Nga Adela Kolea
Pjesa e tretë
Memorie.al / Zoti Antonio u zgjua shumë herët, si çdo mëngjes. Ishte gjithsesi, pjesëtari i dytë i familjes që zgjohej aq shpejt: E para, ishte e shoqja, zonja Maria, e cila fillonte përgatitjen e mëngjesit. Duke qenë se familja e tyre ishte mësuar që për mëngjes të konsumonin ëmbëlsirat e përgatitura prej duarve të zonjës së shtëpisë, ajo vetë përkujdesej që zgjimi i të shoqit dhe fëmijëve, ta gjente me tryezën e shtruar me ëmbëlsirat e freskëta tipike, lëngun e frutave, reçelin. Qumështi i ngrohtë i përzier me kafe, lëshonte aromën e tij në të gjithë shtëpinë, aromë që e përzier në ajër me atë të ëmbëlsirave të sapo-nxjerra nga furra, e kthenin zgjimin e kësaj familjeje në një hare të vërtetë.
Urithët, dihet, jetojnë e ushqehen me errësirë, dhe në shtresat e sipërme të sipërfaqes se tokës, e kanë vështirë të arrijnë – duke ardhur prej puseve më të ndyra e më të thella – nëse nuk gjejnë strategjinë e duhur. E pra, ndjesia që po haste në një “urith” tjetër, Xhulios ju krijua edhe në këtë fabrikë, ku ishte transferuar prej pak kohesh. Kolegu i tij, me të cilin bashkë-ndante të njëjtën zyre, kishte qenë – ndër të tjera – edhe shok armesh në Luftë, me njërin nga eksponentët më të egër të qeverise në fuqi.
E pra, kësaj radhe, nuk po kërkonin “floririn e zi”. Kësaj radhe, i zi, po behej fati i të gjithë atyre qe, në Shqipërinë e asaj kohe, kishin bere gabimin më të madh të jetës se tyre: atë, të qenit intelektualë, për më tepër me projektime disidente.
Jo vetëm: nëse ndonjëri, si Xhulio, ishte edhe i martuar me italiane, ndonëse ai për këtë gjë ishte deri diku i ndërgjegjshëm mbi pasojat, jeta do t’i kishte rezervuar surpriza aspak të këndshme.
Ajo këmishë e bardhë
Atë mëngjes, Anna ishte zgjuar në të gdhirë. Gjithë natën kishte parë ëndrra të çuditshme. Ishin parandjenjat dhe perceptimet që i mbërrinin vazhdimisht kohet e fundit, që i pengonin të bënte një gjumë të qetë. Pasi u hodhi një sy fëmijëve, të cilët flinin të qetë në dhomën e tyre, pranë dhomës së prindërve, zbriti në kuzhinë për të përgatitur mëngjesin, për veten e për të shoqin, Xhuli, i cili duhej të nisej shpejt për në Durrës, aty ku po punonte kohët e fundit.
Ai ishte veshur e përgatitur shume shpejt, pa harruar të vishte një këmishë të bukur të bardhë. Ishte, ndër të preferuarat e tij ajo këmishë. Ia patën sjellë nga Napoli dhe i rrinte aq bukur. Gjatë konsumimit të mëngjesit, shkëmbyen pak fjalë, por ato të pakta fjalë, më tepër ishin udhëzime nga Anna në lidhje me të shoqin, për të bërë kujdes.
Kujdesi, se cilit Anna i referohej, ishte i lidhur me pozicionin e tij në vendin e punës: nga fakti që ishte i martuar me një italiane e që kohet e fundit, për këtë, po shihej shtrembër. Nën këtë aspekt, Xhulios, provokimet nuk i kishin munguar. Ai i kishte bërë balle gjithnjë me kokën lart e me zgjuarsinë e pjekurinë që e karakterizonin.
Kohët e fundit, kishin mbërritur disa sinjale, të cilët patën filluar të shkaktonin atë që, terreni nën këmbët e Xhulios, të tronditej. Diçka me rëndësi dhe mjaft e frikshme, po trillohej e Xhulio pati lajmëruar të shoqen. Kjo, jo vetëm për atë që, ta ndihmonte të gjendej e përgatitur përballë çfarëdolloj ngjarjeje, por edhe për t’iu lutur që të vazhdonte të ecte përpara, ‘me’ ose ‘pa’ Xhulion vete, për të përballuar peshën e familjes, së fëmijëve, gjë që, deri në ato momente kishin ndarë përherë së bashku.
U përqafuan dhe Xhulio u nis, i ndjekur nga sytë e Annës, e cila e përshëndeste me dorë të shoqin, deri sa makina me të cilën ai udhëtonte, të zhdukej nga pluhuri i rrugës dhe nga largësia e kjo e fundit, ndërmjet tyre, bëhej gjithnjë e më e madhe.
