Nga Stavri Dajo
– LUFTA CIVILE GREKE, VIKTIMAT E POPULLSISË DHE TË ARRATISURIT POLITIKË SHQIPTARË TË KRETËS (1947) –
Memorie.al / Në kapërcyell të vitit 1946 dhe në ag të 1947-ës, qindra të arratisur politikë shqiptarë, ishin instaluar në kampe të ndryshme refugjatësh në Greqi ose, jetonin relativisht të lirë në banesa të braktisura ose rehabilituar shkel e shko në zona rurale, të cilët patën fatin të shpëtonin nga tehu e “oligarkisë së kuqe shqiptare” që po lindte (siç karakterizohej regjimi komunist shqiptar nga shtypi perëndimor i kohës) duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe duke përmbysur mëdyshjen fobike të vdekjes ose lirisë, në favor të lirisë. Bashkë me ta dhe shumë shqiptarë të Kosovës, numri i të cilëve arrinte në më shumë se 200, jetonin në të njëjta kushte.
Të gjithë këta zgjodhën Greqinë si vend strehimi, sepse besonin se Greqia u siguronte atyre garanci më të madhe për jetën se vendet e tjera fqinje, ku rreziku i dëbimit ose i zhdukjes fizike ishte eminent (Neshat Bilali, “Me Muharrem Bajraktarin drejt Greqisë: Historia e një udhëtimi 25 gusht-13 shtator 1946”, Zgjedhur dhe përgatitur nga Petrit Palushi, f. 24).
Greqia, më anë tjetër, ishte zhytur në një konflikt tragjik civil, për të cilin qeveria greke fajësoi tre vendet fqinje të epërsisë sovjetike, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Jugosllavinë – dhe jo padrejtësisht- si stacione furnizimi për rebelimin komunist, kundër regjimit konstitucional të vendit.
Bash për këtë, në shtator të vitit 1946, qeveria greke protestoi energjikisht pranë OKB-së për stimulimin e kryengritjes së komunistëve grekë nga fqinjët e saj veriorë (Kyros, “Sulmi i ri kundër Greqisë: Problemi Grek para OKB-së, janar 1946-dhjetor 1948”), dhe më 3 dhjetor, kryeministri i saj Konstantinos Tsaldaris, denoncoi raste flagrante incidentesh dhe shkelje të kufijve dhe të sovraniteti kombëtar.
Në kundërpërgjigje, ambasadori jugosllav në OKB, Sava Kosanović – i cili gjithashtu përfaqësonte regjimin shqiptar në bisedimet e OKB-së – akuzoi ashpër Greqinë për strehimin e “mijëra tradhtarëve dhe kuislingëve”, nga tre vendet.
“Këta tradhtarë e çetnikë, – theksoi ai, – bashkëpunojnë me policinë greke dhe terrorizojnë popullatën, në mënyrë që të nxisin urrejtjen etnike. Vetëm në shkurt të vitit 1945, 40 kriminelë shqiptarë të organizatës fashiste të pushtimit italian ‘Balli Kombëtar’, themeluar në Shqipëri dhe me metastaza në Jugosllavi, u arratisën për në Greqi”! (“Rizospastis”, 19 dhjetor 1944).
Partia Komunsite Greke (PKG) në propagandën e saj birësoi me besnikëri pikëpamjen jugosllave. Së bashku me PKG, Partinë Komuniste Italiane dhe të gjithë shtypin e majtë, cilësonte të arratisurit politikë nga Shqipëria, si; “kriminelë lufte”. Shtypi shqiptar fyente egërsisht gjithaq të arratisurit shqiptarë, cilësuar “bashkëpunëtorë të gjermanëve, kriminelë të etur për luftë, gjakatarë, banditë dhe renegatë të kombit”, që kanë si qëllim tjetërsimin e sovranitetit kombëtar të atdheut.
E drejta ndërkombëtare nuk kishte institucionalizuar ende një suazë të veçantë mbrojtëse për refugjatët. Vetëm UNRRA, rrekej frymëshuar për t’i shpëtuar, por edhe ajo i pezulloi aktivitetet e saj mirëbërëse, në vitin 1947.
Për të gjitha këto, më 19 dhjetor 1946, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për shkak të protestave dhe deklaratave verbale dhe kërkesave zyrtare, si nga Greqia, ashtu edhe nga tre fqinjët e saj veriorë, vendosi ngritjen e një Komisioni Hetimor.Komisioni vizitoi jetimoren Hatzikyriakeio në Piraeus më 17 shkurt 1947, për të hetuar 400 të arratisur politikë shqiptarë, që strehoheshin atje përkohësisht.
Krerët kryesorë që u pyetën ishin: Fiqiri Dine, Hysni Dema, Muharrem Bajraktari, Alush Leshanaku, Prenk Pervizi dhe Abaz Ermenji, të cilët patën luajtur rol në politikën shqiptare gjatë pushtimit italian dhe gjerman, si titullarë në ushtri dhe administratën publike. Përndyshe, Fiqiri Dine shërbeu edhe si kryeministër, për një kohë të shkurtër.
Të gjithë këta deklaruan njëzëri se ishin antikomunistë dhe se po të kishin qëndruar në Shqipëri, regjimi shtetëror do t’i kishte vrarë. Muharrem Bajraktari madje shtoi, se; Greqia është një vend i lirisë dhe demokracisë së mirëfilltë dhe i paraqiti një memorandum Komisionit, duke hedhur poshtë akuzat e Kosanović-it dhe përfaqësuesit shqiptar, Nesti Kerenxhi.
Dy ditë më vonë, më 19 shkurt 1947, komisioni vizitoi kampin e ishullit Siros në Ermoupolis, ku ishin rehabilituar 53 të arratisur politikë shqiptarë. Në Siros, megjithëse kampi funksiononte si vend riedukimi dhe masash disiplinore për të dyshuarit, të internuarit nuk u qanë për ndonjë gjë të keqe, thotë një i arratisur politik shqiptar, pasi popullsia e ishullit ishte shumë mikpritëse.
Ata që jetuan atje, ishin me fat. Në gusht të vitit 1946 në Siros kishte 1900 refugjatë nga të gjitha vendet, por më vonë numri i tyre arriti 132. Shumë prej refugjatëve jetonin me familjet e tyre, qarkullonin dhe punonin të lirë. Ndër shqiptarët e njohur në Siros, ishte Ali Nivica, i cili ishte arratisur në tetor 1944, nën presionin e forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, dhe Haki Rushiti, i cili gjithashtu u arratis në të njëjtën kohë.
Nesti Kerenxhi, zëvendësministër i Brendshëm dhe Drejtori i parë i Sigurimit të Shtetit (1946-1948), i ri dhe agresiv me sy mbuluar nën syze, i kërkoi komisionit, të “ballafaqohej me tradhtarët dhe renegatët shqiptarë”, duke i cilësuar ata si; “kriminelë të regjur lufte” dhe kërkoi ekstradimin e tyre dhe dorëzimin para drejtësisë shqiptare.
Po ashtu u hetuan Rexhep Ramadani dhe Luan Gashi, shqiptarë të Kosovës, të cilët thanë se të gjithë bashkatdhetarët e tyre ishin të lirë dhe u jepej një kompensim ditor, prej 2.000 dhrahmish. “Të tjerët, – nënvizoi Gashi, – punojnë në ndërtim”.
U mor në pyetje edhe komandanti i kampit, i cili hodhi poshtë pretendimin se të instaluarit në kamp, kishin shprehur vullnetin që të dërgoheshin për të luftuar në kufijtë e atdheut të tyre, siç padiste PKG dhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Bullgarisë dhe Jugosllavisë.
Oficeri shqiptar denoncoi gjithashtu se kriminelët shqiptarë të luftës, të cilët ishin strehuar në Greqi, dhe konkretisht; Hysni Dema, Alush Leshanaku dhe Prenk Pervizi, morën pjesë aktive në formacionet e përbashkëta ushtarake italo-shqiptare kundër Greqisë, në operacionet e tetorit–nëntorit 1940.
Akuzat në fjalë të Kerenxhit, shoqëruar nga Teodor Heba, Kadri Hazbiu, Nuri Huta, etj., të ndihmuar nga propaganda komuniste e PKG-së, por edhe nga një pjesë ekstremistësh grekë. të prirur armiqësisht kundër ardhacakëve shqiptarë. lëshuan një hije të rëndë mbi të arratisurit e pambrojtur dhe e vunë Greqinë në një pozitë tejet të vështirë. si vend i tyre pritës, i cili duhej t’i mbronte të arratisurit.
Për pasojë, të gjithë ata përjetonin një gjendje të nderë pasigurie dhe kërcënimi për t’u dëbuar, si rezultat i padisë së shtetit të tyre. Sidoqoftë, komisioni hetimor nuk u bind nga “provat” e përfaqësuesit të Sigurimit të Shtetit shqiptar dhe arriti në përfundimin se; të mbajturit nëpër kampe, gëzonin liri të plotë, u lejohej të lexonin libra dhe gazeta, dhe letërkëmbimi i tyre zhvillohej lirshëm përmes PTT-së së Greqisë.
Të gjithë të arratisurit hodhën poshtë pretendimin absurd se merrnin udhëzime ushtarake ose politike nga ndonjë mision ose autoritet i huaj. Në kampin e Siros, të arratisurit kishin afishuar një parullë të madhe: “Shpëtoni Shqipërinë nga terrori i kuq, çlironi një milion shqiptarë të Kosovës, nga tirania e tmerrshme e kuqe e regjimit jugosllav. Zhdukni Hoxhën e ndyrë dhe bandën e tij, nga Shqipëria”.
Disa nga të arratisurit shqiptarë, kryesisht shqiptarë të Kosovës, u gjetën në kampe ose kazerma të improvizuara ose në shkolla në Ierapetra në Lassithi të Kretës. Ierapetra shërbeu gjithashtu si kamp riedukimi për të dyshuarit dhe kundërvajtësit e rregullave të kampit.
Ndërkohë, lufta civile në Greqi po bëhej e ashpër dhe bashkëpunimi midis komunistëve shqiptarë dhe gueriljeve grekë, po forcohej. Pjesa më e madhe e ndihmave staliniste lindore, u kanalizua në frontin e luftës (Gramoz-Murganë) nga Shqipëria.
Më 9 maj 1947, tre muaj pas vizitës së Komisionit Hetimor në Greqi, në Veria, gueriljet u lëshuan në një sulm vrastar në një lagje civile, ku pati përleshje dhe disa viktima, në Elassona pati përleshje të armatosura, ndërsa në Lamia, një grup gueriljesh sulmuan dhe rrëmbyen popullsi civile, ndërsa plaçkitën fshatin Monastiri, të Domoko-së dhe Agrinion.
Në zona të tjera, u hodhën në erë fabrika, termocentrale dhe ujësjellësa. Në të njëjtën ditë, një grup gueriljesh sulmuan stacionin hekurudhor Kalamon, treni i të cilit përveç transportit të udhëtarëve të rregullt, transferonte dhe 28 komunistë të dyshuar, të shoqëruar nga xhandarmëria. Gjatë përleshjeve u vranë 8 oficerë të xhandarmërisë, ndërsa të gjithë komunistët u hodhën në arrati.
Por komunistët grekë konsiderojnë operacionin e Kretës, si suksesin më të madh operacional të pranverës së vitit 1947. Në të njëjtën ditë, pra më 9 maj 1947, një njësit gueril prej 100 personash, nën drejtimin e kapedan Ioannis Podias, sulmuan Ierapetra-n, një qytezë në Kretë me armë të rënda dhe sulmuan xhandarmërinë, duke pushtuar një pjesë të qytetit. Guerilet u përplasën me forcat e pakta të xhandarmërisë, të cilët u kapën në befasi.
Më pas forcat guerile u sulën kundër një kampi refugjatësh ku strehoheshin të arratisur shqiptarë, duke vrarë 11 prej tyre dhe plagosur 6, pas një beteje kacafytëse të ashpër trup me trup. Njëmbëdhjetë veta nga njësiti gueril u vranë dhe tetë u plagosën në përleshje. Kishte të vdekur dhe të plagosur dhe nga ana e xhandarmërisë. Forcat guerile u vunë zjarr depove të plehrave azotike, plaçkitën depot e ushqimeve dhe morën 1.300,000 dhrahmi nga filjali i Bankës Bujqësore.
Situata u agravua dhe përleshjet vrastare mund të përshkallëzoheshin shpejt. Për mbrojtjen e popullsisë civile të Kretës dhe të arratisurve shqiptarë, me urdhër të Ministrit të Transportit, Sofoklis Venizelos, u dërgua enkas në Kretë anija destrojere “Kreta”, e cila lundroi përgjatë bregdetit dhe u ankorua në portin e Heraklionit, për të ndihmuar përpjekjet e forcave lokale dhe për të tërhequr ata që kishin mbijetuar.
Për më tepër, një aeroplan ushtarak i forcave mbretërore greke, kryente fluturime për mbikëqyrjen e Ierapetra-s dhe për të mbrojtur kazermat e të arratisurve shqiptarë.
“Rizospastis”, i karakterizoi viktimat shqiptarë si kuislingë dhe referonte se kishte vetëm 6 të vrarë dhe 6 të plagosur. (“Rizospastis” 10 maj 1947). Më vonë, propaganda e majtë, duke riprodhuar akuzat e Kosanović-it, për bashkëpunim të të arratisurve shqiptarë me xhandarmërinë greke, theksonte se; “kishte mësuar se nazistët shqiptarë, kishin arritur deri në Lassithi, për t’u atashuar me xhandarmërinë vendëse atje. Ata ishin të vetmit që hapën zjarr ndaj forcave guerile dhe 11 prej tyre humbën jetën”. (Maro Douka, Në shtjellat e mitit dhe historisë. ‘Le të gënjejmë’. Roman, Botime Patakis).
Më vonë, më 10 shtator 2006, “Rizospastis”, njoftonte se midis të vrarëve të forcave kundërshtare, ishin 11 shqiptarë, bashkëpunëtorë të vjetër të pushtuesve gjermanë, të cilët tani ishin bashkuar me xhandarmërinë(!).
Në kujtimet e tij, i arratisuri politik Neshat Bilali, i cili u arratis në Greqi në shtator 1946, me Muharrem Bajraktarin, jep versionin e tij: “Para nesh, në nandor të ‘45-s, kish ardhë në Greqi nji grup shqiptarësh të Kosovës, si prej 50 vetash. Fillimisht, grekët i kishin mbajtë mirë n’Athinë.
Por këta dikur kishin nisë me u sjellë jo mirë, bile shpesh flinin nëpër stola t’lulishteve dhe ma s’fundi grekët, i çojnë në Kretë. I vendosin nëpër kazerma të vjetra dhe u thonë se po të dojshin me jetue, duhej të punojshin. Dalgadalë qe hapë fjala, se ishin nacionalista shqiptarë prej Kosove, turkos-alvanos.
Nji natë, nji grup komunistësh grekë, u shkojnë natën kosovarëve për t’i vra. Vrasin 21 vetë. U ba zhumrë e madhe. Muharrem Bajraktari, shkoi dhe u ankue te Ministria e Jashtme dhe kërkoi që kosovarët që kishin shpëtue, t’i binin n’Piré. Ma s’fundi i prunë edhe ata që kishin mbetë në Piré, te Haxhiqirjako. Kosovarët i vendosën në do çadra. Haxhiqirjako ishte nji kullë e madhe, me nji avli shumë të hapët. Aty erdhën edhe do shqiptarë të tjerë, që kishin mundë me ikë prej Shqipnije”. (Neshat Bilali, “Shënime mbi historinë”, Zgjedhur dhe përgatitur nga Petrit Palushi, f. 73)
Nuk mund të faktojmë ndonjë marrëveshje konspirative midis dy partive komuniste, (PKG dhe PKSH-së) për këtë keq-bërje në dëm të të arratisurve të vobektë shqiptarë, por nuk mund të pretendojmë as të kundërtën. Një muaj pasi u informua për ngjarjet makabre të Kretës, më 19 qershor 1947, qeveria shqiptare u kërkoi qeverive të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, që të ekstradojnë kriminelët e luftës dhe kuslingët – me një listë të gjatë emërore bashkëngjitur – për daljen e tyre të menjëhershme para drejtësisë popullore shqiptare.
Më 28 shtator 1947, ajo i përsëriti kërkesën e saj Komisionit Ndërkombëtar për Zbulimin e Kriminelëve të Luftës. (AMPJ, V. 1951, D. 205, Fl-169, Letra nga Mihal Prifti drejtuar Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Padilla Nervo). Më vonë qeveria e Tiranës përsëriti kërkesën disa herë, por organizatat ndërkombëtare nuk u bindën dhe Greqia asnjëherë nuk i dorëzoi të arratisurit politikë, përveç disa rasteve, pas vitit 1959.
Si përfundim, nën terrorin e diktaturës së proletariatit, populli shqiptar po provonte çdo ditë kufijtë e dhunës dhe moralit institucional. Prishja e këtij ekuilibri i bënte ata ose heronj ose lodra të bindura në duart e diktaturës komuniste. Zgjedhja e parë, pra mohimi i predikimeve të diktaturës, ishte i vështirë, por i bënte ata të lirë para ndërgjegjes së tyre, ndërsa alternativa e dytë, skllavërimi moral ishte një formë e limituar e të jetuarit.
Në kushte dhe rrethana të pafavorshme, e detyruar të ekuilibrojë reagimet agresive të brendshme dhe të jashtme, por kryesisht të oligarkisë së kuqe të vet shqiptarëve, Greqia e varfër dhe veçanërisht populli i saj i urtë dhe i drobitur nga Lufta civile vazhdoi të mirëpresë të arratisurit shqiptarë që përvidheshin kufijve të rreckosur, mbeturina skeletore nga mjerimi dhe terrori si të përndjekur politikë nga qeveria e tyre, deri në rënien e regjimit në vitin 1991 me bukën e pakët që kishte.
Thënë shkurt, Greqia vijonte të përkujdesej për ata shqiptarë të cilët atdheu i tyre i kishte etiketuar si; “mashtrues pa pasaportë” ose, më keq, si; “jashtëqitje të kombit”. Memorie.al
Shënim: Falënderoj ish të arratisurin politik në Greqi, Neshat Bilali, për informacionin që bujarisht më dha për hartimin e këtij shkrimi.
Fotot dhe diçiturat:
Jetimorja “Hatzikyriakeio”.
I arratisuri politik Muharrem Bajraktari, Greqi 1948.
Hysni Dema, i arratisur politik në Greqi.
Protesta në Shqipëri për dorëzimin e “krimineleve të luftës”.
Telegram i Hysni Demës nga Jetimorja Hatzikyriakeio, 1947
Të arratisur politikë shqiptarë në Greqi, 1948: nga e majta: Neshat Bilali, Muharrem Bajraktari, Esat Bajraktari, Tahir Vata.
Komisioni Hetimor në Louro të Thesprotisë, 1949.
Haki Tërpeza, i arratisur politik nga Kosova, Greqi 1948.
Halil Tërpeza, kosovar (djathtas), viktimë e sulmit të Kretës, 1947.
Të arratisur politikë shqiptarë në Athinë, 1949, Neshat Bilali dhe Tahir Vata.
Gazeta “Eleftheria” 11/5/1947
Kretë, 1940.
Gazeta “Empros”, 11/5/1947.
Kamp refugjatësh në Lavrio, 1950.