• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, April 20, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Botimi i hartës më 1902, si dhe rëndësia madhore për ta zbuluar atë më në fund, për të saktësuar kështu zanafillën dhe pikënisjen e hartografisë shqiptare…”/ Ana e panjohur e krijimtarisë së Faik Konicës

“Në librin ‘Historia e Letërsisë Shqiptare’, gjenden shumë të pavërteta, shpifje e fyerje për Faik Konicën, duke e etiketuar si; ‘reaksionar’, ‘i paskrupull’, ‘mistik’, etj.  …”! / Refleksionet e publicistit të njohur
“Botimi i hartës më 1902, si dhe rëndësia madhore për ta zbuluar atë më në fund, për të saktësuar kështu zanafillën dhe pikënisjen e hartografisë shqiptare…”/ Ana e panjohur e krijimtarisë së Faik Konicës
“Botimi i hartës më 1902, si dhe rëndësia madhore për ta zbuluar atë më në fund, për të saktësuar kështu zanafillën dhe pikënisjen e hartografisë shqiptare…”/ Ana e panjohur e krijimtarisë së Faik Konicës
“Kur të dërguarit nga Tirana, i thanë Nolit; ‘Shumë mirë; munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, po më parë duhet ta sjellim përpara gjyqit të popullit’, Noli i ndezur u…”/ Shkrimi i gazetës “Dielli”, 20 tetor 1965
“Babai vuajti 20 vjet në burgun e Burrelit dhe e liruan se u diagnostikua me kancer, por vdiq 4 orë pas operacionit, sepse…”! / Dëshmia e dhimbshme e 90 vjeçarit, me 7 të burgosur nga rrethi familjar
“Noli mëndje cekët e shpuri vendin buzë varrit, Zogu, fisnik e me karakter, fati e kish shënjuar për Shqipërinë…”/ Shkrimi i Konicës në ’26-ën te gazeta “Dielli”

Nga FOTAQ ANDREA

Pjesa e parë

                                                Fletore koniciane nr.7/

Memorie.al / Është e njohur që, në fushën e hartografisë, trojet shqiptare janë shfaqur për herë të parë në hartën gjeografike të Ptolemeut në shekullin II të erës sonë, ku jepet jo vetëm territori ilir midis Durrësit e Tiranës, përcaktuar me termin “Albanopoli” si qytet i albanëve, por dëshmohet edhe për vendbanime të tjera iliro-dardane. Më pas, do të jetë Tabula Peutingeriana, shek. III, (në segmentin e saj VIII, emërtuar “Iliricum” e “Iepirum”) që do të përcaktojë troje e territore iliro-shqiptare, si Scodra, Dyrratio, Apollonia, Aulona, dhe do të vijohet më tej me hartën e Al-Idrizit (1154), për të arritur në shekujt XIV-XV, ku zënë e shfaqen territore arbërore e shqiptare nën emrin “Albania”, madje edhe qytetet kryesore të tyre, me kështjellat, lumenjtë, kufizimet, etj. Nuk ka dyshim se në rrjedhë të shekujve, mbushullia e të tilla hartave me termin “Albania”, përpiluar nga hartografë të shquar evropianë përbën mrekullisht një pasuri dhe dëshmi të etnisë së lashtë shqiptare.

Gjithashtu mund të lexoni

“Dega e Brendshme e lejoj të takohej në Hotel ‘Dajti’ me njeriun shtëpisë botuese ‘Zanichelli’ nga Italia, por pas disa ditësh, Sigurimi i Shtetit…”/ Si u internua në moshën 80 vjeçare Prof. Jonuz Blakçori

“Inxhinieri Mërgim Korça, ndërsa ikte përgjithmonë në SHBA-ës, ndali në Itali dhe u lidh me gazetarin e madh Indro Montanelin, pasi babai i tij, në Shqipëri…”/ Refleksionet e Visar Zhitit nga SHBA-ës

Faik Konica, gjurmues i hershëm i gjithçkaje shqiptare nëpër bibliotekat e Europës, është i pari rilindës që intrigohet dhe interesohet nga afër për hartat më të vjetra që pasqyrojnë Shqipërinë, duke arritur të zbulojë në British Museum tetë hartat e Camotti-t (Venedik, 1571) me emrin “Provincia di Albania”.

