Nga Prof. Dr. Aleksandër MEKSI
Pjesa e parë
Memorie.al / Në historinë shqiptare të këtyre 25-30 viteve të fundit, ka mjaft ndodhi, veprimtari e krime të së kaluarës, të cilat ngaqë mbesin të pasqaruara, dalin herë pas here përpara opinionit publik, i cili për nga interesi për to ndahet në dy grupe, veç indiferentëve dhe atyre që janë të zënë me “punë” më të mëdha, ata që kërkojnë të vërtetat, sido që jenë, vetëm të vërtetat dhe gjithë të vërtetën, dhe ata që nuk e dëshirojnë këtë, që kërkojnë ta fundosin procesin apo kërkojnë të ndriçohen vetëm aspekte të favorshme për ta (ose së pakut jo të disfavorshme). Për mua personalisht, kufiri ndërmjet atyre që kërkojnë këto të vërteta dhe atyre që nuk e duan apo, dhe pengojnë një gjë të tillë, është vija e demarkacionit ndërmjet demokratëve dhe nostalgjikëve të së djeshmes, së turpshmes komuniste. Njësimi i propozimeve të tyre do të thotë; që nuk ka sot për sot një vijë të tillë.
Por historia dhe koha kanë treguar se problemet, edhe pasi fundosen, mbeten përpara nesh dhe ri dalin përherë e më tepër me kërkesën për të nxjerrë në shesh të vërtetën, për njohjen e dukurisë, për shërimin e plagëve, për demaskimin e autorëve të politikave dhe veprave kriminale që na turpërojnë të gjithëve, por dhe për mënjanimin nga skena politike e publike (të emëruar me status civil ose politik), të atyre që kanë treguar se janë të ligj ose të dobët, apo të papërgjegjshëm, ose të pafytyrë e të pacipë, e për këtë kanë dhunuar shqiptarët, sepse nuk mund të gatuhet buka me brumë të thartuar.
Dhe këta nuk janë vetëm “spiunët”, siç po dëgjojmë sot, por dhe operativët, hetuesit e drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, anëtarët e plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së e ministrat e kohës së diktaturës, ata që kanë dënuar më tepër se ligji, denoncuesit, dëshmitarët rëndues etj., etj.
Një ndër këto çështje të historisë sonë bashkëkohore, është ajo e dhunës komuniste të diktaturës së proletariatit, nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, problemi i dosjeve, siç quhet për shkurtim nga disa, por me qëllim të keq nga të tjerë, duke reduktuar çështjen, për të njohur vetëm një aspekt të të kaluarës së dhunshme, atë që lëndon vetëm të tjerët, jo ata të çetës së tyre.
Duke parë se sot publiku me të drejtë po ri-interesohet, por dhe po manipulohet, keq informohet ose dhe devijohet diskutimi me dashje, ashtu si ka dhe të tjerë (shumica) që flasin pa e njohur dukurinë, po paraqesim këtë shkrim, ku dëshirojmë të trajtojmë politikat, strukturat dhe efektivat e dhunës së diktaturës së proletariatit, dhe në çfarë mënyre është dokumentuar ajo në arkivat e kohës, si dhe shkallën e ruajtjes së këtij dokumentacioni.
Këto aspekte janë më se të domosdoshme për t‘u njohur, në mënyrë që ato praktika, doktrina, synime e qëndrime të mos përsëriten, por edhe sepse është koha për të dënuar përfundimisht ata, organizatorët, drejtuesit e saj dhe veprimtarët aktivë dhe të vetëdijshëm ose jo, dhe pse jo, dhe apologjetët.
Këtë, ndriçimin e krimeve të komunizmit dhe hetimin e tyre, ndër të tjera, kërkon dhe Rezoluta nr. 1481, 25.01.2006, e Këshillit të Evropës, kërkesë më se e domosdoshme që e kaluara të mos përsëritet, të cilën ish-komunistët dhe ish-punonjësit e Sigurimit të Shtetit, e zëvendësojnë me dosjet dhe spiunët.
Shpresoj që dënimi i këtyre krimeve do të bëhet në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare dhe jo vetëm për ndodhitë e këndejshme, sepse kohët e fundit ka dhe andej nostalgjikë të regjimit të urryer enveristo-komunist, kur mendojnë se është e drejta e tyre, (ose siç thonë në Shkodër: “Kështu ja u do zogu i qejfit”) të nderojnë ata, t‘i festojnë dhe t‘u lënë gjurmë në jetën e përditshme. Është njëlloj sikur këndej kufirit të nderonim Miladinëra e të tjerë shërbëtorë të tyre, banditë e xhelatë të shqiptarëve andej kufirit.
