• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, April 14, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Ndonëse dekoratën e fashizmit e ktheu mbrapsht, duke thënë; ‘kjo s’asht për mue’, Gjergj Fishta pranoi t’emërohej anëtar i Akademisë italiane, sepse…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

“Nuk na bëjnë më përshtypje të rikthyerit e mëdhenj, si; Fishta, Konica, etj., por ende i rrimë larg Koliqit, Mustafa Krujës, Anton Harapit, Mit’hat Frashërit, edhe pse ata…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
NË DITËN KUR FILLOI PËRJETËSIA E POETIT AT’ GJERGJ FISHTA
Historia e panjohur e Hafiz Ali Tarit që foli në varrimin e Fishtës dhe vuajti 20 vite burg, se denoncoi ideologjinë komuniste në Kinema Rozafat
Si u bë e mundër botimi i “Lahuta e Malcis” dhe fjala e panjohur e prof. Aleksandër Xhuvanit në ceremoninë e varrimit të Fishtës më 31 dhjetor 1940
Si u bë i mundur botimi i “Lahuta e Malcisë” dhe fjala e prof. Aleksandër Xhuvanit në varrimin e Fishtës më 31 dhjetor 1940
Si u bë i mundur botimi i “Lahuta e Malcisë” dhe fjala e prof. Aleksandër Xhuvanit në varrimin e Fishtës më 31 dhjetor 1940

Nga MËRGIM KORҪA

Memorie.al / Këmbëngulja me të cilën vazhdohet të insistohet në drejtim të ruajtjes së shtrembërimit të të vërtetave historike por në mënyrë më të sofistikuar, që të duket sa më i besueshëm shtrembërimi parimisht më revolton shumë. Shtysë që t’a trajtoj problemin siç do t’a shihni në vazhdim, u bë pohimi i një personaliteti të mirëfilltë në fushën e studimeve shoqërore, i cili së fundi ishte pozicionuar duke thënë pak a shumë; “…mos t’i shkojë në mëndje njeriu të shajë personalitetet e shquar të letërsisë sonë, se do të nxjerr në dritë disa letra të Fishtës ku ai i shan toskët…”!  Ky pohim kërcënues, i bërë pikërisht nga ana e një studiuesi, i lidhur me pohime e konsiderata të së njëjtës natyrë, të bëra nga njerëz me vlera tejet të diskutueshme niveli kulturor, (pavarësisht nga titujt edhe gradat shkencore që mbajnë), më bëjnë të mendoj se kemi të bëjmë me një sindromë e jo më me shfaqje simptomatike. E sindromat, po nuk u trajtuan, çojnë drejt sëmundjesh të thella e, dendur edhe të pashërueshme.

Hyjmë tashti në temën e mirëfilltë: cili shqetësimi kryesor i imi? Patër Gjergj Fishta, shkrimtari i anatemuar përgjatë diktaturës komuniste, nuk ka qenë as grek, as serb e as kamerunas. Ai ka qenë shqiptar dhe veprat e Tija kanë qenë vepra të një shqiptari të flaktë. Nga ana tjetër shtroj pyetjen: a ka person të përkryer dhe pa gabime në jetë? Si tha Krishti kur qe fjala të goditej me gurë gruaja e përdalë? “Le t’a hedhë gurin e parë, ai që ësht’i pa mëkatë”. E doemos askush nuk guxoi t’a godiste mjeranen! Prandaj si të gjithë njerëzit e gjallë, para Fishtës si edhe mbas Tij derisa të shuhet bota, gjithsecili kanë bërë gabime si edhe faje e, do të vazhdojnë të bëjnë të tilla.

E me që Fishta paska edhe anë të errëta përgjatë jetës së Tij, fjalë është kjo të kërcënojmë se do t’i bëjmë publike ato në qoftë se kritikohen personalitete të shquara të letërsisë tonë? Ky kërcënim për t’i a hedhur në fytyrë një qëndrim të gabuar një personaliteti të tillë, është qëndrim që i ka hije vetëm një kategorie shqiptarësh: Piros Dimas-ve (ish-Pirro Dhima) me shokë! Nga ana tjetër problemi, në themel, nuk është as të fshihen e të mbulohen fakte e bëma të lidhura me jetën e cilitdo, por kryesorja është këto të studiohen e të analizohen lidhur me kohën si edhe rrethanat kur u përjetuan. Por ama në asnjë mënyrë të mos trajtohen si kërcënime Ky, po, është faj dhe faj i rëndë!

Gjithashtu mund të lexoni

“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova

“Sotir Peci, si mësuesi i shkencave, formuloi dhe krijoi për herë të parë në Shqipëri, terminologjinë kimike, fizike dhe atë të shkencave natyrore…”/ Historia e panjohur e “babait” të arsimit shqiptar

Personalitete poliedrike përmasash si ai i Patër Gjergj Fishtës, për qëllime pragmatiste politike të caktuara, u anatemuan përgjatë periudhës diktatoriale, pa i u njohur atyre asnjë meritë qoftë kombëtare, artistike apo qoftë edhe shkencore. “I zi” – u etiketua Patër Gjergji dhe u luftua si i tillë. As që pranohej të shquhej një e mirë sado e vogël tek Ai! Dhe e keqja më e madhe qe se për t’a mbështetur këtë qëndrim, lloj, lloj shtrembërimesh u sajuan rreth Tij, si edhe veprës së Tij! Kjo qe një taktikë, një direktivë partie.

E njëjta gjë u bë me figurën e Mustafa Merlika Krujës. Nuk i mohohet dot atij se qe bashkë-nënshkrues i Aktit të Pavarësisë në Vlorë. Pa as më të voglin dyshim Mustafa Merlika Kruja, ishte gjuhëtari më i shquar ndër bashkëkohësit e tij, por në asnjë tekst të botuar gjatë periudhës diktaturës komuniste, s’është zënë në gojë ky fakt! Kurse, për interesa politike të ngushta të regjimit komunist, figura e Mustafa Krujës u etiketua vetëm si fashist e, si kuisling, akuza edhe këto vetë shumë të diskutueshme!

Vazhdojmë me fizikanin Selaudin Toto, të cilit i qenë pushkatuar dy vëllezërit si anti-monarkistë, vetë qe internuar nga fashizmi italian e pastaj, kur pa asnjë faj dënohet me vdekje dhe pushkatohet nga diktatura komuniste, dhunshëm i harrohet emri edhe si fizikant. Po ky nuk qe fizikant, dhe aq. Ishte nxënës i shquar i të madhit Enrico Fermi, që me këmbëngulje desh t’a mbante në grupin e asistentëve të tij, kurse Selaudin Totua nuk e pranoi karrierën e shkëlqyer që i hapej….sepse desh të vinte e t’i shërbente Atdheut (që ia hëngri kokën).

I solla shembujt e mësipërm vetëm e vetëm që të sqaroj sadopak se sa e dëmshme është për interesat kombëtare, t’i trajtojmë figurat e shquara të kombit tonë, nisur me mllefe edhe pasione që në themel kanë arsye politike e, këto pastaj mbështeten nga njerëz të pakarakter dhe që ushqejnë cmira profesionale. Vazhdojmë tashti me argumentin tonë të fillimit, Patër Gjergj Fishtën. Përse u anatemua Patër Gjergji nga diktatura? Përse u bë e pamundura që atij vigani të kombit as mos t’i zihej në gojë emri i Tij?! Të shumta ishin fajet që ai mbante mbi kurriz: së pari, qe intelektual i shquar klerik. Nga ana tjetër, ishte ai që hodhi në letër, nëpërmjet vargjeve të Lahutës Malcis “Historin’e Shqipërisë”, në marrëdhëniet e saj me fqinjin tonë verior sllav, duke trajtuar një periudhë kohore që nga 1858-ta e deri më 1913, me frymën e së vërtetës e duke skalitur e nxjerrë në pah shovinizmin serb, ashtu siç ishte me të gjitha atavizmat e tija antishqiptare.