Veçse, krahas entuziazmit të zbulimeve, ai edhe do thartohet njëfarësoj tek vëren, sidomos gjatë shekullit XIX, pasaktësi e shtrembërime në emërtime, si dhe kufizime të theksuara në përmbajtjen e hartave, të cilat e shfaqnin Shqipërinë në mënyrë të copëtuar e “të përciptë” (cilësimi është i vetë Konicës), në kuadër të Europës jug-lindore, të gadishullit ballkanik apo të së ashtuquajturës “Turqi europiane”. Për më tepër që asnjë hartë që i binte në dorë nuk ishte e përpiluar enkas për shqiptarët, ndonëse paraqitnin trevat e tyre. Ato ishin thjesht të destinuara për publikun e huaj.

E megjithatë, ai nuk i ndal hulumtimet, dhe veç kur e shohim, në fillim të shekullit XX-të, të vendosë kontakte të drejtpërdrejta pune me gjeografin e madh Elisée Reclus, figurë e shquar botërore, autor i veprës “Gjeografia e përbotshme”, vepër të cilën Konica e quan “monument”, tek ka pikasur në të që stërgjyshi i tij i lashtë Ali Pashë Tepelena shpallet “Rishëljëja i Shqipërisë”.

Themi që Konica vendosi “kontakte pune”, sepse gjeniu i ri shqiptar do të kishte idenë e shkëlqyer për të botuar për herë të parë, falë Institutit gjeografik të Brukselit, një hartë të Shqipërisë, unikale në llojin e vet, hartë me emërtime toponimike shqipe, të cilën ai e shihte si një domosdoshmëri historike.

Që në gusht 1901 (Albania nr. 8, 25 gusht 1901, viti V), ai njoftonte tashmë publikisht se; “Shpresojmë të japim së shpejti lajmin e botimit të një harte të madhe murale të Shqipërisë në përdorim për shkollat tona. Projekti është në studim e sipër në Institutin Gjeografik të Z. Elisée Reculs. Jemi hëpërhë në kërkim të emrit të personazhit bujar që do të marrë përsipër tërë shpenzimet”.

Në fakt, për sa i përket botimeve, në atë kapërcyell të shekullit XX-të, kur shumë rilindës shpejtonin të shtypnin librat e tyre të parë për shkollat shqipe, me poezi e prozë patriotike për të ngjallur ndjenjën kombëtare, dhe kur mbisundonin abe-të dhe librat letrarë me alfabet të amalgamuar, Konica shihte e rrihte edhe më lart me “Albania-n” e tij: ngulmonte jo vetëm te një alfabet i përbashkët, por në radhë të parë te një gjuhë shqipe e përbashkët dhe e njësuar, me përpunim shkencor të themeltë, ngulmonte pra, te GJUHA LETRARE SHQIPE që kemi sot dhe që e ka zanafillën pikërisht te shkrimet e tij, të cilat, me shumë meritë, i ka përmbledhur në një vëllim të vetëm Kristina Jorgaqi nën titullin “Faik Konica – Mendime gjuhësie”.

Krahas botimit të revistës së tij “Albania”, që po shkëlqente në rrethet e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, por edhe në qarqet intelektuale të Europës, Konica do t’i hynte botimit edhe të disa librave shqipe me vlerë të veçantë – si “Jeta e Kara Mahmud pash Shkodrës” (1899) nga Nasuf beg Dizdari, “Jeta e Mustaf Pashë Shkodrës (1898) prej I.D”., “Abetari i ghues shcip” (1899), “Kalendari i Maleve” (1899), “Historia e Shcypniis”, Bruksel 1902, “Historia e Turkiis”, Londër 1902 nga Dom Ndoc Nikajt –, si dhe shtypjes e shpërndarjes të një numri kartë-postalesh me figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti nën penelin e mikut të tij belg Paul Nocquet.

Veçse, në këtë mes, botimi që ai do t’i bënte “Hartës së Shqipërisë”, me terminologji shqipe, do të ishte kurorëzimi i tërë punës së tij botimore në vitet 1898-1902 dhe do të përbënte – e përbën – një stoli të vyer koniciane, tek shënon një ngjarje madhore për vetë hartografinë shqiptare.

Sipas FESH, historiku i hartografisë shqiptare “zë fill” me hartën e gjeografit të shquar shqiptar Ahmet Gashi përpiluar më 1940. Nuk kemi asnjë kundërshtim, përderisa nuk ka qenë e njohur dhe ka mbetur për një kohë të gjatë në errësirë të plotë Harta shqiptare Koniciane e vitit 1902. Sot, tek e zotërojmë të numerizuar këtë hartë, të rënë e të lënë në gjumin e harresës, po e bëjmë për herë të parë të njohur për publikun dhe studiuesin shqiptar pas 113 vjetësh, duke shfaqur përmbajtjen e saj thelbësore dhe cilësitë që e karakterizojnë.