Prandaj dhe të vërtetat duhet të dihen. Dhe këtu lind problemi dhe konfrontimi ndërmjet njerëzve, të flasin apo të heshtin, t‘ia lëmë historisë thonë të tjerët (e kanë fjalën për nesër, kur ata të mos jenë më), duke harruar se historia shkruhet dhe sot. Veçse për ta kryer me drejtësi dhe ndershmëri këtë, duhet që më përpara të njohim faktet e vërtetueshme dhe dokumentet autentike, pastaj të bëhet gjykimi kritik dhe shkrimi i saj.
KRIJIMI I SIGURIMIT TË SHTETIT
Gati për 70 vjet një grup i vogël drejtuesish, të përzgjedhur nga komunistët serbë, armiq shekullorë të racës shqiptare, i futi shqiptarët në qorrsokak, në prapambetje nga Evropa dhe qytetërimi, të cilit ne i përkasim dhe aspirojmë. Për të mbetur përjetësisht në krye, ata përdorën dhunën, duke e ngritur atë në sistem, sipas modelit të mësuesve të tyre jugosllavë dhe rusë, në një sistem të organizuar, ku themeltare ishin partia dhe Sigurimi i Shtetit, nga të cilët, e para hartonte politikat e dhunës dhe jepte direktiva dhe urdhra, e dyta i zbatonte.
Siç thoshte (19 mars 1963) diktatori Hoxha në mesazhin me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Sigurimit të Shtetit, se ai; “së bashku me armët e tjera të diktaturës së proletariatit, dërrmoi rezistencën e klasave të mundura shfrytëzuese, të mbeturinave të tyre dhe armiqve të jashtme”.
Bërthamat e para të Sigurimit të Shtetit filluan të krijohen në mesin e vitit 1942, kur diktatori Enver Hoxha i vuri detyrë qarkorit të Partisë Komuniste së Tiranës, të organizonte një rrjet informacioni. Shërbimi Sekret Informativ u krijua zyrtarisht në Konferencën e Parë të PKSH-së, më 20 mars 1943.
Ndërsa më 18 nëntor 1944, Enveri hartoi një qarkore mbi organizimin e Shërbimit Informativ, i cili do të ishte “syri vëzhgues që zhvillimi të mos pengohet nga forcat e errëta antipopullore” dhe se ai duhet të jetë “kudo në ushtri, në terren, që poshtë e deri në krye”.
Pas përfundimit të Luftës, ky shërbim u kthye në Sigurimin e Shtetit. Aktivitetin, organizimin dhe detyrat e tij deri në vitin 1948, i njohim nga promemoria e Vaskë Kolecit (26.11.1948) me titull; “Mbi punën trockiste të organeve të Sigurimit të Shtetit”, ashtu si duhet të ketë në arkiva (të PPSH-së dhe të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme) materiale më të plota dhe zyrtare mbi punën e ish-Sigurimit të Shtetit, gjatë kësaj periudhe.
Rezultatet e dhunës dhe terrorit komunist në këto vite, të cilat tentohet t‘i vishen Koçi Xoxes dhe trockistëve jugosllavë kur janë të PKSH-së dhe regjimit të Enver Hoxhës, dokumentohen saktë në numrin e të arrestuarve me akuza politike për vitet 1944-1948, të cilët janë respektivisht 431, 5021, 2909, 1874, 1421 persona, pra gjithsej 11.656, prej të cilëve janë vrarë (nuk po përmend termin “zyrtar” pushkatuar) pa gjyq respektivisht 584, 180, 116, 50 dhe 28 persona. Pra, gjithsej 958 viktima fatkeqe të terrorit komunist. Mos harroni që Shqipëria në ato vite kishte më pak se 1 milion banorë.
Do të mjaftonin vetëm këto të dhëna për të kuptuar egërsinë dhe anormalitetin e asaj klase politike, që mori me dhunë pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Nuk janë raste të veçanta që t‘u vishen personave të veçantë, të cilët më vonë dhe ndëshkohen. Janë dëshmi rrëqethëse të një politike kriminale antishqiptare, e cila patjetër ndikoi, në mënyrë të pashmangshme, historinë e mëtejshme të Shqipërisë dhe jetën shqiptare.
Në shtypin shqiptar të këtyre viteve të fundit, janë dhënë shpesh informacione dhe dokumente për urdhrat e drejtpërdrejta të diktatorit Enver Hoxha, për vrasje pa gjyq etj. Por, sidoqoftë, këto vite janë një periudhë që duhet hetuar e studiuar më mirë dhe në mënyrë më të plotë në arkiva, shtypin e kohës dhe atë të mëvonshëm. Platforma e Sigurimit të Shtetit e vitit 1948, paraqet “gabimet” e organit përpara Plenumit të 11-të, rezultat i “frymës trockiste të theksuar” të Koçi Xoxes:
– Vënia e partisë nën kontrollin e organeve të Sigurimit të Shtetit
– Kryerja e akteve të jashtëligjshme
– Keqpërdorimi i popullit
– Format e organizuara të papërshtatshme të punës, të kopjuara nga trockistët jugosllavë
– Në metodën e punës edhe ajo e kopjuar nga trockistët jugosllavë
Këto veçanti, sipas platformës, e transformuan shtetin tonë në një shtet policor. Kaq besoj se mjafton për të kuptuar terrorin e shfrenuar e antishqiptar të atyre viteve. Ishte përmbushja e kësaj detyre që kushtëzoi dhe nivelin arsimor të punonjësve të MPB-së, të cilën e njohim për vitin 1952. Autodidakt (pa shkollë) janë 279 punonjës, me arsim fillor 2126, me shkollë unike 750, me shkollë të mesme 102, me shkollë të lartë vetëm dy punonjës, gjithsej 3253.
Me këtë platformë (viti 1948), organet e Sigurimit të Shtetit vihen nën kontrollin dhe drejtimin e drejtpërdrejtë të Partisë, duke kërkuar që “puna e Sigurimit të centralizohet në një pikë të vetme, në Komitetin Qendror të PPSH-së”. Kjo realizohet duke asistuar në mbledhjet e partisë të organizatave bazë të Sigurimit, sekretarit të parë ose atij organizativ të rrethit, për t‘i ndihmuar në zbatimin e vijës së partisë.
Organet e sigurimit detyroheshin të informonin rregullisht partinë për veprimtarinë e tyre, domethënë sekretariatin e PPSH-së, për të gjitha veprimet e Sigurimit, byronë politike për veprimet kryesore të sigurimit, ndërsa Komiteti Qendror për çështje me rëndësi të veçantë.
Nga kjo kuptohen lidhja “si mishi me thoin” e të dyja strukturave dhe përgjegjësia e njëjtë e tyre për hartimin dhe zbatimin e politikave, si dhuna e diktaturës së proletariatit, lufta e klasave etj…! Në terren, Sigurimi informonte sekretarin politik të komitetit të partisë për problemet e punës, por jo për informatorët dhe ata që përpunohen. Për këta të fundit, ata mund të informoheshin nga Komiteti Qendror, nëse shihej e nevojshme.
ORGANIZIMI I SIGURIMIT TË SHTETIT
Sigurimi i Shtetit kishte si drejtor të tij një nga zv/ministrat e MPB-së dhe varej, siç treguam më lart, nga ministri dhe kupola e PPSH-së, si dhe nga një sektor i posaçëm pranë Komitetit Qendror. Sipas platformës (1948), funksionarë të Sigurimit të Shtetit, quhen njerëzit e Sigurimit (oficerë, nënoficerë, nëpunës) që kanë funksione legale ose ilegale në qendër dhe terren.
Bashkëpunëtorë të Sigurimit quheshin të gjithë njerëzit e Sigurimit të padeklaruar botërisht, që shërbejnë ilegalisht për Sigurimin. Ata janë: rezidentë, informatorë, dhe strehues (platforma 1948). Ndërsa në platformën më të plotë e të hollësishme të vitit 1954, thuhet se; “rrjeti agjenturial është arma kryesore në duart e organeve të Punëve të Brendshme, në luftën e tyre kundër armiqve të popullit dhe përbëhet nga informatorët, agjentët, rezidentët, strehuesit”.
Informatori ishte bashkëpunëtori sekret, i cili kishte për detyrë të vigjilonte punën e armikut dhe të informonte menjëherë. Ai përzgjidhej nga operativi dhe miratohej nga shefi i tij. Informatori rekrutohej nga elementë të kompromentuar me armikun, ose mbi baza patriotike.
