ku më vonë blenë një motoskaf dhe me atë erdhën në Vlorë. Nga Dega e III-të kanë shkuar shokë në Vlorë për këtë çështje.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 7 TETOR 1968, PËR KAPJEN E ANIJES GREKE “KALIOPI MICI” NË AFËRSI TË GJIRIT TË VLORËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 7.10.1968
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 240
Më 7.10.1968, rreth orës 19.00, ndërmjet Sazanit dhe Triportit, nga forcat e Marinës u pa një anije me drejtim për në Gjiun e Vlorës; kjo u kap nga forcat tona dhe rezulton se është anija tregtare greke “Kailopi Mici”, me tonazh 2.000. Kapiteni i saj pretendon se është nisur nga Italia për në portin e Durrësit, që të ngarkoi bitum për llogari të Bullgarisë, por gjatë rrugës me radio e kanë lajmëruar që të kthehesh në portin e Vlorës, për t’u ngarkuar. Nga verifikimi që ka bërë Dega e Punëve të Brendshme Durrës, rezulton se Kapitaneria e Portit aty nuk pret ndonjë vapor të tillë. Dega e Brendshme Vlorë thotë se sot nga ana e Korpusit do të vendoset nëse anija tregtare greke do të qëndroj ose jo për ngarkesë.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 9 TETOR 1968, PËR KAPJEN E ANIJES GREKE “KALIOPI MICI” NË AFËRSI TË GJIRIT TË VLORËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 9.10.1968
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 240
SHËNIM
Lidhur me njoftimin e bërë në komunikatën e djeshme, mbi anijen greke “Kaliopi Mici”, që erdhi nga Italia në Gjiun e Vlorës, për të cilën Ju urdhëroni që të verifikohet e po qe se nuk është lajmëruar për të ardh në Vlorë, të mos lirohet, Dega e III-të jep këto hollësira: “Nga shokët e Ministrisë së Tregtisë del se kontrata e lidhur me bullgarët për bitum, rezulton që kjo anije së bashku me disa të tjera, janë caktuar për të marrë bitum në vendin tonë, konkretisht në Durrës dhe në Vlorë.
Kjo anije ka qenë caktuar për ngarkesë në Durrës. Kur u pyet kapiteni i saj, përse dhe me ç’urdhër ka ndryshuar kursin, jep këtë përgjigje: Në fillim jam urdhëruar për të shkuar në Durrës, gati në mes të rrugës, jam njoftuar nga pronari i jem në Pire, që të ndryshoj kursin për në Vlorë, mbasi ngarkesa do të merrej këtu, për këtë më vinin në dijeni se nuk do të kisha pengesa dhe punët ishin të rregulluara. Kur më thanë se çdo gjë është e rregulluar, unë mendova se ata edhe do të kenë njoftuar Vlorën, prandaj unë nuk bëra asnjë njoftim tjetër”.
Nga Dega e III-të mendohet se ndryshimi i kursit të tij për në Vlorë, ndjek qëllime zbulimi për situatën dhe duhet të jetë dora e Zbulimit grek. Vazhdojnë hetime të mëtejshme.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 15 NËNTOR 1968, PËR KAPJEN E TRE BARKAVE ITALIANE NË AFËRSI TË DERDHJES SË VJOSËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 15.11.1968
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 273
VLORA
Njofton se me datën 14.11.1968, në orën 14.00, u kapën dhe u ndaluan tre barka peshkimi italiane të cilat ishin duke peshkuar në ujërat tona territoriale në afërsi të derdhjes së Vjosës. Këto u kapën nga dy katerat silurues që u dërguan nga ana e Korpusit të Vlorës. Ekuipazhi i barkave italiane nuk ka pranuar t’ju bindet autoriteteve tona. Hollësira të mëtejshme do të njoftohen më vonë.