Era e detit të Durrësit depërtoi nga dritaret e makinës dhe u përhap në brendësinë e saj. Flladi i freskët dukej i njëjte me atë që Xhulio ndiente edhe kur ndodhej në Napoli, në shtëpinë e së shoqes, duke u bërë në këtë mënyrë, ngjitës malli. Përhapte nostalgjinë e një vendi që, në rininë e tyre, u pati dhënë atyre shumë. Dhe jo vetëm, transmetonte një lloj trishtimi që në atë moment, ishte krejtësisht i pazakonte. Për Xhulion, ishte me e zakonte që, flladi i detit të bëhej burim qetësie, paqeje, frymëzimi e gëzimi.
Por, atë mëngjes Xhulio, së bashku me flladin detar, po thithte edhe disa grimca të një ajri të rendë, mbytës. Te një ajri të akullt, që po i ngrinte zemrën.
Po u vinte prej pak kohësh, prej shkatërrimit të marrëdhënieve shqiptaro – jugosllave dhe diktatori i ishte përveshur punës për përforcimin e fuqisë se tij absolute. Një fuqizim i tillë kishte si fazë fillestare të tij, luftën kundër kundërshtarëve politikë. Këta kundërshtarë, disa realisht të ekzistuar, dhe të tjerë, të vendosur në rrethin e personave mbi të cilët vetëm dyshohej ose supozohej të ishin të tillë, për faktin e pasjes në biografinë e tyre të disa të dhënave komprometuese, bëheshin persona “të rrezikshëm” për vendin.
Xhulio, ndonëse këtë listë të mallkuar e njihte mjaft mirë dhe deri diku, kishte qenë gjithnjë i ndërgjegjshëm që i bënte edhe ai vetë pjesë, deri në fund, nuk deshi ta pranojë apo ta besojë. Kohët e fundit, kolegu i tij, ai me të cilin po bashkë-ndanin të njëjtën zyrë, ishte bërë shumë invadent, po fuste gjithnjë e më tepër hundët në punët e Xhulios. Nën justifikimin e konfidencës në nivel ‘miqësor’, po i bënte pyetje të tepruara, të cilat Xhulios, po i shkaktonin shqetësime.
Jo sepse, nuk dinte sesi t’i përgjigjej, ashtu siç ai e meritonte në të vërtetë e me gjakftohtësi, por për një fakt tjetër: atë të perceptimit të rrezikut dhe të krijimit të përshtypjes që, ai person, nuk ishte dërguar në atë zyrë për të ndarë me Xhulion profesionin e ekonomistit si ai, por për të dhënë kontributin e tij, për kurthin që po i thurnin.
Faktikisht, kolegu i tij, beri ç’të ishte e mundur për të sabotuar punën e saktë dhe të përgjegjshme të Xhulios. Beri ç’të mundte për t’i ndërlikuar punët atij, e për me tepër, duke ndërhyrë në çështje që i përkisnin ekskluzivisht kompetencave të Xhulios.
Por, nuk u mjaftua vetëm me aq: u tregua aq dinak (ose më mirë, ashtu ishte udhëzuar apo urdhëruar), që të përfshihej e të merrte pjesë edhe ai vetë në një projekt të besuar ndaj zyrës së tyre, i cili fillimisht duhej të kishte qenë i ndjekur vetëm nga Xhulio, projekt që, çuditërisht do të kishte rezultuar si një ‘sabotim’.
Natyrisht, për të dy kolegët u lëshua një urdhër arresti. Xhulio, e pa jetën e tij të ndryshonte tërësisht, pas këtij takimi brutal me të ashtuquajturën “drejtësi”. Atë ditë, në oborrin e fabrikës, hija e makinës ushtarake ‘Jeep’, të asaj makine aq famëkeqe, bëri që të ngrijnë në vend të gjithë punonjësit. Te dy koleget i hipën, të lidhur me pranga, sikur të ishin kriminele.
Për Xhulion, nëse ‘krim’ mund të quheshin përgatitja e përkushtimi serioz ndaj detyrës, korrektësia apo profesionaliteti, e gjitha kjo kthehej në një ankth, nga i cili, shpresonte të zgjohej sa më shpejt dhe e vërteta të zbardhej sa më parë. Të bëheshin sqarimet e duhura se nga ana e tij, nuk kishte ekzistuar asnjë faj, asnjë gabim e, aq më pak, asnjë sabotim.
Por, u bind më shumë se kurrë edhe për diçka që, deri në ato momente kishte dëshiruar që gjithnjë t’ia largonte vetes si mendim: për atë që, prej faktit se kishte marrë për grua një qytetare italiane, që po ndante jetën bashke me të, në një Shqipëri të tillë, si ajo që po përjetonin në ato kohë, ky do të kthehej në një rrezik të konkretizuar me shpejtësi, do të kthehej në një stuhi që do të vërsulej e pamëshirshme mbi atë vetë e, mbi familjen tij.
Në procesin – farsë teatrale – të dy kolegëve, pasi fillimisht u fol për një dënim jo më pak se pushkatimi, gjithnjë padrejtësisht ju përcaktuan dënimet përkatëse, që për Xhulion, çuditërisht rezultoi shumë më i rëndë, burgim i përjetshëm. Pak më vonë, ashtu si ndodh zakonisht në situatat tragji-komike, finalja qe befasuese. Dënimi iu reduktua në mënyrën që vijon:
Kolegu i Xhulios, qëndroi në burg vetëm pak muaj dhe ju fal liria. Xhulios, patën “mëshirë” dhe i reduktuan edhe atij dënimin, por atij iu mohua liria personale, jo për dy muaj, as për dy vjet: vitet në të cilat Xhulio kreu dënimin, qenë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, të asaj jete që dalëngadalë po ia shkatërronin në mënyrë të dhimbshme: këto vite qenë plot 20.
I madh indinjimi, të shumtë dhimbja e zhgënjimi për atë që quanin “drejtësia popullore”. Ajo mund të quhej në mënyra apo terminologji të pakufizuar, përveçse “drejtësi e popullit”. Ata vetë ishin pjesë e atij populli. Xhulio për më tepër, por edhe Anna tashmë e ndjente veten si pjesë përbërëse e atij populli, mikpritës, të besës, por që, fatkeqësisht po drejtohej me grushtin e hekurt prej disave që po bënin ç’të ishte e mundur, që asaj Shqipërie të vuajtur, t’ia eliminonin të gjithë bijtë e saj më të vlefshëm e, intelektualë.
Ndryshimi rrënjësor edhe në jetën e vetë Annës, nga një vuajtje në tjetrën, me burrin në burg, me prindërit e të afërmit në Itali, që nuk mund t’i takonte, ajo vete, e re në moshë e, me fëmijët e bllokuar në Shqipëri, e detyroi të kthehej pas me kujtesën:
“Largësia nga vendi im është kaq e shkurtër! Do të më mjaftonte t’i afrohesha bregut të detit, për të pasur mundësi të ndiej erën e këndshme të ujërave që mbërrijnë nga anët e mia, të cilat me siguri, do të më lehtësojnë nga çdo ndjesi largësie nga të dashurit e mi. Dhe sidoqoftë, sa here që malli për ta do të më mbërthejë me insistim, do të vrapoj drejt tyre e ata njëkohësisht, do të munden të vijnë e të më takojnë, sa here të dëshirojnë”.
E më pas, në 1944-ën, fjalët e Xhulios: “Anna, unë jam i detyruar si bashkëshort e si baba familjeje, të të kërkoj të mendohesh mirë, por edhe me shpejtësi, mbi faktin se çdo të bëjmë më tej me jetën tonë: ku, do të vendosim të vazhdojmë të jetojmë, në Shqipëri apo në vendin tënd, në Itali, sepse këtu, kam dyshimin se gjendja do të ndërlikohet tej mase”.
Anna, me lot në sy, mori vendimin më delikat e më të rëndësishëm të jetës së tyre: atë të zgjedhjes që të jetonin në Shqipëri. Atë mëngjes bënte ftohtë, ftohtë më shumë se kurrë. E mbështjellë me pallton e saj të leshtë, me kapelën në kokë, të cilën nuk e ndante kurrë, sepse ishte një dhurate e të atit, Anna u gjend përpara një ndërtese që të fuste frikën, që të bënte të të mbërthenin rrëqethje.
Asnjëherë nuk do t’i kishte vajtur në mend që, një dite të jetës së saj, do të vinte e të afrohej pranë një ndërtese të tillë. Asnjëherë nuk do të kishte menduar që në një ferr të tillë, do të ‘ndalej’ Xhulio i saj i dashur. Atë dite, atyre nuk u lejuan të shihen.
Por, njëri prej rojeve, me një pamje të tmerrshme, e thirri Annën, sepse do t’i dorëzonte disa sende vetjake të Xhulios, të gjitha të përmbledhura në një kuti kartoni. Ajo e mori atë kuti në duar duke u dridhur e tëra dhe u largua prej andej me shpejtësi. Në shtëpi e prisnin fëmijët. Madje, para se të ndalej e të fliste me ta, Anna hyri në dhomën e saj dhe me forcat që pak e nga pak po e braktisnin, hapi kutinë.
Sytë iu ndalen menjëherë mbi një copë të grisur, të bardhë. Ishte këmisha e bardhe e Xhulios, këmisha e tij e preferuar, ajo të cilën Anna ja pati hekurosur atë mëngjes e që ai, e pati veshur pikërisht ditën e arrestimit. Mbi mëngën e këmishës, me gjakun e tij, Xhulio kishte shkruar një mesazh për të shoqen: “Sono innocente”, “Jam i pafajshëm”. Por Anna, për këtë ishte më se e bindur…! / Memorie.al













