Nga Rajmonda Moisiu
Pjesa e katërt
Memorie.al / E kush nuk do të dëshironte sot të kthehej ndër ato vite të shekullit të kaluar, të sillte panoramën- kujtesë, mbresëlënëse dhe historike, elitën e shquar të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e futbollit shqiptar, futbollistët legjendë dhe heronj të kohës që jetonin, të cilët me inteligjencë, pasion, talent e profesionalizëm, arritën të shkruanin historinë në nivel kombëtar, europian e botëror. Disa prej tyre prehen në paqen e amëshuar, disa prej tyre janë aty edhe sot –fisnikë e krenarë, idhuj e legjenda, ata janë e do të mbeten figura madhore, jo vëtëm për gjeneratën që i përkisnin dhe të ardhmes, por edhe për ata ëndërrimtarët, sportistët e rinj, që dëshirojnë t’iu ngjajnë atyre; që bënë epokën! Ndër ta është edhe legjenda, ikona e futbollit korçar dhe atij shqiptar – i pakalueshmi, – Teodor Vaso – një figurë sportive dominuese në ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, që i dhanë famën dhe historinë e një futbolli më profesional, spektakolar, historik e mitik, të shekullit të kaluar!
Investimi financiar, material, moral, institucional, me kapacitet, që të bën të sillesh e të veprosh realisht si kampion, janë motive, që të çojnë drejt kurorëzimit të objektivit, kampion kombëtar. Shumë nga këta faktorë kanë qenë të dukshëm e të prekshëm. E para, është mundësia, pa të cilën nuk mund të arrihet objektivi, pas saj vjen realizimi si faktor i dytë, pa të cilin është e kuptueshme, që nuk arrihet askund, sepse paratë, fushat e futbollit, kushtet materiale nuk lëvizin, nuk luajnë, në fushën e lojës luajnë.
Futbollistët nën drejtimin e trajnerëve, prej këtu vjen kontributi i ekipit, që ju jep emrin përfundimtar gjithë investimeve. Sa e vërtetë e vyer është kjo, ç’ka cilësuam, aq e vërtetë është, që në titullin kampion të vitit 1933-e, “Skënderbeu” kishte vetëm një të huaj (vinte nga Turqia dhe shkonte prapë aty), Servet Teufik Agaj, të gjithë të tjerët ishin djemtë e Korçës.
Tashmë për rastësi është e kundërta; “Skënderbeu” ka vetëm një futbollist korçar, Bledi Shkëmbi, lojtarët e tjerë janë jo korçarë dhe të huaj. K.F. “Skënderbeu” dhe “Radio – Korça”, me 1999-ën, me rastin e 90 vjetorit të Shoqatës Kulturale Sportive “Vëllazëria e Korçës” organizuan anketën; “10 futbollistët më të mirë të shekullit”, të futbollit korçar dhe dy portierët më të mirë, e cila konfirmoi këtë, renditje:
Teodor Vaso, Dhimitraq Dembo, Gjergji Ballço, Dhimitraq Xhambazi, Aleko Pilika, Milutin Kërçiç, Veteran Topçiu, Gilbert Rrapo, Gëzim Muhaxhiri, Gentian Lici dhe portierët më të mirë: Koço Dinella dhe Jani Kaçi. Anketa futbollistët e shekullit me reparte, përcaktoi; “Futbollisti më i mirë i Shekullit”, portierin Koço Dinella dhe Jani Kaçi, Teodor Vaso (mbrojtës), Milutin Kërçiç (mesfushor), Teli Samsuri (sulmues).
Duke cilësuar disa futbollistë të elitës së epërme në formatin e 11-shes, si; “futbollisti më i mirë i shekullit”, theksoj se nuk e mundte këtë, asnjë madhështi në një fushë futbolli bosh. Fusha e lojës është me plot lojtarë të tjerë, që janë cilësuar dhe ata i dhanë lavdi Korçës. Bashkë me ta lindi madhështia jonë, e cila ishte vetëm disi më e mirë se e kolegëve tanë të tjerë.
Në atë fushë përcollëm entuziazëm, bukuri, edukatë dhe kulturë, futbollistë si; T. Veriga, N. Kola, M. Lara, M. Prodani, S. Tole, R. Shëllira, E. Dvorani, G. Strati, A. Deli, Xh. Mborja, M. Kita, V. Bicolli, Gj. Shule, P. Dhëmbi, K. Kotomelo, A. Toshi, Gj. Lika, Gj. Avramushi, I. Tërpo, R. Kallço, H. Shkurti, Gj. Prifti, V. Thimo, P. Qiriazi, I. Papa, P. Bode, C. Stratobërdha, R. Rapo, L. Sërbo, e A. Tytka.
