Nga Prof. Enriketa Papa
Pjesa e dytë
Memorie.al / Mustafa Merlika Kruja lindi në vitin 1887 në Krujë, dhe pati mundësinë të studiojë, falë dhe mbështetjes së një bamirësi të pasur si Esad Pasha, në rüştije-n lokale (shkollën e mesme), në Janinë dhe në Mekteb-i Mülkiye (shkollë e mesme) në Stamboll. Pas përfundimit të arsimit të tij në vitin 1910, u kthye në Shqipëri, pasi u emërua mësues në idadinë (shkollë e mesme) e Durrësit dhe më vonë u emërua Drejtor i Arsimit Publik për sanxhakun e Elbasanit. Po ashtu Mustafa Kruja ishte aktiv në kryengritjen shqiptare të vitit 1912 kundër osmanëve dhe në Vlorë, ku si përfaqësues i Krujës ishte ndër firmëtarët e deklaratës së pavarësisë dhe ishte dhe anëtar i senatit të formuar në atë kohë. Më 1914 u emërua këshilltar për arsimin publik në administratën e re të Princ von Wied, duke qenë një nga mbështetësit e tij.
Kështu, në Shqipëri morali politik perëndimor u zëvendësua me marrëveshje komprometuese, pasi ideologjitë e liberalizmit, fashizmit dhe anti-komunizmit, nuk ishin të njohura gjerësisht apo të rrënjosura thellë në botën shqiptare. Me fjalë të tjera, pozicionet politike ose publike në Shqipëri, nuk merreshin për arsye ideologjike, por për motive ose avantazhe personale.
Lufta Italo-Greke, e cila për më shumë se gjashtë muaj u zhvillua kryesisht në Shqipëri, po ashtu shkaktoi shumë ankesat nga popullsia shqiptare, veçanërisht ushtarët që luftonin në Frontin Greko-Shqiptar në Jug të Shqipërisë. Avancimi dhe sukseset e grekëve bënë që shqiptarët të dezertonin me qindra nga Fronti dhe inati ndaj Qeverisë së Vërlacit u rrit. Edhe vizita njëjavore e Mbretit italian Viktor Emanueli III-të në maj 1941, nuk shkoi mirë.
Një tentativë për të vrarë Mbretin që u bë më 17 maj 1941, dështoi. Mbretit iu shkaktuan vetëm lëndime të lehta. Ndërkohë, gjatë vjeshtës së atij viti në Jug të Shqipërisë dhe rreth kryeqytetit, Tiranës, filluan të shfaqen veprimet e para të armatosura nga grupe të ndryshme të rezistencës antifashiste. Më 8 nëntor 1941, me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e të dërguarve jugosllavë, grupet e majta aktive që nga fillimi i pushtimit italian, krijuan Partinë Komuniste Shqiptare.
Në kuadër të kësaj gjendjeje të vështirë, me qeverinë e Vërlacit që nuk mund të kontrollonte shqetësimet e brendshme në rritje, Mëkëmbësi i Përgjithshëm Jakomoni i propozoi Musolinit dhe Kontit Çiano, senatorin Mustafa Merlika-Kruja, si kryeministrin e ri të Shqipërisë, i cili mori detyrën më 4 dhjetor 1941. Çiano e konsideroi emërimin e Mustafa Merlika-Krujës, 54 vjeçar, dhe kabinetin e tij, që zëvendësoi politikanët e vjetër me një elitë intelektualësh të rinj, si një gjest tolerance ndaj ekstremistëve nacionalist shqiptarë.
Pra, Mustafa Merlika-Kruja, i cili u kthye nga mërgimi i detyruar në Francë, u rikthye në Shqipëri në verën e vitit 1939. Ai ishte një politikan ambicioz, antikomunist dhe nacionalist i zjarrtë, i cili gëzonte mbështetje të plotë nga Italia dhe iu lejua më shumë liri veprimi, sesa paraardhësve të tij.
Atij iu dhanë disa të drejta për të bërë koncesione ndaj autonomisë shqiptare, duke përfshirë në qeverinë e tij anëtarë nga grupet intelektuale dhe nga populli, jo nga të vjetrit pronarë tokash (bejlerë), si dhe ngritjen e një ushtrie të pavarur shqiptare, që do të vepronte përkrah forcave italiane, ushtri e cila ishte shkrirë pas pushtimit të 1939-ës.
Ai u lejua të lirojë një numër të madh antifashistësh nga burgu apo internimi dhe më pas u mundua të bënte dallimin në sjelljet ndaj nacionalistëve antifashistë dhe komunistëve, duke u paraqitur si një mbrojtës i irredentizmit nacionalist shqiptar. Gjatë fazës së parë të qeverisjes së tij, italianët e shikonin me dyshim, pasi frikoheshin se ai ishte një ekstremist nacionalist; më vonë, megjithatë, sipas Çianos, ai u dëshmua si më i moderuar. “Tani që ai është në pushtet, e kuptoi se të bësh kritikë është e lehtë, por të veprosh është e vështirë”.
Në fakt Kruja nuk kërkoi nga Çiano asgjë të pazakontë, përveç disa korrigjimeve të vogla në kufirin e Malit të Zi dhe kthimin në ndryshimet e 12 prillit, të Kushtetutës dhe flamurit: “Ata nuk e duan shqiponjën e burgosur mes fashave të liktorit dhe nyjave të Shtëpisë së Savojës”, shënon Çiano në Ditarin e tij.
Gjatë një takimi në Romë me Musolinin në shkurt 1942, Musolini i theksoi kryeministrit Merlika-Kruja, dëshirën e tij për t’i dhënë Shqipërisë autonomi më të madhe. Kjo, sipas tij, ishte e vetmja politikë që do të jepte rezultate, pasi në të kundërt Shqipëria do të shndërrohej gjithashtu në krah të rebelimit dhe intrigave si shtetet e tjera të pushtuara.
Kabineti i Mustafa Krujës qëndroi vetëm trembëdhjetë muaj, nga 4 dhjetori 1941, deri më 19 janar 1943, kur ai dha dorëheqjen nga detyra. Pas Luftës së Dytë Botërore, Mustafa Kruja pranoi se ishte përdorur nga italianët dhe makiavelizmi i tyre për të përfituar nga devotshmëria e tij nacionaliste, për mbrojtjen e territoreve etnike shqiptare. Ishte përsëri Jakomoni, ai që propozoi që ai të zëvendësohej me dikë nga aristokracia e vjetër, duke i theksuar Çianos se; “Mustafa Kruja është një njeri që në interesin tonë, duhej ta konsumonim”.
Për italianët, Merlika-Kruja ishte njeriu perfekt në momentin e duhur. Nacionalizmi, të cilin Merlika-Kruja e përfaqësonte përsosmërish gjatë gjithë jetës së tij, luajti një rol thelbësor në bashkëpunimin e tij me italianët. Sipas tij, sidomos pas krijimit një ditë para se të emërohej kryeministër, të “Shqipërisë së Madhe” në vitin 1941, që do të përfshinte Kosovën dhe zona të tjera kryesisht shqiptare në Jugosllavi dhe rajonin e Çamërisë në Greqinë veriore, si një produkt i marrëveshjes ‘Çiano-Ribentrop’ në prill Vjenë, pas pushtimit të Greqisë dhe Jugosllavisë, Merlika-Kruja besonte se çështja kombëtare shqiptare do të zgjidhej vetvetiu.
Në fjalimin e tij të parë si kryeministër, më 10 dhjetor 1941, Mustafa Merlika-Kruja lavdëroi krijimin e Shqipërisë së Madhe, si një arritje e madhe për territoret etnike të lira. Ai madje krijoi një ministri për Tokat e Lira, me Tahir Shtyllën dhe më pas me ish-ministrin e Financave, Fejzi Alizoti, dhe Eqerem bej Vlorën si ministra dhe urdhëroi një regjistrim të popullsisë për territoret e lira, si dhe një reformë agrare që do të shpërndante pasuritë tokësore të konfiskuara nga popullsia serbe dhe malazeze gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë, te popullsia shqiptare e atyre territoreve.