Në rastin e parë “…zakonisht ai vjen nga kontingjentet armiqësore (kulakë, pa triska fronti, ish-ballistë), por që aktualisht nuk zhvillojnë aktivitet armiqësor”. Ai mund të jetë gjithashtu dhe anëtar partie pa përgjegjësi, që punon pa ia imponuar kush, por numri i tyre duhet të jetë sa më i kufizuar. Informatori, kur rekrutohej lëshonte një deklaratë bashkëpunimi dhe mos dekonspirimi.
Agjenti ishte një bashkëpunëtor sekret i kualifikuar, që kishte ose mund të krijonte lidhje me elementë armiq dhe rekrutohej zakonisht mbi bazë elementi rekrutues real, që të mund t‘i imponohej rekrutimi. Rrallë mund të jetë mbi baza patriotike dhe shumë rrallë anëtar apo kandidat partie. Miratimi i tij bëhej nga ministri dhe zëvendësi i tij.
Rezidenti ishte një bashkëpunëtor sekret dhe ndihmës ilegal i operativit, që nën drejtimin e tij, mbante në lidhje deri në 8 informatorë, të cilët ai i drejtonte operativisht. Ai mund të ishte një anëtar partie, ose patriot shumë i vendosur, besnik dhe i sprovuar, që rekrutohej vetëm mbi baza patriotike dhe vullnetare. Ai mund të shpërblehej me rrogë të përmuajshme ose herë pas here, sipas rezultateve. Kur rekrutohej, ai lëshonte deklaratën e bashkëpunimit dhe mos dekonspirimit.
Strehuesi ishte zoti i shtëpisë konspirative që përdornin organet e Punëve të Brendshme, për të bërë takime me bashkëpunëtorët e tyre. Ai mund të ishte anëtar partie, ose patriot i sprovuar për besnikëri. Ai shpërblehej rregullisht dhe sipas nevojës. Kur një bashkëpunëtor tradhtonte, takimet e bashkëpunëtorëve në atë shtëpi ndërpriteshin.
Tërheqja në bashkëpunim sekret me detyrim bëhej mbi bazën e të dhënave operative, kallëzimeve ose dokumenteve të tjera të vërtetuara, që provonin se kandidati kishte kryer një vepër penale. Tërheqja bëhej në gjendje të lirë ose arresti. Në rastin e fundit masa e arrestimit bëhej me miratim të organeve udhëheqëse të MPB-së.
Në këto raste ndalimi për tërheqje bëhej brenda një afati prej 72 orësh. Por, vetëkuptohet, se për punë të pista si këto normat mund dhe mos të respektoheshin. Ka shembuj të shumtë për kapërcimin e këtij afati, ashtu dhe për përdorimin e kërcënimeve dhe torturave deri çnjerëzore, për të arritur qëllimin. Lidhjet e operativit me agjenturën. Një operativ mund të mbante rreth 15 lidhje agjenturiale, si me disa rezidentë, ashtu dhe me disa agjentë dhe informatorë.
Ai duhej të takohej jo më pak se dy herë në muaj me ata, të dëgjonte raportin dhe pastaj ta merrte me shkrim në prani të tij. Operativi në këto takime i vinte bashkëpunëtorit detyra konkrete, bisedat dhe pyetjet që duhej të bënte. Nga ana tjetër, bashkëpunëtorët kontrolloheshin me të dytë dhe teknikë operativë (TO). Kur nuk i kryenin detyrat, kur refuzonin spiunimin, ata, sipas rastit, arrestoheshin ose përjashtoheshin nga rrjeti agjenturial.
Takimet e operativit me agjenturën, bëheshin vetëm në shtëpitë konspirative, ose në vende të tjera të fshehta, si në pyll dhe vetëm natën. Kur bashkëpunëtori ishte femër, duhej që në takim të ishin dy operativë. Përpunimi agjenturial ishte kontrolli i vazhdueshëm që i bëhej punës së armikut me anën e agjenturës. Kemi dy lloje përpunimesh: përpunim paraprak dhe përpunim aktiv.
Përpunimi paraprak i një personi fillonte atëherë kur organet operative dyshonin për këtë person dhe merrnin të dhënat e para që tregonin aktivitet armiqësor. Ai zgjaste deri 6-muaj. Përpunimi paraprak bëhej për të hetuar nëse personi i dyshuar zhvillonte ose jo veprimtari armiqësore. Nëse po, ai regjistrohej në kartotekën e elementit armik (kartoteka e dytë) dhe vihej në përpunim aktiv. Në këtë kartotekë ata vendoseshin në kategorinë II/B ose II/A.
Te kategoria II/A regjistroheshin të gjithë ata elementë armiq që zhvillonin veprimtari armiqësore kundër partisë dhe pushtetit (lexoje mirë: kundër partisë dhe pushtetit – shënimi ynë A.M.), ndërsa në kategorinë II/B elementët e dyshimtë që zhvillonin veprimtari kundërrevolucionare, e cila vlerësohej me qëndrimin dhe përbërjen e rrethit familjar dhe qëndrimin në punë. Rrezikshmëria shoqërore e një personi përcaktohej jo vetëm nga e kaluara, por dhe nga mundësitë që ai kishte për të dëmtuar pushtetin në kohën e tashme ose në të ardhmen.
Përpunimi aktiv bëhej me agjenturë paralele, ndërsa kategorizimi bëhej sipas përcaktimeve që parashiheshin qartë dhe ishin të hollësishme në platformë. Kartoteka e elementit armik dhe e agjenturës mbahej në degën IV-të të Sigurimit të Shtetit në rang Republike, ndërsa kartoteka e agjenturës përkatëse mbahej dhe në Degët e Punëve të Brendshme të rretheve.
Një vend të veçantë në platformë zinin rregullat dhe procedurat e arrestimit për krime kundër shtetit dhe ato ordinere. Po kështu, ishin dhe rregullat e posaçme për dëbim-internimet, për personat që paraqisnin rrezikshmëri shoqërore.
Propozimin për këtë e bënte drejtori i Punëve të Brendshme të rrethit, ose kryetari i degës Operative në qendër, duke e motivuar atë. Përpara kësaj merrej zyrtarisht dhe opinioni i Sekretarit të Parë të rrethit. Ky propozim shqyrtohej nga komisioni i dëbim-internimit, i cili, kolegjialisht e shqyrtonte dhe pasi merrte vendimin, ia kalonte organit propozues për veprim.
Sipas tyre, masa e dëbimit ose internimit merrej zakonisht kundrejt familjarëve të personave që arratiseshin, kundër personave që kishin qenë personalitete të regjimeve të kaluara dhe që paraqisnin rrezikshmëri shoqërore, si dhe kundër personave që paraqisnin rrezikshmëri shoqërore, por që nuk kishte fakte për t‘i burgosur.
Ka dhe një fakt interesant në platformën e vitit 1954, i cili flet për rastet kur ministri i Punëve të Brendshme, urdhëronte internimin ose dëbimin e një personi pa vendimin e komisionit. Në këtë rast, komisioni duhet të mblidhej brenda 3-ditëve për shqyrtimin e vendimit. Gjatë regjimit komunist, hetuesia politike për krimet kundër shtetit, ishte pjesë përbërëse e organeve të MPB-së. Platforma kërkonte që hetuesia të shqyrtonte me partishmëri çdo çështje.
Sipas saj, me hetuesinë merreshin shefi i Degës ose zëvendësi i tij për Sigurimin, si dhe hetuesit e tyre. Puna e hetuesisë së Sigurimit, kontrollohej vetëm nga prokuroria ushtarake. Ndër detyrat e Sigurimit të Shtetit, ishte dhe kontrolli postar e më vonë dhe ai telefonik. Atij i nënshtroheshin personat në përpunim agjenturial aktiv, kur shihej e nevojshme, të gjithë personat e arrestuar dhe të dënuar; të gjithë personat në kampet e dëbimit e internimit, si dhe çdo korrespondencë që Sigurimi i Shtetit dyshonte se kishte përmbajtje kundërrevolucionare.
Korrespondenca bllokohej, fotokopjohej ose mbaheshin shënime prej saj. Për sa i përket korrespondencës së jashtme, që përfshinte gjithçka: letra, biseda telefonike, telegrame, koliposta etj., kontrolloheshin të gjitha nëpërmjet punëtorëve operativë, legalë e ilegalë, si dhe nga rezidentë që duhet të ishin anëtarë apo kandidatë partie, por me poste jo më të larta se sekretari i organizatës bazë. Kontrolli mund të shoqërohej dhe me konfiskimin e objekteve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm