Nga Nebil Çika
Pjesa e tretë
Memorie.al / Në emisionin “Rrno për me tregue” të realizuar vite më parë në Shijak TV, gazetari dhe moderator i njohur, Nebil Çika, ka pasur të ftuar edhe ish-të burgosurin politik, Gëzim Peshkëpia, intelektual i njohur dhe pinjoll i një familje të madhe e shumë të njohur në Shqipëri, me kontribut që nga fillimet e idesë së shtetit shqiptar, deri në ditët e sotme. Ish i burgosur politik dhe i biri i njërit prej të pushkaturve në masakrën e bombës në Legatën Sovjetike në Tiranë në vitin 1951, ku u pushkatuan pa gjyq 22 intelektuale të njohur të kryeqytetit.
NEBIL ÇIKA: Z. Gëzim, në librin tuaj më ka bërë përshtypje një konsideratë tuaja për drejtorin e burgut, keni një moment shumë tragjik, shumë të prekës, megjithatë keni gjetur forcën të dilni mbi atë moment tuajin për të vlerësuar një njeri të regjimit. A mund të ma riprodhoni edhe njëherë atë situatë tragjike, por dhe burrërore, nga ana juaj si dhe nga ana e tij besoj?
GËZIM PESHKËPIA: Nuk është se të gjithë e mbajnë njëlloj përgjegjësinë për krimet. Diktatura ka ingranazhe të mëdhenj shtypës, ka dhe disa të vegjël që vihen në lëvizje për efekt mbijetese, do të thoja. Unë kujtoj një kapter nga burgu. Ai dinte të zbatonte rregulloren. Ai thoshte që punoj këtu për bukën e kalamajve, nuk dinte më shume ai. Qatip e quanin, kurse komandanti, Xhevdet Caka, që vinte nga ushtria…!
Një episod për të qeshur, që e ka shkruajtur Zef Pllumi. Sapo hyri në burg, kontakti i parë me të burgosurit, më gjeti me Zefin dhe duke qenë dhe nga ushtria, filloi të bisedonte sikur të ishim ushtarë, duke na pyetur për njerëzit e shtëpisë. Por ne ishim armiq për ta dhe ai duhej të distancohej prej nesh. U dukte si njeri i mirë dhe, në fakt, ashtu e tregoi veten deri në fund.
Unë kam përshkruar momentin kur më vdiq nëna. Ai mori përsipër të më jepte lajmin. Më më thirri dhe filloi të më tregonte se burgu për burra është. “Edhe unë e kam nënën sëmurë dhe jam ashtu si ju, e kam larg” – na tha ai. Ishte e vërtetë se pas një jave vdiq dhe e ëma e tij. Më në fund e mora vesh. U krijua një pauzë, pastaj shpërtheva. Të them të drejtën, asnjëherë s’e kam sharë Enver Hoxhën, jo për gjë, por nuk ma mbante ta shaja, lëre disa që bëjnë heroin sot.
Por atë ditë e shava Enver Hoxhën, i thashë: “Komandant, deri para ca ditësh kisha bërë ndër mend që t’i shkruaja një letër Enver Hoxhës, se nëna ishte në spital. Ku do t’i shkruaja; Të lutem, më krijo mundësinë ta takoj në spital, sa t’i puth duart, ato duar që dikur të kanë bërë dhe ty hyzmet’. Tani që vdiq, po gëzohem që nuk i shkruajta atij perversi, atij krimineli”.
Nuk lashë llaf pa e sharë Enver Hoxhën në sy të atij. Ai u habit, u skuq në fytyrë. Pasi mblodhi veten nga kjo, u shokua dhe u skuq, më tha: “Dil përjashta”. Dola. Në hyrje të kampit më priste Ismail Farka, një miku im. I thashë të largohej se nga momenti në moment mund të më arrestonin prapë dhe ia tregova. Ai tha: “Mblidhe veten, mirë ke bërë, të bëhet çfarë të bëhet”! Prita një ditë, dy ditë, kaloi gjithë ajo kohë dhe nuk më ri arrestuan.
Pra, (komandanti i burgut) nuk bëri denoncim. Për të dënuar të dënonin me dëshminë e disa njerëzve ordinerë e, jo më të komandantit të burgut. Ai më ka thënë më vonë, që; “të kisha pas koburen me vete e të të kisha vrarë, askush s’do më kishte thënë asnjë fjalë, rrezik do të më kishin dhënë një dekoratë”. Ja, pra, kishte dhe njerëz, jo se s’ishte komunist, ai i tillë ishte, po diçka që duket sikur nuk shkon, po shkonte, pra, humanizmi dhe komunizmi, u gërshetonin.
NEBIL ÇIKA: Kjo histori më kujton një film gjerman, “Jeta e tjetrit”, është e ngjashme. Në çdo diktaturë gjenden dhe njerëz të mirë.
GËZIM PESHKËPIA: Kjo është jeta, krahas krimineleve kishte dhe njerëz të mirë.
NEBIL ÇIKA: Çfarë kujtoni ndonjë gjë të veçantë nga burgu. Momente të vështira, pasi keni kaluar disa vite atje?
GËZIM PESHKËPIA: Do përmend një fjalë të Gomulkës, ish-sekretarit të parë të Polonisë. Kur e pyetën se; si ju duk burgu, ai u përgjigj: “Burgu nuk është kush e di se çfarë, kalohet, por ta bëjnë të mërzitshëm e të vështirë njerëzit”! Edhe këtu ndiqej një taktikë e tillë. Ndërmjet nesh mund të gjeje njerëz që s’kishin të bënin fare me politikën, njerëz ordinerë, njerëz perversë. Për shembull, kisha në qeli një njeri të tillë.
Ai kishte përdhunuar një vajzë të vogël dhe kishte dashur të arratisej. Kërkova që të ma hiqnin prej qelisë, duke ditur që kjo gjë bëhej me dashje, në mënyrë që të ta bënin sa më të vështirë burgun. Megjithatë njeriu atje i kishte disa privilegje, që në jetën e lirë nuk i kishte. Aty mund të zgjidhje shokë tamam, sepse nuk mund të bëje bisede me çdo njeri. Kisha 10 a 15 vetë nga 100 të burgosur, me të cilët mund të bisedoja lirshëm.
NEBIL ÇIKA: Pasi u liruat nga burgu dhe erdhët në Tiranë, jeni nga të parët që largoheni nga Shqipëria me ambasadat me ngjarjet e korrikut ’90-të, familjarisht u futët në ambasadën gjermane. Një moment i guximshëm ky nga ana juaj, pavarësisht tronditjes që kishte pësuar sistemi komunist, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Lindjen. Si e kujtoni këtë moment?
GËZIM PESHKËPIA: Kujtoja një moment në Kubë atëherë, kur Fidel Kastro iu dha 48 orë disidentëve të braktisnin Kubën. Pashë lëvizjen në ambasadën gjermane në Hungari një vit më parë dhe fillova të ëndërroj, të shpresoj e kështu e kemi shtyrë të gjithë atë periudhë. Fillova të ëndërroj se ndonjë ditë mund të behej dhe kjo dhe erdhi dita e momenti.
Po shkoja në punë me një shokun tim, Pjetër Rodiqin, dhe i thashë që do të hyja në ambasadë. “Ke luajtur mendsh?” më tha, duke më pare në sy. “Ke 2 fëmijë të vegjël!” “O tani, o kurrë!”i thashë, duke i treguar arsyet e mia. Nuk e zgjata shumë dhe hyra në ambasadën gjermane. Takova direkt sekretarin e ambasadës dhe i fola gjermanisht.
NEBIL ÇIKA: Ju e flisnit gjermanishten duke pasur dhe deusch kulturën e nënës tuaj?
GËZIM PESHKËPIA: Jo, më mirë nga ajo e flisnin dajat e mi. Gjermanishtja, ishte si gjuhë familjare, pasi ata kishin studiuar atje. Pra, fola gjermanisht sekretarit dhe i thashë që kisha ardhur për të kërkuar strehim politik. U zhvillua biseda dhe i thashë: “Dua të di vetëm një gjë? A është e sigurt që ne do të dalim jashtë”?
Ai me tha që; “po, ju do dilni jashtë Shqipërisë, ndërsa atje do jenë të tjerë që do merren me ju. E beson”? – tha. “Kur e thotë një gjerman, e besoj”, i thashë. Kur zbrita në Brindisi, u dhashë një intervistë me shume emocione disa gazetarëve italianë e shtypit spanjoll dhe gjerman. U bëra përshkrimin e situatës.
NEBIL ÇIKA: Më bëri përshtypje kur thatë se në oborrin e ambasadës, kishte dhe oficerë të Sigurimit. Këta erdhën bashkë me ju?
GËZIM PESHKËPIA: Po. Ne i njihnim disa për fytyra, por nuk di të them nëse erdhën bashkë me ne apo jo, pasi ikja u bë natën
NEBIL ÇIKA: Vjen një moment pas vitit ’90-të, që keni qenë aktiv në shumë aktivitete, jo vetëm për të denoncuar komunizmin, por dhe në mbrojtje të çështjes kombëtare, çështjes kosovare apo çështjes çame .
GËZIM PESHKËPIA: Kam qenë aktiv në mbrojtje të çështjes kombëtare. Pata mobilizuar shumë shqiptarë, kryesisht kosovarë, në një demonstratë që u bë në qytetin Soest, Gjermani’ e cila i habiti gjermanët. Më ka përkrahur partia SPD edhe materialisht, me banderola, me flamuj e një podium. Demonstruam duke ardhur nga stacioni i trenit në qendër, në Markplatz.
Aty u mbajtën disa fjalime, nga ne dhe gjermanët, gjithmonë pro çështjes shqiptare e Kosovës. Kam shkruar dhe për Çamërinë .Unë kalova pushimet në Greqi dhe shkrova në 2 numra gazetash përshtypjet e mia të udhëtimit. Kam qenë dhe për çështje humanitare.