E quajmë këtë “Harta Koniciane” sepse:

1) Nisma për përpilimin dhe hartimin e saj u ndërmor nga dhe vetëm nga Faik Konica;

2) Emërtesat, apo “nomenklatura e hartës” siç e quan Konica (“nomenclature” – fr.), janë autorësi e vetme e tij, mbi bazën e këtyre tre burimeve: a) “Kujtesës sime” – thotë ai, pra kujtesës gjeniale të Faik Konicës i cilësuar siç dihet nga Apolineri “Enciklopedi lëvizëse”; b) “Shfrytëzimi i tërë librave që munda” (F.K.) – dhe dihet e njihet biblioteka e pasur koniciane, zhdukur pa nam e nishan; c) “Gjeografia e shkëlqyer e Shqipërisë”, botuar nga Etërit Jezuitë të Shkodrës;

3) Titulli, shkalla, formati, tirazhi i hartës u përcaktuan nga Faik Konica për dy qëllime kryesore : për shkollat shqipe dhe për shkencën;

4) Emrat e lumenjve, liqeneve, maleve dhe lokaliteteve (qytezave) që Konica i quan “pshat (fshat) – bourg në frëngjisht”, si dhe të 250 katundeve që përfshihen në hartë janë përcaktuar nga Konica, me një “saktësi të përpiktë”, siç shprehet konkretisht ai vetë;

5) Vetë Konica nuk ka dashur që harta e tij të ketë kufij të përcaktuar fizikë, përderisa nuk ekzistonin kufij natyrorë me shtete fqinje dhe kur pjesë historike të trojeve shqiptare ishin copëtuar arbitrarisht që me Traktatin e Berlinit në kurriz të etnisë dhe kombit shqiptar;

6) Ishte ideja origjinale e Faik Konicës për t’i shtuar hartës së tij edhe dy suaza hartash në miniaturë për gjeologjinë dhe klimën e Shqipërisë, të cilat Konica i quan në shqip “kartica” në bazë të frëngjishtes “cartouches”;

7) Vetë Konica e kishte, të themi, një dell dezinjatori për harta, po të kemi parasysh se, që më 1896, ai vetë kishte skicuar në një fletë fletoreje një hartë të Pellazgjisë, në kërkim të lashtësisë së kombit shqiptar (Letër drejtuar N. N. Naços, 20 mars 1896 – AQSH).

Nga ana tjetër, e vërteta e thjeshtë është se Konica flet më se një herë për botimin e kësaj harte, jo vetëm në letërkëmbim, por sidomos te “Albania” e tij, duke i kushtuar dy shkrime, në shqip e në frëngjisht, tek s’përmbahet në entuziazmin tejet të përligjur që shpreh: “Është e para kartë e dheut tonë në shqip”, është “kryepunë e dobishme për shkollat, e e dobishme për shkencën”, “është dritë për kombin tonë”, thekson ai dhe, në mënyrë thirrmore, me një pikë-çuditëse të fuqishme gëzimi e lumturimi, shfaq admirimin me një fjalë të vetme: “E ç’kartë”! (“Albania”, prill-maj 1902, nr. 4-5).

Pikërisht, ky entuziazëm i Konicës, vetë ajo ngjarje e shënuar që përbënte botimi i hartës më 1902, si dhe rëndësia madhore për ta zbuluar atë më në fund, për të saktësuar kështu zanafillën dhe pikënisjen e hartografisë shqiptare, të gjitha këto motive na nxitën për t’iu drejtuar me një mesazh të thjeshtë Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës në janar 2015, me qëllim që të ndihmoheshim në hulumtimin e një “harte shqiptare” botuar nga Universiteti i Ri i Brukselit, tek përmendnim autoritetin evropian të Konicës dhe autoritetin e Prof. Elisée Reclus.

Nuk do vononte dhe shefi i Seksionit të hartave dhe planeve të kësaj Biblioteke, Z. Fabien Sansterre, do të na përgjigjej se në koleksionet e tyre kishin vërtet një hartë të Shqipërisë botuar nga Instituti gjeografik i Universitetit të Ri por, duke qenë se veta harta nuk kishte të dhëna për-shkrimore dhe kurrfarë reference, ata kishin hasur vështirësi në identifikimin e saj, sepse gjithçka mbi të ishte në gjuhën shqipe.

Kuptohet gëzimi ynë i papërmbajtshëm me të parë disa klishe që na u dërguan, tek u bindëm se ramë pikërisht në atë që kërkonim. Dhe nisëm një letërkëmbim të dendur, ku vërtetuam bindshëm se bëhej fjalë për “Hartën Koniciane”, tek dërguam dokumentin frëngjisht (shkrimin-bazë të Konicës te “Albania”) me të dhënat e sakta të formatit, shkallës, vitit dhe vendit të botimit të hartës, rrethanat si u botua, marrëdhëniet Konica-Reclus, e mbi të gjitha tek zbërthyem hollësisht vetë hartën, në përmbajtjen dhe karakteristikat e saj thelbësore.

Përfunduam, duke siguruar personelin e Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës se ata zotëronin kështu një “stoli të vyer”, një “hartë të rrallë shqiptare” që nderonte Institucionin e tyre.
Po le të shohim më mirë këtë hartë nga afër:

  1. Titulli i saj jepet në shqipen e kohës në dy dialektet: gegërisht, Shcypenia, toskërisht, Shciperia, por që të dy dialektet të shkrira në një fjalë të vetme ku y/i dhe n/r jepen me germa më të vogla në formë thyese, një krijim apo sajesë kjo simbolike, e mirëfilltë koniciane, dhe konkretisht në formën:
    y n Shc-pe- ia i r.
  2. Poshtë titullit, është shkruar me germa të mëdha: E’ para karte é dheut t’one é shtypur/n mé të holla të Lartesise Tij Don Ghinit, Marcés i Aladros é prints i Kastrioteve nga ghaku i te Madhit t’one Skenderbég, Pérendia i faltë jéte te ghate. (Bien këtu në sy “e” që është “ë-ja” e frëngjishtes dhe po ashtu “é-ja” me theks, një përdorim karakteristik i këtyre dy germave nga Konica në krejt shkrimet e tij shqip të Albania-s.)
  3. Në fund të hartës, jashtë kuadratit të saj, më të djathtë, jepet botuesi dhe viti i botimit në dy gjuhë: Ghithemsim i Ri. Institut Dhêshkrimtar i Bruselit (1902): Université Nouvelle. Institut Géographique de Bruxelles (1902). (Edhe këtu bie në sy prirja e Konicës për të shqipëruar çdo term të huaj shkencor, konkretisht fjalët “universitet” dhe “gjeografik” që i jep në format shqipe të tij “gjithëmësim” dhe “dhéshkrimtar”.)
  4. Më poshtë, me shkrim dore, me laps, ku dallojmë qartë shkrimin e Konicës, është shënuar: XIV G, Albanie, 1902 “Përlindia”. Është fjala këtu për porositësin e hartës, që është “Shoqëria kombiare”, të cilën Konica e quante “Përlindia (Rilindja) e Shqiptarëve”. Dhe pikërisht, në krahun e majtë të hartës shfaqet me germa shtypi qoftë burimi apo baza ku mbështetej realizimi i skicë-idesë: “Ngrehur mbas punevet t’Institutit dhéshkrimtar ushtarak te Vjenes”, qoftë porositësi i hartës: “Per Shocerine “Perlindia e Shcipetarevé””.

Por tërë hollësitë e kësaj harte, të shkallës 1/500 000, në formatin 1m,20 x 0,75m, me pesë rilevime (kurbat niveluese pesëngjyrëshe) jepen në artikullin e Konicës në frëngjisht, të cilin po e japim më poshtë të përkthyer për herë të parë. Megjithatë, mbetet në pikëpyetje tirazhi i saj, sepse nuk kemi asnjë të dhënë të saktë. Po prapë, nisur nga disa të dhëna të tërthorta të vetë Konicës në letërkëmbimin e tij, mendojmë se tirazhi nuk duhet t’i ketë kaluar 300 kopjet.

Kështu, në dhjetor 1908, ai thotë se iu kthyen në Londër nga Amerika 150 copë harta të pa shitura (Vepra 4, f. 169), kur mund të ketë dërguar aty ndoshta rreth 200 copë dhe kur mund të ketë shitur rreth 100 copë në Europë gjatë viteve 1902-1908. Çmimi i hartës ishte 5 franga (“1 fiorin a 10 grosh brenda në Shqipëri”- e përcakton ai çmimin), pothuaj po aq sa mund të kushtonte në atë kohë libri i një autori në zë.