(U dha njoftim në kom. Op. Nr. 283, datë 27.XI.1968)
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 16 NËNTOR 1968, PËR KAPJEN E TRE BARKAVE ITALIANE NË AFËRSI TË DERDHJES SË VJOSËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 16.11.1968
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 274
VLORA
Njofton se gabimisht, më datën 15.11.1960, është njoftuar kapja e tre barkave të peshkimit, ndërsa në të vërtetë, është kapur një barkë, 2 të tjerat janë larguar për në Itali. Kapiteni i barkës ndodhet në hetuesi, në pikën kufitare, kurse ekuipazhi ndodhet i siguruar në barkë. Kapiteni i barkës gjatë hetuesisë ka deklaruar se barkat që u larguan për në Itali, kishin me vete dhe mjete radari, për të parë se sa do të ndiqeshin nga forcat tona, për t’u kapur.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
DOKUMENTI ARKIVOR I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË DATËS 31 MAJ 1970, PËR KAPJEN E KATËR PESHKATOREVE ITALIANE AFËR ISHULLIT TË SAZANIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “Tepër Sekret”
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMINISTRATËS DHE STUDIMEVE Tiranë, më 31.V.1970
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 102
DEGA E SIGURIMIT TË USHTRISË
Më datën 30.4.1970, ora 06.30, motobarka jonë e peshkimit “Antonio Gramshi”, ka njoftuar repartin Nr. 9510 në Vlorë, se në ujërat tona, 5-6 milje në perëndim të bregdetit Sazan – Vjosë – Seman, janë diktuar 4 peshkatore italiane, duke gjuajtur peshk. Gjithashtu njofton se me shumë vështirësi vazhdon të ndalojë njërën nga peshkatoret italiane, e cila bën të gjitha përpjekjet për të dalë nga ujërat tona territoriale dhe të shkëputet prej saj, sikurse bën dhe 3 peshkatoret e tjera italiane. Në orën 07.00, komanda e Repartit të sipërm, nisi me shërbim në këtë drejtim një kater silurues, i cili mbas kërkimeve që bëri n’at rajon, në orën 9.55, në distancën 12.8 milje në perëndim të Kepit të Semanit, diktoi shkelësen e ujërave tona territoriale, peshkarexhën italiane pa flamur, me emër “Zeus-2”, e cila ndiqesh nga peshkatorja jonë “Antonio Gramshi”.
Kateri jonë, me sinjalizime dhe manovra të ndryshme tentoj ta ndaloj atë dhe ta shoqëroj për në Portin e Vlorës, por peshkatorja “Zeus-2”, vazhdonte lëvizjen për t’u larguar sa më tepër në perëndim duke përdorur radiolokacionin dhe zhvillonte bisedime me korrespodentin e saj. Meqenëse kjo nuk iu bind sinjaleve të shumta për t’u ndaluar, kateri jonë në shenjë paralajmërimi dhe me mitraloz një breshëri të shkurtër dhe pastaj tre breshëri të tjera, me gjithsej 14 fishekë. Drejtimi i qitjes ka qenë në ajër, në kënd 60 gradë anash peshkatores dhe asnjë nga predhat nuk e ka prekur atë. Në këtë kohë “Zeus -2”, ndaloj por nuk pranoj kursin në drejtim të Vlorës, duke pretenduar se kishte avari dhe në asnjë mënyrë nuk pranoi të kapte cimën e peshkatores tonë për ta rimorkiuar.
Në fakt, “Zeus-2”, nuk kishte avari dhe ajo vazhdoi lëvizjen ngadalë dhe në mënyrë të maskuar në drejtim të perëndimit. Në orën 13.00, rreth një milje larg katerit, fluturoi një hidroplan, i cili u largua menjëherë në drejtim të perëndimit. Në orën 15.00, në bordin e peshkatores “Zeus-2”, u akostua një motoskaf italian, i armatosur me mitraloz. Në orën 15.25, kateri ynë u largua nga ky rajon, për arsye se nga shkarkimi i baterive, u ndërpre ndërlidhja dhe u njoftua se do të dërgohej një anije tjetër për zëvendësimin e tij. Në këtë kohë peshkatorja “Zeus-2” u largua.
Peshkatorja “Zeus-2”, ka shkelur edhe herë të tjera ujërat tona, gjë kjo që vërtetohet edhe nga deponimet e ekuipazhit të peshkatores italiane “Maria–Dorio”, që është kapur duke gjuajtur peshk në ujërat tona, në datën 14.XI.1968. Duke marrë për bazë se kjo anije është e pajisur me mjete radiollokative dhe ka hyrë edhe herë të tjera në ujërat tona si anije peshkatare, mendojmë se me anë të gjuetisë ajo maskon veprimet e saj me qëllim zbulimin dhe akte diversioni. Kjo përforcohet nga fakti se kjo anije asnjëherë nuk ka pranuar t’u nënshtrohet kërkesave të anijeve tonë dhe vetëm për këtë peshkatore është dërguar në ndihmë hidroplani dhe motoskafi i armatosur. / Memorie.al
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
Vijon numrin e ardhshëm














