Nga Nafi Çegrani
Pjesa e dytë
Memorie.al / Historia e shqiptarëve është e mbushur me figura që jetuan mes hijes dhe dritës, mes padrejtësisë dhe përpjekjes për të shpëtuar sadopak dinjitetin e një kombi të syrgjynosur në shekuj. Në këtë labirint të gjatë, ku kufijtë janë vizatuar me dhunë dhe padrejtësi nga duart e fuqive të mëdha, ka pasur njerëz që, edhe pse të heshtur, lanë gjurmë të pashlyeshme në mbrojtjen e interesit kombëtar. Një ndër këta është kolonel Sali Dani, i cili nuk ishte vetëm një oficer i zbulimit, por mbi të gjitha një shqiptar i formuar, me vizion të kthjellët dhe me zemër të ndezur për Atdhe.
Konferenca e Londrës më 1913, ishte fillimi i tragjedisë moderne. Në emër të një paqeje të brishtë evropiane, fuqitë e mëdha – Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia – prenë mishin e gjallë të një kombi, duke ia dorëzuar tokat më të pasura fqinjëve. Kosova dhe viset e tjera iu dhanë Serbisë, Çamëria iu dha Greqisë, viset e Malësisë iu ngjitën Malit të Zi, ndërsa trevat në Maqedoni, mbetën nën sundimin sllav. Kështu, shqiptarët u bënë populli më i ndarë i Evropës, duke u shpërndarë në pesë shtete të Ballkanit.
Këto ndarje nuk ishin thjesht çështje kufijsh, por ishin plagë që copëtuan kulturën, gjuhën, ekonominë dhe vetë ndërgjegjen kombëtare. Dhe për të përforcuar këtë padrejtësi, u aktivizuan aparatet e shërbimeve sekrete të fqinjëve, të cilat punuan pareshtur për të shuar çdo aspiratë për bashkim. UDB-ja jugosllave dhe KOS-i ushtarak e morën përsipër rolin e mbajtjes nën kontroll të shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, duke përdorur dhunën më brutale. Asfalia greke, në anën tjetër, vijoi terrorin në Çamëri, duke djegur kulla dhe duke zhdukur gjurmët shqiptare.
Por përgjegjësia e fuqive të mëdha nuk ndalet vetëm në vitin 1913. Edhe gjatë shekullit XX-të, diplomacitë perëndimore shpesh zgjodhën stabilitetin e rremë mbi drejtësinë. Në emër të balancës gjeopolitike, ato mbështetën Jugosllavinë si një “gardian” ndaj Lindjes komuniste, duke mbyllur sytë para shtypjes së shqiptarëve. Kjo heshtje ndërkombëtare ishte një tjetër formë dhune, e cila ua mohoi shqiptarëve zërin dhe e bëri të ligjshme padrejtësinë e përhershme.
Figurat si kolonel Sali Dani dhe shumë të tjerë që kam përmendur edhe më lart, kishin një mision të dyfishtë. Nga njëra anë, ata përballeshin me aparatet e huaja që synonin përçarjen dhe shuarjen e rezistencës shqiptare. Nga ana tjetër, ishin të vetëdijshëm se përballeshin me një sistem të padrejtësisë ndërkombëtare, ku kombi shqiptar shihej gjithnjë si një faktor i vogël, i neglizhuar, i flijuar për interesat e të tjerëve.
Ajo që i bënte këta burra të veçantë ishte se nuk u nënshtruan kurrë para kësaj logjike. Në zemrat e tyre mbante gjallë një ideal: bashkimi i trojeve shqiptare nën një flamur, ringjallja e një Shqipërie të tërë, e denjë dhe e lirë. Edhe pse e dinin se fuqitë e mëdha shpeshherë ishin të verbra ndaj dhimbjes sonë, ata nuk e humbën shpresën dhe nuk e lanë të shuhet zjarri i rezistencës.
Në këtë kuptim, puna e tyre ishte edhe një formë proteste e heshtur ndaj padrejtësisë ndërkombëtare. Çdo raport që ata shkruanin, çdo agjent që dekonspironin, çdo informacion që i sillnin shtetit shqiptar ishte një gur i hedhur kundër murit të padrejtësisë historike. Ata e dinin se ndoshta nuk do ta shihnin të realizuar bashkimin, por gjithsesi e konsideronin detyrë të tyre të ruanin gjallë idenë e tij. Në ato burgje, ku nata nuk kishte mëngjes dhe ku koha dukej se qëndronte pezull mbi shpirtrat e shtrydhur, kam kuptuar më thellë se çdo të thotë të jesh shqiptar.
Kam parë aty njerëz që kishin vetëm një “faj”: dashurinë për atdheun, kërkimin e lirisë, përmendjen e emrit të Kosovës si pjesë e pandarë e kombit tone, të cilat mizori i kam përjetuar në dejet e mia që nga viti 1981, si një ish zyrtar i SDB jugosllave komuniste që isha arratisur në Amerikë, me vite e vite i kam përjetuar vetë atë që dikur e kishin përjetuar edhe të tjerë shqiptarë nëpër burgje, në internime, në syrgjynosje.
Dhe pikërisht aty, mes mureve të lagështa dhe prangave të ftohta, mendja ime kthehej te figura të tilla si kolonel Sali Dani, te Marko Laçka, Galip Sojli, Ramazan Domi, dhe shumë të tjerë. Ata kishin luftuar me armët e zbulimit, me mençurinë e informacionit dhe me besnikërinë e heshtjes. Unë, ashtu si shumë të tjerë, luftoja me durimin, me dinjitetin dhe me refuzimin për të thyer shpirtin tim. Në këtë paralelizëm të hidhur, kuptova se beteja e kombit shqiptar nuk zhvillohej vetëm në kufijtë e mbrojtur nga zbuluesit, por edhe në burgjet ku përpiqeshin të shuanin zërin tonë.
Burgjet ishin një front i dytë, po aq i rëndësishëm sa fushat e betejës së fshehtë të spiunazhit. Në njërën anë luftonin profesionistët e zbulimit, për të mos lejuar infiltrimin e armikut; në anën tjetër, ne të burgosurit politikë luftonim për të mos lejuar thyerjen e shpirtit shqiptar.
E dija se isha aty si pasojë e planeve të UDB-së, që kërkonte hakmarrje ndaj meje për qëndrimet politike dhe kombëtare. Por unë zgjodha të mos u nënshtrohem. Dhe kjo zgjedhje, sado e dhimbshme, më bëri të kuptoj edhe më shumë misionin e figurave si Sali Dani: të mos dorëzohesh kurrë, as përpara dhunës, as përpara padrejtësisë.
Kështu, përvoja ime personale nuk ishte e shkëputur nga historia më e gjerë. Ajo ishte një vazhdim i natyrshëm i dramës së kombit tonë: një dramë ku çdo shqiptar që nuk e harron veten, është i dënuar të vuajë. Por në të njëjtën kohë, ishte edhe një dëshmi se ky komb ka njerëz që nuk përkulen, që nuk e lëshojnë idealin, që e bartin mbi supe barrën e historisë si një kryq të rëndë, por edhe si një amanet të shenjtë.
Dhe sot, kur kujtoj ato ditë të errëta, kuptoj se nëpër burgje nuk ishim të vetmuar: aty, me ne, ishin në shpirt edhe ata që luftonin jashtë burgjeve, në zyrat e fshehta, në kufijtë e rrezikshëm, në betejat e padukshme. Ishte një bashkëjetesë e pashpallur e fateve: ata luftonin që armiku të mos na shkatërronte nga jashtë, ne luftonim që të mos e shkatërronin shpirtin shqiptar nga brenda.