Nisur nga këto përllogaritje të hamendësuara, krejt kostoja e shtypit të hartës nuk duhet t’i ketë kaluar 1000 franga, të financuara – sikurse jepet që në nëntitull -, nga princi Aladro Kastrioti, i cili faktikisht kishte përcaktuar në po atë periudhë (1902-1903) edhe një çmim prej 1000 frangash, si shpërblim vjetor për letrarin më të mirë shqiptar. Ishte koha kur pasaniku spanjoll Juan Pedro Aladro, i vetëshpallur Princ Kastrioti, zgjidhte qesen tek pretendonte të zinte fronin e ardhshëm të Shqipërisë dhe të kalëronte si mbret i shqiptarëve.

Sidoqoftë, fakti është që në gusht 1912, Konica lajmëron se “Karta dheshkrimore e Shqipërisë u mbarua. Është një punë që gjithë dijetarët e kanë pëlqyer – vijon ai -, e me të vërtetë më e mirë nukë bëhej…” (Vepra 4, f. 176). Që me botimin e saj (mars 1902), ai vinte në dijeni edhe ministrin e jashtëm të Austrisë baronin Gulochowski, tek nënvizonte se: “Kam në dispozicionin tuaj aq ekzemplarë sa ju duhen.

Nuk është e nevojshme të më dërgoni të holla për këtë qëllim, mbasi për botimin e kësaj harte më është dashur shumë punë, por nuk kam bërë as më të voglin shpenzim” (Vepra 4, f. 105 – nënvizimi ynë). “Më është dashur shumë punë” – shprehet Konica pa modesti të shtirur kur, në fakt, vetëm për të saktësuar emrat e qyteteve dhe lokaliteteve shqiptare lypsej të mbante shënime gjuhësore, të bënte vëzhgime të përpikta dhe të nxirrte konkluzionet e duhura për njëjësim.

Kështu, më 1898, ai ishte i intriguar që emrat e përveçëm të shqipes shfaqeshin në botimet e huaja në formë të dyfishtë, të shquar e të pashquar: Berat/Berati, Janinë/Janina, etj. “Në paraqitjen më të zakontë të fjalës, shkruan ai, përdoret forma e pashquar. Mirëpo, falë një kundërshtie që nuk arrij ta shpjegoj dot, në librat dhe hartat që kanë të bëjnë me Shqipërinë, të hartuara nga autorë të huaj, emrat mashkullorë (Berat, Ulkin, Prizren, Ipek, etj.) përdoren në formën e tyre të pashquar, kurse emrat femërorë (Janina, Dibra, Dschakova) në formën e tyre të shquar.

Për të mos ndjekur këtë gabim, ne, vazhdon ai, do shkruajmë pra këtu, këtej e tutje, Janinë, Dibrë, Dschakovë, etj.” (Albania, B, 15-31 gusht 1898). Dhe fakti është që ai iu përmbajt me fanatizëm këtij rregulli të saktë që vendosi vetë, jo vetëm te Albania e tij, por edhe te harta që po trajtojmë, rregull që vijon edhe sot e kësaj dite në hartografinë shqiptare.

Tek jep lajmin e gëzuar për botimin e hartës, në të njëjtin numër të Albania-s Konica ndalet në përdorimin e fjalëve kartë dhe hartë, konkretisht në shkrimin “Mendime gjuhësie”.

Parashtron këtu argumentet e veta pse duhet përdorur në shqip togfjalëshi “kartë dhéshkrimore” në vend të terminologjisë “hartë gjeografike”. Sepse – në neologjizmat e veta të shumta, në tërë shkrimet analitike gjuhësore, dhe si gjuhëtar e poliglot që ishte (njohës e folës i 15 gjuhëve të huaja) -, Konica merrte gjithnjë për bazë dhe për model gjuhën frënge, të cilën e zotëronte me mjeshtëri; por bazohej edhe në gjuhët e tjera perëndimore si gjermanishtja e anglishtja, të cilat ai i quante “gjuhë të mbëdha e të bukura”, tek shprehnin absolutisht prirjen dhe bindjen e tij të hershme për përparim të kombit shqiptar drejt Perëndimit Europian.