Si klerik ai domosdo ishte edhe antikomunist, sepse e njihte mirë e me themel si ideologjinë komuniste e, gjithashtu edhe bindjet e skajshme ateiste të përkrahësve të saj. Patër Gjergji pikëpamjet ateiste, që kishin filluar e përhapeshin në Shqipëri mbas Luftës I-rë Botërore e deri në vitet kur filloi Lufta e II-të, i kish përcaktuar si; “Të  mishnuemt e ateizmit mâ të rafinuem t’Oksidentit e i egërsisë më të ftoftë t’Orientit”. E me që të gjithë virtytet e Patër Gjergjit duheshin kthyer në faje të tij, u përdor edhe helmi i mashtrimit djallëzor, duke e akuzuar si antikombëtare, gjithashtu edhe si fashist.

Për hir të së vërtetës, në vijim, t’i hedhim një sy fluturimthi pikave më kulmore të veprimtarisë patriotike të Patër Gjergjit, e pastaj japim edhe përgjigjet e mirëfillta. I referohemi studiuesit të madh arbëresh, Gaetano Petrottai, cili ka pohuar: “Fishta është ndër të parët e më të mëdhenj atdhetarë të cilët në kohët më të vështira, bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke dhe kundër propagandës greke. Kudo që ishte çështja e Shqipërisë, at Fishta gjendej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e gjallë të vetën, zgjonte prej gjumit më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë”.

 Duhet thënë që në fillim se Prof. Petrotta nuk i kishte të pambështetura konsideratat e tija për At Gjergjin, por ishin veprat si edhe veprimtaria e prelatit të madh, që e çuan studiuesin e madh arbëresh në këto përfundime. T’i shikojmë. Për Patër Gjergjin nuk kishte të ndalur përkushtimi atdhetar: kur e ardhmja e kombit të Tij ishte e rrethuar nga një mjegullnajë krejtësisht e turbulltë, edhe kur Bismarku Shqipërinë e shihte si “një shprehje gjeografike”, duke shtuar edhe; “shqiptarët as gjuhë të tyre të shkruar nuk kanë….”, Ai e kuptoi se asnjë përpjekje për themelimin e shtetit shqiptar nuk mund të kishte sukses në qoftë se nuk hidheshin themelet e gjuhës shqipe të shkruar.

Sot, të folurit e të shkruarit shqip brenda kufijve shqiptarë, duket si një gjë krejtësisht normale. Mirëpo duhet të kthehemi në vitet e para të kapërcyellit shekujve XIX-të, si edhe të XX-të, (gjë të cilën nuk e konceptojmë dot sot), dhe të përjetojmë atë që e ka përcaktuar me një pohim sa lakonik e gjithashtu kuptimplotë studiuesi i thellë i historisë e i gjuhës shqipe, Mustafa Merlika Kruja: “… nën sundimin turk, kur filluan me na u çelë sytë neve, shkrimi e këndimi shqip përbânte nji delikt kundra shtetit”.

E pra, në ato kondita, kur pushtuesi otoman rrekej me çdo kusht t’a pengonte popullin tonë mos t’a lakmonte pavarësinë e Shqipërisë e, gjithashtu mos t’i binte mbrapa lëvrimit të gjuhës shqipe që e ka mbajtur gjithmonë në këmbë ndjesinë e kombësisë, Patër Gjergji me të gjithë fuqit’e Tija, i luftoi këto qëllime të prapta të armikut! E tërë veprimtaria e Atë Fishtës, kishte si shtysë idealin e mbarë jetës së Tij, që qé “Shqypnia zojë n’vedi, brenda kufijve ku flitet shqyp”!

