Nga Elsa Demo
Memorie.al / Kristo Dako, studiuesi dhe patrioti korçar, bashkëkohës i ngjarjeve që vendosën fatin e shtetit shqiptar “pagëzuar” nga Fuqitë e Mëdha. Njeriu që shëtiti pëllëmbë për pëllëmbë në “tokën e harruar”, këshillëtarin e presidentit amerikan Willson, Charles Crane dhe roli i tyre në çështjen shqiptare. Dëshmitë e masakrës greke që vijnë për herë të parë në veprën e Dakos “Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme”
“Pasi shtinë në dorë fshatin Kodër, pranë Tepelenës, grekët iu bënë thirrje të gjithë fshatarëve, burra, gra e fëmijë që të mblidheshin tek kisha. Kur u mblodhën të gjithë, 230 gjithsej, oficerët grekë, iu dhanë urdhër ushtarëve të hapnin zjarr mbi ta me mitralozë. U vranë të gjithë; ua prenë kokat dhe i varën në muret e kishës. Gjenerali De Weer, i misionit holandez, shkoi vetë në atë fshat dhe pa me sytë e tij këtë mizori greke të tmerrshme. Në fund të qershorit ‘Lëvizja e Esadit’ i arriti grekët, dhe filloi një sulm i përgjithshëm, por më 6 korrik 1914 shqiptarët u detyruan të tërhiqen”.
Kjo është dëshmia e Kristo Dakos, studiuesit dhe patriotit i cili na jep këtë ‘peizazh gjaku’, në pranverë të vitit 1914, pikërisht nga vendi i ngjarjes. Dhënduri i Qiriazëve, shoku i jetës së Sevasti Qiriazit, kreu i Partisë Nacionaliste Shqiptare, rrëfen në veprën e tij “Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme”, fatin e Shqipërisë pas dorëzimit të qeverisë nga Ismail Qemal Beu, në duart e një Mbreti, Princit William Wied-it, caktuar nga Fuqitë e Mëdha, gjendjen në kufijtë e rrezikuar në prag të ardhjes së Princit dhe rolin amerikan në çështjen shqiptare.
Skena e mësipërme përshkruar nga Dako, është vetëm një nga ato ngjarje që ndodhën si rrjedhojë lakmisë, intrigave dhe sulmeve që vinin nga Serbia e Greqia, që shkaktuan vdekjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, gra dhe fëmijë, viktima “të politikanëve të paskrupuj dhe zotër të luftës”, siç shënon Dako. Kjo vepër plotëson boshllëkun e librave historikë dhe iu paraprin të tjerëve, që marrin në fokus periudhat më të errëta dhe më të manipuluara nga historia shqiptare deri më tash, nga pavarësia, deri tek ikja e Mbretit Zog.
Pasi ka bërë një kalim nëpër hartën e vendit të tij, Dako konkludon se: “Megjithëse Shqipëria zotëron pozitën gjeografike më të rëndësishme në Adriatik, megjithëse është çelësi kryesor i Lindjes së Afërme, megjithëse ndodhet tridhjetë e nëntë milje nga Italia, ende, është ndoshta, vendi më pak i njohur i Evropës”. Me përvijimin që i bën të kaluarës, Dako qëndron aty ku rreh çështja shqiptare, dhe në të njëjtën kohë, çështja e popujve të Ballkanit në kapërcyell të shekujve XIX-XX-të, tek çështja e krijimit të kombit sipas parimit amerikan të presidentit Willson, ai i nacionaliteteve.
Autori i veprës “Shqipëria çelësi kryesor i Lindjes së Afërme”, arrin në konkluzionin se; është vullneti popullor që konstituon kombësinë. “Por nëse ky parim do të zbatohej për shqiptarët do të zhvillohej një debat i vështirë, pasi do të duhej që të kishte parasysh vullnetin popullor. Por sa më larg ta ndjekësh historinë e këtij populli trim, do ta gjesh atë të karakterizuar prej dy pasionesh: nga pasioni për gjuhën e tij dhe nga pasioni tjetër për zakonet e lashta…! Ky popull i vogël – dhe ata janë veçse një grusht – ka luftuar me vendosmëri të dyfishtë, madje me sukses kundër pabarazive të panumërta, që e kanë rrezikuar gjithmonë për ta zhdukur. Të shtrënguar përballë Adriatikut, vendstrehimi i vetëm për ta mbeteshin malet, kështu ata u pushtuan nga gotët, hunët, serbët, bullgarët dhe normanët…”! shkruan në parathënien e kësaj vepre, në vitin 1919, Richard Gotheil nga Columbia University, i New York-ut.
Një nga kapitujt interesantë të veprës, është; “Evropa nis të luajë tragjedinë e saj në Shqipëri”, ku Dako është dëshmitar okular i ngjarjeve. Ja çfarë shkruan ai për momentin e ardhjes së princ Wied-it në Durrës: “Ai u prit me brohoritje entuziaste nga popullsia, ndërsa të shtënat e mirëseardhjes, zbrazeshin nga porti. Akti i tij i parë ishte emërimi i Esad Pashës Ministër lufte dhe si Krye-gjeneral i Shqipërisë, gjë që sigurisht ishte një gabim fatal për Esadin, që të paktën, ishte i padëshirueshëm për bashkatdhetarët, pasi emri i tij ngjalli pakënaqësi dhe përçmim në popull.
Sapo shtiu në dorë këtë pozitë të rëndësishme, nën udhëzimin dhe ndihmën e fqinjëve lakmitarë të vendit, Esad Pasha, nisi organizim e coup d’etat (grushtit të shtetit), kundër qeverisë së tij, me ambicien që të bëhej vetë Sovran i Shqipërisë. Ai u kap në flagrant d’elit, shtëpia iu bombardua dhe vetë u detyrua të ikte nga vendi, duke u betuar se nuk do të kthehej më kurrë në Shqipëri.
Por me ikjen e tij “Lëvizja e Esadit” nuk pushoi, përkundrazi u rrit duke marrë një karakter kërcënues, sepse tani mbahej gjallë akoma nga fqinjët dhe të afërmit e tij, që të mos dështonte. Ndërsa Esadi po bëhej gati për coup d’etat në kryeqytetin e Shqipërisë, grekët i dhanë një coup-de main prej Korçës, djepit të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të arsimit, të enjten në mëngjes, në orën 2.30 të 2 prillit 1914.” Historia e sulmit shkruar më 25 prill 1914 nga autori që ishte dëshmitar i gjallë bashkë me miqtë e tij amerikanë, është një ilustrim tipik i politikës së përgjithshme, të ushtruar nga në një formë të neveritshme nga fqinjët e Shqipërisë për shpërbërjen dhe copëtimin e saj, pasi u ishte ndaluar ta përmbushnin haptas këtë qëllim.
Në fund të qershorit “Lëvizja e Esadit” i arriti grekët, dhe filloi një sulm i përgjithshëm, por më 6 korrik 1914 shqiptarët u detyruan të tërhiqen. Së bashku me nëpunësit e qeverisë, 350 mijë njerëz ikën për të shpëtuar jetën. 50 mijë u grumbulluan në Berat, 100 mijë gjetën strehim në Elbasan, të tjerët u endën për ca kohë dhe pastaj shkuan të fshihnin kokën nën ullinjtë e Vlorës.
Duke folur për shkatërrimet nga fqinjët në Shqipëri, i nderuari Aubrey Herbert, anëtar i Parlamentit Britanik, tha: “Kam bindjen se ky popull, është shfarosur sistematikisht në zona të ndryshme kufitare të Shqipërisë, nga ata që iu ishin betuar si fqinjë të tyre. Përveç gjithë fatkeqësive të saja, Shqipëria e vuajti këtë kob të madh, sepse e gjithë bota, nuk e di se çfarë po ndodh në atë kënd të Ballkanit. Shqiptarët po shuhen në heshtje, sepse ata nuk janë të aftë të ankohen, ose të bëjnë të ditur katastrofën e vuajtjeve të tyre, ata janë lënë të vdesin urie pa i ndihmuar kush”.
Shqipëria qe braktisur në fatin e vet!
Pesë Fuqitë që e krijuan dhe i premtuan ta mbronin dhe ta ndihmonin, ia kishin tërhequr mbrapsht mbështetjen morale, dhe Shqipëria, u rrënua si pasojë e sulmeve që ishin organizuar, mbështetur dhe zbatuar nga ata që ju betuan solemnisht, që ta përkrahnin.
Dako rrëfehet: Përkujtime
“Nëse shënimet vetjake do të duken shumë pasionante, lexuesi të kujtohet se incidentet e treguara, janë krejt të vërteta dhe të gjalla për shkruesin dhe se përmes këtij pasqyrimi konkret, ai përpiqet të portretizojë peripecitë e popullit të tij”. Kështu nis rrëfimin e përkujtimeve, Kristo Dako, në kapitullin e fundit të memoriali-stikës; “Shqipëria çelësi kryesor i Lindjes së Afërme”. Për herë të pare, Dako aktivizohet në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, jo në Shqipëri, siç mund të dukej në pamje të parë, por në Bukuresht, ku ndiqte shkollën bashkë me të vëllain, pasi ishte larguar në 1890-ën nga vendlindja e tij, Korça.
Bukureshti kishte një koloni të gjerë shqiptare dhe me një organizim të fortë kombëtar. Në Bukuresht, doli literatura e parë propaganduese e lëvizjes kombëtare për Shqipërinë. Kristo Dako, zgjidhet sekretar nderi i kësaj organizate dhe për disa vjet e mbajti këtë post, duke lexuar historinë e “racës së harruar”, duke u frymëzuar me parimin e çlirimit të vendit dhe të pavarësisë kombëtare.
Ishte mjaft e natyrshme që duke mbajtur një pozitë të tillë në një organizatë, që pohonte si qëllim të vetin çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke dhe lirinë nga dominimi i klerit grek, ai të lidhej dhe të bashkëpunonte me pionierët e lëvizjes kombëtare shqiptare. Në këto rrethana, takon zonjushën Sevasti Qiriazi, gruan e re që më pas identifikohet me lëvizjen që kishte si qëllim edukimin e fëmijëve shqiptarë, me shkrimin e gjuhës amtare dhe historinë e vendit të tyre. Interesat dhe ambiciet e tyre ishin kaq të afërta, sa shoqëria dhe korrespondenca e tyre e dendur, arriti shpejt në një romancë. Afrimi ishte i pashmangshëm dhe nga ky takim i paracaktuar në kauzën e përbashkët të lirisë, Kristo Dako, gjeti nusen.
Ja si e përshkruan ai takimin e tyre të parë: “Kur e takova për herë të parë, Sevastinë, tashmë zonja Dako, ajo kishte zënë vendin e të vëllait në krye të shkollës së parë shqipe për vajza, themeluar brenda kufijve territorialë të Shqipërisë. Filizi i romancës tonë, më gjallëroi dhe më futi në rrugën e madhe të arsimit për emancipimin e shqiptarëve, pasi ndjeva thirrjen e pashmangshme për të shërbyer në këtë fushë me perspektivë të ndritshme, për të ardhmen e vendit. Majde në rininë time ndjeva se gruaje ime do të shenjtërohej për çlirimin e popullit tim nga zgjedha turke”.
Ndonëse vazhdonte studimet për gradën shkencore në Universitetin e Bukureshtit, ai shkon në Shtetet e Bashkuara, për të plotësuar përgatitjen arsimore, me të vetmin qëllim: të ishte i aftë të kthehej në Shqipëri dhe të jepte gjithçka për kauzën e emancipimit të saj. Regjistrohet në kolegjin e Oberlinit në pranverë të vitit 1907. Dy vjet më vonë, kthehet në Shqipëri. Arrestohet nga Guvernatori i përgjithshëm i Vilajetit të Manastirit. Burgoset në Manastir. Por kjo pati një efekt negative, sa u pa e arsyeshme se Dako, do të ishte më pak i rrezikshëm jashtë, se sa në burg.
Kështu lirohet dhe gjatë periudhës që merret me përgatitjen e librave shkollorë, për t’i vënë në qarkullim në shkollat shqipe, takohet për herë të parë me Shkëlqesinë, Charles Crane (Çarl Krejn) nga Çikago, i cili do të kishte një ndikim të jashtë-zakontë në çështjet politike të Shqipërisë. Falë përpjekjeve të tij, Krahina e Korçës u përfshi, nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, brenda kufijve tokësorë të Shqipërisë së pavarur. Studiues dhe autoritet i përhershëm i çështjeve ballkanike, vëzhgues i hollë i situatës në Lindjen e Afërme, një nga njerëzit më të informuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi çështjet ruse, Zoti Krejn, nuk e kishte vizituar kurrë personalisht Shqipërinë.
Në maj të vitit 1911, ai nis udhëtimin e tij. Megjithëse kishin plasur kryengritjet gjithandej, ai ishte i vendosur ta vazhdonte udhëtimin e tij dhe falë kësaj vendosmërie, nëpërmjet zotit Krejn, mund t’i tregonim botës, se në ç’kushte gjendej vendi. Gjatë tre vjetëve, pas vizitës së zotit Krejn, deri në arritjen e pavarësisë, në Shqipëri ndodhën shumë ngjarje. Autoritet greke, e mbanin ende të pushtuar Korçën, në kundërshtim me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Shkolla “Qiriazi”, ishte po aq e kërcënuar, sa edhe nën pushtimin turk. Në mars të vitit 1914, pas pesë shekujsh sundim turk, Korça bëhet pjesë e Shqipërisë së Pavarur, por kërcënimi ishte sundimi grek, ditës së 1914-ës, ku turma thërriste; “Rroftë Greqia”!
Por sulmi i papritur helen dështoi, duke shmangur përsëritjen e masakrës së Shën Bartolemeut. U dëshmua përfundimisht se; sulmi ishte përgatitur nga oficerë të ushtrisë greke, që vepronin në bashkërendim me peshkopin grek. Nga mesi i qershorit, “Lëvizja Epirote u bashkua me lëvizjen e Esadit dhe pasi filloi një sulm i përgjithshëm përgjatë kufirit, çifti Dako dhe zonjusha Qiriazi bashkë me shumë qytetarë, u detyruan të iknin për të shpëtuar kokën. Në ndjekje kishin pas trupat e Esad Pashës dhe vetëm eskorta e Konsullit Britanik të Manastirit, zotit Greg, për t’i ndihmuar gjatë ikjes, iu shpëtoi jetën.
Deklarata e Çarl Krejnit, pas udhëtimit në Shqipëri
Zoti Krejn, shpërndau një deklaratë, domethënia e të cilës nuk mund të anashkalohej, kur u mor vesh që ishte raporti i parë që i jepej botës, nga një dëshmitar okular i përgjegjshëm dhe i paanshëm, lidhur me situatën e vërtetë në Shqipëri dhe me kryengritjen shqiptare, kundër sundimit turk. Thelbi i kësaj deklarate, ishte si vijon:
“Nën mbulesën e një amnistie dhe një armëpushimi në dukje, trupat turke po shkatërrojnë sistematikisht çdo banesë njerëzore, të gjithë të mbjellat dhe të gjitha mjetet e mbijetesës në territorin e malësorëve shqiptarë. Shkretimi po vazhdon pa mëshirë, pa u kursyer jetët. Mjaftë nga pleqtë, gratë e fëmijët, që nuk patën fatin të shpëtonin në Malin e Zi, u masakruan. Gratë u përdhunuan në mënyrë të lemerishme. Në këtë moment, disa qindra gra e fëmijë, janë bllokuar nga Mali i Zi dhe janë rrethuar nga turqit. Shpëtimi i tyre duket i pamundur”.
Deklarata e zotit Krejn, u vërtetua dhe u konfirmua nga deklarat të ngjashme nga zonjusha Durham, Baroni, Siat Yoost de Kruyff, Kryetar i Shoqatës së Shtypit të Huaj në Kostandinopojë, dhe sinor Zoli, korrespondent i gazetës “Secolo”. Si rezultat i këtyre dëshmive dhe publicitetit të gjerë që iu dha deklaratave, Turgut Shevqet Pasha, komandat i trupave turke në Shqipëri, u tërhoq dhe u urdhërua dorëheqja e tij. Memorie.al