Në emërimin e Mustafa Merlika-Krujës, Jakomoni dhe Çiano shpresonin të mobilizonin shqiptarët në politikën fashiste, duke luajtur me ndjenjat e tyre nacionaliste përmes propagandës, ndërkohë që po ashtu shuan çdo tentativë për rezistencë. Qeveria e Merlika-Krujës, ishte kështu kabineti i parë kombëtar i Shqipërisë së Madhe.
Ndjenjat nacionaliste të Mustafa Krujës u shfaqën hapur. Ai madje protestoi kundër deklaratave të Anthony Eden, Cordell Hull dhe Molotov për Shqipërinë, më 10 dhjetor 1942, me Sekretarin Amerikan të Shtetit Hull, që shpallte se, në bazë të Kartës së Atlantikut, Shtetet e Bashkuara dëshironin të shihnin një Shqipëri të lirë, të vetëqeverisur dhe me të drejta sovrane.
Kjo u pasua nga një deklaratë e ngjashme e ministrit të Punëve të Jashtme Britanik Eden, me rezervimin se kufijtë e shtetit shqiptar pas luftës, do të përcaktoheshin në negociata, nëse një marrëveshje midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj, do të dështonte. Ministri i Jashtëm sovjetik Molotov, shprehu simpati të qeverisë sovjetike për luftën e patriotëve shqiptarë kundër forcave italiane dhe dëshirën për të parë Shqipërinë të rikthehej në pavarësi.
Menjëherë pas kësaj deklarate, kryeministri Merlika-Kruja mbajti një fjalim në Këshillin e Madh Korporativ Fashist (Parlamenti) më 23 dhjetor 1942, ku kritikoi deklaratat Hull-Eden-Molotov për Shqipërinë, duke u shprehur se ato kërcënonin unitetin etnik, tansinë kombëtare, pasi nuk e pranonin ndryshimet që ishin ndodhur në Shqipëri pas vitit 1939. Uniteti kombëtar që ishte arritur nën qeverinë fashiste (Shqipëria e Madhe), do të humbte kështu.
Aleatët i premtonin popullit shqiptar lirinë dhe pavarësinë, por rreziku i afërt nuk ishte politika e fuqive të Boshtit, por rreziku komunist brenda vetë Shqipërisë. Entuziazmi i tij nacionalist çoi të bënte dhe deklaratën pasionante, që; “nëse qeveria shqiptare do të ishte e detyruar të zgjidhte midis fitimit të Kosovës dhe humbjes së pavarësisë, ajo do të zgjidhte të humbte pavarësinë, sepse nëse ne mbetemi të bashkuar me Kosovën, një ditë do ta rikthejmë pavarësinë tonë”.
Megjithatë, qeveria e Merlika-Krujës nuk arriti të realizonte aspiratat nacionaliste të vendit të tij. Programi i tij politik i thjeshtë tregonte varësinë e tij politike nga italianët; ai ishte i kufizuar në vendimmarrjen e tij, pasi të gjitha vendimet i paraqiteshin për miratim nga Mëkëmbësi i Përgjithshëm italian. Qeveria e tij pati sukses të kufizuar.
Edhe pse ai u mundua të mbante kontakte me nacionalistët që e kundërshtonin atë dhe italianët, dështoi të merrte masa kundër grupeve të rezistencës antifashiste, veçanërisht komunisteve, çka çoi në krijimin e Ushtrisë së Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Stabiliteti i relativ gjatë fazës së parë të aneksimit italian nuk zgjati shumë, kryesisht për shkak të mungesës së efikasitetit administrativ, dështimeve të fushatave të tij kundër Greqisë, situatës ekonomike të përkeqësuar dhe forcës në rritje të rezistencës antifashiste.
Më janar 1943, ai shprehu dëshirën për t’u tërhequr nga jeta politike aktive dhe pas shtatorit 1943, nuk bashkëpunoi me gjermanët nazistë. Në shkrimet e tij personale të pasluftës, Merlika-Kruja e paraqet veten si një nacionalist, që karrierën politike e udhëhoqi nga një parim: “të mbrojë dhe t’i shërbejë interesit kombëtar shqiptar”.
Bashkëpunimi i tij me regjimin fashist, ishte i motivuar nga bindjet e tij nacionaliste nga njëra anë dhe ndjenjat e tij antikomuniste nga ana tjetër. Ai ishte gati të ndërmerrte çdo akt politik për të shërbyer çështjes kombëtare të shqiptarëve, dhe ishte pikërisht gjatë pushtimit fashist, që pjesët më të mëdha të Kosovës, Dibrës dhe Çamërisë, u bashkuan me Shqipërinë.
Ai gjithashtu ishte i motivuar të bashkëpunonte nga kundërshtimi i tij ndaj grupeve të rezistencës nacionaliste shqiptare; shumë nga liderët e tyre ai i kishte marrëdhënie personale, që nga koha e veprimtarisë anti-monarkiste.
Për të, një fitorja komuniste pas luftës do të shënonte shkatërrimin e Shqipërisë, pasi do ta reduktonte vendin në kufijtë e vitit 1912 dhe kështu do të linte jashtë gjysmën e kombit shqiptar. Ashtu siç ka shkruar ai vetë një herë, një nga arsyet që ai pranoi të bëhej kryeministër dhe të bashkëpunonte me Italinë fashiste ishte kundërshtimi i tij ndaj komunizmit, i cili, sipas tij, do të pengonte lirinë e Shqipërisë.
Kështu, pas aktivizmit politik të rezistencës së majtë dhe krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë nga emisarët jugosllavë, ai pranoi propozimin e Jacomonit për t’u bërë “Kryeministri i Kuisling i Shqipërisë”.
Përfundime
Në shkrimet e tij personale, të publikuara nga familja e tij në Shqipëri, Mustafa Kruja e përshkruan veten si një nacionalist, karriera politike e të cilit udhëhiqej nga një parim: “të mbronte dhe t’ishërbente interesit kombëtar shqiptar”. Bashkëpunimi i tij me regjimin fashist u motivua nga bindjet e tij nacionaliste nga njëra anë, dhe ndjenjat e tij antikomuniste, nga ana tjetër. Ai ishte i gatshëm të ndërmerrte çdo akt politik për t’i shërbyer çështjes kombëtare shqiptare.
Kjo shpjegon pse Kruja shërbeu italianët dhe fuqitë e Boshtit dhe refuzoi deklaratat e Aleatëve në dhjetor 1942, që do të kishin rrezikuar interesat kombëtare të Shqipërisë pas luftës. Ai gjithashtu u motivua të bashkëpunonte edhe prej aktivitetit të grupeve të majta shqiptare. Për të, një fitore komuniste pas luftës, do të nënkuptonte shkatërrimin e Shqipërisë.
Nga koha kur shkoi në mërgim në vitin 1944 deri në vdekjen e tij në 1958, Kruja nuk u përfshi në asnjë aktivitet politik kundër regjimit komunist dhe as nuk ishte anëtar i ndonjë organizate politike shqiptare. Megjithëse simpatizonte Bllokun Indipendent Shqiptar të Ernest Koliqit dhe madje mori pjesë në mbledhjet e tyre në Egjipt dhe Itali, ai nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në vendimet e tyre. Kruja mori azil politik nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1956 dhe deri në vdekjen e tij në dhjetor 1958, iu përkushtua kryesisht shkrimeve të tij./ Memorie.al












