Nga NAZMI SEITAJ
Pjesa e dytë
Memorie.al / Që kur e pashë për herë të parë skulpturën monumentale të Aqif Pashë Elbasanit, kam mbetur i magjepsur nga ai realizim i ndritur klasik, ku çdo detaj i tij shprehet me një realizëm të kulluar e me ndjesi të ngrohta, teksa dalin në pah, tërë virtytet e këtij mendimtari e rilindasi të madh, thjeshtësia, intimiteti shpirtëror dhe delikatesa e humanistit intelektual, dashuria ndaj vegjëlisë, dëshira për të sakrifikuar dhe për të dhënë çdo gjë për të mirën e kombit (dora e majtë në zemër e me gishtin tregues drejtuar nga flamuri në krahun e djathtë) dhe ëndrra e tij e madhe, që Shqipëria të bëhet një vend i lirë, i pavarur dhe i përparuar ashtu si tërë ato shtete moderne të Evropës së qytetëruar. Atë kohë që u ngrit ky monument, më 25 nëntor të vitit 1995, autori i saj, fare i ri në moshë, ndoshta nuk e ka marrë me mend, se kjo vepër e tij, do të mbetej emblema e qytetit të Elbasanit. Që nga ajo ditë kanë kaluar thuajse njëzet vjet, ndërsa artisti Bujar Kapllani, ka realizuar edhe vepra të tjera, por njëkohësisht ka punuar edhe si profesor i Artit Pamor, në universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Ku ndjehesh më pranë me pikturën apo me skulpturën?
Ashtu si natyra edhe mendimet e bukura, edhe historitë e shëndetshme njerëzore, edhe kthjelltësia e brendshme botkuptimore për vlerat humane, të shtyjnë drejt simbolikave dhe metaforave të pikturuara si kompozime jetësore. Po ashtu edhe skulptura në punimet e mia përcjell ndërthurjen metafizike, logjike dhe ndjesore, ndaj mendoj se nuk mund të jesh i paracaktuar për të qënë piktor apo skulptor. Piktura erdhi si fillim, skulptura si shtysë, por të dyja bashkë janë pjesë e njëra tjetrës, asgjë nuk humbet, pa e kuptuar ato japin e marrin, kanë të përbashkët ndjenjën. Këtë gjë arrita ta kuptoj me vizatimet e studiuara prej meje, kur kërkoja formën në vëllime skulpturore të ndërthurura në tre elemente; dritë, hije, theks (kufiri i dritë-hijes), por nga ana tjetër duke i ndërtuar këto, dora fluturonte në struktura vijash piktoreske dhe trasparente, gjë e cila fitohet me ushtrimin e punimeve në akuarel, vaj e pastel.
Cilat janë pengjet që ju mundojnë?
Dëshira për të bërë monumente buron, jo vetëm atëherë kur kanë dëshirë e nevojë pushteti, për t’u mbështetur pas historisë, por edhe për shijet e ndjesitë e zakonshme qytetare, për t’i lartësuar ato në nivelet e duhura që kërkon urbanizimi modern i vendit, ku rrugët, sheshet, parqet në çdo moment të prekin ndjesinë e njeriut për të gjithë moshat e kategoritë njerëzore. Do të ishte shumë bukur që veç monumentit të flamurit në sheshe e rrugë, përveç fiksimeve historike, të kishim edhe tema të jetës së përditëshme, që e afrojnë njeriun më shumë me natyrën dhe lirinë, për të menduar me vlerat e tij individuale të ushqyera në gjirin e natyrës dhe shoqërisë së shëndetshme. Një skulpturë historike e pashoqëruar me këto vlera skulpturore do të ofronte vizione provincializmi.
Një figurë fëmije që luan diku në park, figura kafshësh që lundrojnë mbi shatrivane, diku një pemë mitologjike që lidhet me qytetin në alegorinë e kafshës dhe njeriut, lufta e përjetshme e vlerave njerëzore për t’u lartësuar, diku në një park universitar figura studentësh që studiojnë e meditojnë, diku një filozof që jep një mesazh njerëzor, diku një njeri të thjeshtë që ka ngritur zërin e ndërgjegjes qytetare kundër padrejtësive, por edhe forma abstrakte më emblematikë apo elemente natyrore që të shtyjnë te kultivimi i shijes të së bukurës.
Jeta nuk ka vetëm histori, ku militojnë modelet e pushtetarëve, por mbi të gjitha ka një burim të pashtershëm ndjenjash të natyrshme, të cilën ne e quajmë histori njerëzore. Pra ende nuk kemi kuptuar, në mënyrën sesi e konceptojmë skulpturën pushtetarët, se edhe heronjtë që kemi ngritur në piedestale kanë patur për mision çlirimin e ndjenjave njerëzore. Ne vemë kurora në këmbët e tyre, madje shtojmë dhe emra adhuruesish me origjinë pasunarësh, por harrojmë që artistët t’i vëmë në punë që të skalisin ndjenjat e vlerat e bukura njerëzore, si tharmi i një shoqërie të shëndetshme dhe humane në punët e së ardhmes.
Ndaj dhe më ka mbetur peng që të paktën një punë në dy vjet mund të kishim realizuar, bashkë me të dhe misionin tim si artist për të ndryshuar perceptimin e jetës, edhe për ata njerës që nuk janë artistë, por janë konsumatorë të vërtetë të vlerave artistike. Kam besim se kjo do të përmirësonte cilësinë e të menduarit dhe të jetuarit në një komunitet urban modern. Shpresoj që në të ardhmen pushtetarët mos e shohin dhe konvertojnë misionin e artistëve të vërtetë, si mënyrë fitimi të pasurisë dhe pushtetit, për veten e tyre. Mbi artin asgjë nuk ka vlerë, ku ka art ka kënaqësi për të jetuar në atë qytet, ka besim se gjërat përsëri do të rregullohen, ka partneritet qytetar për të zgjedhur më të mirën e asaj që quhet njerëzore.
Ju, veç artit tuaj në pikturë e skulpturë, jeni edhe pedagog i artit pamor. Si e konceptoni mësimdhënien e një artisti në sferën e artit të vet?
Vetë arti është “mësimdhënie”, por i maskuar në mesazhe njerëzore, ku ndërthuret plotësia ndjesore dhe logjika e aktivitetit krijues. Arti fillon si metafizikë e natyrës duke ushqyer ndjenjat dhe arsyetimin “shkencor” po kështu edhe mësimdhënia në art njësohet me leximin e rrugës, që përshkon artisti, si një njeri krijues në procesin e tij të brendshëm, duke ndjekur hapat e rritjes së aftësisë profesionale, duke e shndërruar në modele të gjalla edukimi për mësuesit e brezit të ri. Mësimdhënia futet edhe në historinë e zhvillimit të vlerave njerëzore në periudha, kombe dhe vende të ndryshme, të cilat janë modele të gjalla jo vetëm për mësuesit e ardhshëm por për çdo lloj profesioni; madje edhe për ekonomistët, jo vetëm për filozofët e historianët.
Historia e artit, është një pasqyrë e gjallë që prej njeriut primitiv e deri në njeriun e sotëm, për zhvillimin e kombit, shkrimit, mjeteve, teknikave, historive të pafundme njerëzore, zbulimeve shkencore, stilit të jetesës, mendimit filozofik dhe teorive estetike, evolimit të religjioneve, monarkive, reformave, zbulimeve të sekreteve të natyrës së zakonshme në mikrobotën e gjallë si dhe në fenomenet madhore të natyrës. Në art i gjen të gjitha, ndaj edhe është metoda më objektive në mësimdhënie për të mësuar historinë e ndjenjave njerëzore, që e kanë shpënë njeriun drejt zbulimeve të mëdha shkencore dhe ndryshimeve të pafundme të marrëdhënieve drejt politikave pozitive të së ardhmes. Arti është edukim. Studentët e duan artin, sepse arti i edukon më mirë sesa recitimet pa përfytyrim.
Si është vlerësuar monumenti i Edmond Hoxha në Kosovë?
Ky monument më sjell gjithmonë në dy gjendje, të gëzimit dhe të respektit që m’u bë kur m’u besua realizimi i këtij monumenti dhe tjetra, është pengu se nuk e mbajta dot në modelim dhe nja dy tre muaj më shumë, jo se kisha përfitim, por kisha shumë për të bërë në drejtim të plastikës profesionale për atë monument, mirëpo porositësit nxitonin, pasi kishin arsye objektive, ngaqë edhe vëllai i këtij heroi, u nda nga jeta katër muaj më pas. Ishte një nga shqiptarët e persekutuar nga pushteti serb, ishte ndër të parët që e ngriti zërin për flamurin, duke shkurtuar ditët e bukura të jetës në burgjet e Jugosllavisë. Këtu merr rrugë edhe edukimi i Edi Hoxhës, me dashurinë për kombin dhe flamurin shqiptar. Familja e tyre ishte bazë themelimi i kombit shqiptar, brez pas brezi, duke sakrifikuar çdo gjë për lirinë. Edi ishte në bërthamën nismëtare të themelimit të UÇK-së dhe është ndër tre heronjtë e parë të UÇK-së, vrarë në pusi.
Ajo që më bëri përshtypje në personalitetin e tij djaloshar, ishte jo vetëm bindja se liria e atdheut ishte e çmuar, por edhe fiziku i tij sportiv e madhështor, edhe me një bukuri si rrallëherë në mosha të tilla. Kur pashë foton e tij ndjeva dhimbje, adhurim, respekt dhe krenari. Gjëja e parë që më vajti ndërmend, kur e kompozova, ishte që ta bëja në ecje me vendosmërinë e hapit të majtë përpara, duke thirrur rininë kosovare për kushtrim, po me dorën e majtë drejt qiellit për liri dhe me gishtin tregues të dorës së djathtë, drejt tokës për atdhe.
Kjo ide më bëri t’iu rezistoj dëshirave të porositësve, për ta veshur ushtarakisht dhe për ta armatosur me armë, m’u krijua bindja se shpirti i Edi Hoxhës, ishte më lart se fuqia e uniformës dhe armës, saqë serbët e vranë në vrapim mes pyllit, me helikopter, pasi nuk e kapnin dot. Një muaj rresht iu argumentoja porositësve, (në e-mailet që shkëmbenim), vlerën që kishte shpirti djaloshar i rinisë kosovare, në figurën skulpturore të Edi Hoxhës.
Komunikimet qarkullonin në gjithë diasporën shqiptare, përfshirë personalitete shqiptare në perëndim dhe në Kosovë, të cilët u “dorëzuan” përballë argumenteve të mia, si krijues dhe bashkëkombës i tyre. Më dhanë të drejtën të vazhdoja sipas mendimit tim. Për një artist, kjo është arritje, sepse porositësit mund të më anashkalonin, nëse nuk do të më kuptonin. Nga mesi i procesit të punës, erdhën familjarët dhe motrat e heroit të cilat mbetën të kënaqur, jo vetëm me ngjashmërinë e skulpturës me heroin, por edhe me frymën që përcillte.
Puna po ecte mirë dhe kisha vendosur të bëja një vepër më të arrirë e më të bukur dhe me plot mendime, duke punuar për shtatë muaj e për çdo ditë, nga mëngjesi në darkë, gjithmonë me shqetësimin për ta bërë gati në ditën e kërkuar prej porositësve. Do të doja të kisha punuar dymbëdhjetë muaj. E veçanta e inagurimit për mua si autor, ishte momenti, kur i vëllai i heroit, Xhaviti, m’u shpreh: “Po më pëlqen edhe mua, që u bë ashtu si e mendove ti Edin, pa uniformë e pa armë”! Aty ai lexoi edhe rininë e vet që luftoi me shpirtin e tij kosovar dhe zemër shqiptare.
Monumenti i Aleksandër Xhuvanit, është skulptura juaj e promovuar në njëqind vjetorin e shkollës së parë ‘Normale’ Kombëtare, si ju lindi ideja për realizimin e kësaj vepre?
Në Shqipëri mund të lindin shumë ide si artist, por nuk është e thënë që të bëhen realitet. Më bind edhe fakti se në vitet ‘88-’89, pata një ide, të pasuroja fasadën e shkollës së mesme Pedagogjike, e cila përfaqësonte vlerat trashëgimtare të ‘Normales’, shkollës së parë të mesme të arsimit, hapur në vitin 1909, pas reformave të lëvizjes xhonturke në Shqipëri. Unë si artist, nuk përfaqësoja traditën e Elbasanit, por kisha mësuar e kisha lexuar për figurat historike të këtij qyteti. Në vitin 1989, në 80-vjetorin e shkollës ‘Normale’, dëshiroja të bëhej në fasadën e shkollës Pedagogjike, një ndarje triptiku, një reliev ku: hapësira e parë, të ishte themelimi i ‘Normales’ në vitin 1909; e dyta aktivizimi në luftë i kësaj Normaleje (Lufta Nacional-Çlirimtare); e treta zhvillimet e arsimit brenda kohës aktuale.
Në pjesën e parë të triptikut, perceptoja lëvizjet kohore të luftëtarëve të çetave patriotike, nëpërmjet një luftëtari hipur duke ecur përbri një kali në hyrje të kompozimit, duke i hapur rrugë të lirë një grupi prej fëmijësh, veshur me rroba tradicionale të krahinave shqiptare, me libra e instrumente muzikore në duar dhe me pishtarë drite që simbolizonin forcën e dijes që ofron shkollimi, forcën e dashurisë që ofron edukimi me artin dhe fuqia e patriotizmit, që ofron dija dhe arti edukuar në shkollën ‘Normale’.
Gjithë kjo hyrje jo më kot është në këtë rrëfim, pasi edhe e kam modeluar në një projektide vepre monumentale, me qëllimin për të evidentuar faktorin historik të personaliteteve kombëtare që vunë gurin e themelit në këtë ngrehinë madhështore për kombin. Historia e ‘Normales’ nuk i përket vetëm qytetarëve të Elbasanit, ndoshta ajo përfaqëson më tepër, bazuar në spektrin e gjerë të personaliteteve që e formuan dhe zhvilluan këtë ‘Normale’, nisur me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin dhe plot figura të tjera, nga qytetet e zhvilluara si Korça e Shkodra.
Shkolla ‘Normale’ mban emrin e Luigj Gurakuqit, si përfaqësues i lëvizjes politike kombëtare, si përfaqësues i Rilindjes Kombëtare dhe si koordinator i veprimtarisë së çetave patriotike kombëtare për pavarësinë e trojeve shqiptare. Ndërsa Aleksandër Xhuvani, përfaqësonte personalitetin e dijes dhe djalërisë intelektuale, që hodhi themelet e arsimit shqiptar. Nuk është rastësi që vetëdija e qytetarëve dhe atyre pashallarëve që mbështesin këtë lëvizje, iniciuan të parët ngritjen e flamurit të Pavarësisë Kombëtare në 25 nëntor 1912, me dorën e patriotit Aqif Pashë Elbasanit, por edhe me frymën e dijes që hapi ‘Normalja’ e Gurakuqit dhe Xhuvanit. Ndaj edhe sot do të dëshiroja që në pllakën ku shkruhen emrat e qytetarëve elbasanas, që mbështetën vendimin historik të ngritjes së flamurit, të vendoseshin para emrit të Shefqet Vërlacit, si beu më i pasur i qytetit, emrat e Luigj Gurakuqit dhe Aleksandër Xhuvanit, si gurë të çmuar të mendimit kombëtar, të cilët sollën dritën e dijes patriotike, jo vetëm në zemrat e popullit të thjeshtë dhe të qytetarëve të nderuar, por edhe në mendjen e bejlerëve dhe agallarëve, që pasuria nuk i ndante dot nga Turqia.
Kjo është arsyeja që në pjesën e parë të triptikut për monumentin e ‘Normales’ (i cili nuk u realizua), kam vendosur në mes të fëmijëve Luigj Gurakuqin si liberator dhe Xhuvanin, si profesorin e parë shqiptar, Luigjin, si një hero kombëtar, me përmasat e qytetarisë shkodrane dhe të trojeve shqiptare, si dhe Xhuvanin si përfaqësues të elitës moderne lokale me përmasa moderne evropiane. Si një e tërë e pandashme e lëvizjes sonë kombëtare ishin ato të dyja; Liria dhe Drita e së ardhmes.
Ndryshe nga fati dramatik i Luigj Gurakuqit, fati i Xhuvanit mori përmasa të tjera të papara në vitet tridhjetë, nën hijen e Monarkisë Shqiptare. Shkolla ‘Normale’ solli intelektualët e parë shqiptarë, të cilët i dhanë përmasa moderne Luftës Nacional-Çlirimtare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe zhvillimit të arsimit, kulturës dhe ekonomisë shqiptare.
Drejtori i kësaj ‘Normale’-je në vitet tridhjetë, ishte Aleksandër Xhuvani. Në këtë shtjellë të gjatë erdhi nxitja për koncept-idenë e parë mbi Aleksandër Xhuvanin, i cili nuk u realizua në monumentin e ‘Normales’, pasi komisionet e arteve pranë Komitetit të Partisë dhe Këshillave të Rretheve në kohën e monizmit, ndërtoheshin nga individë, të cilët jo vetëm që nuk kishin nisiativa personale, vullnet e besim tek vetja për përmasa të tilla punimesh monumentale, por kishin edhe “shansin” për të frenuar, penguar dhe ndaluar ata, që kishin inisiativa të tilla.
Ndaj sot ato makete punuar për gati një vit, ndodhen në studion time, mbuluar nga pluhuri i harresës. Fasadat e Pedagogjikes historike, sot gjimnaz, janë hapësira boshe pa mesazhet e domosdoshme historike, ndërsa anëtarët e komisionit, shijojnë sukseset e artit të “tregut” rrugëve të botës moderne në Perëndim…! Ndoshta, në mallin për vendlindjen, një hije reflektimi mund t’i prekë. Ndoshta mund të kishin bërë edhe ata diçka në kujtim për ‘Normalen’ dhe Pedagogjiken e Elbasanit, e cila nuk ekziston më si shkollë e mesme, sot. Ndoshta mund të kishin lënë një shenjë në ato fasada, ku lindi dhe u rrit ajo shkollë e parë ‘Normale’ e arsimit shqiptar(!?). Po të flasim për realizimin e monumentit të Aleksandër Xhuvanit’ pranë godinës së universitetit me të njëjtin emër në Elbasan, mund të them me vetëdije’ se nuk mund të ishte ideja ime, mbasi monumentet financohen me buxhete të konsiderueshme.
Kjo ishte si një ide e rektoratit dhe e senatit të Universitetit të Elbasanit të cilët, pasi i dhanë një pamje moderne Univesitetit të Elbasanit, mundën të përjetësonin në monument figurën e themeluesit të këtij universiteti’ që nga lindja e ‘Normales’ në 1909, hedhja shtat e tij në vitet tridhjetë, për të arritur në jetesën moderne dhe universitare të tij, mbas njëqid vjetësh më 2009. Njëqind vjet mjaftojnë për të përcaktuar vlerat e një personaliteti kombëtar që u përkushtua me mish e shpirt për këtë komb, i cili fali jo vetëm energji e dije për lindjen e formimin e arsimit kombëtar, fali jo vetëm vullnet politik për modernizimin e parlamentarizmit dhe politikave kombëtare për arsimin dhe shkencën, por ngjizi dhe atdhedashurinë dhe heroizmin për të bërë sakrifica për kombin, duke i dhënë atdheut në luftën epokale të Çlirimit Kombëtar, jetën e çmuar të një prej bijve të vet, Ptolemeut, si për të çuar më lart testamentin e lënë nga Luigj Gurakuqi në hapjen e Normales për lirinë kombëtare me moton e rilindësve me pushkë e me penë.
Nisma e rektoratit të Universitetit të Elbasanit, u zhvillua me një ide nga unë si krijues dhe artist, por edhe si qytetar i Elbasanit, që Xhuvanin ta shikonim në krye të shkallëve me kapelen e republikanit në dorën e majtë dhe me dorën e djathtë në xhepin e tij, si thesar origjinal të dijeve, të ideve, të ëndrrave dhe dëshirave jetësore, por dhe të sakrificave që ruan për lirinë dhe zhvillimin e kombit, të cilin e shohim sot si simbol të individualizmit profesional, intelektual, shkencor dhe burimi material. E gjithë kjo e shoqëruar me përkulje të kokës lehtë anash nga dora që mban në xhep, në nderim të vetvetes si vetëbesim dhe modesti për studentët që kalojnë në krah të tij, të cilët marrin stafetën e së ardhmes.
Çfarë vështirësish keni patur për realizimin e kësaj vepre?
Ndërsa flasim pë sakrifica të mëdha që kanë bërë njerëz të nderuar nga kombi, për një artist nuk shkon fjala sakrificë, pasi artisti ndjehet krenar të modelojë imazhin e figurave të tilla dhe njëkohësisht i jepet shansi të nxjerrë në pah aftësitë e veta profesionale.
Cilat janë vlerësimet për këtë monument?
Pikë së pari ndjehem mjaft i vlerësuar, për besimin e shfaqur nga rektorati i Universitetit të Elbasanit, i cili përzgjodhi projektidenë skulpturore, të Xhuvanit, realizuar në maketin fillestar me lartësi 1 metër. Ndoshta ky besim lidhet edhe me vlerat e prezantuara në monumentet e mëparshme, realizuar prej meje, të cilat ofronin një opinion të mirë artistiko-profesional tek bashkëqytetarët e mi. Kjo i siguronte se do të realizonin me sukses qëllimin e tyre në këtë monument, por edhe kostoja e preventivit ofruar nga unë, për këtë punim monumental, ishte mjaft modeste krahasuar me fondet e shpenzuara në raste të tjera, për monumente me madhësi më të vogël, për të mos thënë që janë realizuar edhe monumente me cilësi të dobët artistike. Për këtë ndjehem i vetë-vlerësuar në kompleksitet dhe si pjesë akademike e këtij universiteti.
Ndërsa me median kam mbetur mjaft i zhgënjyer, pasi nuk shkruan në gazetat e tyre emrin dhe mbiemrin e skulptorit, i cili modeloi këtë monument, që s’ishin vetëm dy fjalë dhe vetëm kaq. Nuk i lejuan pronarët e tyre?! Ndërkohë u përmendën emrat e gjithë qeveritarëve, që morën pjesë në inagurimin e monumentit, madje edhe emrat e titullarëve akademikë të Universitetit të Elbasanit, edhe pse ndejtën sehir gjatë krijimit të monumentit, nuk erdhën njëherë të vetme në studio, për të diskutuar realizimin e tij, as nuk i “hante meraku” për të. Për këtë “objektivitet gazetaresk” i falenderoj, sepse dëshmuan se gazetat e tyre dhe televizionet lokale, edhe pse “de jure” kanë emra të ndryshëm, “de fakto”, drejtohen në mendim dhe në veprim nga një “kokë subjektiviteti”. Njëkohësisht më bëri përshtypje se edhe politikanët lokalë të të dy krahëve, që nuk lanë gjë pa thënë për njeri-tjetrin, gjatë kohës së fushatës, aty përballë monumentit u takuan dhe u përmallën gjatë, si dy miq të vjetër, të cilët kanë se çfarë i thonë njeri-tjetrit.
Nuk harruan, gjatë ceremonisë inauguruese të monumentit, të takohen edhe me “miqtë e tyre publikë”, por artistin nuk e shikonin aty para syve, t’i jepnin një urim e falënderim, e pse jo, ndoshta edhe ndonjë kritikë. Për ta mjafton vetëm heshtja! Ja që në këtë rast, përballë kësaj heshtjeje provinciale, më mbetet të falenderoj edhe ata që nuk u ndjenë “të rëndësishëm” në atë ditë; kolegët artistë që më mbështetën dhe studentët e mi. Falenderim të veçantë i dërgoj mikut dhe kolegut artist Gëzim Hidri, i cili skaliti në gur bazamentin e këtij monumenti në një formë cilindër-rruzë, përsosmërisht “tornuar” vetëm me dorë, brenda një kohe mjaft të shkurtër dhe me një cilësi mjaft të lartë atistike, gjë e cila lidhet fort bukur me imazhin e monumentit, para fasadës së qelqtë të Universitetit.
Po kolegët si e kanë pritur realizimin e kësaj vepre?
Nuk është në etikë që të përmend emra, për artistët brenda dhe jashtë Elbasanit, por edhe të huaj e kanë çmuar si cilësi artistike e profesionale, e me gjithë këtë gjithçka mbetet në formën e “historive urbane”, përderisa nuk ka një linjë kritike lidhur me zhvillimin e skulpturës shqiptare. Çdo gjë i ka mbetur rastësive, por një gjë është e sigurt; sot është pushteti politik ai që e përcakton fatin e artistit, e madje, edhe respektin e tij për punën që krijon. Hap guidën e bashkisë e aty, ta heqin emrin te monumenti i Aqif Pashës, nuk i tregojnë vizitorëve e qytetarëve, se cili është autori, ndërsa për monumentin e Aleksandër Xhuvanit, vënë emrin e autorit, por nuk vënë fotografinë e monumentit. Kush po i pyet artistët monumentalë sot, se cilët janë ata në vetvete dhe se çfarë mendimesh dhe detyrimi kanë për zhvillimin e artit?
Çdo gjë përcaktohet nga shijet personale të atyre që “zgjidhen”, ndonëse nuk janë artistë, por as politikanë me thënë të vërtetën. Institucionalizimi i mendimit është i vështirë, vetëm opinionet ndërtojnë perceptimin real mbi artin. Ne si artistë, kemi detyrim për cilësinë e krijimtarisë, po aq sa politikanët kanë detyrim të respektojnë parimet institucionale të qeverisjes, lidhur me cilësinë artistike të veprave monumentale dhe njëkohësisht të pasqyrimit të përmbajtjeve të shëndetshme, brenda artit të tyre. Le të thellohen për përgjegjësitë ndaj cilësisë së artit monumental, pasi nesër do të jetë përcaktues i cilësisë së qeverisjes së tyre, nëse duan të lënë një emër të mirë si bashkëqytetarë. Memorie.al