Dokumentim i këtij përkushtimi është fakti se si në bashkëpunim me atdhetarin e shquar, Abatin e Mirditës, Imzot Prengë Doçin, si edhe të mbështetur nga atdhetarë të tjerë si Ndoc Nikaj, Pashk Bardhi, etj., në vitin 1899 themeluan shoqërinë letrare “Bashkimi”, ku Imzot Fishta, duke qenë krahu i djathtë i Abatit, ishte anëtari më aktiv. Pikërisht alfabeti i gjuhës shqipe, i formuluar si alfabet shkencor, qe vepër e shoqërisë letrare “Bashkimi”, e prandaj Patër Gjergji, i cili ishte ndër krijuesit e këtij alfabeti, në nëntorin e vitit 1908, duke i peshuar edhe drejtpeshuar të gjithë këta faktorë, u bë njëri nga nismëtarët e Kongresit të Manastirit.

Ai e shihte qartë se nuk kishte si të bashkohej kombi i ynë në një shtet të mirëfilltë, kur gjuha e tij shqipe të shkruhej me “kirilicat” e Kirilit apo, me “krrabat” osmane që për më se 500 vjet u kishin ngecur në fyt shqiptarëve! Zgjedhja e Tij si Kryetar i Komisisë së Alfabetit Shqip, flet qartë për ndikimin e madh bindës që ai pati ndër pjesëmarrësit e Kongresit dhe me ndikimin e personalitetit të Tij, alfabeti i shoqërisë letrare “Bashkimi”, me shumë pak ndryshime, u shpall pastaj nga Kongresi i Manastirit si alfabeti zyrtar i gjuhës shqipe! Pra, Patër Gjergji, luajti rolin kryesor duke u bërë pjesë e rëndësishme e asaj kryeure që lidhi Rilimdjen tonë Kombëtare me Pavarësinë e Shqipërisë, në atë kapërcyell shekujsh!

Patriotizmi i Tij shquhet dukshëm edhe në lidhje me dasinë fetare të cilën fqinjët shovinistë, (së bashku me mungesën e gjuhës së shkruar), i konsideronin armë të mprehta dhe prova evidente të mos ekzistencës të një kombi shqiptar. E pikërisht për t’i u kundërvënë këtyre insinuatave që në kancelarit’ e Evropës kishin zënë vend, më 1913-ën, në shenjë revolte kundra Fuqive Ndërkombëtare që e mbanin të pushtuar Shkodrën, Patër Gjergji do të ngrinte Flamurin Shqiptar në Kishën e Gjuhadolit.

E, në shenjë vëllazërimi dhe solidarizimi mes myslimanëve dhe katolikëve, do të lidhte me një banderolë dritash Kishën me minaren e Xhamisë së Fushë Ҫelës. Ҫuan atëherë “qeveritarët e huaj” dërgatën e tyre, që mes kërcënimesh frikësuese urdhëruan uljen e flamurit, por “Frati trim” me ironinë e Tij të guximshme i dërgoi mesazhin e Tij sundimtarit të Shkodrës, admiralit britanik Sir Cecil Borney ku, mes të tjerash i shkroi: “Flamuri jonë e ka për nder të gjuhet prej topash t’huej” – Dhe admirali vërtet që nuk iu përgjigj letrës së Atë Fishtës, por….as nuk dërgoi forca t’ua ulnin flamurin!

Patër Gjergji qe ai që pohonte botërisht: “Si t’kshtênë, si muhamedan, / Shqypninë s’bashkut t’gjith e kan, E prandej t’gjith do t’qindrojmë, / Do t’qindrojm’e do t’luftojmë, Kem m’u bâ kortarë-kortarë, / Priftën, fretën, hoxhallarë. Për Shqypni”! Pa le pastaj kur Patër Gjergji dredhte mllefin e Tij të skajshëm kundra gjth’atyne që nuk punonin pët të patur një Shqipëri të fortë. U sulet prelati atyre me forcë që luftëtarët më të ashpër do t’ia kishin zilì e nuk ndalet as para mëkatit të agresivitetit edhe ndaj vetë Perëndisë, e thotë:

“O Perëndi a ndjeve,  tradhtarët na lanë pa Atdhé

E ti rrin e gjuen me rrfé, / list n’për male kot”!

Kurse kur vjen puna tek gjuha e Tij amtare, meshtari patriot shkruan vargje që për nga lirika e tyre mund të quhen me plot gojën tipike e në vazhdim ata përfundojnë me një dramaticitet të përkryer, vërtetë shembullor:

Porsi kânga e zogut t’verës, / Qi vallzon n’blerim të prillit;

Porsi i âmbli fllad i erës, / Qi lmon gjit e drandofillit;

Porsi vala e bregut t’detit, / Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,

Porsi ushtima e njaj tërmetit, / Njashtu â’gjuha e jonë shqyptare.

E pastaj vazhdon Poeti me një vrull të shquar patriotik edhe thotë:

 “Pra, mallkue njaj bir shqyptari, / Qi kët gjûhë të Perëndis,

Trashigim qi na la i Pari, / Trashigim f’ia lên ai fmis;

Edhe atij iu thaftë, po, goja, / Që përbuzë kët gjûhë hyjnore;

Qi n’gjûhë t’huej, kur s’âsht nevoja, / Flet e, t’vetën lên mbas dore”.

Por Patër Gjergji aq sa ishte patriot i skajshëm, aq me takt dinte edhe të shkruante. Homeri i kombit tonë, (siç e ka quajtur albanologu  gjerman Maksimilian Lamberci), në vargjet e Lahutës së Malcisë, nuk i lejoi vetes në asnjë rast të shfaqeshin as armiqësitë klasore, as dasitë e aq më pak shfaqjet e fanatizmit. Ylli Polar i tij qe: “Ma s’parit të bâhej Shqypnia, mandej ajo të zbukurohej e të stolisej”! Për atë “Lahutë”të përbërë nga 30 këngë të gjata me kompleksivisht 16.838 vargje, të cilat përshkohen nga hove dhe shpirt luftarak, e që janë të mbushura me burrni, njomësi edhe limonti njëherësh, Poeti punoi jo pak por 30 vite!

Vijmë tash tek akuza e komunistëve se Patër Gjergji qe antikombëtar. Si provë e kësaj fajësie janë paraqitur vargjet e Tija tek “Metamorphosis” e Ẫnzave të Parnasit ku autori shprehet:

“T’a dijë Shqypnija / Pra, e shekulli mbarë,

Se mâ mbas sodit / Un s’jam shqyptar”.

Duke e shqyrtuar tashti akuzën si edhe ata që e mbështesnin akuzën e tyre në këta vargje, mundësitë janë dy: ose keqdashje e skajshme si pasojë e urrejtjes së pa princip ndaj një kollosi të patriotizmit, si edhe kulturës, ose injorancë aq e pakufishme, sa që vetë Patër Gjergji, Patër Anton Harapi ose Baba Rexhepi, me të gjithë atë plejadë kolosësh….do t’i mëshironin!

Sa i takon keqdashjes, nuk kemi pse të merremi me të, si edhe me bartësit e saj, do të qe kohë e humbur. Sa i takon padijes së të gjithë atyre që mendojnë se janë në gjendje t’a gjykojnë kollosin Fishtë, duke i lexuar vargjet e Tij pa asnjë bazë përgatitjeve, e ndjej për detyrë t’u shpjegoj se në “Metamorphosis”, autori evokon ndërrimet apo kuptimin e anasjelltë, duke marrë shembull kryeveprën e poetit të madh të Romës së lashtë, Ovidit.

Kurse, shprehur pa krahasime simbolike, me ata vargje Poeti shpreh zemërimin e Tij skajor dhe nxjerr mllefin e grumbulluar brenda shpirtit të Tij patriotik, kundra bashkatdhetarëve shqiptarë të kohës, dallkaukë e mjeranë! E për t’ia paraqitur thjeshtë dhe qartë lexuesit vullnet – mirë, idén’ e mjeshtrit Fishtë, aq sa i ka lartësuar Ai virtytet e besës edhe burrnisë së shqiptarit në apoteozën e Lahutës, po aq e ka fyer, tallur edhe poshtëruar në ‘Anzat e Parnasit’, vesin si edhe përçudnimin e virtyteve shqiptare, nga ana e njerëzve të pakarakter!

Akuza tjetër, e propaganduar me harsh mes katër erërave nga diktatura komuniste, qe se Fishta ishte fashist, sepse pranoi të bëhej anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë, e domosdo duke u bërë kësisoj ithtar i fashizmit, e miratoi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Argumentet për t’a hedhur poshtë këtë akuzë janë të shumtë. Mjafton që lexuesi objektiv i këtyre radhëve, të gjykojë me logjikë të paanshme faktet që do të paraqiten e, pastaj po desh të thellohet e të qëmtojë më thellë, të tëra i gjen të dokumentuara në arkiva.

Qeveria fashiste italiane, me dekret mbretëror, e dekoroi Patër Gjergj Fishtën, me dekoratën më të lartë që akordonte ajo. Ky qe hapi i palës italiane, për t’a heshtura zërin e fratit françeskan, i cili me vargjet e tija patriotike mbushte zemrat e shqiptarëve. Dhe reagimi i Patër Gjergjit ndaj kësaj fyerjeje që i bëhej personalitetit të tij n’aspektin patriotik, (siç e mendoi Ai), qe i menjëhershëm: e refuzoi t’a pranonte dekretin mbretëror, duke u shprehur: “Kjo dekoratë, nuk âsht për mue”!

Në vijim Akademia Italiane, anëtarë të së cilës ishin personalitete nga më të shquarat në botë, shumë edhe laureatë të çmimit ‘Nobel’, ngarkoi Atë Agostino Gemellin, Rektorin e Universitetit të ‘Zemrës së Krishtit’ në Milano dhe mik i Patër Gjergjit, të merrej vesh me të, në se Ai pranonte t’emërohej anëtar i Akademisë. Dhe Atë Gjergji pranoi, ndonëse dekoratën e fashizmit e ktheu mbrapsht. Ai pranoi së pari, sepse një pjesë e madhe e akademikëve ishin të njohur si antifashistë, duke filluar që nga filozofi Benedetto Croce, kompozitori i famshëm Pietro Mascagni, Maestro Perosi, vetë Agostino Gemelli e, të tjerë me radhë.

Kurse nga ana tjetër, Ai u pohoi studentëve të Tij e, ndërmjet tyre, edhe Atë Daniel Gjeçajt, që e ka publikuar se; “… kurrkush nuk thotë se ai qi e pranon çmimin ‘Nobel’ u bâ suedez…e në luftë s’pëvetë kush se ç’fabrike i ke armët, por si i ke përdorë ato…un sot për sot si akademik, mund të vyej mâ shum për Shqypni …”!  Edhe vetë Ati i Shenjtë, Papa Piusi i XII-të, (i cili dihet se nuk qe fashist), gjatë pritjes që i akordoi Patër Gjergjit në vitin 1940, mes të tjerash i tha: “…. Emnimi yt si akademik i Italisë, âsht nji nderë për Fé, edhe për Kombin t’ând”.

Vijmë tashti tek një fakt tjetër kuptimplotë. Nga data 10 dhjetor 1940, Mjeshtri po përjetonte ditët e pasme të jetës së Tij. E viziton Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, dhe Fishta i thotë: “Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkri për të pa nji Shqipni të lirë e në vedi, nërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja”.

Edhe kur u varros, arkivoli i Patër Gjergjit, si mbas dëshirës Tij, u mbulua me flamurin kombëtar autentik të Dedë Gjo’ Lulit, flamur pa sopatat e Liktorit të qëndisura mbi të, (të cilat u hoqën kur Mustafa Merlika Kruja e vuri këtë si njërin nga kushtet e tija, kur pranoi të formonte qeverinë e tij). Mendoj se me të gjitha këto argumente, të cilave studiuesi i mirëfilltë dhe pa komplekse politike, mundet t’u gjejë edhe dokumentacionin mbështetës arkivor, hidhen poshtë të gjitha akuzat shpifëse edhe dashakeqe ndaj poetit tonë Kombëtar, Patër Gjergj Fishtës!

