Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al/ Plot 56 vite më parë, më 26 dhe 27 mars 1970, salla e madhe e Pallatit të Kulturës në qytetin e Tepelenës, u shndërrua në skenën e një prej proceseve gjyqësorë më të pazakontë të kohës. Në bankën e të akuzuarve uleshin dy vëllezërit, Izet dhe Daut Gumeni, së bashku me kushëririn e tyre, Dervish Haxhi Gumeni, nga fshati Gusmar. Edhe pse regjimi e kishte organizuar këtë gjyq me dyer të hapura, duke detyruar pjesëmarrjen e masave nga qyteti dhe mbarë zona e Kurveleshit me qëllim “demaskimin” e të pandehurve, rezultati ishte krejt i kundërt.
Në moshën 27-vjeçare, ish-mësuesi i fshatit dhe poeti i ri, Daut Gumeni, u shfaq si një figurë epike e qëndresës. Ai nuk u mbrojt thjesht me dinjitet, por kaloi në kundërsulm, duke deklaruar hapur para trupit gjykues dhe sallës së mbushur: “Jam armik i partisë suaj dhe i pushtetit popullor”.
Ky proces, ku mësuesi i fshatit dhe poeti i ri Gumeni, (i cili pas viteve ’90-të do të shërbente si diplomat dhe nënkryetar i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit), debatoi drejtpërdrejt me masën e manipuluar, mbetet një dëshmi unike e guximit njerëzor, pasi ajo përballje tronditi deri udhëheqjen më të lartë të regjimit komunist në fuqi, ku si rezultat, ai do të vuante rreth 24 vite ne burgjet politike të Enver Hoxhës.
Lidhur me këto e të tjera nga ai proces gjyqësor i 26 e 27 marsit 1970, do njihemi nëpërmjet dokumenteve arkivore sekrete (tashmë të de-klasifikuara) të nxjerra nga Ministria e Brendshme dhe Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi 14, aparati ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), duke përfshirë raportin e sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Tepelenës, Sherif Toraj, drejtuar Hysni Kapos, etj, të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME I DATËS 31 MARS 1970, KU NJOFTOHET PËR GJYQIN E ZHVILLUAR NË QYTETIN E TEPELENËS, NDAJ DERVISH, IZET DHE DAUT GUMENIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
“DEGA E PËRGJITHSHME” Tiranë më 31.3.1970
KOMUNIKATË OPERATIVE NR.75
DEGA HETUESISË
Me datën 26-27 3.1970, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Tepelenës, me pjesëmarrjen e popullit, u zhvillua gjyqi kundër të pandehurve Izet Gumeni, Daut Gumeni dhe Dervish Gumentit.
Nga deponimet e të pandehurve dhe dëshmitarëve, u provua plotësisht fajësia e të pandehurve. Në përfundim, gjykata dënoi të pandehurin Izet Gumeni me 25 vjet privim lirie, për krimin e bashkëpunimit me kriminelët, në lidhje me krimin e aktit të terrorit për vrasje në vitin 1945 të shokut Selman Lames, dhe për agjitacion e propagandë kundër pushtetit.
Të pandehurin Daut Gumeni, për krimin e agjitacionit dhe të propagandës kundër pushtetit dhe për mos kallëzim të krimit, me 15 vjet heqje lirie dhe duke bashkuar dënimet, me 25 vjet heqje lirie.
Të pandehurin Dervish Gumeni, për krimin e agjitacionit dhe propagandës dhe për mos kallëzim të krimit, me 8 vjet heqje lirie, duke bashkuar dënimet, me 20 vjet heqje lirie.
Vlen të përmendët, se i pandehuri Daut Gumeni, gjatë zhvillimit të gjyqit, ka mbajtur qëndrim shumë armiqësor, duke u munduar të argumentonte pikëpamjet e tij armiqësore edhe në sallë.
Si nga prokurori, trupi gjykues dhe diskutimet e popullit, u demaskua veprimtaria armiqësore e të pandehurve. Populli kërkoi me insistim dënimin me vdekje të Izet Gumenit dhe ekzekutimin në vendin e kryerjes së krimit.
Për rrezikshmërinë që paraqet i dënuari Daut Gumeni, mendohet që të dërgohet për të vuajtur dënimin në Repartin 321 Burrel.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
DOKUMENTI SEKRET I VITIT 1970, ME RAPORT-INFORMACIONIN E KOMITETI TË PARTISË TË TEPELENËS, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH, KU KËRKOHET DËNIMI ME VDEKJE I DAUT GUMENIT DHE EKZEKUTIMI I TIJ NË FSHATIN E LINDJES, NË GUSMAR
PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË SEKRET
KOMITETI I PARTISË RRETHIT EKZEMPLAR NR. 1
Nr. 104. Prot/ Tepelenë, më 15.4.1970
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
TIRANE
Prej datës 26-27 Mars 1970, në Tepelenë u zhvillua proçesi gjyqësor kundër të pandehurve Izet Mehmet Gumenit, Daut Mehmet Gumenit (vëllezër) dhe Dervish Haxhi Gumenit nga katundi Gusmar i këtij rrethi, i pari për bashkëpunim me kriminelët e arratisur, Izet Vrazhdo, Lahe Nuro e Ahmet Kuka, në vrasjen e Sekretarit të partisë të ish-rrethit të Gusmarit, Selman Lames në dhjetorin e vitit 1945.
Ndërsa dy të tjetër për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, moskallëzim krimi të kryer nga Izet Gumeni, për të cilin ishin në dijeni dhe tentativë arratisje për në Greqinë monarko-fashiste.
Të lartpërmendurit u dënuan nga ana e gjykatës popullore të rrethit tonë, Izet e Daut Gumeni me nga 25 vjet, kurse Dervish Gumeni, me 20 vjet privim lirie.
Duke marrë parasysh qëndrimin e kriminelit Daut Gumeni që mbajti në procesin gjyqësor, për të cilin do t’ju informojmë më poshtë, mendojmë se nuk i është dhënë dënimi i merituar si kriminel dhe armik i betuar i pushtetit popullor, të cilin e pohoi haptas në procesin gjyqësor, nëpërmjet shprehjeve që më poshtë ju radhisim:
Kur u pyet nga ana e trupit gjykues, sepse ai kishte marrë këtë rrugë të gabuar, deklaroj: “Jam armik i partisë tuaj dhe i pushtetit popullor”. Gjithashtu gjatë pyetjeve dhe demaskimit që iu bë nga trupi gjykues dhe publiku, ai u shpreh:
– “Ju thoni se në Shqipëri ka filluar të vërshojë lumi i të mirave, por akoma nuk ka filluar të pikojë asnjë pikë”.
– “Unë nuk jam spiun që të demaskoj dhe kallëzoj vëllanë tim, Izetin, për bashkëpunim me diversantët”.
– “Unë ndoshta jam krimb, sipas jush, por nuk guxoj të them se edhe ju jeni zvarranikë”.
– “Juve talleni me gjakun e Selman Lames”.
– “Organizatat e masave, nuk janë leva të partisë, por marsha të saj”.
– “Pikëpamjet e shkrimtarëve të huaj që ju i quani reaksionarë, ju nuk u thoni të gjitha fëmijëve, që të gjykojnë dhe formojnë ata vetë botëkuptimin e tyre”.
– “E kam ndjerë vetën të privuar, më ka munguar liria e fjalës dhe e veprimit”.
– “Këto vjersha i kam bërë kundra sepse ky është botëkuptimi im, realiteti i jetës sime, unë kështu e shikoj jetën”.
– “Kur të shkoja në botën perëndimore, do të kishja mundësi që të merrja arsimin e plotë e të sakt”, etj.
Qëndrimi i tij armiqësor u duk edhe në polemikën që filloj të bënte me diskutantët që dënuan ashpër nga salla e gjyqit këtë qëndrim reaksionar të tija, i cili përpiqej t’i sulmonte me fyerje dhe ironi të stërholluar.
Populli i këtij rrethi, i indinjuar nga veprimtaria e tij armiqësore dhe qëllimi reaksionar ndaj trupit gjykues dhe publikut në sallë, kërkuan me këmbëngulje që këtij armiku të betuar t’i jepet dënimi me vdekje, duke u ekzekutuar në fshatin e tij, në vendin e veprimtarisë së krimit. Edhe në këtë rast kur ju dha fjala e fundit për vetëmbrojtje, me hipokrizi dhe ironi u shpreh: “Zbatoni kërkesën e masës”.
Duke marrë parasysh veprimtarinë kriminale, qëndrimin armiqësor që mbajti në gjyq dhe opinionin e masave punonjëse të këtij rrethi: mendojmë që masa e dënimit të rishikohet duke aplikuar atë me vdekje./ Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISË SE RRETHIT
Sherif Toraj














