Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al / Ideja dhe paranoja e Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së e shpallur diku nga mesi i viteve ’60-të, për “krijimin e njeriut të ri, me normat e moralit socialist”, nuk ishte thjesht një “projekt-ide” për ta zbatuar vetëm tek ne shtetasit shqiptarë të Republikës Popullore të Shqipërisë, por edhe për ta “implementuar” te të gjithë shtetasit e huaj (kryesisht turistët) që do të hynin në territorin shqiptar. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një urdhëresë e muajit maj të vitit 1973, e ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, (i cili njëkohësisht ishte edhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së), drejtuar të gjitha Pikave të Kalim Kontrollit Kufitar, ku ndërmjet të tjerash, ai shkruante: “Të mos lejohen të hyjnë në RPSH-së të gjithë ata persona të huaj që me paraqitjen e jashtme, janë në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist si p. sh., burra me flokë si të grave, me baseta shumë të ekzagjeruara, me mjekra të çrregullta, si dhe me veshje të papërshtatshme, konkretisht femra me minifunde!
Sipas tij, kjo bëhej me qëllim; “për të penguar ndikimin e ideologjisë borgjezo revizioniste nëpërmjet, veshjes dhe paraqitjes ekstravagante të të huajve që vijnë në RPSH-së për arsye të ndryshme”! Ky vendim i qeverisë shqiptare të asaj kohe, i cili vinte pas propozimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, u zbatua me përpikëri për vite me radhë në të gjitha Pikat e Kalim-Kontrollit Kufitar të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Rinasit.
Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur dhe nga mjaft dokumente arkivore, siç është dhe ai i datës 15 gusht të vitit 1969, ku në Komunikatën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, raportohet edhe për një turiste suedeze të quajtur Laura Arcuri, e ardhur në Shqipëri me kompaninë turistike jugosllave “Atllas”, të cilën autoritetet përkatëse shqiptare e detyruan që në Pikën e Kalim Kontrollit të Hotit të hiqte minifundin dhe të vishte një tjetër, por kur ajo shkoi në Hotel “Dajti” në Tiranë, e veshi përsëri atë dhe dolli nëpër qytet. Kjo gjë bëri që atë ta dëbonin që atë ditë nga territori shqiptar. Por përveç rasteve të kësaj natyre, që pothuaj ishin të zakonshme në atë kohë, ka pasur edhe raste të tjera tragjike, ku për shkak të sjelljes dhe trajtimit brutal që u bëhej atyre nga ana e autoriteteve përkatëse shqiptare lidhur me veshjen dhe pamjen e jashtë, turistë të huaj, kanë arritur deri në vetëvrasje.
Siç ishte rasti i turistit 22 vjeçar irlandez, William Patrik Ottonell, i cili bëri vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i katërt i Hotel “Apollonia” në plazhin e Durrësit, vetëm e vetëm pse e kishin qethur dhe ia kishin ndërruar veshjen porsa kishte hyrë në territorin shqiptar. Sa më sipër, të gjitha këto bëhen të ditura nga dokumentet arkivor me siglën “Sekret” të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë të de-klasifikuara) të cilat publikohet për herë të parë dhe me faksimilen përkatëse nga Memorie.al.
Bashkë me këto dokumente, po publikojmë edhe disa dokumente të tjera arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1973, ku Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ka nxjerrë një urdhëresë drejtuar Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit dhe Drejtorisë së Doganave, me disa kritere që duhet të zbatoheshin për të gjithë shtetasit e huaj që hynin në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me veshjen e paraqitjen e jashtme të tyre, si flokët e gjata, basetat etj., dhe ndalimin e literaturës fetare që ata mund të dispononin, etj.
Si dhe dokumenti me raport-informacionin e Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë, drejtuar Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me ngjarjen e datës 20.7.1973, ku një grup turistësh të firmës “Retel Tours das rrollende hotel”, të Gjermanisë Perëndimore, në përbërje të të cilit ishin 36 gjermanë, 5 austriakë, dhe 1 luksemburgas, u ndaluan të hynin në Doganën e Hanit të Hotit, pasi dispononin literaturë fetare, etj.
DOKUMENTI SEKRET ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR NGJARJEN ME TURISTEN SUEDEZE LAURA ARCURI, QË DËBUAN NGA SHQIPËRIA, PASI ISHTE ME MINIFUND
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “Tepër sekret”
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 15.8.1969
DEGA E III – të
Më 15.8.1969, me firmën turistike jugosllave “Atllas”, ndër të tjera erdhi dhe turistja suedeze e quajtur ARCURI LAURA, e cila u paralajmërua që në Pikën Kufitare në Hot që të hiqte minifundin dhe të vishte një tjetër me gjatësi normale. Ajo u bind dhe veshi një fund tjetër, por kur arriti në Hotel “Dajti”, veshi përsëri atë të parin dhe dolli për të shëtitur nëpër qytet. Për këtë ajo u paralajmërua dhe dy herë të tjera dhe meqenëse nuk u bind, u dëbua nga territori i Republikës Popullore të Shqipërisë.
ZV. KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
KOLI SHUKE
DOKUMENTI SEKRET ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR NGJARJEN ME TURISTIN IRLANDEZ WLLIAM OTTONELL, NË HOTELIN “APOLLONIA” NË PLAZHIN E DURRËSIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E ADMIN. DHE STUDIMEVE Tiranë, më 28.7.1975
Më 27.7.1975, ora 8.00, u hodh nga kati i katërt i Hotel “Apollonia”, turisti irlandez, William Patrik Ottonell, vjeç 22, lindur dhe banues në Kater të Republikës së Irlandës, me profil hidraulik, me arsim të mesëm, i pamartuar, i cili u shtrua në spital dhe gjendja e tij është e rëndë. (Ka shpresa të shpëtojë).
Paraprakisht, mendohet që ta ketë bërë, për arsye se kur hyri në territorin tonë, më 17.7.1975, sipas rregullave, është i detyruar që të qethë flokët dhe të ndërrojë veshjen. Këtë e ka shprehur tek shokët e tij dhe i është krijuar deliri e persekucionit, të cilin e ka shfaqur edhe në vendin e tij, pasi ka pasur depresione mendore. Çështja ndiqet.
DREJTORI
PILO SHANTO
DOKUMENTI ARKIVOR I VITIT 1973, ME URDHËRESËN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, KADRI HAZBIU, DËRGUAR PIKAVE KUFITARE TË KALIM KONTROLLIT, MBI KRITERET QË DUHET TË PLOTËSONIN TË GJITHË SHTETASIT E HUAJ QË VININ NË SHQIPËRI
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Nr. 479 Ekzemplar Nr. 1
Tiranë më 4.5.1973
KRITERE
MBI NDALIMIN E HYRJES NË RPSH-së SË SHTETASVE TË HUAJ QË NË VESHJEN DHE PARAQITJEN E JASHTME BIEN NË KUNDËRSHTIM ME NORMAT E MORALIT TONË SOCIALIST
Për të ruajtur rregullat e paraqitjes në vendin tonë socialist, si dhe për të penguar ndikimin e ideologjisë borgjezo revizioniste nëpërmjet, veshjes dhe paraqitjes ekstravagante të të huajve që vijnë në RPSH-së për arsye të ndryshme, si dhe nëpërmjet literaturës që ata sjellin me vete, të zbatohen kriteret e mëposhtme :
1 – Të mos lejohen të hyjnë në RPSH-së të gjithë ata persona të huaj që me paraqitjen e jashtme, janë në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist si p. sh., burra me flokë si të grave, me baseta shumë të ekzagjeruara, me mjekra të çrregullta, si dhe me veshje të papërshtatshme, konkretisht femra me minifunde dhe maxifunde.
2 – Të mos lejohet kalimi i asnjë lloj literature me përmbajtje kundërrevolucionare, fetare, e pornografike. Kjo lloj literature, të mbahet në dogana dhe nëse poseduesi i tyre i kërkon, t’ju jepet në kthim.
3 – Literatura teknike, kulturore, e artistike, lejohet për të gjithë të huajt që vijnë në vendin tone, në masën e një ose dy copë librave apo revistave që pretendohet se janë në përdorim personal. Ndërsa sasia tjetër e kësaj literature, ndalohet dhe niset menjëherë në Drejtorinë e Doganave e cila, mbasi bën verifikimet në bazë të rregullave e dërgon këtë pa vonesë në institucionin ose dikasterin që pret të huajin.
4 – Personat me përmbajtje të papërshtatshme dhe ata që sjellin literaturë në ndaluar duhet të trajtohen në mënyrë korrekte dhe të kulturuar nga organet kufitare dhe doganore, duke ua bërë të qartë arsyet përse merren këto masa. Të gjithë ata të huaj që do të korrigjojnë në vend, paraqitjen dhe veshjen e tyre, lejohen të hyjnë në territorin e RPSH-së.
5 – Organet kufitare e doganore, nuk zbatojnë masat e parashikuara në pikat 1. 2. dhe 3.
A – Për diplomatët e akredituar në RPSH-së dhe nëpunësit e përfaqësive diplomatike e tregtare, si dhe për pjesëtarët e familjeve të tyre.
B – Për funksionarët e Ministrive të Punëve të Jashtme, korrierët diplomatik të vendeve të huaja që kanë përfaqësi diplomatike në Tiranë.
6 – Organet kufitare dhe doganore nuk zbatojnë masat e parashikuara në pikën 1.
A – Për anëtarët e delegacioneve zyrtare që priten nga dikasteret ose institucionet e ndryshme të vendit tonë.
B – Për pjesëtarët e ekipeve sportive që vijnë me ftesën e vendit tonë ose, në kuadrin e takimeve sportive ndërkombëtare.
Personat që përmenden në pikën 5 dhe 6, do të lihen të lirë të kalojnë kufirin e vendit tonë, pavarësisht nga paraqitja e tyre. Në raste të tilla pikat e kalim kufirit dhe organet doganore në mënyrë të kulturuar, u vënë atyre në dukje se rregullat e vendit tonë, nuk lejojnë një paraqitje të tillë, megjithatë ju jeni të lirë të kaloni.
Krahas kësaj për çdo rast ato, u dërgojnë sa më shpejt organit të tyre epror një informacion të hollësishëm mbi këto konstatime.
Informacioni i përcillet institucionit pritës i cili, i merr vetë masat për rregullimin e paraqitjes së tyre.
MINISTRI I PUNËVE TE BRENDSHME
KADRI HAZBIU
RELACIONI I DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË DOGANAVE, DREJTUAR DREJTORISË SË JASHTME PRANË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, PËR BLLOKIMIN NË DOGANËN E HANIT TË HOTIT, TË NJË GRUPI TURISTËSH TË ARDHUR NGA GJERMANIA PERËNDIMORE
REPUBLIKA POPULLOR E SHQIPËRISË
DREJTORISË SË JASHTME TIRANË
Ju njoftojmë se më 20.7.1973, në orën 16.00 në doganën e Hotit, mbërriti një grup turistësh të firmës “Retel Tours das rrollende hotel” të Gjermanisë Perëndimore, i përbërë prej 36 gjermanë, 5 austriakë, dhe 1 luksemburgas.
Sipas procedurës së caktuar ata, u pyetën nëse kishin materiale propagandistike. Të gjithë ata dorëzuan gazeta e revista të ndryshme, me përjashtim të Jean Etien, lindur në Nechen të Luksemburgut, i cili nuk deklaroi asgjë.
Nga të dhënat që u morën aty për aty nga punonjësit e Doganës, u vendos kontrolli i imët i të përmendurit dhe ju gjetën, 70 broshura të lutjeve fetare në gjuhën franceze, 50 broshura të lutjeve fetare në gjuhën gjermane, 120 pamflete me fotografi të Krishtit në dy forma, si dhe 50 fotografi të Krishtit të përgjakur, të shtypura në Belgjikë.
Po kështu në një zarf në adresë të shokut Enver, ju gjetën 5 fije brenda, 10 fotografi të Krishtit, 8 thirrje fetare, dhe 5 fletë kopjative. Mbas kontrollit ai deklaroi se këto materiale, do t’ja shpërndante turistëve të huaj në vendin tonë, dhe letrën do t’ja jepte Enver Hoxhës.
Në këto kushte punonjësit e Doganës së Hotit, e nxorën atë përpara grupit të të gjithë turistëve të huaj të cilëve, ju fol për shkeljen e rregullave të vendit tonë, dhe të gjithë njëzëri kërkuan që ky person të kthehej mbrapsht.
Pavarësisht nga kërkesa e grupit, sipas rregullave tona ky person, do të kthehej dhe u vendos kthimi i tij. Ndërsa të gjithë të tjerët u vendos që të ktheheshin në Tiranë, duke ju dhënë edhe materialet e lejuara, ndërsa materialet e tjera, ju ndaluan për t’jua dhënë në kthim. Jean Etien, mbasi ju komunikua kthimi i tij, u largua në Jugosllavi, pa thënë asgjë.
Bashkëngjitur ju dërgojmë zarfin që i drejtohet shokut Enver, së bashku me materialin që ka brenda, si dhe nga një kopje të materialeve të tjera që, ai la në Doganë. /Memorie.al
DREJTORI I DOGANAVE
Edip Çuçi
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016