Një ngjarje dua ta rrëfej. Në Gjermani jetonte një grua në Hamm (nja 30 km. larg qytetit tim). Ajo lindi 5 fëmijë. E mbuluan me dhurata. Unë e shfrytëzova këtë rast. Atë natë bëhej një mbledhje e fondacionit “Jurgen Whan” dhe u thashë se dhe në Tirane ka lindur një grua 5 fëmijë, por është në kondita jo të njëllojta me këtë. Aty për aty u mblodhën nga 500 marka gjermane, për nënën shqiptare.
I mora këto 500 marka dhe ia çova nënës që kishte 5 fëmijët. Ky ishte një aksion i vogël fare, se më vonë (iniciativa) më të mëdha u morën në fushën e shëndetësisë që i realizova nëpërmjet fondacionit “Jurgen Whan”. Ato kanë qenë sidomos në fushën e shëndetësisë. Kanë marrë kuadro mjekësore prej këtej (Shqipëri), i kanë specializuar andej (Gjermani) dhe i kanë kthyer mjaft të aftë.
P.sh doktor Artan Gjika, një radiolog i njohur, apo një kirurg, Edvin Koshi. Dua të veçoj këtu Dr. Shneider, i cili është një mik i madh i Shqipërisë si dhe kontakte të tjera me personalitete gjermane për sensibilizimin e shtypit gjerman. Kam pasur [një takim] me Gensherin, ish ministri i Jashtëm, etj.
NEBIL ÇIKA: Duket se keni qenë dhe shumë i nderuar në Gjermani, i vlerësuar dhe nga institucionet gjermane.
GËZIM PESHKËPIA: Pata fatin të punoja në arkivin e rrethit dhe si mësues i gjuhës shqipe në rrethin e Soestit, në Werl etj. Nderimi më i madh më është bërë me rastin e 60 vjetorit, nga kryetari i Bashkisë, ku ishin të ftuar shume shokë e miq nga Shqipëria, ndër to dhe shokët e burgut. (Çfarë nderi i është bërë, z. Peshkëpia nuk e ka thënë, as te korrigjimet që bëri)
NEBIL ÇIKA: Pas demokracisë sa ka qenë vlerësimi i familjes tuaj?
GËZIM PESHKËPIA: E ndjej veten shumë të nderuar me dekorimin që iu bë babait, me titullin “Nder i Kombit”, është dekoruar dy herë. Sadisfkaksionin më të madh e kam kur m’u dha titulli “Nderi i Qytetit të Kavajës, për të cilin jam munduar me mish e me shpirt që t’i vij në ndihmë në fusha të ndryshme, si mjekësi etj.
U mundova që nëpërmjet fondacionit si ndërmjetës të ndihmoja sa më shumë me ndihma qytetin e Kavajes. Ndihma më e fundit ishte laboratori që gjimnazi i qytetit [gjerman] ku isha unë, i dhuroi gjimnazit të Kavajës.
NEBIL ÇIKA: Një pyetje të fundit. Jeni anëtar i bordit drejtues të ISKK. Shqipëria është një nga vendet më të vonuara në procesin e zbardhjes apo të denoncimit, por dhe të ndëshkimit të krimeve të komunizmit. Sa shpresë ka që ky institut të bëjë diçka për vendosjen e drejtësisë sociale, një lloj ndëshkimi të atij krimi gjysëm shekullor?
GËZIM PESHKËPIA: Unë kam diskutuar gjithmonë për ligjin e lustracionit. Kjo është një domosdoshmëri, duhet filluar nga kjo, po të marrim përvojat e vendeve të tjera…! Unë do të doja që eksperienca gjermane të vlente edhe për ne.
NEBIL ÇIKA: Çfarë masash kanë marrë gjermanët?
GËZIM PESHKËPIA: Gjermanët i barazojnë të dy diktaturat, atë komuniste dhe atë naziste. Mjafton që (dikush) të ketë qenë anëtar i një batalioni SS apo, aktivist i partisë naziste, ata përjashtohen nga çdo mundësi për të ushtruar profesione që kanë të bëjnë me administratën shtetërore, deri në arsim. P.sh nuk mund të jesh mësues.
Kur kam punuar në arkivë, kam parë dokumentet e një fshati, ku, pas lufte, ata kishin bërë një mbledhje, një referendum, nëse ai mësues që më pare kishte qenë anëtar i partisë naziste, të ishte apo jo mësues përsëri. Pra, iu nënshtrua këtij procesi.
NEBIL ÇIKA: E njëjta gjë aplikohet dhe me ish-komunistët?
GËZIM PESHKËPIA: Po. Për shembull, një njeri që vërtetohet pas hapjes së dosjeve që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, nuk mund të jetë rektor. Rektorit të universitetit të Dusseldorfit iu hoq e drejta e profesionit si pedagog. Si bashkëpunëtor të Stasit (Sigurimi) edhe trajnerin e skuadrës olimpike nuk e lejuan, sepse kishte spiunuar sportistët e tij.
NEBIL ÇIKA: Ju mendoni se aplikimi i ligjit gjerman, do bënte punë në Shqipëri?
GËZIM PESHKËPIA: Them që po, do të ishte efikas. Them që duhet ta fillojmë njëherë e mirë këtë punë për të mos u kthyer dhe njëherë mbrapsht./ Memorie.al