– Zoti Vaso, një fenomen i shëmtuar sot në sportin shqiptar është shitja e ndeshjeve. A ndodhte kjo në atë kohë? Si ndjeheni kur lexoni dhe dëgjoni se ka korrupsion në sportin shqiptar? Dhe nuk ka më futboll spektakolar, të maturuar, pa dhunë, në fushat sportive si dikur?
– Çështja e disa fenomeneve të këqija është komplekse. Duhen veprime të përbashkëta të lojtarëve dhe stafit të ekipit. Organizmit qendror futbollistik (FSHF-ja), kolegjiumit të arbitrave (dhe arbitrave veç e veç), masave policore për parandalim dhe disiplinim të situatave problematike, dhunës dhe shtetit, i cili brenda kompetencave të tij, të ndihmojë në krijimin e kushteve lehtësuese, që ndeshjet të zhvillohen normalisht së fundi me shumë ndikim të jashtëzakonshëm, faktor jashtë loje është sjellja e spektatorëve.
Në vitin 1971, në një ndeshje “17 Nëntori” – “Skënderbeu” në Tiranë, për tendencë të gjykimit të keq të arbitrave (njëri faktor) dhe dhunës së disa lojtarëve të “17 Nëntorit” (faktori tjetër), lojtarët e “Skënderbeut” me ndërhyrje të trajnerëve të tij (faktor tjetër), në shenjë proteste, e braktisën fushën, por mbeti në fushë vetëm një lojtar- kapiteni i skuadrës, unë (T. Vaso), që kërkonte nga trajnerët ta kthenin ekipin në fushë, sepse masat ndëshkimore pas saj, ishin shumë të rënda deri në largim nga kategoria e parë. Ky veprim ndihmoi në parandalimin e një skandali.
Ekipi u kthye në fushë. Në atë kohë, që ndeshjet të shiteshin dhe të bliheshin, duhej shumë para. Asaj kohe sasira të tilla kurrsesi, nuk mund t’i nxirrte nga xhepi, asnjë individ, sepse ato i kishte vetëm shteti, qoftë dhe ato të klubeve sportive, që financoheshin nga shteti. Njëherësh, kontrollimi i veprimeve të tilla, ishte shumë i rreptë dhe nëse mund të realizoheshin (p.sh. teorikisht), dënimet ishin shumë të rënda. Kishte kompromise klubesh, ku interesat sportive ishin të përbashkëta, për të dy ekipet, të cilat nuk ishin brenda shtratit të shitblerjes dhe korrupsionit.
Realizimi i tyre, bëhej tepër i koordinuar dhe asnjëherë nuk merrnin pjesë të gjithë lojtarët e një apo të dy skuadrave. Këto “kompromise”, kanë ndodhur dhe në botë, madje në kampionate botërorë. Si p.sh., për t’u kualifikuar Gjermania Lindore, “pranuan” të mundeshin nga Lindorët (1-0), që ata të kualifikoheshin dhe RFGJ-ja të klasifikohej e dyta, sepse ajo i krijonte mundësinë të ndeshej në gjysëm finale, jo në grup me Hollandën, Brazilin dhe Argjentinën, “grupi i ferrit”, por të ndeshje me evropianët, – Poloni, Suedi, Jugosllavi.
Në këtë grup e konsideronte më të lehtë kualifikimin ashtu sikurse ndodhi. Republika Demokratike Gjermane u kualifikua në grupin e të mëdhenjve me Brazilin. Këto dukuri nuk shuhen kurrë, sepse janë interesa sportive të cilat, nuk kanë prapavijë shitblerje apo korrupsion për efekte financiare. Jetojmë në një kohë kur shitblerja dhe korrupsioni, janë bërë fenomene shqetësuese. Trajneri portugez i Çelsit, Jose Mourinho (Chelsea), pak javë më parë ka deklaruar publikisht: “Futbolli i sotëm nuk është emocional, sepse lojtarët luajnë për para”.
Korrupsioni, shitblerja e lojtarëve dhe ndeshjeve, janë produkt i sistemit kapitalist, që nxjerr kokë herë herës, në shumë shtete të botës. Ato gjenerojnë akte të korruptimit të lojtarëve të stafit të tyre, gjyqtarëve, funksionarëve të klubeve të cilat me pasojat që vijnë prej shprishjes së lojës së rregullt. Dy korifenj të futbollit botëror Franc Bekenbauer, Mishel Platini dhe të tjerë ja kanë deklaruar opinionit botëror që: futbolli do të jetë i pastër me rezultate reale, kur të mos ketë skedinat e ndeshjeve.
Nëse klubi i madh “Juventus”, dhe së fundi Presidenti i Futboll Club “Bajern” i Mynihut, Uli Henes, u përfshinë në skandale të rënda të manipulimeve dhe evazionit fiskal, tek ne në Shqipëri, vetëm sa janë hedhur dyshime për manipulime të ndeshjeve. Por tek ne, aktet e dhunës janë në vendin e parë në Europë. Në një periudhë tranzicioni, ku liria, morali, qytetaria konceptohen nga një masë, që kanë munguar dhe tashmë nuk ka më rregulla dhe ligje, kalohet deri në absurditete.
Presidenti i klubit të “Bylis”-it godet rëndë të deleguarin e ndeshjes “Bylisi” –“Laci”, Besnik Çela. Në tribunën e stadiumit të Vlorës, para do kohësh goditet Presidenti i klubit “Skënderbeu”, Ardjan Takaj, janë goditur rëndë, në stadiumet e Shqipërisë, trajnerët -Sulejman Mema dhe Nevil Dede.
– Si mund të ndihmojë shoqëria shqiptare për reduktimin e këtij fenomeni të shëmtuar?
Një gotë me ujë kristal e ndotin vetëm 2-3 pika bojë. Për të helmuar një buall, duhet vetëm një lugë e vogël helm i fortë. Aktet e dhunës, në një masë prej mijëra vetë, i gjeneron vetëm një grup njerëzish, e cila më pas merr përmasa të tjera. Rregulli, disiplina, respektimi i normave njerëzore nuk janë produkt vetëm i shtetit komunist apo socialist. Liria e fituar pas 1990-ës, nuk do të thotë anarshi.
Luftën për fenomenet e shëmtuara, duhet ta bëjmë në fushën e mendimit, duke kërkuar nëpërmjet edukimit, shkollimit, kulturës në familje, shkollë e shoqëri, të krijojmë së bashku me organet dhe organizmat sportive, një klimë mbytëse, të gjesteve dhe akteve të paedukuara dhe të pamoralshme. Pse para vitit 1990-të, në shkallët e stadiumit, në të gjitha qytetet e Shqipërisë shikoje gra dhe vajza, të cilat për natyrën e tyre e zbusin dhe e edukojnë mjedisin. Për fëmijët dhe femrat, duhet të ketë trajtime të tjera financiare, deri dhe hyrje të lira, duke përjashtuar vende që detyrimisht duhet të jenë me biletë.
–Prof. Vaso këtë vit shorti i Euro 2014-ë na nxori në një grup të vështirë. Kemi dhe me Serbinë, ndeshje të cilat historikisht kanë pasur një specifikë problematike. Takimi i fundit është bërë 47-t vjet më parë. Çfarë kujtime keni nga ndeshjet me Jugosllavinë?
Në kohët moderne, shtetet “armike” afrimet i bëjnë duke këmbyer fillimisht ekipe sportive. Më 1972–shin, para normalizimit të marrëdhënieve SHBA – Kinë, u takuan në Kinë, ekipet e pingpongut në prag të vizitës së Presidentit Richard Nikson aty. Ishte shorti i eliminatoreve të Kampionatit Evropian të vitit 1968-të, që nxori një ngjarje interesante dhe të papritur. Indirekt kreu funksionin, që bëjnë ndeshjet miqësore.
Mbas 20 vjet heshtjeje sportive dhe një mërie, që vinte nga kontradiktat ideologjike të kohës, në Tiranë sipas shortit, do të zbriste për të luajtur në Stadiumin “Qemal Stafa”, Kombëtarja e Jugosllavisë. Shqipëria kishte luajtur, ndër ato vite me perëndimorët; danezë, Zviceranë, gjermanë (“Këlni”). Holandezët dhe me lindorët; bullgarët dhe rumunët. Flitej nëpër dhëmbë për kapitalistë dhe revizionistë, por me jugosllavët, propaganda ja mëshoi rëndë.
Ngarkesa psikologjike përfundoi para ndeshjes, kur u bë shtrimi i detyrave, që i dha “dorën e fundit” emocioneve. Jugosllavët luajtën shumë bukur dhe fituan 2-0, në një lojë që nuk pati asnjë shenjë parregullsie. Golat i shënoi qendërsulmuesi Zampata, me dy topa “asist”, të dërguar nga sulmuesi i majtë më i mirë i kohës dhe i Europës, Dragan Xhaiç. Morëm ashtu goditjen e dytë. Një humbje e harruar me rumunët (6–0) 17 vjet më parë në (1950-ën) në Rumani, u kujtua kur luajtëm në Dortmund, një muaj para jugosllavëve dhe gjermanët fituan 6–0.
Problemi ishte, që humbja e dytë me Jugosllavinë, konsiderohej një disfatë dhe e karakterit politik, sikurse interpretohej në atë kohë nga sistemi politik. Na prisnin dy takime të jashtëzakonshme. Vlerat e rivalëve dilnin thjesht, nga treguesit e kohës: Jugosllavia që ishte në lulëzimin e saj, më të shkëlqyer, dhe prandaj në atë edicion, doli në finalet e Evropianit, N/Kampione e Europës, dhe Gjermania që na kishte mundur 6–0, një vit më parë, ishte shpallur N/Kampione e Botës, në Kampionatin Botëror, Angli, 1966.
Me këtë lloj skede, u nisëm për në Veri në drejtim të Beogradit. Kur u afruam në rrethinat e kryeqytetit, ramë në një pritë. Na preu rrugën një fugon, që e detyroi autobusin të devijojë. Përfunduam në hendek me stopat anësore dhe pasqyrën të thyer. Shkuam katër ditë përpara. Kështu që pas 20 vjetëve, himni i flamurit shqiptar u këndua në Beograd, në stadiumin “Armata”. Kënduan himnin shqiptar dhe mërgimtarët në kor, e kishin vrarë frikën. Të shpërndarë gjithandej nëpër Jugosllavi, ata nuk ishin jetimë në atë tokë të huaj, sepse ishin bashkë me ne. Nga shkallët, përballë tribunës qendrore, ushtonin fjalët shqip inkurajuese: “Kuq e zi, kuq e zi, kuq e zi”!
Ishte inkurajimi, që nuk e kishim dëgjuar kurrë në atë lloj thirrjeje. Ndërmjet asaj thirrjeje, dëgjoheshin edhe fjalët: “Jemi dhe ne këtu, nuk jeni vetëm”! Ishin fjalë malli që vërshonin në shpirt. Ndër venat derdhej energji dhe afshi i saj na frymëzonte. Mbas një “lufte” dhe qëndresë heroike, kur ora e stadiumit tregonte minutën e fundit të pjesës së parë që po mbyllej 0–0 nga një distancë disi 50 të metra, u shënua një gol në portën tonë, që ishte më shumë shans, se sa meritë teknike. Jugosllavët fituan 4–0.
Ajo ndeshje më vuri përballë kapitenit të kombëtares jugosllave Dragan Xhaiç, për të cilin shtypi sportiv shkroi, që skuadra e tyre, do të shënonte 10 gola, dhe katër prej tyre, do t’i bënte kapiteni Xhaiç, i cili në fakt nuk shënoi asnjë gol në atë ndeshje. Dtagan Xhaiç, i befasuar nga dueli jonë, kur ra bilbili i fundit, më priti, për të hyrë bashkë në dhomat e veshjes. Më përgëzoi për lojën në prani të shumë sportdashësve shqiptarë, që na rrethuan në fushën e lojës. Me përjashtim të incidentit të ndodhur, përfaqësuesit sportiv krijuan klimë miqësore, gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Beograd.
Epilogu i eliminatorëve të Europianit, 1968–të, do të mbyllej në Tiranë me Kombëtaren e RFGJ-së. Veçantia e atij edicioni mbetej shorti, që na futi në grup me dy të mëdhenjtë e Evropës: RFGJ- N/Kampione e Botës dhe Jugosllavia, që u bë në atë sezon N/Kampione e Europës. Kishim marrë 6 gola nga gjermanët dhe 6 gola për dy ndeshje nga jugosllavët. Ky bilanc ishte katastrofik. Ditët e futbollit të kombëtares sonë u bënë të zymta. Zyrat e FSHF-së, u bënë të ftohta.
Brenda tyre davaritej mërzi vetëm mërzi. Nga emërtesat sportive të shtetit filluan të dilnin lajme ogurzeza. Kupola e shtetit shqiptar, nuk mundi t’i kapërdinte ato lloj humbje. Sistemi socialist që kishim, konsiderohej më i përparuari i kohës, ndaj rezultatet diskredituese, vinin ndesh me atë apologji. U krijua një klimë kapitullimi e çuditshme, por më se e vërtetë. Kombëtarja e futbollit pas ndeshjes së fundit me RFGJ-në, do të “pushonte”.
Menjëherë u ndalua pjesëmarrja në eliminatorët e kampionatit botëror të vitit 1970-të, që do të zhvillohej në Meksikë. “Ndeshja e shekullit” 17.12.1967-të! Kishin mbetur një muaj e pesë ditë për ndeshjen, Shqipëri – Republika Federale Gjermane. Ekipin kombëtar e gjeje në Konvaleshencën e Ushtrisë në Durrës. Humbjet e fundit kishin mbledhur aq mllef, sa që askujt nuk i shkonte ndërmend të habitej, që Kombëtarja e Futbollit Shqiptar, udhëtonte me një autobus “rrangallë”, me xhama të ciflosur dhe llamarina të shtrembëruara. Ishe hera e parë, por ishte fakt ajo gjë. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