Trashëgimia morale e kolonel Sali Danit dhe brezit të tij
Historia është një mozaik i përbërë nga fate njerëzore, nga veprime të guximshme dhe nga sakrifica të fshehta që shpesh nuk marrin dritën që meritojnë. Në këtë mozaik, figura si kolonel Sali Dani, por edhe bashkudhëtarët e tij, janë gurët më të çmuar, sepse mbi ta ndërtohet jo vetëm kujtesa kombëtare, por edhe morali i gjeneratave të ardhshme.
Sali Dani nuk ishte vetëm një profesionist i zbulimit, një mjeshtër i heshtur i konspiracionit dhe i informacionit; ai ishte një njeri me shpirt të pastër dhe me vizion të qartë për të ardhmen e kombit. Çdo veprim i tij, çdo informacion i mbledhur, çdo hap i matur në labirintet e spiunazhit, ishte i lidhur ngushtë me kauzën e madhe të bashkimit kombëtar. Ai nuk e shihte veten si një individ të ndarë nga historia, por si pjesë të një zinxhiri të gjatë përpjekjesh, ku çdo hallkë kishte detyrën e vet të shenjtë.
Duke nisur nga këto motive, unë vetë, me mendime të çiltërta dhe me bindjen se e vërteta nuk duhet të heshtë, kam vendosur që këto histori t’i përshkruaj në librat e mi. Në veprën “Stuhia e Bosforit” dhe libri II, “Heshtja e fshehtë”, por edhe në librat e mëparshëm, kam shkruar duke ua heq maskën shoviniste krerëve të UDB-së, si kriminelit Kole Ilievski e të tjerë, duke i nxjerrë në pah me fytyrat e tyre të vërteta, pabesitë dhe intrigat e tyre, tendencat e hapura që kanë thyer shpirtin shqiptar.
Në një anë ata ishin dhe kishin krijuar – agjenturat e nëntokës sllavo-ruse dhe greke, me misionin e tyre të errët për të zhdukur gjurmët e kombit tonë, për të copëtuar trojet shqiptare, për të djegur kullat dhe varret e Çamërisë, për të helmuar çdo shpresë dhe triumfi që lindej në Kosovë.
Në anën tjetër ishim ne – shqiptarët me gjak e deje, me njerëz që, si Sali Dani, punonin heshturazi, jo për interesa të ngushta personale ose për të mbush valixhet me dollarë, por për një vizion më të madh: kombin e bashkuar dhe të lirë me trojet e veta etnike, siç kam shkruar edhe në librin me titull; “Platforma e strategjisë Kombëtare shqiptare”.
…Veprimet e inteligjencës shqiptare, të mishëruara nga figura si Sali Dani, ishin thellësisht humane, të mbështetura mbi një dashuri të madhe për jetën, për njeriun dhe për lirinë. Ata nuk luftonin për hakmarrje, por për drejtësi; nuk spiunonin për urrejtje, por për mbijetesën e kombit të tyre.
Veprimet e agjenturave të huaja, në të kundërt, ishin tendencioze, të ngarkuara me urrejtje primitive dhe me synimin e qartë për të shkatërruar kulturën, gjuhën dhe identitetin shqiptar. Ato ishin një vazhdim i logjikës së perandorive që e kanë parë gjithmonë Shqipërinë si një gur shahu në lojërat e tyre.
Prandaj trashëgimia morale e Sali Danit, nuk qëndron vetëm te veprat e tij konkrete, por te fryma që ai përfaqëson: te besimi se edhe përballë forcave të mëdha, një njeri i ndershëm dhe i përkushtuar mund të bëjë dallimin. Ai është dëshmi e gjallë se shqiptari nuk është vetëm viktimë e historisë, por edhe aktor i saj; jo vetëm i nënshtruar nga fuqitë e mëdha, por edhe sfidues i tyre.
Kjo trashëgimi nuk duhet të mbetet vetëm në kujtesën e heshtur të arkivave, as vetëm në rrëfimet e fshehta. Ajo duhet të bëhet pjesë e vetëdijes sonë kombëtare, të futet në librat e shkollës, në narrativat publike, në frymëzimin e rinisë sonë. Sepse pa këto figura, historia jonë do të ishte më e varfër, e copëzuar dhe e zhveshur nga dinjiteti.