Pra, ai parapëlqente në rastin tonë përdorimin shqip të fjalës kartë (carte fr. dhe land-karte gjer.) dhe jo hartë, term që e shihte si të prejardhur në rastin konkret nga turqishtja “harita”, dhe “që e përdorin dudumët” (turqit), sikundër shprehet ai. Sigurisht që mjeshtri i gjuhëve, që do shkruante më 1904 librin madhor e në nivele europiane “Sprovë për gjuhët natyrore e artificiale”, e njihte origjinën e fjalës hartë nga latinishtja charte (fleta e letrës – kartë). Por nuk gëlltiste dot atë “haritën” turke për fjalën hartë në shqip. / Memorie.al

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 20 Prill 2026

Next Post

“Bedri Spahiu ishte aktivisti komunist më i zjarrtë në qarkun e Gjirokastrës dhe e ndiqte Baba Rexhebin, veç t’a zinte e, t’a rripte të gjallë, pasi ai...”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

Artikuj të ngjashëm

“Formacioni me drejtues saksofonistin M. Murthi, violinistin M. Tare, fizarmonikë, piano S. Reka, saksofonisti S. Selmani, ishin…”/ Historia e panjohur e orkestrës së “Dajti”-t, në regjimin komunist
Personazh

“Dega e Brendshme e lejoj të takohej në Hotel ‘Dajti’ me njeriun shtëpisë botuese ‘Zanichelli’ nga Italia, por pas disa ditësh, Sigurimi i Shtetit…”/ Si u internua në moshën 80 vjeçare Prof. Jonuz Blakçori

April 19, 2026
“Hetues më caktuen Shyqëri Çokun i cili, urdhëroi policët të më zgidhnin duart dhe si shkodran që ishte, unë i thashë; nadja e mirë, por ai…”/ Kujtimet e ish-Ipeshkrvit të Shkodrës, Dom Zef Simoni
Personazh

“Inxhinieri Mërgim Korça, ndërsa ikte përgjithmonë në SHBA-ës, ndali në Itali dhe u lidh me gazetarin e madh Indro Montanelin, pasi babai i tij, në Shqipëri…”/ Refleksionet e Visar Zhitit nga SHBA-ës

April 17, 2026
“Cinizmi i partiakëve dhe pushtetarëve të rrethit të Lushnjes arriti kulmin, kur përjashtuan nga partia një të vdekur, pse ky nuk pranoi me gjallje, që…” / Kujtimet e ish-të internuarit politik, Sokrat Shyti
Personazh

“Thonë se me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë, kështu që nuk mbetet kush…”Fjala e panjohur e At Anton Harapit me intelektualët korçarë, korrik 1944

April 17, 2026
“Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Patër Anton Arapi dhe Rexhep Mitrovica, u vunë në krye të Qeverisë së Regjencës, vetëm pasi kreu i legatës gjermane në Tiranë, iu tha se…”/ Ana e panjohur e “kolaboracionistëve”!
Personazh

“Kolaboracionizmi është i pashmangshëm dhe aq sa i komplikuar duket, po aq të thjeshtë e ka zgjidhjen, mjafton të shohim në ka qenë a, është…”? / Refleksione mbi librin e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

April 18, 2026
“Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 9 shkurt 1913 i shkruan Vjenës, se Imzot Mjeda raportonte duke u bazuar te Dom Zef Ramaj…”/ Kur Europa tmerrohej nga masakrat serbe ndaj shqiptarëve
Personazh

“Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 9 shkurt 1913 i shkruan Vjenës, se Imzot Mjeda raportonte duke u bazuar te Dom Zef Ramaj…”/ Kur Europa tmerrohej nga masakrat serbe ndaj shqiptarëve

April 16, 2026
“Në dimrin e vitit 1945, mora nji letër nga Padër Antoni Harapi, me anë të zotit të shtëpisë që e mbante të mshehun, ku më thoshte;…”/ Dëshmia në gjyq e Padër Mark Harapit, 12 dhjetor, 1946
Personazh

“Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion, pasi me këtë nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se ne…”/ Fjala e panjohur e At Anton Harapit me intelektualët korçarë, korrik 1944

April 18, 2026
Next Post
“Në korrikun e 1943-it, në Voskopojë, u takova për herë të parë me Enver Hoxhën, ai binte në sy nga tjerët, se ishte i veshur shumë mirë, dhe tepër simpatik, por…”/ Dëshmia e rrallë e Dhora Lekës!

“Bedri Spahiu ishte aktivisti komunist më i zjarrtë në qarkun e Gjirokastrës dhe e ndiqte Baba Rexhebin, veç t’a zinte e, t’a rripte të gjallë, pasi ai...”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme