Nga Orhan Sakiqi
I FTOHUR NGA TË DY ANËT
Memorie.al / Feri ishte’ ftohur’ nga të dy anët. Bir beu dhe gruaja e tij ishte nga familja tregtare Shijaku, shpronësuar nga shteti. Një mbrëmje vonë e gjej të ulur te shkallët e monumentit Skënderbeu. Dukej kishte kaluar dehjen e parë, sikurse thoshte Remarku te ‘Tri shokët’. “Pija të bën të lire, por fatkeq”, më tha duke përsëritur fjalët e Remarkut. “Të pasova ty më tha. Më larguan nga Zyra e Projektimit. Më kërkuan për bashkëpunëtor. Nuk pranova. Shkojmë te Krimea gjejmë pak ngushëllim”? Ishte një lokal përballë godinës ‘Kaceli’, që punonte 24 orë. Vonë natën vinin shoferë të turnit tretë, ndonjë endacak edhe ndonjë si puna e jonë, për të mbyllur ditën, ose më mirë për të harruar atë që kishte ndodhur atë ditë.
Morëm fërnet që ai ma kishte mësuar. Ai me dehjen e dytë e unë me të parën. Kur u ndamë më tha: “Më transferuan në Llakatund”. Ishte një fshat afër Vlorës, ku dërgoheshin ish funksionar dhe të ‘deklasuarit’. Njëlloj internimi. Ishte viti 1968.
NJERIU I VETMUAR, MAKS VELO
Maksin e njihja që kur punonte me grupin e arkitektëve bullgarë, të cilët projektuan Parkun e Madh të Tiranës, ku unë isha topograf i tyre. Pastaj edhe nga tenis Nallbani. Ishte tip i veçuar. E shoqëronte vetmia dhe nuk e kishin me sy të mire, sikurse thotë Kadareja, edhe nga vetmia. Vetmia dënohej. Shopenhauri thotë se; vetmia të fisnikëron. Por jo këtu në shoqërinë tonë.
Kur u hap Zyra e Urbanistikës dhe Projektimit, në vitin 1966, punuam pak kohë bashkë, deri sa na larguan. Disa objekte së bashku, ai arkitekti, unë konstruktori. Ndërmjet të tjerave, godina e ish – A.T.SH.-së (Agjensia Telegrafike Shqiptare), për të cilën u kritikua, si; “arkitekturë qafleshe”.
Një ditë, mbledhje urgjente e Zyrës. Maksi nuk kishte pranuar të japë shtëpinë, si qendër votimi. Fronti i lagjes ankohet. Ishte nder ta jepje shtëpinë për qendër votimi. Krye-Arkitekti Koço Miho, e kishte mësuar si të përgjigjej. – Shtëpia ishte e palyer. Maksi, në mbledhje me kolektivin që u organizua vetëm për të, tha: – “Ai personi që më propozoi për qendrën e votimit, sa më tha, iku shpejt pa pritur përgjigjen time, gjithsesi e vonuar. Sikur nuk e donte. Apo donte të mos e merrte. Do t’i thoja sa të lyej shtëpinë, por ai iku”. Shpëtoi me vërejtje. Për pak kohë sepse e transferuan në kooperativën e Pezës. Pas pak, në burg……! Pas vite shkëputjeje, ose takime të rastit, jam takuar me Maksin më shumë te Teatri Kombëtar, në mbrojtje të tij.
INXH. VASIL NOÇKA – FUTEM NËN URË
Fat i madh për ne teknikët e rinj, që mundëm t’i njohim e deri diku, t’i shërbejmë atyre: Noçka, Gjadri, Filipeu, Nuri, Luarasi, Lufi…! Noçka kishte mbaruar në Gjermani dhe kishte marrë titullin: Inxhinier Shteti.
Në ndërtimin e Kombinatit të Peshkut në Vlorë, (“Ernest Telman”) që ndërtohej me ndihmën e Republikës Demokratike Gjermane, thjeshtësoi projektin. Inxhinierët gjermanë që drejtonin zbatimin, kërkuan mendimi në Berlin. Përgjigje: Çfarë thotë inxhinieri i Shtetit, duhet të zbatohet. Titulli inxhinier Shteti, ishte veçantë. Pak e merrnin. Teknikët gjermanë u çuditën, kur morën urdhrin. Por ju bindën. Fjala e Noçkës u bë ligj për ta.
Ndërmjet të tjerave projektoi edhe urat e hekurudhës Peqin-Elbasan, që drejtohej nga jugosllavët. Dikush përmendi fjalën në modë “sabotim”. Noçka tha: “Në trenin e parë që kalon, futem unë nën urë”. Qetësi. Por burgut nuk i shpëtoi…!
SABOTATORI…!
Kishte fituar konkursin për të qenë mbikëqyrës, në ndërtimin e Kazermave të Ali Rizait. Vjen nga Vjena në vitin 1928, austriaku Hans fon Nekvatal. Martohet me një zonjë korçare dhe vendos të jetojë në Shqipëri. Pagesa ishte sa dyfishi i Vjenës. E burgosin komunistët. Shtëpinë e merr Petrit Dumja. Strehimi e dërgon në shtëpinë tonë. Familja e tij, me edukatë kulturë. Emilia, vajza, me piano dhe djali Gustavi, u bë shoku ynë .
E burgosin inxh. Hansin, e akuzojnë për “Sabotim”. Në pyetjet e hetuesit, rrinte si i shushatur, nuk fliste. Dikush tha, se ky nuk po kupton se çfarë i kërkojmë! Ja shpjeguan. -Hansi: “Nuk është shembur asnjë objekt që kam projektuar apo zbatuar…! Ata dyshonin – nuk ke sabotuar, por e ke pasur në mendje…! Kishin fuqi të lexonin edhe në mendje”.
KUJTIM BEQIRI DHE MALIQI
Më tregonte Skaharimi, vëllai i Kujtimit. Një natë vonë, një dashamirës i jonë vjen në shtëpi dhe na tregon, se do të arrestojnë Kujtimin. Ai drejtonte së bashku me të tjerë, punimet për tharjen e kënetës Maliqit. Nisem menjëherë natën me makinë të rastit, për në Maliq. Pyes ku është Kujtimi? Atje ku ka dritë të ndezur. Kujtimi me projekte hapur.
– “Çfarë e mire të pruri”?!
– “Na lajmëruan se do të arrestojnë për sabotim, prandaj të këshillojmë të largohesh”.
– Jam Krye-Inxhinieri këtu. Si mund ta le veprën?! Ky po, do të ishte sabotim. Si mjeku që le në mes operacionin. Bonifikimi i kënetës është këtu. E keni gabim”. Nuk ja mbusha mendjen as me të lutura. Ika në mëngjes. Kujtimin e arrestuan, pas dy ditësh. E dënuan me varje. Tridhjetë vjeçar. Ylli i Universitetit të Vjenës. Viti 1946.
NË STADIUM
Me Abdullain, shikonim një ndeshje në stadium. Kishim një orë pushimi nga mësimi. Aty afër ishte fakulteti. Befas u ngrit. Ikim. Ju kujtua diçka. Disa gjëra m’i kishte thënë, por jo të gjitha. Vijoi: “Isha në burg, si anëtar i grupit të rinisë së ‘Bashkimit Demokrat’. Me drejtues Musine Kokolarin, Qenan Dibrën, Shaban Ballën, etj.
Më dënuan me dhjetë vjet burg. Isha 18 vjeç. Na dërgonin në punë të detyruar, për të përfunduar stadiumin e filluar nga italianët. Këtë ku jemi tani. Rrugës nga burgu deri këtu ku jemi, këndonim këngë patriotike. Me të mbërritur, kamxhiku kalonte në duart e policëve, si topi që luajnë këta djem. Nuk u kthyem më në mësim”.
NEXHMIJA, CUCA E TEFIK EFENDIUT…!
Nexhmije Hoxha (Xhuglini) ishte vajza e Tefik efendiut, i cili atë mot ishte arkëtar në Farmacinë e Kryqit të Kuq në “Rrugën e Barrikadave”. Shkoja shpesh në farmaci, edhe sepse aty punonte si farmacist, xhaja im, i pa harruari Telat. Tefiku burrë i urtë, mbi 60-at, rrinte aty në strehën e tij, me xham përpara. Ishte arkëtari i farmacisë. Më dukej si bukinisti i Cvajgut. Kishte merak se mos e ngarkonin me porosi për të bijën dhe i shmangej bisedimeve. Farmacia elitë e Tiranës, ku Bujar Emiri, Naz Alibali, Telati, xhaxhai im, Jani Greku, Drita Andoni, ishin shpirti i saj.
Në ndërmarrje kisha një dibran, meso burrë, Hilmiun, që sa herë e takoja, qoftë edhe nga larg, thoshte: “Të fala nga Tefik efendiu”. Por në një mbrëmje, me rastin e 1 majit, e teproi edhe nga pija. Te veshi: – “Mor cull, cucën e Tefik efendiut, do durojmë gjithë jetën”?! – Unë – “Mshile gojën, se na mora në qafë”. Sot, aty ky je Hilmi. Cuca iku, por po durojmë cucën e cucës të birit, e të soj e sorollopit. Si në kohën e keqe.
HO SHI MINI
Shator 1969. Atë muaj e merrja pushimin 15 ditor, se kabinat, ose më mirë dhomat me pamje nga deti, ishin pa autorizim. Te shoku im, Lek Dizdari, mar hua transistorin dhe dëgjoj në rërë, ‘Hit parade’. Renditja e këngëve, më të mira italiane. Ishte çdo të premte ora 13. Shoh që drejt çadrës sime afrohet dikush dhe ndërroj stacionin.
– “Shok, nuk e di se ka vdekur shoku Ho Shi Min, e ti dëgjon muzikë të ndaluar”?! – “E ke gabim, lajmet po dëgjoj”. Iku me mëdyshje. Po dëgjoja këngën: ‘Una lacrime sul viso’, nga Bobi Solo. Ne kishim ‘Lacrime sul cuore…’!
BACA
Janar i vitit 1991. Ishte hera e parë që po dilja jashtë shtetit, në Prishtinë te njerëzit e mi. Kërkesën e kisha bërë vite më parë, por pa përgjigje. Tani u hap për të gjithë. Më parë për të shkuar jashtë shtetit, duhet të kaloje në “vrimë të miut”. Unë nuk e kaloja dot. Bregu atje ishte plot. Binte në sy ndryshimi me këtu. Pas dy ditësh, djali i tezes, prof. Afrim Vokshi, më thotë se sipas zakonit, duhet të kryenim disa vizita te fisi i tij. Fisi Vokshi i madh.
Vizita e parë te Baca, kështu quhej më i vjetri në moshë. Portreti i Enverit, në krye të vendit. Pranë Skëndërbeut. Unë kështu ashtu, ai ashtu kështu. Në vizitën e lamtumirës, te shtëpia e Bacës, nuk ishte portreti i Enverit. Duket kishte zënë vend fjala e ime. Por te dikush tjetër, ishte. Mbase është edhe sot…!
VARRI I HUMBUR…!
Para tre vitesh, më ftoi një shok i shkollës, për të shkuar në Vlorë. Ai fliste gjithë rrugës. Unë s’para i përgjigjesha. Dua të meditoj, – si thotë z. Etemi – kur udhëtoj. Lëkundja e makinës, sikur të nxit. Dhe shoku nuk foli më. Në dalje të Fierit: – “Këtu rrotull, është varrosur inxhinier Xhavit Sallaku”. U përmenda.
Mbaje makinën të lutem. Ku? “Nuk e di ekzakt. Më ka thënë shumë kohë më parë një koleg që punonte në N.SH.N. të Fierit me Xhavitin. Por edhe ai me të dëgjuar. Aty edhe e arrestuan për ‘sabotim’ dhe pas një gjykimi të shkurtër, për ta pushkatuar”.
Ditën e kalova keq, shumë keq. Më shfaqej e qeshura e çiltër e Xhavitit. Mu kujtua një varg i Ahmatovës: “E etur për gjak është kjo toka e jonë…”!
RADHA
Fundi i viteve ’40-të. Mbanim radhë për një litër qumësht. Qumështi ndahej te pedonalja, ku është Bar “Guva” sot. Radha e burrave, fillonte te teatri. E grave, te ndërtesa ku ka qenë selia e Partisë Demokratike. Radha ishte me një rresht. Në mes dëshmorët dhe invalidët. Po të shikoje nga lart, formohej një shkronjë T, me krah shumë të gjatë e, me bisht të vogël. Dikur u shtuan edhe ‘sulmuesit’.
Një burrë i thinjur para meje, tha me zë të ulët: “Edhe këta na u deshën”. Sikur ja vunë veshin! Sulmuesit u bënë shumë dhe i hoqën nga privilegji. Por radha nuk u zvogëlua. Apo u pakësua qumështi? Radhë, radhë radhë refren i përditshëm i jetës sikurse shkruan Kolevica – “Radhë, radhë, radhë, Refren i përditshëm i jetës”.
FORT-FOLËSIT
Fort folësit buçisnin, kur zhvilloheshin gjyqet kundër “armiqve të popullit”. Duhet ta merrnin vesh të gjithë, “armiqtë në litar”! Një gjyq i tillë bëhej në Kino “Tomori”, më vonë “Brigada”. Në atë vend, sot është selia e Partisë Socialiste. Ushtima dëgjohej deri në shkollën tonë “Kristoforidhi”, rreth 100 m. larg. Një shok i joni, rrinte si i mpirë. Fëmijë ne, por e dinim që i ati tij, ishte atje te Kino “Tomori”. Do s’do, shikimet, qoftë të fshehura, drejtoheshin tek ai. Në një çast, mësuesja Sofika Falli, ngrihet nga katedra shkon drejt tij dhe i përkëdhel kokën…!
REZI YPI
Rezin e kishim fqinj. Shtëpitë tona ishin pranë, përballë fushës sportive të Shallvares. Luanim në hapësirat e pa fund të fushës. Fëmijë 8-9 vjeçarë. Rezi disi më e vogël. Dikush i ri në lagje, që banonte në pallatet e bardha, ndërtuar nga italianët, tha: “Me Rezin, nuk duhet të luajmë më, sepse i është arratisur nëna”. Arratisur? Nuk e kuptuam mirë. Vilsoni pak më i rritur se ne, e ndoqi folësin. “Mos u duk më këndej”.
Në shtëpi pyeta nënën: “Çfarë do të thotë arratisje” dhe i tregova punën e Rezit. “Ka shkuar në një vend tjetër e ëma”, dhe më porositi të mos shoqërohem me fëmijët e banorëve të pallateve të bardha…! Fëmijë të pjekur para kohe…! Në pallatet e bardha ishin strehuar familjet e funksionarëve. (Rezi, nëna e Blendi Fevziut).
SULEJMAN MATO DHE MALLI QË PO MË CFILIT!
Është kënaqësi të rrish me Sulejman Maton. I urtë, i ditur, i dashur. Shkrimtar dhe poet. Është vështirë sot të botosh, për pa mundësi financiare botimi. Sula ka disa libra gati për botim, e megjithatë ai shkruan përsëri. “Artisti, nuk mund të mos i shprehë ndjenjat”, thotë ai. Librat e tij i kam me autograf, por veçoj; ‘Balada e Vetmisë’. ‘Malli’ dhe në veçanti poezinë; ‘SHPIRTI I NËNËS RRON’.
Një fragment: Troket lehtë netëve dhe në derën time, / hyn si erë e më zgjon nga gjumi, / më qorton për punët që kam lënë përgjysëm, / mbulon fëmijët dhe i ledhaton në gjumë, / dhe përsëri nga krisat e dritares del…”!
NËNA…VET DRITA VETË GJITHËSIA
Më kujton nënën time, tuajën. Por poezia malli, ma dërgoi së fundi: “Malli, oqean i fuqishëm që buron nga qiejt / vërshon posi dallga e brengosur…/ Më vjen si jehonë zëri i saj i ëmbël…/ Malli, malli, ku je, në ajër në tokë në det, je asgjëkundi dhe je kudo…/ sa i pamëshirshëm qenka malli, / të sfilit mizorisht”. Sikurse po më sfilit mua!
Vimë te grimca, në kohë të mirë. Sulën e kam njohur në Bashki, në vitin 1996. Dikush vjen e më thotë, se si e mbani në bashki një shërbyes të diktaturës. I them se këtu drejton mirë Gazetën Bashkiake. Pastaj nuk është detyra ime kjo. Nuk i them gjë Sulës që vazhdoi deri në vitin 2000, kur e largoi ai tjetri. Si është kjo botë: Ai që spiunoi Sulën, është bos i madh, kurse Mato, një nga 300 firmëtarët e themelimit të Partisë Demokratike, krijon edhe kërkon… sponsorin?! E kemi lënë një ditë të shkojmë në vendin e tij të lindjes, Fterën e dashur…!
DY GRA FËRKOJNË GRANILIN
Kur kaloj rrugëve të Tiranës, shumë ndërtesa përditë e në zhdukje më kujtojnë diçka. Por edhe ato ekzistuese p.sh., godina e ish – Komitetit Qendror të PPSh-së, e më saktësisht shkallët nga hyrja qendrore. Znj. Hyrie Asllani, punonte si punëtore në ndërtimin e Pallateve të “Shallvares”, aty nga fillimi i viteve ’50-të. Gruaja e avokat Suat Asllanit, i burgosur dhe vajzë nga familja Aranitasi. Atë mot e thinjur, por nëna më thoshte se ka pasur bukuri dhe fisnikëri të rrallë, si Antoneta Lualdi, aktore e famshme e viteve 1930-1940. Shenjat e fisnikërisë i ruante.
Ishin njohur vajza në Shkollën Amerikane të Kavajës, ose të Dakos. Në kohë darke, vinte në shtëpinë tonë afër bllokut që ndërtohej në Shallvare. Me bukën mbështjellë me gazetë. Nëna ime, vazhdonte të ishte mësuese, por po frynin erëra të forta.
Nëna – “Hyrije, më duket se po bashkohemi në zanat”.- “Jo Nevrez, mos e dhëntë Zoti”. Po ja që Zoti e dha.
Pas një viti, kur po shkoja në stadium, i shoh së bashku duke fërkuar granilin në shkallët qendrore të ndërtesës, aty ku hyhet sot, te ish-Komiteti Qendror i PPSH-së. Parashikimi i nënës kishte dalë. E dija që punonte si punëtore aty, por u trondita kur e pashë të kërrusur mbi shkallë. Për ata që nuk e dine, betonit, për ta bërë dekorativ, i hidhet granil. Masa pasi thahet pak, duhet të fërkohet, që granili i bardhë, të dalë në dukje. Atë punë tani e bëjnë makineritë, atë mot e bënin me dorë. Sot shkallët janë aty, dhe duket granili i larë nga duart e tyre. Memorie.al