Unë, në shkrimet e mia, kam synuar të bëj pikërisht këtë: të ngre një urë midis së kaluarës së heshtur dhe së tashmes sonë, që brezat e ardhshëm të kuptojnë se liria dhe dinjiteti nuk janë dhurata të huaja, por fryte të gjakut dhe të sakrificës së njerëzve tanë më të mirë. Kjo është arsyeja pse edhe librat e mi nuk janë vetëm rrëfime personale, por edhe thirrje për ndërgjegje kombëtare.
Sepse Sali Dani dhe brezi i tij nuk janë vetëm emra për t’u përmendur; ata janë një pasqyrë ku secili prej nesh duhet të shohë veten, një busull morale që na kujton se, edhe në errësirën më të madhe, shqiptari mund të mbetet dritë.
Amaneti i historisë
Çdo libër që shkruhet mbi historinë e shqiptarëve, është një dëshmi e gjallë e asaj që nuk guxojmë ta harrojmë. Ky libër, që mban titullin “Hijet e fshehta”, nuk është thjesht një rrëfim për spiunazhin dhe për konspiracionin në horizontet e Ballkanit; ai është një pasqyrë ku shihet qartë kontrasti mes errësirës dhe dritës, mes pabesisë dhe besnikërisë, mes atyre që u përpoqën ta shkatërrojnë kombin tonë dhe atyre që e ruajtën si sytë e ballit. Ata nuk ishin thjesht profesionistë të ftohtë të inteligjencës, por njerëz me shpirt të madh, që sakrifikuan gjithçka për një amanet më të lartë: shqiptarinë.
Në anën tjetër, kemi parë se si agjenturat e huaja – UDB-ja jugosllave, KOS-i ushtarak, Asfalia greke dhe gjithë mekanizmat e nëntokës sllavo-ruse – kanë vepruar me një urrejtje primitive dhe me një qëllim të vetëm: të zhbëjnë kombin shqiptar. Dhe nuk kanë qenë vetëm ata.
Fuqitë e mëdha, të cilat shpesh flasin në emër të demokracisë dhe të drejtësisë, kanë mbajtur përgjegjësi të rënda në copëtimin dhe në përçarjen tonë historike. Ata kanë vënë kufij atje ku nuk duhej, kanë heshtur përballë padrejtësive, dhe shpesh kanë bërë kompromis me shovinistët, duke lënë shqiptarin të mbijetojë në gjak e në varfëri.
Por ajo që e bën këtë histori më të madhe është fakti se, pavarësisht gjithçkaje, shqiptari nuk është shuar. Edhe në errësirën e burgjeve, edhe në syrgjynosjen e pafundme, edhe nën kërcënimin e armëve dhe të intrigave, ai ka mbajtur të gjallë një dritë që nuk shuhet. Kjo dritë është drita e amanetit, drita e një ideali që nuk njeh kufij: bashkimi kombëtar dhe liria e plotë.
Për këtë arsye, unë, si autor dhe dëshmitar, nuk kam synuar me këtë libër të nxis urrejtje ndaj fqinjëve tanë, as të kërkoj atë që nuk është e jona. Qëllimi im ka qenë dhe mbetet: të kërkoj tonën, të mbroj të drejtën tonë historike, të dëshmoj se shqiptari nuk mund të mbetet gjithmonë peng i lojërave të huaja.
Atje ku koha ndalej, e ku dhimbja ishte e vetmja shoqe, kuptova më mirë se kurrë se kauza shqiptare nuk është një ide e largët, por një realitet që kërkon gjak, durim dhe sakrificë. Dhe pikërisht për këtë arsye, kur shkruaj për Sali Danin e shokët e tij, nuk flas vetëm për të kaluarën; flas për një mision që vazhdon. / Memorie.al