Para epilogut të këtij shkrimi, nuk mundem të mos radhis pohimet e disa prej personaliteteve nga më të shquarit të kombit tonë, që janë shprehur duke e vlerësuar Atë Gjergjin dhe veprën e Tij.

Profesor Eqerem Ҫabej, pa asnjë mëdyshje ndër studiuesit më të thellë të gjuhës shqipe, ka pohuar në një kartolinë të cilën ia pat dërguar Lasgush Poradecit: ”Lexova ‘Lahutën e Malcis’ dhe u mahnita. Jam gati të bëhem katolik, për hir të Fishtës”!

Profesor Kostaq Cipua, na e ka pohuar në klasë: “….Tek vepra e Fishtës shkriheshin në një, atdhedashuria me mjeshtrin poetike”! Profesor Cipua gjithashtu është shprehur me shkrim, duke e quajtur Atë Gjergj Fishtën, “Patriarkun e letrave shqiptare”.

Sejfulla Malëshova është shprehur në shtyp: “…mendjes së fuqishme të Fishtës, Shqipëria duhet t’ia dijë poezitë më të mira epike, lirike,dramatike.”

Hafëz Ali Korça, klerik mysliman dhe mësues i gjuhës shqipe, shprehej lidhur me Atë Fishtën: “….Me këmbënguljen e tij gjuha jonë e lashtë gjeti sintetizim të shkruar….! Nuk kam si t’a harroj me sa dashuri më përqafoi dhe më përgëzoi, (kur qemë takuar shumë vite më vonë me Fishtën), që në demonstratën e madhe të  Korçës më 1910 kundër shkuarjes së gjuhës shqipe me shkronja  arabe, unë bekova shkronjat latine të abecesë shqipe të Kongresit Manastirit dhe thashë edhe një lutje për to….”!

Shkrimtari Petro Marko ka thënë: “Fishta është elefant i mbuluar nga pluhuri  gjatë dekadave të regjimit komunist”. Poeti i madh Lazgush Poradeci, e ka përcaktuar Fishtën; “shkëmb i shpirtit shqiptar – Vigan i Kombit”.

Vijmë tashti edhe tek epilogu i këtyre radhëve. Analistët e indoktrinuar mund të qëmtojnë kalime nga shkrime ose epistolari i Patër Gjergjit, ku Poeti i Madh të jetë shprehur pa respekt kundra toskëve. Nuk e ve fare në dyshim. Po studiuesi në fjalë duhet atëherë të bëjë edhe një analizë “sasiore”, ku të verë në balancë sa herë është shprehur Atë Gjergji kundra gegëve e, sa herë kundra toskëve. E vetëm kësisoj analistit do t’i rezultojë se në 90% të rasteve, Patër Gjergji ka kritikuar, sharë e shpotitur gegët dhe mjedisin e tyre dhe vetëm 10% toskët. Dhe arsyeja është evidente: sepse Gegërinë edhe gegët, Mjeshtri i njihte me rrënjë e me themel!

Prandaj jo pa qëllim, nga moria e personaliteteve shqiptare si edhe të huaja që janë shprehur me vlerësime dhe respekt sipëror ndaj Personit si edhe veprës Patër Gjergjit, radhita vetëm pozicionimin e figurave të shquara nga Toskëria të kombit tonë.

Mbas kësaj analize dhe ballafaqimi faktesh historike, vërtetë e ndjej veten diçka të lehtësuar, por prap me kokë ulur dhe i dëshpëruar i mbyll këto radhë dhe shtroj pyetjen: përse duhet kërcënuar, se po u mundua njeri të kritikojë shkrimtarë tanë të shquar, që shkëlqimin e morën me veprat e tyre gjatë periudhës së Realizmit Socialist, me vrap do t’u kundërvihen e t’a kritikojnë viganin Fishtë?

Pse, frika e nxjerrjes në dritë të hijeve të kollosit Fishtë, duhet t’ua evidentojë dritën, që eventualisht kanë, ata shkrimtarë e t’ua fshehë hijet e tyre? Jo zotërinj. E vërteta historike kërkon që drita dhe hijet e secilit, jo vetëm të nxirren në shesh, por edhe të krahasohen. Ky i vetmi kriter, si mbas të cilit do të shquhet; kush është titan e, kush pigmé! / Memorie.al                  

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Disa grupe të arratisurish që hynë në Jugosllavi në fillim, u zhdukën nga faqja e dheut e s’u dihet as varri, si ai i Bajraktarit të Merturit, Mark Tunxhi, apo...”/ Dëshmia e rrallë nga SHBA-ës e Gjon Kadelit

Artikuj të ngjashëm

“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova
Personazh

“Gazeta ‘Shqypëja e Shqypënis’ e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga, e kundërshtuen Valiun, pasi…”/ Historia e panjohur e dy patriotëve nga Kosova

April 12, 2026
“Sotir Peci, si mësuesi i shkencave, formuloi dhe krijoi për herë të parë në Shqipëri, terminologjinë kimike, fizike dhe atë të shkencave natyrore…”/ Historia e panjohur e “babait” të arsimit shqiptar
Personazh

“Sotir Peci, si mësuesi i shkencave, formuloi dhe krijoi për herë të parë në Shqipëri, terminologjinë kimike, fizike dhe atë të shkencave natyrore…”/ Historia e panjohur e “babait” të arsimit shqiptar

April 11, 2026
“Kryetari i Qeverisë shqiptare, Mustafa Kruja, në qershor 1942 bëri një vizitë në Kosovë dhe gjatë aktiviteteve të zhvilluar aty, ai dekoroi Sak Fasllinë për…”/ Historia e panjohur e bajraktarit të Rugovës
Personazh

“Kryetari i Qeverisë shqiptare, Mustafa Kruja, në qershor 1942 bëri një vizitë në Kosovë dhe gjatë aktiviteteve të zhvilluar aty, ai dekoroi Sak Fasllinë për…”/ Historia e panjohur e bajraktarit të Rugovës

April 10, 2026
“Fenomeni më i çuditshëm në burgun e Burrelit, ishte ai i shpjegimit të ëndrrave nga disa, si p.sh., Qemal Demiri nga Vlora, i cili disa ditë para se të vdiste Mao Ce Duni, na tha…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës
Personazh

“Kam dyshimin e madh, se në asnjë vend të Bllokut Lindor, regjimi nuk ka patur fatin komod që pati në Shqipërinë komuniste, pasi…”/ Libri i Mërgim Korçës, që u nda nga jeta në SHBA-ës në shkurt 2026

April 9, 2026
“Denigrimi që i bëri atij regjimi komunist vazhdon ende, pasi një shkolle në Korçë që kishte ndërtuar ai, i kanë vënë emrin ‘Sevasti Qirjazi’…”/ Historia e filantropit korçar që financoi “Bagëti e Bujqësi” të Naimit
Personazh

“Denigrimi që i bëri atij regjimi komunist vazhdon ende, pasi një shkolle në Korçë që kishte ndërtuar ai, i kanë vënë emrin ‘Sevasti Qirjazi’…”/ Historia e filantropit korçar që financoi “Bagëti e Bujqësi” të Naimit

April 8, 2026
“Ministri i Jashtëm i Italisë, Galeazzo Ciano, shënon në ditarin e vet qi; vûmja e Mustafa Krujës në postin e kryeministrit, ishte si një përgjigje ndaj…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga Italia
Personazh

“Evropa e pat, lum miku, ajo s’âsht mâ tjetër, veçse e kaluemja e njerzisë, qi ka krijuem gjithça shkëlqen mâ së miri e mâ së bukuri në botë…”/ Letrat e panjohura të Mustafa Merlikës, me At Paulin Margjokajn  

April 6, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme